#205
Post
by Adriana » Fri Aug 31, 2012 8:14 am
Nishani: Kosova do të jetë kryefjala e aktivitetit tim
Prishtinë, 30 gusht - Presidenti shqiptar, Bujar Nishani ka premtuar se gjatë mandatit të tij si President do të angazhohet që Kosova të jetë prioriteti kryesor për shtimin e njohjeve, raporton 'Express'.
Ai ka përkrahur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dy vende sovrane për të zgjidhur çështje të caktuara, ndërkohë ka rikonfirmuar edhe njëherë qëndrimin e Shqipërisë, se çështja e kufijve të Kosovës është çështje e mbyllur.
Presidenti shqiptar këto komente i bëri të enjten para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku me rastin e vizitës së tij në Kosovës, është organizuar një seancë solemne.
Presidenti Nishani ka thënë se ish-presidenti Rugova, ishte një nga burrat më të mëdhenj të kombit, “njeriun që politikën paqësore e ktheu në utopi, në një mjet të fuqishëm për artikulimin e aspiratave të një populli për liri”.
Po ashtu ai ka thënë se sot përkulemi me nderim të thellë dhe nderim të madh për komandantin frymëzues, Adem Jashari dhe për të gjithë luftëtarët dhe martirët, që me sakrificën më sublime inspiruan një popull dhe botës i treguan se për liri shqiptarët nuk njohin kufirin.
Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe kontributin e SHBA-ve, BE-së dhe vendeve aleate të NATO-s, që bazuar në parimet e humanizmit dhe vlerat demokratike, vepruan pa hezitim dhe me forcë për të shpëtuar një popull paqedashës dhe liridashës nga kërcënimi i spastrimit etnik.
Presidenti shqiptar, ka thënë se vendimi i fundit i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, që i dha fund pavarësisë së mbikëqyrur, certifikoi arritjet e mëdha të Kosovës brenda një periudhe kohore të shkurtër të konsolidimit të demokracisë, bazuar në ekonominë e tregut, ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut, ndërtimin e një shoqërie multi-etnike, dhe shndërrimit nga një kërcënim në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.
Për më tepër ai ka shtuar se tashmë hapet një kapitull i ri i funksionimit të Republikës së Kosovës, si shtet plotësisht sovran dhe i pavarur, i cili ka të drejtë legale dhe morale për të kërkuar njohjen nga ato vende që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe meriton të zërë vendin e saj të merituar në familjen evropiane dhe institucionet ndërkombëtare. Ai ka premtuar se gjatë mandatit të tij, Kosova do të jetë kryefjala e aktivitetit të tij.
“Angazhohem solemnisht para jush dhe popullit të Kosovës, se gjatë mandatit tim presidencial, Kosova do të jetë kryefjala e aktivitetit tim, në përpjekjet për shtimin e njohjeve ndërkombëtare, pjesëmarrjen në nismat dhe forumet rajonale, mbështetjen e saj në rrugën e integrimit euroatlantik”, ka theksuar Nishani.
Gjithashtu ai ka thënë se virtyti i shqiptarëve ka qenë dialogu, qasja për komunikim. Ai mbetet mjeti më efektiv për zgjidhjen e problemeve mes fqinjëve dhe projektimit të së ardhmes së përbashkët multi-etnike.
Në lidhje me këtë Nishani ka thënë se përkrah dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për të zgjidhur çështjet praktike, ndërsa çështjen e ndryshimit të kufijve, ai e ka quajtur çështje të mbyllur.
“Bazuar mbi këtë filozofi, Shqipëria mbështet bisedimet Kosovë-Serbi për çështje praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, mbështet vijat e kuqe të Qeverisë së Kosovës. Marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen qartë, pa ekuivoke, sa më shpejt, me garanci ndërkombëtare, që të sigurojnë pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale e më gjerë. Më lejoni të rikonfirmoj edhe një herë qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë, se çështja e statusit të Kosovës dhe kufijve të saj është një çështje e mbyllur. Shqipëria mbështet plotësisht tërësinë territoriale të Kosovës, në kufijtë e saj aktual të njohur ndërkombëtarisht”, ka deklarua presidenti shqiptar.
Edhe pse shqiptarët janë të ndarë në dy shtete, sipas Nishanit rrugëtimi i tyre është i përbashkët, integrimi evropian.
“Ne shqiptarët, ndonëse të ndarë në dy shtete, kemi një rrugëtim të përbashkët, të vështirë, por vetëm me një alternativë, integrimin evropian. Ne jemi së bashku në një betejë për të fituar kohën. Kosova ka mundësinë të shfrytëzojë eksperincën e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave, përafrimin ligjor me standardet evropiane, komunikimin me institucionet e BE, bashkëpunimin me NATO-në etj”, ka theksuar Nishani.
Ai ka thënë se pavarësia e Kosovës dhe integrimi i Shqipërisë në NATO, lëvizja e lirë e qytetarëve në Shqipëri, arritjet në procesin e integrimit evropian, fillimi i procesit të integrimit euroatlantik të Kosovës, janë gurë të rëndësishëm kilometrazhi, jo vetëm gjatë njëqind viteve të fundit, por në gjithë rrugëtimin mijëra vjeçar të kombit shqiptar.
Jam fisnike e kam zemren gure,
si Shqiponja ne flamure.
Mburrem dhe jam krenare,
qe kam lindur Shqiptare.
Nga do qe te jem me ndjek fati,
se jam Shqiptare, shkurt hesapi !!
