"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Poltava: Beteja që ndryshoi botën/Fitorja e Pjetrit të Madh

Ky është forumi ku mund të diskutoni per historinë e gjithë kontinteve, racave që kanë jetuar në to, luftrat, dinastitë, pushtimet, perandorite, organizimet sociale politike etj.
Post Reply
User avatar
Zeus10
Grand Fighter Member
Grand Fighter Member
Posts: 4136
Joined: Thu Jun 04, 2009 6:46 pm
Gender: Male
Location: CANADA
Contact:

Poltava: Beteja që ndryshoi botën/Fitorja e Pjetrit të Madh

#1

Post by Zeus10 » Tue Jul 07, 2009 3:05 am

Code: Select all

300 vjet më parë, Rusia doli si një fuqi e madhe pas një ndeshjeje ushtrish në Ukrainë, fitorja e Pjetrit të Madh, argumenton Derek Wilson, pati reperkusione që zgjasin deri në ditët tona


Ky vit shënon përvjetorin e 300-të të një beteje të zhvilluar në terrenin kodrinor afër qytetit ukrainas të Poltavës. Në historinë e luftërave ajo nuk renditet si një prej shembujve dallues të trimërisë, drejtimit të shquar apo taktikave brilante. Fitimtarët ia detyrojnë suksesin e tij më shumë fatit sesa heroizmit. Kur ka marrë lajmin në Angli, Daniel Defo, ndjeu përçmim. Ai e përshkroi ngjarjen si "një ushtri veteranësh të mundur nga një turmë, një grup njerëzish, një milici e thjeshtë; një ushtri e ushtarëve më trima në botë, e mundur nga maskarenj". Shumë prej bashkëkohësve të tij e ndajnë çudinë e përbuzjen e tij dhe pretendojnë se ky triumf i dukshëm i një kombi të paqytetëruar lindor ndaj makinës më të mirë luftarake të Europës qe vetëm një flakë kashte. Sa gabim e kishin! Beteja e Poltavës qe një prej pikave më të mëdha të kthesës në historinë moderne dhe ne, akoma po jetojmë me pasojat e saj. Fitorja e Pjetrit të Madh ndaj Karlit të XII-të më 27 qershor 1709 paralajmëroi fundin e periudhës së gjatë të dominimit të Suedisë mbi Balltik dhe, më e rëndësishmja, daljen e Rusisë si një fuqi e madhe europiane.

Të dy protagonistët qenë njerëz të shquar, shumë të ngjashëm në energjinë, vendosmërinë dhe mizorinë e tyre. Karli i XII-të e trashëgoi kurorën e Suedisë në vitin 1697, në moshën 15-vjeçare. Ai bashkoi vrullin rinor me vizionin e qartë dhe vendosmërinë mizore të një autokrati më të staxhionuar. Kishte marrë një trajnim strikt ushtarak dhe ishte i vendosur të imitonte ndërmarrjet e paraardhësit të tij të madh Gustav i II-të Vasa, i njohur në Europë si Gustavus Adolfus (ai mbretëroi nga 1611 deri më 1632). Ky hero protestant i Luftës 30-vjeçare (1618-1648) kishte vendosur madhështinë e Suedisë. Ai ishte një gjeni ushtarak dhe gjithashtu edhe ai ishte ngjitur në fron në moshë të njomë (vetëm 17 vjeç). Gustavus Adolfus i kish shtrënguar monarkët europianë që ta pranonin këtë sundues të një territori të largët verior si të barabartë dhe kishte hedhur bazat e një perandorie, e cila më 1697 përfshinte Suedinë, Finlandën, Laplandën, Karelinë, Ingrinë, Estoninë, Livoninë, ashtu si dhe Pomeraninë Perëndimore dhe Portin e Vizmarit në Balltikun Perëndimore dhe dioqezën e Bremenit dhe Verdenit, që shikonin Detin e Veriut. Praktikisht, Balltiku ishte bërë një liqen suedez dhe flota e Karlit ishte e aftë, në një masë shumë të madhe, që të kontrollonte marrëdhëniet tregtare të Polonisë, të shteteve veriore gjermane dhe të Rusisë me botën e jashtme.

