"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Prof.Dr. AGIM VINCA

Flisni pë letërsinë shqiptare, sillni krijimet tuaja dhe të autorëve që ju kanë lënë mbresa.

Moderator: bardus

Post Reply
GaniB
Member
Member
Posts: 25
Joined: Thu Jan 12, 2017 6:26 pm
Gender: Male

Prof.Dr. AGIM VINCA

#1

Post by GaniB » Fri Jan 13, 2017 10:25 am

Prof. dr. Agim VINCA

Të nderuar të pranishëm,
Autoritete të Komunës së Mitrovicës,
Familjarë, miq dhe kolegë të Sabit Idrizit!

Kam kënaqësinë që jam sot në mesin tuaj dhe që më jepet rasti të flas për krijimtarinë e mikut tim dhe bashkëvendësit tuaj, poetit, tregimtarit, publicistit dhe intelektualit Sabit Idrizi, i cili pikërisht sot, më 16 shtator 2015, mbush gjashtëdhjetë vjet jetë dhe njëzet vjet të krijimtarisë së tij të frytshme letrare.

Në këtë vit jubilar të jetës dhe të krijimtarisë së tij, Sabiti del para lexuesve me një vëllim me poezi të zgjedhura, Në kopshtin e koduar të ëndrrave, i cili po përurohet sot këtu në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë.

Unë Sabit Idrizin e kam ndjekur si poet që prej fillimeve të tij, plot 20 vjet më parë, i kam dëgjuar vargjet e tij nëpër orë letrare këtu në Mitrovicë dhe gjetkë, i kam lexuar kur janë botuar nëpër oraganet e shtypit, në gazeta e revista e pastaj edhe në libra.

Që nga fillimi kam parë tek Sabiti një krijues të talentuar, nga ata që në rrugën e krijimtarisë letrare nuk nisen për modë e snobizëm, as për të dalë nga anonimiteti, por për motive të tjera, më të fisme: ngaqë kanë një bagazh ndjenjash, mendimesh, shqetësimesh e idesh, të cilat dëshirojnë t’i artikulojnë nëpërmjet vargut poetik.

Libri të cilin po e përurojmë sot, Në kopshtin e koduar të ëndrrave, për vlerat estetike të të cilit është i merituar, sigurisht, autori, kurse për dukjen e tij të bukur miku i poetit Ganiu (Gani Baliu), sikurse edhe shtëpia botuese “Faik Konica”, që e drejton shkrimtari dhe botuesi i njohur Nazmi Rrahmani, është konceptuar dhe organizuar si një tërësi, kryesisht mbi bazën e kriterit tematik.

Ky libër përbëhet nga gjithsej katër cikle, plus një poezi hyrëse paraciklike, Më rilind, o fjalë! dhe dy-tri të tjera në fund si epilog (Kërkoj të zhvillohen hetime, Fund dhe Dëshira e fundit).

Cikli i parë titullohet Sa pak vetvete paska, sa pak vetvete gjen njeriu kur hyn e bën një bilanc të jetës dhe të rrugës nëpër të cilën ka kaluar, prandaj edhe folja është në mënyrën habitore (paska).

Cikli i dytë, i cili është ndër më të gjerët e librit, e ka titullin Merre hisen tënde të qiellit dhe “hisja e qiellit”, “hisja e diellit” është një metaforë, e cila flet për faktin se çdo njeri a individ, por edhe çdo kolektivitet, komb a etni në këtë botë, e ka hisen e vet të qiellit, të tokës, të diellit – lirinë e vet, të drejtën për të ekzistuar, të drejtën për ta ruajtur dhe kultivuar atë që quhet identitet. Aluzioni, besoj, është i qartë dhe kuptohet lehtë nga të gjithë, edhe pse poezia e Sabitit është poezi përplot nënkuptime dhe si e tillë poezi që do lexuar e rilexuar.

