Page 1 of 1

Ju rrefej 1997-ten

Posted: Thu Feb 04, 2010 6:36 pm
by Patush
Nga gazeta "Atdheu"...

DOSSIER

Të ndërtojmë të ardhmen, por pa harruar tmerret dhe kasaphanën e vitit të zi 1997 (1)

Ju rrëfej të vërtetën e llahtarshme të rebelimit 1997

Nga Kostandin KOLIQI


Koment hyrës

Kanë kaluar veçse 8 vjet nga tragjedia e pashembullt shqiptare dhe nuk janë aq shumë sa për të harruar kaq lehtë, e për më tepër kur vetë protagonistët e asaj kataklizmoje, na e kujtojnë sërish në përvjetorin e 8 të tragjedisë, që autori i këtij dossieri e ka titulluar "Shën Bartholomeu shqiptar...".
Në shkurt të vitit të mallkuar 1997, një takëm kriminelësh të politikës shfrytëzuan një situatë politike aspak më të acaruar se kjo e tanishmja, për të destabilizuar shtetin me anë të rebelimit të armatosur, që përmbysi me gjak demokracinë dhe dogji e shkatërroi Shqipërinë. I vetmi dallim midis dy situatave, qëndron në faktin se, në vitin 1997, këta gjakatarë nuk e nisën sulmin nga parlamenti, ngaqë nuk ishin deputetë, por nga Vlora, dhe se atëherë si shkas u bë humbja e parave, ndërmjet të tjerash edhe në fondacionin e një monstre analfabete, e quajtur Maksude Kadëna, për të cilën disa tepelenas thonë se ka qenë kushërira e Skënder Gjinushit.
Sudja, gjatë pushtetit të Gjinushit u dënua vetëm me 5 vjet burg, nga të cilat "vuajti" vetëm 3 vjet, ndonëse kish grabitur rreth 350 milionë $ të huadhënësve fatkeqë shqiptarë. Tashmë ajo është larguar nga vendi "në drejtim të paditur". Përflitet se është larguar me ndihmën e pushtetit të para 3 korrikut, e pajisur me pasaportë diplomatike, lëshuar nga "thyerësi i kafkave", (i biri i ish Drejtorit të Përgjithshëm të burgjeve të diktaturës komuniste, xhelatit të birucave...).
Tashmë po përsëritet e njëjta situatë e tensionuar, që ka filluar e po kulmon në Kuvendin e Shqipërisë, ku ish protagonistët e kasaphanës së '97-ës po tentojnë të realizojnë obstruksionizmin dhe kolapsin e plotë parlamentar, si pararendës i krizës totale institucionale...
A do të mundin ata të përsërisin vitin 1997 dhe ta zhysin sërish vendin në kaos?
Kjo mbetet për t'u parë gjatë ditëve të ardhshme.
Ky dossier i një dëshmitari të rëndësishëm të atyre ngjarjeve të llahtarshme, shërben për të kujtuar, por edhe për të kuptuar se katrahura parlamentare që po përjetojmë, nuk është e rastit..., sa kohë që ka të njëjtët protagonistë, që janë kriminelët e demokracisë dhe njëkohësisht bijtë e kriminelëve të diktaturës...
Astrit Kola



Portret i dëshmitarit të ngjarjeve tragjike

Quhet Kostandin Koliqi, oficer karriere. Vitet e fundit i specializuar në shërbimet sekrete ndër më të mirat e ushtrive të NATO-s (si ai amerikan, turk, gjerman, etj.) dhe deri më datë 20 shtator 1997 ka shërbyer në krye të shërbimit sekret për Forcat e Mbrojtes Detare. Nuk ka qenë dhe nuk është anëtar i ndonjë partie, por e gjen veten tek programi i partive të djathta. Eshtë, ndoshta, nga të rrallët oficerë që, më datë 13 dhjetor 1990, në mbledhjen e zgjeruar të PPSH, ku u kërkohej oficerëve mendimi për pluralizmin politik, (kjo me porosi të Ramiz Alisë), kërkon heqjen e partisë nga ushtria, heqjen e yllit të kuq nga flamuri kombëtar, si shenjë partiake, si dhe heqjen e tij nga emblemat ushtarake. Kjo bëri që jo vetëm të ofendohej nga shokët komunistë, por edhe të kërcënohej me burgim. Dhe si për ironi - thotë ai: "disa nga këta kërcënues, tani së fundi, hyjnë dhe dalin lirisht nëpër zyrat e partive të djathta!!!".


