"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Ismail Kadare - Kombi Shqipetar në prag të mijëvjeçarit të tretë, Onufri 2013

Ne këtë forum, mund të sillni formatet e digitalizuara të librave që flasin për historinë dhe gjuhën tonë, nga autorët shqiptarë dhe të huaj, më të spikatur.
Nenforumi do të jetë i disponueshëm vetëm pë anëtarët dhe do të ndihmojë ata për konsideratat dhe njohuritë e tyre.

Moderator: bardus

Post Reply
User avatar
Hymniarber
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1017
Joined: Tue Jun 02, 2009 5:04 am
Gender: Male
Location: Arbëria

Ismail Kadare - Kombi Shqipetar në prag të mijëvjeçarit të tretë, Onufri 2013

#1

Post by Hymniarber » Wed Nov 30, 2016 3:01 pm

Miti i katastrofës
Popujt , ashtu si qëniet njerëzore, kanë dëshirë të kujtojnë fatkëqësitë e kaluara. Me kalimin e viteve, shpesh qëllon që këto fatkeqësi të skajuara në ndërgjegjen e tyre, ndryshojnë trajtë, rrallë herë zbehen ose harrohen, së shumti zmadhohen ose nxihen më fort. Në ndryshim me qënien njerëzore, që e ka jetën të shkurtër, jetëgjatsia e kombeve krijon kushte për tjetërsimin e fatkeqësive, të cilat disa herë shndërrohen në mite të vërteta. Në këto mite mbështetet shpesh kujtesa historike, prej tyre ushqehen letërsia dhe artet ose krijohen psikoza fataliste që ngjyrojnë për një kohë të gjatë atë që quhet shpirtësi e një populli. Ndërkaq, kaq raste që prej këtyre miteve ushqehen propagandat shoveniste e doktrinat hakmarrëse kundër popujve të tjerë.
Një nga mitet tipike që gjëndet në historinë e shumë popujve është ai i katastrofës së dikurshmë. Është një thyerje ose një humbje e dhimshme ose disa gjëma të njëpasnjëshme, kujtimi i të cilave nuk ka asgjë të keqe , përkundrazi, shërben për fisnikërimin e një populli, kur selitët në një kah të mbarë. Për fat të keq , koha ka treguar se mund të shërbejë edhe për të kundërtën : për ta egërsuar një popull kundër të tjerëve.
Fatkeqësitë e kaluara të popullit shqipetar, pushtimi osman në shekullin XV, copëtimi i Shqipërisë në fillim të shekullit XX dhe izolimi e saj nga bota, për faj të diktaturës komuniste në gjysmën e dytë të këtij shekulli , nuk krijuan të shqipetarët as doktrina shfarosëse , as urrejtje kundër të tjerëve dhe kjo është një cilësi e admirueshme e tij. Nderimi dhe mbrojtja e tjetrit, e atij që është i ardhur , i huaj , mik ose bujtës, një mëndësi që vjen qysh nga kohërat antike, ka qenë një nga gurët themelore të qytetrimit shqipetare.
Që ky nderim nuk është një shpikje poetësh e as një cilësi e elitës shqipetare , u rivërtëtua gjatë Luftës së Dytë Botërorë. Dhjetra –mijëra ushtarë italianë të mbetur në Shqipëri nën mëshirën e popullsisë së armatosur shqipetare, pas kapitullimit të Italisë,nuk u prekën aspak prej kësaj popullsie, përkundrazi u morën në mbrojtje prej saj. Nga ana tjetër, është një fakt i njohur tashmë se Shqipëria ishte një nga vëndet e rralla në botë , në mos i vetmi, ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.
Diktatura komuniste me politikën e saj veçuese u përpoq ta armiqësonte popullin shqipetar me të gjithë botën, kryesisht me Europën Perëndimore, por nuk ia doli dot. Pas rënies së komunizmit, populli shqipetar dëshmoi ndaj të huajve europianë dhe amerikanë po atë ndjenjë miqësore të dikurshme.
Kjo tolerancë e gjerë e këtij populli, e shoqëruar me tolerancën fetare, gjithashtu të vërtetuar gjatë shekujve, nuk u vu në dukje e nuk u çmua asnjëherë sa duhet. E ishte e nevojshme, për të mos thënë e detyrueshme , të çmohej, sepse kishim të bënim me një shëmbull të shkëlqyer ballkanik, në kohën që gadishulli i madh u përfshi tej e mbanë nga furtunat shoveniste, nga intoleranca e urrejtja etnike e nga krimet e rënda të ushqyera prej saj.
Për t’u kthyer të miti i katastrofës, ky mit te shqipetarët, ndërsa nuk shkaktoi acarimin kundër të tjerëve, mori , për fat të keq , një zhvillim të papritur : revoltim kundër vetvetes. (f9-11)

Psikoza mohuese
Rilindasit duhen lexuar e rilexuar gjithëmonë, sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani, shikojmë se , përveç shqetësimit të tyrë themelor : çlirimit të Shqipërisë e pavarsisë së saj, ishte një ankth tjetër,i vazhdueshëm,i lidhur ngushtë me të parin : Rizgjimi i atdhedashurisë.
Këmbëngulja e tyre për këtë rizgjim , kambanat e tyre, thirrjet e zjarrta , shpeshherë të dëshpëruara « Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar!» dëshmojnë një të vërtetë tepër dëshpëruese : një pjesë e shqipetarëve ishte ftohur prej atdheut të tyre . Turqizimi i qindra-mijëra shqipetarëve , greqizimi i një pjese tjetër , ngatërimi i përkatësisë shqipetare me atë fetare, dëshmonin se ndjenja patriotike te një pjesë e shqipëtarëve ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej. Një pjesë e tyre me lehtësi ishin gati ta këmbenin atdheun e tyre me një tjetër atdhe.
