Masakrat e Sav Llazarit dhe vrasjet e bandave të policëve serbë në komunat e Kosovës
Dëshmi tronditëse të barbarizmave e grabitjeve sllave ndaj popullsisë shqiptare
Në Arkivin Qendror Shtetëror, dosja 58 e vitit 1944, vijojnë të publikohen raporte që drejtues komunash ju përcjellin prefekturave ku bëjnë pjesë administrativisht, nëpërmjet të cilave publikohen masakrat serbe ndaj popullsisë shqiptare në vitet 1912 deri në 1930. Pjesë e këtij publikimi është edhe raporti mbi sjelljet e autoriteteve serbe kundra shqiptarëve gjatë kohës së sundimit të tyre në rajonin e komunës së Becit.
Në ditët e para e fatzeza që zbritën serbët e malazezët në këto vende, ata u dukën të butë, të sjellshëm dhe sikur të dishin çka don me thanë Qeveri drejtësie. Por sikur thotë një fjalë e vjetër “Ujku qimen e ndërron e vesin s’e harron”, ashtu edhe pushtuesit e Kosovës nuk shkojnë shumë pa i dhanë ngjyrë tjetër sundimit të tyne. Pikësëpari jugosllavët kërkuen dorëzimin e armëve dhe të çdo lande që kanë lidhje me mjete lufte. Shqiptarët e këtushëm, mbas shumë e shumë vuejtjeve shtazore pa kurrfarë mëshire e njerëzie, banë dorëzimin që kërkohesh. Edhe sot kur kujtohen për këtë veprim bahen si të mahnitun. Megjithëse, çdo armë e municon ishin dorëzue, xhandarmëria jugosllave nuk mbetesh kurrë e mjaftueshme, kërkonte rishtas me sasi të shumta tue përdorë çdo mjet barbarizmi që mund të kujtojë historia.
Mbas disa kohe qeveria e bashkueme nën emnin “Jugosllavi” organizojë një bandë vullnetarësh me 2000-3000 serbë e malazez dhe nën komandën e majorit Sav Llazari fillojë të bajë shqiptarët me e ndërrue fenë e deriatëhershme dhe me besue orthodoksizmin e tyne. Sava ka qenë prej Cetine. Për këtë vepër Sava rrahi, pshtyni, shau, vrau, dogji, arratisi dhe çka nuk bani në shqiptarët e këtij rajoni, por kot se qëllimi i tij nuk u realizue. Shpesh herë me qindra e qindra burra shqiptarë lidheshin për gardhije t’oborrevet, në mënyrë që as këmbët e tyne të mos prekeshin në tokë, tue përdorë dru e kamxhik, lageshin me ujë të ftofët në kohën e dimnit vetëm e vetëm që ata nuk pranojshin me ndryshue besim. Përkundrazi, të bazuem në ndërgjegjen e pastër që veprojshin në kundërshtim me çka urdhnohesh prej sllavëve (që s’ka në botë ligjë as moral ma të poshtëm), shtytjet, përbuzjet, sharjet dhe rrahjet ishin ba të zakonshme edhe prej ma të poshtnëve shkieve kundrejt shqiptarëve, sado të njoftun për besë dhe bujari që të jenë. Kur u pa se shqiptarët e pushtuem bjerren gjithçka e që nuk u kishte mbetë gja tjetër pa ju dhanë atyne, veç tokës, këta u kujtuan edhe këtë ta bajshin të tyne. Kështu në vitin 1929-1930 nxurrën në shesh agrarin e tyne mizor e shpirtlig dhe filloj vumje kufijsh përmidis tokash të trashëgueme prej të parëvet, njëkohësisht me vorfnue edhe mjerue mbarë vendasit shqiptarë të këtushëm. Ay i bani të huejat për zotnuesit e deri at’hershëm arat, livadhet, baçet, pyjet, kullosat dhe çdo tokë të vlefshme. Shqiptarët zun të varfënohen sa që dhe buka e përditshme me zor u sigurua, e nga kjo filluan të bëheshin çipçi të shkijeve në tokat e veta. Prodhimet ndaheshin siç i çmojshin ata vetë para se të mblidheshin. Druni u ba i zaptuemë për shqiptarët dhe këta, të shtyemë prej nevojave të domosdoshme, detyroheshin me çelë pyje dhe, mbasi pastrohesh toka prej rrajve e gurve, kishin të drejtë me marrë një pjesë të cungave që i nxirrshin prej dheu e që i përdorshin për djegje. Agrari nuk u njoftonte menjëherë, por u duk herë mbas here e gjithnji tue rëndue kurrizin e shqiptarëvet të lodhun e tue shtue sipërfaqet e sekuestrimit sa që erdhi me zaptimin e oborreve të shtëpive deri në prag të derës.