Prolog

Në ngjarjet e Shkurt–Marsit të vitit 1997, nga Komiteti i Shpëtimit Publik të Vlorës, mbaja nr. 17 në listën-vendim, ndër të 111 emrat e të dënuarve me vdekje nga ky komitet i vetemëruar si "drejtues apo komandues i kryengritjes së armatosur". Falë Zotit dhe një oficeri vlonjat, dola i gjallë nga ajo katrahurë, të cilën edhe nata e Shën Bartolomeut do ta kishte zili.
Unë nuk kam mbajtur ditar, por se çfarë ndodhi atje, në Vlorë, si filloi, kush e inspiroi dhe drejtoi, si vazhoi dhe si mbaroi, i kam dokumentuar dhe dorëzuar, por i kam futur edhe në kujtesën time, në mendje dhe në shpirt, dhe i kujtoj ato ngjarje në detaje.
Rebelimin masiv në Vlorë, e paraprinë disa ngjarje në dukje të vogla, por që nuk ishin të tilla dhe kam mendimin se duhet të vlerësoheshin duke marrë masat përkatëse nga instancat kompetente, të cilat mund të luanin rol në zbutjen deri diku të ngjarjeve katastrofike të mëvonshme.
Më 15 janar 1997, nën/kolonel Balice, kuadër i lartë i shërbimit sekret ushtarak Italian, emërohet përkohësisht zv.komandant i bazës detare në Bridizi. Zotëri Balice e njihte mirë Shqipërinë, sidomos zonat bregdetare të saj, sepse në vitet 91-93 ishte në detyrën e komandantit të "Grupit Naval 22", (anijet e rojes bregdetare italiane, me detyrë ruajtjen e bregdetit shqiptar me qendër në Durrës).
Në këtë periudhë "ngatërrohet" në veprime të paligjshme kontrabande dhe pasi i plasi era, italianët e tërhoqën nga ky shërbim, por puna e tij si kundërzbulues la gjurmë në rajonin e portit, doganë etj..
Emërimi i z.Balice në bazën detare të Brindizit, tregonte për atë që italianët po merrnin masa për një eksod të mundshëm të anijeve tona, gjë e cila u realizua me datat 13, 14 dhe 15 mars 1997. Për masat e pritjes së anijeve tona, (masa që po merreshin në bregun tjetër), z.Balice më dha të kuptoj gjatë një takimi zyrtar në Brindizi, në Maj të vitit 1997, por shumë gjëra i mësova edhe nga njerëzit e mi që zbarkuan atje me anijet e tyre, të cilët më informuan edhe për disa oficerë shqiptarë, që u vunë në shërbim të Balices…
Në 15-ditëshin e dytë të Janarit '97 në Vlorë shkarkohet nga detyra kryetari i SHIK-ut, një zotëri që e njihte në mënyrë të shkëlqyer Vlorën, mentalitetin e popullit të saj, forcën e ideve komuniste atje, punën e ish oficerave të Sigurimit, por që njihte edhe detyrën e tij në mënyrë të shkëlqyer. U zëvendësua nga i ndjeri Shkëlqim Agolli nga Korça, i cili për 45 ditët që qëndroi në detyrë, besoj se edhe rrugët e Vlorës nuk arriti t'i mësojë.
Më vonë u vra në Greqi.!?
Gjatë ditëve të janarit 1997, në Vlorë, Himarë, Sarandë, Gjirokastër…, po ktheheshin shumë ish-oficera të Sigurimit të Ushtrisë, të Policisë, të liruar nga reforma dhe të emigruar në Itali, Greqi e Serbi, e që mbushën lokalet dhe mbanin ligjërata të gjata, ku goditej demokracia dhe mburrej koha e komunizmit enverian.
Në këto ditë zbarkuan edhe shumë të huaj, kryesisht grekë dhe italianë, natyrisht në formën e gazetarit dhe fotorepoterit, të cilët shpejt u vunë nën mbrojten e shumë të rinjve vlonjatë, ditën dhe natën. Se nga kush ruheshin, vetëm ata e dinë!?
Më datë 4 shkurt 1997, Tritan Shehu, në cilësinë e kryetarit të PD, në aktivin e partisë në Vlorë, bëri një deklaratë, sa të çuditshme aq edhe të rrezikshme: "Gjallica falimentoi...", deklaratë e cila irritoi pjesëmarrësit në aktiv dhe pas 2-3 orësh pothuajse gjithë qytetin e Vlorës. Kjo deklaratë ishte e rrezikshme, pasi ajo u bë jo nga pronarët e Gjallicës, por nga kryetari i PD, që ishte në pushtet, dhe habia qe se opozita nuk kishte dalë hapur kundër firmave huamarrëse. Kjo deklaratë e dha rezultatin e saj negativ që të nesërmen, teksa rrugët u mbushën me njerëz të shqetësuar dhe të revoltuar, sepse këtu implikohej direkt shteti dhe çfarë është më e keqja, nuk u dhanë shpjegimet e nevojshme.
Po atë natë, më 4 shkurt 1997, Fitim Gërxhalliu deklaroi se firma e tij shkonte shumë mirë. Kjo u përforcua edhe nga pushtetarët lokalë në Televizion, duke deklaruar: "Paratë e Gjallicës janë si uji i detit. Kur të mbarojë uji i detit, do të mbarojë edhe Gjallica".
Dy ditë më vonë, Gërxhalliu deklaroi falimentimin...
Pushtetarët lokalë nuk u panë më në publik, por edhe Tritanit i iku goja fare!
Më datë 7 shkurt 1997, një turmë e madhe njerëzish, jo e organizuar, doli në rrugë për të protestuar, duke bërtitur "Duam paratë tona", dhe kjo ishte kërkesa e vetme e tyre. Për t'i shpërndarë doli një grup policësh. Kundërvënia e turmës qe e ashpër, policët u kthyen të shpartalluar në Komisariat, dhe në hyrje të tij turma dogji 2 kamionë të policisë. Turma përbëhej kryesisht nga djem të rinj, ndërmjet të cilëve njihja shumë pronarë skafesh, tashmë të bllokuar në Gjirin e vogël të Radhimës. Këta qëndronin përballë Komisariatit, shanin dhe kërcënonin shefin e Komisariatit të Vlorës z.Sokol Mulosmani, i cili më datë 8 shkurt u largua nga Vlora, në një detyrë tjetër. Për drejtimin e policisë, në Vlorë erdhi gjeneral Agim Shehu dhe z.Arben Prrenjasi.
Rreth gjirit të Radhimës filluan të afrohen pronarët e skafeve, por akoma nuk guxonin t'i merrnin ato.
Gjatë këtyre 2-3 ditëve (7-8-9 shkurt), në Vlorë mbërritën politikanët e parë: Skënder Gjinushi, Neritan Ceka, Anastas Angjeli, Namik Dokle, Arben Malaj etj., të cilët tentuan të marrin drejtimin e protestave, por u pritën me të shara nga turmat. Në një moment, tek Sheshi i Flamurit, kur e mori fjalën Neritan Ceka, dikush nga turma i thotë: "Neritan, po të të bëjmë ty President të Republikës, a na i jep paratë?".
Neritani i thotë se ata kishin ardhur në Vlorë për të marrë drejtimin e protestave dhe ishin për zgjidhje politike. Atëherë personi që e pyeti Cekën, filloi të bërtasë me zhargonin vlonjat "O Neritan, të qafsha...", por tashmë i shoqëruar edhe nga një pjesë e turmës.

