"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Rrno vetëm për me tregue.

Këtu mund të flisni mbi historinë tonë duke sjellë fakte historike për ndriçimin e asaj pjese të historisë mbi të cilen ka rënë harresa e kohës dhe e njerëzve.

Moderators: Arbëri, Strokulli

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Rrno vetëm për me tregue.

#1

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 5:40 am

At Zef Pllumi (1924-2007)
Pjesë prej librit: Rrno vetëm për me tregue, botim II, Tiranë 2006.
(nga Pjesa I)


Vjeti 1944
Lufta e Dytë Botnore ishte kah mbarimi. Ushtritë gjermane nën presionin e vazhdueshem të aleatve, që randohej përditë e mâ tepër, filluen terhjekjen e përgjithshme nga të gjitha frontet për t’u përqendrue në Gjermani. Natyrisht shtrohej çashtja se kush do ta merrte pushtetin mbas largimit të trupave gjermane. Këto kishin ardhë në Shqipní në Shtatorin e 1943, kur u dorzuen ushtritë italiane t’ardhuna me 7 Prill 1939. Italia u nxuer prej luftet. Nji asamble e shqiptarve u mblodh në Tiranë dhe emnoi nji qeveri kombëtare me nji regjencë prej katër vetësh në krye. Kjo mbeti gjithmonë e diskutueshme, sado që mbante ndër duer të pasigurta frenat e pushtetit ligjor. Pretendentat kryesorë të pushtetit ishin Balli Kombëtar, Legaliteti (monarkistat) dhe Partia Komuniste e mëshefun mbas emnit të Frontit Nacional-çlirimtar. Të gjitha këto organizata ose parti politike i kishin në ilegalitet forcat e veta gjysmë ushtarake-vullnetare, sikur për të luftue pushtuesin e huej, por mâ shumë se kundra gjermanve ato luftojshin ndermjet vedit për të marrë pushtetin sa të mbaronte lufta. Ndër të gjitha këto forca mâ e organizuemja paraqitej ajo që drejtohej prej komunistave, e cila pajisej me armë nga ajri prej anglo-amerikanëve.
Partia Komuniste e Shqipnisë, si e tillë, ishte formue në Tiranë me 8 Nandor 1941 prej jugosllavëve Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, të derguem të Partisë Komuniste të Titos. Këta i shkrinë në nji tri grupet komuniste ekzistuese, atę të Shkodrës, Korçës dhe të Rijve. Ndër këto grupe militojshin me pasion edhe nji pjesë e mirë e asaj rinije shqiptare që andrrojshin përmbysjen e botës së vjetër e të padrejtë, sunduese gjatë shekujsh, mbi të cilën ata me dhunë do të ndërtojshin perandorinë e drejtësisë shoqnore mbi tokë. Propaganda komuniste ishte shumë aktive dhe terheqse në këtë drejtim në të katër anët e Shqipnisë, ndërsa, sidomos në pjesën veriore, shqiptarët kishin ndigjue që me kohë kumbonët e Klerit Katolik mbi terrorin, masakrat dhe mbretninë e urisë që kishin realizue qeveritë komuniste në Bashkimin Sovjetik e në Spanjë. Prandej, simbas nji thanje konfidenciale të Tuk Jakovës, nji ndër përfaqësuesit kryesorë të Partisë së posaformueme, në fillim u sugjerue nji grackë politike, e cila do t’i siguronte Lëvizjes nji mbështetje të sigurtë e përkrahjen pa rezerva të të gjithë elementit të thjeshtë popullor e fshatar vetëm atyne partive shqiptare që do të kishin në udhëheqje njerëz me mbiemnin “Hoxhë”. Por ky sugjerim qe tepër ogurëzi, mbasi solli në fuqi nji tiran gjaksuer, Enver Hoxhën.
Lëvizja N.Ç. e drejtueme prej komunistave, falë dredhive politike e aftësive propagandistike, o organizimit të udhëheqjes ose injorancës e fanatizmit të masave popullore, që prej Tirane e deri në skajet mâ jugore të vendit, pati nji shtrimje të gjanë në antagonizem luftarak me organizatën tjetër të Ballit Kombëtar.
Balli Kombëtar u themelue e u drejtue prej elementave intelektualë nacionalistë që kishin për ideal nji Shqipní të madhe e cila të perfshinte tokat e shqiptarve përtej kufinit dhe të organizonte zhvillimin ekonomiko-shoqnor simbas modelit të Ataturkut në Turkinë e ré.
Në veri të Shqipnisë këto dy organizata nuk ishin aq të fuqishme sa Legaliteti dhe Blloku indipendent. Siç kuptohet nga historia e njerzimit, politika, ndërkohë të kalueme, përgjithsisht nuk ka kqyrë as interesat e popujve, as atę të ideologjive, por mâ tepër ato të klaneve familjare, të cilat, mandej, veshen e mbulohen me mantelin e dëshirave të popujve a por të ideologjive. Në kjoftë se këto shfaqje janë braktisë me kohë ndër shtetet moderne europjane, këtu në Shqipní ishin dhe janë gjithnji në fuqi, pamvarsisht se sundimtarët marrin emna të ndryshëm si: Mbret, Sekretar i Parë, President etj.
Kisha në kopsht të Gethsemanit
28 Nandori 1944 qe nji ditë e ftohtë, e zymtë, ndoshta mâ e zymta që prej shpalljes së pamvarsisë. Qysh në fëmijni këtë ditë e kishim festue me dritë, ngjyra, kangë, brohori e flamuj. Flamujtë ishin naltue në kumbonaret e kishave, por ishin si të vetmuem dhe atę ditë nuk i kqyrte kurrkush. Gjermanët ishin largue të gjithë prej kazermave, zyrave dhe vend-rojeve të tyne në drejtim të Malit të Zí. Shkodra priste hymjen e partizanëve, të cilët ndër kodra të Bardhajve, në Postripë e përtej Urës së Bahçallekut pritshin largimin e plotë të gjermanëve.
Atę natë u ndie zhurma e disa shpërthimeve të mëdha, aq sa u thyen xhamat e shumë shpijave. Nji motocikël gjermane ishte kthye prej Hanit të Hotit për me i ndezë minat e vendosuna ndër urat që lidhshin qytetin me fushat. Mbas atyne bumbullimave që shpallën largimin përfundimtar të gjermanëve, nuk fjeti mâ kurrkush n’atę natë të gjatë. Në Kuvendin Françeskan, ku jetojshem, zotnonte parandjenja se me atę çast Oksidenti po largohej prej nesh me nji hap shumshekullor, se kundra katolicizmit në Shqipní do të fillonte nji luftë, e cila, me gjasë, do të vente në rrezik vetë ekzistencën e elementit katolik në Shqipní. Për klerin katolik nuk qe gjâ e papritun, mandje mund thomi se ishte e parapame. Shumë vjet përpara kishim fillue pregatitjet e të rijve me lekcjone e konferenca për të përballue nji salvim aq mizor sa mund të na kushtonte edhe jetën...
N’orarin e lutjeve të mëngjesit, që prej orës 5 deri 6, u mblodh i gjithë komuniteti françeskan me eprorin, At Mati Prendushin, dhe me lutje të veçanta kërkuem mbrojtjen e të Madhit Zot. Kisha Katolike në Shqipní gjindej në Kopsht të Gethsemanit:
“O Zot, në kjoftë e mundun, largoje këtë kelk prej meje!” Lutja ishte kjo, por u bâ vullnesa e Zotit.
29 nandori gdhini ditë e zymtë dhe e ftohtë në orën 10.30 - 11 nëpër rrugët kryesore të qytetit hyni brigada partizane e prime prej Major Gjin Markut: flamurit kombtar, që valvitnin përpara, i kishin shtue nji hyll të kuq. Na këqyrshim mbas grilave të dritareve. Për hir të së vërtetës, duhet dishmue se popullsia katolike e qytetit nuk merrte pjesë n’ate manifestim, përveç ndonji personi të rrallë, që njihej si prokomunist, ndërsa nji pjesë e madhe e popullsisë muslimane, veshë në tesha feste, jepte dukjen e nji pritje të gëzueshme. Ushtrija partizane, e veshun me gjithnduer uniformash të hueja, paraqitej si nji ushtri e parregullt, leckamane, me opinga dhe e untë. Shka bante mâ shumë përshtypje ishin partizanet. Çfarë nanash mund ishin ato femna me pushkë në krah?
Ndër kazerma nuk kishin shka me bâ, mbasi nuk kishin as rroba fjetje, as ushqime, prandej i shpërndanë nëpër familje: dikund 3, dikund 6-7. Populli i strehoi, i ushqeu dhe u mbush me parazitë. Por nuk ishin rob Zotit: këqyrshin me tinzí nëpër shpija nëse mund gjejshin ndonji gjerman ose “reaksionar” të mshehun. E para punë që banë qe vumja në funksionim e burgjeve, të cilat u mbushën plot e përmajë me njerëz të pafajshëm. Nuk kishin bukë me u dhanë, prandej duhej t’ua çojshin familjet, përndryshe vdisshin. Ushqimet që u dërgojshin familjet ishin mâ shumë për partizanët e unshëm, se për ata të mjerët e torturuem. Menjiherë filluen të shpërndahen fjalë: kanë vra X-in o Y-in; ose për tjerë që ishin zhdukë pa shenj, pa nishan. Kush ishte kryetar i kësaj qeverije? Filloi me u përmendë emni i Enver Hoxhës, deri atëhere krejt i panjoftun për popullin e Shqipnisë së Veriut.
Gjatë muejit dhetor u vendos pushteti i rí i Shqipnisë, që nuk kuptohej mirë nëse ishte ushtarak apo civil: të gjithë ishin të mëdhaj e kurrkush nuk kishte gjâ në dorë, përveç komandantëve partizanë, nga mâ të ndryshmit, të cilët ishin vendosë kush në nji shtëpi, kush në nji tjetër.
Brigadat në Shkodër banë nji riorganizim, dhe kështu Major Gjin Marku me ata të parët që erdhën kaluen kufinin e Shqipnisë për t’u dhanë “ndihmë vëllazërore” popujve të Jugosllavisë. Shkodra u mbush me brigada partizane dhe çuditej se nga erdhen aq shumë ushtarë sa nuk i kishin pasë as ushtritë e hueja! Partizanët thojshin se kishin ardhë për të ndjekë gjermanin deri në Berlin, por ishin pa këpucë ndër kambë. Në përgjithësi ishin njerëz me të cilët nuk mund të flitej, me sjellje të këqija: hajshin bukën e përmbysshin kupën.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Rrno vetëm për me tregue.

#2

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 5:41 am

Shumë ushtri të hueja kishte pá Shkodra, por si këtë kurrnji jo.
Menjiherë, mbas asaj dite të 29 nandorit 1944, në rrugën Shkodër-Podgoricë filloi qarkullimi si kurrë mâ parë, në nji kohë që komunikacioni me Tiranën ishte tepër i vështirë për shkak të prishjes së urave, ndër të cilat filluen me u vendosë trapa lundrues e roje partizane. Kështu malazezë e shqiptarë qarkullojshin mes vedit pa kufi. Kush ishte sundimtari i vërtetë i Shqipnisë? Përgjegjen e jepte “trobojnica”. Flamujt e shumtë tringjyrësh jugosllavë valaviteshin në çdo rrugë, në çdo ndërtesë shtetnore e në çdo shpi. Ku u gjetën aq shpejt e aq shumë ata flamuj që populli i kqyrte me inat, sepse shenjojshin nji robní të ré të kombit shqiptar!
Posa u hapën shkollat, ndër të gjitha, pa përjashtim, erdhën me mësue që të këndohej Hymni i atij flamurit të huej: “Ei sllovenski joshte zhivi”, “ço bajrak ne vije”, “zhivi zhivi jugoslovenski” si edhe “Ide druzhe Tito preko Albanie...preko Albanie...” (Un nuk dij as kuptimin e tyne, as se si shkruhen, por kështu m’kan mbetun në vesh qysh n’atę kohë me gjithë meloditë e tyne).
Hymnet tona të flamurit nuk u ndigjojshin mâ.
Kaluen disa ditë. Vetëm në kumbonaren e kishës françeskane, e cila zotnonte qendrën e qytetit, ende nuk ishte vű “trobojnica”. Flamuri i Shqipnisë, ai i vërteti pa spata e pa hyll, dridhej, përpëlitej i zymtë e i vetmuem: nuk shifte asnji si vedin. Përpiqej me u qindrue stuhive t’atij dimni komunist: ashtu i shkyem e i leckosun valavitej pa pushim. Nji ditë të dhetorit dy partizanë trokitën në derën e Kuvendit Françeskan:
“Duam të hipim në këmbanare.”
Portieri më thirri mue, sepse un ditë për ditë u ngjitshem atje nalt për me kurdisë sahatin, të cilin e shifte gjithë Shkodra. Në të vërtetë, për këte detyrë ishte i ngarkuem At Filip Mazreku: ai kishte vendosë së fundit flamurin e vërtetë të shqiptarëve me 27 nandor 1944, por tue kenë se un ishem i rí e i gatshëm, m’i besoi çilsat e kumbonares. Shkova me vrap e gjeta At Filipin e i thashë se te porta kishin ardhë partizanët e dojshin çilsin e kumbonares.
“Ndigjo, - më tha, - un nuk mund i shof me sy; ti e din se këta mâ kanë zhdukë vllanë tem në Tiranë, pa shęj, pa nishan. Né nuk ia dim as vorrin, që të thomi nji uratë e t’i dërgojmë nji lule. Të lutem, shko ti me ta, çilsat i ke. Por ndigjo këtu: mos i len vetëm as për nji ças. Zoti e din se çfarë kurthesh mund të vejnë!”
“Jemi të dërguar nga komanda për ta hequr atë rreckë që valavitet atje lart. Është turp, - thanë ata, - që mu mbi sheshin kryesor të qytetit të valavitet ajo leckë që nuk e ka as yllin partizan!”
“Eh, po nuk kemi tjetër.”
“I kemi prurë neve, të rinj fringo. Ja flamuri i Jugosllavisë motër, dhe ky me yllin partizan.”
“Dy flamuj? - pveta un. - Po né kemi nji shtizë të vetme; nuk janë vendosë kurrë dy flamuj!”
“Pse, t’Italisë nuk e vendosët ju?”
“Kurrë.”
“As atë të Vatikanit?”
“Jo, kurrë.”
“E si t’ia bëjmë?”
“Si të doni.”
“Ja që do kthehemi; do të marrim edhe një tjatër shtizë, prandaj na prit këtu e mos ik gjëkundi.”
Kur erdhën së dyti me shtizën tjetër, kërkuen prej meje çilsin e kumbonares. U ngjita bashkë me ta atje nalt, përmbi sahat, ku shpalosej flamuri. U mahnitën tue kqyrë qytetin rreth e rrotull.
“Uaaa! Sa bukur!”
Prej aty Shkodrën e kishe në shplakë të dorës. Mbasi u njoftuen me qytetin, atëhere e hoqën shtizën nga ganxha dhe venduen në tę flamurin e rí me hyllin partizan.
M’u rrëqeth i gjithë trupi: ai flamur trim, malok, i rreckosun mbet aty si nji kufomë. Por kur deshtën me çpalosë flamurin jugosllav, nuk gjetën ganxhë.
“Ku ta vendosim shtizën? Këtu nuk ka ganxhë. Dreq o punë! - thanë, mandej pvetën: - A keni pak tel që ta lidhim këtu në parmakë?”
“Jo, nuk kemi. Po kqyri nji herë, po edhe sikur të këtë, këtu teli nuk u qindron stuhive e shtërgatave, se jemi nalt; duhet ganxhë.”
“Dreq o punë, dreq o punë! - thanë. - Ç’na polli! Lipset bërë dhe ganxha. Po si nuk na the që parë?”
“As un nuk e dijshem, nuk u kujtova.”
“Rri këtu, se do të biem një usta.”
Zdrypën e shkuen.
Mbas ndonji ore u kthyen me gjithë nji usta. Ai vendosi edhe dy ganxha tjera. Në anën tjetër të flamurit të Shqipnisë u çpalos flamuri jugosllav. Dy flamuj.
Poshtë, në qendër të qytetit, në shpinë e ré të posandërtueme të tregtarit të madh Zef Kokës, ishte komanda e komandave: Komiteti i Partisë. Dy partizanët me kapota, nga kumbonari, i thirrën dikuj atje poshtë. Ai qindronte në rrugë dhe jepte sinjale me duer. Përsëri i hoqën flamujt dhe u ndërruen vendet: aty n’atę vend ku përpara valavitej flamuri shqiptar, aty u shpalos flamuri jugosIlav. Ndërsa n’anën tjetër kaloi flamuri partizan, të cilit ia ndalonte mjaft pamjen gunga e kishës.
Gjatë darke, në mensën e Kuvendit Françeskan, mbahej nji heshtim i plotë, sikur të na kishte dekë ndokush i familjes. Kurrkush nuk e hapi gojën. Mbas darkës At Mati Prendushi më thirri m’anësh e më pveti:
“Ti i ke çilsat e kumbonares?”
“Po, m’i ka lanë Pater Filipi për me kurdisë sahatin.”
“Ti e vune flamurin jugosllav?”
“Jo, kurrsesi. Erdhën dy partizanë dhe e vunë.”
“A e din ti, - më tha, - se aty n’atę vend me 12 qershor 1913 asht vű për të parën herë në Shkodër flamuri i Skanderbegut, dhe fretënt e kanë ruejt me pushkë në dorë? A e din ti se Pater Gjergj Fishta asht dënue me vdekje për atę flamur? A e din ti se as malazezët, kur kanë hî në Shkodër në 1915, nuk e kanë shpalosë atę flamur? A e din ti...”
“Pater, - i thashë, - të gjitha i dij. Ata që e vunë aty flamurin jugosllav ishin dy partizanë me pushkë, të derguem nga komanda. Shka kishem me bâ un: me u vra me ta?”
“Jo, jo, nuk po të them se ke faj. Por oh, sa turp i madh! Mâ mirë të mos e kishem pá këte ditë! E si mbërrijti me u valavitë flamuri jugosllav mbi kumbonaret e kishave tona? O Zot, shif e gjyko!... Njerëzit e pafé paskan vetëm bark! Po shka thanë ata partizanët, a u bani përshtypje e si e ndien vedin kur vunë flamurin jugosIlav?”
“Thanë se zbatojshin urdhnin e komandës, për mâ tepër ata folën mes vedit që atje nalt në kumbonare të vendosej nji mitraloz.”
“Mitraloz?”
“Po, nji mitraloz, sepse thanë që kumbonari kontrollon gjithë qytetin.”
“Na e kemi dijtë gjithmonë se çfarë lirije na bien serbët! Po çfarë shqiptarësh janë këta partizanë që luftojnë për sllavët? Kanë çue edhe djelmët tanë me i mbytë atje!... Mjerë Shqipnia n’dorë të kujt ka ra!”
Nji paralizë e përgjithshme i ra jetës normale. Nuk pati mâ as rrugë as telefon, as dyqan as tregti, as zyrë as dokumente zyrtare. Rrallëherë vetëm nji copëz e vogël letre me vulën partizane i hapte të gjitha dyerët. Shqipnia e terrorizueme kishte ra në koma. Njerëzit e ditun nuk dijshin mâ kurrgjâ dhe njerëzit e paditun kishin në dorë gjithshka: atę që nuk dihej!
Mbas disa ditësh, mbrenda qytetit filluen operacionet ushtarake: kontrollet. Të gjitha shtëpitë e qytetit, pa përjashtim, kontrolloheshin prej partizanëve t’armatosun, në çdo skutë, në çdo birucë, në çdo oxhak, në çdo quer. Nën pretekstin se ishin në kërkim të “kriminelave” e “reaksionarëve”, këto veprime kishin si qëllim me mbjellë terrorin në gjithë popullsinë, prandej pothuej ndër të gjitha rastet, shoqnoheshin me pushkatime e me burgime.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Rrno vetëm për me tregue.

