"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

G.B. Pafsha me sytë e tij

Flisni pë letërsinë shqiptare, sillni krijimet tuaja dhe të autorëve që ju kanë lënë mbresa.

Moderator: bardus

Post Reply
GaniB
Member
Member
Posts: 25
Joined: Thu Jan 12, 2017 6:26 pm
Gender: Male

G.B. Pafsha me sytë e tij

#1

Post by GaniB » Mon Jan 16, 2017 9:30 pm

Pafsha me sytë e tij

Apollon e Artemis... kujtomëni në të ardhmen! E në qoftë se del midis njerëzve ndonjë udhëtar fatkeq e ju pyet: “O ju çupa të reja, kush është këngëtari më i këndshëm midis atyre që venë e vijnë në këtë ishull, ai që ju ka dëfryer më shumë?”, ju, duke dashur të mirën time, të mund t’i përgjigjeni: “Është njeriu i verbër; banon në ishullin malor të Kios; këngët e tij do të jenë më të lavdishmet në shekujt që do të vijnë”.

Ky himn, i cili i drejtohet Apollonit, e të cilin mendohet ta ketë shkruar Homeri, thuhet të jetë shkaktari i besimit se Homeri ishte i verbër, ashtu siç e përfytyronin dhe e paraqisnin artistët e kohërave antike në veprat e tyre; se kishte jetuar në ishullin Kios, qoftë edhe për kohë të caktuar dhe se ai ishte autori i poemave të famshme ILIADA e ODISEA.
Për shkak të mungesës së argumenteve të dokumentuara dhe të besueshme është e vështirë, madje edhe e pamundur që ajo që quhet “çështje Homerike” t’ë konsiderohet e mbyllur, prandaj, sot ekzistojnë shumë teori e mendime rreth veprave ILIADA dhe ODISEA dhe autorit të mundshëm të tyre. Teorive dhe mendimeve të deritashme, ka të ngjarë, do t'u shtohen edhe teori e mendime të tjera, të mbështetura e të pa mbështetura në ndonjë argument, por që, gjithsesi do të synojnë t'i vënë pikë kësaj çështjeje dhe secila në mënyrën e vet dhe me argumentet e veta do të përpiqet ta skalis një portret sa më të besueshëm për krijuesin e këtyre veprave.
Tani, bëhet kjo vetëm sa për t'ia dhënë autorit hakun që i takon dhe sa për të shlyer një borxh ndaj tij?
Krahas detyrimit shkencor që kanë studiuesit për të kërkuar dhe për të gjetur përgjigje për çështje të hapura, këtu nuk flitet për aventurier, motiv shtesë, në rastin e Homerit, ka të ngjarë të jetë nevoja e krijimit të një mendimi të qëndrueshëm rreth tij, në mënyrë që këto vepra të bëhen me zot, që këto vepra të bëhen më të plota dhe të kenë një adresë. Dhe njohja e autorit, përveçse për shkencën, do të jetë e rëndësishme edhe për lexuesin.
Mungesa e autorit sikur e cenon bukurinë e veprës, sikur e prishë magjinë e të lexuarit të saj.
“Në fushën pa zot kullotë kali i dreqit”, është thënë gjithherë e gjithmonë. Prandaj, zgjidhja e kësaj çështjeje (çështjes homerike) do të ishte e një rëndësie jo të vogël.
Në mungesë të të dhënave të sakta, sekush beson atë që i pëlqen më shumë, mirëpo, për të pasur të plotë kënaqësinë e leximit të veprave ILADA dhe ODISEA, pashmangshëm ndjehet nevoja e njohjes apo, së paku, e krijimit të një përfytyrimi për autorin e këtyre veprave. Dhe, ky përfytyrim për autorin është vështirë të jetë ndryshe nga ai që na e përcollën të tjerët, ata që ishin më afër kohës së krijimit të këtyre veprave.
Një portret në mermer, disa fjalë për jetën janë të mjaftueshme për ta krijuar një përfytyrim të zbehtë, i cili, sidokudo, i bënë këto vepra me zot, qoftë edhe të imagjinuar.
Po që se besohet se Homeri ekzistoi dhe se ai është autori i ILIADËS dhe ODISESË, gjithsesi është e këndshme të besohet se edhe këtë himn e shkroi ai, Homeri, këngëtari më i këndshëm, dëfryesi e adhuruesi i pa hile i këtyre dy perëndive të reja, Apollon e Artemis. Poeti e zëdhënësi besnik i tyre, si dhe interpretuesi e shkoqitësi i përpiktë i porosive të tyre. “Apolaku”, apo siç thuhet ndër ne “plaku”, i urtë e i ndritur, vdekatari më i sajdisur nga Feb Apoli. Të qenit “Plak” nuk nënkupton domosdoshëm të qenit në moshë të shtyrë, ashtu siç këtë nuk e nënkuptonin as normat e Kanunit i cili deri vonë, në disa treva njihej si Kanuni i Lekës së Parë e më vonë, shumë më vonë edhe si Kanuni i Lekë Dukagjinit. Të qenit Plak më parë nënkuptonte të qenit njohës dhe interpretues i kanunit dhe të qenit i aftë për pjesëmarrje në kuvende dhe për ndarje të drejtësisë. Nëse Leka i PARË ishte Lekë Dukagjini apo Lekë Paridi, këtë do të na e thotë dikush një ditë.