Re: Ju rrefej 1997-ten

Posted: Thu Feb 04, 2010 6:37 pm
by Patush
Në mbrëmje vonë, më datë 9 shkurt, na vijnë informacione se me datë 10 shkurt do të bëhej një protestë e madhe në Vlorë.
Në Vlorë, për t'u përballur me protestuesit, u prunë rreth 750 policë, në ndihmë të Komisariatit të qytetit. Por edhe në ndihmë të SHIK-ut të Vlorës erdhën një grup i vogël, të cilët i drejtonte z.Xhahit Xhaferri.
Më datë 10 shkurt, në mëngjes, sëbashku me një kolegun tim, morëm takim me zz.Agim Shehu dhe Arben Prrenjasi, të cilët i gjetëm shumë të shqetësuar për atë që mund të ndodhte. Kishim vendosur të shpërdanim forcat e policisë në bulevardin kryesor, për të mos lejuar njerëzit të mblidheshin në turma të mëdha, por vumë re se akoma nuk kishim rregulluar valët e radiove me përgjegjësit e grupeve policore.
Mbaj mend se u thamë mendimin tonë, që të mos ndërhynin në protestën që do të bëhej, por ata nuk e morën parasysh.
Po kështu, bëmë takim edhe me z.Xhahit Xhaferri, në zyrat e SHIK-ut, ku atij i shprehëm mendimin tonë, por edhe ai nuk na përfilli fare. Kujtoj që kolegut tim i thashë se Xhaferri nuk e ka emrin Xhahit, por Xhahil...
Po gdhihej data 10 shkurt, kur dola të shikoj se çfarë po bëhej në qytet. Eca përgjatë rrugës Skelë-Vlorë në drejtim të Sheshit të Flamurit, në të gjithë anët, madje edhe në akset e rrugëve lidhëse, shikoj grupe të ndryshme me nga 5-6 policë. Banorët mblidhnin në heshtje, gurë... Armatosja me gurë dhe sende të tjera të forta, zgjati rreth 1 orë. Në rrugën në drejtim të Kuc-Baba-së, u godit me gurë grupi i parë i policëve, të cilët ikën nga sytë, këmbët. Afrohem me të shpejtë në qendër, tek Xhamia. Kam qenë pikërisht mbi trotuarin përballë Xhamise, kur filloi një sulm me gurë kundër grupeve të policisë, sulm i cili si rrufe u përhap deri tek Kali i Trojës. Ky rrebesh gurësh zgjati rreth 7-8 minuta. Policët kishin shkopinj gome dhe mburoja plastike. Pashë se policët e radhëve të para u gjakosën në kokë, fytyrë dhe trup. Po ata djem që i godisnin, i merrnin dhe u jepnin ndihmën e parë! Disa i ndihmonin të laheshin tek një çezmë aty pranë, ndërsa ata të plagosurit më rëndë i çonin në Kishën katolike, ngjitur.
Turma dukej që nuk ishte aq armike... Shikoj policë të shpërndahen dhe të vrapojnë drejt Komisariatit të qytetit. Një grumbull i madh njerëzish qëndronin përballë godinës së Komisariatit. Nga hedhja e gurëve në drejtim të saj, plagoset një fëmijë. Njerëzit kërcënonin dhe shanin Sokol Mulosmanin. Nuk e dinin se ai kishte ikur.
Mbas nja dy orësh goditje me gurë, një grup qytetarësh hyjnë në godinën e policisë dhe mbasi nuk gjejnë atje asnjë nga titullarët dhe të burgosurit, dolën duke sharë "kanë dalë qenërit..., nuk kemi punë me godinën, ajo është e jona...".
Në darkë marr vesh se pranë Xhamisë, atje ku u bë përleshja më e madhe me policët, ishte vrarë një qytetar i quajtur Artur Rustemi. U tha se vrasja ishte bërë në orën 8.00.
Unë kam qenë aty deri sa atje mbetën pronarët e lokaleve dhe familjarët e rrethinave aty rrotull. Nuk dëgjova krisëm dhe nuk pashë të vrarë. Më pas kjo vrasje u përdor nga politika dhe kryesisht nga ajo opozitare, si "therori e protestave, shkaktuar nga plumbat e policisë...".
Për këtë vrasje nuk është bërë asnjë hetim!!!
Më datë 10 shkurt, në mbrëmje, të gjitha skafet që ruheshin në Radhimë, u morën nga pronaret e tyre dhe ato që ishin në gjendje pune, fillojnë nga puna me çuarjen e klandestinëve në brigjet italiane.
Kjo punë, nga data 10 e më pas, bëhet e hapur, në mes të ditës, dhe kjo ndodh sepse që më datë 11 shkurt nuk ekzistonte shtet, apo "pushtet lokal".
Drejtuesit lokalë ishin larguar pa lënë gjurmë. Po në këtë ditë digjet godina e PD-së lokale. "Dogjëm zyrat e Byrosë Politike", - bërtisnin disa djem të rinj. Kjo nofkë nuk ishte e freskët, e asaj dite, por shumë kohë më parë, kryetarin e PD Vlorë, z.Adhurim Musaraj, e quanin "anëtar të Byrosë Politike". Dhe me të vërtetë ai ishte shumë kapadai dhe i pakomunikueshëm. Të krijonte përshtypjen se me vendosjen e tij si kryetar PD-je, fillonte edhe historia e Vlorës!!
Organizëm shtetëror që funksiononte, ishte vetëm SHIK-u. Në qytet filluan të shfaqen njerëz me prirje kriminale. Ishin të armatosur me armë të markave "Zastava", "Tomson", çifte dhe ndonjë kallashnikov. Po me datë 11 shkurt, vritet një polic, për të cilin u tha se u vra për hakmarrje!? Po këtë datë shfaqet maska e parë. Ishte Zani çaushi, i ardhur nga Greqia, i nxjerrë nga burgu, ku vuante burgimin prej 101 vjet në burgun e sigurisë së lartë në Larisa. I nxjerrë nga policia greke dhe i instruktuar nga shërbimi sekret grek me detyra të marra nga politikanët grekë, për t'i zbatuar ato më vonë në Vlorë.
Njëri nga shokët e burgut të Zanit dhe të Gjolek Malaj-t, kur e pyetëm, na sqaroi: "Jam dënuar pothuajse në të njëjtën kohë me Zanin dhe Gjolekën; Zani me 101 vjet burg, Gjoleka me 35 vjet, ndërsa unë u dënova me 14 vjet. Zani dhe Gjoleka ishin rekrutuar nga shërbimi sekret grek dhe herë pas'here ata i largonin nga ne për ditë të tëra, siç duket i instruktonin. Kur u arratisëm më 1994 nga burgu i Larisës, vetëm këta të dy nuk erdhën me ne. Siç duket u përdorën në këtë periudhë, kundër vendit të tyre. Që ata ishin agjentë birucash, në favor të Asfalisë, këtë e dinte i gjithë burgu. Neve, herë pas'here organizonim edhe rrahjen kolektive të tyre...".
Më datë 12 shkurt doli maska e dytë, Albert Shyti, i ardhur po nga Greqia.
Po më këtë datë zbarkojnë politikanët e parë të opozitës. Në orën 8.00 të mëngjesit, Skënder Gjinushi del tek Sheshi i Flamurit. Ai i thotë turmës: "Do të vazhdojnë protestat në bazë të një plani, i cili do të miratohet në Komitetin e Shpëtimit Publik, që do ta krijojmë tani".
Në tribunë ishin edhe Neritan Ceka, Anastas Angjeli, Paskal Milo, Perikli Teta, etj.. Gjinushi tha: "Do vazhdojmë derisa të rrëzojmë Berishën dhe pushtetin e tij, se ai jua ka marrë paratë. Ne lebërit davatet i fillojmë me këngë dhe i mbarojmë me këngë", dhe pas kësaj ai filloi të këndonte "O djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje, ja liri...".
Këtu Skënder Gjinushi i drejtohet turmës duke ngritur lart dorën me tre gishtat e parë të saj, të hapur. Pjesa e parë e turmës ia ktheu përshëndetjen me tre gishtat lart, duke e shoqëruar edhe me të bërtitura.
(Vijon në numrin e ardhshëm)