#3

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 5:42 am

Shumëkush, për t’i ikë terrorit, merrte arratinë ndër male e hidhej n’ilegalitet, ose strukej te ndonji mik besnik. Ndëshkimet për ata që strehojshin “reaksionarët” ishin torturat e tmerrshme dhe pushkatimi, që ndodhte të bahej edhe vetëm pse emni i nji personi ishte i ngjashëm me atę të ndonji tjetni, të cilin e kërkojshin. E shumta e atyne njerëzve, ushtarakë a civila, të ngarkuem me detyra e përgjegjësi, ishin analfabetë ose gjysanalfabetë.
Në fillim të dhetorit 1944 ia behi në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit nji grup i randësishem prej 7- 8 vetash, i shoqnuem prej Kolë Jakovës; thuhej se ky grup kryesohej prej Nako Spirut. Prunë me vedi shumë urdhnesa, si mbylljen e revistës kulturore HYLLI I DRITES, si edhe të gjitha revistave tjera fetare Zani i Shna Ndout, Zgjimi i djelnmisë, Bijat e Zojës etj. Urdhnonin mbylljen e shtypshkronjës si edhe të gjitha shoqatave fetare. “Vizituen” edhe Bibliotekën e Muzeun e At Shtjefën Gjeçovit. Kola kërkoi unazën e Gjeçovit. Kështu thirrej nji unazë antike, me gjasë e shek. I, arit, punim i dyfishtë me mjeshtri të madhe, që kishte nji gur të naltë joproporcional me unazën. Thohej se nji përfaqësues i British Muzeum-it kishte ofrue për tę shumën 14000 sterlina ar. Ndërkaq Kola e muer dhe lëshoi nji letër-vërtetim.
Gjygji në redaksinë e “Hyllit të Dritës”
Në Dhetor e mueren edhe atę e un mbeta përsri vetem. Burgu tash dukej se kishte pak të burgosun. Aty më zuni fillimi i 1948 me nji të ftoftë aq të madh sa edhe mijtë vijshin e më hyjshin nën batanije e, disa herë, më ka ndodhë me i gjetë në nadje të ngordhun në dyshek; perse un i kishem shtypë pa dashje, ndërsa ishem në gjumë.
Me dt. 13 Janar më prunë akt-akuzen. Kjo ishte e formulueme e njajta për 10 persona:
1. - Imzot Frano Gjini
2. - At Mati Prendushi - Provincial i françeskanve
3. - Imzot Nikollë Deda
4. - D. Tom Laca - sekretar i Arqipeshkvit
5. - D. Ndoc Sahatçija
6. - At Mëhill Miraj
7. - D. Nikollë Shelqeti
8. - D. Mark Hasi
9. - Fr. Zef Pllumi
10. - Zef Haxhia
Akt-akuza perbahej prej 14 pikash, të cilat pak a shumë kishin këtë permbajtje:
Të gjithë këta janë klerikë të Kishës Katolike, qendër e obskurantizmit botnor gjatë gjithë historisë.
Se i kanë sherbye skllavopronarve e të gjithë monarkve gjatë shekujve.
Se kanë shkaktue shumë luftra fetare, Kryqëzatat anti-islamike, por kanë pregatitë edhe Naten e Shen Bartolemeut në Francë.
Se kanë pengue shkencen e persekutue shkenctarët tue djegë për së gjalli Galileo Galilein e Xhordano Brunon.
Se kanë bashkpunue aktivisht me të gjitha perandoritë për shtypjen e popujve.
Se kanë bashkpunue me Perandorinë Turke në dam të popullit shqiptar.
Se kanë bashkpunue me Perandorinë Austro-Hungareze dhe kanë pregatitë ardhjen e sajë.
Se kanë pregatitë ardhjen e fashizmit.
Se kanë bashkpunue me mbretin Zog për shtypjen e popullit shqiptar.
Se kanë pregatitë okupacjonin italjan me 7 Prill 1939 dhe atë të fashizmit gjerman.
Se kanë luftue Lëvizjen N.Ç.
Se kanë dashtë me permbysë Pushtetin Popullor, etj.etj.
E lexova aq shpesh këtë akt-akuzë mbasi më kishte marrë malli me i pá germat e alfabetit o dishka të shkrueme. E pata xanë krejt përmendësh, se atëherë kishem nji mendje të mirë e jo si sot. Kjo akt-akuzë më çuditi mjaft edhe i thoshem vedit se duhej t’ishte pregatitë nga ndonji prej agjitatorve që do të jepte provimet e historisë me shkrim.
Mbas tri ditësh erdhën e më muerën. Në oden e Redaksisë të “Hyllit të Dritës” u zhvillue Seanca e parë gjygjsore. Erdh Trupi Gjykues Ushtarak, në mos u gabofsha, me këta persona: Mustafa Iljazi - kryetar, Anastasi dhe nji tjeter oficer dorëcung si antarë, Namik Xhemali - prokuror. Ishte i pranishëm në qoshe të tavolinës edhe nji oficer madhor e nuk dij se pse. Un e askush prej nesh nuk i njifte kta njerz, por me shka mbaj mend u lexuen emnat e tyne aty e mandej tanët si të “pandehur”. Nuk pranohej asnji avokat mbrojtës.
Të parin thirren D. Ndoc Sahatçinë. Un këtë e njifshem vetëm për fëtyrë. Kur ishte famullitar i Velës (Lezhë), vinte disa herë në Kuvend të Troshanit. Thohej se në Seminar ishte kenë studenti mâ i shkelqyeshem ndër mësime. Megjithktë kishte pamjen e nji njeriut mendjelehtë: fliste shumë e qeshte edhe mâ shumë. Thojshin se ishte kenë zogist e bilè për mbretin kishte shkrue edhe nji poemë. Aty para gjygjit foli me oratori si nji “bilbil” komunist.
Un mbeta gojhapun. Aty para syshë m’u rrxue e gjithë historia e Kishës Katolike, ajo e martirve dhe e shęjtenve. Ai bani natyrshem, pa kurrnji shtërngesë të dukshme, deklarata të cilat rrallë herë mund i kishin bâ edhe anmiqt e terbuem të Kishës. Tha se Feja nuk ishte kurrgjâ tjeter, por nji politikë, nji politikë shfrytzuese me rrejtë popujt e me fitue. Se Kleri ishte nji profesjon si të gjitha profesionet e tjera, me qellime fitimit e jeteset. Ai i permbysi me radhë të gjitha dogmat. Ai foli edhe kundra rrfimit tue thanë se ishte nji akt mâ imoral se mbramjet e vallzimit që organizonte rinia komuniste. U tmerrova. Kqyrshem priftent tjerë, Imzot Gjinin, At Mati Prendushin e tjerë. Të gjithë të heshtun në karigat e veta, pa kurrnji lëvizje fëtyre. M’u duk se të gjithë do të folshin kështu. Deri n’at ças un njifshem nji historí Kishe vetem me shęjten, martirë e dijetarë, ndoshta edhe ndonji mkatnuer të ligshtë e të penduem, por kurr kaq hipokritë të pamshirshem. U çatrafilue mendja ime. Si ishte e mujtun që un i larguem nga familja që në moshen 5 vjeçare të ishem rritë aq naiv sa mos me e kuptue tanë këtë hipokrizi të Klerit? Kishem kalue jetë intime me aq shumë freten, ku posë ndonji qyqari, të gjithë tjerët ishin shembull ndër të gjitha virtytet që mund të ketë nji njeri: në modesti, në dashuni për Zotin, fenë, njerzit, të perkurmë e të devotshem, në durim e sakrifica, të palodhun në studime, të gatshem për çdo vuejtje e tash të gjitha këto paskan kenë vetem e vetem hipokrizi? Si asht e mundun që njeriu nuk paska kurrnji qellim tjeter perveç fiteset?... Sa keq paskam mbetë i rrejtun! Edhe vendosa vedi me vedi që kur të flas un do të deklaroj: “Ndigjoni o gjygjtarë: jam largue prej familjes në moshën 5 vjeçare e jam rritë në Kolegjin e Kuvendin Françeskan. Paskam studjue vetem sende që nuk ekzistojnë. Më paskan mashtrue në nji mënyrë aq barbare e aq hipokrite, që un vetem tash po e zbuloj. Un jam i pafaj dhe sot e mbrapa do të jem luftari numer 1 kundër të gjithë ksaj hipokrizie e degjenerimi.”
Dom Ndoci me gjakftofsi, tregoi se si Imzot Volaj, Imzot Gjini, At Matè Prendushi, D. Tom Laca etj. kishin drejtue Partinë Demokristiane e se ishin mbledhë në Lezhë te At Serafin Koda e sa e sa akuza për mbledhje politike. Kryetari i gjygjit ushtarak i bante shumë pvetje, të cilave ai u përgjigjte shpejt, pa ngurrim, sikur të bante nji punë të mirë.
Të gjitha ishin kenë shpifje.
Mbasi mbaroi ai, kryetari thirri At Mëhill Mirajn. Ai foli krejt ndryshej të parit. Tha se ishte kenë gjithmonë teorikisht e praktikisht kundra komunizmit, por kishte punue gjithmonë gjatë jetës për vogjlinë fukará e për popullin. Sa për nji Parti Demokristiane ai tha se deri atëherë nuk ishte formue prej kurrkujë dhe këtë e konsideroi nji gabim të klerit sepse gjatë luftës ajo mund kishte kenë nji faktor i randsishem bashkimit e balancimit. Tha se reaksionarve ilegalë në mal u kishte dhanë ndihma ushqimore mbasi nuk mund veprote kundra dashnisë kristiane e me i lanë njerzit me dekë për bukë. Foli aq bukur e aq trimnisht sa hodhi poshtë krejt projektin e gabuem të deklaratës sime të mundshme.
Mbasi mbaroi fjalën At Mëhilli duel para gjygjit D. Mark Hasi, i cili foli shumë bukur: mbrojti Kishen, Klerin edhe veten.
Mbas tij iu dha fjala Dom Nikollë Shelqetit, i cili foli edhe mâ mirë se paraardhësit. Atëherë m’u zhduk çdo re dyshimi për ndershmërinë e Klerit Katolik dhe e ndjejshem veten krenar.
Më erdh rendi mue.
- Je dakort me akuzën?
- M’asht dhanë gabim.
- Pse gabim?
- Sepse un kam lindë në 1924 e ajo fillon në shekullin e parë mbas Krishtit.
- Po ka pika tjera.
- I ka, por ato flasin për mesjeten e un kam lé në 1924.
- Leni ato ti. Fol për ato të kohës moderne.
- As ato nuk janë për mue se un kam lindë në 1924.
- E morëm vesht këtë dhe mos e persërit më. Të kujtojm se je para gjykatës dhe nuk bëhet tallje. More vesht ti? Vazhdo!
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Rrno vetëm për me tregue.