Sabit Idrizi nuk është poet i lehtë. Ai është poet me peshë, me mendim dhe me një shprehje të kultivuar poetike, metaforiko-simbolike, por edhe ironike, herë-herë me aliteracione dhe elemente të tjera të kësaj natyre dhe të gjitha këto përbëjnë kompleksin e mjeteve shprehëse të këtij poeti, të cilat ai i zotëron në mënyrë të shkëlqyeshme.

Unë kam bërë një parathënie të këtij libri, që zë gjashtë faqet e para të librit, të cilën e kam quajtur: Poezia si letërnjoftim i kohës. Ky është titulli i parathënies, kurse në kllapa si nëntitull kam vënë shënimin: Dy fjalë për poezinë e Sabit Idrizit.

Nuk dua ta lexoj parathënien këtu, ngase atë mund ta lexoni vetë në libër, të shtypur. Po bëj një pledoaje të lirë, pa tekst, me rrezikun që të mos jem sa duhet i sistemuar. Dua të theksoj që në fillim se Sabit Idrizi hyn në kategorinë e poetëve që kanë unin e vet, që kanë sferën e vet të interesimeve ideotematike dhe mëny-rën e vet të ligjërimit poetik, që kanë, me një fjalë, stilin e vet dhe kjo nuk është pak, madje është shumë dhe, për më tepër, është kryesorja në art: të kesh individualitet.

Ka autorë ndër ne që shkruajnë e botojnë përmbledhje pas përmbledhjeje, por pak ka gjëra aty që, siç e tha edhe Miftari, janë autentike, autoktone dhe si të tilla mbeten në margjina.

Bashkëvendësi juaj, Sabit Idrizi, është poet me personalitet dhe personaliteti i tij ka përmasa jo vetëm lokale, por edhe kombëtare. Mitrovica është një qytet me traditë në fushën e letrave, që ka dhënë mjaft krijues me emër, duke filluar nga profesori i ndjerë Latif Berisha; Jakup Ceraja, aq i pasionuar pas poezisë; poeti i Kepit të Shpresës së Mirë, i simboleve dhe i paradokseve, Fahredin Gunga, për të ardhur edhe te shokët që ka rreth vetes Sabiti, si Miftari, Ganiu, Riza e të tjerë, që nxjerrin revistën letrare Fjalë e valë, tash e trembëdhjetë vjet me radhë; që organizojnë manifestime letrare; që i bëjnë, pra, fjalës së shkruar edhe shërbime të natyrës së animimit, të popullarizimit të saj. Të gjitha këto janë pjesë e personalitetit krijues të jubilantit tonë.

Sabit Idrizi për Mitrovicën është një atu, një argument i fuqishëm, por jo vetëm për Mitrovicën. Sabit Idrizi është poet, që me vle-rat e tij konkurron në tregun e vlerave të poezisë shqipe të Kosovës dhe të poezisë shqipe në përgjithësi, prej Mitrovice në Elbasan, Vlorë, Fier, Shkodër, Sarandë, Gjirokastër... dhe doemos edhe në dy qendrat tona të mëdha kulturore: Tiranë dhe Prishtinë, pa harru-ar as Shkupin dhe Tetovën.

Sabit Idrizi jeton në provincë, sepse Mitrovica është provincë, të themi kështu, në raport me Tiranën dhe Prishtinën. Por ai, me opusin e tij krijues, me nivelin e shprehjes, me mënyrën e të shkruarit dhe me kërkesat që shtron ndaj artit poetik, nuk është aspak poet provincial, është poet kombëtar, i barabartë me pjesën më të mirë të poetëve aktualë, që shkruajnë në gjuhën shqipe, të cilët, për fat të mirë, nuk janë të pakët, ashtu siç nuk janë të pakët në kohën tonë as njerëzit që i janë qepur kot krijimtarisë. Secila kohë i ka krijuesit e vërtetë dhe skribomanët e vet, ashtu siç i ka edhe vlerat dhe pseudovlerat, por përshtypja ime si studiues i letërsisë është se trendi i botimeve pa kriter, i botimeve abuzive në mjedisin tonë ka ndikuar në ftohjen e lexuesve prej artit letrar, prej poezisë. Duke parë se gjithkush vë firmën mbi kopertinën e një libri, ndodh ndonjëherë (mund ta kem gabim, por kjo është përshtypja ime), që njerëzit thonë: “Po edhe ky qenka poet, atëherë si ky, si ai, andaj po heq dorë prej të dyve, ose po heq dorë prej të gjithëve”, prej leximit të librave në përgjithësi, gjë që është, sigurisht, gabim.

