"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Ismail Qemali

Ketu mund te shkruani artikuj per figurat historike shqiptare dhe ato te paraardhesve tane me te hershem, te komentoni ato ose te jepni mendimin tuaj ndryshe.

Moderator: Arban Blandi

Post Reply
Roni
Member
Member
Posts: 44
Joined: Sun Aug 09, 2009 12:40 am
Gender: Male

Ismail Qemali

#1

Post by Roni » Sun Aug 09, 2009 2:17 am

Ismail Qemali :


.Ismail Qemali lindi në Vlorë në një familje
çifligare më 24 janar të vitit 1844, vdiq në
Itali nga një atentat me helm më 24 janar të vitit 1919.
Ishte udhëheqës i shquar i Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare dhe kryetar i parë i Shqipërisë së
pavarur. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes dhe
gjimnazin "Zosimea" në Janinë, më 1859 u vendos me
familjen e tij në Stamboll, ku u aktivizua në lëvizjen
patriotike shqiptare: mori pjesë në përpjekjet për
caktimin e një alfabeti të përbashkët të
gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie
kulturore shqiptare. Në Perandorinë Osmane pati funksione
të rëndësishme administrative dhe u shqua shumë
shpejt si personalitet me pikëpamje liberale. Postet e tij i
përdori jo vetëm për të ndihmuar lëvizjen
çlirimtare të bashkatdhetarëve, par edhe për
të lehtësuar sado pak gjendjen e vështirë të
popujve të shtypur të perandorisë duke luftuar
kundër obskurantizmit e dallimit racor dhe duke përkrahur
përhapjen e kulturës e të dijeve shkencore.
Kërkesat e Ismail Qemalit për zbatimin e reformave
demokratike e çuan në konflikt me rrethet konservatore
të Stambollit. U dënua nga Porta e Lartë me internim,
të cilin e vuajti për 7 vjet. Në maj të 1900,
për t'u shpëtuar ndjekjeve të Sulltanit, u arratis nga
Stambolli dhe qëndroi në vise të ndryshme të
Evropës, ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet
politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Ismail
Qemali zhvilloi një aktivitet të dendur politik për
njohjen e Shqipërisë në opinionin evropian. Ai shpalli
botërisht programin e tij autonomist në intervista e artikuj
të botuar në shtypin shqiptar të kohës dhe në
organe të huaja. Platforma politike e Ismail Qemalit. në
përgjithësi përputhej me atë të
ideologëve të tjerë të Rilindjes, por me disa
veçori në lidhje me rrugët e mjetet për sigurimin
e autonomisë. Në këtë etapë të
veprimtarisë së tij ai mendonte të vazhdohej rruga
reformiste për sigurimin e autonomisë nga lart, i
shqetësuar se mos kryengritjet i jepnin shkas ndërhyrjes
së huaj.

Mori pjesë aktive në lëvizjen
xhonturke, në krahun përparimtar të saj që ishte
për njohjen e të drejtave të kombeve të
Perandorisë dhe u hodh kundër xhonturqve kur këta
morën pushtetin dhe vendosën diktaturën ushtarake.
Në dhjetor të 1908, me gjithë luftën që i
bënë autoritetet xhonturke, u zgjodh deputet i sanxhakut
të Beratit në parlamentin osman ku, së bashku me grupin
e deputetëve patriotë, mbrojti interesat e kombit shqiptar.
Në këtë kohë ai kaloi në pozitat më
të përparuara duke e konsideruar kryengritjen e armatosur si
mjet për sigurimin e autonomisë së Shqipërisë.
U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjeve antiosmane
të viteve 1910-1912. Së bashku nie L. Gurakuqin e
patriotë të tjerë hartoi memorandumin e
Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij
viti mori nismën për organizimin e kryengritjes së
përgjithshme të 1912. I ngarkuar nga rrethet patriotike
të vendit shkoi në Stamboll për ta bindur qeverinë
osmane t'u jepte shqiptarëve autonominë. Pas fillimit të
Luftës së Parë Ballkanike ndërmori së bashku
me Luigj Gurakuqin një aksion të ri politik për të
shpëtuar atdheun. Në mbledhjen e Bukureshtit më 5
nëntor 1912 gjeti përkrahjen e kolonisë shqiptare
të atjeshme dhe prej andej shkoi në Vjenë ku u takua me
personalitete politike austro-hungareze dhe me përfaqësues
diplomatikë të Fuqive për të shtruar e mbrojtur
çështjen shqiptare duke pasur parasysh kontradiktat që
ekzistonin midis fuqive. Ai për çlirimin e plotë
të vendit. Më 19 nëntor 1912 njoftoi në atdhe se do
të shpallej pavarësia nga Kuvendi Kombëtar që do
të mblidhej për të vendosur mbi të ardhmen e
vendit. U kthye me bashkëpunëtorët e tij në
Shqipëri. Në Vlorë kryesoi mbledhjen e Kuvendit
Kombëtar që shpalli Pavarësinë e
Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.
28 nëntor, 1912
28 nëntor, 1912

U
caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme. Në
politikën e brendshme dhe të jashtme të qeverisë
kombëtare u tregua i prirur për kompromise me
çifligarët, për të përfituar nga ndikimi
që gëzonin këta në shtresat e pasura e të
mesme, por edhe i vendosur për demokratizimin e jetës së
vendit, i vëmendshëm kundrejt politikës së Fuqive
për të shpëtuar atë që mund të
shpëtohej në dobi të atdheut, por i papajtueshëm me
çdo cenim nga ana e tyre të pavarësisë e të
sovranitetit kombëtar, i lirë nga paragjykimet kundrejt
fqinjëve me të cilët kërkonte të kishte
marrëdhënie miqësore, por edhe kundërshtar i
rreptë i synimit të tyre për të copëtuar
Shqipërinë. Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali,
ndonëse në kushte shumë të vështira të
brendshme e të jashtme, mori një varg masash në
fushën e ekonomisë, të ndërtimit shtetëror dhe
të kulturës kombëtare që hapnin rrugën e
zhvillimit demokratik të atdheut. Mbrojti pranë Komisionit
Ndërkombëtar të Kontrollit dhe pranë kancelarive
të Fuqive të Mëdha të drejtat e ligjshme të
popullit shqiptar, tërësinë territoriale të vendit.
Në të gjitha këto veprime Ismail Qemali u tregua
burrë shteti dhe diplomat largpamës. Me politikën e tij
ngjalli kundërshtimin e rretheve konservatore e reaksionare
çifligare si edhe të imperialistëve, të
cilët e rrëzuan qeverinë kombëtare të kryesuar
prej tij në janar 1914. Vitet e fundit të jetës së
tij të kaluara në mërgim Ismail Qemali i përdori
në dobi të çështjes shqiptare.