#4

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 5:43 am

Vazhdova tue tregue se, mbas lindjes sime, ishin vetem dy pikat e fundit: ajo e fashizmit dhe e permbysjes së pushtetit popullor. Vrejta se fëtyrat e gjykatësve ishin mâ kërcnuese. Mbas sa pvetjeve e pergjegjeve të mia erdh puna deri aty që ata më akuzuen se përse un si i rí që ishem nuk kishem marrë pjesë në luftë kundra okupatorve. Edhe un iu pergjegja se zakonisht akuza perfshin se shka ke bâ e jo pse nuk ke bâ, megjithktë un u pergjigjem se mbas fitores së luftës do të vinte problemi i rindërtimit dhe un me anë të vazhdimit të studimeve do t’ishem nji kuadër i aftë, i gatshem për rindertimin e vendit.
Kryetari i gjygjit perfundoi se me të vërtetë në këtë rasë fajsia ime nuk mund provohej me këto akuza, por mâ vonë ishte i sigurtë se do të vijshin tjera.
Mbas meje u paraqit Zef Haxhia i akuzuem si nji nder kryesorët e Demokristianes. Ishte tregtar, konsull nderi i Republikës së Çekosllovakisë gjatë kohës së Zogut dhe në zgjedhjet komuniste të 1945 ishte deputet i Frontit Demokratik. Pamvarsisht se ishte nji katolik fetar i bindun, familja e tij kishte bashkpunue me komunistat. Ai, shpjegoi kjartë e mirë se rregulloret e shoqnive fetare nuk kishin kurrfarë kuptimi politik, por thjeshtë aktivitet fetar. Ai jo vetem që ishte kenë pjestar në këto shoqni fetare, por edhe kryetar i disa prej këtyne organizatave. Kur e pveten për Klerin katolik ai tha se i vetmi gabim që kishte bâ ishte ai i marrjes së subvencionit të huej prej fuqive protektore të kultit, Austri e Itali. Ai tha se i kishte pasë parashtrue gojarisht auktoriteteve kishtare nji plan ekonomik, të bazuem mbi shtëpiat e pronat kishtare, i cili po të organizohej mirë e me kriter nga ekonomista të aftë, do t’i plotsote të gjitha nevojat e Kishës në Shqipní e mos me pasë nevojë me ia shtri doren kurrkujë.
Mbasi mbaroi ai, u mbyll seanca e parë për atę ditë. Na lidhen persri me nji shterngesë prangash pertej ditve tjera. Nuk na derguen në oda ku ishim, por në krahin e rí të Kuvendit ku ishin odat të gjitha të shtrueme me çimento dhe na vendosen tek e tek, nji odë po e nji jo, në mënyrë që mos të kishim kurrfarë mundsie sinjalesh. Roja u dyfishue në korridor. Na fjetem në çimento pa shtrojë, pa mbulojë. Në mëngjes mbas orarit të sherbimeve, na dhane nga nji copë buk misri simbas zakonit dhe nga nji tas ujë, mandej filloi seanca e dytë. Në këtë seancë u shtue numri edhe me dy tjerë: At Donat Kurti e Dom Anton Muzaj.
Seanca e ditës së dytë mund thom pa kurrfarë dyshimit se kje ajo mâ e madhnueshmja në gjithë historinë e Kishës Katolike të Shqipnisë. Përfaqësuesit kryesorë të Klerit Katolik të Shqipnisë ishin në ballafaqim me terrorin mâ të eger komunist që ka njoftë historia. Kisha Katolike paraqitej aty cullak me të gjitha të metat e saj e me të gjithë madhshtinë e saj të patrandshme. Vetem un kam mbetë gjallë si dishmitar i asaj dite.
Folen njani mbas tjetrit Dom Tom Laca, At Donat Kurti, D. Nikollë Deda, At Matè Prendushi e Imzot Frano Gjini.
Dom Nikollë Deda jepte pergjegje për nji të kalueme të largtë e të afërme në lidhje me sherbimin që ai ose klerikë tjerë i kishin bâ imperializmit italian në Shqipní, a por edhe mbretit Zog të shqiptarve. Duhej perligjë ai subvencion që dikur Austria e mandej Italia, kishin dhanë për mbajtjen e Klerit Katolik, si fuqi me të drejtë protektoratit. E pat shumë të vështirë me u përgjegjë të gjitha atyne pvetjeve, sepse në të vërtetë shihej se në të kaluemen ishin bâ edhe gabime në këtë çashtje. U pá kjartë se subvencioni i dhanun ishte nji shumë pothuej qesharake për nji shtet të madh. Por, mâ i madh dukej gabimi i Ipeshkëvisë që me u përlye tue pranue at farë ndihme. Pergjegja jepej se po të refuzohej marrja e saj, ishte sikur të refuzohej edhe proteksioni i jashtëm, i cili ishte i domosdoshem jo vetem gjatë okupacionit turk, por edhe gjatë regjimeve të mavonshme anadollake në nji Shqipní të quejtun të “pamëvarme”. Së dyti, vinte çashtja tjetër e randësishme: si ishte perdorue ky subvencion. Siç u pá, ai u ishte kenë da djoqezave proporcionalisht. E shumta e Ipeshkvijve ua kishin shpërnda priftënve, përse konsujt e këtyne shteteve për këtë insistojshin bilè edhe në nji farë mënyre ndërhyjshin. Kështu jepej pamja e nji korrupsioni politik.
Dom Nikollë Deda dha pergjegje edhe për rrogat mjaft të mira që kishte marrë ai si person edhe prej Italisë, ashtu edhe prej mbretit Zog. Nuk e kam krejt të kjartë se si u mbrojt për ato rroga që merrte nga Italia, por i lidhi dikund me nji nenshtetsi o lidhje familjare. Prej Ahmet Zogut ai kishte marrë rrogen si kapidan. Ai u mbrojt se megjithse në përgjithsi Kleri Katolik shqiptar ishte shprehë në blok kundra Popullores Zogiste, ai vetë si person, bashkë me ndonji kolegë të tij të ngushtë, ashtu edhe si politikë e familjes së tij të njoftun DEDA, kishte të drejten e lirisë së mendimit si edhe të vendimit në favor të monarkut Zog. Përveç ksaj këtë rrogë Ahmeti ia kishte lidhë atij qysh në atę kohë që kishin ikë bashkë e jetojshin të arratisun në Jugosllavi.
Kur i erdhi radha qëndrimit karshi lëvizjes komuniste e pushtetit komunist ai tha haptas: “Ishem e jam kundra komunizmit, sepse komunizmi asht kundra fesë. Megjithktë si prift katolik na komunizmin nuk e luftojmë me armë. Jo vetem kaq, por mâ shumë se nji herë komunistat gjatë luftës janë strehue në shpi time dhe un as nuk i kam pré në besë, as nuk i kam luftue për me ruejtë të paprekun nderin e virtyteve të shqiptarve, si edhe për arsyen humanitare që nuk mund ia mohoj buken kurrkujë që ka nevojë”.
Çashtja e tij e fundit ishte organizimi dhe pjesmarrja në lëvizjen e Postripës me 9 Shtator 1946. Ai u pergjegj: “Ajo mbledhje e bame në shpi të Cin Serreqit nuk ishte mbledhje politike, por ishte 28 Gusht, dita e emnit e Cin Serreqit dhe siç e kemi pasë zakon deri tash, na e festojmë diten e emnit e bashkohen miqët për urime, nuk kemi bâ kurrnji plan për përmbysjen e pushtetit”.
Pothuej të njajtat akuza i drejtuen edhe Dom Tom Lacës, Sekretar i Arkipeshkvisë Metropolitane të Shkodrës. Dom Toma në pamje dukej si natyrë e ndrojtur, por ai pa farë frige u kundershtoi të gjitha akuzave, tue fillue te Galileo Galilei e Xhiordano Bruno e deri te Lëvizja e Postripës. Sa për subvencionin tradicional të marrun prej Fuqive protektore të Kultit, ai e cilsoi të drejtë mbasi kulti asht nji nevojë e popullit. Por populli katolik shqiptar ishte kaq i vorfen sa nuk kishte mundsi me e mbajtë klerin e veprimtarinë fetare. Tue kenë se shteti turk nuk jepte për Kishen Katolike, ashtu as shteti shqiptar mâ vonë, atëherë nji subvencion i huej, pa impenjime politike, ishte i domosdoshem. Të gjitha këto i tha me nji qetsí të madhe. Atij i kishte rastisë disa heresh me asistue në pushkatimet që ishin bâ te Zalli i Kirit, mbas vorresh, prandej dukej se ishte miqsue me vdekjen.
Atëherë u suellën te Dom Anton Muzaj. Ata e patën prű bashkë me At Donatin në fillim të ksaj seance, por kur e prunë, policët e bâjshin mâ shumë në krah se sa ai mund ecte. Për né, kje sikur të na bijshin mbrendë nji kufomë. Ishte bâ dyll i verdhë, ŕsht e lkurë. Me vështirsi të madhe kollitej. Torturat e kishin çue në gradë të fundit. Kur e thirrën gjykatsit e patën mirësjelljen dhe e pveten: “A mund qëndrojsh në këmbë?” U pá se nuk qëndronte, i aviten karrigen dhe filluen pvetjet. I kishin dhanë akuzen si nji agjent i derguem prej Vatikanit për subversion në Shqipní. Ai pergjegjej me vështirsi të madhe jo prej frige, por aq e kishte fuqinë që i kishte mbetë në trup të sakatuem.
Me folë të drejten nuk e trajtuen me aq harbutllek sa na tjerve, e shifshin se ai nuk kishte ma jetë dhe mund u vdiste aty parasysh, e pveten shumë pak dhe mandej thirren At Donatin.
At Donati kishte pamjen e nji njeriut rigjid edhe ashtu ishte: mâ shumë rigjid ndaj vetes edhe mandej edhe ndaj tjerve. Asht njeri mâ i perpiktë në të gjitha drejtimet që më ka takue me njoftë në jeten time. Kundërshtimi filloi që në pvetjet e para formale:
- Je beqar?
- Pse më fyeni? Un nuk jam ai beqar që mendoni ju, por jam Meshtar Katolik që don me thanë se kam profesion çelibatin.
- Je beqar apo jo?
- Jam Meshtar Katolik.
Ata e mueren shumë inat. Pveten njani-tjetrin: “Si ta shkruajmë?”. Nji prej tyne e pveti:
- Je i martuar?
- Ju e dini që nji Meshtar Katolik nuk martohet.
Atëherë filloi akuza: “At Donati bashkëpuntor i At Anton Harapit dhe i gjermanve; At Donati organizator i rinisë femnore katolike antikomuniste; At Donati edukator i Kolegjit Françeskan që ka rritë anmiq si ky që kemi këtu para syshë, Zef Pllumin; At Donati drejtor i lyceut Françeskan “Illyricum”, që ka pengue ndër studenta idetë komuniste dhe ka marrë masa të rrepta ndaj studentave, që përqafojshin këto ide”.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Rrno vetëm për me tregue.

#5

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 5:43 am

At Donati akt-akuzen zyrtare e hodhi poshtë me përbuzje. Mandej, kur filloi debatin për akuzën si bashkpuntor i At Anton Harapit, ai atę e lavdoi si nji nga njerzit e rrallë që ka pasë Shqipnia e se ndjehej i nderuem me kenë bashkpuntor i tij. Edhe tregoi se për shumë vite ishte kenë bashkpuntor në edukimin e rinisë shqiptare. Kur erdhi puna dhe e pveten për At Antonin si regjent, ai u pergjegj se At Antoni me sakrifica kishte pranue at detyrë të naltë për mos me e lanë vendin në anarki, dhe e quejti heroizem patriotik, mbasi as nuk e bante këtë për lavdí, as për fitime personale, por vetem që të mund t’i sherbente popullit shqiptar në nji kohë aq të vështirë.
Trupi gjykues u skandalizue nga këto pergjegje dhe i bani pvetjen tjetër:
- Si e konsideron ti pushtimin gjerman?
At Donati u pergjegj se ai nuk ishte marrë kurr me politikë, por ato shka ai vetë kishte jetue mundej me e pohue publikisht se gjermanët nuk kishin ardhë me pushtue Shqipninë dhe as nuk nderhyjshin ndër punët e mbrendshme të shqiptarve. Ai tha se formimi i ansemblesë në Tiranë, zgjedhja e regjencës dhe e qeverisë ishin vepra të patriotve shqiptarë dhe jo të ushtrisë gjermane që interesohej vetem për pikat strategjike gjatë luftës globale.
Gjykatsit tue ndie këto fjalë i bijshin kresë me grushta: ishte e pakuptueshme në atę kohë si mund gjindej nji njeri që mbronte gjermanët dhe nji regjim kuisling. Sa për çashtjen e organizatave femnore “Bijat e Zojës” ai deklaroi se ajo ishte nji shoqni fetare e themelueme para mâ shumë se tridhetë vjetësh, me qellim edukativ për me formue brezin e rí të nanave shqiptare me kulturë të shëndoshë e me karakter të fortë dhe me besim të ngultë në Zotin. Ai si drejtor i saj në këto vjetët e fundit ishte perpjekë me të gjitha fuqitë, që në këtë shoqatë thjeshtë fetare mos të depërtojnë asnji rrymë politike e partive të krijueme e aq mâ ajo e rinisë komuniste, e cila sillte shkatrrimin moral në trajtat mâ të dukshme. Ai pohoi se po këtë drejtim kishte mbajtë edhe si drejtor i shkollës françeskane të lyceut të barazuem “Illyricum”, sepse ishte i mendimit që rinia studentore nuk duhej të merrte pjesë në asnji rrymë politike e se detyra e tyne ndaj vetes, familjes, shoqnisë e atdheut ishte vetem studimi, pregatitja serjoze për jeten.
Kur i tha këto, shpertheu nji stuhi sulmesh nga ana e Prokurorit e trupit gjykues. Veprimi i At Donatit u quejt nji tradhtí e naltë, sepse rinia kishte në dorë fatet e atdheut. I prunë si shembull gjimnazin e shtetit, ku vetë profesorat kishin dalë në mal me studentat e klasave të veta për shpëtimin e atdheut. At Donati, i patrandshem siç ishte në mendimet e veta, u tha:
- Gjithshka ishte nji gabim fatal. Ata profesora kanë tradhtue detyren e arsimtarit. Arsimtari e ka për detyrë me i rranjosë studentit dashuninë për atdhenë, por arsimi nuk asht politikë dhe as nuk duhet t’i sherbejë kurrnji rryme partiake. Politikën nuk e bâjnë arsimtarët e studentat, por e bâjnë politikanët e ata politikanë që shfrytzojnë rininë studentore si mish për top, ata nuk janë të ndershem.
- Po luften kush e bëri? Rinia e bëri, rinia e shpëtoi atdheun nga armiqtë! Sot rinia e ka në dorë! Sheh ti apo jo?!
- Un e shof mirë, - tha At Donati, - por këtë un e quej fatkeqsi kombtare. Kur vjen puna me mbrojtë lirinë e atdheut, luften do ta bâjnë tanë populli e jo vetem rinia studentore. Un kam dhanë mësim edhe në Shkencat e Natyrës, dhe kur nxansve u kam folë mbi bleten, u kam tregue se si ato me kujdesin mâ të madh e me dashuninë mâ të madhe ushqejn e rrisin mbretneshat e ardhshme: pa mbretneshë nuk ka bletë, ajo që nuk e ka do të zhduket. Kështu asht edhe me shoqninë njerzore. Shkollat janë ato që pregatisin udhëheqsat e kombit. Në kjoftë se i shuejmë këto i kemi bâ atentat jetës e përparimit të kombit: nji komb pa udhëheqsa të pregatitun kurr nuk do të perparojë.
Mbas këtyne fjalve shpërthyen breshni të shamesh:
- Monarkist!, tradhtar!, gomar! A nuk e sheh se sot që e ka në dorë rinia e opinga, populli e gëzon lirinë?! Reaksjonar i qelbur! - bilè prokurori i bani edhe nji shenj kercnimit.
At Donati me urdhen u ul në karrigë. Ata nuk mund i ndiejshin mâ fjalët e tija. Atëherë thirren Imzot Frano Gjinin. U çue prej karrige i gjatë, i thatë si nji asket.
- Je dakord me akuzen?
- Në kurrnji pikë.
- Ti je një prej klerit të lartë dhe do përgjigjesh këtu për të gjitha bëmat tuaja të fëlliqura, që nga kryqëzatat e organizuara prej jush e deri në pjesmarrjet e fundit për të përmbysur Pushtetin Popullor. Ju nën maskën e fesë u keni shërbyer të gjitha perandorive pushtuese: Turqisë, Austrisë dhe Italisë. Kleri Katolik ishte agjentura më e ndyrë dhe më tradhtare gjatë historisë së popullit shqiptar. Ato subvencione që keni marrë nga Austria dhe Italia për sytë e bukur tuaj janë dhënë?
- Nuk e kam ndër mend t’u pergjegjem pvetjeve për ngjarjet historike aq të largta mbasi më mungon edhe kompetenca e nji historiani. Un mendoj se asht e kotë të pvesish sot: “Shka deshten kryqtarët në Palestinë e shka deshten turqit në Shqipni”. Na nuk i shkaktuem ato ngjarje, por vetem i konstatojmë e gjindemi para fakteve të ndodhuna. Kryqtarët e atëhershem, ndoshta, mund pergjegjeshin se donin nji rrugë të lirë për me shkue në vizitë te Vorri i Krishtit. Po turqit si do të pergjegjeshin? Shka do të kenë bâ të parët tanë nuk jemi na përgjegjës as juridikisht, as historikisht. Secila kohë ka njerzit e vet, mendimet e veta e metodat e veta, të drejta ose të gabueme, për to na mund jemi vrojtuesa, nxansa ose gjygjtarë, por jo kurr pergjegjsa. Sa për subvencionet e marruna nga Shtetet protektore të kultit, kjo e drejtë u kishte ardhë katolikve të Shqipnisë qysh në kohen e sulmeve të para të turkut, bilè Skanderbegu kje ndër të parët që e kerkoi atę nga Papa. Mâ vonë, turku u detyrue ta pranojë ligjrisht këtë proteksion të katolikve prej frangut. Katolikët nuk janë pajtue kurr me pushtimin turk e sot si mund japim na pergjegje si agjenta e bashkpuntorë të turkut?!
- Po subvencionet që merrnit prej Austrisë, patriotike i quani ju? Ato ishin thjeshtë për agjenturë.
- E para fuqi mbrojtëse e katolikve në Perandorinë turke ishte Franca. Mâ vonë kur ajo refuzoi ta ushtronte mâ gjatë, e muer mbi vedi Perandoria Austro-Hungareze. Kjo perandori historikisht ishte anmike e turkut, i cili kishte mbrrijtë me rrethue edhe Vjenën. Kjo i ka ndihmue gjithmonë shqiptarët me u çue kundra pushtuesit turk. Vetë 28 Nandori 1912 i Vlonës, i dedikohet mâ shumë politikës austrijake sesa perpjekjeve të shqiptarve. Gjatë pushtimit turk, kleri katolik e mbështeti politiken e Austrisë në Shqipní, pse ajo ishte proshqiptare. Perbrí Ismail Qemalit, Nën/kryetar i Qeverisë ishte Imzot Nikollë Kaçorri: edhe kjo quhet tradhtí?
- Austria donte ta pushtonte ajo vetë Shqipërinë, siç e pushtoi në 1916, kleri katolik e pregatiti këtë pushtim dhe mandej u hodh në krahët e Italisë fashiste.
- Kleri katolik në Shqipní nuk ka thirrë, as pregatitë kurr ndonji pushtim të huejin i kujtdo kjoftë kenë. Edhe sikur t’i thirrshim na, ata nuk do të na ndigjojshin, aq mâ pak me komandue na ushtritë e hueja: kishin strategët e vet.
- Me këto fjalë ti thua se as Italia fashiste nuk ishte e thirrur prej jush? Po ne kemi dokumenta! Po subvencionin përse e keni marrë? Edhe ti vetë me dorën tënde e more, apo jo?
- Sa për subvencionin që kam marrë nuk kam asnji të breme ndërgjegje: Un ato pare nuk i kam ndalë as për vedi personalisht, as nuk ua kam da priftenve të djoaezit tim, por të gjitha i kam shpenzue për ngritjen o meremetimin e objekteve të kultit. Si flas për vedi, flas në përgjithsi edhe për tanë Kishën Katolike në Shqipní. Cili institucion tjeter, e pa dyshim as vetë shteti shqiptar, ka subvencionue aq shumë për kulturën shqiptare? Në dorën e klerit katolik ishin tri gjimnaze, sa e sa shkolla fillore, shtypi mâ i mirë i vendit për të gjitha kategoritë e njerzve ishte në dorën tonë. Muzeumet e bibliotekat vetem në dorën tonë, të krijueme e të mbrojtuna prej nesh. Na kemi lanë vedin mangut për gjithshka, vetem që t’i sherbejmë ngritjes kulturale të popullit e ju sot na akuzoni këtu për nji shumë qesharake që merrej si subvencion i fuqive mbrojtëse të kultit katolik në Shqipní, i cili nuk asht asnji hundë burrnot karshi shpenzimeve e sakrificave që kleri katolik bante për popullin shqiptar.
- Meqë ishit kaq patriotë përse formuat Bashkimin Kombtar në Seminarin tuaj, përse organizuat 9 Shtatorin që të përmbysni me armë Pushtetin Popullor?
- Un nuk e mohoj faktin që në Seminarin Papnuer të Shkodrës u formue “Bashkimi Shqiptar”, nji organizatë politike e studentave, e cila gjatë fushatës elektorale para zgjedhjeve hodhi shumë trakte antiqeveritare në qytetin dhe rrethin e Shkodrës tue grishë popullin që të abstenojë. Por këtë akt zyrtarisht kleri katolik nuk e ka perqafue. Un si i ngarkuem i përkohshëm i delegacionit Apostolik, i kam dergue këtë vendim Seminarit Papnuer të Shkodrës, që pjesmarrsit në këtë aksion politik kanë shkelë randë disiplinën e Seminarit, aq sa me vű në rrezik dhe jetën e Superjorve, prandej u hiqet e drejta e vazhdimit të studimeve.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Rrno vetëm për me tregue.

