Page 1 of 1

Filip Shiroka (1859 - 1935)

Posted: Fri Jun 01, 2012 9:50 am
by Rina
Filip Shiroka lindi më 1859 në Shkodër, Shqipëri dhe vdiq më 1935 në Bejrut, Liban - shkrimtar, rilindas, shqiptar.

Jetëshkrimi

Filipi përfundoi shkollen françeskane të Shkodrës. Më vonë punoi si libralidhës. Njëri nga mësuesit e tij ishte poeti arbëresh Leonardo De Martino (1830-1923), ndikimi i të cilit ndjehet në vargjet e Shirokës. Poema e parë e botuar ishte All’Albania all’armi, all’armi ! (Në Shqipëri, në armë, në armë !), një poezi me theks luftarak kombëtar kushtuar mbrojtjes së Ulqinit kur fuqitë e mëdha, pasi dështuan t'i jepnin Malit te Zi, Hotin e Grudën, vendosën t'ia kompensojnë me Ulqinin e Tivarin, pa vlera të veçanta letrare, e cila u shkrua në Italisht dhe u publikua në Obsservatore Cattolico të Milanos më 1878; ashtu si miku i tij nga i njejti qytet Pashko Vasa, ai do te shkonte per per te ndjekur studimet e larta ne Itali. Si shumë intelektualë shqiptarë të shekullit të 19-të, Filip Shiroka e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij jashtë Shqipërisë.

Më 1880, pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ai u vendos në Egjipt dhe Liban ku punoi si inxhinier në konstruksionin e hekurudhave. Aty kaloi pjesën më të madhe të jetës, u lidh me lëvizjen e emigrantëve shqiptarë dhe filloi të shkruante vjersha. Disa vjet punoi në Bejrut të Libanit, me përkrahjen e Pashko Vasës. Me Çajupin e lidhte një miqësi e ngushtë. Vjershat e tij, të shkruara në vitet 1896-1903 u botuan në gazetat shqiptare të kohës, kryesisht në 'Albania' të drejtuar nga Faik Konica. Ato u përmblodhën më vonë nga historiani i njohur Dom Ndoc Nikaj dhe u botuan në vëllimin me titullin Zani i zemrës, Tiranë 1933. Shiroka, i cili po ashtu përdori pseudonimet Gegë Postriba dhe Ulqinaku, është autor i së paku 60 poemave, tri tregimeve të shkurta, artikujve dhe disa përkthimeve, veçanërisht të veprave për liturgjinë katolike. Pseudonimi i tij letrar do te ishte Geg Postriba, preferuar kjo përkundër përzgjedhjes që kishte bërë Luigj Gurakuqi, i cili në poezitë e tij nënshkruante Leke Gruda.

Tema në veprën e poetit Filip Shiroka ishte ajo e atdhedashurisë, krenarisë kombëtare për të kaluarën dhe shpirtin liridashës të shqiptarëve. Në poezitë "Burri", "Gjergj Kastrioti", "Shypnia", Shiroka bëri thirrje hapur për çlirimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Në poezitë e tij më të mira, që i kushtohen mallit për atdhe, Shiroka mediton mbi fatin e tij dhe atë të atdheut. Melankolia dhe humori i hollë i përshtaten tepër Shirokës, që me vjershat e këtij lloji sjell një notë vetjake në poezinë tonë te Rilindjes. Poezitë më të njohura janë Shko dallëndyshe dhe Dallëndyshe eja. Vdiq në Bejrut të Libanit më 1935 me mall e dashuri per atdheun, me deshiren qe te varroset ne Varrezat e Rrmajit ku kishte varrin e babes e nenes se dashtun.

Filip Shiroka ishte poet me ndjenja te holla, nje krijues lirik i lindur e krejt i natyrshem, nje mjeshter i gjuhes, i shprehjeve te embla dhe te pastra si kristali, e per kete ai ze nje vend te nderuar ne historine e Letersise Shqipe. Eshtrat e Filip Shirokes, u sollen nga Libani ne Atdhe dhe u rivarrosen ne qytetin e Shkodres rreth nje cerek shekulli pas vdekjes se poetit ne nje ceremoni ku moren pjese mijra e mijra qytetare shkodrane admirues te poetit zeembel te "Dallendyshes".

WP.com

Re: Filip Shiroka (1859 - 1935)

Posted: Fri Jun 01, 2012 9:51 am
by Rina
Shko Dallëndyshe

Udha e mbarë se erdh pranvera,
shko, dallëndyshe tue fluturue,
prej Misirit n'dhena tjera,
fusha e male tue kërkue;
n'Shqipni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n'qytetin tim.

Shëndet prej meje të m'i falësh
saj shpisë vjetër ku kam le,
me ato vende rreth t'përfalesh,
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet qytetit tim.

Me ato male, me ato kodra,
me ato prroje rreth t'përfalesh
n'ato fusha që m'ka Shkodra
të lulzueme, aty t'ndalesh;
tue kndue me ambëlcim,
fal me shndet qytetit tim.

T'mujsha dhe un' me fluturue
dojsha dhe un' me u nisë me ty,
dojsha n'Shkodër me kalue,
m'e pa prap at'vend me sy!
Por... ti shko atje... fluturim
e ti qajma fatin tim.

Re: Filip Shiroka (1859 - 1935)

Posted: Fri Jun 01, 2012 10:00 am
by Rina
Nje teme per Filip Shiroken qenka e hapur, e nuk e paskam pa. Mund ti bashkoni.