Libri që kemi sot para vetes, Në kopshtin e koduar të ëndrrave, që është një përzgjedhje nga pesë vëllimet me poezi të Sabitit, është një libër me gamë të gjerë tematiko-motivore, që ka një unitet jo vetëm në planin tematik, por edhe në atë stilistik, në të gjitha planet. Është një libër me një fond të kristalizuar mjetesh shprehëse dhe me nivel të lartë artistik, është, pra, një libër e jo thesht një përmbledhje. Në qoftë se në ciklin e parë, Sa pak vetvete paska, siç mund të shihet qysh në titulli poeti kërkon vetveten, sepse poezia lirike, në fund të fundit, është subjektive dhe merret me unin, artikulohet përmes vetës së parë njëjës ose subjektit lirik, cikli i dytë, Merre hisen tënde të qiellit, është ai që ia jep vulën librit, është pikërisht ajo frymë dhe tendencë që unë jam përpjekur ta them qysh në titull në parathënien time: Poezia si letërnjoftim i kohës.

Çdo kohë, thuhet, i ka poetët e vet, poetët që lënë dëshmi për atë kohë, dëshmi artistike. Që lënë gjurmë, dëshmi për brezat që vijnë. Që flasin për dramat, për tragjeditë, për traumat, për ëndrrat, për shqetësimet, për brengat, për vuajtjet, për dhimbjet e shumta dhe gëzimet e pakta që na rrethojnë, që i rrethojnë njerëzit përgjithësisht në jetë. Në librin Në kopshtin e koduar të ëndrrave dhe në poezinë e Sabit Idrizit në përgjithësi do të gjeni shumë dëshmi të tilla. Sabiti është poet që ka qëndrim kritik ndaj kohës në të cilën jeton. Ai, siç u tha, i do shumë njerëzit, e do shumë atdheun, vendin, lirinë, të drejtën, barazinë, nderin, dinjitetin, fisnikërinë (fjala e fisme haset shpesh në vargjet e tij), por është njëkohësisht poet që ngre zërin e protestës kundër të keqes që metastazon në forma të ndryshme në trupin e shoqërisë. Kundër sjelljeve imorale në planin etik, shoqëror, social dhe politik. Ai është një poet i revoltës ndaj hipokrizisë, dyfytyrësisë, demagogjisë. Në librin e poetit Sabit Idrizi do të gjeni shumë vargje kundër degradimit të vle-rave njerëzore, kundër vrapit pas pasurisë me çdo kusht, kundër meskinitetit e servilizmit, kundër dhunës së pushtuesit në vitet ’90, sigurisht, por edhe shpërdorimit të lirisë pas luftës. Shpirtin e poetit e trazojnë, kurse zemërimin e tij e zgjojnë sidomos ata që abuzojnë me lirinë dhe që uzurpojnë atdheun; që sillen me të si të ishte pronë e tyre private. “Nganjëherë më vjen me ia ngjitë edhe diellit/ E me e përplasë diku matanë qiellit”, shprehet poeti në kulm të zemërimit.

Një cikël i këtij libri, i treti me radhë, e ka titullin Kjo dalldi e fisme që vret. Është cikli i poezive me motivin e dashurisë, temën e dashurisë – një ndjenjë e përhershme universale e poezisë lirike. Siç e thotë një teoricien i njohur i kohës sonë, kritiku i njohur francez Rolan Bart, poezia lirike që nga antika e këtej ka dy mit-tema, dy tema mitike: Erosin dhe Tanatosin. Erosi është perëndia e dashurisë, Tanatosi është perëndia e vdekjes. Këto dy motive janë shumë të pranishme në poezinë e Sabitit dhe veçanërisht në librin Në kopshtin e koduar të ëndrrave.

