"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

SABIT IDRIZI "MA FSHEH BREGUN TJETËR"

Flisni pë letërsinë shqiptare, sillni krijimet tuaja dhe të autorëve që ju kanë lënë mbresa.

Moderator: bardus

Post Reply
GaniB
Member
Member
Posts: 25
Joined: Thu Jan 12, 2017 6:26 pm
Gender: Male

SABIT IDRIZI "MA FSHEH BREGUN TJETËR"

#1

Post by GaniB » Fri Jan 13, 2017 10:11 am

URTËSINË E FJALËS

Mbaje përherë me vete si hajmali
Është çelës për dritën e bardhë -
Dry për terrin e zi


MË RILIND, O FJALË!

Ka kohë që përpiqem për t'ju thënë diçka
Diçka për kurrgjën, diçka për gjithçka
Ka kohë që n'shurdhësi po m'përplaset fjala
Për do kohë të mira, për do kohë t'përdala
Ka kohë që po pres të ma vëni veshin
Ju që iu ka dalë tambli mbi përsheshin
S'di pse ndiej nevojë për ta thënë një fjalë
Se ende s'kam vdekur, se ende jam gjallë
S'di pse ndiej nevojë t'më dëgjojë dikush
Kur thellë brenda meje diçka djeg si prush
Ka kohë që jam mbyllur n'timen dashuri
Më rilind o fjalë, m'shpërthe përsëri...

PËRDITSHMËRIA

Më tmerron
Më çmend kjo njëjtësi
Që nesër do të kthehet në mall
Në dashuri...

PRAPË

Prapë diqysh si tym
Diqysh si mjegull
Edhe pas gjithë asaj stuhie
Prapë diqysh si natë
Diqysh si terr
Dikush këtu prapë po ma vjedh diellin

VËLLAZËRISHT

Për hir të paqes
(Që aq shumë i duhet këtij vendi të shumëvuajtur)
Hisen time të Atdheut
Sërish ma vodhën pronarët e lirisë
E shoh përditë kah e bartin poshtë e përpjetë
Me vetura luksoze
Ata me të cilët dikur u morëm vesh ndryshe
Nga gjithë ato ëndrra të përbashkëta
Që dikur i ushqenim vëllazërisht
Sërish vëllazërisht më ra hise skamja
Edhe ajo e pafytyrësisë, natyrisht...

POROSI

Përpiquni që ta kapni në horizont rrezen e parë të diellit
E ta shpërndani gjithandej nga ka natë
Përpiquni që ta prisni në qepallë pikën e parë të vesës
E ta derdhni gjithandej nga ka etje
Përpiquni që ta bluani në shuplakë kokrrën e parë të pjekur
E ta gatuani gjithandej nga ka uri
Përpiquni që kurrë të mos ketë urrejtje
Përpiquni që përherë të ketë dashuri

LIRIA

Liria është e drejta që të mos kesh kurrë të drejtë
Ta bësh pazar diellin
Ajo është gjithçka e mirë që e dëshiron
Edhe për atë tjetrin
Liria është vënia e dorës në zemër
Kur të vjen në shteg të bësh çka të duash

KËRKOJ TË ZHVILLOHEN HETIME

E di
Të gjitha fajet për vdekjen time
Do t'm'i shkarkojnë aty tek varri
Eh, i shkreti
Do të thonë
E mbyti veten për kurrgjë hiç
Dhe do të kthehen ashtu pikëllueshëm
Për t'ia bluar sërish mushkëritë
Ndonjë poeti

PA IDENTITET

Ju mund të më vidhni diçka nga lashtësia ime e heshtur
Siç vidhej dikur Pema e Ndaluar në Kopshtin e Praruar të Edenit
Ta vendosni në ballë si mëkatin që s'falet
Dhe të niseni përpara ashtu hajnisht
Mund të ecni ashtu me shekuj
Me mileniume mund të ecni
Dhe vetëm kur të mbërrini atje ku s'mbërrihet kurrë
Do ta kuptoni se sa pak keni ecur
Brenda vetes suaj të rreme

DIALOG ME NJË PUSHTETAR

Tha:
- Thonë se poetët jetojnë vetëm pas vdekjes.
- Po, ia ktheva. - Prandaj ne i mbysim ata përditë nga pak