Injoranca e thellë ku u zhyt për shumë shekuj populli shqipetar,mungesa e shkollave, e universiteteve, e akademive, e institucioneve kulturore e, natyrisht ,mungesa e strukturave shtetërore, e zbehu fort shqiptarizmin ose, në rastin më të mirë, e la atë në një nivel parak (primitiv) , që me vështirësi e kapërcente folklorizmin. Në kushte të tilla, takimi me një kulturë të huaj ishte tronditëse për shqipetarët.
Ajo krijonte dy rrjedhime : ose i shtynte ata, që në shëmbullin e kesaj kulture të ringjallnin kulturën e vëndit të vet, ose e kundërta,i largonte përfundimisht prej atdheut. Kështu, në agimin e çlirimit të Shqipërisë, i kemi pasur të dyja prirjet : atdhedashurinë e disave dhe antishqiptarizmin e, disa herë , kundërshqiptarizmin e të tjerëve. Rilindasit u përpoqën si titanët t’i bindin shqipëtarët se nuk duhej të turpëroheshin nga vëndi i tyre, se ata kishin një atdhe të bukur, se kishin një gjuhë madhështore, një nga 5-6 gjuhët themelore të botës, së ishin një racë e bukur trupërisht dhe tepër e aftë mëndërisht , së kishin një histori të shkëlqyer , se gjëmat kombëtare nuk ishin arësye për t’u ftohur me atdheun ,por përkundrazi, për t’u afruar më fort me të.
Aksioni i rilindasve për zgjimin e Shqipërisë ishtë më imadhi e më i gjëri aksion kulturor e patriotik në krejt historinë shqipetare. Rrallëherë emërtimi i një lëvizjeje përkonte me qëllimin e saj , ashtu si në rastin e Rilindjes shqipetare. Në të vërtetë, ishte ajo që e rilindi Shqipërinë, ose për të qënë më të saktë, ishtë ajo që e lindi Shqipërinë moderne.
Që kjo lëvizje e ky vrull të ishin të suksesshëm , rilindasit e himnizuan dhe e sublimuan historinë e shqipetarëve. Ata qëmtuan në të kryesisht kulmet e ndritura, duke mos u ndalur në njollat e saj. Po me këmbëngulje ata vunë në pah vlerat morale e fizike të shqipetarëve, kryesisht virtytet,pa dashur të ndalen në cenet e tyre , që nuk ishin më të pakta se virtytet. Kjo ishte rrjedhojë llogjike e qëllimit të lëvizjes : rifitimin e besimit të humbur.
Një arsye tjetër që e përligjte plotësisht optikën e tyre pozitive ishte propaganda kundërshqipetare, që kishte nisur ndërkaq të kultivohej nga fqinjët e Shqipërisë : kryesisht nga rrethet shovenist serbe e greke. Ishte një propagandë e egër dhe shtazarake që rrallëherë ishte parë në faqe të dheut. Përballë kësaj furtune të sëmurë , rilindasit shqipetarë mbajtën një qëndrim fisnik e të admirueshëm .
Në vënd që të binin në nivelin e saj, duke u përdhosur edhe vetë nga balta e kundërshtarëve, ata zgjodhën përgjigjen e tërthortë : lartësimin e vlerave shqipetarë.
Ky vizion optimist i rilindasve,i përfaqësuar në radhë të parë prej Naim Frashërit e më vonë prej Gjergj Fishtës , u bë objekt vërejtjesh e kritikash më pas e vazhdon ende sot, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Në ngjarjet e fundit tragjike të Shqipërisë ishte pikërisht ky vizion rilindas që u sulmua në mënyrën më barbare. Një grusht intelektualësh renegatë e një grusht politikanësh të papërgjegjshëm , të bashkuar me turmat e vulgut (llumit) shqipetar , u përpoqën dhe arritën t’ia vinin zjarrin Shqipërisë. Qëllimi i tyre ishte zhbërja e Shqipërisë, çka ata e treguan me shkatërrimet e vlerave kombëtare , të atyre që nuk ishin prekur as nga pushtuesi otoman e as nga ai nazist.
Nga këto ngjarje Shqipëria, e ndoshta jo vetëm Shqipëria, por Europa e tërë, nxori një mësim që asnjëherë nuk ka qenë kaq i qartë : në kushtet e demokracisë, turmat vulgarë të fshëhura prapa fjalës « popull » mund të kthehen në varrmihës të demokracisë , po aq sa tiranët, në mos më keq. Kjo është edhe arsyeja që grekët e vjetër,kur diskutonin për demokracinë, për të mirat e të këqijat e saj, ishin tepër gjakftohtë , pa paragjykime, rrjedhimisht pa entuziazëm. Nën trysninë e populizmit të majtë, bota e sotme, ashtu siç ka harruar mjaft mësime të historisë, e ka harruar, me sa duket, edhe këtë mënçuri antike. Shqipëria, që e provoi në mish të saj ç’do të thotë kjo karikaturë e demokracisë shpresojmë të mos e harrojë.
Mësimi, pra , është i qartë : demokracia e pashoqëruar nga një strukturë ligjesh e një strukturë e fortë shtetërore që të sigurojë funksionimin e saj, mund të kthehet lehtë në të kundërtën e vet.
Për sa i përket kritikës ndaj vizionit të rilinasve shqipëtarë, ajo, gjithashtu, duhet parë në rrethanat kur është bërë e në zhvillimin e dramës shqipetare. Ai këndvështrim inkurajues lindi në kushte të caktuara , për një qëllim të caktuar . Në kushte të mëvonshme ,kur kombi shqipetar, ose së paku një pjesë ë tij që e kishte shtetin e vet të pavarur, ndeshej me probleme të tjera, me probleme të së drejtës, të demokracisë, të emancipimit shoqëror etj. ai këndvështrim optimist nuk ishte i mjaftueshëm . Ndaj edhe bota shqipetare kërkoi dhe gjeti shtigje të reja të mendimit e të veprimit.