Si u sollën eshtrat e Ismail Qemalit në Vlorë.


Megjithëse kishte vdekur qysh në vitin 1919, qe sjellë nga Italia dhe qe varrosur në Kaninë të Vlorës, varri i kryeministrit të parë shqiptar Ismail Qemali kishte mbetur i harruar dhe pa kujdes, aqsa revista "Minerva" e 8 janarit 1932 shkruan në faqe të parë të saj se ishte "zbuluar" varri i njeriut që zë fillin në krye të listës së kryeministrave të Shqipërisë.
Më mbledhjen e Parlamentit të datës 11 dhjetor 1931, deputeti Petro Poga thotë se ka vizituar së bashku me kolegun e tij Ibrahim Xhindi, varrin e Ismail Qemalit në Vlorë, dhe se është befasuar nga gjendje jo të mirë e varrit. Pasi u bisedua për rregullimin e varrit të Ismail Qemalit, sjelljen e eshtrave të tij në Vlorë si dhe ngritjen e një monumenti këtu, deputeti Abdurrahman Salihu ka thënë se për një qëllim të tillë, Mbreti Zog kishte paguar shumën e 1 mijë frangave ar.
Po në këtë seancë të Parlamentit, deputeti Fejzi Alizoti kishte kërkuar të zbardhej destinacioni i parave të grumbulluara më parë në fillim të viteve 20-t, për qëllimin e sipërpërmendur, duke bërë përgjegjës për një shpërdorim të tillë Q.K dhe Z.P.
Disa dittë më vonë më 18 dhjetor 1931, në gazetën "Besa", ish prefekti i Vlorës, Zenel Prodani i dërgon një letër të hapur deputetit Fejzi Alizoti, të titulluar "qeveria të hetojë". Midis të tjerash në këtë letër ai thotë:
Në një diskutim që mbajta me rastin e 28 nëntorit 1922, kur isha prefekt në Vlorë, propozova ngritjen e një monumenti plakut të kombit. Propozimi im u prit me duatrokitje të nxehta dhe pa humbur kohë u formua një komision prej patriotësh të vërtetë e të ndershëm për të përgatitur fushatën e ndihmave. Nga shumë vise të Shqipnis muarëm përgjigje përgëzimesh për iniciativën e marrë dhe s'mungonin të na siguronin se apelit tonë do t'i përgjigjeshin me gjithë shpirt. Megjithë që është kohë e gjatë prej 9 vjetësh dhe është e natyrshme që të mos mbaj mend mirë hollësitë e zhvillimit të çështjes, di me siguri se përveç 4 - 5 napolonash të dërguara nga n/prefektura e Lezhës.

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Ismail Qemali

#2

Post by Patush » Wed Dec 23, 2009 1:02 am

Liber ne gjuhen Angleze per dhe nga Ismail Qemali.

http://www.archive.org/stream/memoirsof ... 5/mode/2up
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
ALBPelasgian
Galactic Member
Galactic Member
Posts: 2112
Joined: Sun Jun 28, 2009 7:57 pm
Gender: Male
Location: Prishtinë (Prima Justiniana)
Contact:

Re: Ismail Qemali

#3

Post by ALBPelasgian » Wed Dec 23, 2009 10:03 am

Ne sot po hedhim faren me emrin Bashkim,
Qe neser te korrim frutin me emrin Bashkim!

User avatar
Arta
Sun Member
Sun Member
Posts: 1515
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:44 pm
Gender: Female
Location: USA

Re: Ismail Qemali

#4

Post by Arta » Thu Aug 05, 2010 4:03 pm

Darling Vlora: Komunizmi zbehu figurën e Ismail Qemalit, demokracia i hedh baltë

Fatmira Nikolli

Darling Vlora duket i pa kënaqur nga ajo që shqiptarët i kanë dhënë babait të kombit. Pinjolli i Ismail Qemalit, që prej vitesh gjendet jashtë vendit, na flet për familjen e tij por edhe për ato që ai i quan pasaktësi ndaj figurës së “plakut të urtë” të Vlorës. Teksa iu përgjigjet pyetjeve, ai rrëfen se varret e familjes së tij në Kaninë janë dhunuar, e ndërkaq, me keqardhje shprehet se MTKRS ka financuar libra që hedhin baltë mbi I.Qemalin. Teksa gërmon në kohë, ai na sjell një kuadër të plotë të familjes së Vlorajve prej nga doli Ismaili, për të cilin thotë se ndryshe nga ç’e trajtuan librat, nuk erdhi nga hiçi. Me sa shihet nga fjalët Darling Vlorës, nëse komunizmi e zbehu figurën e shtetformuesit, ajo çfarë ndodh sot në demokraci është hedhje baltë mbi të, mungesë interesi, indiferentizmi dhe instrumentalizim.

Kanina është vendi i origjinës së familjes suaj. Si e mbani mend atë? Çfarë ju kanë thënë për të?

Fillimisht, Kaninën unë e kam njohur nëpërmjet tregimeve të tim eti, pasi kam lindur dhe kam jetuar gjithmonë në Tiranë, deri më 1998-ën, kur jam larguar nga Shqipëria. Pavarësisht se nuk e kisha parë, Kanina ishte vendi që unë e adhuroja, një emër që më ishte ngulitur që në vegjëli dhe që më mbushte me krenari sa herë e dëgjoja. Sigurisht për historinë e saj, por më tepër, se aty ishin rrënjët e lashta të Familjes sime. Kanina, në imagjinatën time, ishte një vend madhështor dhe ashtu m’u duk edhe kur e kam vizituar për herë të parë, pavarësisht se madhështia e dikurshme ishte zhdukur përgjithnjë, ai vend e prezanton atë. Mjaft të ngjitesh në Kala dhe të hedhësh sytë përreth, për të kuptuar dhe ndjerë rolin që ai vend ka luajtur gjatë shekujve në histori, gjë që e dëshmojnë akoma edhe ata pak gurë që i kanë rezistuar fenomenit të kohës dhe shkatërrimit të dorës së njeriut.