RRUGËTIM

Të gjithë e dimë cili është fundi
Dhe prapë ngutemi andej nga ai cak
Në fillim diqysh krejt ëndërrt
Krejt shtruar e marrim këtë rrugë
Dikur ngadalë nis e na lodhet pritja
Nis e na lodhet çasti i mbërritjes diku
Pastaj fillojmë e i shfletojmë përmallshëm ditët
I shfletojmë përmallshëm kohët e lëna peng
Përmallshëm kërkojmë diçka të fshehur
Diku atje krejt përtej tyre
Kërkojmë diçka që kurrë nuk e dimë çka është

SOT

(17 Shkurt 2008)
E ngjeva penën në buzëqeshjet e vonuara të fëmijëve
Dhe e shkrova vargun më të bukur për dritën
I përzjeva ngjyrat e të gjitha puthjeve të zjarrta
Dhe e pikturova ylberisht dashurinë më të virgjër
I vesova lotët e të gjitha nënave zemërplasura
Dhe e kompozova himnin më të dhembshëm për diellin
E mpreha daltën e ndryshktë në kujtimet përvëluese për të rënët
Dhe e latova shtatoren më të lartë të krenarisë
I mblodha të gjitha ëndrrat e plagosura
Dhe e qëndisa kurorën e amshuar të lirisë

KA DIELL PËR TË GJITHË
(Shkruar më 17 Shkurt 2008)

Asgjë e jashtëzakonshme, biri im
Dielli lindi
Në gjoksin tënd të njomë
Në ballin tënd të hapur
Po dritëson
Merre hisen tënde të qiellit
E qëndisi shekujt e dashurisë
Me rreze
E as mos ia lër
E as mos ia merr kujt kurrë

DIÇKA MË KUJTOHET

Më 21 mars 2008
Në bibliotekën e qytetit tim
Para disa dhjetëra dashamirëve të letërsisë
I pata lexuar dy poezi të shkruara më 17 shkurt
- Sihariq!!!
M'u drejtua dikush
Me të mbaruar manifestimi
- E ndaluan sërish revistën letrare të qytetit
- Jo, bre!!!
Kisha pas klithur
Dhe kisha pas dalë nga vetja
Krejtësisht
Ishte Dita Botërore e Poezisë
Muaji i Dytë i Pavarësisë

ATDHEDASHURI NË DY VERSIONE

Deri kur dysh-dashuri
Ju kafsho
Unë vjell mushkëri

GJUHË SHIKIMESH

I vjedhim diçka njëri-tjetrit me nga një shikim të vetëtimtë
Për çdo ditë pune aty përballë Stacionit të Autobusëve
Ku takohemi "rastësisht" mëngjeseve të hershëm
Por as përshëndetemi kurrë, as prekemi ndonjëherë
As puth buzë të saja, as ledhatoj bel
Ndaj kjo gjuhë shikimesh, vallë, ç'ka që gërryen kaq thellë

LAMTUMIRË E DASHUR

Vetëm kështu të braktisur
Nga jeta ime prej ëndrrash
Të shoh ashtu siç je
As Mollë e Ndaluar
Që joshë për kafshim
As ethe drithëruese
Në gjoksin tim
Je veç një hije
Që s'ekziston pa diell
Për diell s'më deshe
Tash lamtumirë

DASHURI NË VENDLINDJE

E shtrij brishtësinë e gruas së përndeztë
Mbi ashpërsinë e gurtë të vendlindjes sime
Dhe bëj dashuri
Deri në shterje
Deri në përjetësi
Do të përpëlitem këtu
Midis këtyre dy shemrave paqësore
Qykë -
Edhe kjo koka ime e malësortë

KULLOTËSIT E ATDHEUT

Dikur
I përpija vuajtjet si pilula veremi
Për hir të do rrezeve të praruara që na takonin këtu
Tash
Me mushkëri të thithura frymoj mbi këtë dhé
Me do grykës të mjerë që kullosin atdhe

SHQETËSIM

Kemi filluar të hamë me sy
E të shohim me tyta
Në këtë xhungël zorrësh
Të duam me xhepa
Të urrejmë me bark
Kemi filluar
Kaherë s'kemi qeshur me shpirt
S'kemi qarë me zemër
Kah kështu, o Tokë?!
Kah kështu, pa kokë?!