Pjetri i I-rë u bë sundimtar i vetëm i Rusisë në vitin 1696, në moshën 23-vjeçare, dhe nuk kishte humbur aspak kohë në fillimin e një programi të gjerë reformimi që e transformuan vendin e tij nëpërmjet hapjes ndaj influencave perëndimore. Ai e kuptonte mjaft mirë rëndësinë e tregtisë ndërkombëtare dhe pasurinë potenciale që fitohej nga eksportimi i lirit, kanavacës, katranit, peliçeve, lëkurëve dhe drurit. Problemi ishte që, Rusia ishte pothuajse e rrethuar me tokë. Përveç Arhangelit në Detin e Bardhë, i mbuluar nga akujt për pjesën më të madhe të vitit, vendi nuk kishte asnjë akses në rrugët e lundrimit të botës. Pjetri kishte nevojë për një dalje balltikase. Me ndihmën e ekspertëve ushtarakë dhe detarë të huazuar në Hollandë, Angli, Skoci dhe Prusi, ai krijoi dhe pajisi një ushtri të stilit të ri dhe ndërtoi një flotë detare ruse nga zeroja. Ai ishte i vendosur të sfidonte supermacinë suedeze. Gjithçka kishte nevojë ishte momenti i duhur dhe një cassus belli i besueshëm. Ngjitja e një minoreni në fronin suedez u duk se paraqiste mundësinë ideale për lëshimin e një sfide. Pjetri prodhoi dy arsye për armiqësi të hapura. Ingria - pjesë veriperëndimore e Rusisë së sotme në të cilën shtrihet Shën Petërburgu - kish qenë një pikë kontestimi midis dy vendeve për shekuj me radhë, duke kaluar sa andej këtej midis tyre. Qysh nga viti 1617 kishte qenë nën dominimin suedez dhe ishte bërë një rajon i shënuar nga rivaliteti i ashpër midis banorëve ortodoksë dhe sunduesve luteranë. Ankesa e dytë e Pjetrit u ngrit nga një incident i ndodhur gjatë vizitës së tij të vitit 1697 në Riga në bregdetin Balltik. Ai kishte shkuar me sa duket inkonjito dhe, jo pa arsye, i ishte refuzuar leja nga guvernatori suedez për të marrë shënime lidhur me fortifikimet në gji. Ai zgjodhi ta konsiderojë këtë si një snobizëm, por është e vështirë të besohet si goditja e supozuar ndaj respektit për veten nuk ishte asgjë më shumë se një pretekst. Në vitin 1699, Pjetri e lidhi veten me armiqtë e tjerë të Suedisë, Danimarkën dhe Saksoninë, dhe një vit më pas i shpalli luftë. Kështu filloi një konflikt që do të zgjaste deri me 1721 dhe që do të bëhej i njohur si Lufta e Madhe Veriore.

Pjetrit do t'i duhej pak kohë për të kuptuar se e kish gjykuar shumë gabim kundërshtarin e tij të ri. Karli i XII-të me shpejtësi u ngrit si një lider ushtarak karizmatik dhe një takticien i lindur. Ai e pëlqente jetën ushtarake në vetvete dhe e kaloi pothuajse të gjithë mbretërimin e vet me ushtrinë. Një vëzhgues bashkëkohor e përshkruan Mbretin se ishte "i martuar me ushtrinë e tij" dhe metafora në këtë rast nuk ishte e tepruar. Ushtarët suedezë qenë të devotshëm ndaj Mbretit të tyre dhe ai i ktheu ata në një forcë luftarake të pashoqe. Duka i Marlborout qe midis atyre të impresionuarve nga cilësitë e këtij Marsi të ri duke pretenduar, ndoshta me një çikë adhurim, se do të kish dashur fort t'i shërbente atij me qëllim që "të mësojë atë çka dua të di akoma në artin e luftës". Karli menjëherë e hoqi qafe Danimarkën dhe e ktheu vëmendjen e tij drejt Car Pjetrit dhe aleatit të tij Augustus, Elektor i Saksonisë dhe Mbret i Polonisë. Në nëntor të 1700, Karli u shfaq në një stuhi dëbore përpara mureve të Narvas (në pjesën veriore të Shën Petërburgut të sotëm) dhe me më pak se 9000 njerëz mposhti një forcë mbrojtëse ruse prej 40000 njerëzish.

