"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

“Kandidati”

Flisni pë letërsinë shqiptare, sillni krijimet tuaja dhe të autorëve që ju kanë lënë mbresa.

Moderator: bardus

Post Reply
User avatar
Adriana
Universe Member
Universe Member
Posts: 3191
Joined: Tue Jun 02, 2009 3:34 pm
Gender: Female
Location: Giethoorn (Nederland)
Contact:

“Kandidati”

#1

Post by Adriana » Sun Nov 01, 2015 8:58 am

[quoteemNga : Nebil ÇIKA 31/10/2015]Fletërrufeja e radhës e Ben Blushit!

Ai nuk shkruan dot letërsi! Sa herë tenton të beje një gjë te tillë përfundon në origjine, tek fletërrufetë e komunizmit. Ditët e fundit ka dale nga botimi një libër tjetër i politikanit dhe shkrimtarit Ben Blushi me titull “Kandidati”. qe autori e pretendon si “roman”. Si gjithnjë një pamflet apo një ese, përzierje e keqe mes letërsisë dhe politikes për te cilën nuk gjendet dot zhanër tjetër ta përcaktoje përveç “fletërrufesë”, një forme publike e luftës se klasave gjatë komunizmit, e huazuar me duket nga komunistët kinezë.

Ka pasur shumë debate për këtë libër me emra realë personazhesh, por më se shumti vëmendje ka tërhequr sulmi pervers i autorit ndaj nje prej figurave mje te ndritura te historisë sonë kombëtare, Lef Nosi. Blushi ka zgjedhur ta sjelle ne kohe këtë figurë, me emër real, e përpiqet me çdo kusht ta diskreditoje si figure e si personalitet i historisë dhe kulturës kombëtare. Nuk besoj se mund t’ia arrije këtij qëllimi, por gjithsesi orvatja për ta bërë është cinike, arsyet sa perverse aq dhe te neveritshme. Nuk është hera e pare qe Blushi mban një linje te forte antikombëtare në librat e botuar prej tij. Te kuptohemi! Askush nuk do te kishte problem ketë nese Blushi nuk do te ishte një politikan, deputet dhe drejtues i PS-se, me ambicie te forta per t’u bere kreu i sajë, gje që e bën një shqetësim real dhe kërcenim potencial ketë mendim te tij te shprehur ne libra.
Vrisja mendjen pse ishte kaq antishqiptar Ben Blushi ! Si mundet që një njeri ta urreje kaq shume kombin e popullin e tij, veçanërisht vlerat dhe simbolet e tij. Përgjigjen e mora tek një letër e shkrimtarit te shquar shqiptar Mitrush Kuteli dërguar ne vitin 1961 Mustafa Gerblleshit. Kuteli, pa e ditur se cfare do te bëhej nipi Ben Blushi , flet për një prej monstrave te realizimit socialist, gjyshin e Ben Blushit, Dhimitër Shuteriqin. Vetëm një koke e madhe, një mendje e ndritur si e Kutelit, mund te na japë ne një faqe letër rutinë, arsye dhe argumente të plota për ato që ndodhin gjysme shekulli me vonë. Ndoshta për të njëjtat arsye si ne sot me Blushin,Kuteli i kujton Gerblleshit faktin që Shuteriqi ishte apo ndihej “serb“ si kombesi dhe mentalitet, gje qe ia kishte shprehur hapur themeluesit serb te PKSH-së, Miladin Popoviçit ne Beograd ne vitin 1945. Kuteli sjell edhe detaje ku citon Shuteriqin t’i ketë thënë Popoviçit se mbiemri Shuteriqi vinte nga serbishtja “ shute“, qe do të thoshte “shaka”. Përveç kësaj, Kuteli nxjerr edhe një fakt tjetër domethënës të lidhur me librin aktual te Ben Blushit dhe përpjekjeve te tij për te denigruar figurën e Lef Nosit. Ai thotë se Shuteriqi vodhi veprën, koleksionet ,bibliotekën dhe te tjera prona intelektuale e financiare të Lef Nosit, si dhe te disa shkrimtareve e studiuesve te tjerë:
”Para ca kohësh botoi “Gjorg Golemin” që bje erë Lef Nosi. Me të vërtetë Shutja-shejtani, karasyfeti më karavidhe që ka nxjerrë qyteti – kërthizë, kameleoni arrogant, më vjedhës, më vjedhacak, më vjedhacuk, hajdut me damkë i botës shpirtërore (medet, edhe i botës lëndore), fjalacuku më i ndyrë midis gjithë fjalacukëve dështakë (epitetet që gurgullojnë nga realiteti nuk kanë të sosur) – përlau dikur tërë dorëshkrimet e Lef Nosit, të Sotir Kolesë etj., të mbledhur çikë-çikë një jetë të tërë dje, tani, ose nesër i paraqet ose do t’i paraqesë si të tijat, duke mos harruar të verë midis emrit të tij dhe të familjes (Shute të Stare Serbisë, siç thënkan serbët e Elbasanit dhe Pogradecit tim, duke tjerur ëndrrën serbomadhe të një perandorie të re, qoftë edhe republikane, të Serbisë midis tre deteve), shkronjën e madhe “S” të babajt që vodhi veprën “Varri i dashnorëve” të Naum Voillës, duke e paraqitur si të vetën… “
Kjo pjesë nga Letra e Kutelit, flet vetë për të kuptuar arsyen e gjithë kësaj urrejtje të Blushit për Nosin….Blushi ka tre arsye e forta qe e urren Nosin.
E para është arsye raciste, pasi sipas vet gjyshit të tij, Shuteriqi, është serb apo gjysme i tillë. Me gjeni sot një serb që te dojë e te respektoje një nga baballarët më të shquar të kombit e shtetit shqiptar siç është Lef Nosi?!
E dyta është ideologjike. Si komunist e pinjoll komunistësh ai ka urrejtje te lindur biologjike e patologjike për një nacionalist me përmasa kolosi sa Lef Nosi. Ne e kemi parë vete z.Blushi ne Elbasan e gjetkë qe feston ende festat komuniste me shallin e kuq te komunizmit ne qafë. Urrejtja patologjike e tij ndaj nacionalistëve nuk është një risi, por me sa duket ajo ndryshon vetem ne raport me figurën nacionaliste qe ka përballë. Në rastin e Nosit merret me mend sesa e forte behet kjo urrejtje.
E treta e urren si “hajdut”, si nip hajduti ! Në pamundësi për të krijuar vete, gjyshi i tij vodhi Nosin dhe te tjerët , por kjo u zbulua e u denoncua nga Kuteli dhe bashkëkohës te tjerë qe i njihnin te dyja palët . Kuptohet inferioriteti që ka përjetuar familja e tij e përcjelle në breza deri tek Blushi, ndaj familjes se madhe e bujare Nosi. Ne Elbasan dhe ne te gjithë Shqipërinë, tani e bëjnë dallimin te gjithë. Kjo me sa duket nuk përtypet dot nga Blushi qe me urrejtjen dhe inferioritetin e dukshëm ulet te shkruaje një libër duke u përpjekur me dëshpërim ta denigrojë Lef Nosin,pak a shume si gjyshi i vet.
Në planin artistik libri i Blushit është siç thashe një pamflet apolitik apo fletërrufe. Mund ta krahasosh pa frike me komedinë famëkeqe të Besim Levonjës “Prefekti”, nga te paktat punë propagandistike te realizimt socialist me emra reale. Nuk gjej dot tjetër krahasim madje as me librat e te atit Kiços, apo edhe ato te vjedhura të Shuteriqi. Si përfundim dua të theksoj se e vetmja gjë që Blushi mund t’i bejë një figure te ndritur si Lef Nosi është vetëm ta urreje. As nuk e denigron e për me tepër nuk e heq dot zvarrë monumentin e tij, siç deklaroi se dëshironte ne një emision televiziv. Nosin nuk e mundi dot diktatura 50-vjeçare e gjyshit dhe babait te tij, E vranë fizikisht por nuk e mundën dot as si ideal as si figurë historike . Sot 70 vjet me vonë Shqipëria dhe rruga e saje janë siç i përcaktoi ai dhe nacionalistet e tjerë. Sistem politik demokratik, Kosova e çliruar nga serbët, e lire, e pavarur dhe demokratike, Shqipëria antare e NATO-s dhe aleate e Amerikës, Gjermanisë e vendeve te tjera perëndimore. Ëndrra serbe, ruse e kineze e kundërshtareve të tij te vjetër e te rinj eshte ajo qe ka renë. Ne këto kushte mendoj qe Ben Blushi ka tre here “të drejtë” të urrejë Lef Nosin dhe gjithë nacionalistët e tjerë: Si pinjoll serbesh! Si pinjoll komunistësh! Si pinjoll hajdutësh! /lajmishqip/[/quoteem]
Jam fisnike e kam zemren gure,
si Shqiponja ne flamure.
Mburrem dhe jam krenare,
qe kam lindur Shqiptare.
Nga do qe te jem me ndjek fati,
se jam Shqiptare, shkurt hesapi !!