Cikli i fundit i librit mban pikërisht këtë titull, pra Në kopshtin e koduar të ëndrrave..., por i është shtuar edhe përemri pronor të mia. Janë 10 poezi elegjiake kushtuar bashkudhëtares dhe shoqes së jetës, bashkëshortes së ndjerë të poetit, Hajries, e cila nuk mundi ta përballonte sëmundjen e pashërueshme dhe u nda nga të afërmit e vet para kohe. Në historinë e letërsisë shqipe, që nga De Rada, Serembe, Çajupi, Skiroi e deri tek poetët tanë bashkëkohorë, si Ali Podrimja, Rexhep Elmazi, Natasha Lako, Visar Zhiti etj., janë shkruar shumë poezi elegjiake kushtuar njerëzve të dashur, që poetët i kanë humbur para kohe, si fëmijëve, prindërve, bashkëshorteve apo bashkëshortëve. Them se në ciklin Në kopshtin e koduar të ëndrrave të mia, ku janë përfshirë 10 poezi kushtuar gruas së tij të ndjerë gjatë kohës që ajo ka qenë e sëmurë dhe më vonë pas vdekjes, Sabit Idrizi ka shkruar disa poezi me vlera antologjike. E jashtëzakonshme, për mendimin tim, është poezia Biseda e fundit me të. Vetëm poetët e talentuar, që e ndijnë thellë dramën e jetës; vetëm poetët me ndjeshmëri e intuitë të pasur, që dinë ta veçojnë të domosdoshmen prej sporadikes, arrijnë të thurin vargje të tilla, si ato të poezisë Biseda e fundit me të, që shquhet me përjetimin e thellë dhe dialogun konkret të subjektit lirik, alias të poetit me bashkëshorten e vet, nënën dhe gruan e cila edhe në çastet e fundit të jetës ëndërron për lumturinë e fëmijëve dhe ardhmërinë e familjes: “Kësmet/ Posa t’ia japë syri i pranverës (më tha)/ Do t’ia nisim shtëpisë.../ Posa ta ndërtojmë shtëpinë (i shkëlqyen sytë nga gëzimi)/ Do t’i marrim dy nuse të mira/ Po (ia ktheva) do t’i martojmë të dytë përnjëherë:/ Ramadanin dhe Liridonin...”. Me përmbajtjen dhe botëkuptimin e saj, poezia Biseda e fundit me të është shumë shqiptare, por me ndjenjën e dhembjes dhe pafuqinë e njeriut përballë sëmundjes dhe vdekjes, është njëkohësisht edhe universale, prandaj mund të themi se hyn në radhën e poezive që lexohen sot dhe do të lexohen edhe në të ardhmen.

Poezia e Sabit Idrizit në përgjithësi është poezi e nivelizuar. Ai nuk e lëshon poezinë pa e thadruar mirë, pa e kristalizuar, ka kërkesa ndaj vargut dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por, sigurisht, si te çdo poet, ka edhe poezi ku shkëlqen intuita poetike, ku shpërthen emocioni, ku mendimi është edhe më i thellë, ku verbi poetik bëhet dramatik. Të tilla janë poezitë e ciklit Në kopshtin e koduar të ëndrrave të mia, por poezi të tilla, të frymë-zuara dhe të realizuara me mjeshtëri, ka edhe në ciklet e tjera të librit. (Mjafton të kujtojmë, fjala vjen, poezitë: Dritarja, Dhembje, Më rilind, o fjalë!, Regjistrimi, Biseda e fundit me të e të tjera).

