MYNIH- Skandali seksual ku është përfshirë Frenk Riberi duket se ka trazuar ujërat në shtëpinë e Bajernit të Mynihut, megjithatë futbollistëve të kësaj skuadre u është ndaluar të flasin për këtë çështje në prag të ndeshjes së sotme kundër Lionit. Mesfushori francez është nën hetim për raporte seksuale me një prostitutë minorene, një skandal ku janë përfshirë edhe futbollistë të tjerë të kombëtares së Gjelave, si Sidnej Guvu apo Karim Benzema. Riberi u zëvendësua në konferencën për shtyp nga mbrojtësi Filip Lahm, ndërkohë që në vend të Van Gal, i cili kishte shkuar për një varrim në Holandë, doli ndihmës trajneri Andries Jonker. “Mendoj se të gjithë jeni të interesuar për Riberi, - iu drejtua Jonker gazetarëve. – Frenk u stërvit mirë dhe është në formë të mirë, kështu që do të luajë kundër Lionit”, ishte komenti i vetëm i ndihmës trajnerit. Bavarezët do të jenë në takimin e sotëm pa kapitenin Mark Van Bomel dhe mbrojtësin Holger Badstuber, por sipas Filip Lahm, skuadra është mjaftueshëm e mirë për të mundur Lionin. “Jemi në formë të mirë në javët e fundit, kryesojmë Bundesligën dhe treguam se jemi mirë me goleadën ndaj Hanoverit”, tha Lahm. Ndërkohë, belgu Daniel Van Bujten e konsideroi si tepër të motivuar Frenk Riberi për të arritur kualifikimin në finale përballë Lionit.

Në krahun tjetër, trajneri i Olimpikut të Lionit Klod Pyel beson se skuadra e tij ka klas dhe aftësi për të kaluar Bajernin e Mynihut në gjysmëfinale të Champions League, pavarësisht emrit të madh të kundërshtarit. “Është fantastike për klubin tonë që jemi në gjysmëfinale, - tha ai dje në Mynih. – Por, nuk e kuptoj përse duhet të ndalemi këtu?”, shtoi tekniku i Lionit. Më pas, Pyel vlerësoi bavarezët, por sipas tij, asgjë nuk është e pamundur. “Bajerni vjen gjithë besim, pasi ka marrë edhe një fitore 7-0 në fundjavë, por sërish unë besoj se mund t’u shkaktojmë probleme”, u shpreh ai. Ashtu si Barcelona, Lioni udhëtoi për në Mynih me autobus për shkak të hirit vullkanik të ardhur nga Islanda, që ka bllokuar fluturimet në Evropë. Sipas Klod Pyel, ky udhëtim i lodhshëm nuk do të ndikojë te lojtarët e tij.