Page 1 of 1

G.B. LOJA

Posted: Sun Jan 15, 2017 7:41 pm
by GaniB
LOJA

Kil ! Kil ! Kili Te-ti! Kili Te-ti! Peng! Peng! Jam peng!

- Ke rënë në të thella.
- Jo !
- Ashtu dukesh.
- Oh jo, po e shikoja lojën e këtyre fëmijëve.
- Ashtu?!
- Ëhë !
- Thash se do të dilte diçka interesante.
- Pse, nuk të duket ashtu?
- Kush?!
- Loja, pra.
- Ndoshta, për aq sa ma kujton fëmijërinë time.
- Ajo gjithsesi, por ka edhe diçka tjetër.
- Po, ka diçka të çuditshme.
- Interesante, them unë.
- Pajtohem, nëse diçka e çuditshme mund të quhet ashtu.
- Dhe... ç’është ajo që ti e quan të çuditshme?
- Dëgjo, kështu luanim edhe ne kur ishim fëmijë apo jo, dhe kjo atëherë ishte fare normale. Por sot...
- Çfarë sot?
- Paj, disi më duket e jashtëkohshme.
- Si ta kuptoj këtë?
- Them se i ka shkuar koha pra dhe çuditem se edhe më tej luhet kjo lojë.
- E, pra, luhet.
- Luhet, luhet, këtë e shoh unë, po si e shpjegon ti që kjo lojë luhet edhe në këtë kohë të mundësive të mëdha virtuele.
- Po pse, ti mendon se do të duhej të ishte harruar, të mos luhej më?
- Po pra, kur ke para sysh...
- Dhe kjo do të thotë se ...
- Çfarë do të thotë?
- Homerin e urtë do të duhej ta mbulonte terri i harresës.
- Prit, prit, këtë nuk e thash !
- Është e njëjta gjë.

Kil ! Kil ! Kili Te-ti! Kili te-ti! Peng! Peng! Jam peng!

Vetëm një zot e di se prej kur luhet kjo lojë. Thonë se ka lindur bashkë me njeriun. Madje thonë se është luajtur gjithherë e gjithmonë, e do të luhet edhe gjatë. Do të luhet ashtu siç është luajtur gjithmonë. Ashpër e me gjëmë. Thonë, po ashtu, se ishte luajtur edhe në Trojë. Ishte luajtur dhe qyteti i Priamit ishte bërë shtrojë. Disa thonë se kobin Trojës ia solli kalë-drunjti. Të tjerë thonë se ishte At-lanti vet ai që i bëri gjëmën Trojës, por ka edhe të tillë që bëjnë be e rrufe, se ai që e shtroi qytetin e Prijamit s’ishte gjë tjetër veçse kalë-ndarës - kalendar, siç i thonë kohët e vona. Por të gjithë thonë se kjo lojë ishte luajtur atje dhe gjëmë të madhe kishte. Ishte luajtur edhe sa e sa herë dhe, thonë, gjëma përherë ishte e madhe. Ku ta dish...! Vetëm një zot e di!
Një gjë vetëm dihet. Heronjtë e saj ishin gjithherë të njëjtit. Gjithherë e gjithkund të njëjtit. Ndjekës e hikës. Akil i Te-tisit e Hiktor. Akil, Hiktor e pengje. Gjithherë e gjithkund ishin të njëjtit, e gjëma, thonë, gjithherë ishte e madhe.
Dhe, deri sa të ketë Akil, do të ketë Hektor. E derisa të ketë Akil e Hektor, do të ketë pengje.
E do të ndjekin sho-shojnë nëpër shekuj Akil e Hektor. E tek porta Ske-e do të vriten herë njëri e herë tjetri. E...kështu, thonë, nëpër shekuj, mbi trupat e fituesve dhunë do të bëhet.
Gjëma do të jetë e madhe, e vaji do të bëhet me-det.
Kështu, thonë, e... një zot e di. Vetëm perëndia e di.


- Dhe ti thua se kjo lojë fëmijësh dhe poemat e Homerit janë e njëjta gjë?!
- Do ta kem thënë një çik më ndryshe. E kisha fjalën tek harresa.
- Pres të më sqarosh, pra.
- Kjo lojë mund të lihet në harresë aq sa mund të mos lexohen poemat e Homerit.
- Kureshtja më rri zgjuar të di më shumë për këtë.
- Kësaj i thonë ta kripësh me një çik ironi.
- Pse e thua këtë? Ndjehem keq kur më thua kështu. Vërtet isha i gatshëm të të dëgjoj.
- Dhe unë ndjehem keq, po ashtu, kur më dëgjojnë nga mirësjellja.
- Mendon se nuk është mirë kjo?
- Thash vetëm se unë ndjehem keq.
- Edhe me miqtë ke këtë ndjenjë?
- Sidomos me miqtë.
- Mendon se duhet të sillem ndryshe?
- Natyrisht se jo.
- Atëherë, të ta them një gjë.
- Ëhë!
- A e di se nganjëherë bëhesh i rëndë, madje i padurueshëm.
- Natyrisht, është në përputhje me rregullat.
- Për çfarë rregullash flet?
- Të lojës, pra.
- Pse, luajmë ne?!
- Po, pra! S’bëjmë gjë tjetër. Edhe të tjerët luajnë.
- Dhe cilën lojë e luajkemi ne?

Kil ! Kil ! Kili Te-ti! Kili Te-ti! Peng! Peng! Jam peng! Jam peng!

- Ja, këtë lojë që e luajnë këta fëmijë. Vetëm se në një version tjetër.
- Si mund të mendosh kështu?
- Ngase kështu sillemi. Dhe jetën e kemi përplot me këtë lojë. Disi, e bartim nëpër kohëra sikur mallkimin.
- Mendon se të gjithë sillen kështu, pa përjashtim?
- Ashtu është.
- Por... megjithatë, kjo botë është përplot me njerëz të mirë.
- Është e vërtetë, ka shumë njerëz të urtë.
- A nuk janë këta përjashtim, pra?
- Mendoj se jo.

Kil ! Kil ! Kili Te-ti! Kili Te-ti! Peng ! Peng ! Jam peng!

Edhe gjatë, thonë, edhe gjatë do të luhet kjo lojë. Do ta luajnë të vegjël e të mëdhenj. As rregullat e saj nuk do të ndryshojnë, do të luhet ashpër dhe gjëmë do të ketë.
Një zot e di se deri kur...