Ndërkaq duhet thënë se, sipas një tradite të keqe ballkanase e sidomos shqipetare, tradita e të hedhurit nga një skaj në tjetrin, shumë shqipetarë u treguan të paaftë të pranonin zhvillimin e mendimit e të kulturës politike.
Duke mos e kuptuar pasurimin e traditës ata nuk njihnin veç shkëputje të dhimshme, shkëputje të pasuara me rrënim, paroksizmi i të cilave arriti kulmin në mars të vitit 1997.
Në botën e egër ku jetojmë , në kushtet kur Shqipëria është ende e brishtë, kur ajo është realisht e jo mitikisht e kërcënuar, në kushtet sidomos kur kombi shqipetar vazhdon të jetë i prerë më dysh, vizioni rilindas mbetet vizioni bazë për botën shqipetare. Kritika kundër veseve e ceneve tona, ashtu siç bën gjithë bota për vetveten ,nuk është veçse një plotësim i këtij vizioni e jo një përmbysje e tij.
Për të parë më qartësisht si funksionon një bashkjetesë këndvështrimesh, që në shikimin e parë , duket e pamundur, le të kujtojmë Faik Konicën dhe qëndrimin e tij ndaj Naim Frashërit. Konica, përsonalitet brilant i botës dhe kulturës shqipetare, ishtë i pari që u përpoq të hidhte një dush të ftohtë mbi zjarrminë rilindase. Me të drejtë, ai u përpoq t’u kujtonte shqipetarëve jo vetëm cenet e tyre , por edhe mbrapshtitë dhe marrëzitë e tyretë herë pas hershme.
Ndërkaq, e parë nga largësia e kohës, këndvështrimi i tij është kundërthënës. Ai është vetë rilindës e po vetë kthehet kundër rilindasve. Punon e digjet për Shqipërinë e, aty për aty, i pëlqen të tallet me të tjerët që bëjnë të njejtën gjë. E adhuron dhe e lavdëron Naim Frashërin e më pas kthehet e s’i lë gjë pa thënë. Përgjërohet për atdheun që e ka larg, e mbron ku mundet, i del për zot kundër shpifësve e racistëve, pastaj kthehet e shan, e quan Zululand ai vetë, më keq se racist. Mund të thuhet kështu se është ai , vetë Konica, që ngrihet kundër Konicës.
Nuk do të ishte me vënd t’i kujtoheshin këto këtij kolosi të kulturës shqipetare ( në fund të fundit kolosëve u çmohen kryesisht lartësitë) , sikur kjo anë e tij kundërthënësë të mos shfrytëzohej me qëllime të mbrapshta ende sot. Vitet e fundit, kur në prag të hyrjes së Shqipërisë në familjen europiane ,kundër saj e kundër kombit shqipëtar shpërtheu një fushatë e tërbuar raciste, me emrin e Konicës dhe me veprën e tij u bënë spekullime nga më monnstruozet.
Një zhgan intelektualësh antishqipëtar , së bashku me një pjesë të medias botërore, që iu sulën me një urrejtje shtazarake popullit të vogël shqipëtar, për të përbaltur , për ta mallkuar, për ta ndarë përjetë nga familja e popujve europianë, u rrekën ta bënin Konicën flamur të tyre. Ky do të ishte gabimi më i lemerishëm për Konicën e madh. Ndaj , për ta mbrojtur jo vetëm kombin shqipetar, por atë vetë, birin e tij të madh, jemi të detyruar të kujtojmë kundërthëniet ë tij. Në fund të fundit , përçmimi dhe balta që do t’i hidhej këtij kombi do të përbalte , në radhë të parë , fytyrën e kolosit (f 13-21)

Antishqiptarizmi si profesion fitimprurës
Rasti i Konicës , më mirë ndoshta së çdo tjetër, na kujton cilësitë e shqipetarit : edhe kur ngjitet në lartësitë sublime, herë pas here, që nga thellësitë e racës, i vijnë vrullet zëmërake. Por më shumë se kjo, rasti i Konicës shtron një pyetje madhore në këtë fund mijëvjeçari : ç’imazh kanë për vetveten shqipetarët ?
Është një çështje themelore që kapërcen dukshëm anën kulturore e etikë. Ky çmim i vetvetes lidhet me vlerësimin që ata i bëjnë kombit të tyre në përgjithësi, ai lidhet me vlerësimin e atdheut, së fundi ai lidhet me çështjen themelore se sa janë ata të vendosur të mbrojnë ekzistencën e tyre si komb në rruzullin e shqetësuar botëror.
Nuk është as shpikje poetesh, as propaganda nacionaliste, e aq më pak komuniste , të thuhet se vëndi ynë, Shqipëria, ka qënë disa herë në buzë të humnerës. Traktatet për ta ndarë atë midis fqinjëve, programet e doktrinat për ta shpërbërë kombin shqipetar janë aty, në arkivat e shumë shteteve , me data, me vula, me emra. Dhe shumë prej tyre nuk janë aspak të vjetra. Ato kanë në fund vitet 1913, 1918, 1938, e disa janë fare të reja.
Në këto kushte, në kushtet kur tërbimi nacionalist antishqipëtar merr përmasa të tilla, saqë në mars të vitit 1997, në demostratat e Shkupit njërëzit kanë guxim të ulërijnë « shqipetarët në krematorium !» kuptohet që të jesh antishqipetar është fare e lehtë, madje është shpesh fitimprurëse. Kështu, dhe kurrsesi ndryshe, mund të kuptohet vala antishqipëtare që shpërtheu rrotull Shqipërisë dhe brënda në Shqiperi kohët e fundit . Kështu shpjegohet përse një grusht intelektualësh renegatë shqipetarë u bënë befas të përkëdhelurish e disa forumeve ndërkombëtare dhe, ç’është më e keqja, zëdhënësit për problemet shqipëtare.