Historia e Familjes suaj lidhet me Kaninën në çdo cep. Janë ende objektet apo rrënojat e atyre që Vlorajt ngritën?

Vlorajt kanë njohur si të parin e Familjes së tyre Sinan Pashën, i cili, pasi kishte qenë Vezir i Madh i Perandorisë Osmane, u vendos në Kaninë (diku aty nga viti 1490), si Admiral i Madh i Flotës dhe jetoi në Kaninë deri sa vdiq. Sinan Pasha ndërtoi brenda mureve të Kalasë sarajet e tij, ndërsa jashtë mureve një Xhami dhe një Teqe. Pasi mbeti i vrarë në një betejë detare, në gjirin e Vlorës, u varros në oborrin e Teqesë, në një Tyrbe të posaçme. Të gjithë studiuesit e huaj që kanë vizituar Kaninën ose janë marrë me studime mbi të, kanë lënë shënime mjaft interesante mbi këto objekte. Një ndër ta është edhe kronisti i shquar i Perandorisë Osmane, Evlija Çelebi, i cili vizitoi Shqipërinë gjatë viteve 1660-70, duka na lënë një përshkrim shumë të saktë mbi to. Çelebiu shkruan se brenda në Kala ndodhej ‘pallati i Sinan Pashës’ ndërsa jashtë saj ‘xhamia e bukur e Sinan Pashës, me një minare që bie në sy. Këtu ka edhe një teqe bektashinjsh, që është hajrati i Gazi Sinan Pashës... Në një Tyrbe madhështore pranë Teqesë, është varri i Gazi Sinan Pashës, themeluesit të kësaj teqeje dhe i gjithë të afërmve të tij...’. Sarajet e Sinan Pashës, ku familja vazhdoi të jetojë deri në fillimet e shek.XIX, u dëmtuan shumë gjatë luftërave të ndryshme, sidomos gjatë kryengritjes së Tanzimatit (1847). Më pas, duke qenë se Vlorajt u vendosën në qendër të qytetit të Vlorës, në atë shtëpi ku më vonë u Shpall Pavarësia, sarajet u rrënuan përfundimisht, pavarësisht se muret e tyre qëndronin akoma më këmbë deri aty nga vitet 1900. Do ishte në interes të historisë, jo vetëm të Kaninës, që të evidentohej vendi ku ngriheshin sarajet, pasi themelet e tyre duhet të jenë akoma aty. Një punë të tillë e nisi ushtria italiane, gjatë viteve 1917-‘18, e cila e evidentoi vendin e saktë të tyre por, që nga ajo kohë, nuk është bërë më asnjë përpjekje në këtë drejtim.

Varri i origjinës së Ismail Qemalit është i dëmtuar...

Ashtu si e kishte lënë amanet, Ismail Qemali u varros në Kaninë, në varrezat e familjes. Më 1932, me rastin e 20 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, me kërkesë të popullit të Vlorës dhe me Vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u spostua në Vlorë, në qendër të qytetit aty ku është edhe sot. Varrezat e Familjes Vlora, për shkak të Teqesë dhe Tyrbes së Sinan Pashës, konsideroheshin nga banorët si një vend i shenjtë. Vendi ku ka qenë varrosur Ismail Qemali u shënua dhe deri vonë (ndoshta edhe tani) aty ka qenë një pllakatë ku shkruhej: ‘Në këtë vend, në shkurt 1919, me nderim dhe respekt të thellë populli i Vlorës vendosi për herë të parë trupin e Heroit të Popullit Ismail Qemali’. Po në atë vend ka qenë edhe varri i Ferid Pasha Vlorës (Vezir i Madh i Perandorisë Osmane), i cili u prish pas 1944 dhe më pas, diku aty nga viti 1982, iu hap edhe varri dhe trupi i tij i balsamosur, i ruajtur për më shumë se 60 vjet, u hodh diku nga varrezat e fshatit... Çfarë emri mund t’i vendoset këtij veprimi?! Sot, dikush nga banorët aty afër, e ka rrethuar Teqenë, Tyrben dhe oborrin e saj dhe nuk mund të hysh dot brenda, në varrezat e të parëve të tu (!), në një kohë që këto objekte, në tërësi, duhet të ishin konsideruar Monument Kulture.

Pritet që në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë të vendoset një bust i Ismail Qemalit pranë Kalasë së Kaninës. Ç’do të thotë për ju kjo?

Personalisht, si pasardhës i Ismail Qemalit dhe si njohës i jetës dhe veprës së tij, do të thosha se kjo nuk më jep aspak kënaqësi, përkundrazi. Vetë vepra e I. Qemalit është një Monument, ose më mirë, siç thotë poeti dhe patrioti i madh vlonjat Ali Asllani ‘Emri i i tij i vërtetë është nëntor njëzetetetë’. T’i bësh një Monument atij nuk do të thotë që respekton atë por historinë, respekton vetveten. Po çfarë, u desh që të vinte 100-vjetori i Pavarësisë që të kujtoheshin se Shqipërisë i mungon Monumenti i Ismail Qemalit? Shikoni sheshet e Europës sesi shkëlqejnë nga monumentet e njerëzve të mëdhenj që kanë nxjerrë nga gjiri i tyre. Nuk ka pëllëmbë toke në Itali që mos ketë monumente të Vittorio Emanuele II, Cavour-it, Garibaldi-t, Mazzini-t, etj., ndërsa shtetformuesi shqiptar nuk ka asnjë monument (pasi edhe ai që është në Vlorë nuk është monumenti i tij, por i Pavarësisë). Nëse duhet t’i ngrihet një monument Ismail Qemalit ai duhet ngritur në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë pasi ai është shtetformuesi shqiptar, kryeministri i parë i shtetit, të cilin, bashkëkohësit e tij dhe mbarë shqiptarët, kudo që janë, e kanë quajtur Babai i Kombit, pra jo një figurë lokale. Më pas le t’i ngrihet edhe në Kaninë, në vendin e tij të origjinës. Në rast se Kanina do të nderojë figurën e Ismail Qemalit, ashtu siç kanë ditur ta nderojnë kaninjotët sa ishte gjallë e më pas, këtë veprim mendoj se, në radhë të parë, duhet ta bëjë me të gjithë Vlorajt. Le të restaurojnë Teqenë, Tyrben e Sinan Pashait, oborrin ku Ismail Qemali ishte varrosur bashkë me të gjithë Vlorajt e tjerë dhe aty të ngrenë një monument për familjen e madhe që i dha nder e lavdi, jo vetëm Kaninës, por gjithë kombit tonë. Ky është nderimi që meriton Ismail Qemali, në radhë të parë t’i kthehet dinjiteti Familjes së tij.