Kolonistat serb e malazez i ftojshin shqiptarët dhe veçanërisht myslimanët që vendi i tyne ashtë Turkija dhe do të jetë ma mirë të shkoni në kohë atje se sa të çfaroseni prej Qeverisë, gja që simbas dukjevet nuk ish çudi. Ata ngritën kryet dhe morën hov me veprat e tyne brutale ndaj nesh.
Në nji kohë ndodhesh një polic malazez në komunën e Janoshit, me emnin Bullatoviç, dhe kish ba zakon që në sa mbledhje ku ishin shqiptarët ay shkonte dhe, si hynte në odë, vente në majë të pushkës bajonetën e tij të gjatë e kështu me forcë e ngulte në tavanin e odës dhe s’kish njëri që ta prekte deri sa Bullatoviçi dëshironte të largohej.
Shpeshherë patrullat e xhandarmërisë së asaj kohe hyjshin ndër shtëpia dhe ndajshin me gisht të gjithë ata djelmosha shqiptar që njifshin për zotësi personale e ma të zgjuar dhe, porsa u largojshin prej katundit, në ma të parin prrua o gropë që gjejshin ata, djelmoshat tanë pushkatoheshin në vend dhe hudheshin në gropë a prrua ku pushtuesat dëshirojshin.
Edhe ndër kazermat e ushtrisë shpeshherë oficerët serbë thirrshin me listë ushtar shqiptar dhe, mbasi i lidhshin, i vritshin me mitraloz në mënyrat ma të poshtra e ma tradhtare që mund të veprohen prej rracave të këqija të njerzis.
(AQSH, Fondi 410, Viti 1944, Dosja 58, fleta 8-9)
Raport mbi vrasjet dhe djegiet e shkaktueme prej serbo-malazezve në vjetin 1922
Në këtë vjet merr përsipër sigurimin e qetësisë në këto vende një i quajtuni “Milic Kërrsta”, serbjan roje prej Istogut të Pejës, dhe formon nji bandë prej 200-300 vullnetarë civilë serb e malazez dhe fillon shkeljen e Kosovës mbarë. Milic Kërrsta, siç tregohet, paska vu synimin me ba nji shtypje kaq të rreptë në Kosovë, sa që mbas largimit të tij prej këndej mos me mbetë shqiptar i vlefshëm në këto vende. Së pari në këtë rajon ka shkue në katundin Jabllanicë ku ka gjetë dhe kryetarin e komunës Cermjanit, të ndjerin Osman Jahja Aga prej katundit Rashkoc, bashkë me një polic të tijin të quejtunin Ibrahim Kokalla nga Cermjani. Mbas nji britje të fortë, pa as ma të voglin shkak Milic Kërrsta urdhnojë vullnetarët e tij me përdorë pushkën kundra çdo shqiptari që të shifet n’atë katund. Vendasit të trishtuem prej barbarit të mirënjoftun filluen ikjen, por tue qenë të pa armë as mjete të tjera përballimi u zun dhe u pushkatuen personat që poshtëshënohen:
Osman Jahja Aga, kryetar komune, 40 vjeç, nga katundi Rashkoc; Ibrahim Kokalla, polic komune, 35 vjeç, nga katundi Cermjan.
Nga katundi Jabllanicë Qerim Binaku, 16 vjeç; Syl Islami, 50 vjeç; Hajdar Islami, 60 vjeç; Haxhi Bajrami, 40 vjeç; Hysen Bajrami, 34 vjeç; Hashi Neziri, 38 vjeç; Hazir Hasani, 30 vjeç; Zenun Neziri, 30 vjeç; Ramadan Ademi, 50 vjeç; Hasan Shabani, 90 vjeç; Musli Mustafa, 70 vjeç, mbytë prej së Rrehmës; Bajram Rama, 30 vjeç; Jonuz Rama, 25 vjeç; Ali Rexha, 60 vjeç; Selman Myrto, 25 vjeç; Cuf Kadrija, 18 vjeç; Sadik Myrto, 18 vjeç; Ram Hamza, 30 vjeç; Hasan Kasemi, 70 vjeç; Selman Kosumi, 50 vjeç; Sadik Hasani, 30 vjeç; Syl Hasani, 20 vjeç; Bek Tahiri, 22 vjeç; Beqir Hasani, 12 vjeç; Avdyl Zeneli, 50 vjeç; Isuf Zeneli, 30 vjeç; Qemal Qeli, 40 vjeç; Sadik Shotani, 70 vjeç, djegë në zjarmë; Zejnija e Sadik Ramës, 29 vjeç; Ram Ahmeti, 28 vjeç; Fasli Muslija, 40 vjeç; Maliq Muhagjiri, 40 vjeç; Jahja Qarkagjija, 30 vjeç; Haxhi Helshani, 60 vjeç; Rexhep Muhagjiri, 40 vjeç; djali i Rexhep Muhagjirit, 10 vjeç; Zef Zeqiri, 30 vjeç; Niman Zeqiri, 20 vjeç; Selim Bajrami, 20 vjeç; Ram Selimi, 20 vjeç; Ram Sefa, 20 vjeç; Sadik Koka, 40 vjeç; Kamer Syla, 40 vjeç; Mustafa Xhema, 40 vjeç; Mehmet Alija, 35 vjeç; Haxhi Bajrami, 30 vjeç; Selim Kajtazi, 20 vjeç; Zeq Halili, 30 vjeç; Hasan Rexha, 50 vjeç.
