"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Fan Noli (1882 - 1965)

Post Reply
Rina
Honored Member
Honored Member
Posts: 368
Joined: Thu Feb 23, 2012 10:03 pm
Gender: Female

Fan Noli (1882 - 1965)

#1

Post by Rina » Fri Jun 01, 2012 10:21 am

Emri i Fan Nolit, Theofan Stilian Noli, është lidhur me gjithë kulturën e re shqiptare të shekullit tonë. Për fat të keq si shume artistë të mëdhenj shqiptare, ai lindi dhe vdiq larg atdheu. Por midis këtyre dy datave zemra e tij e madhe rrahu vetëm për Shqipërinë, shpirti i tij krijoi gjëra madhështore që e lartësuan dinjitetin e shqiptarit, kurse në veprimtarinë energjike të përditshme iu përkushtua pavarësisë e tërësisë tokësore të atdheut dhe sidomos demokratizimit të jetës shqiptare.

Vendlindja, Ibrik-tepeja ose Qyteza, një fshat shqiptar në Traki, afër Adrianopojës, si dhe disa fshatra të tjera afër tij ishin për Nolin nga mënyra e jetesës, zakonet e temperamenti, si një copëz e shkëputur nga Shqipëria. Aty shpirti i tij thithi të pastër botën shqiptare, kulturën e gjerë popullore, mori informacionin e parë për historinë e Shqipërisë e jetën e kryetrimit Skënderbe. Pasi kreu në greqisht shkollën fillore dhe gjimnazin, në vitin 1900, në moshën 18 vjeçare, ai u largua nga vendlindja për të mos u kthyer dot më dhe shkoi në Athinë.

Në gjimnazin grek ai ishte njohur me letërsinë antike greke, me letësinë evropiane e sidomos me veprën e Shekspiri.

Kjo gjë i kishte ngjallur atij dëshirën për ta zgjeruar kulturen e vet, dëshirë që mbeti e zjarrtë në shpirtin e tij deri sa vdiq. Kështu ky djalosh i ri , me interesa të gjera, shëndetlig, por i guximshëm e me një intuitë të zhvilluar, i hyri rrugës së studimeve, që për të ishte mjaft e vështirë, sepse i mungonin mjetet financiare. Pikërisht prej kësaj mungese ai shpejt i ndërpreu ato, të cilat do të mund t'i vazhdonte shumë më vonë, në një moshë të madhe. (Vetëm me 1912 ai kreu studimet e larta dhe u diplomua per arte , kurse më pas në moshën 55-vjeçare, mbaroi konservatorin, dhe në moshën 63-vjeçare mori doktoratën e filozofisë për histori). Për të siguruar jetesën hyri në një shoqëri tramvajesh e me pas si sufler në një teater. Herë-herë luante edhe ndonjë rol të vogël , por puna në teater nuk i vleu më tepër, sepse e nxiti të shkruante dramën "Zgjimi", në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri), dhe me vonë dramën në shqip "Izraelitë e filistinë".

Më 1903 shkoi në Egjipt ku punoi për dy vjet si mësues. Gjatë kësaj kohe ai u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit: Thanas Tashkon e Jani Vruhon, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm për drejtimin që do të merrte jeta e Fan Nolit. Ata e lidhën atë me lëvizjen patriotike shqiptare edhe ai po në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet". Më 1906 Noli u dërgua në Amerikë nga patriotët e kolonisë së Egjiptit për organizimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Brenda një kohe të shkurtër Noli krijoi shoqërinë "Besa-besë", që më pas u shkri në federatën "Vatra"si dhe gazetën "Dielli". Në Amerikë ai u detyrua të bëjë një punë të rëndë që të siguronte jetesën.
Nga gjithë veprimtaritë e kësaj periudhe të jetës politike të Nolit, më e rëndësishmja është shkëputja e kishës ortodokse shqiptare dhe lufta kundër propagandës shoviniste greke. Për këtë qëllimin më 1908 ai u dorëzua prift dhe duke vazhduar traditën e nisur nga Kristoforidhi përktheu shumë libra të ndryshëm të kishës në gjuhën shqipe.