Ju keni thënë se deri në fund të jetës, Ismail Qemali nuk i ndërpreu asnjëherë përpjekjet e tij në lidhje me çështjen e kufijve. Çfarë nënkuptoni me këtë?

Herë pas here nga ‘historianë’ apo ‘analistë’ të ndryshëm është thënë dhe vazhdon të thuhet se, në lidhje me çështjen e kufijve, Qeveria e Vlorës, me në krye Ismail Qemalin, nuk bëri aq sa duhet pra, thënë më thjeshtë, nuk duhet ta kishin lejuar Europën të merrte atë vendim të padrejtë kundrejt shqiptarëve. Ajo që të irriton është se po kjo kategori Shpalljen e Pavarësisë e quan meritë të Europës, jo të Ismail Qemalit dhe patriotëve tanë. Pra, sipas tyre, kur bëhet fjalë për rezultate pozitive nuk ka meritë Ismail Qemali ndërsa sa i takon dëmeve që pësoi shteti i sapoformuar shqiptar, gabimet janë të tij. Është më se e vërtetë, dhe këtë gjë as vetë Ismail Qemali s’e ka mohuar, që ai, për të siguruar Shpalljen e Pavarësisë shfrytëzoi kontradiktat që ekzistonin midis Fuqive të Mëdha e sidomos mes Perandorisë austro-hungareze dhe Italisë, dy fuqitë më të interesuara në çështjen shqiptare gjatë asaj periudhe. Por a nuk kemi edhe sot një Kosovë të Pavarur, padyshim si rezultat i Luftës së pandërprerë të popullit heroik kosovar, por edhe në saj të një mbështetje të fortë nga Amerika dhe disa vende të Europës. Si mund të akuzosh, lidhur me kufijtë, një Qeveri që kishte marrë në duar fatet e vendit në një nga momentet më të vështira të ekzistencës së Kombit shqiptar, në një kohë që gjithë interesat e shteteve ballkanike dhe Europës ishin përqendruar pikërisht në zgjidhjen e këtij problemi? Ismail Qemali i bindur në padrejtësinë e vendimeve të Konferencës së Londrës, që la jashtë kufijve gati gjysmën e territoreve me popullsi shqiptare, jo vetëm që i kundërshtoi hapur ato, por nuk i ndërpreu asnjëherë përpjekjet e tij që ta bindte Europën për të korrigjuar këtë gabim. Më 1918, në fund të Luftës I-rë Botërore, shqiptarët e Amerikës, të grumbulluar rreth “Partisë Politike” e zgjodhën përfaqësues të tyre për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar pranë Konferencës së Paqes në Paris. Ismail Qemali, me gjithë forcën e tij u mundua t’i bashkonte shqiptarët për t’u paraqitur denjësisht përpara Konferencës por, fatkeqësisht, përpjekjet e tij nuk u realizuan nga vdekja e tij e parakohshme dhe nga kontradiktat e pafund që ekzistonin midis shqiptarëve të cilët u paraqitën në atë Konferencë me delegacione të shumta, në kundërshtim me njëri-tjetrin. Megjithatë, falë të drejtave legjitime dhe mbrojtjes së çështjes sonë kombëtare nga Presidenti amerikan Wilson, Shqipëria, të paktën mundi të ruante kufijtë e vitit 1913.

Ju jeni shprehur se ‘historiografia jonë nuk ka bërë sa duhet për Ismail Qemalin’. Çfarë prisni apo çfarë kërkoni ju prej historiografisë?

Kur jam shprehur në këtë mënyrë, kam qenë paksa optimist pasi në të vërtetë, historiografia jonë s’ka bërë asgjë. Nuk ka asnjë studim të plotë për figurën e Ismail Qemalit; nuk ka përmbledhje të shkrimeve të tij; nuk ka katalogim të punës së tij; nuk ka një muze dedikuar atij etj, dhe aq më keq, jo vetëm që historiografia jonë s’ka bërë asgjë por, deri diku, ka lejuar dhe mbështetur punime që hedhin baltë mbi të. Është normale që çdokush të shprehë hapur mendimin e tij por, që Ministria e Kulturës të sponsorizojë libra që vazhdojnë e denigrojnë historinë tonë, nuk më duket aspak e drejtë. Një shembull i tillë është libri i Amelie von Godin “Nga Shqipëria e re”. Në këtë libër (botuar nga autorja më 1914 dhe botuar në shqip më 2007-ën, me ndihmën e MTKRS) Godin shan thuajse të gjithë anëtarët e qeverisë së Vlorës dhe patriotë të tjerë. Pra, përse duhet pikërisht ministria jonë të sponsorizojë një libër të tillë? Për çfarë qëllimi? Për të krijuar paqartësi, dyshime, hamendësira rreth njërës prej ngjarjeve më madhore të historisë sonë? Institucionet përkatëse, duke qenë se jemi në prag të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, duhet të krijojnë një grup pune me studiues të mirëfilltë, të cilët duke shfrytëzuar materialet që ndodhen në Arkivin e Shtetit, Bibliotekën Kombëtare, Muzeun Kombëtar të Tiranës, të Vlorës dhe qyteteve të tjera, Institutit të Historisë etj, dhe në bashkëpunim me ne, pasardhësit e Ismail Qemalit, të nxjerrin në dritë Veprën e Tij. Personalisht kam pasur kënaqësinë të bashkëpunoj me z.Emil Lafe, për të saktësuar e plotësuar zërin e Ismail Qemalit, në Fjalorin e ri Enciklopedik Shqiptar dhe, si rezultat, zëri është paraqitur i plotë dhe i saktë, jo vetëm në krahasim me punimin paraardhës, por edhe në krahasim me faktin se si ishte konceptuar përpara botimit.