Në këtë pikë lufta mund të kish përfunduar, të paktën përkohësisht. Pjetri do të kish qenë i lumtur me një armëpushim, por Karli e shikonte si të nisur në një kryqëzatë protestante kundër një orientali dekadent dhe heretik, për të cilin nuk kishte kurrfarë respekti. Tani ishte radha e tij, që ta gjykonte gabim kundërshtarin e vet. Duke besuar se mund t'i eliminonte rusët në çdo moment, ai e ktheu vëmendjen e tij ndaj Augustusit. Në fushatat e viteve 1702 e 1703, në mënyrë të përsëritur ai i mundi saksonët dhe më pas e rrëzoi Augustusin nga froni polak në favor të mbretit të tij kukull ndërkohë, Cari po e shfaqte kurajon dhe vendosmërinë e tij në mënyra të ndryshme. Karli shikonte për fitore të shpejta dhe vendimtare. Pjetri ishte për kohë të gjata, të përmbledhura në vëzhgimin e tij gjakësor: Suedezët do të vazhdojnë të na mundin për një kohë të gjatë, por eventualisht do të na mësojnë sesi t'i mundim.

Ndërsa, dërgonte kontingjente në ndihmë të Augustusit, Pjetri ndërtoi fuqinë e tij ushtarake. Nëpërmjet rekrutimit të gjerë, krijimit të një trupe elitë ushtarësh të rregullt, taksave të lehtësuara ndaj manastireve, punësimit të oficervë perëndimore për të trajnuar e drejtuar trupat e tij dhe shkrirjeve të kambanave të kishave për të krijuar një top të ri, ai filloi që të tejkalojë poshtërimin e Narvas. Mbreti suedez do të zbulonte atë që pushtues të tjerë pretendues si Napoleoni dhe Hitleri, do të zbulonin pas tij se trualli dhe populli i Rusisë përbëjnë një pengesë të mrekullueshme. Pjetri kishte një rezervë pothuajse të pashtershme shërbëtorësh. Cari e shikonte me gjak të ftohtë, të plotë, sakrificën e mijërave të panumërt të bashkëkombasve të vet në arritjen e fitores përfundimtare dhe, nëqoftëse armiku guxonte që ta pushtonte territorin e tij, Pjetri kishte një aset tjetër: mijërat e kilometrave katrore terren jomiqësor nën dëborë për shumë muaj të vitit.

Cari i përqendroi përpjekjet e tij në objektivin e tij parësor: aksesin në Balltik. Në pranverën e vitit 1703, ai dislokoi një forcë të konsiderueshme kundër fortesës së vogël të Nienskansit në grykën e Nevës. Marrja e kësaj fortese të parëndësishme u bë tejet domethënëse në historinë e Rusisë dhe të botës. Jo vetëm që Pjetri largoi rusët nga fundi ekstrem lindor i Gjirit të Finlandës dhe i vendosi këtu punimet e veta mbrojtëse, ai ngriti një qytet të ri në një prej ishujve në derdhjen e lumenjve, kryeqytetin e tij të ardhshëm Shën Petërburg. Një vit më vonë, ai vendosi se ishte bërë i fuqishëm sa duhej për të synuar rimarrjen e Narvas. Në një prej ndeshjeve më të përgjakshme të luftës, Pjetri e mori qytetin më 9 gusht 1704.