Prapë kjo opozitë!

Agresiviteti i opozitës së majtë në parlament dhe media, po shtohet dita-ditës. Në krye janë vënë sërish ata, më "trimat e '97-ës", organizatorët dhe udhëheqësit e rebelimit në Vlorë dhe Jug të vendit, si Gramoz Ruçi, Skënder Gjinushi, Sabit Brokaj, Stefan çipa, etj.. Për rastësi, mungojnë Arben Malaj, Luiza Hoxha, Rexhep Meidani..., mungojnë edhe Gjolekë Malaj, Zani Gjinçaushi, Xhevat Koçia, Ridvan Peshkëpia, Qatip Alia, etj., por me zemër janë aty, në Vlorë... dhe në parlament.
Mbi të gjithë shquhet i kudondodhuri Pandeli, i cili guxoi t'i kujtonte me arrogancë kryeministrit Berisha, 9 Marsin e '97-ës, por harroi t'u tregonte gazetarëve dhe shqiptarëve se ishte pikërisht ish Presidenti Berisha, që i kish kthyer taborret e enveristëve rebelë nga aeroporti i Rinasit, për të negociuar për paqtim...
Tani, deputetë-kallashnikvsave, u kanë vjedhur jo "paratë" e fajdeve, por "kutinë e fshehtë dhe votën e lirë në parlamentin tempull të demokracisë...". Pra kurdoherë gjendet sepebi, për ta përdorur për të marrë pushtetin, sa kohë që shtetin e kanë pothuajse plotësisht në dorë.
Natyrisht që tamburashët shqiptarë dhe sazexhinjtë-pjestarë të minoriteteve në Kuvend, nën shembullin e serb-fshatarëve të Shumadisë dhe kryengritjes serbofile të Vlorës, (dështuar në vitin 1932, e triumfuese në vitin 1997), jo vetëm që kanë bërë gati tregishtorin-konvencion, por edhe banditë-skafistët e vlonjatë, tashmë me skafe të lidhura në breg dhe drogë të mbetur stok.
Ata po e përgatisin rebelimin, jo më me pretekst paratë e fajdeve me kryeqendër qytetin që i polli dhe i përdori ato, por me sebep bash "fatet ekologjike të kryeqytetit shqiptar të Jugut...".
Gati për ndihmë kanë edhe niko-kolilë-himariotët e Vasil Boleqënit, vorio-epirotët e Harallamb Karathanos, me bajrakë-flamujt grekë të Aleks Andonit dhe hordhitë e Stefan çipës, të cilit para 8 vjetësh Himara shqiptare i ngriti këngën "Qani motra, nëna qani / na i shoi djemtë Stefani / Stefan çipë pilurioti / hakën të ta marrtë Zoti...".
Po përse Zoti!!??
Astrit Kola

