Page 1 of 1

200 mijë shqiptarë rrezikojnë të çregjistrohen

Posted: Wed Mar 18, 2015 9:05 pm
by Adriana
“200 mijë shqiptarë rrezikojnë të çregjistrohen”

Partia Demokratike Shqiptare i ka quajtur shfarosëse për shqiptarët projektligjet e qeverisë për letërnjoftimet dhe për paraqitjen e vendbanimit, që tashmë kanë hyrë në procedurë parlamentare. Sipas PDSH-së, nëse Kuvendi miraton këto nisma ligjore, mbi 200 mijë mërgimtarëve shqiptarë nga Maqedonia do t’u çregjistrohen adresat e banimit në vendlindje.

Deputeti i PDSH-së, Gazmend Aliu fajësoi edhe partnerin shqiptar të koalicionit qeveritar, pasi tekstet e këtyre dy projektligjeve janë firmosur edhe nga zv.ministri i Brendshëm, Zemri Qamili, që është nga radhët e BDI-së.

“Projektligjet në fjalë dëshmojnë për të disatën herë sesa e dëmshme është politika dyfytyrëshe dhe servile e BDI-së. Edhe në tragjeditë më të mëdha të shqiptarëve, ata tentojnë të përfitojnë politikisht. Ata kanë lejuar që ligjet të përgatiten fillimisht nga ministrat ose zv.ministrat e tyre, e pastaj i miratojnë në qeveri. Ndërsa pasi vijnë në procedurë parlamentare, për të mbuluar gjurmët e krimit bëjnë sikur kundërshtojnë, e në anën tjetër sigurojnë kuorumin që ligjet të kalojnë”, tha Gazmend Aliu, deputet i PDSH-së.

Por, deputetët e BDI-së kanë ripërsëritur qëndrimin kundër projektligjeve për letërnjoftimet dhe paraqitjen e vendbanimit. Deputeti Talat Xhaferi tha se këto projektligje nuk mund të kalojnë në Kuvend, pasi miratimi i tyre është i pamundur pa votat e deputetëve të BDI-së.

“Ligji për letërnjoftimin, që është në procedurë të rregullt, dhe projektligji për vendbanimet e vendqëndrimet, që po ashtu është në procedurë të rregullt, për ne janë të papranueshëm dhe mund të them shkurtimisht se ato ligje nuk do të kalojnë. Shkurt e qartë ligjet nuk mbështeten, procedurat janë të qarta dhe kjo siguron që ligjet mos miratohen”, tha Talat Xhaferi, shef i grupit parlamentar të BDI-së.

Me projektligjin për paraqitjen e vendbanimit, ministria e Brendshme parashikon që automatikisht të çregjistrojë adresat e banimit të të gjithë shtetasve, që qëndrojnë më tepër se tre muaj jashtë vendit. Nga ana tjetër, me ndryshimin e ligjit për letërnjoftimet do t’u mundësohet qytetarëve të pajisen me këtë dokument në të gjitha qytetet. http://www.pakufije.com/2015/03/17/200- ... jistrohen/