Shkurt, antishqiptarizmi u kthye në profesion. Është kjo frymë e sëmurë që ndihmoi për rrëzimin e strukturavë të shtetit shqipëtar brënda dy-tri javësh, e cila bëri që gjeneralë dhe oficerë shqipetarë, në mënyrë të turshme , të braktisin postet e tyre, për të përfituar një azil politik në Itali, që vulgu shqipetar t’u vërë zjarrin tempujve të kulturës shqipetare.
Në kushte të tilla, të ulërish ende se në Shqipëri ka patriotizëm të tepruar, se letërsia shqipe është nacionaliste etj. është me të vërtetë thirrje e hapur për tradhti të hapur tashmë ndaj atdheut.
E gjithë kjo lidhet me një sërë pyetjesh themelore : a janë shqipetarët patriotë më shumë se ç’duhet, apo përkundrazi, janë ftohur me vëndin e vet ? A mos po e mbiçmojmë pa të drejtë veten dhe vëndin e tyre, a mos përkundrazi e përçmojnë pa të drejtë veten dhe atdheun, me fjalë të tjera : a e duan këtë vënd që u ka dhënë emrin qysh prej dy mijë vjetësh, apo ëndërojnë ta këmbejnë me një tjetër vend, ëndër e mbrapsht kjo që ka ngritur krye aty-këtu në kohën tonë ? Në prag të mijëvjëçarit të tretë, shqipetarët janë të detyruar të nxjerrin ende mësime nga drama e tyrë, që ndodhet ende në zhvillim.
Në kushtet e një klime të ashpër ndërkombëtare, kur ata, i vetmi komb i ndarë tragjikisht në Europë janë të detyruar të durojnë mospërfilljen botërore për gjëmën që u ka rënë në kokë,në kushtet e vetmisë së tyre, të trysnisë së një propagande dashakeqe që e ka përbaltur imazhin e tyre në botë, duke e paraqitur herë si popull të dhunshëm, herë fondamentalist, herë barbar e herë të lajthitur, shqipetarët janë të detyruar, midis të tjerash, të bëjnë një zgjidhje e sqarim themelor në ndërgjegjen e tyre lidhur me patriotizmin.
Mendimit të mbrashtë që e ngatëron patriotizmin me nacionalizmin, që e paraqet antipatriotizmin si balsam kundër nacionalizmit, ata duhet t’i përgjigjen me një JO të prerë. Patriotzmi nuk është nacionalizëm dhe antipatriotizmi është po aq i rrezikshëm sa shovinizmi.
Ata që i japin shpesh këshillat kundër patriotizmit, e kanë siguruar ndërkaq patriotizmin në vëndet e tyre, dhe si gjithë të velurit i lejojnë vetes luksin të nazetohen më të. Ndërkaq , sovranitetin për vëndin e tyre e kanë siguruar gjatë shekujve , pa kursyer asgjë, madje as forcën e armëve. Askush nuk shqetësohet në Francë kur presidenti e mbaron çdo fjalim me fjalët « Rroftë Franca !», dhe askush nuk acarohet në ShBAkur në të gjitha meshat bekohen shteti amerikan, presidenti i vendit dhe ushtria amerikane.
Le të pranojmë me trishtim se në krejt Gadishullin Ballkanik , në kohën kur shumica e vendeve u përfshinë nga valët e egra nacionaliste, te shqipetarët ndodhi e kundërta. Kjo ishte një rënie në kurth nga më të turpshmet për një komb. Ishte thënë që, pasi u përpoqën t’i japin botës shëmbullin grotesk të popullit të parë pa fe në botë, majmunët e vëndit tonë u joshën nga mbrapshtia tjetër: të japin shëmbullin e popullit PA ATDHE.
Thyerja morale e popullsisë shqipetarë në këtë fund shekulli ishte një nga humbjet më të rënda të tij. Ajo ishtë, me sa duket, rrjedhoja më tragjike e diktaturës sfilitëse komuniste në Shqipëri dhe e terrorit shtazarak sërb në Kosovë e vise të tjera të Jugosllavisë.
Thyerjet morale janë të njohura në jetën e popujve . Ashtu siç janë të njohura ringritjet. Për t’u ringritur, kombit shqipëtar i duhet të tendoset e të nxjerrë nga thellësitë gjithë rezervat që ka skajuar aty, ato rezerva, që popujt, sipas një teknollogjije të lashtë, i ruajnë për ditë të zeza e i nxjerrin në stinë fatkeqësish.
Raportet më atdheun zënë në këtë rast vëndin kryesor. Shqipëria s’ka nevojë për ekzaltimë vulgare, por aq më pak ka nevojë për përçmim. Mendimi se Shqipëria dhe shqipetarët kanë qënë tepër të himnizuar nga kultura shqipetare, ndaj tani duhet t’i rrëzojmë në baltë për t’i sjellë në vete, është doktrinë e antishqiptarizmit.
Kultura dhe mendimi i një populli qëndron gjithmonë në një lashtësi të shquar për ku përpiqet të tërheqë e ta ngrejë gjithë kombin. Dy shekuj më parë, Gjermania e Gëtes dhe e Shilerit ishte shumë larg Gjermanisë së prapambetur e fshatarake e, megjithatë, askush nuk e cilëson mendimin gjerman si elitist ose ekzaltues.