#6

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 5:44 am

- Ne i kemi heq jetën e ti i heq të drejtën e studimeve? Ç’thua ti?
- Ligjërisht vetëm këto janë masat që mund të merren ndaj tyne dhe janë mâ të randat. Shka keni bâ ju asht e paligjshme, sepse keni shpallë “fushaten elektorale” dhe këtë veprim ata e kanë krye gjatë fushatës elektorale. Ata nuk kanë veprue kundra ligjit tuej, por kundra disiplinës së Seminarit. Ata që vepruen kështu ishin të gjith të rij me ide nacionaliste. Të rijtë bâjnë gabime mâ shumë se njerzit tjerë: ata duhet të qortohen, por jo të pushkatohen. Të rijtë kanë të drejten me jetue.
- Ti, në fillim deklarove se Kleri Katolik nuk e kishte përqafuar këtë veprim dhe tani i del zot! Këtu shihet qartë se ishe një ndër ideatorët kryesorë të Bashkimit Shqiptar, ashtu si je ndër kryesorët e 9 Shtatorit. Çfarë ishin ato letrat tuaja dërguar misjoneve të huaja Francës, Anglisë dhe Amerikës?
- Un as nuk kam pasë kurrfarë dijenije për veprimet e seminaristve, ashtu deklaroj se nuk kam pasë kurrfarë njohje o dijenije për 9 Shtatorin kur katundet e Postripës mësynë Shkodrën. Sa për letrat dergue misioneve të hueja, ajo ishte nji e drejtë ligjore që gëzojshem un si i ngarkuem i përkohshëm i Delegacionit Apostolik të Shtetit të Vatikanit.
- Po kush ta dha ty këtë të drejtë që të informosh armiqtë e Pushtetit Popullor?
- Un si zev/përfaqsues i Shtetit të Vatikanit i kam bâ protestë zyrtare Qeverisë për sjelljet e saja anmiqsore kundra Kishës Katolike në Shqipní. Këtë notë proteste un ia kam drejtue Kryeministrit, Enver Hoxhës, dhe siç e kerkon rregulli diplomatik, ua kam dergue për dijeni edhe të gjitha përfaqsive diplomatike të shteteve të hueja si Anglisë, Francës e Sh.B.A., ashtu edhe Ambasadës Jugosllave, Ambasadës Ruse etj. Këtë të drejtë ma jep ligji.
- Ligji? Ligji nuk është tjetër, por një copë kartë. E kupton ti këtë apo jo, se ligji është vetëm letër?
- Forca e çdo shteti asht ligja e vetem ligja. Çdo dhunë pa ligjë asht krim ndaj shoqnisë.
- Pse ti do na mësosh neve se çfarë janë ligjet dhe si do të sundojmë? Ulu!
Prokurori Namik Xhemali u çue e bani nji sulm plot shamje e çpifje kundra tij e kundra Kishës Katolike si agjenturë imperialiste.
U çue në kambë e duel para trupit gjykues At Matè Prendushi, Provincial i françeskanve. Me gjith vuejtjet e mdha e torturat që kishte kalue për 15-16 muej, ai gjithnji paraqitej trupshëndoshë në krahasim me tjerët. Fëtyra e tij, dikur krejt e rrumbullakët, por tash mjaft e terhequn, tregonte thjeshtsí e mirsí.
- Je dakord me akuzën?
- Jo, në kurrnji pikë.
- Pse kot së koti t’është dërguar edhe ty si kryetar i françeskanve?
- Asht tjeter punë me kenë kryetar i françeskanve e tjeter me kenë fajtor. Për ato akuza që keni sjellë ju këtu folen të gjithë para meje dhe asht evidente se nuk krijon fajsi, prandej nuk po i persris.
- Fol ti vetë mbi jetën tënde e na thuaj veprimtarinë tënde.
- Un kam mbarue studimet e filozofisë dhe të Teologjisë në Grac të Austrisë. Na studentat shqiptarë ishim të mbajtun për sevap dhe, përveç librave të shkollës, nuk kishim mundsi me blé libra tjerë prej çmimeve të naltë. Tue kenë se ishim të kushtuem për popullin e mjerë shqiptar, që ishte në terr e pa kulturë, na nji tufë studentash, me sakrifica të mdha, mbas orarit të studimeve kemi pershkrue me dorë të gjitha veprat muzikore gjermane. Këtë punë e kishte fillue para meje At Sebastjan Hila, e vazhdova un dhe e perfundoi muzikanti i madh At Martin Gjoka: nji punë e gjatë dhe e vështirë që na kushtoi shumë net pa gjumë. Perveç muzikës, me sakrifica të mdha kam pershkrue nga antikuari i bibliotekës edhe të gjitha veprat që flitshin për Skanderbegun ose për popullin shqiptar. Të gjitha këto vepra janë këtu edhe sot në bibliotekën tonë françeskane. Kur u ktheva në Shqipní kam shkue famullitar nëpër male. Kam marrë pjesë aktive në kryengritje bashkë me malsorët e primë prej Dedë Gjo’ Lulit në 1911 dhe kam ndejë disa kohë me popullin i strehuem në Mal të Zí. Kam kalue gjithë jetën tue i sherbye Kishës e popullit. Nder famullitë ku kam kenë, jam perpjekë me i msue fëmijët e me i shkollue, pamvarsisht se pak kush vinte me msue, mbasi shkollimi nuk ishte i detyruem. Kështu e kam kalue gjith jeten deri para 3-4 vjetesh që më kanë zgjedhë provincjal. Nuk e dij se i kam bâ keq kujt.
- Po pse kaq elviŕ po më hiqesh ti? E dëgjove Dom Ndoc Sahatçinë se çfarë tha për ty? Ti je kryetari i Demokristianes. Ti ke organizuar mbledhjen në Lezhë e ke dhënë direktiva se si duhet përmbysur Pushteti Popullor. Ti je përgjegjës për të gjitha veprimet që fraçeskanët kanë bërë kundra Lëvizjes. Pse kot të kishin dërguar ty në Tiranë?
- Sa për françeskanët un jam gati të pergjegjem me ballë hapët, sepse kurrnji institucion tjeter në botë nuk asht ma i lidhun me popullin e mâ i dashtun prej popullit. Sa për akuzat që bani Dom Ndoc Sahatçija ato, janë të gjitha rrena e shpifje.
Dom Ndoci çoi doren nalt për me kerkue leje me folë, por At Matia i tha: “Ti fole mjaft e tepër, tash që e kam fjalen un mos nderhyj deri të mbaroj un”.
Megjithktë kryetari i gjygjit ia dha fjalën Dom Ndocit, i cili persriti se në Lezhë me 12 Tetor ishte bâ mbledhja e Kryesisë së Demokristianes e thirrun prej At Matè Prendushit.
- Siç rezulton nga të dhëna të sigurta, - tha kryetari i gjygjit, - nga pjesmarrësit në ngjarje, siç është prezent këtu para nesh Dom Ndoc Sahatçija, mbasi dështoi me turp sulmi i organizuar më 9 Shtator 1946 për marrjen e qytetit të Shkodrës i koordinuar nga Kleri Katolik dhe i gjithë reaksjoni i brendshëm, At Matè Prendushi në cilësinë e kryetarit ekzekutiv të Demokristianes, thirri një mbledhje sekrete me dt. 12 Tetor në Lezhë, ku morën pjesë të gjithë kryetarët lokalë të Demokristianes për të shqyrtuar gjendjen politike mbas dështimit të lëvizjes së Postripës, dhe caktoi detyra për të ardhmen të nji sulmi të përgjithshëm për përmbysjen e Pushtetit Popullor legal të dalë nga zgjedhjet e lira më 2 Dhjetor 1945. I pandehur fol dhe na trego këtu qartë të gjithë veprimtarinë tënde armiqësore.
- Të gjitha këto akuza që paraqite këtu nuk i kam pá as n’anderr. Fakti i vërtetë asht ky: me dt. 12 Tetor asht dita e Shën Serafinit e bjen dita e emnit e At Serafin Kodës. Simbas zakonit që kemi pasë deri tash të gjith priftent o miqët e dashamirët i shkojmë për urime dhe e festojmë bashkarisht. Edhe në këtë vit ashtu vepruem. Me dt. 12 Tetor nuk i kam ftue as un, as kurrkush tjeter, por pjesa mâ e madhe e priftave të dioqezit, me Imzot Volajn në krye u gjeten në Lezhë për me i urue diten e emnit At Serafinit. Kjo nuk ishte nji mbledhje politike, as nuk kishte si me kenë. Nuk ka folë kurrkush punë politike ose edhe në pastë folë kush ndonji fjalë ashtu për së largu, kurrsesi nuk ka pasë karakter të nji mbledhje politike të organizueme siç thoni ju.
N’atę moment Dom Ndoc Sahatçija çoi gishtin persri dhe kerkoi prej trupit gjykues që të fliste. Kryetari i gjygjit ia dha fjalën. Ai deshmoi se ndërsa ishin në sofer, At Matia u çue në kambë dhe në vend të nji dollie urimesh, tha nji fjalim politik ku pershkroi gjendjen shumë të randë në të cilën gjindej Kisha Katolike në Shqipní dhe tha se vetem nji organizim i pergjithshem i kryesuem prej Demokristianes mund e shpëtonte Kishen nga vdekja e sigurtë. Tha se ai si Kryetar i Demokristianes që ishte, u bante thirrje të gjitha komiteteve lokale të rretheve të pregatiteshin mirë për nji sulm të rí dhe se pushteti komunist duhej përmbysë me çdo kusht.
Ndersa Dom Ndoci dëshmonte, At Matia e kqyrte me perbuzje. Jo vetem At Matia, por edhe të gjith na tjerët që ishim përreth.
- Dëgjon ti apo jo? - rifilloi kryetari i gjygjit. - Kjo është e vërteta lakuriqe. Këtë e dëshmoi para gjygjit të Popullit publikisht edhe At Rrok Gurashi në gjygjin që iu bë Monsinjor Gjergj Volajt para ca muajsh. Ishe edhe ti apo jo? - iu suell Dom Ndocit, kryetari.
Dom Ndoci bani me shęj se po, atëherë iu suell At Matisë:
- Sikur u ballafaqove ti me At Rrok Gurashin për këtë çashtje gjatë hetuesisë.
- Un, - i tha At Matia, - e hodha poshtë at ballafaqim sepse sa kryetarë paska pasë kjo Demokristiania që thoni ju: At Gjon Shllaku u pushkatue për këtë, Imzot Gjergj Volaj me shka po marr vesht tashti akuzohet si kryetar, un si kryetar, edhe Mosinjor Gjini si kryetar, po antarët ku paskan kenë? Po çfarë partie kenka kjo ku nuk ka kurrnji antar, por vetem priften e freten, të gjithë kryetarë?
- Po ja, që ky dëshmon këtu. Ç’i thua?
- E shka t’i thom un këtij, që paska vendosë me më marrë në qafë me rrena të veta? Ky deri tash nuk e tha asnji fjalë të vërtetë, punë për tę, por dikur do t’i japë xhevapë Zotit.
- Mos u kërcëno! Ky thotë të vërtetën, se as ky nuk është burrë i mirë, edhe ky ka vepruar kundra Pushtetit Popullor. Ky ka folur edhe për veten e tij, por Pushteti është i gjerë me ata që pendohen dhe tregojnë të vërtetën e ne do ta kemi parasysh këtë në vendimin që do japim.
- Un nuk iu kercnova, por e shof se ky e paska lane rrugen e Zotit.
Pak a shumë kështu perfundoi dita e dytë e gjygjit. Na lidhen aty nji nga nji e me terbim. Na derguen në po ato dhoma të Kuvendit të Rí me fjetë në çimento pa shtrojë pa mbulojë, por vetem na prunë nga nji copë bukë misri e nji tas ujë.
E treta ditë e gjygjit, po n’atę odë të Redaksisë së Hyllit të Dritës.
Prokurori ushtarak Namik Xhemali lexoi nji pretencë të gjatë e të pafund, stereotipe e të gjitha pretencave të gjykatave komuniste, të cilat sigurisht nuk kishin auktor atę që e lexonte. Mbas sa shamjesh e shpifjesh perfundoi tue kerkue këto denime:
Mons. Gjini, At Matè Prendushi, Dom Nikollë Deda, Dom Tom Laca me vdekje.
At Donat Kurti burgim të përjetshem e punë të detyrueme.
Dom Ndoc Sahatçija me 15 vjet burg.
At Mëhill Miraj e Dom Mark Hasi përkatësisht me 10 dhe 7 vjet burg.
Zef Haxhia me 5 vjet burg e punë të detyrueme
Dom Nikollë Shelqeti e Fr. Zef Pllumi me nga 3 vjet burg e punë të detyrueme.
Dom Anton Muzaj lirim kondicional.
U bâ nji gjysë ore pushim. Trupi gjykues duel jashtë e na ndejme aty tue u pregatitë për fjalën e fundit që do të thojshim.
Fjalët e fundit u thane po me atę rend që ishin thirrë para trupit gjykues.
I pari D. Ndoc Sahatçija bani autokritikë të madhe për të gjitha veprimet kundra Pushtetit Popullor, Partisë Komuniste e Rinisë. Premtoi se në të ardhmen do t’i shperblente këto veprime tue i sherbye me zell sot e mbrapa Pushtetit Popullor.
At Mëhill Miraj tha se me të vërtetë u kishte dhanë bukë reaksjonarve shqiptarë, por po ashtu u kishte dhanë bukë gjatë luftës edhe komunistave malazez në Selcë e Vermosh, mbasi ai kishte veprue simbas dashunisë kristjane.
Dom Mark Hasi kerkoi pafajsinë.
Dom Nikollë Shelqeti kerkoi pafajsi, ashtu edhe Zef Haxhia.
Edhe un kerkova pafajsinë.
Dom Nikoll Deda mohoi se kishte marrë pjesë në lëvizjen e Postripës dhe deklaroi se as dijeni nuk pat. - Sa për bukë të dhanë reaksionarve kam bâ nji detyrë dashnije si thotë Zoti.
Dom Tom Laca u ra mohut të gjithave. - Jam krejt i pafaj.
Dom Anton Muzaj kerkoi lirimin që të vdesë në shpi.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Rrno vetëm për me tregue.