User avatar
Adriana
Universe Member
Universe Member
Posts: 3191
Joined: Tue Jun 02, 2009 3:34 pm
Gender: Female
Location: Giethoorn (Nederland)
Contact:

Re: “Kandidati”

#2

Post by Adriana » Wed Nov 04, 2015 4:09 pm

E vërteta ime për “Kandidati”-n

Nga Ben Blushi

Përjetimi se po sheh njerëz të sillen si personazhet që ke krijuar është unik. Dhe meqë po me ndodh për herë të parë, dua ta ndaj.

Para dhjetë ditësh kam botuar një roman që quhet “Kandidati”. Ky libër tenton të tregojë se çfarë ndodh në një qytet, pasi njëri nga dy kandidatët për bashkinë e tij, vdes. Kandidati i vdekur i fiton zgjedhjet, kundër çdo parashikimi, pasi njeriu që merr përsipër të bëjë fushatën e tij, rindërton një histori të vërtetë, të Luftës së Dytë Botërore dhe duke e kthyer në një çështje politike, dëmton kandidatin tjetër. Historia që përdoret për të dëmtuar kandidatin e gjallë, është historia e Lef Nosit. Ky ka qenë njëri nga katër regjentët e Shqipërisë gjatë pushtimit nazist të vendit dhe kjo nuk është trillim. Megjithatë, unë nuk dua të tregoj fabulën e librit dhe as të rrëfej historinë e Lef Nosit.

Dua të them se qysh se është botuar, po përpiqen të më sulmojnë me të njëjtin stil dhe çuditërisht, me të njëjtën histori: me Lef Nosin. Të gjithë ata që po marrin pjesë në këtë skeç, të cilin modestisht e kam krijuar vetë, duhet ta dinë se nuk ka asgjë që më argëton më shumë. I simpatizoj kur shoh se me çfarë zelli dhe konkurrence po sillen si personazhet e mi. Argëtim më të madh për një njeri që shkruan nuk ka.

Me pak fjalë, ajo që po ndodh këto ditë është kjo: Nga pluhuri u nxor një letër që Mitrush Kuteli ia ka nisur një mikut të tij, në të cilën mes të tjerash i thotë se Dhimitër Shuteriqi,im gjysh,i paska pranuar atij se ka përvetësuar disa dorëshkrime të Lef Nosit. Unë nuk dua të merrem as me Mitrush Kutelin dhe as me Lef Nosin. Nëse letra është e vërtetë, kjo është një shpifje shumë e lehtë për t’u provuar se është shpifje. Shkrimtarët kanë pasur dhe do kenë zilitë dhe cmirat e tyre, të cilat i nxjerrin me letra apo me letërsi. Dua të merrem me ata që i besojnë këto shpifje dhe meqë i besojnë, i përdorin kundër meje.

Sigurisht më vjen keq që im gjysh po përgojohet për shkakun tim dhe meqë ai nuk është më, nuk kam mundësi t’i kërkoj ndjesë.