(AQSH, Fondi 410, Viti 1944, Dosja 58, fleta 10)
Vrasjet, djegiet dhe plaçkitjet në kohën e
shkatërrimit të Jugosllavisë
Jugosllavët, siç u ditë, deshtën me msye kufijtë e Shqipnisë dhe kur atje hasën në pritat e forta të shqiptarëve vullnetarë u detyruan të kthehen. Kur ranë së dyti në këtë rajon gjetën ndryshe situatën. Kolonistat po shëprnguleshin dhe mbar shteti i tyne po shkatrrohej. Atëherë ata vendosën që secilin shqiptar që do ta takojshin me e vu në pushkatim dhe me këtë rast, në kalim e sipër të katundit Marmull, vranë këta persona:
Gjertgj Marku, 53 vjeç; Marka Gjini, 50 vjeç; Nikoll Ndreca, 40 vjeç; Uk Ndreca, 30 vjeç; Prek Paloka, 30 vjeç; Hil Nikolla, 55 vjeç; Ndrec Bardheci, 56 vjeç; Ndue Preka, 45 vjeç; Zef Ndou, 18 vjeç; Ndrec Shehri, 70 vjeç; Pjetër Mhilli, 32 vjeç, Ded Jaku, 14 vjeç.
Po kjo ushtri, po atë ditë, si kryejn veprimet e tyne mizore në Marmullë ngjiten në Berdosan dhe aty vrasin të poshtë shënuemit:
Prend Biba, 90 vjeç; Bib Prendi, 40 vjeç; Gjok Prendi, 20 vjeç; Marka Preka, 30 vjeç.
Sikur në Berdosan ushtria shkon dhe në Bec. Në Bec një pjesë e popullit largohen dhe një pjesë me shpresa të kota qëndrojnë e fatkeqësisht bien viktimë prej dorës tradhtare të tyre:
Sadik Maxhuni, 90 vjeç, pasi i kanë ngranë bukën, në fund, në lamtumirë e sipër asht pushkatue para shtëpisë; Mus Tahiri, 80 vjeç; djali i Musës, 12 vjeç; Bajram Avdyli, 17 vjeç; Halil Isufi, 24 vjeç; Bajram Kamberi, 45 vjeç; Çel Binaku, 70 vjeç; nanën e Man Halilit me dy gra të reja me fëmi të vegjël, nga të cilat njëna e kish fëmijën në gji dhe për së dekuni fëmija ka pij sisën e s’amës dy dit e dy net; Ymer Zymeri me grue, Rrahman Jeta, 30 vjeç; Mhill Uka, 28 vjeç; Çak Ibrahimi, 20 vjeç.
(AQSH, Fondi 410, Viti 1944, Dosja 58, fleta 11)
Raport mbi djegiet e shkatueme prej serbëve në kohën e shkatërrimit të tyne
Në fshatin Bec:
Personave të poshtëshënuem u janë djegë dhe plaçkitë malli dhe gjaja dhe një sasi e konsiderueshme dami në franga shqiptare, si ma poshtë:
Uk Myrta 10 000, Çel Shabani 12 000, Rexhep Sejdia 10 000, Ali Rama 9 000, Shaban Hajdari 7 000, Metush Sadrija 8 000, Hajdar Alija 7 000, Dervish Bajrushi 10 000, Syl Sadiku 9 000, Isuf Musa 10 000, Syl Smajli 6 000, Zeq Isufi 9 000, Mus Zeneli 12 000, Zef Gjoni 9 000, Aslan Hajdari 9 000, Mhill Ndou 8 000, Rustem Alija 9 000, Çel Deda, 8 000, Bajram Avdyli 9 000, Palush Marku 10 000, Demush Shabani 10 000, Man Halili 10 000, Pal Qerimi 9 000, Pjetër Uka 8 000, Ali Ferizi 7 000, Rrust Tafa 8 000, Ali Binaku 7 000, Sokol Tahiri 8 000, Ndue Cafa 9 000.
