Prof. Dr. Muhamet Pirraku

Rrëfimi i studiuesit nga Kosova për dokumentet arkivore të ish-Jugosllavisë në vitet '60 rreth masakrës së marsit 1945.
Çfarë kishin deklaruar drejtuesit e ushtrisë jugosllave që morën pjesë në masakër dhe si është abuzuar me numrin e viktimave dhe shpikjen e "heronjve"
(Vijon nga numri i kaluar)
Urdhëresën për mobilizimin e "njerëzve"(ljudstvo) dhe dërgimin e tyre për plotësimin e njësive të Armatës IV të AJ së ( komandant Petar Drapshin) e dha Shtabi Operativ i UNÇ së dhe i AP së së Kosmetit (komandant Sava Drleviq) mbi bazë të urdhëresës së Shtabit Suprem të Armatës Jugosllave (Komandant J. B. Tito).
Për realizimin e këtij plani antishqiptar në Kosovë, deri më 20 Mars 1945, ishin stacionuar forcat e Divizioni i AJ-së 41, 46, 52, të "Grupit të brigadave" (malazezo-kosovare) dhe të Komandës Ushtarake Krahinore të Kosmetit.
Komandanti S. Drleviq u sugjeronte dhe u urdhëronte njësive që do të ngarkoheshin për t'i "transportuar njerëzit e mobilizuar": "Gjatë transportit të njerëzve komandantët e eshalonëve të kenë kujdes që njerëzve t'ua pamundësojnë dezertimin, kurse gjatë pushimit të bëhet bllokimi i kuarteteve të banimit.
Komandantët dhe komisarët politikë të eshalonëve do të jenë personalisht përgjegjës, nëse nga pakujdesia ua mundësojnë ikjen!"
Përmbajtja e citatit na mjafton të kuptojmë se "njerëzit" (ljudstvo) shqiptarë paraprakisht ishin të apostrofuar si armiq dhe si të tillë po deportoheshin nga Kosova, kurse ushtarakët dhe ushtarët përcjellës të eshalonëve shqiptare i kishin duart e lira dhe jetën e çdo shqiptari të "mobilizuar" me dhunë mund ta vlerësonin me vlerën e një plumbi.
Me shumë saktësi dihet numri i rekrutëve në Eshalonët e Marsit dhe të Prillit 1944, të nisur nga Prizreni; përafërsisht dihet edhe numri i atyre që kanë arritur në Shkodër; si edhe numri i të arriturve në Ulqin; por edhe numri i atyre që arritën në radhët e Armatës IV të AJ-së.
Ka informata bukur të sakta edhe për numrin e atyre që kanë pësuan në kurthet e Përcjellësve serbë, maqedonas dhe malazias të Eshalonëve. Megjithatë për këtu më duhet të bëjë një përjashtim vetëm për Eshalonin e Dytë, i cili e përjetoi masakrën e Një Prillit 1944 , në Oborrin e Monopollit të Duhanit në Tivarin e Ri.
Sipas të dhënave më të sigurta nga Prizreni në këtë Eshalon u nisën, më 26 mars, "rreth 2400", më saktë: "2382 përkatësisht 2380 shqiptarë" kurse në Shkodër arriti më 30 mars në orën 8, kurse rreth orës 11 "Eshaloni me 2370 shqiptarë i është dorëzuar Brigadës X Malazeze".
Tashti detyrimisht pyes: Edhe sikur të ishte pushkatuar i tërë efektivi i Eshalonit të Dytë, a mund të thuhet se në "Tivar i masakruan 4000 shqiptarë"? Sipas Shtabit të Divizionit 46 më 8.IV.1945 në "incidentin e pakëndshëm", në Tivar u vranë "rreth 450 dhe u plagosën rreth 120 shqiptarë".
Nuk është numër i papërfillshëm. Mirëpo, një pasqyrim më të plotë Masakrës së Tivarit ia bëri Zëvendëskomandanti i Divizionit të Armatës IV"- dalmatinase, majori Gjuro Çetnik, i ngarkuar me detyrën e komandantit të Shtabit të Kolonës së Armatës IV për shoqërimin nga Tivari deri në Armatën IV, në Dalmaci të "njerëzve të mobilizuar...". Ai midis të tjerash, saktësoi:
"Rezultat i tërë kësaj është: 550 të nxjerrë nga radhët, prej të cilëve 150 të plagosur, të tjerët të vdekur dhe pak diçka që u fshehën nëpër shtëpi ose ikën. Llogaritet në rreth 430 të vrarë.