A ka indiferentizëm dhe mosseriozitet sot ndaj historisë? Po ndaj figurës së Ismail Qemalit?

Për mendimin tim, po dhe fatkeqësisht, të dyja bashkë. Për këtë mjaft të shikoni librin e botuar nga prof. Kristo Frashëri dhe Akademia e Shkencave, “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë” (Tiranë 2008), i cili është një punim aspak i denjë për një Akademi, për më tepër që i dedikohet një ngjarjeje si ajo e Shpalljes së Pavarësisë. Libri është plot gabime; kontradikta; fakte të pasqaruara; pa bibliografi; pa referime; në faqen 45, foto e Filip Shirokës ka poshtë emrin e Faik Konicës, foto e Ndre Mjedës ka emrin e Visar Dodanit, foto e Asdrenit ka emrin e Shahin Kolonjës; në faqen 69 paraqitet e njëjta fotografi, njëra ka diçiturën ‘Idriz Seferi duke marshuar për në Shkup’, ndërsa tjetra ‘Idriz Seferi me luftëtarët e tij duke hyrë në qytetin e çliruar të Ferizaj’; Ismail Qemalit i vihen në gojë deklarata që ai s’i ka thënë ndonjëherë etj. Unë mendoj se përveç mosseriozitetit dhe indiferentizmit ka akoma instrumentalizim të historisë: deri dje historia ishte instrumentalizuar për qëllime politike, sot ka një instrumentalizim në drejtime të ndryshme. Si ka mundësi që William Morton Fullerton, gazetari dhe shkrimtari i njohur amerikan, të shkruaj më 1920 se “nëse Sovrani i Ismail Qemalit do kishte ndjekur orientimet politike që i ishin servirur shumë herë nga nëpunësi i tij inteligjent, çdo gjë do kishte shkuar në dobi të Perandorisë dhe ndoshta edhe të vetë Europës”, ndërsa historianët tanë ngurrojnë, kanë frikë apo s’duan të pranojnë rëndësinë që pati Ismail Qemali në Shpalljen e Pavarësisë. A nuk është kjo një dukuri më e rëndë se mosserioziteti dhe indiferentizmi? “Kujtimet” e Ismail Qemalit, që u botuan në Angli dhe Amerikë më 1920, u konsideruan në atë kohë mjaft interesante dhe të dobishme për këdo që do merrej me studimin e periudhës së fundit të Perandorisë Osmane, dhe shtypi anglez i bëri jehonë në faqet e tij. Përse ato nuk janë botuar nën kujdesin e Akademisë së Shkencave apo Institutit të Historisë? Gjatë vitit të kaluar janë botuar nga “Toena”, një iniciativë për t’u përshëndetur por, fatkeqësisht, edhe në këtë rast jo me seriozitetin e duhur. Si mund ta përkthesh këtë shprehje mjaft të bukur dhe kuptimplotë të përdorur nga Fullerton: “But Ismail Kemal Bey hoped against hope, and his hope was in America”, duke e transformuar në “Mirëpo Ismail Qemal Beu ushqente shpresa të kota, dhe shpresën e mbante tek Amerika”, kur në të vërtetë ka tjetër kuptim i cili duhet të jetë: “Por, Ismail Qemal Beu shpresoj deri në fund dhe shpresa e tij mbështetej tek Amerika”.

Ju keni përmendur diku një letër ‘testament’ që Ismail Qemali u linte shqiptarëve të Amerikës, më 17 nëntor 1918, pak para vdekjes. Për çfarë flet në të Ismail Qemali?

Në prag të përfundimit të Luftës I-rë Botërore, shqiptarët e Amerikës, të grumbulluar rreth ‘Partisë Politike’ zgjodhën I.Qemalin si përfaqësues të tyre në Europë për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar në Konferencën e Paqes, që do mbahej në fund të konfliktit dhe për të siguruar e garantuar pavarësinë e plotë politike dhe ekonomike të Shqipërisë. Janë disa letra që Ismail Qemali u dërgonte Kryesisë së Partisë, Kristo Dakos, Mihal Gramenos etj. Në të gjitha këto letra, që fatmirësisht ‘Partia Politike’ i botonte në faqet e organit të saj ‘Albania’, Ismail Qemali u bënte thirrje shqiptarëve, sidomos atyre të Amerikës, ku ai kishte mbështetur shpresat e tij më të forta, që të linin mënjanë mosmarrëveshjet dhe të punonin të gjithë së bashku, ‘duke mos kursyer asgjë për shpëtimin e Shqipërisë dhe me çdo frymë të fitonin Kosovën, Manastirin, Janinën me gjithë Çamërinë’. Janë pikërisht mendimet e tij të fundit, të shkruara pak para vdekjes, të cilat tingëllojnë si një ‘testament’ që ai u linte shqiptarëve. Ëndrra e tij, që ta shikonte pa vdekur Shqipërinë me kufijtë etnik mbeti e parealizuar por, me Njohjen e Pavarësisë së Kosovës, ajo filloi të marri formë, duke treguar largpamësinë që ai kishte karshi të drejtave legjitime të popullit të tij.

Jeni shprehur se regjimi diktatorial i përdori të gjitha mënyrat për ta shtrembëruar e denigruar historinë. Ç’keni dashur të thoni me këtë dhe cilat janë rastet kur ka ndodhur kjo?