Në fshatin Zhdrellë:
Man Alija 14 000, Çun Kola 14 000, Zog Sokoli 14 000, Pjetër Deda 3 000, Ndue Cufa 4 000, Pjetër Uka 2 000, Hysen Leka, 9 000. Gjithë këto barbarizma kanë ngja më datë 13. IV. 1941 nën komandën e Mhill Vukotiçit që ishte kryeorganizator i asaj ushtrie.
Në fshatin Janosh:
Vuksan Gjukoviçi nga Andrijevica ka shkaktue djegiet e shtëpijave dhe marrjen e mallit në sasi të konsiderueshme të personave të mëposhtëm:
Myftar Demës 12 000 Fr., Mic Sokolit 10 000 Fr., Mehmet Ndout 11 000 Fr., Binak Qerimit 9 000 Fr., Gjon Hysenit 10 000 Fr., Tahir Smajlit 8 000 Fr., Preç Markut 9 000 Fr., Kokerr Ndou 9 000 Fr.
Syl Uka u plagos randë prej bandës vullnetare të Vuksan Gojkovcit. Syl Rexhepi vra vdekun po prej kësaj bande. Nikë Çunit djegë shtëpia dhe marrë malli me gjanë, afërsisht 10 000 franga shqiptare dam.
Në fshatin Radoniç:
Sadri Bajrami ra vdekun prej Sim Davidoviçit, kapter i xhandarmërisë prej Serbisë vjetër (vendi ekzakt nuk dihet). Bajram Mehmeti u vra prej çetës së Milic Kërrstes në vjetin 1922. Milic Kërrsta pat djegë Radoniçin me krejtë pasuni që në gjithë katundin ka ba afërsisht 10 000 000 franga shqiptare dam. Damet që janë shkaktue prej serbëve në këto vende asht shumë zor të përmblidheshin të tamanta, mbasi më nevojitet nji kohë e gjatë dhe një mbikqyrje e jashtëzakonshme dhe e matun.
Në fshatin Skivjan:
Kan pru dy të arrestuem prej Palabardhit dhe i kanë vra aty, mandej kanë kërkue dhe vendosë me qëllim pushkatimi, mirëpo një pjesë janë ikë dhe pjesa tjetër jan mbyllë në shtëpia.
Vërtetohet:
Kryesekretari i Prefekturës
Niko Lafe
Prizren, më 2. XI. 1944
(AQSH, Fondi 410, Viti 1944, Dosja 58, fleta 12)
Barbarizmat e sllavëve që kanë bërë drejt elementit shqiptar në tokat e sundueme prej tyne qysh prej vitit 1912 dhe që sot i janë aneksue Mbretnis sonë.
1. Në vitin 1912 asht vra Emin Latifi nga Prizreni, rruga “Mustafa Lita”, nr. 28, prej të quajtunit Dushan Fishiqi e Andreja Fishiqi nga Prizreni, rruga “Haxhi Ymeri”, nr. 7. Vrasja ashtë krye në këtë mënyrë: guximtarët tue qenë të ndihmuem prej çetnikëve serb n’orët e mbramjes të përmendunin e kanë kapun rrugës tue shkue në shtëpi të vet dhe e kanë çue në vendin Kuriçeshme (jashtë qytetit) dhe i kanë shkaktue vrasjen tue i nxjerrë për së gjallit sytë, mandej pre hundën e veshtë, së fundmi therë me bajoneta dhe deri sa i del shpirti luejn me të.
2. Në vitin 1913 asht vramë Shaip Hezeri nga Prizreni, rruga “Kosova”, prej të quejtunit Petro Puzhiçit nga Prizreni, rruga “Kosova” nr. 35, në këtë mënyrë: guximtari, tue qenë i ndihmuem prej çetnikëve serb, në orët e mbramjes të përmendunin e kanë marrun prej shtëpis së vetë dhe e kanë çue jashtë qytetit në vendin e quajtun Vneshta dhe i kanë shkaktue vdekjen tue i nxjerrë për së gjalli sytë, mandej pre hundën e veshtë, e së fundi therë e gri me bajoneta deri sa i ka dalun shpirti.
