INCIDENTI I KORFUZIT
Kur në prill të vitit 2007, miku dhe shoku im, Prof.Dr. Shaban Sinani më dhuroi librin e tij “Një Shqipëri tjetër”, gjatë leximit me ëndje që i bëra, u njoha me një fakt befasues e njëkohësisht intrigues. Në shkrimin “Fono-Dokumenti në Shqipëri”, autori bën të ditur se jo shumë kohë para se qytetari anglez Martin Moir dëshironte t’i dhuronte Arkivit Qendror të Shtetit shqiptar një koleksion disqesh, nga Londra kishte mbërritur në zyrat më hijerënda të shtetit komunist shqiptar një çek prej 8.000.000 stërlinash. Dërguesi nuk ishte një nënshtetas i zakonshëm, por Margaret Theçeri. Nga ana e tij, Enver Hoxha, në kushtet e vështira që gjendej Shqipëria pas prishjes së marrëdhënieve ekonomike me Kinën, nuk do fërkonte duart për “zogun që i erdhi në dorë”, por do ta cilësonte këtë “një gjë të çuditshme”, pasi ky çek kishte vlerë monetare të njëjtë me atë të arit të bllokuar nga qeveria angleze, për shkak të incidentit të Kanalit të Korfuzit. Statusi i zonjës Theçer, në momentin e dërgimit të këtij çeku, pikërisht në janar 1979, të bën të kridhesh në mendime të thella për të krijuar lloj-lloj alibish. Rezulton se ajo ishte kryetare e Partisë Konservatore dhe jo kryeministre. (Postin e kryeministres ajo do ta merrte në maj të atij viti dhe do ta mbante për 11 vjet me radhë). Si drejtuesja e një force të djathtë politike, të një prej shteteve më potente të botës demokratike, është e vështirë t’i japësh përgjigjen e duhur se ç’e shtyu Theçerin ta adresonte këtë çek drejt shtetit më totalitar komunist.
Me ndihmën e Prof.Shaban Sinanit munda të shtie në dorë dokumentin, për të cilin bën fjalë ardhja e këtij çeku misterioz. Atë e gjetëm në librin e Enver Hoxhës “DITAR - PËR ÇËSHTJE NDËRKOMBËTARE”, volumi i 12, viti 1979.
Dua të vë në dukje se këta lloj ditarësh nuk kanë qenë asnjëherë në qarkullim, por vetëm për përdorim të brendshëm në instancat më të larta të ish-shtetit monist.
Po si e vlerësoi Enver Hoxha gjestin e Theçerit? Materiali që po publikohet më poshtë, hedh dritë rreth kësaj enigme.
DITARI: E premte, 2 shkurt 1979
MANOVRA TË ZONJËS THEÇER
“Një gjë e çuditshme ka ardhur në adresë të Qeverisë sonë dhe të Partisë së Punës së Shqipërisë: një çek “o portër” i firmosur nga Margaret Theçer, kryetare e Partisë Konservatore të Anglisë. Ai kap shumën prej 8.000.000 stërlinash dhe mund të tërhiqet. Kjo shumë përfaqëson pikërisht arin tonë të grabitur nga forcat nazifashiste gjermane e të bllokuar nga qeveria angleze. Pas luftës, Komisioni Trepalësh Francë-SHBA-Angli, pas shumë kërkesave tona dhe pas ekspertizave që bëri me persona të ndryshëm kompetentë, midis të cilëve një specialist zviceran, vendosi që ky ar i përket Shqipërisë dhe duhet t’i kthehet menjëherë asaj, por Anglia nuk na e ktheu. Me pretekstin e incidentit të Korfuzit, ajo padrejtësisht e bllokoi këtë sasi ari, sepse gjyqi i Hagës nuk i jep të drejtë kurrkujt që të bllokojë pasuritë e tjetrit, aq më tepër që kjo pasuri nuk ishte në duart e qeverisë angleze, por në duart e Komisionit Trepalësh.