Gjatë regjimit diktatorial, krahas krimeve monstruoze që ai regjim ushtroi ndaj patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë, u shkrua një histori krejtësisht e sajuar ku me qindra patriotë u klasifikuan si tradhtarë, shumë prej të cilëve vrarë gjatë atij regjimi; shumë u konsideruan të tillë edhe pas vdekjes; shumë të tjerë u lanë në harresë nga historia, për t’u lënë vendin ‘heronjve’ të rinj, dalë nga klasa e re revolucionare. Janë me qindra rastet kur historia u shtrembërua, duke filluar që nga ata patriotë që morën pjesë në Kuvendin e Vlorës si Qazim Kokoshi, Lef Nosi, Rexhep Mitrovica, Mit’hat Frashëri etj, për të vazhduar me pjesën më të madhe të atyre burrave që drejtuan Shqipërinë deri më 1944 dhe të atyre që patën guximin t’i kundërviheshin diktaturës deri në rënien e saj. Në këtë shtrembërim të historisë bën pjesë edhe figura e Ismail Qemalit. Edhe në ato pak raste që është shkruar për të ka mbizotëruar tendenca e zbehjes së figurës së tij dhe sidomos familjes së tij. Ai është paraqitur në punimet historike dhe tekstet shkollore si njeri pa njeri. Sikur erdhi nga hiçi dhe me të u zhduk çdo gjë. Asnjëherë nuk është folur dhe nuk flitet akoma për rolin e jashtëzakonshëm që kjo familje luajti në historinë tonë, produkt i së cilës ishte dhe Ismail Qemali. Ai nuk mund të shikohet i veçuar nga familja e tij; ishte familja që u kujdes për t’i dhënë një edukatë dhe arsim të shkëlqyer dhe, mbi gjithçka, t’i ushqente atij dashurinë për Atdheun. Ai ishte nip i Ismail bej Vlorës, beut të fuqishëm vlonjat që iu kundërvu Portës së Lartë që më 1820, gjë që e pagoi me kokën e tij; ishte djalë i Mahmud bej Vlorës, një ndër udhëheqësit kryesorë të kryengritjes popullore kundër reformave të Tanzimatit (1847), ishte nip i Mustafa Pasha Vlorës, Kryetar i degës së Vlorës në Lidhjen e Prizrenit dhe anëtar i Kryesisë së saj. Nga kjo familje kemi personalitete të tjera si Eqrem bej Vlora, Qamil bej Vlora (djalë i Ismail Qemalit), Nuredin bej Vlora, etj. Pra nuk ishte rastësi dalja e tij në skenën politike shqiptare të atyre viteve. Këto fakte s’thuhen dhe historianët vazhdojnë të heshtin. Më 1945 regjimi diktatorial i ndryshoi mbiemrin pasardhësve të Ismail Qemalit, nga Vlora në Ismaili, për të mohuar edhe atë lidhje natyrale që ekzistonte midis tyre dhe Shtetformuesit shqiptar.
"I never gave anybody hell! I just told the truth and they thought it was hell."~Harry S. Truman

User avatar
alfeko sukaraku
Sun Member
Sun Member
Posts: 1827
Joined: Wed Jun 03, 2009 8:02 pm
Gender: Male

Re: Ismail Qemali

#5

Post by alfeko sukaraku » Sun Aug 08, 2010 7:02 pm

arestimi edhe denimi me vdekje i Theodhor Bithgurut, edhe anullimi i ketij vendimi pas zhvendosjes se kryeqytetit "greke" ne athine nga kurva e motit , jane ceshje qe lidhen shume ngushte me njeren nga endrrat e ismail qemalit, por injoranca shqiptare edhe komunizmi i eger edhe i papare qe e mbreteron shqiperin keto 70 vitet e fundit nuk munde ta dalloj dote te verteten ashtu sikurse eshte, por vazhdon te eci nen gjurmet e enverit.
KOHA ESHTE E MASKARENJVE/POR ATDHEU I SHQIPETRAVE

User avatar
Mallakastrioti
Galactic Member
Galactic Member
Posts: 2929
Joined: Thu Jul 23, 2009 4:23 pm
Gender: Male
Location: Italy
Contact:

Re: Ismail Qemali

#6

Post by Mallakastrioti » Sun Oct 18, 2015 4:57 pm

Image

Me Ismail bej Qemalin nga Vlora në Brindizi Shpresat dhe justifikimet e Kryeministrit të qeverisë së rrëzuar të Vlorës
Nga ARNALDO CIPOLLA
Brindizi, 26 janar, natë.

(Artikulli eshte publikuar ne gazeten italiane "La Stampa" ne daten 27 janar 1914, Torino.)

(Per gazeten Standard 17/10/2015 u mundesua nga Etnor Canaj dhe Brunilda Ternova)