Karli nuk e preokupua nga kjo kthesë. Ai vazhdoi në strategjinë e tij për ta privuar aleatin e Rusisë si një paraprirje të nevojshme në ndeshjen finale me Pjetrin, të cilën ai kish akoma besim se do ta fitonte. Me anë të një marshimi mbresëlënës, 1500 kilometrash nëpër Poloni dhe m'u në zemër të Saksonisë, ai e detyroi Elektorin në dorëzimin përfundimtar. Në shtator, ai nënshkroi një traktat me Augustusin, sipas termave të të cilit ky i fundit detyrohej që të hiqte dorë nga aleanca e tij me Pjetrin.

Tani, Pjetri ishte i privuar nga aleatët edhe njëherë akoma mendoi që t'i kthehej diplomacisë. Në këtë pikë, Karli mund të kish pasur një sistemim goxha të favorshëm. Mbreti suedez ndodhej nën presion nga një burim tjetër. Qysh nga viti 1701, fuqitë e mëdha evropiane ishin të zëna në Luftën cfilitëse të Suksesionit spanjoll. Tani ajo po kthehej kundër Francës. Luigji i XIV-të po mbetej pa trupa të stërvitura dhe ishte në treg për një ushtri të mirë mercenare. Padyshim, që më e mira e mundshme qe ajo e Suedisë progresin e të cilës i gjithë kontinenti po e shikonte me një përzierje admirimi dhe alarmi. Luigji ofroi një marrëveshje nëpërmjet së cilës do të ndërmjetësonte një marrëveshje midis Rusisë dhe Suedisë, nëqoftëse Karli do ta vendoste shpatën e tij në dispozicion të Francës. Mbreti i ri mendjengushtë i refuzoi të gjitha ofertat. Ai nuk shikonte asnjë arsye për ta braktisur strategjinë e tij të madhe deri kur nuk po hynte në fazën e saj finale dhe padyshim të suksesshme. Rusia ishte në gjunjë. Një grusht i mirëllogaritur do të hidhte në tokë. Ai mori vendimin fatal për ta ripërshkuar Poloninë e Lituaninë dhe për të goditur drejtpërsëdrejti në Moskë nëpërmjet Smolenskut. Burimet e inteligjencës e informuan se do të pritej prej shumë njerëzve në Rusi si çlirimtar. Reformat e thella të Pjetrit kishin shkaktuar mëri të pafundme midis drejtuesve të Kishës e fisnikërisë dhe Karli imagjinonte jo vetëm që ta mundte Carin e ta ribënte hartën e Europës Lindore që t'u përshtatej qëllimeve të tij, por gjithashtu dhe ta shfronësonte Pjetrin dhe të vinte në vend të tij një pasues të nënshtruar.

Karli mendoi gjatë rreth grumbullimit të një ushtrie të konsiderueshme dhe sigurimit të linjave të furnizimit të saj. Gjithashtu, ai bëri një marrëveshje me Mazepën, një prej liderëve kozakë ukrainas, i cili mezi priste që të shpëtonte nga zgjedha ruse. Mazepa ofroi që të sillte 30 000 prej ndjekësve të tij dhe t'i mbante suedezët të furnizuar mirë nga fushat e tij me grurë. Pavarësisht ankesave të disa ministrave të tij në Stokholm, rreth kostove në rritje të luftës dhe vështirësive në mbledhjen e taksave, Karli këmbëngulte që të furnizohej me trupa të freskëta. Në fillimin e sezonit të fushatës të vitit 1708, ai ndodhej në Borisov mbi Berezinë, rreth 250 kilometra në veri të Smolenskut, me 35000 njerëz. Në Riga, 650 kilometra në veriperëndim, Konti Adam Lwenhaupt ndodhej me 12500 trupa. Karli i urdhëroi tani ato trupa që t'i dërgoheshin atij me një karvan furnizimesh jetike. Rusët u tërhoqën përpara pushtuesve, duke i tunduar ata që zgjasin linjat e tyre të furnizimit. Karli tani ishte dyshues për këtë strategji. Kur arriti Mogilevin në Dnjepër 150 kilometra më tej, ai ndaloi për t'i konsoliduar forcat e tij dhe për të pritur përforcimet e premtuara. Këtu ai mori lajme të këqia nga Lwvenhaupti. Gjenerali kish hasur vështirësi në mobilizimin e kuajve dhe karrocave dhe kishte pak gjasa që të nisej nga Riga deri nga mbarimi i korrikut.