Nisur nga kjo, mund të thuhet pa droje se mendimi rilindas shqipetar, ndonëse tepër i lartë në krahasim me gjëndjen reale të popullsisë shqipetare, ishte plotësisht i përligjur. Nga ana tjetër , duke e pranuar nevojën e plotësimit të këtij mendimi me një vision kritik e qortues (korrigjues) , duke e pranuar, pra, si të drejtë në thelb prirjen kritike të Konicës, megjithatë në emër të një të vërtete madhore , duhet thënë se kritika e tij kundërthënëse ishte në përgjithësi e tepruar dhe e parakohshme.
Vetë ai e dëshmon këtë, jo vetëm me atë pjesë të veprës së tij që është mbrujtur plot dashuri e përgjërim për Shqipërinë, por edhe me veprimtarinë si ambassador i vendit të vet në ShBA , detyrë që ai e kreu shkëlqyeshëm për një kohë të gjatë. Ambasadori me i kulturuar e më brilant i kohës në Uashington , ai bëri çmos të paraqiste Shqipërinë e qytetrimin shqipetar në dritën më të mirë të tij, duke e mbrojtur nga keqkuptimet e nga përçmimi, që ajmé, ishte ngritur disa herë vetë t’ia shprehte vëndit e popullit që e kishte lindur. (f23-28)

Mbi drejtpeshimin
Kombi shqipëtar në këtë fund shekulli vazhdon të përjetojë orën e ligë të tij. Ai është i goditur rëndë në trupin e vet, ngaqë është i ndarë e i shpërndarë në tri shtete. Por ai ka marrë goditje psiqike po aq të rënda, në mos më tepër : ai është i thyer moralisht .
Ringritja morale e popullit shqipetar është aksioni më i ngutshëm në këtë kohë të rëndë. Ai është çelësi, pa të cilin nuk mund të ndërmerret asnjë veprim tjetër shpetuës. Në qoftë se populli shqipetar do të vazhdojë ta përçmojë e ta përbaltë vetveten, në qoftëse ai, në mënyrë iracionale , do të synojë drejt shpërnguljes, qoftë nga trojet e tij në Kosovë, qoftë nga trojet e shtetit shqipëtar, në qoftë së ai do të vazhdojë të ngrejë dorën kundër strukturave shtetërore të tij, të çfarëdolloj ngjyre politike të jenë ato, ai do të ecë drejt greminës.
Kahu i mbarë i një kombi nis nga ai vetë, ashtu siç nis zezona e tij. Mendimi që kombi shqipetar do të ketë për vetvetën , në një mënyrë ose një tjetër do të rrezatojë e do të kthehet në një realitet. Imazhin e mirë ose të keq për një popull nuk mund ta krijojnë për një kohë të gjatë as zyrtarët e tij, por as renegatët e tij ; atë s’mund ta krijojnë as nacionalistët e ekzaltuar, por as vulgu i egër e i verbër. Aq më pak mund ta krijojnë atë dipllomatët mëndjelehtë, gazetarët e pabësë, dënoncuesit, psikopatët dhe paranojakët e dëhur për lavdi.
Njëriu shqipetar, i lodhur nga kalimet e bëfta prej vetmbrojtjes drejt vetëpërbaltjes, dhe e kundërta, ka nevojë më tepër se kurrë për rifitimin e drejtpeshimit shpirtëror. Drejtpeshimi nuk rigjendet duke përdorur përndezjen nacionaliste si kundërhelm ndaj vetpërçmimin, e aq më pak duke e përdorur këtë të fundit si balsam kundër kapardisjes. Për të shmangur kalimin nga një dush i nxehtë në një dush të ftohtë, njeriu shqipetar ka nevojë sot për orjentim të saktë. Disa pyetje të thjeshta , por themelorë e bazë , çohen sot përpara tij : ç’popull jemi ? Domethënë, a jemi si të tjerët ?
A kemi mëkate për të larë, a kemi borxhe për të paguar ? A jemi vërtetë fatkeqë apo ashtu na duket, apo ashtu na pëlqen të shfaqemi përpara vetes dhe botës ? Të gjitha këto pyetjë mund të formulohen në një motërzim edhe më të thjeshtë : ne shqipetarët, pas dymijë vjetësh ekzistencë, tani në prag të mijëvjeçarit të tretë a i kemi ende aftësitë trupore e shpirtërore për të vazhduar të jetojmë si komb, apo koha jonë ka kaluar ?
Pa rënë në kurrfarë optimizmi të kotë, mund të thuhet pa droje se, pikërisht sot, shqipetarët, pavarësisht nga lëngata që u ka rënë e përpiqet t’i vërë poshtë, kanë shanset më të mëdha për të zënë përfundimisht vëndin që prej kohësh e kanë merituar në familjën e popujve. Madje , kjo lëngatë e kjo krusmë e tmerrshme është ndoshta shënja më e sigurtë për një të ardhme plot shpresë. Në jetën e shumë popujve janë të njohura këto gremina, pas të cilave kanë ardhur ngritjet, disa herë marramëndëse.
Le të kthehemi te pyetjet e thjeshta themelore. Fati , ndonësë na është bërë zakon ta mallkojmë, na ka caktuar ne shqipetarëve të jetojmë në një nga zonat mëtë bukura të Europës. Europa vetë, ndërkaq së bashku me ShBA-në, është tani për tani lagjia më luksoze e botës. Ne harrojmë shpesh këtë , harrojmë që ky vënd, sharjet ndaj të cilit i kemi në maj të gjuhës, ky vënd pra , i vendosur midis Venetikut, Romës e Athinës ka një përbërje gjeografike të mrekullueshme, se ai ka një klimë të admirueshme , se ka pasuri natyrore të shumta, se ka ndoshta plazhet më të bukura të kontinentit. Ne harrojmë ç’do të thotë ankthi shekullor i vëndeve që nuk kanë dalje në det, pa përmëndur vëndet e izoluara në thellësi të kontinenteve ,pa përmëndur trojet e gjëra të kësaj bote të mbushura me shkure , shkretëtirat e trishtim, e që mbulojnë tri të katërtat e rruzullit tokësor. Në i harrojmë këto dhe, meqënëse jemi midis një kopshti plot me shtete pasanike, na pëlqen të qahemi që nuk jemi si ata.