Në tërë këtë morën pjesë komandanti (Gasha Markoviq) dhe komisari i Brigadës X dhe gati të gjitha institucionet ushtarake e civile të cilat gjenden në Tivarin e Ri. Shumë prej tyre morën pjesë aktive në atë plojë pushkësh mbi njerëzit..!"
Në vijim komandanti Gj.Çetnik, i saktësoi edhe këto fakte: "Që e tërë kjo të mos bëhej edhe më drastike, ishte fakti se në momentin kur po bëhej ploja arriti një "xhip" automobil me amerikanë deri në afërsi të vendit të plojës.
Për fat, disa udhëheqës tanë u gjendën aty, i kthyen dhe i drejtuan në drejtim të Ulqinit, pa i lënë që të hetonin diçka!? U panë edhe disa civilë, të cilët e fotografuan tërë plojën, por ata më vonë humbën në këtë tollovi.
Për të gjitha këto po bëhen hetime të mëtutjeshme".
Para se të shkonim më tutje kërkohet një sqarim material për konstatimin e Majorit Gjuro Çetnik:"Në tërë këtë morën pjesë komandanti dhe komisari i Brigadës X (malaziase) dhe gati të gjitha institucionet ushtarake e civile të cilat gjenden në Tivarin e Ri. Shumë prej tyre morën pjesë aktive në atë plojë pushkësh mbi njerëzit!".
Pjesëmarrja gjakpirëse ushtarake, e pushtetit dhe e civile malazias të Tivarit të Ri u bë në shenjë hakmarrje e gjakmarrje për humbjet katastrofale të Brigadës së Bokelit në Drenicë në janar dhe shkurt të vitit 1945, si dhe të motivuar nga propaganda serbe për hakmarrjen ndaj shqiptarëve - "...për vrasjen e Miladin Popoviqit..." më 13 Mars 1945.
Është e vërtetë se njësitë partizane malazeze lanë në Drenicë disa qindra "partizanë", por këta këtu kishin ardhur si ushtri e okupatorit, kurse Miladin Popoviqi nuk u vra nga dora shqiptare.
Qartë e saktë: Miladin Popoviqin e vrau serbi Vasa Bogdanoviq nga Gorazhdeci i Pejës, sipas urdhrit të kryeoznasit të Kosmetit, Spasoje Gjakoviq, i cili e zbatoi diktatin e kryeoznasit të Serbisë, Aleksandër Rankoviq, por për vrasës u shpall Mësuesi patriot, Haki Taha, i cili ishte ekzekutuar me plumb në tëmth pikërisht në zyrat e OZN-as, në natën e 12-13 Marsit 1945.
Për instinktin gjakpirës të malazezëve për hakmarrje ndaj shqiptarëve për këto dy humbje malaziase, la një pasqyrim edhe kapiteni i JNA-së, tetovari Bajram Gola, i cili, më 2 Prill 1944, mori pjesë në grupin ushtarak hetimor të JNA-së (në vendin e krimit), për shkaqet dhe përmasat e Masakrës së Tivarit. Kapiteni Gola do të saktësojë: "Klithma luftarake e këtyre shovenëve të tërbuar ka qenë: 'živela osveta! Tako vam je trebalo, Šiptari! (Rroftë hakmarrja!, "Kështu ju është dashur, shqiptarë!" etj.
Pasi e dimë se Masakra e Tivarit është pasqyruar, shkencërisht, ani mirë, detyrimisht duhet të shtrojmë së paku dy pyetje kruciale: E para, a ka logjikë materiale, morale dhe politike që të akuzohet për planifikues dhe zbatues të Masakrës së Tivarit një "komisar i divizioneve (shqiptare) që shkuan në Kosovë", i cili në kohën e krimit ishte në Bosnjë, në luftë për krah forcave jugosllave aleate për çlirimin e Jugosllavisë?!?!; Presidenti Berisha është kategorik se "ka fakte", se "ka dëshmitarë" se ka "dokumente"!?.
Habitëm prej nga ato"fakte"(!?), ata "dëshmitarë" në Shqipëri(!?), ato dokumente në Arkivat e Shqipërisë(?!), kur dihet se LANÇSH-ja nuk e ka pjesën e përgjegjësisë as në planifikim, as në zbatim.
Dhe pse të mos pyesim: Ku ishin historianët akademikë të shumtë të Tiranës që nuk i publikuan ato, të gjitha, tash e njëzet vjet që kur "krimineli" Ramiz Alia ia dorëzoi pushttin pa luftë "demokratit" Sali Berisha. Por, këtu më duhet ta thërras në ndihmë një urti që nuk më ndahet: "Kur debatoni për ndonjë gjë mundohuni të fitoj e vërteta, e jo vetvetja!".