Re: Ju rrefej 1997-ten

Posted: Thu Feb 04, 2010 6:38 pm
by Patush
Në rreshtin e parë shikoja disa gra të veshura me të zeza, në krye të të cilave qëndronte Luiza Hoxha, (disa muaj më vonë deputete e PS për Vlorën), e shoqëruar nga gratë e familjes Brokaj, që bënin shenja të turpshme duke mbledhur dorën dhe duke lënë të lirë gishtin e mesit. Edhe kjo shenjë e huazuar nga jashtë vendit, e ngjashme me simbolin serb të tre gishtave, që për herë të parë ia pashë Skënder Gjinushit, pastaj të tjerëve që e shoqëronin, apo atyre që erdhën më pas në Vlorë, në kryesim të rebelimit.
U habita nga kjo shenjë-sharje, sepse ne shqiptarët, shenjën e sharjes e bëjmë ndryshe.
Kur erdhi koha që turma të lëvizte nga sheshi të Prefektura, Skënder Gjinushi dhe të tjerë politikanë, dolën në krye të turmës. Ata bërtisnin "Duam paratë tona". Pjesa dërmuese e turmës vetëm sa i shoqëronte.
Më datë 13 shkurt filloi djegia e gomave të makinave nëpër rrugë dhe ngritja e barrikadave me makina të prishura dhe mjete të tjera. Qytetarët vlonjatë filluan të rralloheshin.
Më datë 15 shkurt fillojnë kërcënimet me letra poshtë derës dhe vendosja e gjobave ndaj familjeve vlonjate, "sepse duhen për shpenzime të Komitetit të Shpëtimit Publik", u thoshin.
Hidhet parrulla e parë "Poshtë Qeveria", e më pas ajo "Të mbyllen dyqanet, vetëm furrat e bukës të punojnë". Filluan shenjat e para të urisë. Me t'u krijuar Komiteti i Shpëtimit Publik, punën e parë që bëri, urdhëroi mbylljen e Portit të Vlorës.
Përfaqësues të tij, disa fëmijë të moshës 12-17 vjeç, por të drejtuar nga disa burra pakashumë të thyer në moshë, me ato kasketat karakteristike në kokë, dërguan vendimin e Komitetit dhe kërkonin zbatimin e tij urgjentisht, "se, përndryshe...".
Qëllimi ishte i qartë, qyteti të kalonte, pakashumë në një grevë urie dhe izolim të plotë.
Më datë 17 shkurt, informohem se në Jug ishte shpërndarë një hartë e Vorio-Epirit, ku në të përfshihej edhe Vlora. Po këtë ditë më vjen edhe harta me shpjegues në gjuhën greke.
Pikërisht më këtë datë hidhet edhe ideja e rrëzimit të Qeverisë, qoftë edhe me forcë.
Më datë 18 shkurt, një grup studentësh takohen me z.Pjetër Arbnori.
Më datë 19 shkurt, po ky grup takon edhe Presidentin e Republikës z.Sali Berisha.
Skafet ishin në pikun e punës së tyre, duke siguruar fitime të jashtëzakonshme.
Tashmë, në krye të policisë kishin vënë, me bekimin e Komitetit të Shpëtimit Publik, Skënder Gjinushit dhe Sabit Brokës, një person të quajtur Milto Kordha.
Po më datë 19 shkurt, rreth orës 11.00, organizohet një miting tek Prefektura.
Skënder Gjinushi i drejtohet turmës: "Studentët kanë vajtur tek Arbnori, tek ai mefsha. Po atë natë kanë vajtur edhe tek Maloku... Ne do ta rrëzojmë Malokun dhe qeverinë e tij, qoftë edhe me armë. Do ta marrim zvarrë...". Në këtë çast, një i ri në moshë, i cili imiton Arbnorin dhe prezantohet si pjesëmarrës në takim, që na qënkësh larguar nga delegacioni "ngaqë nuk duronte dot më", i deklaroi turmës se "Pjetër Arbnori na tha – le ta bajnë vlonjatët xhiron Vlorë-Skelë, se ashtu e kanë ba përherë, dhe u ban mirë...".
Britmat e grupimit të parë të turmës, u shoqëruan me parrullat "Poshtë Parlamenti, poshtë Presidenti...".
Hartat e Vorio-Epirit, ku përfshihej edhe Vlora, kishin irrituar një pjesë të popullit, megjithë pakënaqësinë e përgjithshme ndaj shtetit për firmat piramidale. Njëri nga turma thërret "nuk i duam grekërit, jemi me Italinë, poshtë Shqipëria, rroftë Italia, Vlora qytet italian!!!". Pothuajse ngeli një zë i vetëm. Këto parrulla u përshëndetën me britma dhe duartrokitje vetëm nga Gjinushi, Ceka dhe grupi i tyre i shoqërimit.
Për të qarë dhe qeshur njëherësh. Për të qeshur kur shikoje përplasjen e agjenturave të huaja, ndaj të cilave predominonte ajo greke. Kush fitoi? Më duket se grekët dolën me të fituar. Në këtë kohë, studentët, në mënyrë ceremoniale, hynë në sallën e grevës së urisë, furnizuar me shampanjë dhe mishra të pjekur.
Lajmërohemi se një grup komitarësh kishin vajtur në zyrën e Kapitenerisë për të parë edhe një herë zbatimin e urdhërit për të mbyllur Portin. Ata vunë në zbatim të imponuar, edhe një orar pune të reduktuar.
Në kohën e mitingjeve, puna duhej të lihej me detyrim...
I bëj shenjë oficerit të Kapitenerisë që të mbyllë zyrën, urdhër të cilin ai e zbaton. Kthehem në Universitet dhe vërej se rreth godinës ku ishin futur studentët në grevë, ishin vendosur roje të armatosura deri në dhëmbë, rreth 200 veta!?
Tashmë ishin shfaqur fytyra të reja në rrugët dhe mitingjet e vlonjatëve. Këta vinin nga fshatrat e Vlorës, kryesisht nga zona e Lumit të Vlorës dhe ishin të armatosur. Organizimin dhe instruktimin e tyre, sipas informacioneve tepër të sakta që më vinin, e bënin Sabit Brokaj dhe Arben Malaj. Shtabi i tyre ishte në vilën e Brokajve, në afërsi të godinës së SHIK-ut. Ata rrinin më tepër të pangrënë se të ngrënë, flinin nëpër bunkerët e shumtë. Kjo jetesë, me fjalimet dhe mitingjet, i egërsonte pa masë dhe për këtë gjendje fajësonin Berishën. Këta ishin kryesisht të moshave të reja, të pashkolluar dhe përpunoheshin lehtë...