Ne vuajmë nga kompleksi i vogëlsisë dhe harrojmë se shtati i popullit shqipetar, pavarsisht nga prerja e trojeve të tij, nuk është aspak i vogël në këtë gadishull, se ai është përafërsisht i barabartë me shtatin e grekëve, të sërbëve e të bullgarëve. Përsëritja gjer në lodhje e shprehjes « Shqipëri e vockël », « popull i vogël », s’është veçse shprehje e një dëshire për të fshehur përtkurrjen e mëtëjshme të këtij populli.
Ndërkaq , porsa diku del në pah ndonjë mendim , ndonjë program ose ndonjë pyetje : përse shqipetarët, ndryshe nga popujt e tjerë, duhet të jetojnë të ndarë , aty për aty harrohet përçmimi për vogëlsinë dhe kumbon shprehja « Shqipëria e madhe » . Kjo shprehje përsëritet më një farë tmerri, si diçka e rrezikshme, thua se në këtë botë vetëm 8 osë 9 milionë shqipetarët po të jetojnë bashkë bëhen të rrëzikshëm për botën !
E ndërkaq, askush nuk thotë, sipas kësaj llogjike, se 90 million gjermanët e bashkuar janë të rrezikshëm, e aq më pak askush nuk thotë se 250 million rusët, bashkë me bombat e tyre bërthamore janë kërcënim për të tjerët.
Në qoftësë s’duhet të vuajnë as nga kompleks i i « vedit të mallkuar » , as nga ai i vogëlsisë numerike, shqipëtarët aq më pak kanë njohur kompleksin e racës. Jo vetëm që në botën e sotme të çliruar nga paragjykimet raciste ata paraqiten një popull i shëndetshëm, si gjithë të tjerët, por edhe në kushtet e dallimeve e doktrinave raciste , duke qënë ndër të rrallët popuj të Europës që nuk u prekën, përkundrazi u lajkatuan prej këtyre doktrinave, shqipetarët, vetvetiu mbetën jashtë këtij trazimi.
Merita e tyre është se ndërkaq ata nuk u dehen nga lajkat raciste dhe përveç theksimit ndoshta të kapardisjes, teoria e racave s’pati pasoje në Shqipëri. Në sferën shpirtërore,në zotërimin apo krijimin e vlerave, shqipetarët s’kanë pasur kurrë arsye t’i kenë lakmi apo smirë të tjerët, aq më pak kanë arësye sot për një gjë të tillë.
Shqipetarët janë krijuesit e bartësit e një prej gjuhëve themelore të njerëzimit, një gjuhë që ka vëndin e saj të paluajtshëm midis dhjetë-dymbëdhjetë gjuhëve kryesore të botës. Një nga vëndët e para të krishtera të Europës, Shqipëria ka qënë rrjedhimisht truall fillestar i qytetrimit perëndimor europian. Nga himni i madh i krishtërimit « Te Deum » , i shkruar nga një peshkop shqipetar mbi një mijë e pesëqind vjet më parë, të mbrojtesit te qytetrimit perëndimor, Gjergj Kastrioti , personazhi më sublim e më i njohur në botë, jo vetëm i shqipetarëve , por i krejt popujve të Ballkanit,i cilësuar si « atlet i Krishtit » , e gjer te murgesha shqipetare Nënë Tereza, gruaja shqipetare më e famshme e botës së sotme,kalon si një fill i ndritur dëshmia e këtij qytetrimi,kaq shumë e kaq me këmbëngulje të mohuar nga dashakeqët e kombit shqipetar.
Dhe kjo është e kuptueshme : duhej fshirë kjo dëshmi për t’iu hapur rruga shpifjeve e shtrëmbërimeve të përbindëshme ,për të ardhur gjer të teza e mbrapshtë se shqipetarët, jo vetëm s’kanë të bëjnë me qytetrimin europian, por janë varrmihës të tij. Gjithashtu në këtë llogjikë të mbrapshtë shpjegohen sulmet që iu bëhen vitet e fundit, prej vetë renegatëve shqipëtarë tashmë, pikërisht gjuhës shqipe, figurës sublime të Gjergj Kastriotit, i cili u quajt « hajdut kuajsh dhe agjent i italianëve » , si dhe krejt traditës kulturore shqipetare të djeshme e të sotme.
Paroksizmi i këtyre sulmeve ishte pranvera e vitit 1997, kur turmat e vulgut shqipetar , të nxitura , veç të tjerash edhe nga këta intelektualë renegatë, u vunë kazmën dëshmive të çmuara të qytetrimit shqipetar, arkivave, teatrove antike , muzeut Gjergj Kastriotit !
Për të vazhduar me vlerat shpirtërore të krijuara nga ky popull, le të kujtojmë poezinë orale shumëshekullore, kodet zakonore , ritet antike, muzikën , koreografinë, kostumet e mahnitshme, për të ardhur gjer të letërsia shqipe. Kjo e fundit, duke u futur në klubin e zgjedhur të letrave të mëdha të botës,u bë veçanrisht e bezdishme për ithtarët e tezës së shqipetarët janë të paaftë për kulturë. Ndaj , ashtu si krejt qytetrimi shqipetar, ajo do të pësonte sulmet e dëshpëruara e vulgare të antishqiptarizmit. Në këtë rast do të ndodhin veprime të turpshme, që asnjë vënd, sadopak dinjitoz,nuk do t’i lejonte kurrsësi. Endacakë të huaj, ata që s’i njeh kush e nuk i pyet kush në vënd të vet, mësuës fshati nga Kalabria apo nga Gjermania e jugut ftohen në Shqipëri për të hedhur baltë mbi letërsinë shqipe e kulturën shqipetare.