Në burimet historiografike të zëna ngoje përmasat e Masakrës së Tivarit janë treguar më shumë për efekte propagandistike, për efekte politike kundër pushtuesit jugosllav të tokave shqiptare. Në këtë funksion edhe i kam përdor, pa hequr dorë nga përpjekja për të dëshmuar me kokëfortësi, së në Masakrën e Tivarit të 1 Prillit 1945, serbo- malazezet i masakruan 1560-1700 rekrutë, kryesisht shqiptarë.
Por më duhet të saktësoj se përmasat e tragjedisë që i "shpikU" Xani (e të cilave, fatkeqësisht, u jep besueshmëri hajvanllëky ynë medial), janë në funksion të luftës kundër së vërtetës historike, së këndejmi edhe kundër interesave të kombit tonë, për faktin se, nisur nga mësimi i Volterit, "E vërteta mund të plaket, por ajo kurrë nuk vdes"! Një Eshalon prej 2370 vetave nuk mund të prodhoj 4000 të masakruar, e dihet se nuk janë vrarë shumica e pjesëtarëve të Eshalonit të Dytë.
Këtë pjesë të ndihmesës sime në vijim do ta filloj me sentencën e filozofit Karl Popper: "Dija fillon aty ku fillon tensioni midis dijes dhe padijes!"
Meqë të vdekurve u flet vepra që duhet t'ua dëshmojnë të gjallët, në interes të zbardhjes të asaj që diktojnë deputeti N. Hasani dhe presidenti S. Berisha, lidhur me pasojat e krimit serbo-malazias të Marsit-Prillit 1945, e ndie për obligim moral të preki me dorën time një përpjekje të Fadil Hoxhës me shokë' së paku, për t'i rehabilituar, në "heshtje", e për t'i kompensuar viktimat e Masakrës së Tivarit:
Në shkurt të vitit 1971, më ftoi në Lidhjen e Luftëtarëve të LANÇ" të Kosovës "Shoku" Tafil Hoxha, i cili ndonëse qytetar, i kishte të gjitha tiparet e Malësorit, jo aq i dijshëm, por i sinqertë, (i lidhur me nostalgji për Drenicën) dhe patriot vetëm si Ai.
Gati me një ton urdhërues ma shqiptoi detyrën e besuar në "Konfidencë": "Drenicë, Ti po e shëtit Kosovën për hulumtime të historisë, Ta kemi për lakmi! Sipas kërkesës së Shokut Fadil, ta ngarkoj një detyrë që do kujdesë: Ku të arrish, bëre evidencimin e të vrarëve dhe të plagosurve në Masakrën e Tivarit, si dhe të personave që e kanë ndihmuar LANÇ-në, e të cilët më vonë kanë pësuar nga regjimi i Rankoviqit.
Porositi familjarët e tyre të bëjnë kërkesa me shkrim në Zyrat komunale të Lidhjes së Luftëtarëve dhe të bëjnë Lutjet për pranimin e statusit të Luftëtarit të LANÇ-së, njëkohësisht të bëjnë kërkesa për pensione familjare dhe invalidore...!
Këtë kërkesë shtrije gjithandej në Kosovë, por puna të kryhet pa zhurmë, në rrjedh të qetë, që të mos bie në sy të atyre që nuk na donë të mirën...!". Pas tri dite, së bashku me Bacën Tafil shkuam në Katundin e Ri në majebjeshkës së Drenicës, në konak të Bardhec Kajës, jataku i Aradhës së Rakoshit nga mesi i tetorit deri në mesin e nëntorit të vitit 1944, i persekutuar si "jatak" i Bajram e Halit Berishës nga maji i vitit 1949. Mund të konstatojë se, që nga ajo natë Bardhecit iu pranua statusi i Luftëtarit të LANÇ-së, me të gjitha beneficionet që rrjedhin nga ai status.
Atë natë i evidencova shumë emra të Dëshmorëve nga Drenica dhe Llapusha, të rënë në Masakrën e Tivarit, dhe këtu e tutje, sa herë që pata kohë e mundësi materiale të gjurmoj në terren, krejt deri në fund të marsit të vitit 1981, dhe gjatë viteve të 90-ta, i shkela të gjitha viset e Kosovës, dhe i evidencova emrat e shumë dëshmorëve të rënë në Plojën e Tivarit, më 1 Prill 1945.
Nuk kam evidencuar asnjë të plagosur i cili nuk e kishte të rregulluar statusin e Luftëtarit të LANÇ-re. Meqë i besoj porosisë së Alfred N. Ëhitehead: "Të gjitha të vërtetat janë gjysmë të vërteta!"- nuk flas publikisht "gjetjet" e mia për përmasën e Masakrës së Tivarit.