Kur u shpall Pavarësia, Noli përshëndeti qeverinë e Ismail Qemalit, ndërkohë që kishte bërë edhe një udhëtim nëpër Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare. Periudha më e rëndësishme e aktivitetit të tij në të gjitha fushat është dekada 1920-1930. Më 1920 ai, së bashku me patriotë të tjerë, u përpoq dhe arriti të sigurojë pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Më 1921 ai botoi edhe veprën e rëndësishme "Historia e Skënderbeut".
Gjatë viteve `20-24, në krye të opozitës demokratike, Noli zhvilloi një luftë të ashpër në Parlament dhe jashtë tij kundër gjithë forcave reaksionare dhe feudale, duke ngritur zerin për vendosjen e lirive demokratike dhe zbatimin e reformës agrare. Fjalimi i tij mbi varrin e Avni Rustemit në Vlorë shënoi fillimin e Revolucionit Demokratik në Shqipëri.

Me fitoren e revolucionit Noli u caktua kryetari i qeverisë së re, që doli prej tij, që ishte qeveria me përparimtare në Ballkan. Ajo shpalli një program revolucionar e demokratik, por nuk arriti ta realizojë. Revolucioni Demokratik në Shqipëri u gjend menjëherë i rrethuar nga qëndrimi armiqsor i Fuqive të Mëdha, monarkive dhe qeverive evropiane të shteve ballkanike. Nolit iu desh të bënte një përpjekje të jashtëzakonshme që qeveria shqiptare të njihej. Por ndërkohe gjithë forcat reaksionare të vendit, të kryesuara nga A.Zogu dhe të ndihmuara nga qeveria jugosllave si nga ana financiare, ashtu edhe me mercenarë biellogardistë arritën ta rrëzojnë qeverinë demokratike, e cila duke mos patur kohë të realizojë reformat e shpallura, sidomos reformen agrare, mbeti e shkëputur nga populli. Noli u detyrua të mërgojë jashtë vendit në Austri dhe u dënua me vdekje në mungesë. Gjithë demokratët revolucionarë në mërgim themeluan në Vjenë Komitetin Nacional Revolucionar (Konare) me Nolin si kryetar.

Në organin "Liria Kombëtare" të këtij Komiteti që dilte në Gjenevë, Noli botoi shumë artikuj që demaskonin Zogun dhe armiqtë e Shqipërisë, fashizmin dhe reaksionin si edhe disa nga poezitë e tij më të mira. Noli u end nëpër Evropë plot tetë vjet, duke mos pushuar së punuari për Shqipërinë, me shpresë se do të vinte një ditë që ai të kthehej përsëri. Por më 1932, kur Zogu arriti të forconte mjaft pushtetin e tij despotik, ai e humbi shpresën dhe u largua për në Amerikë për të mos e parë më kurrë atdheun. Më mirë se gjithçka, gjendjen e rëndë shpirtërore të tij në këtë kohë e shpreh poezia "Moisiu në mal".

Kryeprofetit dita i ngryset
Dhe shpirtkëputur përdhe përmbyset
Me lot në sy, me zemër të ngrirë
I lyp mëshirë.

Pse kaqë gjatë, Zot, m'arratise,
Pse më përplase, më përpëlise,
Pse shpresën dyzetvjet ma ushqeve,
Dhe sot ma preve?

Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publiçistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, Don Kishotin e Servantesit etj. Në gjithë këtë veprimtari politike, patriotike, artistike e shkencore Noli mbeti demokrat konsekuent. Vegjëlia ishte shtresa e vetme që ai vlerësonte, shtresa, tek e cila ai besonte, kurse feudalizmi ishte klasa që ai urreu për vdekje, klasa për të cilën ai s'pati kurrë ndonjë iluzion. Megjithatë si politikan e udhëheqës shteti ai humbi në ndeshjen me feudalizmin, pasi nuk deshi kurrë të përdorej dhuna.
Pasi u vendos në ShBA, u mor me krijimtari letrare, me studime të ndryshme, siç ishte "Bethoveni dhe Revolucioni Francez" etj dhe me organizimin e veprimtarive të kishës shqiptare në Amerikë, e cila shërbente si qendër e lidhjes së kolonisë shqiptare. Fan Noli mbeti deri në fund të jetës së tij një demokrat i shquar.

Ky vigan i demokracisë e i kulturës shqiptare, te i cili vepron me të njëjtën forcë intuita e artistit shkencëtarit dhe e politikanit, ky patriot i madh që shkriu gjithçka për Shqipërinë, për fat të keq vdiq larg saj më 13 mars 1965 në ShBA, ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij.

fajtori.com
Last edited by Rina on Fri Jun 01, 2012 10:25 am, edited 1 time in total.