Por le të besojmë se letra e Mitrush Kutelit është e vërtetë. Pra që Dhimitër Shuteriqi ka përvetësuar dorëshkrime të Lef Nosit dhe këto i ka botuar si të tijat. Për këdo që e njeh, Lef Nosi nuk ka qenë shkrimtar. Nuk ka botuar poezi, tregime apo romane, por vetëm disa artikuj dhe korrespondenca. Dhimitër Shuteriqi ka qenë poet, tregimtar, romancier dhe studiues. Nga viti 1945 kur Lef Nosi u pushkatua e deri në vitin 2003 kur Dhimitër Shuteriqi u nda nga ne,ai ka botuar afërsisht 100 libra. A ka njeri që mund të bindet se këto ia ka përvetësuar Lef Nosit? Unë them se kjo është e pamundur. Imagjinoni një njeri që për 60 vjet boton librat e dikujt që ka vdekur dhe shumica e të cilëve bëjnë fjalë për kohë, të cilat njeriu i vdekur nuk i ka jetuar.

Por, siç e thashë, nuk dua të merrem as me Dhimitër Shuteriqin, as me Mitrush Kutelin dhe as me Lef Nosin. Unë kam mendimet e mia për të tre. Është e natyrshme që për njërin prej tyre, të jem subjektiv për shkak se e kam dashur shumë si njeri. Nuk kam për të krahasuar kurrë se kush ishte më patriot ndër të tre dhe kush ishte më i talentuar ndër të tre. Edhe në këtë rast do të isha subjektiv dhe prandaj edhe i pabesueshëm. E vetmja gjë që mund të them, sepse është një fakt historik është kjo: në vitin 1944, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga nazistët, Lef Nosi ishte kolaboracionist ndërsa Dhimitër Shuteriqi ishte partizan.

I bindur se Europa ka përcaktuar një standard moral me të cilin gjykon kolaboracionistët, pra ata të cilët i shërbyen pushtimit gjerman, kam thënë se Lef Nosi duhet gjykuar si i tillë dhe i duhet hequr busti që ka në qendër të qytetit të Elbasanit. Këtë bindje e mbroj dhe do ta mbroj gjithë jetën. Kolaboracionistët nuk mund të jenë nderi i një qyteti. Kjo është e gjitha.

Megjithatë, kur kam folur për Lef Nosin, në të vërtetë nuk kam folur për Lef Nosin. Kam folur për më shumë se kaq. Për shoqërinë e ditëve tona. Për Shqipërinë që njoh.

Çështja nuk është nëse Lef Nosi ishte apo jo një burrë i mirë. Unë them se ishte, por kjo nuk ka rëndësi. Çështja është, nëse shoqëria do të vazhdojë të nderojë ata, që megjithëse ishin burra të mirë, një ditë të keqe e tradhtuan atë dhe u bënë me pushtuesit. Pavarësisht nga rrethanat. Dikush mund të thotë se edhe kjo nuk ka rëndësi.

Unë besoj se ka rëndësi për dinjitetin tonë dhe për moralin që ne u trashëgojmë brezave. Një shoqëri nuk çlirohet dot kollaj nga varfëria, por nga mashtrimi mund dhe duhet të çlirohet. E vërteta në këtë rast është e thjeshtë: Lef Nosi ishte kolaboracionist. Nëse Europa u ngre buste kolaboracionistëve, atëherë të gjithë mund të kenë një ngushëllim, por kjo nuk është e vërtetë. Europa i ka dënuar të gjithë kolaboracionistët dhe me këtë standard moral nuk negocion më për të paktën gjysmë shekulli. Për fat të keq, ne negociojmë dhe këtë jemi duke bërë. I shkëmbejmë standardet tona morale për një grusht votash.

Por për t’u kthyer te debati, sipas të cilit unë e kam ndëshkuar Lef Nosin për shkak të inateve të gjyshit tim, Dhimitër Shuteriqit. Në të vërtetë nuk është kështu dhe nuk kam nevojë të mbrohem, sepse këto gjëra s’kanë lidhje. Nëse kanë një lidhje ajo është artistike dhe jo historike. Unë e kam përdorur Lef Nosin si personazh historik, duke e vendosur në qendër të një konflikti të trilluar që ndez një qytet në funksion të zgjedhjeve. Kandidati që kishte ngritur bustin e Lef Nosit i fiton zgjedhjet, megjithëse ishte i vdekur. Ndërsa kandidati tjetër, megjithëse ishte nipi i Lef Nosit dhe ishte i gjallë, i humb zgjedhjet. Pra libri tregon se çfarë fuqie ka një manipulim elektoral mbi zgjedhësit. A ndodh kjo përditë me ne? Unë e di që ndodh. Dhe jam pjesë e tij.