Në afërsi të godinës së SHIK-ut, në pozicion të pjerrët me të, ndodhej vila e Brokajve, e rrethuar me mure të larta. Në oborrin e saj ishin tre skafe të tipit oqeanik, të cilët për 24 orë rresht transportonin klandestinë dhe mallra të tjerë për në bregun italian. Në atë kohë tek kjo vilë bëheshin mbledhjet e shtabit të kryengritjes. Këtu u bë edhe plani i kryengritjes, që do të përfshinte Zonën e Parë Operative të Luftës Partizane, Vlorë-Sarandë-Përmet-Tepelenë, ku përfshiheshin Gjirokastra, Delvina dhe Himara. Ky plan u përpilua më datë 22 shkurt 1997 dhe në përmbajtjen e tij parashikonte kryengritjen në mbarë këtë zonë, për t'u përhapur paskëtaj në të gjithë vendin, "nëse Qeveria dhe Presidenti nuk largoheshin...".
Pjesa e parë e këtij plani u realizua plotësisht.
Në vilën e Brokajve u instalua edhe një radio-transmetuese..., nga ku merreshin detyrat dhe urdhrat tepër sekretë, nga një distancë disa qindra kilometra, në vijë të drejtë...
Më datë 22 shkurt, në qytet filloi të ndihej uria, e cila kishte treguar shenjat e para që më datat 16 dhe 17 të atij muaji. Ndaj lajmërova Ministrin e Mbrojtjes, se duhej parandaluar uria dhe vetizolimi, dhe se për këtë do të hapja Portin e Vlorës për të prurë disa tragete që sillnin trajlerat e ushqimeve. Ministri Zhulali në fillim më thotë: "po", pastaj më vinin urdhëra nga të tjerë, nga njerëz që flisnin në emër të tij, sipas të cilave trageti me ushqime duhej të mos hynte në Vlorë, por në Durrës!!
Deti ishte 8-9 ballësh dhe anija që u nis për në portin e Vlorës, e kishte ngarkesën në kiç (mbrapa), ndaj kthimi për në Durrës do ta mbyste 100 % anijen. Vetë ministri Zhulali nuk më doli më në telefon. Trageti u fut në Vlorë dhe shkarkoi 14 trajlera me ushqime.
Turmat, një pjesë e të cilave ishin të armatosur, më kërcënonin se do të digjnin tragetin. Kapiteni italian, që e fliste mirë shqipen, shumë trim, rrinte me motorin ndezur dhe me cima të lira. Të dërguarit e ministrit, oficerë, në atë kohë ia mbathën nga territori i Portit. Pata fat..., ngaqë turma nuk u urdhërua të sulmonte Portin.
Po atë ditë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Sheme Kosova, hoqi gatishmërinë e reparteve ushtarake!!?? Asnjë kapteri nuk do t'ia falja këtë veprim, dhe jo më Gjeneralit kryesor të Ushtrisë.
Pas kësaj, habitesha sesi vazhdoi ai, në detyrë, deri më 1 Mars!? Të gjitha repartet ku ushtarakët ikën, u vodhën dhe u dogjën.
Më datë 23 shkurt, në mëngjes herët, më informojnë se në Himarë ishte ngritur flamuri grek. Kjo ishte me të vërtetë e jashtëzakonshme, shumë më e rëndë në krahasim me ato që kishin ngjarë deri më atë kohë, dhe si të tillë e vlerësova e doja ta verifikoja vetë, prandaj u nisa për në Himarë.
Me të vërtetë, flamuri grek valëvitej në qendër të Himarës. Hyra në një kjoskë-kafe prej llamarine, aty afër. Zonjës që më solli kafenë, i thashë "Na e keni zbukuruar Himarën". Ajo e kuptoi ironinë dhe më tha: "Eh zotëri, të ishte për mua, nuk e vija aty, por e digjnja. Po çfarë t'u bëjmë atyre atje", dhe tregoi nga klubi përballë, ku pinin dhe bërtisnin një grup djemsh me pamje të shpërfytyruar. Në mes të tyre hargalisej e krekosej Aleks Andoni.
I them zonjës: "Leksi është shqiptar moj zonjë!!! Si ka mundësi që të bëjë një gjë të tillë?!". Zonja m'u përgjigj: "Ku merret vesh Leksi..., sapo ka ardhur nga Greqia...".
Nga miqtë e mi që kisha në Himarë, mësova se çdo gjë ishte e vërtetë. Aleksi kishte ardhur me detyra të sakta nga Greqia. Po kështu, u informova se në Greqi po përgatiteshin edhe gjeneralë të tjerë, të cilët në një periudhë të afërt do të merrnin komandën e kryengritjes në Jug të vendit. Pararoja e këtyre rebelëve gjeneralë, kishte mbërritur në Sarandë, ku kishte filluar aktivitetin kryengritës Gramoz Ruçi.
Kiço Mustaqi hynte dhe dilte sa herë të donte, apo kishte punë. Edhe Qatip Aliaj përgatitesh të hynte në Shqipëri dhe të drejtonte segmente të kryengritjes.
Një nga më aktivët ishte Xhevat Koçia, i përzënë nga Ushtria për probleme tepër ordinere... Po përgatitej me pompozitet të madh nga Greqia, ardhja e krerëve politikë të kryengritjes për zonat e Jugut, si Ritvan Peshkëpia, etj..
Problemi ishte se protestat nuk po përhapeshin aq sa duhej në qytetet e tjera. Gjatë dhjetëditëshit të dytë të shkurtit bëhej thirrje për përhapjen e protestave nëpër qytetet e tjera. Në një nga këto ditë, grupe të rinjsh nga Vlora, u nisën në qytete si Shkodra, Durrësi dhe Fieri, si dhe në qendrat e këtyre qyteteve, ku lëshonin lepuj të butë. Me këtë u thoshin njerëzve se jeni frikacakë, si lepujt.