Ky racizëm kulturor antishqipetar, i pashëmbullt në botën e sotmë, u bë i mundur për shkak të kundërpatriotizmit shqipetar. Të dy ishin ndër faktorët themelor që mundësuan rrënimin në mënyrë të turpshme të shtetit shqipetar, të ushtrisë, të policise e të krejt ngrehinës shtetërore.
Racizmi kulturor antishqipetar merr pamje edhe më të shëmtuar e të papranueshme. Kur kujtojmë se vetë shqipetarët s’kanë kurrfarë përçmimi ndaj kulturës së të tjerëve. Mungesa e racizmit dhe e shovinizmit të shqiptarët, pjellë e natyrshme e mëndësisë së tyre të hapur e miqësore ndaj të huajve, ndaj mikut, bashkë me tolerancën fetare , tolerancë e thellë , e vërtetë, e papudrosur nga kurrfarë konformizmi, janë , ashtu siç u tha më lart, cilësi të tjera themelore, që dëshmojnë për një nivel qytetrimi të këtij populli kaq të sulmuar për të kundërtën.
Për fat të keq , ashtu si të gjith popujt, shqipetarët kanë cenet dhe veset e tyre,po aq të forta, ndoshta sa virtytet, po ajmé , me spektakolarë se ato.
Ndryshe nga hebrejtë e disa popuj të tjerë , që janë silidarë e të lidhur me njeri-tjetrin , shqipetarët mezi ç’presin rastin për t’u përçarë. Natyra e tyrë tejet individualiste është xehë e pafundme për të pjellë egoizmin , ambicien, smirën dhe etjen për karrierë. Këndej rrjedh vaniteti ,kapardisja e neveritshme e sedra e sëmurë.
Këto cilësi të natyrës njerëzore që ndeshen kudo, bëhen veçanrisht të rrezikshme të shqipetarët, për shkak të traditës së shkurtër të jetës nën një shtet shqipetar. Prej tyre rrjedh një keqkuptim tragjik për lirinë dhe për shtetin . Pa u pajtuar dot me atë ligj themelor që lirinë e njeriut të veçuar e vë detyrimisht në raport me lirinë e të tjerëve, shqipetari shpesh e ka të vështirë të kuptojë se liria njerëzore , ndryshe nga liria absolute e kafshëve, është madhështore pikërisht ngaqë është e vështirë, domethënë e kufizuar nga ligji. Këtej vijnë keqkuptimët për demokracinë, për vetë shtetin dhe ngrehinat e tij.
Koncepti i gjymtë për shtetin , zbehja e tij përpara tërheqjes fisnore apo klanike çon disa herë në konceptin po aq të gjymtë për kombin , kur krahinorizmi kthehet në rival të kombit. Kjo është kushtëzuar, me sa duket, nga jetesa shumëshekullore nën Perandorinë Osmane , pra, nën një shtet që nuk ishte i tyre, rrjedhimisht ndaj të cilit s’mund të kishin as nderim e as dhëmshuri, Periudha e Pavarsisë , ajo e Republikës në fillim e pastaj ajo e Mbretërisë , ishte relativisht e shkurtër, kurse gjatë sundimit të egër komunist, koncepti i shtetit u zbeh përsëri nën peshën e diçkaje të parrokshme, të huaj e, në fund të fundit, të shpëlarë prej çdo ngjyrimi kombëtar, që ishte Partia Komuniste. (f38)

Shqipëria drejt ringritjes
Poetika shqipetare, qoftë ajo e lashta , popullorja, qoftë ajo e poetëve të mëvonshëm, ka krijuar dy klishe bazë për cilësimin e Shqipërisë. Në poezinë gojore, Shqipëria quhet zakonisht « nuse ». Për poetët shqipetare ajo është më tepër « zonjë ».
Është me interes të hetohet se ç’fshihet prapa këtij emërtimi të ndryshëm. Me sa duket , për këndvështrimin popullor Shqipëria është ende e re , pra « nuse » dhe si e tillë ajo e ka jetën kryesisht përpara. Për poetët , duke qënë « zonjë e rëndë », ajo e ka jetuar shkëlqimin e saj. Madje Fan Noli shkon edhe më larg kur e quan « vejushë », « e ve ,e gjorë mbretëreshë pa kurorë ».
Kemi të bëjmë me dy trajtime, njeri drejt së ardhmes, tjetri drejt së shkuarës. Naimi në vjershën « Shpreh » u përpoq t’i bashkonte të dyja në vargjet :
« Lum kush të rrojë, ta shohë zonjë ».
Ndërkaq, duhet thënë se të gjithë poetët që e përfytyruan Shqipërinë si zonjë, e bënë këtë me qëllim fare të hapur : t’i nxisin shqipetarët t’i kthejnë dinjitetin e nderin e humbur, pra ta ribëjnë « zonjë », siç ka qënë dikur.
Po a ka qënë ndonjëherë Shqipëria «zonjë ? E bërë ndryshe, pyetja do të tingëllonte kështu: Kush ka të drejtë, populli apo poetët ?
Me fjalë të tjera, ka qënë nuse apo zonjë Shqipëria ? Apo , edhe nuse edhe zonjë ? Me sa duket, është kjo e fundit që do të mbetet. Edhe nëse nuk ka qënë zonjë në realitet, ajo ka qënë e tillë në trurin e poetëve të saj. Pra, në një realitët po aq të fortë, sa edhe ai që shpaloset trupërisht përpara nesh .