Tash, Anglia po përdor një rrugë të tërthortë. Kryetarja e Partisë Konservatore, e kësaj partie që nuk është në fuqi, bën këtë manovër, duke u nisur nga mendimi sipas të cilit, në qoftë se ne e pranojmë një gjë të tillë, mbyllet çështja dhe del se qeveria angleze s’ka bërë asnjë veprim, domethënë s’ka mbajtur asnjë monedhë ari nga tonat. Ata mendojnë se Shqipërisë i mjafton të marrë stërlinat. Por ne këtë nuk mund ta pranojmë, prandaj vendosëm që çekun “o portër”, që ka dërguar Theçeri, t’ia kthejmë bankës që e dërgoi me anën e Bankës dhe të PTT-së sonë, duke shënuar mbi çek fjalën:”I papranueshëm”.Por sot, pasi kishim vendosur siç theksova më lartë, më lajmërojnë se banka angleze, me të cilën ne kemi marrëdhënie tregtare, pa bërë fjalë për këtë çek, ose për këto milionë stërlina, që duhet të jenë depozituar në kasafortat e saj, i ka dërguar një teleks bankës sonë, me anën e së cilit thotë se nga muaji prill dëshiron të dërgojë dy personalitete të saj që të merren vesh për çështje tregtare. Sigurisht ata vijnë për këtë tratativë. Nisur nga ky hap i ri në këtë çështje, ne vendosëm që zarfi me gjithë çekun e papranueshëm t’i kthehet Theçerit dhe pas një jave t’i bëhet një telegram ose një teleks bankës në fjalë, ku t’i thuhet që “ne jemi dakord t’i presim të dërguarit e saj për çështje tregtare”. Në qoftë se e hapin këtë çështje, kur të vijnë, duke na thënë se në bankën e tyre janë depozituar kaq milionë stërlina, që përfaqësojnë arin tonë të grabitur prej gjermanëve, por të bllokuar prej qeverisë angleze, atëherë ne do t’u themi:
“Ju vini për tratativa, po në emër të kujt”? Në qoftë se thonë në emër të Theçerit, ne do t’u themi se nuk e pranojmë këtë bisedim. Në qoftë se thonë në emër të qeverisë britanike, atëherë do t’u themi dakord. Në këtë rast, do t’ua bëjmë të qartë mendimin tonë: “Kaq ar, që është ari ynë, duhet të depozitohet në bankën tuaj dhe duhet të na dorëzohet në metal tingëllues me gjithë përqindjet, që prej kohës kur u bllokua. Ai duhet, gjithashtu, të shoqërohet me një letër të shkurtër nga qeveria angleze, e cila të thotë që i kthen Shqipërisë arin që ia kishte grabitur Gjermania hitleriane e që na e kishte bllokuar ajo e që sipas vendimit të Komisionit Trepalësh, i përket Shqipërisë”. Dhe ne kur të marrim këtë letër dhe arin, atëherë do t’i japim, si me thënë, dëftesën që e morëm këtë sasi ari dhe mund të biem dakord, meqenëse këtë do qeveria angleze, që të mos e bëjmë bujë këtë çështje. Si duket, kjo është çështje nderi për qeverinë angleze dhe ajo nuk do që të merret vesh, se tani vendosi të na kthejë arin e të shkelë pretendimet e dikurshme, se Shqipëria duhet t’i paguajë reparacione Anglisë për anijet e saj që u futën në ujërat territoriale të Shqipërisë dhe u hodhën në erë nga minat.
Kjo është zgjidhja më e drejtë. Ne në asnjë mënyrë nuk duhet të pranojmë marrëveshje e tratativa me kërkënd tjetër në Angli përveçse me qeverinë angleze dhe këto tratativa duhet të përfundojnë në dorëzimin e arit, deri në santimin e fundit, me dokument nga qeveria angleze ose Komisioni Trepalësh dhe t’u kthejmë dëftesën që u përket, ku të thuhet se morëm arin në dorëzim. Për këtë kështu morëm vendim dhe kështu do të veprohet.