Sabit Idrizi, duke qenë poet me shprehje dhe sensibilitet modern, është edhe poet ironik. Ndër poetët që shkruajnë sot në Kosovë është nga ata që e zotërojnë më së miri gjuhën e ironisë. E ironia është tipar kryesor i poezisë moderne dhe asaj që e quajmë postmoderne. Heroi i kohës sonë, thotë një kritik amerikan, nuk është heroi tragjik i romantikëve, por përqeshësi spirituoz. Ai që di t’i përqeshë, t’i vërë në lojë, t’i tallë, t’i stigmatizojë dukuritë nega-tive, njerëzit që e degradojnë emrin njeri, ai është poet që ecën tok me trendet e poezisë së sotme. Unë do ta veçoja vetëm një poezi për ta argumentuar këtë që u përpoqa ta them. Dhjetë vjet më parë, pra në vitin 2005, kur pritej të bëhej regjistrimi i popullsisë dhe i pasurisë së Kosovës, kur Kosova ende, siç thotë poeti ynë, ishte “e paregjistruar”, s’kishte status, s’ishte shtet, pra para pavarësisë, pritej të bëhej regjistrimi i popullsisë dhe i pasurisë pas plot 25 vjetësh. Të gjithë ne, poetë dhe jopoetë, e kemi jetuar atë moment, por Sabit Idrizi ka gjetur mënyrën ta përjetësojë në vargje një moment në shikim të parë krejt banal, prozaik, që s’ka asgjë poetike në vete, çfarë është regjistrimi i popullsisë si një akt zyrtar, juridik, statistikor, që bëhet në çdo vend të botës. Sabit Idrizi ka ditur t’i qaset kësaj teme në mënyrë specifike dhe të krijojë një poezi antologjike, të cilën e pata përfshirë në antologjinë Muza e mëmëdheut si poezi patriotike, sepse trajtimi i temës së atdhedashurisë sot ka evoluar: atdheu nuk duhet më symbyllur si dikur, duke e idealizuar, por duke i pikasur të mirat dhe të këqijat që vlojnë në të.

Pjesë e atdheut është edhe qyteti i ndarë i Mitrovicës, ku jeton poeti, i vetmi qytet në botë, që edhe në shekullin XXI ndahet me barrikada, herë në formën e grumbullit të dheut, gurëve e rërës, e herë në trajtën e sofistikuar të kinse “parkut të paqes”. Sabit Idrizi jeton e krijon në këtë qytet dhe ballafaqohet ditë për ditë me këtë realitet absurd, të cilin nuk mund të mos e pasqyrojë në vargje. “Matanë Ibrit i kemi varret / I kemi shtëpitë tona të djegura/ Anemik më del belbëzimi/ Derisa e pi me fund/ Edhe një ditë të gjembosur/ Të qytetit tim të ndarë/ Me tela paqësorë”.

Sabiti është nga më të shqetësuarit në mesin tonë, si njeri dhe poet, për të ligat që po i bëhen këtij vendi e që janë shumë, fatkeqësisht. Para luftës na kanë dhunuar të tjerët, pas luftës po e dhunojmë vetveten, duke e shkelur e nëpërkëmbur këtë shtet, që është pjellë e qindra viteve rezistencë e sakrifica dhe poetët si Sabit Idrizi nuk kanë si të mos jenë të shqetësuar dhe të mos e shprehin revoltën e tyre kundër atyre që poeti ynë i quan: kullotësit e atdheut. Kur grabitja e pasurive të atdheut, mbitokësore e nëntokësore, në formë plaçkitjeje të hapur apo në emër të të ashtuquajturit privatizim, bëhet dukuri e përditshme, atëherë situata është absurde: “Përgjakemi e përflakemi/ Për tonin Atdhe/ Për ta shpëtuar nga të tjerët/ E për ta zhbërë vetë ne”, si thuhet në poezinë e shkurtër, por mbresëlënëse, me titull Absurd.