#7

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 5:45 am

At Donat Kurti tha: - Me shka kuptova nga pretenca e prokurorit m’u duk se un meritojshem vdekjen, por si fillim kerkonte burgun e perjetshem. Un e kam ndergjegjen të paster, se me dijen time nuk i kam bâ kurrkuj keq. Prandej, si jeta në burg, si vdekja, për mue janë e njajta gjâ, nuk më bâjnë fare përshtypje. Prej jush nuk pres asnji të mirë. Mue më vjen keq vetem nji gjâ se puna po më mbetet përgjysë. Kam shkri gjithë jeten time për popullin, se ky asht ideali i çdo klerikut për Fé e për Atdhé. I kam sherbye popullit tim gjithë jeten pa marrë parasysh asnji sakrificë o vuejtje.
Trupi gjykues kishte mbetë i habitun tue e ndigjue që në fjalët e para. Kryetari i gjygjit atëherë ndërhyni e i këputi fjalen:
- Ç’flet ore ti ashtu? Po ku është lufta që ke bërë ti e ne nuk e dijmë? Për çfarë mburresh ti?
- Ju me të vërtetë nuk dini kurrgjâ se mendjen e keni te pushka, ndersa un atę nuk e njof fare, arma ime asht penda. Un deri tash i kam mbledhë të gjitha kangët që paraqesin nderen e burrninë shqiptare. Kam mbledhë gjithë urtinë, mendimin e filozofinë e jetës popullore që paraqiten nën trajtën e prrallave kombtare; aftësitë trupore të shqiptarit ndër lojna. Visaret e kombit i kam mbledhë jo për vedi, por që t’ia ruej popullit e t’ua msojmë fëmijve tonë. Tashti e gjithë kjo punë këputet e mbetet përgjysë. Prandej kerkoj që në rasë të nji dënimi me burg të perjetshem, të lejohem me vazhdue në punën e ksaj vepre për të mirën popullit.
At Donati, me thanjen e këtyne fjalve të paprituna, e bani trupin gjykues që të mbesi shtang para tij me gojë hapun.
At Matia foli gjatë. Ai tha se të gjitha dëshmitë që u paraqitën kundra tij ishin false dhe pa baza. Nuk ishin as dijenia apo organizimi i lëvizjes së Postripës, as formimi i Demokristianes shkaqet e vërteta të dënimit, porse ai pa kurrnji faj dënohej si përfaqsues i Urdhnit Françeskan, i cili kurr nuk iu largue ksaj toke shqiptare e popullit, por jeton i vorfen me tę në vuejtje e mjerime. Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hűj e na kanë varë në konop ata që nuk deshten as fenë e as kombin, por e kemi thirrë vedin gjithmonë katolikë shqiptarë të Gjergj Kastriotit. Kemi jetue gjithmonë me popullin si në luftë si në paq: në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njani na mbante në robní e tjetri donte me na perpí. Ndersa na, jo vetem nuk jena da kurr prej popullit, por jemi perpjekë me e msue e me i dhanë atę kulturë që ka Europa e mos me u dallue për të keq prej tjerve. Na kemi hapë shkolla shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë, as muslimanë, mjaft që populli shqiptar të ecin në rrugen e Zotit. Ani, pse të des edhe un si tjerët nuk prish punë kurrgjâ. Rrnoftë Populli shqiptar e rrnoftë Feja e Krishtit!
Mons. Gjini tha:
- E ndiej vedin të paster për gjithshka akuzohem: as nuk kam pasë dijeni për Demokristianen, as për Lëvizjen e Postripës. Të gjitha ato dëshmitë që prutë janë false. Rrnoftë Shqipnia e rrnoftë Krishti mbret!
Gjatë kohës që po shqiptoheshin fjalët e mbrame, në dhomen e gjygjit hini nji oficer. Më duket se kishte graden major, mbasi un as atëherë, as sot nuk i njof mirë gradat. Ai pruni nji zarf të mbyllun, ia dha kryetarit të Gjykatës. Kryetari e hapi dhe e lexoi vetë, ua dha edhe shokve të vet, ndersa na po flitshim. Mandej duelen të gjithë jashtë. Në oren 14 jepej vendimi. Ashtu u bâ.
Na pritem aty si me thanë nja 20 minuta të ruejtun nga ushtarakët që mos të flitshim kurrni fjalë. Kur hyni trupi gjykues, bashkë me atę majorin që pruni letren, ata në kambë edhe na u çuem në kambë të gjithë perveç D. Anton Muzajt.
U lexue prej Kryetarit vendimi i formuluem gjatë e stergjatë, me ato provat bindse, që zakonisht bien të gjith xhelatët e botës:
1. Imzot Frano Gjini me vdekje pushkatim
2. At Mati Prendushi me vdekje pushkatim
3. Imzot Nikollë Deda me vdekje pushkatim
4. Dom Tom Laca me burgim të përjetshëm
5. At Donat Kurti me burgim të përjetshëm
6. D. Ndoc Sahatçija me 15 vjet burg
7. At Mëhill Miraj me 10 vjet burg
8. Dom Mark Hasi me 7 vjet burg
9. Zef Haxhia me 5 vjet burg
10. Dom Nikoll Shelqeti me 3 vjet burg
11. Fr. Zef Pllumi me 3 vjet burg
12. D. Anton Muzaj me lirim kondicional.
(Të gjithë, përveç dënimit me burgim ose me vdekje, dënoheshin edhe me punë të detyrueme, konfiskim të pasunive e humbje të të drejtave civile për 5 vjetë.) E drejta e apelimit ishte mbreda 5 ditve.
Për pak sekonda nji heshtim i plotë. Atëherë At Matè Prendushi foli:
- Zotni gjykatës, mbasi na nuk do të shifemi ma ndermjet vedit në këtë jetë me këta vllazen e shokë, a na lejoni të pershndetemi e t’ia marrim hallallin shoqishojt?
- Vetem pesë minuta, - tha kryetari i gjygjit.
Kam pershtypjen se këto pesë minuta janë unikë në historinë e njerzimit. As në kohën e martirizimit të krishtenve të parë, vështirë se u zhvilluen pamje si ato që pashë un me sytë e mij me 16 Janar 1948.
Atëherë, ndër sy të gjithve At Matè Prendushi iu drejtue të parit D. Ndoc Sahatçisë:
- Dom Ndoc, un jam tue të falë me gjithë zemer për të gjitha shpifjet që ke bâ kundra meje edhe tjerve. Edhe do t’i lutem Zotit që të ketë mëshirë për ty e të falë Zoti ashtu si po të fali un! - dhe mandej shkoi e u perqafue me atę të parin.
Na të gjithë u perqafuem me lot ndër sy me shoqishojnë me ata që u dënuan me vdekje. Kur u përqafova me superjorin tem At Matinë, ai më tha:
- Fra Zef, të lumtë! Të falem nderës se nuk na e korite provincen françeskane. Dueje e mbroje gjithmonë kështu! Zoti të ruejtë e të bekoftë!
Ndersa kur u fala me Mons. Gjinin më tha: “O skifleri im, u pashim në atę jetë!” Ai më njifte se prej duerve të tija kishem marrë djakonatin. Edhe pershndetjet me Dom Anton Muzajn kishin dishka të jashtzakonshme. Vërtetë se vendimi i gjygjit ishte për lirimin e tij, por ai vetë edhe të gjithë e dijshim se lirimi i tij ishte vetem qiella.
Mbas pesë minutash ata tre të denuemit me vdekje i lidhen nji nga nji me egërsinë mâ të madhe. I nxueren të tre prej dhomave, ndersa na të gjith pothuej njizani i pershndetshim: “Hallall, hallall! U pashim në atę jetë!” Ata u zhduken. Nuk i kam pá mâ kurr në jetë, por kam jetue gjithmonë me ta në zemër e në mendje. Né tjerve na lidhen dishka mâ butë e na çuen me marrë teshat ndër ato dhomat që kishim banue para se të fillonte gjygji.
Atę mbasdite né na derguen në Burgun e Madh. Të dënuemit me vdekje nuk e dijtem se ku.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Rrno vetëm për me tregue.

#8

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 6:38 pm

(nga Pjesa II)
Nata e Këshndellave
Mora vesht se qysh me himjen në fuqi të Statutit të Kishës organet e pushtetit kishin lejue edhe festimin e Natës së Këshndellave, sikurse lutej dikur.
Fillova pregatitjet: sajova nja dy-tri vjersha Këshndellash, simbas mendësisë të maleve, Zoti më faltë, por e paraqitshem sikur Krishti të kishte lé ndër këto male tona e jo në Betlehem. Po gjithashtu pikturova nja dy-tre engjuj; nuk ishem piktor profesjonist, megjithktë paesazhet e dekoracionin i kam ushtrue që në fëmijni. Në nji kand të Kishës pregatita Shpellën e Betlehemit me gjethe, lule, bar e shkambij. Dërgova në Shkodër Vatën, djalin e rí, me nji adresë në dorë, për me blé 10 litër benzinë dhe dy petromaksa. Njanin e vuna në punë menjiherë e, kur e ndeza, dola me tę në dorë aty jashtë. Shëndriti e gjithë Kodra e Kishës së Shën Qurkut. Njerëzit atę natë e kishin pá së largu prej katundeve tjera që shtriheshin ndër shpate e brija të maleve. Mandej hyna në kasollen time të mjerë. Ata dy fëmijtë, Pepa e Marashi, ishin tepër të gëzuem. N’e nesre ndër gjithë lagjet e Ndregjinaj, Gjoshaj e Pilotaj edhe Palaj u përhap fjala - si duket mâ shumë prej atyne dy fëmijve - se frati i rí kishte blé dy elektrikë, nji për vedi e tjetrin për lopën. Pa kalue mirë 24 orë filluen me ardhë njerëz me më këshillue: “More zotni, lopët tona hanë edhe në terr, por a ke me u vű gjâ para!” Të gjithve ua lashë tehin mbarë. Vetëm kur mbërrini Nata e Këshndellave, porsa filluen me u dukë nga të gjitha anët e brijave e shpateve flakët e vravashkave të cilat drejtoheshin të gjitha për te Kisha, pregatita edhe petromaksin e dytë. Mbasi e ndeza dola jashtë. Bora e ngrime ndriste nën dritën e petromaksit. Nuk frynte erë. E vendosa atę dritë jashtë, deri që filluen me mbrrijtë çetat e para të njerëzve; vetëm atëherë e shtina në Kishë, e cila shëndriti siçmos kurrë. Nga gjashtë dritaret e Kishës shpërthejshin rreze që ndritshin borën e bardhë. Nga larg dukeshin si rreze qiellore. Ndërsa udhtarët, pelegrinët çobanë e mbretën të maleve drejtoheshin kah drita e asaj komete toksore. Kje me të vërtetë nji natë e mrekullueshme. Drita asht mâ e fortë se sytë dhe depërton drejt e në mendje e zemra të njerëzve. (Vetëm qorrat qorra mbeten gjithmonë qorra.) U ngazllye i gjithë populli e me tę edhe un. Ajo kje e para natë që kishem rreth vedit të mbledhun përfaqësuesët nga të gjitha lagjet e Shoshit. Para se me fillue ceremonitë fetare të natës, fëmijt e mësuem prej meje filluen programin festiv. Kënduen disa kangë e sidomos recituen aq bukur vjershat e pregatituna për atę natë, sa populli, i kënaqun prej fëmijve të vet, më dhanë lavdet mue se kishem pasë aq kujdes me i mësue ashtu. E vetmja gjâ që u prishej ishte mendimi i largimit tem porsa të shkrihej bora e të dalin prandvera.
Ditët e fundit t’asaj që e quejtëm liri
Mbas pak ditësh Imzot Çobën e lajmuen se i kishin gjetë nji vendbanim, po aty afër tek Arra e Madhe. Barti teshat e duel. Fill mbas tij u larguen njani mbas tjetrit edhe disa meshtarë tjerë, megjithktë Kisha e Zojës Rruzare vazhdonte e çilun ditë e natë. Nji ditë erdh Dom Prenk Nikçi, dikur me probleme kishtare, por ishte edhe antar i Këshillit të Pergjithshem të Frontit Demokratik të Shqipërisë. Më tha se e kishin thirrë e propozue që të bante nji deklaratë kundra fesë e Kishës, por nuk kishte pranue. Atëherë i kishin thanë që sot e mbrapa nuk do të bante mâ pjesë në Këshillin e Frontit, dhe puna që do t’i caktohej për me jetue do t’ishte e randë. Si kam marrë vesh, ai vdiq mâ vonë i djegun aksidentalisht në nji furrë gëlqereje.
Këshillat popullore të lagjes erdhën e lajmuen që na ta lirojshim Kuvendin si edhe Kishën me datë 17 mars. Ky vendim u kundërshtue prej nesh, se aty kishim disa fretën e priftën pleq, që jo vetëm nuk kishim ku me i çue, por as nuk kishim si me i lanë vetëm, pse kishin nevojë për të gjitha shërbimet. At Çiril Cani ishte në atę kohë 94 vjeç dhe kishte humbë gjykimin. Atëherë ata e shtynë për datë 19 mars, që binte e djelë. Premtuen se do të kujdeseshin me u gjetë vend edhe atyne pleqve. Ndër ato ditë kemi ndejë vazhdimisht tue i shërbye popullit në Kishë, mbasi u muer vesh dita e mbylljes e vijshin nga të gjitha anët.
Të dielën me 19 mars 1967, aty kah ora 11 erdhën Këshillat popullore me marrë 3-4 pleq që kishim aty. Ata nuk mujshin me ecë, prandej lypeshin për secilin dy vetë me i shtí krahin e me i çue si për havá. Kur bame me dale me At Çiril Canin njani prej Këshilltarëve blasfemoi kundra Zotit tue thanë: “A e shifni sa i padrejtë asht Zoti që vepron në këtë mënyrë: plaku 94 vjeç ku do të shkojë?” E un iu përgjegja se kjo nuk ishte punë Zotit, por punë dreqensh, sepse Zoti ia kishte gjetë vendin mjaft mirë këtu. Mbas nja dyorësh Këshilltarët popullorë erdhën me kërkue edhe çilsat e Kishës, por ajo ishte plot e përmajë me popull. Pritën afërsisht nji orë, por besimtarët mâ shumë vijshin se sa delshin. Atëherë dy prej atyne të Këshillit popullor ndejën në krye të rrugicës mos me lanë me ardhë njerëz tjerë, ndërsa At Aleks Baqlin e At Augustin Ashikun i thirrën veçmas e u kërkuen çilsat; tjerët meshtarë i ndaluen të zhvillojnë funksjone fetare. Mbet vetëm Dom Injac Gjoka, i cili nuk u ndigjonte që të largohej prej shërbimit fetar. Këshillat e panë se erdh muzgu, prandej hynë në Kishë dhe nxuerën popullin jashtë. Mandej, mbasi u siguruen se nuk kishte mbetë kurrkush aty mbrendë, i kërkuen çilsat e Kishës e të Kuvendit. At Augustin Ashiku, bashkë me At Aleks Baqlin i dorëzuen, ndërkaq un e Dom Injac Gjoka u nisëm rrugës: ai për shtëpi të vet e un atę natë shkova me fjetë te At David Pici.
Kje data 19 mars 1967 afër orës 5 mbasdreke, e Diela e Larit (dafinave) dhe fillonte Java e Mundimeve: të dielën tjetër me 26 t’atij mueji ishin Pashkët, të cilat nuk u festuen mâ, pse Java e Mundimeve për Kishën e besimtarët vazhdoi e gjatë: për 24 vjet rresht.
* * *
Përsëri ktheva në malin e Rrencit, te nana: ajo tashma ishte e plakun e e randueme.
- Po me ju shka kanë ndër mend me bâ tash që i mbyllën Kishat, more bir?
- Kush po e din, nanoo, se shka kanë ndër mend!
- Po si nuk i vrau Zoti që mbyllën Kishë e Xhami? Si nuk i gjuejti me i kokërr rrfeje!
- Po nuk asht micë, moj nanë, që me i nxjerrë çapokët sa ta prekish. Zoti asht i gjanë.
- I gjanë, i gjanë po, por deri kur? A ka nji cak?
- Deri të duen ai vetë e jo un e ti. Zoti vonon, por nuk harron!
- Po, mor bir, por po desim me këta mbi krye që nuk të lanë rehat as me të shtí në dhé si tanë bota.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Rrno vetëm për me tregue.