Udhëzimet e Enverit për negociatat me anglezët
Në prill 1979, tre muaj pas dhurimit të çekut misterioz të zonjës Theçer, në Shqipëri erdhën dy përfaqësues të Bankës angleze. Në prag të takimit të tyre me palën shqiptare, Enver Hoxha, në takimin që ka bërë për këtë gjë me Hysni Kapon dhe Ramiz Alinë, lë porosi të detajuara se çfarë duhet të trajtojë i ngarkuari i Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme në ballafaqimin me britanikët.
Liderin komunist shqiptar, edhe në këtë takim e preokupon në shkallën maksimale çështja kapitale se ari i bllokuar padrejtësisht nga qeveria angleze, i përket tërësisht shtetit shqiptar. “Ne, asnjeriut nuk i kërkojmë gjë më shumë, por hakun tonë nuk e lëmë pa e marrë”, do të theksonte Enver Hoxha në fund të ditarit të datës 23 prill 79.
Odisesë së gjatë të negociatave midis shtetit shqiptar dhe atij britanik për zgjidhjen e këtij ngërçi ligjor e diplomatik, iu dha një zgjidhje e tipit deus ex machina, kur Qeveria shqiptare, nën drejtimin e Fatos Nanos, mori Vendimin nr.414, datë 09. 07. 1998 “Mbi marrjen në dorëzim të pjesës së arit shqiptar të grabitur nga gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
Aktualisht, kur provat ligjore mbi incidentin e Kanalit të Korfuzit janë bërë publike, nuk ka asnjë arsye që qeveria shqiptare të vonohet për t’iu drejtuar Hagës, me qëllim që detyrimi moral, ligjor dhe bankar të bjerë tërësisht mbi palën realisht fajtore.
DITARI: E hënë, 23 prill 1979
ENVER HOXHA: NE NUK MUND
TA PRANONIM NË HESHTJE
ÇEKUN E THEÇERIT
“Sot, gjatë takimit me shokët Hysni dhe Ramiz, i thashë Ramizit se isha dakord me mendimin e tij, që për botimin e artikullit mbi problemin e arit të grabitur nga Anglia, të presim derisa të vijnë dy përfaqësuesit e bakës angleze, të cilët, me sa duket, arrijnë nesër.
Porosita shokët, që në bisedimet me ta duhet të jetë edhe një zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ose të paktën një funksionar tjetër i këtij dikasteri, por që të mos i njihet i tillë nga anglezët. Me këtë rast, shpreha mendimet që kisha se çfarë duhet të thotë e ç’qëndrim duhet të mbajë në bisedimet shoku ynë i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Gjatë takimit që do të bëhet, të ngrihet edhe problemi i arit. Shoku ynë i Ministrisë së Punëve të Jashtme t’u thotë atyre se në qoftë se ju nuk do të na e jepni arin tonë, do t’ju akuzojmë botërisht. T’u thuhet kështu, mendoj unë, sepse njëri nga ata i kishte thënë një ambasadori tonë që çështja e arit që ka bllokuar Anglia të mos bëhet publike. Në këtë kontekst t’u thuhet atyre, që ne do ta akuzojmë rëndë qeverinë tuaj dhe botërisht si grabitëse të arit shqiptar, kështu që në opinionin publik ju do të humbni, ndërsa ari edhe pse tash për tash është i bllokuar nga ju, është e vazhdimisht do të mbetet yni, prandaj duhet të na e jepni, ndryshe do t’ju diskretitojmë. Kjo duhet të jetë parashtesa jonë kryesore, e cila t’u thuhet qartë e në mënyrë të prerë.
Atyre u duhet vënë gjithashtu në dukje, që ne nuk e njohim vendimin e Gjyqit të Hagës, njohim vetëm vendimin e Komisionit Trepalësh, megjithëse shuma që mendohej të na jepej përfaqësonte vetëm 45% të arit të grabitur. T’u thuhet atyre se e bëmë atëherë këtë, natyrisht pa vullnetin tonë. Por, megjithëkëtë, as komisioni nuk e ka bërë detyrën e vet, se e ka zvarritur këtë punë dhe siç po duket, në komplicitet me ju, me qeverinë angleze. Derisa u mor vendimi nga komisioni, kjo sasi ari duhet të ishte kthyer me kohë. Çështja u zvarrit se ky komision kërkonte nga Qeveria shqiptare që të firmoste një dokument me të cilin ne të pohonim se nuk do të paraqitnim më rivendikime të tjera. Prandaj, në qoftë se nuk do na ktheni arin, ne do të demaskojmë edhe Komisionin Trepalësh, bile nuk do të njohim as atë që kemi pranuar, sepse ajo na u imponua nga fuqitë imperialiste, nga SHBA, Franca dhe Anglia.