Karli ndeshej tani me një zgjedhje të vështirë. Njerëzit e tij qenë të lodhur nga marshimi i gjatë dhe të dobësuar nga mungesa e ushqimeve. Duhet të qëndronte në Mogilev, të priste për Lwvenhaputin dhe më pas të lëvizte në zona dimërimi të sigurta apo të kërkonte një përpjekje të mëtejshme nga trupat e tij, duke i lëvizur ata drejt Ukrainës ku do të gjenin furnizime dhe mirëseardhjen shtesë të ushtrisë së Mazepës? Qe një lutje urgjente nga ana e liderit kozak që e ndau mendjen e tij. Duke qenë se kish tradhtuar Pjetrin, Mazepa mezi priste që të lidhej me suedezët përpara se tradhëtia e tij të zbulohej. Karli mori vendimin fatal për të marshuar drejt jugut.

Tani, për herë të parë, Pjetri filloi që ta kalojë kundërshtarin e tij. Menjëherë dërgoi një forcë në Ukrainë për të rivendosur autoritetin rus dhe zëvendësuar tradhtarin me një oficer besnik. Si rezultat, pak kozakë ukrainas e ndoqën Mazepën në kampin suedez. Era e luftës po fillonte t'i kthehej kundër Karlit, por të paktën ai mundi ta ngushëllojë veten në fillim të gushtit me lajmet se Lwvenhaputi më së fundi ishte vënë në lëvizje. Megjithatë, karvani i ngathët i furnizimeve prej mijëra karrocash po luftonte me një vjeshtë të lagësht lituane. Nga mesi i shtatorit, ai arriti në Mogilevin, prej kohësh i braktisur nga ushtria e Karlit. Ai ishte i ekspozuar dhe i ofroi një shënjestër tunduese rusëve. Pjetri udhëhoqi një forcë prej 14 500 njerëzish për ta kapur karvanin e furnizimeve në Lesnaja mbi Dnjepër. Beteja zgjati gjithë ditën. Lwvenhaputi dhe ushtarët e tij bënë një rezistencë të fortë, por pozicioni i tyre ishte i dobët. Nën mbulesën e errësirës, Gjenerali gjysma e ushtrisë së tij u arratisën, duke i lënë karrocat e çmuara të tyre që të binin në duart e trupave euforike të Pjetrit.


I privuar nga furnizimet ushqimore dhe me ushtrinë e tij të zgjeruar nga shtesat në njerëz nga Livonia dhe Ukraina, Karli, zuri me forcë strehim në një zonë në lindje të Kievit rreth Romnit, Prilukit dhe Loçvikës dhe shpresonte që të priste atje deri në sezonin e ardhshëm të fushatës. Por, tani ai përballej me një prej dimrave më të këqinj në historinë moderne evropiane. Dimri 1708 - 1709 prodhoi temperatura të ulëta rekord dhe zgjati shumë më tepër se zakonisht. Ndërsa, hipotermia dhe uria goditën kontinentin, shoqëruar nga një shpërthim murtaje, një numër i pallogaritshëm njerëzish vdiqën. Dhjetra mijëra gjermanë u larguan për t'u strehuar në Britani. Balltiku ishte akoma i ngrirë në muajin maj. Venecianët panë spektaklin e pazakontë të lagunës së tyre të mbuluar nga një shtresë akulli. Ushtarët e Karlit qenë katandisur të jetonin ngjitur pas mureve apo në transhe të cekëta të gërmuara nga toka e hekurt, duke luftuar, shpesh më kot, që të shmangnin ngrirjen. Një pastor luteran me ushtrinë suedeze, qe një prej atyre që lanë një përmbledhje të gjallë të vuajtjes së papërshkrueshme: "Përjetuam një të ftohtë të atillë që nuk do ta harroj kurrë. Pështyma nga goja kthehej në akull përpara se të arrinte tokën, harabelët binin përdhe nga çatitë krejtësisht të ngrirë. Ju mund të shikonit disa njerëz pa duar, të tjerë pa duar dhe këmbë, të tjerë të privuar nga gishtat, fytyrat, veshët dhe hundët, të tjerë që ecnin këmba doras si katërkëmbësha".