Sot në mëngjes gati pa u ndier, u nis drejt Brindizit mbi vaporin “Città di Bari”, Presidenti i Qeverisë së Përkohëshme, Ismail bej Qemali, i cili u largua nga Shqipëria krejt papritmas aq sa lajmi për largimin e tij nuk ishte bërë publik në qytet. Dihej vetëm që Ismaili kishte vendosur të largohej nga Vlora por gjegjësisht akoma besohej se të paktën do kishte pritur ardhjen e Princit Wied-it. Megjithatë plaku Qemal, sot në mëngjes rreth orës tetë doli nga shtëpia e tij që ndodhet buzë detit, e zbriti në skelë pa praninë e truprojeve, pa shpurën e shoqëruesve, pa kortezhin e miqve që ta përshëndesnin, madje pa praninë qoftë të një antari të vetëm të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. E shoqëronin katër persona: një shqiptar me plis të bardhë, njëri prej djemve të tij dhe dy shërbëtorë. Xhandarët që bënin roje në skelë e vështronin me mungesë kërshërie tek kalonte. Nuk kam ndër mend t’iu tregoj se çfarë do të nisë të thuhet sonte në Vlorë – dhe mbi këtë gjë ka për tu folur për një kohë shumë të gjatë -, mbi faktin që nisja e tij ishte një farë arratije. Është e sigurtë që Ismaili u largua nga Shqipëria në një mënyrë veçanërisht të trishtueshme.
Ngutje e Ankthshme
Gjatë udhëtimit nga Vlora drejt Brindizit mora vesh nga njëri prej shërbëtorëve të tij që nisja e beut të moshuar kishte qenë vërtet e dhimshme e njëhkohësisht edhe e dëshirueshme. Ish Kryeministri i Qeverisë Shqiptare, sapo kishte parë nga dritarja e dhomës së tij të punës siluetën e vaporit “Città di Bari”, kishte zbritur buzë detit dhe me një varkë kishte udhëtuar drejt vaporit mbi të cilin kishte hipur ndërkohë që po kryheshin akoma operacionet e ankorimit. Plaku kishte qëndruar zgjuar gjithë natën, në vigjëlim të ankthshëm. Ai e priste mbërritjen e vaporit si një formë çlirimi. Sigurisht që vendimi i nisjes ishte marrë pas këshillës që i kishin dhëne një natë më parë gjatë seancës së Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, ku Qemali kishte marrë pjesë.
Pasi u informova fare rastësisht mbi hipjen në vapor të Ismailit, i’a dola mbanë t’i hipja edhe unë në momentin e duhur vaporit “Città di Bari”.
Lundrimi ishte i mirë e i shpejtë, dhe mbërritja në Brindizi nuk u karakterizua nga ndonjë episod i denjë për kronikë. Askush nuk e dinte që në bordin e vaporit ndodhej ish Kryeministri i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare. Ismail Qemali donte t’i shpëtonte çfarëdolloj kërshërie të mundëshme dhe të nisej me trenin e parë direkt për në Nicë.
Lexuesit e gazetave italiane, ndofta do habiten që deri më sot asnjë prej gazetarve të dërguar special në Shqipëri, nuk e ka konsideruar të dobishme intervistimin e Ismail bej Qemalit. Sidoqoftë, arsyeja është e qartë, sidomos pas asaj që rezultoi në lidhje me Qemalin me rastin e arrestimit të Beqirit1*. Presidenti i Qeverisë së Përkohshme nuk mund t’u ofronte gazetarve, asgjë më shumë sesa një vetëmbrojtje të tepërt dhe ri-mohime të vazhdueshme ndaj akuzave të shumta që i bëheshin.
Por largimi nga Shqipëria e Ismail Qemalit transformohej në diçka tjetër: ai ribëhej sërisht njeriu i situatës vetëm për faktin se shfronësohej. Kjo është edhe arsyeja pse e mendova të arsyeshme ta intervistoj.
Një Plak i Lodhur
Ja dhe portreti i tij, në një çast me dy fjalë: Ismaili është plakur, tregon gati shtatëdhjet vjeç, nuk e përdor fezin tradicional por e ka zëvendësuar atë me një kasketë udheetimi. Duket i lodhur, i mërzitur, pesimist, i zhgjënjyer dhe i pezmatuar. Fjalëve të mia të para, natyrisht shumë të sjellshme, nëpërmjet të cilave e përgëzoj për vendimin që mori për të ardhur në Itali, Ismaili iu përgjigjet:
– Është e kotë që mundoheni të vendosni mjalt në fjalët tuaja! Jam i zëmëruar me ju! Pse nuk erdhet të më bënit vizitë në Vlorë? Keni publikuar gjëra shumë të rënda mbi personin tim.
– Shkëlqesi – i përgjigjem – kam përshtypjen se tani ky rast na ofron mundësinë të flasim qetësisht. Çfarë mendimi keni për Esatin dhe dorëheqjen e tij?
– Mua – më përgjigjet Ismaili – nuk më rezulton që kjo dorëheqje të këtë ndodhur. Do të jetë e paevitueshme, por, deri tani Komisioni i Kontrollit nuk ka marrë asnjë komunikim në lidhje me këtë aspekt.
– Po ju, pse e keni dhënë dorëheqjen?
– Sepse kështu duhej të ndodhte. Ardhja e Princit Wied, përcakton detyrimisht ndërprerjen e çdo Qeverie të Përkohshme Shqiptare.
– Më falni, por çështja që ka të bëjë me Beqirin, a ka të bëjë gjithashtu me dorëheqjen në fjalë?
– Është pikërisht një lloj manie kjo e juaja dhe e kolegëve tuaj (gazetar – sh.p.) që kërkoni ti lidhni bashkë këto dy çështje që janë të ndryshme: ajo që ka të bëjë me komplotin Xhonturk dhe ajo që ka të bëjë me ndërprerjen e aktivitetit të Qeverisë. Po jua ripërsëris që nuk ka asgjë të përbashkët midis fantazive të Xhonturqëve – të cilët nuk do të lulëzojnë kurrë në Shqipëri, dhe dorëheqjes së Qeverisë.
– Shkëlqesi, megjithatë procesverbali i Komisionit të Kontrollit i datës 2 janar që më ka treguar kundërshtari juaj politik Mufid beu, është një provë e tmerrshme kundrejt jush, ose më mirë të themi kundër plogështisë së Qeverisë së Përkohshme. Nga ai dokument rezulton se nuk u pengua kërcënimi që vinte nga Xhonturqit.
Qemali Harron Frëngjishten e tij të Përsosur
Në këtë pikë të bashkëbisedimit tonë, Qemali gati harron të flasë frëngjishten e tij të përsosur, për të evituar që të më përgjigjet.