Në qoftë se thashë që poezia e Sabit Idrizit është dëshmi e kohës, letërnjoftim i saj, ajo është, në pjesën dërrmuese të rasteve, letër-njoftim i një “kohe të përdalë”, i një kohe lavire dhe qysh në poezinë e parë të këtij libri adresohet kjo kohë dhe shkaktarët e saj. Ata janë njerëzit që “U ka dalë tambli mbi përsheshin”, si thotë poeti duke u shfrytëzuar një thënie popullore: “Ka kohë që po pres të ma vini veshin, /Ju që ju ka dalë tambli mbi përsheshin”. Sabiti ka shumë vargje, shumë sekuenca, shumë poezi, shumë cikle me frymëzim të këtillë, por ato janë artikuluar me gjuhën e poezisë. Ky është dallimi prej shumë të tjerëve, që dalin e recitojnë fraza boshe, fjalë bombastike në manifestime letrare, apo i botojnë ato edhe në libra. Sabit Idrizi është poet në për-gjithësi origjinal, i vetvetes, por, si të gjithë poetët e tjerë, ai ka afërsi me disa poetë tanë bashkëkohorë. Modeli i tij poetik, mënyra si e percepton realitetin dhe si e koncepton poezinë, si e ndërton figurën, ritmin, pastaj teknika e përsëritjes së vargjeve, arti i të thënit dhe të heshturit, pra yrneku, ka diçka të përbashkët, siç kam thënë edhe në parathënie, me dy poetë të shquar të poezisë së sotme, Azem Shkrelin dhe Din Mehmetin (në një aspekt, në pikëpamje të lakonizmit të shprehjes dhe të shpirtit rebelues, edhe me Xhevahir Spahiun). Të gjithë këta poetë, ndërkaq, kanë si pararendës të tyre të përbashkët Migjenin, rebelin dhe ikonoklastin më të madh të poezisë shqipe. Për S. Idrizin vlen ajo që thotë Elioti te eseja e tij e famshme “Tradita dhe talenti individual” se “pjesët më të mira, më individuale të veprës së tij mund të jenë ato me të cilat poetët e vdekur, paraardhësit e tij, në mënyrë më të fuqishme e kanë dëshmuar pavdekësinë e vet”.

Një nga karakteristikat qenësore të poezisë së Sabit Idrizit, për mendimin tim, është që ai nuk i thotë të gjitha. Kjo është poezi që flet dhe që hesht. Disa gjëra i lë të nënkuptohen. Poezia e tillë, në gjuhën e kritikës, quhet poezi asociative. (Asociacion. Shqip: shoqërim i ideve). Ajo shumë gjëra i sugjeron, nuk i shpjegon. E, megjithatë, poezia e këtij poeti është e qartë, komunikative, nuk e mbyll shtegun e komunikimit me lexuesin, por komunikimi me të presupozon kulturë letrare dhe dashuri për poezinë. (Poetesha e njohur polake, Visllava Shimborska, fituese e Çmimit Nobel, thotë se në një mijë vetë dy e duan poezinë. Edhe të tjerët e duan, e pëlqejnë, por më shumë duan supën dhe makaronat, thotë ajo me ironi).