E shkroi apo jo Homeri këtë himn?
Ekzistojnë mendime të ndryshme rreth kësaj çështjeje, por e vërteta është se atij i rri më së miri autorësia mbi të.
Asnjë i dytë ndër të vdekshmit, së pakut për kohë shumë të gjatë dhe për aq sa dihet, nuk e pati dashamirësinë dhe përkujdesjen e Apollonit, prijësit të Muzave, perëndisë së dritës, paqes, pastërtisë, dijeve, arteve, shesheve, logjeve, xhadeve, si ai. Për asnjë të dytë nuk u fol e nuk u tha më shumë se sa për këtë dashamir të Musagetit, perëndisë së fjalës - fijeartë, kuvendit e muhabetit - musabetit, babait mbrojtës të mysafirit - musafirit, femirit e besmirit të perëndisë.
Fundja, kujt nga bashkëkohësit e tij më shumë ia dëgjoi lutjen Feb Apoli?
Me dritën e tij e pastroi nga mallkimi-harresë dhe në përputhje me lutjen “...kujtomëni në të ardhmen!”, e mbolli përhershëm në kujtesën njerëzore bashkë me këngët që “do të jenë më të lavdishmet në shekujt që do të vijnë”.
Këtë lutje e kishte poeti i cili, ka të ngjarë, jetoi si murg - i veçuar në ishullin Kios, duke i qëndruar karshi “verbërisht” syrit të keq të përditshmërisë së kohës në të cilën jetoi. Përditshmërisë “Terpi”, nëpër të cilën bredhin “udhëtarë fatkëqij”.
Le të thuhet se ai ishte i verbër, madje le të thuhet se mbi të ra smira dhe mëria e të gjitha muzave bashkë dhe ia shuan dritat e syve, ashtu siç ia shuan zëmirit - mbret Tamir, por, për të parë, ai do të ketë parë mirë, madje më mirë se të gjithë bashkëkohësit e tij. Ai, më mirë se kushdo tjetër, do ta ketë parë vuajtjen, dhimbjen, dashurinë, gëzimin... Prandaj, është vështirë të kuptohet që mungesa fizike e syve të marrë një rëndësi të tillë sa të shënohet si e dhënë e parë për “njeriun e verbër”, për atë mendje e shpirt plotë dritë, që pagëzoi zot e perëndi, mbretër e princër, heronj e robër, të mëdhenj e të vegjël... Që krijoi ligje e kanune dhe “këngët që do të jenë më të lavdishmet në shekujt që do të vijnë”.
Verbëria e tij, në të vërtetë, do të jetë një figurë, një metaforë.
Ajo që është lehtë e besueshme dhe lehtë e pranueshme është se ai do të ketë qenë njeri i varfër, madje deri në atë shkallë sa nuk do të linte as dy para për t'ia vënë në sy pas vdekjes, ryshfet për varkëtarin Haron.
Si poet, do të ketë qenë “i verbër” karshi “terpive” – grykësive dhe pangopësisë së përditshmërisë, e cila përditshmëri, në përmbajtje, duket se nuk ndryshoi për të mirë as deri në ditët tona. Si poet, nuk do t’i ketë përfillur kërkesat pa fre, për të cilat do ta kenë lënë kokën bashkëkohësit e tij. Ai, për vete, do ta ketë zgjedhur një jetë ndryshe nga të tjerët. Një jetë plot dashuri për dhimbjen, një jetë plotë dhimbje për dashurinë. Do të ketë zgjedhur një mision hyjnor për të qenë në mes të perëndive dhe vdekatarëve. Për të qenë gjithherë pran shpirtit që vritet përditshmërisht, për ta ringjallë atë dhe për t’ia dhënë frymën e shenjtë të përjetësisë. Një mision që do të duhej ta fisnikëronte përditshmërinë, e cila nuk di për hijeshinë e lindjes së rrezes së parë, për të rënduarit përmallshëm të diellit të për-aruar në fund të perit të ditës, për fisnikërinë e kafshatës së hequr nga goja, për bukurinë e “çmendjes” së poetëve...
Është mirë, vërtet është mirë, ta kemi një Homer.
Plak a i ri, i verbër a jo, na duhet dikush që ta shajmë për kënaqësitë që na shkaktojnë ILIADA e ODISEA.
Na duhet që t'i jemi mirënjohës për formulën me të cilën u pagëzuan shekujt.

“Dëgjomë o zoti Apol, me hark argjendi, që Krizën mbron dhe ruan Qilën hyjnore, e në Tened sundon mbret i fuqishëm, Sminte, dëgjomë”.

Falmi sytë e tu
Sytë e tu të verbër
H
o
m
e
r
Ta shoh
Në sy
Verbimin tim!

(A. Vinca)

Pafsha me sytë e tij! Amen!

Post Reply

Return to “Letërsia shqiptare”