Në fund të dimrit ushtria suedeze qe reduktuar në pothuajse gjysmën e saj. Sigurisht, kushtet klimaterike qenë po aq të këqija sa për ushtrinë ruse, kështu që edhe ajo pati humbje gjatë këtij dimri të tmerrshëm. Por linjat e furnizimit ruse qenë të paprekura dhe ata qenë në gjendje të gëzonin strehime të cilat, megjithëse spartane, nuk qenë të rrethuara nga armiku, dhe Pjetri pati avantazhin e madh që mund të mbulonte numrat e tij me rekrutë të rinj. Në prill të vitit 1709, dimri filloi që ta dobësojë darën e tij ndaj Ukrainës. Ishte e natyrshme për të dyja palët, që sezoni i ardhshëm i fushatës do të ishte vendimtar. Shpresa kryesore e Karlit për përforcime qëndronte në rekrutimet e freskëta të bëra nga Mbreti i tij kukull Stanislav në Poloni. Disa prej oficerëve të tij ju lutën që të tërhiqej drejt Perëndimit për t'u lidhur me kontingjentet e reja të pritura, por "tërheqja" nuk ishte fjalë e fjalorit të Mbretit suedez. Në vend të kësaj, ai mendoi që të vendosë kontroll mbi rrugën kryesore, që shkonte në lindje nga Kievi në Harkov, rruga më e mirë nga Polonia, në mënyrë që të siguronte linjën e furnizimit. Me këtë në mendje, ai e solli ushtrinë e tij në qytetin e vogël të fortifikuar të Poltavës, të ndodhur në pikën ku rruga e Harkovit priste lumin Vorskla. Ajo kishte një urë të drunjtë dhe mbrohej nga 4000 rusë të armatosur mirë me artileri. Që rrethimi të ishte i suksesshëm ai duhej të përfundohej me sukses përpara se të mbërrinte ushtria kryesore ruse. Megjithatë, bombardimi që filloi më 1 maj ishte akoma në zhvillim me 15 qershor, pavarësisht faktit që rusët në atë kohë qenë aq keq me municion sa që qëllonin me çdo gjë që u binte në dorë. Bile, Karli ishte goditur nga një mace e ngordhur e qëlluar nga një top rus. Ndërkohë e gjithë ushtria ruse, me rreth 40 000 njerëz, ishte grumbulluar në anën jugore të Vorsklas, në veri të Poltavës. Nga ky pozicion, akoma ngurrues për të përballur suedezët e mrekullueshëm në betejë të hapur, Pjetri e kënaqte veten me goditje provokuese ndaj njësive të vogla të armikut. Mund të kish shpresuar se, lajmet që sapo vinin nga Polonia mund t'i detyronin suedezët që të tërhiqeshin. I preokupuar rreth pozicionit të tij të pasigurtë, Mbreti Stanislav kish dërguar lajmëtarë që ta informonin Karlin, se nuk mund të kursente çdo trupë për ta ndihmuar aleatin e tij. Ashtu siç pritej, Karli vendosi që forma më e mirë e mbrojtjes ishte të sulmonte. Ai do ta shtrëngonte Carin ngurrues që ta përballonte atë në betejë të hapur.

Objektivi i parë i Pjetrit ishte që ta sillte ushtrinë përgjatë lumit. Për ta devijuar armikun, ai dërgoi një detashment kalorësie që të bënte simulim përgjatë Vorsklas në jug të Poltavës. Karli doli me vrap nga kampi i tij për të parë se çfarë ishte në gjendje të bënte armiku. Më pas, aty ndodhi një prej ngjarjeve të vogla të rastësishme që nganjëherë vendosin fatet e kombeve. Një plumb myshkëte e goditi Mbretin në këmbën e majtë dhe i shkaktoi një plagë të madhe, e cila filloi që të rridhte gjak me furi. Ai refuzoi që ta kuronte atë dhe vetëm kur qe në pikën që të rrëzohej nga kali, ai u transportua gjysëm pa ndjenja në ambulancë. Ishte 17 qershor, ditëlindja e 27-të e Karlit; kjo nuk qe ogur i mirë.