– Mjaft –shton Ismaili hutueshëm –ajo që u bë tashmë u bë, por ju nuk mund të mohoni faktin se akti patriotik i Qeverisë së Përkohëshme ka thjeshtëzuar çështjen më kryesore dhe më urgjente të Shqipërisë.
– Konkretisht?
– Atë të kufirit jugor. Greqia tashmë nuk mund të gjejë justifikime se gjoja Shqipëria nuk ka një Qeveri me të cilën ta shtjellojë çështjen. Po është e vërtet që Shqipëria aktualisht qeveriset nga Europa nëpërmjet Komisarëve të saj, por keni për të parë që trupat e ushtrisë greke do të largohen pa bërë rezistencë, pa zvarritje, ndershmërisht.
– Jeni i informuar nëse Princi Wied do të mbërrijë së shpejti në Shqipëri?
– Nuk besoj se ardhja e tij do të jetë e menjëhershme. Supozoj se do të kem mjaft kohë në dispozicion për të shkuar në Nice e për t’u shlodhur pak atje. Më pas do të rikthehem për të nderuar sovranin legjitim të Shqipërisë.
“Dëshirë për t’u kthyer ne atdhe…”
Keni ndërmend që të ktheheni ne Shqipëri?
Pse jo? Ku doni qe te shkoj? Unë jam shqiptar dhe patriot. Bashkëshortja ime, e moshuar jeton në Itali që prej periudhës së bllokimit të Vlorës. Kur Princi Vilhelm I Vidit do jetë në gjithë efektet i kurërozuar me koronën e Skënderbeut dëshiroj të kthehem në vendin tim që të kryej vepra paqësore në krah të tij.
-Juve keni qene Bej, funksionar Osman…
-Po, guvernator i Bagdatit.
-Thuhet se Qeveria turke nuk ka ngelur e kënaqur prej punës suaj si administrator…
-Kjo është një gjë keqdashëse që ju ka sygjeruar sigurisht Myfit beu, por nuk ka rëndësi: pikërisht juve jeni dëshmitar sa ishte e përhapur dhe njerëzore përkrahja që kisha në Vlorë prej bashkëqytetareve të mi të cilët më panë me dhimbje kur u nisa.
-Më thoni, bej, cila është arsyeja e vërtet e cila ka qenë vendimtare për nisjen tuaj?
-Për arsye shlodhjeje, jo për tjetër gjë. Më besoni! Unë jam teje i lodhur! Provoni të mendoni sa më shumë pune u ngarkua Qeveria e përkohshme dhe e varfër për të mirën e vendit, prej ditës së paharrueshme në të cilën u shpall pavarësia mes bllokut të ngushtë grek deri me sot. Kush ushqeu atë flakë të parë dhe te pasigurte të lirisë kemi qenë ne. Na jepni këtë gjykim të drejtë përpara se të mbyllet misioni ynë. Më tej mund të shtoj që Komisioni i kontrollit edhe dje, në mbledhjen e gjatë në të cilën mora pjesë edhe unë, me rinovoi përsëri shprehjen dhe mirënjohjen më të lartë dhe pa kushte për punën e bërë prej Qeverisë së përkohshme. Shqipëria ka patur fatin e keq se informuesit e saj të kushteve të brendshme e njihnin shumë pak. Më lini që t’ju them: është folur, për shembull, për forcën ushtarake të famshme të Esadit (Esad Pashe Toptani, shënimi përkthyesi), e cila nuk ka ekzistuar kurrë si dhe pretendimit influencues të saj që nuk ka kaluar kurrë kufijtë e Tiranës.
Besnikëria e papritur e legjitimitetit.
–Mbasi të jeni shlodhur në Nice, do shkoni në Gjermani për të përshëndetur princin Vilhelm. Ccfarë do i thoni?…
– Çfarë dëshironi që t’ju them? Do kufizohem që t’i ofroj besnikërinë time pa kushte dhe të sinqertë, sigurisht me tepër të sinqertë se ajo e të tjerëve, të cilët sot, nuk di përse, e lënë mbas dore, në mënyrë qesharake, lindjen e papritur të besnikërisë së tyre legjitimiste.
-Shkëlqesi, shpresoj që ju nuk do të donit të mbani një kujtim të keq të gazetarëve italiane që ndoqën këtë faqe të thellë të historisë shqiptare, e cila është përpara ardhjes se Princit Vid. Në të vërtet na ngjan që pozicioni juaj në Vlore nuk ishte ndër më të kënaqshmit…
-Nuk ishte në të vërtet ndër më të kënaqshmit, – përgjigjet plaku. -Dhe në të vërtet për këtë po largohem! Proverbi juaj i krishterë “nemo propheta in patria” është më se i vërtetë në tokën tonë të dhimbshme. Por, unë, nuk jam një shitës ambulant i mirënjohjeve. Do donit të ishit kaq të përzemërt të më ndihmonit te merrja biletat për në Nice?
-­Aspak, bej!
Ndërkohe Ismaili nxjerr prej xhepit një dorë monedhash të arta. Unë thërras kreun e stacionit, duke iu lutur që doja të prisja biletat për personazhin e rëndësishëm në mërgim dhe i përgjysem në vullnetin e tij. Ismaili është i lodhur dhe ulemi në dhomën e pritjes. Turma ka kuptuar pjesërisht që plaku të cilin unë shoqëroj vjen prej Shqiperisë, prej atij vendi kaotik te cilin e kemi këtu përballë dhe që arrihet me një piroskaf, dhe kureshtarë, formonin një rreth përreth grupit të formuar prej Ismailit, prej tij dhe prej meje.
Përshendesni përseri tokën time.
–Shkelqesi-shtoj-rinisëm këtë mbrëmje për në Vlorë. A keni nevojë për diçka?
-Ju faleminderit, – më përgjigjet Ismaili duke me shtrënguar dorën- përshëndetmi edhe njëhere tokën time. Por ajo tashmë është në duar të mira sepse është në Duart e Europës.
Ndahemi duke kthyer me njëri tjetrin fjalë të përzemërta. Unë e bëj në menyren lindore duke vendosur duart në zemër, tek goja dhe në ball.
Mbas atyre çka kuptova duke folur me mërgimtarin, nuk do bëj komentime. Figura dhe veprimtaria e Qemalit janë tashmë të gjykuara në mënyrë të pashlyeshme. I jemi mirënjohës beut plak sepse ka dhënë shembullin e mire duke lënë Shqipërinë, dhe nuk duam ta shohim si diçka që e bëri sepse i detyruar, por në mënyrë spontane. Duhet të shpresojmë që gjithë të tjerët të cilët nuk janë pak ta ndjekin duke u larguar për qetësinë e vendit, prej Shqipërisë, e cila ka nevojë qysh tash-proçesi i Beqirit është ende i hapur-për qetësi qytetare dhe për një administrim të mirë dhe pa interesa.

1*-Beqir Grebenea u arrestua në Vlorë më 1914.
(përktheu nga italishtja dhe redaktoi: Brunilda Ternova dhe Etnor Canaj)
Image

Post Reply

Return to “Figura kombetare”