Re: Ju rrefej 1997-ten

Posted: Thu Feb 04, 2010 6:40 pm
by Patush
Mendoj se ky veprim e vuri në sedër kryebashkiakun e Shkodrës z.Bari Boriçi, i cili u vu në krye të dy autobuseve të mbushur me djem të rinj, me të cilët edhe zbarkoi në Vlorë, ku hodhi parrullën "Poshtë Presidenti, poshtë Sali Berisha". Në fillim u habitën të gjithë ata që e dëgjuan, sepse ishte e para parrullë e tillë, dhe meqenëse u bë nga një kryebashkiak, pati efekt shumë të madh. Po këtë darkë u hap lajmi se institucionet ruheshin nga ushtarë "serbë".
Atë natë u ula me mikun tim Pajtim Ceci, i cili shërbente në repartet e Rendit. I veshur me uniformën e shërbimit, bashkë me Pajtimin po ndiqnim një grup gazetarësh të huaj, të drejtuar nga Zenepe Luka, të cilët po filmonin një gomë makine që digjej dhe një grua që imitonte rënien e të fiktit. Në këtë kohë na afrohet dikush nga mbrapa, që godet Pajtimin me shkelm dhe e quan "serb i ndyrë". Pajtimi heq kokoren dhe i thotë: "ç'po bën, mua labin më quan serb?".
Megjithëse nga keto skena ndodhën shumë, prap nëpër kafene dëgjoje të thonin se "Maloku ka prurë ushtarë serbë...!".
Më datë 24 shkurt shkoj në Fier se kisha 40 ditët e vdekjes së nënës. Aty takohem edhe me gruan, që vjen nga qyteti ku banoja. Lajmet që shpërndaheshin, ishin nga më të frikshmet. Pasdite kthehem në Vlorë, ku më japin, me shkrim, dënimin tim "me vdekje...", të vendosur nga Komiteti i Shpëtimit Publik të Vlorës. Në listën–vendim, ishim 111 emra të dënuarish... Unë isha i 17–ti në listë...
Më datë 25 shkurt mora informacionin se, më datë 26 shkurt do të goditej dhe asgjësohej SHIK-u i Vlorës.
Më datë 26 shkurt ra një shi shumë i madh, sa u duk se qyteti po bashkohej me detin, çka bëri që të shtyhej plani i sulmit mbi SHIK-un.
Më datë 27 shkurt vjen në Vlorë gjeneral Bujar Rama. E vumë në dijeni për planin që shumë shpejt do të zbatohej nga kryengritësit, si dhe për vendimin e Komitetit të Shpëtimit Publik lidhur me ekzekutimet e personave të shënuar në listë, dhe me këtë rast i sugjerova që të largoheshim nga Vlora me gjithçka kishim. Pak para mesnate, shoferi i Bujarit dhe shoqëruesi u kthyen të rrahur dhe të shqyer nga komshinjtë e të afërmve ku kishin shkuar për të kaluar natën. Agresorët e mirinformuar për lëvizjet dhe detyrat e tyre, i kishin kapur të gjorët poshtë pallatit dhe do t'i kishin vrarë... Ata shpëtuan për pak gjë, thjesht për trill të fatit, ngaqë u dolën në mbrojtje të afërmit, që u lajmëruan rastësisht. Megjithëkëtë incident të rëndë, Bujari prap nuk vendosi t'i tërhiqte vartësit e tij nga Vlora!!!
Besnik Hidri, një nga oficerët më të mirë të SHIK-ut, e shoqëroi eprorin e vet dhe e nxori nga Vlora, dhe më pas ne lajmëruam policët besnikë për ta shoqëruar gjeneral Ramën, pasi nuk mund t'u besonim policëve të emëruar nga Komiteti i Shpëtimit Publik, e që në krye kishin Milto Kordhën.
Po më datë 27 shkurt, në Vlorë erdhi edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Rexhep Meidani. Ngarkova njerëz për ta shoqëruar në distancë, derisa ai, i shoqëruar nga udhëheqësit e revoltave, u fut në vilën e Brokajve...
Të nesërmen, më datë 28 shkurt, paradite, Rexhep Meidani largohet nga Vlora. Më pas informohem se, në vilën e Brokajve, u vendos të asgjësohej SHIK-u.
Më datë 28 shkurt, ora 18.30, isha në trotuarin e godinës së grevës, pasi lulishten afër godinës nuk mund ta shkelte askush që nuk njihej nga rojet. Në këtë moment, në rrugë, afër godinës, ndalen një furgon dhe një veturë me targa të Lushnjes.
Nga vetura zbresin 4 persona. Ata shkojnë drejt shkallëve të Universitetit, atje ku ishte drita më e fortë, dhe menjëherë fillojnë të improvizojnë një grindje. Nxirret një thikë dhe bëhet sikur goditet njëri prej "sherrxhinjve". Tjetri që u "godit" bie në tokë. Tre të tjerët u hipin makinave dhe nisen në drejtim të SHIK-ut. Personi që ra në tokë, ngrihet dhe bërtet me zë të lartë "më vranë shikasit...". E kuptova se po simulonte, sepse një i plagosur me thikë, nuk mund të thërriste aq shumë e të lëvizte me aq zhdërvjelltësi.
Rreth tij filluan të grumbulloheshin njerëz, dhe ai, meqenëse nuk kishte gjak asgjëkundi në trup, u largua me të shpejtë në errësirë, duke harruar edhe të rënkonte.
Më vonë u bë e qartë se askush në Vlorë nuk vdiq i vrarë me thikë, as atë mbrëmje dhe as kurrë ndonjëherë gjatë rebelimit.
Unë menjëherë e kuptova se diçka e përbindshme ishte përgatitur për t'u realizuar atë çast, ndaj shpejtova për në zyrë, në Kuc Baba. Lidhem me godinën e SHIK-ut, ku ishin vendosur 16 punonjës. Lekë Qoku m'u prezantua si përgjegjës. I them se "turmat po vijnë drejt godinës, ndaj më shpjego se çfarë po bëjnë...".
Leka më thotë se turma po vendoste një makinë riportabël, me kazan të ngritur, në hyrje të portës së oborrit, siç duket për t'u mbrojtur nga kundërgoditja që mund të merrnin nga godina.
Raportoj qendrën për situatën e krijuar. Nga Leka më vjen informacioni se bëhej fjalë për rreth 80 deri 100 persona të armatosur. Kishin edhe granatahedhës.
Hapet zjarr kundër godinës së SHIK-ut. Nga vila e Brokajve qëllohet me mitraloz dhe bëhet zjarr i kryqëzuar. Qëllohej edhe nga një godinë tjetër, në krahun tjetër të godinës së SHIK-ut, ndërkohë që punonjësit e SHIK-ut qëllonin në ajër. Ndaj për këtë arsye, nga turma nuk u vra apo plagos askush nga civilët sulmues, atë natë, ndërkohë që sulmuesit qëllonin kundër godinës nga 20 metra distancë.
Pyes Lekën se çfarë shihte dhe a i shihte ato që hapnin zjarr, apo jo? Ai më përgjigjet: "Në dhomat e godinës shoh vetëm tym e flakë, ndërsa jashtë shoh vetëm gra dhe fëmijë. Ata që na qëllojnë janë fshehur pas grave dhe fëmijëve, dhe nuk mund t'i godasim dot. Shikojmë vetëm flakët e armëve të tyre".
Lidhem, me vështirësi, me pjesën tjetër të grupit që ndodhej në vilat e "Ujit të Ftohtë" dhe u kërkoj që të kthehen se shokët e tyre janë goditur, dhe të shihnin nëse mund t'i ndihmonim dot. Ata mundën të afrohen deri tek porta e Akademisë Detare, sepse pjesa tjetër e territorit ishte e mbushur me njerëz të armatosur, prapavijë dhe rezervë e sulmonjësve.
Nga porta e Akademisë e deri tek godina e SHIK-ut, distanca është afro 200 metra, ndaj nuk mundëm të jepnim asnjë ndihmë. Gjithçka villte zjarr, ishte llahtarë. Një qytet i armatosur me ç'të mundej, kundër pak ushtarakëve të shtetit dhe nëpunësve të pafajshëm...
Leka më thotë: "Kosta, jam plagosur...". Zëri i tij vinte duke u shuar.
Ai shton: "Këtu është vetëm tym dhe flakë..., shoh afër meje dy trupa të shtrirë, të shokëve..., nuk e di se cilët janë... Më ka hyrë një plumb në kraharor dhe më ka dalë mbrapa, në shpatull..., mezi mbushem me frymë dhe nuk kam fuqi të flas...".