KOZMETIKË

Sa shëmtitë
Sa qelbësirat fshihen
Pas kësaj perdeje të aromtë
Plot ngjyra

FËMIJËVE TË MI

Këmbëkryq tek dera ua lash zanatin e skamjes
Dhe të drejtën për ta shikuar atdheun
Përherë në sy

JETË

Sa herë që t'thërras n'ballafaqim
Ti m'del matanë kohës
E ma tregon pragun
E kalltë si kurva
M'kthehesh pastaj natën
E m'i përflakë ëndrrat
Aq e lavirtë po më dëftohesh
Sa kurrë nuk mund të të jetoj ndryshe
Përveçse njerëzisht

TI DHE ATDHEU

Përditë ia gërryen zemrën
Si urith nën dhé
Dhe pa fije turpi
I thua atdhe

QYTETIT TIM
(Mitrovicës)

Kotu, qyteti im i dyshtë, kotu
Në djep të plumbtë mesjete
Po ta përkundim ëndrrën e zgjimit

KOHË SHURDHANE

U poqe kur t'u shurdhua koha
Fjala ime e mbarë
Kot të bluaj në mullirin e mendjes
Kot të gatuaj në magjen e shpirtit
S'të ha se s'të ha tregu

KUR TË MUNGON E SOTMJA

Kur të mungon e sotmja
Dije se dje e ke konsumuar të papjekur
Me grykësi ëndrrash
Se jeta s'është gjë tjetër
Veçse një parafytyrim i bukur
I gjërave që nuk ndodhin kurrë

DIELLI

Dielli është i të gjithëve
Po e deshe vetëm për vete
Të fiket në ballë

NË PLAZH

Oh, u mbyt dielli!
Klithi një vogëlushe
Dhe ia plasi vajit
Një vaj i thekshëm fëmije
Që u përpi nga deti
Në prag të lindjes së një nate
Të një nate tinëzare
Që po i mashtronte të gjithë
Me magjinë e një perëndimi të bukur

DILEMË JETËSORE

S'di a lash kund farë gjurme
Se njëherë e në një kohë
Kam kaluar edhe unë këtejpari
Kam bërë a s'kam bërë ndonjë hap
Ta di
Brenda teje - njeri

PESËDHJETË E PESË

Kam lindur në vitin '55
Plot 55 vjet - sivjet
Kur po përgatis edhe një përmbledhje me poezi
(Për ta shuar një mall, për ta falur një dashuri)
Për botimin e së cilës më duhet t'i skuq 55 herë sytë
E t'i marr 55 mijë ithata në cullë të barkut
Që këtij 55-shi t'i dal hakut

RROTULLIM

Andej ikën dita
Këtej vjen nata
Këtej vjen dita
Andej ikën nata
Përherë në rrotullim
Ky gur i madh mulliri
Që po na bluan

ABSURD

Përgjakemi e përflakemi
Për tonin atdhe
Për ta shpëtuar nga të tjerët
E për ta zhbërë vetë ne

MA FSHEH BREGUN TJETËR

Drejt fundit
A një fillimi të ri
Po rrëshqet kështu varka ime
Po deti
Ç'ka me mua deti
Që po më përplas nëpër këto dallgë vigane
Ç'i bëra kësaj paanësie të kaltër
Që po ma fsheh kaq paturpësisht
Bregun tjetër

NË LOJËN E DALLGËVE

Në lojën përmbytëse të dallgëve
Ti mund të jesh veç njëri breg i ëndrrës
Bregu tjetër nuk je
Siç nuk është as vetë bregu tjetër
Që po na mashtron me ardhje-shkuarjet
Me shkuarje-ardhjet e anijeve të panumërta
Që s'janë gjë tjetër veçse një iluzion
I ndërtuar mbi madhështinë e rreme të detit

MIKUT TIM
(G. B.)

Në matematikën e bërjes së lirisë
Ishe formulë vetëflijimi
Pellg zhgënjimi tash në liri
- E morën "pronarët" me tapi...