Një çështje tjetër që duhet t’u ngrihet anglezëve, është shuma arbitrare që na u caktua për të paguar dhe që ju (anglezët) e kërkuat nën pretekstin e incidentit të kanalit të Korfuzit. Ne nuk pranojmë t’u paguajmë asnjë grosh për këtë ngjarje. Gjyqi i Hagës nuk e ka pasur të drejtën për të gjykuar mbi këtë incident. Ky gjyq ka marrë një vendim, që ne nuk e pranojmë. Pastaj në bazë të këtij vendimi thuhet se “të dyja palët duhet të merren vesh për këtë çështje”, kurse ju keni caktuar një shumë në mënyrë arbitrare. Pra edhe sikur të ishim marrë vesh, ne nuk do ju japim asnjë santim. Për të gjithë është e qartë se nuk jemi përgjegjës për incidentin e pretenduar të kanalit të Korfuzit, sepse në atë kohë nuk kishim as mina, as minavënëse. Ato i kanë pas vënë fuqitë e huaja, gjë që ne e kemi deklaruar botërisht. Ju shkelët arbitrarisht në ujërat tona territoriale, erdhët gati m’u brenda në Sarandë. Ç’deshët deri atje ju? Prandaj nuk pranojmë t’u shlyejmë asgjë (pa i përmendur asnjë lloj shume ose monedhe), sepse ata mund të thonë, qoftë dhe për një shiling, se ja, shqiptarët janë dakord.
Ata këtë duan. Duan, si të thuash, të kenë një atu‘, një sadisfaksion moral, por ne as atë nuk do t’ua japim. Ne, t’u thotë shoku ynë, na vjen keq në qoftë se ka pasur të vrarë në këtë incident, megjithëse vetë nuk dimë gjë me siguri për këtë, sepse asgjë nuk kemi parë. Prandaj asnjë përgjegjësi nuk kemi për këtë çështje.
Për sa i përket çekut të dërguar nga Theçeri, ata mund të pretendojnë se nuk e njohin atë. Atëherë, shoku ynë t’u thotë se çdo gjë mund të ndodhë në vendet tuaja, prandaj ka mundësi që çeku të jetë një çek pa provizion, në emër të Theçerit dhe të mos jetë fare i saj. Ka gjithashtu mundësi, të vazhdojë shoku ynë, dhe ky është vetëm një supozim, që meqenëse Theçeri është kryetare e Partisë Konservatore, qeveria laburiste mund të ketë bërë një çek për kaq milionë stërlina për Partinë e Punës së Shqipërisë, veçse te ne Paria nuk merret me këto punë, por Qeveria.
Ata deshën që ne ta pranonim këtë çek në heshtje dhe kështu, siç mendonin, kjo çështje të konsiderohej e mbyllur dhe ku ishit, hiçgjëkundi, as arin nuk do të merrnim në ar dhe as interesin që rrjedh nga përdorimi që i ka bërë këtij ari qeveria angleze. Sidoqoftë, t’u thotë shoku ynë, jemi dakord me ju që çeku nuk ka asnjë vlerë, është i pavlefshëm dhe sikur ta ketë bërë Theçeri. Por shoku ynë edhe të intrigojë, duke u thënë atyre se ka mundësi që çekun të mos e ketë bërë ajo, ne nuk marrim ndonjë çek pa provision, prej ku di unë sa lirash angleze, nga dikush nga Londra.
Ata janë anglezë, janë rrufjanë, nuk vijnë kot, nuk vijnë pa qëllim të caktuar.