#9

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 6:38 pm

Mbasi u mbyllen të gjitha kishat e xhamijat, filloi nji vrull edhe mâ i madh i konferencave të çdo rangu kundra Zotit e fesë. Për çdo lagje e çdo katund ato vazhdojshin për ditë e për natë pa pushim. Nji ditë të dielë kishte ardhë prej Lezhet nji kryetar Frontit Demokratik e u bâ mbledhja te shkolla. Dërgoi lajmin që të shkojshem edhe un aty. Kur nuk deshta me shkue, atëherë ai çoi lajmëtarin përsëri. Mendova se po duen me ma bâ edhe mue siç kishin fillue me priftën tjerë ndër lagje të Shkodrës o ndër katunde e aty, mbasi i bâjshin pvetje provokuese u vejshin me folë të tana të zezat kundra tij, të bamet e të pabamet ose, siç thojshin atëherë, “me e demaskue”. Kur mbrrijta te shkolla, aty n’oborr ish mbledhë tanë populli e un u ula me ndejë në nji gur aty në fund. Atëherë ai përfaqsuesi i Frontit filloi:
“Siç e dini mirë, rinia jonë ka ndërmarrë fushatën kundra zakoneve prapanike e besimeve të kota fetare, dhe populli, i skjaruem nga mësimet e Partisë, i mbylli vetë të gjitha Kishat e tash o do t’i rrenojë fare, që mos të mbetet ndër trű kujtimi i tyne, ose edhe disa që kanë ndërtesë të vlefshme, do ta shtiem në punë për të mirën e popullit. Por, n’anë tjetër, kanë mbetë ndër shprehjet e gjuhës sonë shumë asosh që përmendin Zotin. Sot e mbrapa edhe këto duhen hjekë; për shembull nuk duhet të bani bé mâ në Zotin: “Për Zotin”, “Zoti ta priftë mbarë”, “Zoti të bekoftë”; sot e mbrapa janë të gabueme. Tashmâ e ka pá gjithkush se nuk ka Zot” .
Kështu vazhdoi nji orë të gjatë e në fund tha:
“A ka kush ndonji pyetje?”
Çuen dorën nja 5-6 vetë. E para foli nji plakë, që kishte rruzaren në qafë, me nji kryq të madh në parzëm:
“Ti more shok, - i tha, - thuej atij Enver Hoxhës se në vend që me u kapë me kisha e xhamija, që nuk i kanë bâ keq kurrkujë, shko e kapu me serbin, që t’ka zaptue gjysën e tokave shqiptare; në kjafsh i zoti, thuej, merri Hotin e Grudën, Plavën e Gucinë e Vishnjevën e ke tanë Kosovën atje, e atëherë i ban mirë popullit shqiptar e jo tue mbyllë kisha e xhamija!”
Ai e ndigjoi si me tallje e në fund e pveti:
- Prej kah je, nëne?
- Prej Vishnjeve, - iu përgjegj plaka.
- Mirë, mirë, nëno, se edhe ato do t’i marrim, por përpara shoku Enver don me e bâ këtë popull top. Ulu!
Mbas plakës foli nji burrë dhe pveti:
- Kush e ka qitë këtë dije se nuk ka Zot?
- Marksi.
- Po ky Marksi prej cilit vend ish, shqiptar?
- Nuk ish shqiptar, por gjerman.
- Gjerman?.. Po librat e vet, shqip i ka shkrue?
- Jo, jo. Shkrue i ka gjermanisht, por na i kemi përkthye shqip.
- Mbasi i ka shkrue gjermanisht, sigurisht që gjermanët i kanë lexue e pse nuk e kanë marrë këtë dije të tij gjermanët por e kemi marrë na!
- Gjermanët janë kapitalista e nuk u pëlqen Marksi, prandej ata e mbajnë fenë, se duen kapitalizmin.
- Mirë, more shok, po gjermanët janë që dijnë me bâ gjithshka: makinat e avionat që kishin ata nuk i ka pasë kush në botë, pra janë të dijtun e na që nuk dijmë ende me punue njekët kuti duhanit, na duem me i dhanë mend botës! - ndërkaq ai kishte në dorë kutinë e duhanit e i binte tap e tap me dorën tjetër.
- Kush don me folë? - peti përfaqsuesi i frontit. U çue nji burrë tjetër kund katërdhetë vjeç:
- Shok, më kallxo të drejtën: a je i mbushun mendje se nuk ka Zot?
- Nuk ka.
- A je i bindun ti vetë se nuk ka Zot?
- Të thashë që nuk ka.
- Më the që nuk ka, por un due me e dijtë tamam a je ti krejtsisht i mbushun mendje se nuk ka Zot?
- More shok, a din me bâ pvetje tjetër a jo: un të përgjegja edhe dy herësh e ti s’merr vesh. Ç’do me thanë ti?
- E pra po të tham se, sikur un të ishem i mbushun mendje se nuk ka Zot, atëherë nuk kishem me lanë gjâ pa bâ mbi këtë tokë e s’kishte me pasë pushtet që më ven për fije, as s’kishte me mujtë kush me më ndalue, se në kjoftë se nuk ka Zot e nuk ka shpirt, atëherë nuk ka as vepër të mirë as të keqe, por gjithshka të më leverdisë mue asht e mirë.
- Ti ende nuk je çlirue prej atyne mendimeve që jua kanë mësue priftat për me u shfrytëzue, por tash e mbrapa edhe ata do të punojnë për në daçin me jetue se nuk i len mâ kush me shfrytëzue tjerët.
Me kaq kreu ajo konferencë, mandej erdh te un e më pveti:
- Si je? Si shkon? Ndoshta je mërzitë nji çikë, por do të kalojë: puna ka me të bâ mirë. Ke kërkue punë?
- Jo, ndoshta po rri këtu në shtëpi.
- Në shtëpi? Po këta janë në kooperativë e në kooperativë gjithsecili do të punojë në dashtë me jetue. Po mirë, kërko punë edhe në kooperativë bujqsore. Vetëm ta keshë parasysh se, në rasë se thue meshë edhe në shtëpi e për familjen tande, ban faj kundra pushtetit. Na nuk i lejojmë e vare mirë në vesh. Mos ban gabime kot.
Vazhdova edhe pak ditë tjera aty në shtëpi edhe meshën e lutjet i bâjshem, se e dijshem që nuk ka si më paditë kush prej shtëpie. Por njatje mâ vonë dola e lëviza. Ndërsa ishem në Shkodër, pashë se si me traktora të fuqishëm e kavo çeliku tërhiqshin kumbonaret e kishavet për me i rrxue, por asnji nuk epej. Atëherë gjithnji nga larg, o nga dritaret e ndonji shtëpije karshi kqyrshem se si me eksploziv i shembën të gjitha kumbonaret, përveç asaj të Kishës së Fretënve që erdhën tue e smontue gur-gur prej së naltit. Për ndonji ditë kqyra edhe se si i shembën muret e Kishës së Rusit. Ndërkaq Kishës së Madhe ia kishin hjekë at pllakën monument kulture dhe, mbasi i kishin rrxue kumbonaren, kishin mbyllë dyert tjera e lanë vetëm njanën, ku hîjshin e delshin kamiona të ngarkuem. Në atę kohë nuk dihej se shka punohej aty mbrendë.
Ndërsa po rrijshem në shtëpinë e At Davidit, mora vesh se jugosllavët n’e nesre do të kthejshin nji familje që kishte pasë ikë pak ditë para në Jugosllavi. Kishin lajmue katundet që prej Hanit të Hotit e deri në Grizhë. Natyrisht, Partia e Sigurimi kishin organizue që populli me i pritë me të shame e me kërcnime. Mora nji biçikletë e dola deri në Çezmë të Koplikut. Aty e gjeta popullin e mbledhun, dikush mbajti nji fjalim jo shumë të gjatë, por që u printe shamjeve. Ishin tre vllazën, me tri gratë e veta e me shumë fëmijë, gjithsej rreth 20 vetë. Nja 30 metra mâ larg rrinte e ndiqte me kureshtje të gëzueshme nji makinë e trupit diplomatik jugosllav. Shifej kjartë se nji marrëveshje e fshehtë jugosllavo-shqiptare po hinte në veprim për ta mbajtë këtë popull fatzí në mâ t’egrën robní. Në mbramje ktheva në Shkodër me zemër të coptueme. Shqipnia mbarë ishte e rrethueme anembanë kufinit me atę klan të tmerrshëm, të forcuem me roje kriminele, sadiste, me qen kufinit e me korrent elektrikut. Çdo shqiptar që guxonte me iu avitë klonit, gjente vdekjen telave me grathë. Por ajo familje, tue kenë se banonte afër kufinit dhe i dijshin të gjitha shtigjet, me krye në rrezik kish dalë matanë. Ndërkaq shtetet edhe në shekullin XX paskan mes vedit traktate të turpshme për me i ndihmue njani-tjetrit që të mbajnë në robní popujt. N’e nesre ishem tue shkue te nji mik i imi në lagjen Rus. Rruga kalonte para Kishës që po vazhdojshin me e rrënue. Në atę rrugen tjetër rastësisht takova At Gegë Lumën. Pvetëm njani-tjetrin nëse kishim gjetë vend me shtí kryet; ai më tha se nuk ishte keq te nji familje me origjinë nga Plani.
- A e ke pá se me ç’entuziazëm po e rrënojnë Kishën e Rusit?
- Kurrgjâ nuk na bâjnë, gurit e tullash janë. Tash i ndërtojmë mâ të bukura e mâ të mëdha. Këta nuk kanë kurrgjâ në dorë. Fitorja asht e jona. Janë 15 vjet që luftojmë njani-tjetrin me propagandë e populli erdh mbas nesh: Kishat tona gjithmonë plym me besimtarë e kler e popull kurr mâ të bashkuem. Kjo që bâjnë sot kundra kishave tregon ligshtinë dhe jo forcën e tyne. E panë se kundra nesh humbën në fushën e propagandës e tash përdorojnë forcën, dhunën; mendojnë se me shkatrrimin total të “bazës materiale” do të zhduket edhe besimi në Zotin. Por ata nuk e dijnë se feja asht edhe mâ e fortë në vorfní se në pasuní; kështu na mson Shën Françesku.
- Po më vjen mirë që je kaq optimist, - i thashë, por kur e mendoj se fëmijtë që do të rriten sot e mbrapa shka do të dalin? Kur sot që dijnë dishka veprojnë kështu, sa me çuditë tanë botën, po kur mos të kenë kurrfarë ideje për besim e fé!
Ndër ato ditë të zymta ndigjojshem radion dhe lexojshem gazetat pa ia da. Botojshin porsi akte heroike mbledhjet popullore ku mbas njaj fjalimi të gjatë kundra Zotit, Kishës e Klerit, mbas sa budalleqeve të thanuna varg e vistër, i kërkohej popullit të merrte pjesë në mënyrë revolucionare me u çue kundra Zotit, dhe niseshin me turr për me shembë kulm e themel Kishë, Xhami, Teqe etj. Këto turma të çmenduna ndër ato ditë me “Aksion vullnetar” dhunuen e thyen deri edhe të gjitha kryqat e varrezave!
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Rrno vetëm për me tregue.

#10

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 6:39 pm

Në këtë çmenduni të përgjithshme të këtij populli të përdhunuem për mâ shumë se 22 vjet, rrijshem tue mendue me vedi, zemërplasun: si asht e mundun të çmendet krejt nji popull e mos të dalë kush që me i thanë: ndal! E pra, përveç njaj klike të vogël që i rrinte përreth, kurrkush nuk përfitonte ndonji gjâ të dukshme. E atëherë, shka ishte kështu? Të gjithë ishin të dejun, të shastisun mbas këtij njeriu. Ai tiran u kishte marrë të gjithëve lirinë. I kishte zhburrnue ose, si i thonë sot, u kishte hjekë personalitetin njerzor. Ua kishte nxjerrë gratë prej shtratit për me i çue në zbor o ku të donte vetë. Ua kishte marrë fëminë e pasuninë. U kishte hjekë deri kashatën e gojës e hjedhë në mizerjen mâ të madhe që mund të mendohej. I kishte shkëputë jo vetëm nga kombi e gjithë bota, por edhe nga historia e vet e e mbarë njerzimit! I kishte rrethue në tel e nuk i lejonte me hî e as me dalë, vetmue prej gjithë botës! Nuk i lente me qeshë e as me kjâ. E atëherë shka ishin këta? Mund thirrej popull ky? Jo, nuk ishte popull, por nji tufë e paspjegueshme qeniesh të gjalla të pamend e pa vullnet. Ndërkohë që edhe më dukej se ato turma turreshin kundra qiellit sikur Zoti t’u kishte faj që i mbante nën thembren e randë t’atij tirani mizor. Por faji nuk ishte i Zotit, ishte i njerëzve që i shërbejshin tiranit dhe e kishin frigë, e ndigjojshin e e adhurojshin mâ shumë se Zotin. Kurrgjâ nuk e përligj këtë veprim barbar, vandal, të turpshëm, të pashembullt në historí të njerzimit, përveç çmendunisë.
Sikur secili njeri të rrinte në pastrinë e shpirtit të vet e të ndigjonte mâ shumë zanin e ndërgjegjes së vet humane, të asaj që thrret e brenë vazhdimisht për punët e liga, të ndigjohej mâ shumë ajo se urdhni i tiranit, shka do të ndodhte atëherë? Kurrgjâ e keqe nuk do të ndodhte. Gjuetari me armë në dorë, kur hin në pyllë, kurrë nuk mund e vrasë lepurin ndër shkurre sikur mos të jenë zagarët që e ndjekin e ia dorëzojnë atij. Pa këta zagarë as Tirani nuk mund bante kurrgjâ: ai i vetëm, po nuk e ndigjoi kush, se nuk mund e vrasin krejt nji popull, ndërsa populli, tue i u nënshtrue urdhnit të Tiranit, vret vedin.
E shka nuk rrijshem tue përblue me mendjen time ndër ato çase kritike të këtij populli fatkeq! Si kishte për ta gjykue historia këtë brez? Shka kishin me thanë bijt tanë për né, që i kemi mbushë faqet e historisë me tanë ata trima e asnji nuk duel me lëvizë vetëm nji gisht për të mbrojtë ndërgjegjen, lirinë, pasuninë, tokën, zakonet e traditën, historinë, nderin e familjes e as fenë? Shka kishte me thanë bota kur të shofin se gjithë jeta e këtij populli paskësh kalue tue u shkrrye barkas, rrshanë, pa mujtë kurrë me u çue në kambë?
Turp imadh! Por ky turp asht edhe mâ i madh kur turpin nuk e sheh vetë. Ndejëm 450 vjet nënshtrue robnisë së turkut, tue ecë së prapthi e tue shtue vetëm rrenoja. Tash po shkatrrojshim na vetë me duert tona e jo të tjetërkujë, gjithëshka pat teprue nga ajo robní e gjatë, për mâ tepër, tue u levdue sikur po bâjshim punë të mira.
M’u duk sikur krejt toka jonë kje hapë aty para meje si nji krater gjigant, grykë vorri që me tërbim kërkonte të përpijë të gjithë ata që dojshin me i shpëtue skëterrës së tmerrshme, ku dreqent e njerzit përpiqeshin si e si të sjellin sa mâ shumë vuejtje, fatkeqsi e mjerime shoqishojt dhe ku nuk kish tjetër por “vajë e kërcllim dhambësh”. Sytë, ndoshta edhe të mendjes, shifnin vetëm terr. I thashë vetes se duhej të shpëtoja. Po si të shpëtohej nga ferri që nuk kishte kurrnji rrugdalje? Megjithktë, vendosa shpëtimin ose vdekjen.
Nji zâ sikur më thonte që edhe vdekja në këtë rasë ishte shpëtim, por ajo ishte e fundit. E turbullt, mendja rrekej me gjetë rrugë tjera të pagjetuna: ato të parafundit.
Aty xente fill nji tjetër rrugë e gjatë.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Rrno vetëm për me tregue.