3. Në vitin 1928 asht vra Asllan Shabani nga Prizereni, rruga “Ismail Qemali” nr.38, prej të quejtunit Dragi Stanojeviç nga Prizreni, rruga “Doktor Shaflaj” nr. 14, në këtë mënyrë: guximtari tue qenë i ndihmuem prej çetnikëve serb dhe këta të veshun e maskuemë me uniformën e xhandarmërisë në orët e mbramjes të përmendunin e kanë marrë prej shtëpis së vet dhe e kanë çue jashtë qytetit në Vneshtë dhe i kanë shkaktue vdekjen tue e therun e coptue me bajonetë.
4. Në vitin 1912 asht vra Rexhep Ahmeti nga Prizreni, rruga “Qafa e Duhles”, Nr.9, prej të quejtunit Nikolla Frankos nga Prizreni, rruga “Dr. Shuflaj”, nr. 36. Vrasja u krye në këtë mënyrë: guximtari tue qenë i ndihmuem prej çetnikëve serb, në orën e mbramjes, të përmendunin e kanë marrun nga shtëpia e vetë dhe e kanë çue në vendin e quajtun Tuzus (vneshtë) e kanë shkaktue vdekjen tuj ja pre kokën e mandej coptue dhe trupin me bajoneta.
5. Në vjetin 1940 asht vra Xhezair Rizau nga Prizreni rruga e punëtorëve, nr. 36, prej të quajtunit Trajko Dimkiqit, nga katundi Zeqisht i komunës Mamushë, nënprefektura e Rahovecit, Prefektura e Prizrenit. Vrasja u krye në këtë mënyrë: Të përmendunit, tue ardhun prej Rahoveci për Prizren, i duelen në pritë guximtari bashkë me shokët e vet dhe e lidhë. Po në atë vend i presin kokën.
6. Në vitin 1912 asht vra Zylfikar Ramadani nga Prizreni, rruga “Kasem Beg”, nr. 30, prej të quajtunve Ilko Ugari dhe Andreja Fishiq, që të dy nga Prizreni. Ata e kanë krye krimin në këtë mënyrë: Guximtarët të ndihmuem kanë marrë nga shtëpia e vetë të përmendunin dhe e kanë çue në fushë përjashta qytetit, në vendin e quajtun Jeni Mejteb, dhe kanë shkaktue vrasjen. Herën e parë dhe për së pari ja kanë nxjerrë sytë e mandej tue pre hundën e veshët dhe mandej e kanë therë e pre me bajoneta sa në të nesërmen, kur e ka marrë xhenazen për me e la imami, nuk ka mujtun me e marrë në dorë e me e la ngaqë ish bamë copë-copë. Funerali asht shti në dhe pa u la.
7. Në vitin 1917 asht vra Isa Karadaklija nga Prizreni, rruga “Atë Shtjefen Gjeçovi”, prej të quajtunit Dushan Saviq. Vrasjen e ka krye në këtë mënyrë: Guximtari, tue qenë i ndihmuem dhe prej çetnikëve serb kanë kenë tek i përmenduni, ku ndodhesh në Marssh, dhe pa pritë e pa kujtue e kanë lidhë dhe vra. Guximtari Dushan, po atë ditë ka shty gjendarmët serb që të mbyllshin dyqanet dhe ku gjejshin nëpër rrugë shqiptar e rrifshin dhe e burgosshin tue u punue çmos.
Komisar i Policisë
Baki Shaqiri
Vërtetohet
Kryesekretari i Prefekturës
Niko Lafe
Prizren, më 31. X. 1944
(AQSH, Fondi 410, Viti 1944, Dosja 58, fleta 13)
Nipi i Sylejman Vokshit tregon për
rezistencën ndaj serbëve të Beqir Regjës
dhe mbështetësve të tij
Dëshmi tronditëse të barbarizmave e grabitjeve
sllave ndaj popullsisë shqiptare
Nëpërmjet një letre që Beqir Vokshi, nipi i Sulejman Vokshit, i drejtonte drejtuesve më të lartë të Mbretërisë shqiptare, mësohet për rezistencën që Beqir Regja dhe mbështetësit e tij, i bënë për rreth një javë masakrave serbe në Bajraun e Gashit, në fshatrat Kersnina, Perlimtare, Ballapoja, Perdalishta Tyçep, Belica, etj.
Në raportin e Beqir Vokshit, mësohet se përpjekjet kanë qenë të përgjakshme, ku nuk kanë munguar edhe dëmet e konsiderueshme në radhët e ushtarëve serb.
Të dalunit në mal të Beqir Regjës e lufta në Podgor
Pjesë nga letra që Beqir Vokshi, nipi i Sylejman Vokshit, nga Gjakova, i dërgon Hoxhë Kadri Prishtinës, Kryetarit të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës.