Por në fund të fundit, libri është letërsi. Dhe unë nuk mërzitem. Përkundrazi, argëtohem duke parë që personazhet që kam krijuar shëtisin çdo ditë nëpër faqe gazetash duke u marrë me mua. Sigurisht që nuk është etike që një shkrimtar të sulmojë personazhet e tij. Ai duhet t’i mbrojë ato, dhe unë këtë po bëj./mapo.al/
Jam fisnike e kam zemren gure,
si Shqiponja ne flamure.
Mburrem dhe jam krenare,
qe kam lindur Shqiptare.
Nga do qe te jem me ndjek fati,
se jam Shqiptare, shkurt hesapi !!



User avatar
rrëqebull
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1158
Joined: Sat Oct 06, 2012 12:29 pm
Gender: Male

Re: “Kandidati”

#3

Post by rrëqebull » Wed Mar 09, 2016 8:29 pm

A është kjo letër arsyeja pse Ben Blushi kërkon që Lef Nosi të tërhiqet zvarrë? - 31/10/2015 - 17:04
Në librin e tij të fundit “Kandidati”, por edhe në intervistën që ka në emisionin “Zonë e Lirë, Ben Blushi ka sulmuar ashpër Lef Nosin. Ai thotë se busti i Lef Nosit, që ndodhet në Elbasan, duhet të tërhiqet zvarrë dhe të hiqet. Kjo, pasi sipas Blushit, ai është kolaboracionist dhe ka bashkëpunuar me fashistët.

Ai u bë me pushtuesit. Imagjinojeni sikur kjo të ndodhte sot. Është i vetmi kolaboracionist në Evropë që ka një bust në mes të qytetit. Mund të ndodhi në Francë që një ka bashkëpunuar me pushtuesit, në muze, por jo në shesh publik. Shpresoj që qytetarët e Elbasanit të çohen dhe ta tërheqin zvarrë bustin e Lef Nosit.

Ka qenë kolaboracionist. Është çështje dinjiteti”, tha Blushi. Por, duket se mllefi i tij me Lef Nosin ka edhe ngjyrime personale. Nga një letër e shkrimtarit të njohur Mitrush Kuteli, dërguar shkrimtarit tjetër Musfata Greblleshi, të dy të burgosur dhe persekutuar nga diktatura, përmend gjyshin e Blushit, Dhimitër Shuteriqi.

Në letër thuhet se Shuteriqi, pra gjyshi i Blushit, ka përvetësuar disa shkrime të Lef Nosit, i cili u pushkatua nga komunistët, dhe i ka botuar ato si të vetat.
Më poshtë po sjellim letrën e plotë të Kutelit:

Letër e Mitrush Kutelit per Mustafa Greblleshin, Pogradec 28 gusht 1961
I dashur Mustafa dhe e dashura motra Merushe, Kjo e uruar letër u bë litar me krye, po pa fund. Udhës takova shumë të njohur të mijtë dhe të babajt. Ndenjëm u çlodhëm në varret e sheshuar, duke pritur të dalë hëna, po kjo vonoi.

Doruntina mërzitej, e kish lodhur shumë banja e ditës, udha. E mbajta pak në krahë pastaj e mori Efterpi. Zbritme. Hëna doli kur rrinim buzë liqenit: e madhe, e kuqe. Pastaj u zbardh, mori vrull e lundroi nëpër hapësirë. Fëmijët më vunë njëmijë e njëqind pyetje “Si është hëna? Ç’ka prapa atij mali?