#11

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 6:40 pm

(nga Pjesa III)
Gjygjet e popullit vazhdojnë
Afër gjysës së marsit, para se t’errej dita, ndigjova se nga zyrat e hetuesisë vijshin gjamë të tmerrshme të nji njeriu që torturohej, dikund aty në korridor. Dukej sikur merrshin pjesë disa policë, të cilët edhe shajshin e britshin, por mbi të gjitha, ushtojshin gjamët e atij të mjerit që nuk mund kuptohej se kush ish. Mbas nja nji ore na u duk se ai filloi të lëshojë grahmat e fundit. Mandej u ndien kambë policësh që ecshin me këpucë të randa. Bartnin, me sa kuptoja, nji trup të pa ndjenja ose kufomë. Nuk merrej vesh kurrgjâ e saktë nga birucat e tmerrshme. Mandej ra nji qetësi vorrit.
N’e nesre më thirrën përsëri në hetuesí.
- E din se do të dalish në gjyq?
- Po.
- Ke rroba të tjera që t’i veshish se këto janë mizerje.
- Kam kostumin e zí.
- Shkruej nji posullë që t’i bien nesër.
I shkrova dy rreshta motrës dhe teshat m’erdhën po atę ditë.
- E ndigjove ti, - më tha oficeri i rojes, - se ne jemi në shërbim të popullit?
Ditën e gjykimit më thirrën shpejt. Dola i veshun e i mathun me ato tesha të reja. Në dhomën e hetuesit ishte vetëm Shyqyri Çoku. Më foli pa u ulë në karrigë.
- Tash po del në gjygj dhe atje fol lirisht si të duesh e shka të duesh, por mendo se mbas gjygjit prapë këtu ndër duert tona vjen. E kupton apo jo? A e ndigjove mbramë atę që lëshonte britma të tmerrshme? Ta bajmë mâ zí se atij në rasë se i përmendë fjalimet e shokut Enver Hoxha. Na nuk durojmë ta shajsh publikisht.
- Un nuk e kam sha, por vetëm të kam tregue fjalimet e tij fjalë për fjalë. Pse i shkrueve ti në procesverbal?
- I shkrova se i the ti.
Gjatë perpilimit të procesverbalit Shyqi më kishte pvetë se si e konsiderojshem un mbylljen e kishave. Iu përgjigja se ishte veprimi mâ i gabuem i Pushtetit Popullor, sepse lirinë e fesë e garantonte nji nen i veçantë i Kushtetutës, mbi të cilin ishte perpilue edhe ligji “Mbi komunitetet fetare”. Perveç kësaj në nji prej fjalimeve të Enver Hoxhës, i mbajtun në Rrëshen në vjetin 1954, thohet tekstualisht se “propaganda kapitaliste e revizioniste çirret me të madhe se në Shqipëri nuk ka lirí feje, se janë mbyllur kisha e xhamija. Por kur kanë ndodhur këto në Shqipëri? - pyet Enveri. - Këto gjëra mund të ndodhin atje ndër vendet borgjeze, kapitaliste e revizioniste, por jo kurr në Republikën Popullore të Shqipërisë”.
- I kam thanë ato fjalë me të vërtetë, - iu drejtova Shyqit, - por ti e ngarkove me to procesverbalin për me më ngarkue sa mâ shumë.
- Me të ngarkue sa mâ shumë? Ti pate fatin që të mora un, shkodranë. Ti e din fjalën e popullit që thotë: “Vllau yt mishin ta han, por kockën ta len”. E sikur t’ish kenë për ty nji hetues nga jugu? Ik, ban si të duesh e fol si të duesh, para gjykatet je i lirë, veçse përsëri ndër duer tona vjen.
Atëherë thirri të madhe:
- Jonuz, e ke gadi atę tjetrin?
- Zoti hetues. Ju e keni në dorë punën; ata prokurorët e gjykatësit shokë i keni dhe mund i porositni që ta kalojnë atę faqe të procesverbalit e mos të më pvesin aty.
- Jo, more jo, na nuk i porosisim ata, por vetëm të themi ty se të duem të mirën.
Jonuzi pruni Dom Nikollë Mazrekun duerlidhun. Ja hoq prangat e me ta na lidhën bashkë të dyve.
Na nxuerën jashtë të rrethuem me gjashtë ushtarë t’armatosun e na drejtuen përtej birucave t’ajrosjes, aty ku gjindej nji portë e madhe druni me dalje në Rrugën e Daullës, kështu thirrej ajo. Priste nji kamion i zbuluem. Hypën ushtarët e me vështirësi edhe na. Kur u hap dera, rruga ishte plot me njerëz që pritshin në të dy anët. Makina ecte kadalë, me ritëm mortor, për me na pá bota. Ndigjojshim gjithfar thirrjesh, që nga “të mjerët” e deri te “tradhtarët”. Rruga Gjuhadol-Serreq, ishte mbushë me parulla nga mâ të ndryshmet. Perveç atyne të zkonshme: “Vdekje tradhtarëve të Atdheut!”, “Poshtë reaksioni i klerit katolik!” etj. Më bani përshtypje nji parullë tepër e gjanë e e gjatë e varun në hymje të rrugës së murgeshave. Aty ishte shkrue me germa mâ të mëdha: “Kur guri i fundit i kishës së fundit t’i bjerë në krye priftit të fundit, vetëm atëherë njerëzimi do të jetë i lirë.” Didëro
Makina ecte me ritmin mortnor. Populli bërtiste, shanin e mjeronin. Vuna buzën në gaz e thashë me vedi “ditë që nuk do të mbrrijë kurr. Bota lavdon marrítë”!
Altoparlantët çirreshin gjatë gjithë rrugës me kangët “Hakmarrje rini”, “Në njerën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”, “Dy luana që ka bota, nji Azia e nji Evropa!” Frynte nji erë cingërimë, siberiane. M’u ftof trupi, megjithse zemrën e kishem të ngroftë. Na zbritën te kisha e murgeshave. Te dera pritshin hetuesat Shyqyri Çoku e Dhimitër Shkodrani. Na shoqnuen deri te “kafazi i të pandehurve”. Kisha ishte plot e përmajë me njerëz. Te vendi i elterit kishin bâ nji podium për trupin gjykues. Mbrapa podiumit, nalt, ishte shkrue me shkronja tepër të mëdha: “Drejtësia në shërbim të popullit”. E kqyrshem me kureshtje atę parullë se më dukej si nji “kashë e lashë” (gjë e gjëza i thonë në Jugë) dhe mundohesha t’i gjej kuptimin se çdo të thotë nji Drejtësi që nuk asht në shërbim të së Drejtës, por të dikuj tjetër, kushdo kjoftë ai. I dhashë nji vështrim sallës dhe popullit; ishin të gjithë me ftesa, pra njerëz të Partisë ose të Sigurimit. Dom Nikolla shfrytëzoi atę ças e më foli: “Absolucionin” tha: “Confiteor”. I dhashë të zgjidhmet e mëkateve për çastin e vdekjes. Ashtu bana edhe un dhe ai m’i dha. E pamë se na priste vdekja.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Rrno vetëm për me tregue.

#12

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 6:40 pm

Ndërsa pritej trupi gjykues, Shyqi më tha:
- Bukur ka dalë ky sallon i rinisë.
Iu përgjigja se arkitekt i kësaj kishe ishte kenë Fishta.
- E vetmja gjâ që i mungon asht ngrofja.
- Ditë kaq të ftofta janë të rralla.
- Sot asht 7 gradë nën zero, - tha Shyqi.
Hyni trupi gjykues i pritun me duertrokitje të përgjithshme. Me sa më kujtohet, Kryetar ishte Nuri Resmja; anëtarë: njani quhej Gligor (mbiemnin nuk ia mësova, ishte nji punëtor) e tjetri nji grue që nuk ia dij profesionin. Prokuror ishte Faik Minarolli. Sekretarit gjithashtu nuk ia mësova emnin.
Kryetari u çue në kambë e mbajti nji fjalim, jo të shkurtë, për hapjen e seancës. Tha se gjygji bahej kundra nji grupi priftërijsh katolikë, t’akuzuem për “tradhti të lartë”, të cilët, ashtu si nuk kishin mujtë t’i shpëtonin synit vigjilent të Partisë, nuk do t’i shpëtonin as “Drejtësisë Popullore”.
Mbasi u ul, e mori fjalën Prokurori i cili nga pupitri i tij lexoi nji aktakuzë të gjatë. Ishte formulue e njillojtë me ato të viteve 1945-1948.
Thirrën në fillim Dom Nikollën, i cili duel para tyne, aty në kambë, te mikrofoni. Foli për jetën e vet, studimet, veprimtarinë kishtare, e kryesisht mbi 20 vjetët e fundit, kalue ndër kampet e dënimit, midis të burgosunve e të internuemve. Në fund tha se nji Atdhé i cili u binte bijve të vet vetëm robní, vuejtje, mundime, tortura e vdekje nuk ishte mâ Atdheu i zemrës dhe duhej braktisë me lot ndër sy, mbasi nuk jepte kurrnji shpresë për ndonji gëzim shpirtnor. Në nji Atdhé të tillë njerzit, t’ushqyem vetëm me inad, urrejtje, mëní e pabesí do të jetojshin në luftë mes vedit gjithë jetën. Ky nuk mund thirrej mâ Atdhé, tha ai,- dhe mendova me u largue sa mâ parë që të mujshem. Për këtë kërkova ndihmën e këtij shoku tem, mbasi njizet vjetët e burgjeve e internimeve më kishin shkëputë nga të gjithë tjerët, ndër të cilët mund të kishem besim.
Kështu e përfundoi ai tregimin e vet.
Mandej kryetari i gjygjit filloi ta pveste për çdo gjâ që perfshihej e nuk perfshihej në procesverbal. U vű në dukje se në nji fletore të tij të konfiskueme ishte shkrue: “Gjuha shqipe asht tue ecë si babili”. “Ç’doni të thoni me këtë?” - e pytën. Dom Nikolla spjegoi se babili ishte nji zog i verdhë, që bante folenë e vet thellë në tokë, në ndonji bregore. Ajo ishte nji vrimë e gjatë, horizontale, e ngushtë, ku hynte tue u zmbrapsë, mbasi nuk kishte mundësi të sillej. Gjuha shqipe, që nga Naimi, filloi përparimin e vet të madh. Ndërsa shkrimtarët e sotëm, vazhdoi Dom Nikolla, që nga vjeti 1945, në krahasim me pastërtinë e gjuhës së Naimit, përdorin aq shumë turqizma e fjalë të hueja, marrë nga frengjishtja, italishtja e rusishtja, sa e ka humbë vleftën dhe bukurinë e saj.
Pa i mbarue mirë këto fjalë, kur t’u çuen peshë të dy përnjiheri, kryetari e prokurori, njani mbas tjetrit:
- Shihni ku arrin poshtërsia e një intelektuali borgjez! Reaksionar! Zëdhënës i klerit ultra konservator e nacional-shovinist! Që thotë se letërsia shqipe është zhytur që atę ditë që ka ardhur në fuqi Pushteti Popullor! Dhe me paturpsinë më të madhe na vë një poet të krimbur me ideologjitë fetare, siç është Naimi, përballë letërsisë së realizmit socialist. I pandehur, ke lexuar apo jo letërsinë tonë të ré të realizmit socialist, veprat e Shevqet Musarajt, Andrea Varfit, Llazar Siliqit, të Dritëro Agollit e të Ismail Kadaresë? E çfarë vlere kanë veprat e Naimit, “Qerbelaja” dhe “Skënderbeu” në krahasim me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”.?
- Nuk kam mujtë me i lexue sepse ato janë propagandë partiake dhe jo kurr letërsi. Kur t’i fillojsh, të mbesin në fyt.
Atëherë u çue prokurori e tha:
- Sigurisht, që me ardhjen e revolucionit kulturor do të bëhet edhe reforma shkollore në programet e letërsisë. Ne nuk na duhet më letërsia reaksionare nacional-shoviniste, as ajo fetare. Letërsia jonë do të fillojë e mbarojë me realizmin socialist. Por me të pandehurin kemi një gjë tjetër me shumë interes për kohën e sotme. Ky ka thënë publikisht në Kishën e Laçit te Vau Dejës se shkenca e aprovon fenë. A është kështu? Përgjigju.
- Po, e kam mbrojtë këtë tezë kundra atyne që thonë se shkenca nuk njef Zotin. Kam tregue në atę kishë se në nji anketë që u asht bâ, tash vonë, 100 shkencëtarëve të botës, 90 ishin pro dhe 10 kundër. Për këtë fjalë kam kalue dënimin dhetë vjet ndër kampe t’internimit. Mendoj se kjo çashtje asht e mbyllun.
- Si e mbyllur? Kjo sot është çështja më aktuale. Revolucioni kulturor pikërisht këtu ngulmon. I pandehur, - tha kryetari, - thuaj ç’mendon për fjalimin e shokut Enver dhe veprimet popullore që pasuan këtë fjalim?
- Si, shka të thom?
- Thuaj mendimin tënd këtu para popullit që të dëgjon.
- Nuk mund e tham mendimin tem, sepse ndoshta do të kërkoni të më dënoni për agjitacion e propagandë. Prandej po u thom se zakonisht njerzimi vjen gjithmonë tue përparue e ndërkaq kështu do të dishrojshem me interpretue edhe veprimet e fundit që nga fjalimi i 6 shkurtit. Kaq mjafton për ju.
U bâ nji heshtje, po thuej si nji pushim i shkurtë. Prokurori atje e kryetari këtu shfrytëzonin proces verbalet. Ndigjohej çpalosja e fletoreve. Pritej dishka e madhe.
- Ndigjo, i pandehur, - tingëlloi zani i Nuri Resmjes, - këtu kemi bisedat që ti ke zhvilluar kohë mbas kohe me të pandehurin tjetër, Zef Pëllumbi. Ç’do të na thuash për këto biseda? Ishin armiqësore apo jo?
- Zoti gjygjtar, bisedat e mija me At Zef Pllumin ishin të përzemërta, vllaznore, mâ shumë se miqsore. Shka kërkoni ndër to? Mendoni t’i ktheni në “agjitacion e propagandë”? Do t’ishte qesharake! Un me i bâ agjitacion At Zefit që asht anmik, po si un, i komunizmit?
- Nuk asht puna te agjitacioni, por te komploti.
- Komploti!? E çfarë komploti!? - tha Dom Nikolla. - Na dojshim me ikë për vedi e jo me u rrxue ju!
- Po, ja, këtë do ta shohim, - tha kryetari dhe mbasi shikoi sallën anë e mbanë foli: - Bëjmë pushim. Vazhdojmë pas pak.
Gjygjtarët u tërhoqën mbrapa skenës, ndërsa në sallë buçiti kanga e vjetër partizane: “Hakmarrje rini, dëshmori thërret!”... “Hakmarrje rini, hakmarrje rini!”... “Hakmarrje rini, dëshmori po thërret”!
Mbeta shtang. Nuk mund e kuptojshem se në cilin vit ishim: në 1948 apo në 1968. Populli shqiptar kishte mbetë në vend. Tashmâ e kishim të kjartë se tirania nuk mund lejojë kurrnjí hap para. Populli shqiptar kishte vdekë nji herë e përgjithmonë. Përgjithmonë? Përgjithmonë?!... Konstatim i vështirë. T’ardhmen nuk e din kurrkush. Në shkencë diskutohet e kaluemja dhe e tashmja, por jo kurr e ardhmja. Megjithktë, megjithktë, po ta lejojë shkenca, konkludojmë se populli shqiptar nuk ka t’ardhme. Sentencë gjygjsore tepër e vështirë, por nuk kemi ç’t’i bajmë...
Ndërsa ishem ndër këto mendime, mes asaj zhurme popullore, më preku në sup Shyqyri Çoku dhe më tha:
- Zef, motra jote asht aty, në bankën e parë. Don ta shikjosh?
- Sigurisht që po!
Në bankën e parë ishte ulun nji grue zadrimore, nji nuse; përkrah kishte burrin e vet. Shyqi shkoi dhe foli me tę. Ktheu dhe më tha:
- A asht motra jote ajo?
- Jo, nuk e njof.
- Nuk e njef?
Në ças u veprue: gruen dhe burrin e saj e nxuerën nga salla. Shifej mirë se publiku aty ishte me ftesa.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Rrno vetëm për me tregue.