DËSHMORËT

Kot terron nata
Kot shiton shita
S'iu shuhet nuri
S'iu ndalet rrita
Ata janë vetë agu
Ata janë vetë drita

IU MUNGON DIÇKA

Iu mungon diçka
Syve që shikojnë mëshirshëm
Kah pellgu i varfërisë sime
Mbase një stacion pranimi
Ku do të lexoheshin drejt
Mesazhet e dritës

KA...

Ka akullthyes
Që përditë hapin horizonte të reja
Oqeaneve e deteve të paanë
Ka edhe gurëthyes
Që përherë luftojnë me bjeshkët
Për t'i dhënë kuptim edhe shkëmbit
Por ka edhe zemërthyes
Që përnjëherë shkatërrojnë gjithçka
Brenda njeriut

MEDITIM NË VENDLINDJE

E dua veten
Relikt të përjetshëm kujtimi
Këtu në parzmën e kësaj kodrine
Ashtu të përëndërrt
Tek mat horizontet e fluturimit
Me krahë legjendash
Jo si tash
Ikarios të dalldisur të lartësive
Me çelës prej dylli

DHEMBJE

Po ai zog
Me po atë këngë
Në po atë degë
Paçka që dega tashmë ka filluar të thahet
Paçka që unë tashmë kam filluar të plakem
Ai cicëron
E ti daç merre si etje për njomësi
E digju
Daç si mall për rini
E çmendu
Ai prapë - me këngën e tij
Ndjell nostalgji...

GRISHJE PËR TAKIM

Dil e më prit
Atje diku tek stacioni i fundit i dashurisë
Ku prehet përjetësisht ëndrra e rrugëtimit
Merrmi me vete edhe kujtimet
E m'i ruaj nga syri i keq
Që t'mos më pëlcasin nga myku i harresës
Po nuk erdha në orën e caktuar
Nisu e m'kërko sërish
Nëpër dalldi motesh

ETHE KRIJUESE

Veten e shoh dhëndër, jetën e shoh nuse
Kur m'rrokun përpara do ethe krijuese
Në kopshtin e fjalëve, në nektar urtie
E ngjyej penën time me afsh dashurie
Dhe i thur do vargje, krijoj poezi
Ngase shumë të dua, të dua - njeri...
Veten e shoh dhëndër, jetën e shoh nuse
Kur m'rrokun përpara do ethe krijuese

PRIVATIZIMI I ATDHEUT

Mbitokën e morën me çka ka
Tash ia kanë mësyrë nëntokës
Po mbetet vetëm edhe qielli
(Që, edhe ashtu, nuk është i yni)
E çka po na mbetet që ta quajmë atdhe
Që të jetojmë për të
E "të vdesim si me le"?!

NUK E DI PSE

Tash barazi e liri me bollëk - po
Shtetin tim - po
Me një qeveri të zgjedhur në mënyrë krejt demokratike
Që s'lë të keqe pa e luftuar
Pse po më shëmtohen prapë kështu ditët
Me ma heq kryet nuk e di

NE

Ne jemi qenie humane -
Jemi njerëz
Ndaj i duam shumë edhe qengjat
Këto krijesa të mrekullueshme
Nga dashuria e madhe që kemi për ta
Ua hamë rritën

PLEQËRISHT

A do ta gjejmë diku kroin e flladit
Që t'i qetësojmë valët përvëluese
Kur t'na rrok malli i vetvetes
Kohë a do të kemi
Që t'i arnojmë ëndrrat e përgjumshme
Para se t'na bluajnë kokërr për kokërr
Në dasmën e harresës sonë
A do t'i kemi aq krushq
Sa t'i kapërcejmë edhe muret e legjendave
E nostalgjitë e kohëve të veta
A do t'i kullotë kush
Në livadhin e kujtimeve tona

SHTËPIA IME

Edhe kështu e qerpiçtë
Ti më je më e shtrenjta ndër shoqe
Hiç mos u mundo t'i fshehësh
Mos u mundo t'i shërosh
Ato hijeshi plagësh
Shiko sa bukur të rrinë plasat e moteve
Siç i rrinë bukur rrudhat
Ballit të pjekur të një urtaku