Po në Tiranë ka hënë tani? Është i madh ai yll? (Afërdita). Sa një shtëpi apo m’i vogël?” Unë bluaja mendime të tjera:“Ç’është vallë kjo harmoni kaq e përsosur? Që ku vijmë e ku shkojmë? Sa rrëke njerëzish kanë shkelur në këto ranishte dhe ku janë tani?” Dhe mendja më shkon me drithma tek ai që s’guxoj t’i përmend emrin, sepse jam tepër i vogël­hij’e një grimce të një stërgrimce – tek ai që ka shumë emra, por që është një i vetëm dhe mbi të gjitha dyshimet e mija birucore, dua me gjithë shpirt që të jetë, të mposhtë mohimet e mija dhe të më prehë atje ku dua vetë, atje ku thashë, në vetmi.

O zot, duhet të jesh, sepse pa Ty nuk prehem dot! Këndova pothuaj të tërë “Antologjinë poetike” të Viktor Hygoit, në përkthimin e “Sotir Cacit”. Me të vërtetë përkthimi është shumë i mirë Po kush e ka bërë këtë përkthim? Kjo është një punë e ngeshme, e javashme, jashtë normave.

Dhe ka një vandak të tërë fjalësh që s’janë të shqipëronjësit. Këto të gjitha po t’i them më kot: unë e di se kush e ka bërë këtë shqipërim, sepse kam parë dorëshkrimet dhe di se si u pjesëtuan…. paratë. Mistifikime, merceranizma të padenja për një njeri që shkruan. Sidoqoftë, unë s`e bëj dot, kurrë, kurrë! Një ditë në Belgrad, Shutja (Dhimitër Shuteriqi) më pat pyetur: – Mitrush, ç’do bënje ti po të kishe gjetur një vepër të pabotuar të një shkrimtari të vdekur? – Ia ktheva: – Do t’i bëja një parathënie dhe do ta botonja. –

Ay: – Me emrin e kujt? – Të atij që e ka shkruar. Unë do të kënaqesha t’i jap lexonjësit një vepër që mund të zhdukej. – Jo, – më tha, – vepra e gjetur është imja, se unë e gjeta. Pra, unë, gjetësi, jam “autori” i saj.
– Ti s’je autor, se nuk e brumose në mendje e shpirt, nuk vuajte në të lindurat, nuk… nuk. Ay më shikoi tinzar dhe e ktheu fjalën: – Po kur e boton një këngë popullore? – Kur e botoj një këngë popullore, them se ku e kam mbledhur, kush ma ka tregur. Roli im është ta mbledh, ta botoj, t’i tregoj burimin.

Ay përsëri: – Po ay që ta dha këtë këngë, s’është autori i saj, pra…. – Unë s`them që filani e ka qitur këtë këngë, them se ay ma ka treguar. Po të mund, shtoj ku e ka dëgjuar, kush e këndonte etj. Shutja e ktheu prapë, kategorikisht: – Jo, s`jam dakord. Vepra që kam gjetur është imja. Po të mos isha unë, kushedi, do të humbiste. Pra, unë e gjeta dhe do ta botoj me emrin tim. I thashë: – Kësaj i thonë vjedhje…. –

Ay u ngrys. Kështu u mbyll muhabeti ynë në rrugët e Belgradit, në dhjetor 1945. Atëherë Shutja ish mjaft modest, por brenda tij gurgullonte kazani i madh i shejtanit. Lëvdonte shkrimet e mija, ngrinte në qiell Lame Kodrën. Pastaj nisi të ngrihet, gjersa u bë burrë me llullë, me bére e me automobil, më shau e përshau, pështyu, lëpiu, hoqi “i”­në në fund të emrit që të vërtetonte tezën e tij, siç i tha vetë Popoviçit në tryezë:

Emri ynë vjen nga fjala serbe “shute”, që do të thotë “shaka”. Rrjedhim nga një familje e “Stara Serbisë” të “Despotatit të Elbasanit”. Pra, si të thuash, “unë” jam “ti”, ndihmomë të ngrihem lart, jepmë, të kam vëlla.” Po si u bë puna e asaj veprës së “gjetur”? Para ca kohësh botoi “Gjorg Golemin” që bje erë Lef Nosi. Me të vërtetë Shutja­shejtani, karasyfeti më karavidhe që ka nxjerrë qyteti – kërthizë, kameleoni arrogant, më vjedhës, më vjedhacak, më vjedhacuk, hajdut me damkë i botës shpirtërore (medet, edhe i botës lëndore), fjalacuku më i ndyrë midis gjithë fjalacukëve dështakë (epitetet që gurgullojnë nga realiteti nuk kanë të sosur) – përlau dikur tërë dorëshkrimet e Lef Nosit, të Sotir Kolesë etj., të mbledhur çikë­çikë një jetë të tërë dje, tani, ose nesër i paraqet ose do t’i paraqesë si të tijat, duke mos harruar të verë midis emrit të tij dhe të familjes (Shute të Stare Serbisë, siç thënkan serbët e Elbasanit dhe Pogradecit tim, duke tjerur ëndrrën serbomadhe të një perandorie të re, qoftë edhe republikane, të Serbisë midis tre deteve), shkronjën e madhe “S” të babajt që vodhi veprën “Varri i dashnorëve” të Naum Voillës, duke e paraqitur si të vetën….


E pra, këtu në Pogradec ka qenë dikur një djalosh që i thoshin Pirro Vako, një nga të rinjtë e parë komunistë, ëndërrimtarë të një bote të drejtë, pa shfrytëzim, pra, pa vdekje. Pirro Vakua kish patur një dell të mirë shkrimtari. Dikur më pat thënë: “Ti ke rënë, po unë të nderoj e të dua, se më ke treguar udhën si të shkruaj”. Dhe zbrazi një gotë raki. Ay dështoi në jetë (një punë dashurie me një vajzë që quhet Izmini, flokëverdhë, të cilën ju – ti dhe Rushi – e shihni dendur nëpër Tiranë), iu dha alkoolit, vuajti e vdiq. Shutja i vajti babajt të këtij, i premtoi dhenë e qiellin, mori një dhomë me qira në shtëpi të tij dhe i përlau­ në mënyrë shutërore – tërë dorëshkrimet (ditare lufte, shënime, tregime etj.).

I ati pret akoma që Shutja t’i botojë këto të gjitha në emrin e djalit. Shutja ndofta i boton, po me pikëpamjet e dyzetepesës, për të cilat fola më lart: me emrin e vet, për xhepin e vet….Para ca vitesh i vodhi një prifti këtu (prifti vdiq vjet) regjistrin e shënimeve të një manastiri.


Prifti më thosh: “Ia rrëfeva, e pa, më lëvdoi, pastaj ma dha prapë, ma mori përsëri, ma dha dhe njëherë dhe unë e vura në vend. Kur iku, s`e gjeta më….” Prifti bënte kryq, sikur donte të largonte shejtanin: “Ma vodhi, bre, s’pandenja, paska qenë….” Kockat e Papandonit (kështu i thoshin priftit) po treten tani në gështenjat, kurse Shutja shutëron “tani përsëri me “i”­në në fund të emrit”, më shikon vëngër, siç e vështron kalorësi këmbësorin e çalë apo më mirë automobilisti arrogant udhëtarin e mjerë.

Dhe përsëri më kujtohen vargjet e Khajamit: Rrëmyen mall, memuriet e ar, Dhe t’irtin plak, të urtin shkëncëtar E quajnë gjaur, se s’beson prralla, Se s’qas mbi supe, si ata, samar. Më falni se u zgjata kaq shumë me këtë “Dhimitriadë Shuteriqore”, po këto të gjitha m’i zgjoi karasyfeti i tij arrogant që endej rrugëve të Pogradecit. Kam dhe diçka tjetër. Lef Nosi ka pasur një koleksion të pasur me pulla poste të vjetëra, të mbledhura me kujdes një jetë të tërë (në qeverinë e Vlorës, të Ismail Qemalit, kishte qenë ministër i Postave). Shutja mori dorëshkrimet e tij dhe një pjesë të bibliotekës (librat ia kam parë me sytë e mij në hotel “Dajti”, ku banoi një kohë, më 1945 dhe 1946).

Po ç’u bënë albumet e pullave që vlejnë, pa ekzagjerim, miliona lekë? Është fjala për pulla të rralla të Turqisë me syrsharzhimin e Hyrjetit dhe sidomos atë të qeverisë së parë të Vlorës, është fjala për pullat e qeverisë së parë të Vlorës, është fjala për pullat e qeverisë së Durrësit, për ato të mbretit Vid e sa e sa të tjera.