Rina
Honored Member
Honored Member
Posts: 368
Joined: Thu Feb 23, 2012 10:03 pm
Gender: Female

Re: Fan Noli (1882 - 1965)

#2

Post by Rina » Fri Jun 01, 2012 10:23 am

Anës Lumenjve

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbës, anës Spree-së.

Ku e lam' e ku na mbeti
Vaj-vatani e mjer-mileti
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur?

Se ç'e shëmpnë derbederët,
Mercenarët dhe Bejlerët,
Se ç'e shtypnë jabanxhinjtë
Se ç'e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç'e pren' e se ç'e vranë,
Ç'e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës!

Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall' as i varrosur,
Pres një shenj' e pres një dritë,
Pres me vjet' e pres me ditë,
Se ç'u tera, se ç' u-mpaka,
Se ç' u-çora, se ç' u-mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.

Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
Endërronj pa funt, pa shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së.

Dhe një zë vëngon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet Beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta,
Dhe kudo gjëmon trumbeta:
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korrini dhe shtypini,
Katundar' e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!

Ky ilaç e ky kushtrim
Më bën djal' e më bën trim,
Më jep forc' e më jep shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë
Që do kthehemi një herë
Pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur
Brohorit me bes' e shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së.

Rina
Honored Member
Honored Member
Posts: 368
Joined: Thu Feb 23, 2012 10:03 pm
Gender: Female

Re: Fan Noli (1882 - 1965)

#3

Post by Rina » Fri Jun 01, 2012 10:25 am

Rent or Marathonomak

Rent, or rent, rent e u thuaj
Se u çthur ordi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent, or Marathonomak!

Kap një degë prej dafine
Dhe vërtitesh ndaj Athine,
Nëpër fush' e brek mi brek
Këmba tokën as t'a prek,
Hip' e zbrit,
Petrit, Marathonomak!

Ke një plagë, po s'e the,
Djers' e gjak pikon për-dhè;
Do që ti të jesh i pari,
Për triumfin lajmëtari
Flamur-gjak,
Kuqo, Marathonomak!

T'u tha gryka, po s'të pihet,
T'u mpi këmba, po s'të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zëmrat ua vret,
Vrer e tmerr,
Shpejt, or Marathonomak!

Kurrë kaqë s'dogji djelli
Dhe si plumb s'rëndovi qjelli,
Kurr' aq ëmbël' e bukur s'ftoj
Hij' e lisit edhe kroj;
Turru tej,
Tutje, or Marathonomak!

Vapa mbyt e pluhri nxin
Ferra çjerr e guri grin
Afsha gjoksin përvëlon
Syrin avulli verbon;
Ur' e prush,
Furr', or Marathonomak!

Gryka si gjyryk të çfryn
Prej Vullkani flag' e tym
Se ç'vëngon e se ç'gulçon,
Zëmra brinjët t'i çkallmon
Me tokmak,
Mbahu, or Marathonomak!

Nëna, motra, nusja dalin,
Ngrehin krahët të të ndalin,
Mos, se s'janë veç Najada
Magjistrica dhe Driada;
Lark, or lark,
Lark, or Marathonomak!

Hajde, ja Akropolia,
Ja qyteti e njerëzia
Që të pan' e që të çquan
Dhe fuqinë t'a rishtuan
Ha dhe pak,
Hajde, or Marathonomak!

Ja, arrive, ua the:
Ç'gas e ç'helm qe kjo myzhde!
"E fituam!", brohorite
Dhe për tok' u përpëlite;
Vdiq, or vdiq!
Vdiqe, or Marathonomak!

Rent kudo, dyke bërtitur,
Nëpër shekuj faqe-ndritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!

Rina
Honored Member
Honored Member
Posts: 368
Joined: Thu Feb 23, 2012 10:03 pm
Gender: Female

Re: Fan Noli (1882 - 1965)

#4

Post by Rina » Fri Jun 01, 2012 10:28 am

Jepni për Nënën

Ç'thot' ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm' e vdekur: "O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!"
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n'Amerikë.

Qan e lutet Nën' e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç'e pat me Skënderbenë,
Bijt' e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s'i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.

Cilët jan' ata tiranë
Që të pren' e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t'u nxi, t'u mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn' e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.

Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan', o Shkab' e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok' i mbytni,
Mbushni gjyle që t'i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.

Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s'ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S'kursen jetën as paratë;
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë.
Se ke djemtë n'Amerikë.

Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon' e vyer,
Që me drit' e nder të thuresh
Dhe me bijt' e tu të mburesh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s'i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.

Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin' e vëndit t'onë,
Sot, se nesër është vonë
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n'Amerikë.

Rina
Honored Member
Honored Member
Posts: 368
Joined: Thu Feb 23, 2012 10:03 pm
Gender: Female

Re: Fan Noli (1882 - 1965)

#5

Post by Rina » Sat Jun 02, 2012 2:10 pm

Tani pak satire nga Noli


Zgjidh e merr (1924)

A të duhen luftëtarë?
Dhe arratinë armiku të marrë?
A do botës ti vësh zjarrë?
Merr nja dhjetë kosovarë.

A do male me dëborë
Trima të fortë e malësorë
Fort bujar e burrërorë
Shkon në Kukës i ke në dorë

A të duhen sharlatanë
Që lëpihen në çdo sahanë
Që të përcajnë vatanë
Ke sa të duash tropojanë

A do njerëz për aheng
Për tryeza e e për kuvend
Burra e gra kërcejnë me lodër
Këta i gjen veç në Shkodër

Njerëz të zgjuar me lezet
Që i gjen në çdo anë
që të bëjnë muhabet
Këta janë mjeshtërit dibranë

A të duhen budallenj
Ca gomerë e ca kopukë
Hajdutë, kacakë e batakcinj
Shko e merri mu në Pukë

A do trima sejmenë?
Kapardisur kudo venë
Gjumi pa i zënë të mos flenë
Për tre mirditorë bëj benë

Këta matjanë burra të zotë
Që dikur kanë bërë barot
Se i njeh gjithë vendi mbarë
Nuk bëjnë tjetër veç për xhandarë

A të duhen gënjeshtarë?
Matrapazë e kokë tharë?
Kripën ta shesin për farë
Mer krutanë dhe je i larë

Do dembelë për Stamboll?
Mos u lodh e mos hiç hall
Të rreshtosh nja tri tabor
Tiranasit ti zgjedhësh me dorë

Po qejflinj a të duhen,
Që me jevga dinë te kruhen
Zonja që pjellin cdo vit,
Veç Elbasani i rrit

Në do burra llafezanë,
Që çudisin gjithe dynjanë
Që rrinë tërë ditën rrugës
Nga këta gjen plot në Durrës

Po kërkove kokë palarë
Kryengritës dhe gomarë
Që punët të shkojnë vaj
Shko e merri në Kavajë

Kërkon hoxhë e kërkonë prift
Mos bridh e mos u ngjit
Se si këta që bëjnë mëkat
I gjen vetëm në Berat

A do urtë njerëzite të rinë
Nën komandë të kesh ushtrinë
Në tabjate të kesh njerëzinë
Merre të gjithë Labërinë

Do për punë një korcar?
I ke bujq e ustallarë,
Me gra bashkë e hapin varre
krah e kokë su ka te sharë

Do budallenj që veç hanë?
Me dy këmbë do hajvanë?
pasuri që sdin të venë
Merr shëtit gjithë Myzeqenë.

A do të ruash florinë?
katandinë e shtepinë?
Me dy qofte mbush sininë
Ec e mere Gjirokastrinë

A do të hash e të bësh qejf?
Sofra e shtruar si për mbret
pastërti e per yzmet,
të tillë gjen veç në Përmet

Do ministra kolonjarë?
Se mbahen burra për mend
Duan kudo të jenë të parë,
Në mexhlis e në kuvend.

Hall i madh me skrapallinj
Ka rrezik të hash dhe dru
Dy ministra le të rrine
Se na duhen dhe pa tru

Ore te gjorë, harruam Vloren
Se kjo punë lahet me gjak,
Dy shirit e një medalje
Kësaj pune i vënë kapak.