EDHE NJË POROSI VETES

Të jesh përherë lajmëtar i dritës
Dhe natën ta vësh butësisht në gji
Me krejt pagjumësinë e moteve
Në thithë dashurie t'ia ushqesh
Mëngjeset e vonuara
Ëndrrat e gjymtuara
Kur të lindë dita
Të jesh i fundit
Që ia prek bardhësinë

POEZI

Të pafatët s'të kuptojnë
Të marrët çmenden pas teje
Të çmendurit të krijojnë

ATDHE

Për ta falur ty pak dashuri
Në vete më duhet të mbjell pak dhembje
E për ta ndier dhembshurisht dhembjen e plagës sate atdhe
Në vete më duhet të mbjell shumë dashuri

E DASHUR

Mos më prek më në nervin e atij kujtimi
Se mos po më shprushen sërish dhembjet e dalldisura
E s'di nga t'i jap udhë vetes
Përfundoje njëherë e përgjithmonë atë kapitull ëndrrash pirate
E dryjoje në arkën e valëve përvëluese të fundjetës
Që ta kemi si pikë të përbashkët referimi
Kur t'na rrok malli i vetvetes

FESTË

Edhe gëzimi si gëzim
Po s'qe i përbashkët
S'ka asnjë kuptim

GJAK MË KULLON KUJTESA

E vë dorën butësisht mbi glob
Dhe i përkëdhel përnjëherë miliarda ëndrra
Ashtu të brishta si vetë fundi i tyre
Ashtu të druajtura si vetë fillimi
Më rrëshqasin mes gishtërinjve
Unë gjunjëzohem përvuajtshëm përpara durimit
Përpara vetë pavdekësisë
Dhe i bekoj me fjalët më të përzgjedhura
Gjak më kullon kujtesa
Kur më shkëpusin prej tyre

PËR HIR TË "PAQES"

Po e japim dorën
Që të shpëtojë gishti
Po e flijojmë kokën
Që të jetojë bishti
Prite, globi im i dashur, prite!

STUHI

Të gjithë kalorësit e Apokalipsit
Mbi dallgë të shaluara rrufesh
Po kalëronin këtej nga bregu
Kepi flakë po na digjej
E ne s'u ngujuam as në Arkën e Noes
Që t'i shpëtonim Përmbytjes së Madhe
Këtu
Në Pellgun e Shpresës së Mirë
Se si po na rilindnin do ëndrra të befta
U deshën pastaj vetëm edhe nëntë plagë në shtat
Do Gjergj Elez Alia
Dhe të pushojë stuhia

BASHKUDHËTARI IM

Sa m'i prangon kështu lartësitë e kaltra
Më mirë eja e t'i mbledhim bashkë do ngjyra të ylberta
E ta pikturojmë pafundësisht një fluturim prej ëndrre
Sa m'i gurëzon kështu fjalët nëpër shurdhësi motesh
Më mirë eja e t'i skalisim bashkë do zanore të harruara
E ta shkruajmë përjetësisht një fjalë prej drite
Sa m'i gjymton kështu agimet e palindura
Më mirë eja e t'i thithim bashkë do rreze të vonuara
E ta kompozojmë dashurisht një himn prej dielli

FLAKË LUFTE

T'u bekoftë mëlçia Promethe
Në zjarrin që na e fale ti
Po digjemi ne

MËSIM NGA NJË PËSIM

Të gjitha epokat që rrugëtuan pa ne
Mbarseshin me ré
E pillnin rrufe

TA VRAS PIKUN E NATËS

Kur ma qëndise mëngjesin me cicërima zogjsh
E m'i fale do horizonte të ëndërrta
Thashë kurrë s'do të më sosen rrugët
Por s'vonoi shumë e ma përplase mesditën
Me krejt flakët e rrufeve
E ma dogje flladin
Po i dhé udhë këtej edhe mbrëmjes
Dije se kurrë nuk të lëshoj
Pa ta vrarë pikun e natës

FUND

Krejt jetën e jetova dashurisht
Dhe qysh një herë s'm'u kujtua ta pyesja veten
Në isha vërtet në kohën time
Me gjithë këto ëndrra të vrara
Me gjithë këto flijime...

Post Reply

Return to “Letërsia shqiptare”