Kush i mori, kush? Këto duhej t`i merrte shteti dhe, me sa di unë, Shutja, ndonëse mban berè shkrimtari (që ta tregojë bota me gisht) s’është shtet. Kisha dhe mjaft të tjera për këtë individ cipëplasur, por nuk po vazhdoj: më vjen ndot. Falmëni! Në këtë kohë kam lexuar disa libra dhe kam rilexuar disa tregime të asaj suedezes së ëmbël e të qetë, Selma Lagerlöf, me një botë morale që s’i ngjet fare botës sonë gjaknxehtë, vrasëse, ballkanike. As e ndjera Selma Lagerlöf s’i ngjet (luaj vendit) Shutes.

Dhe mu kujtua një film shumë i dashur: “Gösta Berling” pas veprës së parë të mësonjëses Selma Lagerlöf. E ka lojtur dikur Greta Garbo. Ka qenë një film pa zë (para se të fillonte krokëritja e saksofonit dhe bubullima e artilerisë në sallat e kinemasë), po kaq i fortë, kaq i bukur! Tani, Greta Garbo është plakë, po unë e përmend se më ka lënë mbresa të thella në kujtesë. Rilexova edhe “Souvenir de la Haute – Albanie” të A. Degrandit, dikur konsull i Francës në Shkodër (Botim i 1901). Libri është shkruar më 1893­-1899 (sot librat nxirren shpejt e shpejt, si qerpiçët nga kallëpi e vihen në mur para se të përthahen).

Ky libër më ngjalli hidhërime të mëdha: vëllavrasje, fantazma, urrejtje, që e bluan e stërbluan jetën tonë shqipëtare. Na pakësuan dhe na ngjeshën në një cep të Ballkanit, ndonëse kemi qenë zotër të moçëm të një vendi të madh, shumë larg këtyre caqeve, ku jemi mbytur sot. Të huajtë na mbuallë urrejtjen, na ndanë e përçanë, na bënë të mos e njohim veten, të mos e duam veten, domosdo as vëllanë. Tani, thotë Degrandi, njerëzit urrejnë njëri­tjetrin në çdo vilajet, greku mbjell farën e grindjes në Epir; Austria, Italia – në Veri; Mali i Zi, i përkrahur nga Rusia, gjithashtu. Në krahina të tjera serbët, bullgarët, bilé dhe rumunët kanë dërguar njerëz për të çarë e përçarë. Një grek i moçëm me emrin Phrantjes, historian, paska thënë:

“Shqiptarët janë populli më i lik dhe më i kotë (“le plus inutile”) në botë”. Përfundimi? Duhet të zhduket….. Kështu thotë bizantini Phrantjes. Domosdo Phrantjes është armik, është ujk dhe ka folur, shkruar e vepruar ndofta si ujk. Por ujku njihet dhe njeriu di sesi të mbrohet kundër tij, me sëpatë, me kopaçe. Por si të mbrohet kundër ujkut të veshur me lëkurë dele? Si të mbrohet kundër atij që i flet si ëngjëll e vepron si shejtan?

Të gjitha këto i lexoj, i bluaj në mendje natën dhe s`më zë gjumi dhe më vjen të çmendem!…. Nesër Efterpi do të niset me gjithë fëmijë. Unë do të rri dhe ca ditë, do ta pres Sterjo Spassen, do ta vendos në dhomë, pastaj do të kthehem në Tiranë,

Këtu nuk u preha dot. Pashë gërmadhat e shtëpisë plot ferra dhe mu drodh zemra. Jo, Pogradeci s’është më për mua të gjallë, po për mua të vdekur. Ah, kush ndjen shumë, vuan shumë. Shto pastaj brengat objektive, fëmijët varfërinë e sa të tjera. Do të vij të “çlodhem” në Tiranë, t’i vihem normës, se mos më presin bukën.

Lamtumirë dhe përqafime vëllazërore, Mitrushi
Java News

Post Reply

Return to “Letërsia shqiptare”