:mrgreen:

Rina
Honored Member
Honored Member
Posts: 368
Joined: Thu Feb 23, 2012 10:03 pm
Gender: Female

Re: Fan Noli (1882 - 1965)

#6

Post by Rina » Sat Jun 02, 2012 2:19 pm

A të duhen luftëtarë?
Dhe arratinë armiku të marrë?
A do botës ti vësh zjarrë?
Merr nja dhjetë kosovarë.
Ky po me duket si nje lloj epiteti prej piromanesh ! -haha-

Rina
Honored Member
Honored Member
Posts: 368
Joined: Thu Feb 23, 2012 10:03 pm
Gender: Female

Re: Fan Noli (1882 - 1965)

#7

Post by Rina » Sat Jun 02, 2012 2:45 pm

Syrgjyn-Vdekur

(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran' e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s'të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t'a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m'a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s'i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç'është përpjekur
Gojë-mjalt' e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall' e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.
Last edited by Rina on Sat Jun 02, 2012 2:47 pm, edited 1 time in total.

Rina
Honored Member
Honored Member
Posts: 368
Joined: Thu Feb 23, 2012 10:03 pm
Gender: Female

Re: Fan Noli (1882 - 1965)

#8

Post by Rina » Sat Jun 02, 2012 2:47 pm

Shpell'e Dragobise

(Elegji për Bajram Currin)

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur' i lirisë.

Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab' e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.

Vendi dridhej, ay mbeti
Se s'tronditej nga tërrmeti.
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.

O Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell' e Dragobisë,
Yll i rrall' i burrërisë.

Thon' u-shtri e thon' u-vra,
Po ti s'vdiqe, or Baba,
As te shkëmb' i Dragobisë,
As te zëmr' e Djalërisë.

As je vrar' e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.

Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn' e Shqipërisë
Katakomb' e Dragobisë.

Rina
Honored Member
Honored Member
Posts: 368
Joined: Thu Feb 23, 2012 10:03 pm
Gender: Female

Re: Fan Noli (1882 - 1965)

#9

Post by Rina » Sat Jun 02, 2012 2:50 pm

Marshi i Barabbajt

Allalla, o rezil e katil, allalla,
Stroni udhën me hithr' e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,
Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe,
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!

O stërnip i Kainit, tepdil si bari,
Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi,
Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli;
O kokuth e lubi: Hosanna, Barabba!

Në budrum, nëpër llom' e kufom' u-mallkofsh,
Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh,
Me tam-tam e allarm' e me nëm' u-shurdhofsh,
Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba!

O i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,
Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,
Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba!

Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr' e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

Rina
Honored Member
Honored Member
Posts: 368
Joined: Thu Feb 23, 2012 10:03 pm
Gender: Female

Re: Fan Noli (1882 - 1965)

#10

Post by Rina » Sat Jun 02, 2012 2:51 pm

Marshi i Krishtit

Hosanna o çliro'njës, Mesi, hosanna!
Shtroni udhën me lule, dafin' e hurma,
Brohoritni trumbeta, timpane, zurna,
Thirr e zbras, o gurmas: Hosanna, hosanna!

Kryetrim, që lëfton, triumfon për atdhe,
Shpëtimtar, kryemjek, kryeshenjt, kryefe,
Pasuri, dhe liri, dhe fuqi ti na dhe,
Lum e lum, Galile: Hosarma, hosanna!

O i bir i Davidit, i Miri Bari
Ti na prin dhe na rrit në luath e vërri
Ti na ruan, na mpron, dhe për ne bëhesh fli,
O Njeri-Perëndi: Hosanna, hosanna!

Përmbi Dhe, përmi Fron, përmi Qjell u-bekofsh,
Përmi djall dhe tiran, përmi Ferr mbretërofsh,
Me pean dhe temjan, dhe këmban' u-këndofsh,
Drit' e gas, rrofsh e qofsh: Hosanna, hosanna!

O i fort' o i urt' o i ëmbël Jesu,
Plot me bes' e me shpresë të biem mi gju,
T'adhurojmë me zëmër këtu e tehu,
Gjithëkunt e pa funt: Hosanna, hosanna!

Hosanna, o çlironjës, Mesi, hosanna!
Shtroni udhën me lule, dafin' e hurma,
Brohoritni trumbeta, timpane, zurna,
Thirr e zbras, o gurmas: Hosanna, hosanna!

Rina
Honored Member
Honored Member
Posts: 368
Joined: Thu Feb 23, 2012 10:03 pm
Gender: Female

Re: Fan Noli (1882 - 1965)

#11

Post by Rina » Sat Jun 02, 2012 2:54 pm

HYMNI I FLAMURIT

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr' o nën' e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S'të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn' e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben' u-lavdërove
Dhe në furtun' i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po çdo mizor me shpat' e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj'a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr' e qjell i ri.

Post Reply

Return to “Poezia”