Për tri ditë, ndërsa Mbreti suedez qëndronte i shtrirë me ethe, gjeneralët e tij, të paralizuar nga mosdashja e tyre për të ndërmarrë ndonjë iniciativë, nuk bënë asgjë. Pjetri ngriti një kamp pararojë me mure dhe pengesa prej druri të ngritura me ngut, duke u shtrirë në ultësirë. Në pjesën e prapme, kampi mbrohej nga lumi dhe terreni moçalor. Ky ishte në thelb një pozicion mbrojtës. Pjetri po e sfidonte kundërshtarin e tij o të sulmonte, o ta braktiste pushtimin. Në letër gjithçka ishte në favorin e tij. Rusët qenë në raportin 2 me 1 më të shumtë në numër se armiku. Ata kishin zgjedhur vendin për betejën. Suedezët qenë të dobësuar nga privacionet e dimrit dhe qenë jashtëzakonisht keq për ushqim. Ata po hynin në betejë pa një komandant suprem. Mbi të gjitha, ushtria ruse qe shumë e ndryshme nga ajo që ishte shpartalluar në Narva 8 vjet e gjysëm më parë. Trajnimi dhe pajimi i përmirësuar, bashkuar me përvojën në terren, i kishin transformuar rekrutët fshatarë të Pjetrit në një makinë luftarake të besueshme.

Karli urdhëroi një sulm të përgjithshëm përpara agimit. Kalorësia e tij do të çante nëpërmjet pengesave, duke i hapur rrugën këmbësorisë që të ngjitej në muret e drunjta ruse dhe t'i angazhonte ata në një luftim trup me trup. Kohë përpara dritës së parë, këmbësorët ishin në pozicione, por kalorësisë ju desh shumë kohë që të përgatitej. Vetëm rreth orës 4 të mëngjesit, kur dielli filloi menjëherë të ndriçonte anën lindore, gjeneralët Rehnskjold dhe Lwvenhaupt qenë të gatshëm me trupat e tyre hipur mbi kuaj.

Ndërkohë, Pjetri i kish përdorur orët e errësirës për ta fuqizuar pozicionin e tij. Ai kish dërguar njerëz në hyrje të kampit për të ndërtuar akoma më shumë pengesa. Ata nuk qenë të përfunduara përpara agimit, por i bënin sulmuesit që të ndesheshin me një linjë të mëtejshme pengesash. Në të njëjtën kohë, Cari e kish të gjithë ushtrinë e tij të gatshme dhe në pozicionet e tyre shumë kohë përpara mëngjesit. Duke e humbur elementin befasi, Karli e lëshoi këmbësorinë e tij kundër pengesave për t'i pastruar rrugën kalorësisë. Pavarësisht zjarrit vdekjeprurës, nga 70 topa të pozicionuar për të mbrojtur qendrën, disa qenë menjëherë të suksesshëm, por të tjerë ngecën në luftime trup më trup. Komandanti i kalorësisë së Pjetrit i kërkoi atij që ta aktivizonte ushtrinë kryesore akoma në gjendje rezervë, por nga këndvështrimi i tij, Pjetri mund të shikonte se suedezët po humbnin njerëz me shpejtësi. Koha ishte në anën e tij. Ai do të priste.