Poezia e Sabit Idrizit është poezi që kërkon një lexues të kulti-vuar. Sabit Idrizi është poet i lidhur ngushtë me këtë tokë, me këta njerëz, me jetën e këtyre njerëzve, të djeshmen dhe të sotmen e tyre, me ëndrrat për të ardhmen; ka shumë shqetësime për fatin e këtij vendi, për fatin e këtyre njerëzve, për fatin tonë, të bijve dhe nipave tanë; shqetësime, frikë, dhembje. Ai është një poet i kapur fort, siç thoshte Vorea Ujko kur i shkruante letër Jakup Cerajës, në thithë të mëmëdheut. Arbëreshët e përdorin këtë fjalë për fjalën gji. Pra, Sabit Idrizi është i kapur fort në gjirin e kësaj toke, mëkohet prej saj, frymëzohet prej saj dhe ia kthen borxhin nëpërmjet vargjeve të latuara, të kultivuara, të gdhendura; nëpërmjet vargjeve që thonë shumë të vërteta për jetën tonë. Kryesisht të vërteta të hidhura, sado që ai, si të gjithë poetët e vërtetë, afirmon të mirën dhe godet të keqen. Tekefundit, poezia këtë mision ka. Poezia nuk e ndërron botën. Botën e ndërrojnë ata që i kanë në dorë të mirat materiale, mjetet, pushtetin. Por, siç thotë poeti i shquar anglez, romantiku Persi Bish Shelli, ata që e kanë në dorë fatin e botës duhet t’i kenë parasysh vizionet e poetëve.
Sabit Idrizi është një poet me formim kombëtar, njerëzor e humanitar; një poet me shprehje moderne, asociative, simbolike; një poet që di ta kontrollojë frymëzimin e vet për ta vënë brenda kornizave që do vetë. E zotëron mirë atë që quhet teknikë e vargut dhe e krijimit të poezisë dhe kjo, siç thashë në fillim, e bën atë poet me individualitet, poet të vetvetes; poet që, sigurisht, mëson nga të tjerët, siç mësojmë të gjithë ne, por që ka botën e vet të ideve, të preokupimeve, të emocioneve, të men-dimeve, të ëndrrave, të shpresave, të zhgënjimeve dhe mjetet e veta shprehëse: krahasimet, metaforat, personifikimet, figurat e tjera, ironinë, figurat e fjalës e të mendimit dhe të gjitha këto ai i sublimon në vargje, duke i shkrirë në mënyrë të natyrshme, ashtu që nuk mund të kapen me pincetë dhe të ndahen nga vargu ashtu siç nxirret qimja nga qulli. Poezia e Sabit Idrizit i shkrin këto, i kompozon në mënyrë mjeshtërore nëpërmjet intuitës, imagjinatës dhe, të mos harrojmë, punës së përkushtuar krijuese të poetit. Poezia e mirë nuk krijohet lehtë.

U përpoqa t’i vë në pah disa nga karakteristikat e poezisë së Sabit Idrizit, disa nga vlerat e saj, individualitetin e tij krijues. Sabit Idrizi është më shumë se një poet. Më shumë se një poet lirik. Ai është edhe prozator. Tregimi i tij Zarfi është një tregim i jashtëzakonshëm: një manifest i kohës sonë. Është një tregim që bën fotografimin e plotë të të sotmes sonë; fotografimin e situatës në të cilën gjendet sot Mitrovica, Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi, në mos edhe Ballkani dhe e gjithë Evropa, sepse po shohim çka po ndodh edhe përtej sinorit tonë.

Sabit Idrizi është poet, tregimtar, publicist, por edhe animator i kulturës dhe kjo nuk është pa rëndësi, sepse poezia, arti letrar, letërsia duhet të komunikojë me njerëzit në mënyrë të drejtpërdrejtë, siç po bëjmë, pak a shumë sot, në këtë takim jubilar kushtuar 60-vjetorit të lindjes së Sabit Idrizit dhe 20-vjetorit të botimit të librit të tij të parë.


Sabit Idrizi ka botuar libër relativisht vonë, në moshën 40 vjeçare, sepse ka dashur të dalë me pjekuri para lexuesve. Ai nuk vrapon pas titujve. Kjo e nderon atë. Në kohën tonë, kur ka shumë botime pa kriter, herë-herë, madje, edhe pa recensurë, redakturë e lekturë, është mirë të përmbahemi nga botimet e shumta, sesa të bëjmë të kundërtën. (Sot është lehtë të botosh nëse ke para dhe njëfarë pozite në shoqëri). Sabit Idrizi ka kërkesa ndaj artit dhe kjo e nderon atë si autor dhe ju nderon edhe juve, të nderuar mitrovicas, si bashkëvendës të tij.

Më lejoni në fund që mikun tim, kolegun tim, poetin tim që e lexoj me kënaqësi, Sabit Idrizin ta përgëzoj në 60-vjetorin e tij të lindjes, t’i uroj së pari shëndet dhe freski mendore e frymëzime të reja dhe qëndrim e komunikim edhe më tutje dinjitoz në vargje, por edhe në jetë, gjë që e ka cilësuar atë gjithmonë.


Mitrovicë, më 16 shtator 2015

Post Reply

Return to “Letërsia shqiptare”