Beqir Regja i Podgorit, bajrak i Gashit, prej katundit të Kersninës, si kryetar i Perlimtarës në Rakosh, tuj kenë se deri tashti ka shërbye tuj i krye të gjitha detyrat qi i kan takue, për kah zyrtarizmi, mbas padies qi i kan ba disa spiuna e sidomos serbiant kundra tij, tuj thanë se po i ban konak Azem Galicës e komitës shqiptare, asht thirrë ne gjygj në Mitrovicë e ka mujt me e fitue gjygjin. Më 29. 2. 1920 asht kthye me ardhë në Istok t’u Nënprefekti i vendit, të cilit i ka diftue për çashtje të gjygjit.
Nënprefekti i vendit i ka dhënë urdhën Beqir Regjës qi sa ma shpejt me shkue atje ashtu si asht kenë ma përpara edhe i ka ba me dijtë se me të shpejtë asht i detyruem me i mbledhë armët edhe me i bashkue djelmoçat shqiptarë për me i çue asqer.
Beqir Regja, më 1. 3.1920, në nadje herët, asht shkue në katundin e vet Kersnina, prej ku do të shkojke në Perlimtare, por kur asht afrue skej katundit të vet asht ndeshë me ushtarë serbë, të cilët e kishin pasë rrethue katundin tinzisht. Ushtarët serbë, kur panë Beqir Regjën e filluen luftën. Atëherë Beqir Regjës me doemos iu ka dashtë me i kundërshtue e në këtë mënyrë asht fillue lufta, ku me një rreptësi të madhe ka vazhdue gjithë ditën.
Kjo luftë ka kenë tepër e rreptë e shqiptarët me nji qëndrim të lumnueshëm kan zmbrapë rob’ e thmi prej katundit tuj e shtye armikun. Në këtë ditë serbët kanë gjuejtë ma shumë se 600 topa kundra shqiptarëve e n’aksham shqiptarët e këtij Bajraku, mbasi qi kanë mbetë pa fishekë, janë shtrëngue me u zmbrapë tuj shkue në male të nalta afër familjeve të veta. Në këtë mënyrë serbët mujtën me e djegë katundin Kersnina, 20 shtëpi, edhe me i palçkitë edhe i dogjën shpijat e vllaznisë Ali Demaj, në Ballapoja, edhe dogjën shumë shpia në katundin Perdalishta.
Beqir Regja me shqiptarë të Bajrakut të Gashit, kur panë se katundet shqiptare u mbuluen tym e flakë, mësynë katundin Tyçep ku dogjën 50 shpi të serbianëve të vendit edhe dogjën 16 shpi serbjan në katundin Belica.
Serbët me një ushtrisë të fortë kan zanë vendet strategjike e shqiptarët gjinden në male të larta me rob’ e thmië, e prej më 1. 2. 1920 deri më 8. 2. 1920 lufta po vazhdon e topi e pushka s’po pran asnji orë. Për këtë shkak kanë lanë shpijat e veta tuj ikë nëpër malet e nalta në kto katunde: Kersnina e Ballapoja, Istok, Veriç, Shelmenica, Padalishta e Suhagërlla, Rudniku, Shushica, Ufça edhe shumë katunde tjera qi s’po u dijmë emnat.
Zjarmi e flaka asht tuj i shkrumue ato krahina të mjera tash 10 ditë, ku asnjë ora s’pran ky zjarrë, i cili po duket prej vendeve tona. Mbas fjalëve që folëm merret vesh se asht djegë edhe Shoshica, Ufça e shum katunde të tjera.
Në këtë ditë qi ka fillue lufta jan mbetë vdekun dy burra, dy gra e nji vajzë prej katundit Kersnina. Tuj kenë se rrethimi i ktyne krahinave asht i fort e s’ka me mujtë kush m’u afrue aty, asht shkue Musë Feka nëpër anë të maleve të nalta në vend të luftës, i cili në këtë javë ka m’u kthye e do të Ju dërgojmë spiegime të plota përmbi kto lufta.
Shka po duket në këtë pranverë kan m’u njallë luftime të panjohme në Kosovë edhe me sjellje qi kan shqiptarët me këtë mosmarrëveshje ndër vedi do të digjet e mjera Kosovë mbarë. Ju lutemi me dhanë spiegime përmbi çashtje të përgjithshme. Kërkoj me më diftue a me i lanë u shqiptarët me i dhanë armët e me shkue asqer? Ju lutemi me m’iu përgjigjë të pvetunave qi kam me Ju ba tash e mbas tashi e jo mos me m’u përgjegj si deri tash.