Në fund, shoku ynë t’i pyes: Ç’gjë tjetër keni, mos keni ardhur për ndonjë punë tjetër?!
- Jo nuk kemi ardhur për gjë tjetër, - mund të përgjigjen ata.
- Jeni të sigurt?,- të ngulë këmbë shoku ynë, - sepse ne kemi marrë një telegram nga Margaret Theçeri, në bazë të të cilit, banka juaj ngarkohet t’i paguajë bankës sonë iks milionë stërlina, shumë e cila përfaqëson një llogari të caktuar, as një santim më shumë dhe asnjë më pak. Një njeri i huaj nuk mund ta bënte dot një llogari kaq të përpiktë. A dini gjë ju për këtë?
- Jo, nuk dimë gjë, - mund të përgjigjen ata.
Atëherë shoku ynë t’u thotë: ne e kemi kthyer çekun. Nuk e kemi pranuar. Ju mbase nuk keni lidhje me qeverinë angleze.
- E, po ai është fals, - mund të pretendojnë ata.
Sidoqoftë, për muhabet, shoku ynë mund t’u përgjigjet: - Ju bankë angleze jeni dhe mund të themi se ky është një veprim kundër qeverisë suaj.
Me të mësuar këtë, Kallagani, kryeministri anglez, do t’i thotë ministrit të Thesarit se kështu thanë shqiptarët për çekun që bëri Theçeri. Kombinim!
U shpreha dakord me mendimin e Hysniut, se edhe amerikanët e francezët vihen në vështirësi për këtë çështje, sepse, siç na është thënë, ata ngarkuan përfaqësuesin e Zvicrës që ta verifikonte çështjen dhe të jepte mendimin e vet. Dhe ai dha mendim në favorin tonë, që ari duhet t’i kthehet Shqipërisë. Këta nuk e kundërshtuan atë, por pranuan që t’i paguheshin dëmshpërblimet Anglisë dhe kështu ari ynë u vu në dispozicion të saj dhe ajo na bllokoi atë pa pasur të drejtë që ta bënte një gjë të tillë.
Prandaj Franca dhe SHBA duhet t’i thoshin Anglisë: - Ke, ç’ke ti, Angli, me Shqipërinë, gjeje vet. Kërkon ti prej saj 8 milionë apo 800 000 lira angleze për incidentin e Korfuzit, kjo është një çështje tjetër. E fitove, s’e fitove gjyqin ti, këto para janë tonat, se Shqipëria mund të na thotë: Ju ja dhatë Anglisë për t’i depozituar, por mua nuk më hyn në punë kujt ia keni dhënë për depozitim. Ashtu si kundër ia keni dhënë Anglisë, mund t’ia jepnit edhe Zvicrës. Kështu Anglia nuk është më zot i këtij ari. Ç’ka Anglia me Shqipërinë, janë gjëra të tjera. Në qoftë se në Angli ka pasuri shqiptare, atëherë mund të vihet dorë mbi to nga ana e saj, por ari i grabitur nuk është pasuri mbi të cilën mund të vërë dorë ajo. Tash ky ar, përkohësisht, është i Komisionit Trepalësh.
Domethënë këto dy vende, Franca dhe SHBA do të bien ngushtë lidhur me këtë çështje. 55%-in tjetër të arit tonë e kanë ndarë midis Italisë dhe vendeve të tjera, ua kanë dhënë pra të tjerëve. Shqipërisë i dhanë si shpërblim nga reparacionet anijen “Borova” dhe disa hekurishte të uzinës “Enver”. Merre me mend, as që çanë kokën fare ata atëherë për ne.
U theksova shokëve, që funksionari i Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme, që do vejë në bisedime me anglezët, të prezantohet si nëpunës i Bankës. Ai e di mirë çështjen e arit, prandaj t’ua numërojë ato që duhet një për një. T’u thotë sidomos, që ne do ta demaskojmë shumë keq qeverinë angleze, pse na ka grabitur arin edhe kamatat. Por me ne kjo nuk shkon.
Ne, asnjeriut nuk i kërkojmë gjë më shumë, por hakun tonë nuk e lëmë pa marrë”.