Poetët shqipëtarë, në të vërtetë, duke e quajtur Shqipërinë zonje, u nisën nga një shestim , nga një projekt i së ardhmës. Ata krijuan imazhin e saj, atë që duhej të vinte dhe, për ta bërë sa më të besueshëm atë imazh , për t’u dhënë shpresë bashkëkombësve të vet, ngulnin këmbë që kjo nuk është një shajni, një fantazmë, por përsëritje e një të kaluare. Me imazhin e « zonjës » ata luftuan një portrëtizim të tretë të Shqipërisë, një pamje të përbaltur , të pjellë nga vulgu shqipetar : atë të « Shqipërisë së mallkuar », të « Shqipërisë kuçkë », të Shqipërisë së sëmurë. Ishte ky imazh që u shfaq si një ethe e keqe vitet e fundit, sidomos në marsin e zi të vitit 1997.
Poetët shqipëtarë, sidomos rilindasit, e njihnin mirë këtë cen të njeriut shqipëtar : kalimi nga përndezja e entuziazmi në ligështim shpirtëror. Ndaj ata, me të gjitha kambanat, donin të mbanin lart moralin shqipëtar.
Thyerja e këtij morali në vitet 90, ishte këmbana e zezë që paralajmëroi rrezikun e thyërjes në mes të krejt kombit shqipëtar. Ringritja e Shqipërisë nuk mund të fillojë veçse nga ngritja e moralit, pra nga shëndoshja shpirtërore e saj. Populli shqipetar duhet të bëjë që të heshtin qyqet, që tash ca kohë po i parandjellin veç fatkeqësi dhe vdekje. Ato qyqe duhet të heshtin , në radhë të parë, brënda tij e pastaj, natyrisht , rreth e rrotull. Shëndoshja shpirtërore do ta qetësojë nervozizmin e tij të skajshëm, që nuk është veçsë një shënjë lodhjeje. Kjo do të bëjë që mëndësia e tij të kthjellohet e të jetë e aftë të shestojë strategjinë e tij themelore : Jetën e përbashkët në atdhe.
Ky qëllim madhor është aspirata më e ligjëshme për një popull. Asnjë , asnjë manipulim apo tregëti politike, asnjë trysni shtetesh,lobesh, apo organizmash ndërkombëtarë nuk mund ta pengojë kombin shqipëtar të kryejë atë që të gjitha kombet e tjera të Europës, plotësisht apo gati plotësisht, e kanë kryer : bashkimin e tyre.
Me këtë akt, populli shqipëtar nuk synon asgjë të pazakontë e nuk kërkon asgjë të veçantë : ai kërkon veç normalitetin e vet. Ky normalitet është dhunuar pa mëshirë e ai duhet të qortohet.
Në familjen e popujve europian kombi shqipetar është i vetmi sot që është shenjuar për të keq. Ndërsa të gjithë ecin në një mënyrë normale, ai, i prerë mizorisht, është i detyruar të bëjë rrugën si një i gjymtuar. Një njeri i vetëm, që lëçitet (ndahet) kështu nga të tjerët, egërsohet, e jo , madje, një popull i tërë. Populli shqipetar as ka kryer krime e as ka faje për të larë përpara botës. Ndonëse ka dymijë vjet që ekziston në këtë botë, ai as ka sulmuar kënd, as ka pjellë doktrina për zhdukjen e të tjerëve.
Shprehje të tilla si “Shqipëria e madhe” janë një tallje e një cinizëm i pashëmbullt në botën e sotme. Shqipëria e tkurur në 28000 kilometrat e saj, është e kërcënuar të fajësohet si « e madhe », në qoftë se do të arrijë 45000 ose 50000 kilomëtra, e shteteve të tjera, me shtrirje të përbindshme prej miliona kilometrash katrorë, shtete që kanë bërë krime të frikshme ndaj botës, që kanë pjellë teori të zeza si murtajat, që kërcënojnë njerëzimin më armë bërthamore, nuk quhen « të mëdha ».
Si organizmi që kërkon jetën e vet natyrale, kombi shqipëtar kërkon normalizimin e vet trupor e shpirtëror. Pengimi i tij është thjesht një krim. Ndihma që mund t’i jepet është detyrë humane dhe historike.
Kombi shqipëtar, pavarsisht nga imazhi i shfytyruar që jep , ka shumë rezerva dashurije e sinqeriteti në brëndësinë e vet. Europa e sotme, sado e kompletuar të duket, ka gjithëmonë nevojë për dashurinë e popujve të vegjël, shpesh të haruar.
Mijëvjeçari i dytë ka qënë për shqipetarët tepër i rëndë. Në këtë mijëvjeçar dy shekuj kanë qenë vazhdimisht tronditës për të: i pesëmbëdhjeti dhe i njëzeti. Në të pesëmbëdhjetin ata humbën lirinë, e rifituan,për ta humbur përsëri. E megjithatë, ata dolën nga ky shekull me një ngarkesë shpirtërore heroike që do t’i ushqente gjatë pesë shekujve pushtimi të Perandorise Osmane. Në shekullin e njëzetë, historia e tyrë ishte edhe më e trazuar dhe aspak fatlume. Janë të gjitha gjasat që mijëvjeçari i tretë, pavarsisht nga tronditja e sotme e Shqipërisë , të fillojë mbarë. I mbarë për ata që, ndonëse e kanë quajtur vetën « bij të shqipes » , gjer më sot nuk janë ngjitur dot kurrë në lartësinë e dëshiruar, veç në ëndrat e tyre. E megjithatë, ndonëse krahët disa herë u janë thyer, ata ende vazhdojnë ta quajnë veten njëlloj si më parë. Kjo këmbëngulje dëshmon , në fund të fundit, besnikëri ndaj kodit të moçëm dhe dëshirë për t’iu bindur urdhërit të tij. (f 41- 46)

***
Fere libenter homines id quod volunt credunt
Image

Post Reply

Return to “Letërsi historike dhe analiza gjuhësore.”