Parija e Rekës e sidomos të parët e Vokshit z. Elez Dema, Hasan Bajrami, Sadik Haziri e Hamëz Sefa e të gjith populli i këtij vendi Ju dërgojmë të fala nga zemra.
Me nder
B. Vokshi
(AQSH, Fondi 446, Viti 1920, Dosja 54, fleta 7)
R a p o r t
Mbi barbarizmat sllave në elementet shqiptarë në regjimin ish-Jugosllav
Në vjetin 1913, prej vullnetarëve të Kost Vojvodës, në mbrojtje të pasunis së tyne që të mos u plaçkitej janë vra vdekun personat që shënohen nga katundi Beleg: Isuf Rama, Selman Shabani, Ibish Selmani, Zyber Binaku e Sokol Binaku. Me rastin e vramjes së tyne u janë plaçkitë dhe bagëtitë që kishin pasë.
Në vjetin 1920, në bjeshkën e Prilepit janë vra vdekun Ali Bajrami e Hasan Ymeri të marrun po prej vullnetarëve të Kost Vojvodës për t’ju kallxue komitat shqiptarë dhe, mbasi nuk i kishin gjetë, i kishin vra këta, të cilët i kishin marrë me i përcjell.
Në vjetin 1913 në katundin Gramaçel janë vra vdekun Hajdar Tahiri, Azem Tahiri e Syl Zeqa, për arsye se ish kenë vra një serb prej anës komitës shqiptare. Për këtë arsye serbët të organizuem për ndjekje të çetave të armatosuna shqiptare i kishin vra të tre të nalpërmendunit.
Në vjetin 1929 asht vra Rexh Ali Pozhari, nga katundi Pozhar, prej një të quajturi Sheh Boshnjaku, i cili kish qenë i paguem prej autoriteteve serbe që të vriste të gjithë ata burra të N/Prefekturës së Gjakovës, në të cilët dyshojshin se kanë lidhje me Shqipnin e vjetër.
Në vjetin 1915 janë vra vdekun Can Meta e Shyt Kadrija nga katundi Prokolluk prej vullnetarëve të Kost Vojvodës, të cilët kishin shkue në bjeshkë me ju plaçkitë bagëtinë. Tue mbrojtë bagëtinë që të mos ju plaçkiten Can Meta e Shyt Kadrija vriten vdekun dhe u grabitet dhe bagëtija.
Në vjetin 1927 ka dalë urdhni i autoriteteve serbe që të gjithë të arratisunit të dorëzohen dhe janë të falun. Me këtë rast ishin dorëzue Idriz Beka e Sadik Arifi nga katundi Ratishë e Ultë si të arratisun. Kur janë dorëzue, gjendarmët serbë i kishin marrë me i dorëzue në Gjakovë dhe udhës, bajagi deshtën me ikë, i kishin vra vdekun të dy.
Në vjetin 1920, ushtrija e vullnetarëve e Miliq Kërstes, të dalun nëpër katunde për çetësi, me emen si Jurish Vojvoda, kishin shkue në katundin Maznik e bajagi, si i teshen me komitë, i kishin vra po ata persona që kishin kenë bashkë me ta Hasan Smajli, Dek Sylën, si dhe një grue, Cymen e Sejdi Hasanit.
Në vjetin 1932, në komunën e Irzniqit kish pasë qenë një farë Gaja Dragoviçi kryetar komune, i cili kish pasë ba zollum të madh ndër shqiptarë. Kish pasë dalë nji i qyejtuni Ali Haxhija, po nga katundi Irzniq, e kishte organizue popullin e komunës tue u ankue në autoritetet e larta serbe kundra veprave të të përmendunit Gaje. Ay, tue e pa se populli po e don Ali Haxhinë dhe tue mendue se po ja merr vendin, mbasi në atë kohë kryetarët i zgjedhshin me vota nga ana e popullit, kish organizue nji bandë të armatosun malazez e kish nxan pritë në krye të katundit Irzniq dhe e kishin plagosë.
Për sa i përket reformës agrare, ma tepër se dy pjesë të rajonit të komunës kanë pasë qenë në dorën e kolonistave malazez, ashtu që gjithnjë kan pasë qëllim largimin e shqiptarëve nga Kosova, por mjerisht që të kërkojshin vetë me dalë.
Kryetari i Komunës
Dem A. Pozhari d. v.
Vërtetohet
Kryesekretari i Prefekturës
Niko Lafe
Prizren, më 30. X. 1944
(AQSH, Fondi 410, Viti 1944, Dosja 58, fleta 15)
Masakrat serbo-malazeze ndaj
shqiptarëvet.