#13

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 6:41 pm

Mbas nji të katërt ore thirrën emnin tem. Dola aty para mikrofonit. Nuk e ndjeva vedin mirë, sepse më kishte kapë aq të ftoftë sa dridhesha, por ndërkaq m’u desh me u përgjegjë. Pvetjet silleshin kryesisht në katër pika kryesore: a) te bisedat për arratisje, b) mbajtja me ushqim e diversantave, c) bisedat që kishem bâ me të tjerët për mbylljen e kishave dhe d) mshefja e disa dorëshkrimeve, kur na nxorën prej Kuvendit Françeskan.
Për nji kohë, relativisht të gjatë, në sallë ushtoi vetëm zani im që e shifshem kjartë se populli e ndiqte me mâ të madhen kureshtje. Spjegova me mâ të madhin sinqeritet gjendjen teme shpirtnore gjatë mbylljes së kishave si edhe bindjet e mija personale për t’ardhmen e errtë e të panjoftun që na priste. Thashë se që në moshën e njomë i ishem kushtue Zotit e fesë në këtë tokë, se kishem predikue disa herë në këtë kishë që sot po dhunohet në mënyrë të pabesueshme.
Vetëm në këtë moment ma kputi fjalën Nuri Resmja.
- Ç’mund të bëje ti kur shërbimi fetar ishte i ndaluar?
- Un nuk mund bâjshem kurrgjâ, por prania e personit tem në çdo ambient që të gjindesha do të vepronte te mendjet e njerzve tue shkue nga prifti te Zoti, dhe se çdo katolik, po të gjindej vetëm për vetëm përballë meje, në mos me gojë, së paku me mend do të thonte: “Kjoftë levdue Krishti!” Dhe kaq do t’ishte e mjaftueshme për misionin tem fetar. Liria e fesë ishte garantue me Kushtetutë dhe me ligjet përkatëse, por ju tregoheni kontradiktorë në veprime e në doktrinë. Si asht e mujtun që ju, si leninista, të shkrueni me shkronja të mëdha parullën e nji ideologu të borgjezisë, Dideroit?
- Shihni ç’armik kemi përballë! Një armik ideologjik, i cili me më të madhen qetësi tregon metodën e vet të djallëzuar për të përgjumur vigjilencën revolucionare!
Kështu foli kryetari dhe që n’atę ças populli në sallë filloi gumëzhitjen.
Pjesët mâ të vështira kjenë ato të agjitacionit e propagandës, mbasi bisedat e thanuna ishin zhvillue ndër rrethe krejt konfidenciale, të mbylluna, ndërsa të shqiptueme para publikut, aso kohe, mbaheshin si herezí aq të mëdhaja sa me ia kalue marrísë; populli ishte çmendë nga servilizmi dhe dhuna tiranike. Ndër procesverbalet e mija qe shkrue se “udhëheqsat e Partisë e të Shtetit kalojnë nji jetë luksoze, ndërsa populli i mjerë shkrryhej me dit e me net ndër radhat e gjata, para dyqaneve të bukës e të qumështit dhe të shumtën e herës kthehej duer bosh”. Aq mâ t’ashpra e të papranueshme ishin interpretimet për veprimet revolucionare të vjetit 1967, të cilat, un me kolegët e mij i mendojshem jo si nji tregues i forcës së Partisë e Pushtetit, por si nji ligshtí, sepse Kisha Katolike kishte si parim bazë vetëm lirinë e njeriut, me zgjedhë vetë ai, ndër të gjitha idetë e ekspozueme atę të mbrojtun me logjikë; pra kishte si themel propagandën e mbushëmendjes. Ndërsa Partia e Pushteti kishin dështue në këto punë dhe kishin zgjedhë rrugën e dhunës.
Populli shqiptar kaherë kishte harrue ligjet e logjikës e të realitetit dhe i ishte nënshtrue fatalisht fatit të keq, ndoshta edhe me mburrje, prandej fjalët e mija tinglluen në atę heshtje kishtare si të pandigjueme ndonjiherë, si fjalët e nji të marri.
Kryetari Nuri Resmja tha:
- Po bëjmë një pushim të vogël, se e shoh që i pandehuri është lodhur.
Gjatë pushimit Dhimitër Shkodrani më kqyrte me nji vështrim të posaçëm, ndërsa Shyqi më tha si nën zâ:
- Zef, kqyr e mos e zgjat shumë. Ndër disa biseda tueja esenca nuk asht aty. Rueje edhe gjakftoftësinë.
- Un nuk do çeksha asnji nga këto biseda private, por po më ngacmojnë dhe un duhet të mbrohem.
- Ti mbrohu, por jo tue sulmue; mos u ban agresiv se nuk të shkon. Ti je njeri i qetë.
- Zotni, jam njeri i sinqertë dhe nuk mund e cungoj mendimin. Flas ashtu siç më vjen, pa kqyrë në se të tjerëve u pëlqejnë apo jo fjalët e mija.
Seanca e dytë nisi aty nga ora 12.30. Kryetari bani sikur kaloi disa nga faqet e procesverbaleve dhe filloi me çastet e fundit të mbylljes së Kuvendit Françeskan dhe të kishës në Shkodër, me 19 mars 1967.
- Na trego si është puna e atyre dy domizhanave të verës.
- Zotni, asht krjt e thjeshtë. Ndër ditët e mbrame të Kuvendit Françskan rrinte nji polic aty jashtë në rrugë. Na fretnit e priftnit, bashkë me Ipeshkvin, ishim të grumbulluem me forcë aty. Pritshim se çdo të ndodhte me né. Kryetarët e Këshillave Popullore, që vijshin tash e parë, thonin: presim. Gjatë kësaj pritje, në Kuvendin Françeskan vërshuen gjithfarë njerzish, të gjithë të panjoftun, djelm të rij dhe burra të pjekun, grá të ndryshme, deri gabele. Me paturpsinë mâ të madhe hyjshin në Kuvend e dikush merrte karriget, dikush divanet, dikush qylymin. Na pritshim që Këshillat Popullore ose auktoritetet shtetnore të merrnin në dorëzim gjithshka me inventar, por ndërkaq Kuvendi plaçkitej çdo ças. Kurrgjâ nuk u bâ në këtë drejtim. Atëherë un mora dy domizhana me venë Meshe dhe i dërgova për ruejtje ndër kojshi. Zotni, për né vena e Meshës duhet me kenë e saktë dhe e zgjedhun. Ju mund e interpretoni si të doni, por mjerisht jam i smundë me ulçër duodenale dhe nuk mund duroj asnji pije. Shka doni tjetër?
- Po për ato dorëshkrimet ç’do të na thuash?
- Për dorëshkrimet? Zotnij, sigurisht që ju e keni të vështirë ta dini se ç’ishte Kuvendi Françeskan, mbasi nuk jeni nga Shkodra, por nga Maqedonia ose Korça, tue u nisë nga mbiemnat tuej. Kuvendi Françeskan mâ shumë se nji shtëpi priftënsh katolikë ishte nji akademi shkencëtarësh, akademi e pashpallur, ku secili prift ishte i specializuem në nji shkencë, dikush në gjuhësí, nji tjetër në historí, në etimologjí, në folklor, antropologjí e të tjera shkenca humane, si drejtësí, arte etj. Kemi punue pa kurrnji interes, por vetëm për popullin shqiptar. Ndër këto kohët e fundit, në Kuvendin Françeskan të Arrës së Madhe në Shkodër, kishin teprue dy shkencëtarët e fundit: At Justin Rrota, gjuhëtar dhe At Marin Sirdani, historian e folklorist. Shkrimet e At Justin Rrotës ishin shpërnda, vjedhë e masakrue nga xhambazë të shkencës gjuhësore shqiptare. Ndërsa shkrimet e historianit e folkloristit At Marin Sirdani, ishin mâ pak të njoftuna e të kërkueme. Mendova me i shpëtue, por jo, ato ranë të gjitha në dorën tuej. Kaq.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Rrno vetëm për me tregue.

#14

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 6:41 pm

- Ti i a dhe Zef Mjedës ato?
- Përpara i çova tjetërkund, por mandej e pashë se ato duhej t’i kishte në dorë nji intelektual. Zoti prokuror, simjet asht 500-vjetori i vdekjes së Skanderbegut. Këto shkrime të At Marin Sirdanit kanë nji vlerë të madhe, prandej duhen studiue me imtësinë mâ të madhe.
- Zef, tani do të përfundojmë. Dua të të bëj edhe një pyetje. Si e konsideron ti fjalimin e 6 shkurti të shokut Enver?
- Zotni, nuk mund të jap nji gjykim të saktë mbasi na mungon distanca historike.
- Distanca historike? Çdo të thuash me këtë?
- Zotni gjykatës, kur flasim për distancën historike, flasim për nji shkencë të kulluet. Kjo shkencë nuk asht vetëm historike, por edhe juridike. Kur ju më kërkoni mendimin për këtë çashtje të caktueme, siç asht mbyllja e kishave, un do të ndryhem në veten time, do të shqyrtoj historinë e ndërgjegjen dhe vetëm atëherë do të vendos se cila asht e drejtë. Na nuk duhet të influencohena as nga pasionet, as nga emocionet e aq mâ pak nga nji ideologji e caktueme. Distanca historike asht çveshja nga çdo pasion.
- Zef, të pyes për herë të fundit: Si e konsideron ti fjalimin e 6 shkurtit?
- E thashë mâ parë se më mungon distanca historike.
- Jo, nuk e duam këtë. Ne kërkojmë se si e sheh dhe e gjykon ti sot për sot fjalimin e 6 shkurtit të shokut Enver!
Mendimi im personal? - Thashë me vedi: Alea iacta est. (U hodh zari, shorti). - Krejtësisht i gabuem! Gjykimi i saktë do të vijë mbas 30 vjetësh, por un thom që të gjithë do ta dënojnë nji herë e përgjithmonë.
Kur e thashë këtë fjalë nji antar i trupit gjykues, që thirrej Gligor, shkrepi grushtat për kokë. Fjala ime i dukej nji marrí e madhe.
Gjygji mbaroi. Më kthyen në qeli. Aty të vijnë plot mendime: Si fola? Mirë apo keq? Sigurisht do mund të flitshem edhe mâ mirë.
N’e nesre gjygji vazhdoi; ai i popullit; me të vërtetë në dukje ishte i popullit.
E kërkoi fjalën Prof. Luigj Franja. Kishte studiue në Shkollën Françeskane. Të naltat i kishte bâ në Itali. Atje ishte puqë me idetë komuniste, të cilat i mbronte edhe në Shqipní. U çue në kambë e foli vetëm për idetë revolucionare të kohës dhe të shkencës, mbasi, siç tha ai, këto ide ishin kundra fesë. Deshta t’i përgjigjesha fjalës së tij, por Shyqyri Çoku më tha:
- Ti nuk ke punë me tę as me të tjerët që do të flasin.
Ndërkaq të tjerët mbas tij, kund gjashtë persona, kërkuen dënimin tim me vdekje. Në të vërtetë, kur e kërkojshin ata, më dukej mjaft i largtë. Të gjithë flitshin me letra në dorë, sikur t’ishin shkrue dikund njeti. Dikur u paraqit nji grue që punonte në spital e kishte ardhë me bluzën e saj të bardhë. Tha se kishte ndigjue nga altoparlantat e radios lokale se këta priftën këtu thane se feja nuk asht kundra shkencës. Si asht e mundun që t’i thonë këto fjalë, mbasi këta vetë, kur janë të sëmundë, vijnë në spital te né dhe kërkojnë ndihmën e ilaçeve dhe jo të fesë, tha ajo.
Mbasi e mbaroi fjalën e saj, Nuri Resmja e pveti:
- Ti i dëgjove që të tjerët kërkuan dënimin me vdekje, po ti çfarë propozimi i bën gjykatës?
- Të dënohen randë.
- Rëndë? Po, sigurisht... Edhe ti kërkon dënimin me vdekje si të tjerët?
Ajo u skuq, na kqyri me dhimbje, sikur të donte të na kërkonte falje, mandej tha:
- Të dënohen randë, por jo me vdekje.
Ra nji qetësi e madhe, mandej u çue në kambë Prof. Jup Kastrati. Ky gëzont emën në Shkodër, si nga prejardhja familjare, si nga pregatitja shkencore, por edhe nga ledhatimet e dukshme që i banin institucionet partiake e shtetnore.
- Ndigjova se këtu u fol se “gjuha shqipe, që nga Çlirimi e deri më sot, po ecën si balili. Ndërsa unë këtu do t’argumentoj se kurr gjuha shqipe nuk ka përparur më shumë. Këto janë parulla të klerit katolik, që donte të monopolizonte gjuhën shqipe dhe patriotizmin.
Atëherë ai filloi të thotë se që në vjetin 1945 kishin fillue botime të revistave shkencore si “Buletini i Institutit të Shkencave” etj. si dhe Fjalori i Gjuhës Shqipe të sotme etj. Foli mjaft gjatë, gjithmonë tue naltue antishkencën e ré shqiptare të drejtueme, në të gjitha fushat, nga Partia dhe i quejtuni Pushtet Popullor. Mbasi i cilësoi përfaqësuesit e klerin katolik shqiptar, si “pseudoshkencëtarë” dhe “pseudopatriotë”, u ul. Nuk i kërkoi kush mendimin se me ç’masë duhej të dënoheshim, me vdekje apo jo.
Mbas tij u çue Tomë Nikolla, nji kangëtar popullor i maleve që kishte thurë sa e sa kangë për Partinë dhe udhëheqësin Enver. Kishte nji zâ të fortë dhe foli nga lozha:
- Ndigjuem këtu tue folë At Zef Pllumin, që përpiqej t’i rrshqasë si njala drejtësisë popullore. Por ndigjuem këtu të flitet vetëm kundra klerit katolik. Mendoj se nuk duhet bâ fjalë vetëm për tradhtinë e klerit katolik, por për tradhtinë e të gjitha klereve të të gjitha besimeve fetare në Shqipní. Sigurisht që tradhtia e naltë e klerit katolik u vrejt ndër këto kohët e vona kundra Pushtetit Popullor, por ama nuk duhet të mbyllim sytë para tradhtisë së klerit musliman, që për pesqind vjet i shërbeu me mâ të madhen devotshmëri okupatorit turko-osman, tue u përpjekë të shkombtarizojë popullin shqiptar, tue luftue doket e kanunet tona kombëtare, për me na bâ pjesë integruese të Perandorisë Osmane. Kjo ishte nji fatkeqsi e madhe historike e kombëtare. Gjithashtu kleri i besimit tjetër ortodoks, siç na tregon historia jonë kombëtare, vazhdimisht asht përpjekë me shkombtarizue, me anën e fesë, popullin shqiptar, tue e identifikue me atę grek. Të gjitha këto tradhtí, njana mâ e naltë se tjetra, nuk duhet të kalojnë pa u dënue në këtë proces gjygjsor që populli i ban fesë. Për të gjithë këta, që janë e nuk janë këtu, populli shqiptar kërkon të dënohen nga Gjygji i Popullit për tradhtí të naltë.
Mbasi i tha këto fjalë u ul. Kje i fundit.
M’u duk sikur jo vetëm ndër fëtyrat e hetuesve, Shyqyri Çoku e Dhimitër Shkodrani nuk gjet perkrahje fjala e tij, por as në trupin gjykues, as te prokurori e as te shumica e popullit në sallë.
Ishte bâ mesditë e kryetari lajmëroi nji pushim për nji të katërt ore. Seanca tjetër e mbasdites filloi me dëshmitarët.
Ata, të pregatitun me porosi, u paraqitën si nji mizerje njerzore. Kje nji gafë e vërtetë. Si ata të Dom Nikollë Mazrekut, si ata të mijët ishin të pa vendosun, të mangët, të friguem, të dhunuem e që do të shprehshin si papagalli thaniet e Sigurimit. Ata u banë qesharakë para elitës popullore të zgjellun nga Partia.
Mbas kësaj gafe seanca mbaroi. U dha pretenca.
Pretenca e Faik Minarollit kje: Dënim kapital (me vdekje) për mue dhe dënim me 25 vjet heqje lirie e punë të detyrueme për Nikollë Mazrekun.
Kthyem në qelitë e famshme. A fjeta atę natë? Fjeta pak. Pretenca ishte me dënim kapital, por në rishqyrtim në kohë të mavonëshme. Kishem frigë, kishem edhe shpresë. Por atę ditë të ftoftit më kishte lodhë shumë.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

User avatar
Patush
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1360
Joined: Tue Jun 02, 2009 2:12 pm
Gender: Male
Location: With my loved ones, where I belong!

Re: Rrno vetëm për me tregue.

#15

Post by Patush » Sat Dec 12, 2009 6:42 pm

Revolucioni kultural kishte perfshí edhe gjykatat. Me arsyetimin se gjykatat ishin të popullit, e rrjedhimisht, duhen të jenë të drejta, nuk do t’ish mâ nevoja për avokatë mbrojtës. U hoqën ata. Mbrojtja do të bahej nga vetë i akuzuemi. U pregatita po atę natë. Fola gjithë natën me vehte: kështu dhe ashtu. Kur dola në gjygj ne e nesre, nuk fola as dhetë përqind të mendimeve t’asaj nate.
Kur m’erdh fjala e fundit thashë:
- Dua vdekjen.
- Kërkon vdekjen?!...
- Po, se vetëm përmes asaj mund të fitoj lirinë.
- Çdo të thuash tjetër? - pveti Nuri Resmja.
- Zotni, kam thanë gjithshka. Kjo jetë që ju projektoni, tue hjekë fenë, asht e padurueshme.
Në sallë ra nji heshtje vorri. Mbas ndonji minuti, dikush andej nga lozha e fundit, tha:
- E pse mos t’i heqim qafet këto qelbsina klerikale që duen të pengojnë jetën tonë të lumtun?
- Si të quajnë? - pveti gjykatsi.
- Zef Rrushi, - së paku kështu m’u duk se tha.
- Do të tërhiqemi për të përgatitë vendimin, - tha kryetari.
Në sallë filloi kanga si motit. Mbas nji të katërt ore trupi gjykues hypi në podium dhe të gjithë në kambë ndigjuen vendimin: 20 vjet për Dom Nikollë Mazrekun dhe 25 vjet për mue, ku perfshihej, nga bashkimi i neneve, tentativa për arratisje e agjitacion e propaganda. Në dënim përcaktohej edhe konfiskimi i gjithshkafe që më përkiste mue.
Mbasi lexoi këtë vendim tha:
- Shumë nga ju në këtë sallë keni kërkuar dënimin me vdekje, por dua t’u sqaroj se ne si gjykatë nuk mund ta jepshim atë me që faji ka mbetë në fazën e tentativës. Megjithatë Gjykatat tona Popullore e japin vendimin e tyre mbështetur edhe në opinionin e popullit. Prandaj para se t’i dërgojmë dokumentat për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, kërkoj që ju të shprehni përsëri mendimet tuaja. A kërkoni ju dënimin me vdekje? Po apo jo? Thuajeni mendimin tuaj.
Po thuej dhetë minuta vazhduen pvetjet e tij n’atę heshtje të gjatë. Kurrkush nuk foli. Atëherë ai tha:
- Me kaq përfundojmë.
Liri-A-Vdekje
Qui tacet consentit
Heshtja eshte Hjeksi!

Post Reply

Return to “Historia e Shqiperise”