Pavarësisht radhëve të saj që pakësoheshin me shpejtësi, ushtria e mirëdisiplinuar suedeze po e kryente me heroizëm detyrën e saj. Problemi ishte se ajo ishte shumë e përçarë për të qenë efektive. Suedezët kishin nevojë urgjente për rigrupim. Karli lajmëroi Lwvenhaputin në të djathtë dhe Gjeneralmajorin rus që komandonte qendrën që t'i ndërprisnin luftimet e tyre dhe të rigrupoheshin në fushë të hapur. Ishte tashmë ora 7 e mëngjesit. U deshën më shumë se 2 orë për Lwvenhauptin që t'i çlironte batalionet e tij dhe t'i niste drejt pikës së takimit. Njerëzit e Rusit nuk ia arritën kurrë. Duke vështruar nga muri i kampit, Pjetri i shikoi atë që të luftonin të shkëputeshin dhe dërgoi trupa të freskëta kundër suedezëve. Në ndeshjen e zjarrtë që pasoi, përveç 400 vetëve, të gjithë njerëzit e Rusit qenë vrarë apo plagosur.

Tashmë, Karli nuk kishte asnjë opsion tjetër përveçse të tërhiqej. Ky qe çasti që Pjetri po e priste me ngulm. Tani do ta përballonte Mbretin suedez në betejë të hapur, por sipas termave të tij. Ai rrëzoi muret e kampit dhe doli me 30 000 trupat e tij që qenë ende të freskëta. Ata u rreshtuan në linja luftimi, këmbësoria në qendër, kalorësia në krahë, artileria nga prapa që qëllonte mbi kokat e tyre. Ishte tani mesi i mëngjesit dhe ushtria suedeze tashmë ishte shkatërruar. Megjithatë, në mënyrë krejtësisht të habitshme, problemi ishte akoma i pavendosur. Suedezët kokëfortë e treguan deri në çastin e fundit, se çfarë ushtrie e mrekullueshme qenë. Trupat me kapota blu marshuan pandërprerje përpara vetëm për t'u masakruar nga një shi i paprerë gjylesh dhe predhash. Pothuajse mrekullisht, krahu i djathtë suedez arriti linjat ruse. Gjetkë qe një histori e ndryshme. Këmbësoria ishte ndalur nga një digë shkatërruese artilerie. Pjetri urdhëroi tani një kundërsulm, duke e ndarë më dysh linjën suedeze. Këmbësoria armike më së fundi filloi që të hidhte armët dhe të largohej nga fusha e betejës. Megjithatë, beteja nuk ishte fituar akoma. Kalorësia suedeze u përpoq që ta kthente balancën e betejës me një sulm ndaj anës së majtë ruse. Me disiplinë të lartë, oficerët e Pjetrit vendosën këmbësorinë dhe artilerinë fushore në një formacion katror. Kundër këtij shkëmbi njerëzor valët e kalorësve suedezë u përplasën më kot.

Në mesditë gjithçka kish përfunduar. Copërat e ushtrisë së Karlit po vraponin drejt jugut. Vetëm Mbreti i shpëtoi kapjes vetëm për një qime; shkalci i tij ishte qëlluar nga një gjyle topi dhe disa prej mbajtësve të tij qenë vrarë. Garda personale e tij qe dhjetuar. Vetëm kur disa prej kalorësisë e hipën në një kalë dhe e shoqëruan nga fusha e betejës, ai qe në gjendje të largohej për të kërkuar strehim në territorin turk. La pas vetes pothuajse 7000 të vrarë e të plagosur dhe 2760 robër. Humbjet ruse shkonin në 4500 të vrarë e të plagosur.

E gjithë Europa qe mekur nga lajmet që vinin nga Poltava. Shtetarët e dinin se, një lojtar i madh ishte futur në lojën e tyre. Megjithatë u deshën disa vjet përpara se Suedia të detyrohej ta pranonte humbjen, por perandoria e saj po shkërmoqej. Ndërsa harta evropiane po ribëhej, mbretër dhe princa vrapuan që të kapnin territore. Një njeri zotëronte një pozicion mbizotërues në negociata: Car Pjetri i Rusisë. Dhe është ky pozicion që trashëgimtarët e Pjetrit, qofshin ata mbretërorë apo presidencialë, kanë gëzuar qysh atëhere.

Derek Wilson është autor i librit "Peter the Great". Ai është pjesë e një serie që eksploron kuptimin e "Europës".
The only thing necessary for the triumph of evil is for good men to do nothing

Post Reply

Return to “Histori e përgjithshme botërore”