Ishte vjeti 1912 kur ushtrit e rregullta serbe drejtoheshin kah tokat e shqiptarëve, të cilat nga nji pakicë aty-këtu e vogël çetash malësore gatoheshin për t’u mbrojtë me gjak. Nji pakicë burra largoheshin me familje në drejtime të padijtun, për të ruejtë nga pusija barbare grat e fëmijët, kurse të tjerët mbetën në vend. Kish fillue lufta. Çetat shqiptare qëndrojshin si vigana ndër pritat që kishin zanë, por fuqitë armike vijshin për herë tuj u shtue. Ndërsa burrat tanë, të cilëve po u mbaronte municioni, u shtrënguen që të lëshojnë atë tokë të shtrenjtë.
Nuk mjaftonte shkelja serbo-malazeze në tokën shqiptare, por edhe tmerr u kish andja të shtijshin nëpër katunde e vaj e zi nëpër familje. Shtëpijat e djeguna me sa pasunina kishin asht e kotë me e diftue mbasi s’do të mbaroheshin kurrë, por po shënojmë dëshmorët e rajonit të komunës së Banjës, të cilët na lanë me betim një fjalë ta mbajmë, që asht: MIKUT FALI ZEMRËN, ANMIKUT SHEKULLUER PLUMIN.
Dëshmorët e dëshmoret janë këto:
Banja, viti 1912: Liman Sahit, Hajrullah Rexhep, Hasan Isufi, Asllan Islami, Bislim Shaban, Beqir Shaban, Hasan Hajdari, Haxhi Behrani, Ali Mehmeti, Sadik Alija, Hysejn Hamza, Musli Hamza, Jashar Hasani, Xhylije Jashar, Shaqir Ibrahimi, Beqir Ibrahimi, Hajredin Demiri, Hamza Haliti, Sejdi Rrustemi, Islam Rrustemi, Zizë Fejzullah Beqiri, Zenel Muslija. Të plagosun gjatë luftimesh janë këta: Isuf Mehmeti, Rexhep Jashari dhe Elez Xhemjeli.
Senik, vjeti 1912: Beqir Rexhepi, Adem Saliti, Ymer Alija.
Bellanica, vjeti 1912: Beqir Abdullahi, Qelebi Abdullahi, Shaqir Abdullahi, Islam Shahsivari, Halit Mustafa, Aslan Sahiti, Riza Mehmeti, Selman Baftjari, Sali Fejza, Sadri Zeqa, Halit Rexha, Osman Murseli, Selman Sul, Zulfa Mustafa, Shaban Alija, Ibrahim Velija, Feta Ademi, Hysen Shama, Riza Veseli, Hasan Azemi, Asllan Shasivari, Dem Zenuni, Shaqir Aredulla, Bahte Aredulla, Halil Mustafa, Xhemal Harulla, Emin Xhema, Asllan Sahiti, Hysen Destani, Sejdi Feka, Xhemail Ibrahimi, Hamdi Iljaz, Latif Bajrami. Janë plagosur këta: Beqir Salihi, Ymer Hasani, Hoxha Lladrofci.
Në vjetin 1912: Ramadan Delija, Dem Bajrami, Rahmon Limoni.
Në vjetin 1937: Jetullah Salih, Xheladin Jetullah, Behlul Bala, Sali i Xhemos.
Lladroviç, në vjetin 1912: Ibrahim Sinani, Shaban Sinani, Shaqir Sadrija, Jetullah Sali, Nuredin Shabani, Xheladin Emini, Friz Meta, Rexhep Sela, Abaz Ahmeti, Marsel Zema, Musli Jakupi.
Javor, në vitin 1912: Sul Delija, Sadri Demiri, Musli Arifi, Liman Sahiti.
Banja, në vjetin 1912: Ali Tahiri, Rahmon Hajdini, Bajram Beqiri, Bajram Sylejmani, Ahmet Rahmoni, Emin Ibrahimi, Qerim Zeneli, Halim Mustafa, Hysejn Murseli, Elmaz Hasani, Shaqir Limani, Sefer Limani, Demish Limanbi, Bahti Shali Ferizi, Pajazit Reshepi, Hasan Halite, Osman Zeqiri.
Guncat, në vjetin 1912: Sali Uka, Lah Hoxha, Qekin Syla.
P. Zav. Kryetar i komunës
Rexhep Banja
(firma nuk këndohet).
Vërtetohet
Kryesekretari i Prefekturës
Niko Lafe
Prizren, më 3. X1. 1944
(AQSH, Fondi 410, Viti 1944, Dosja 58, fleta 16)