Re: Ju rrefej 1997-ten

Posted: Thu Feb 04, 2010 6:41 pm
by Patush
Kujtesë për minoritarë-politikanët e opozitës

Tashmë Kutia e Pandorës u rihap dhe Blendi Fevziu, që dikur, në emisionin "Opinion" të TVSH nuk pranoi të vinte në video kasetat e Azemit, që shqiptarët të shihnin fytyrat e gjakatarëve të rebelimit, të enjten që shkoi na paraqiti në ekrane fytyrën e "Kushërirës Bet"-Sude Kadënës së '97-ës, duke na dhënë kësisoj shpresë të shohim më pas edhe fytyrën e "Kushëririt Pons"-Gjin(Ca)ushit. Shpresojmë të na nxjerrë mallin edhe me fytyrë-shpretkat e kuqe të Zabitit dhe Nero(ta)nit të rebelimit; me fytyrat e murrëtyera të gram-Gramozit, Xhep majdanozit, Kacangjelit dhe Namik goran-xisë; me fytyrat prej idiotësh të Ben lla-lla-lla Katundit dhe Pandelejmon-bishtukut të demokracisë, si dhe të të gjithë kopukëve të djeshëm që, sot, po duan të masakrojnë policët e gardistët, jo më nëpër rrugët e Vlorës dhe Cërrikut, por bash në dyert e parlamentit.
Tashmë, minoritarë-politikanët e opozitës, besoj se janë frymëzuar dhe karikuar edhe nga vargjet e asaj minoritares zeshkano-"egjiptiane", që Fevziu na e dha duke i recituar me përlotje vargjet lapidare të rebelimit bash në Sheshin e Flamurit: "Ty avni-artur Rustem nuk do të të harrojmë... / ndaj me gjak, lot e thika / qeverinë do ta rrëzojmë...".
Ata janë të karikuar edhe për faktin se kanë për protektor bash kasapin e dikurshëm të qelive të Sigurimit të Shkodrës, Zoi Themel-Theodhoraq-sallaksin, të cilin askush nuk po merr guximin ta flakë që nga karrigia, teksa u kërkon revizorëve të KLSH të ofrojnë si prova flagrance se në cilin xhep i futën miliardat e vjedhura mega-hajdutët, që nuk e dogjën Shqipërinë vetëm për t'u ngrohur në ato ditë dimri dhe pranvere të ftohtë, por edhe për ta plaçkitur e grabitur.
Mirë e bëjnë..., teksa e kanë marrë peng vendin: fillimisht me moslëshimin për dy muaj të pushtetit, derisa pastruan shumicën e defterëve; pastaj me krizën energjitike që ua lanë në derë atyre që erdhën; pastaj me sherret për Rrapi Minon e Demokraturës; pastaj me mocionin anti-Topalli; pastaj me "kutitë e votës së fshehtë", tamburet, sazet, buritë, bilbilat, megafonët dhe, sëfundmi, me grushtat dhe shkelmat mbi ata që janë gati të çajnë ferrën, si në vitin 1997, e që e dinë mirë se këta nuk bëjnë shaka, pasi e kanë dëshmuar me prova se dinë ta djegin Shqipërinë sa herë të duan dhe t'ua kërkojnë padronët... Por edhe për faktin se ata që ua marrin lëkurën e jevgut dhe ua bëjnë daulle, si dikur, në fillim-shekullin e kaluar, sot numërohen me gishta dhe fatkeqësisht nuk ndodhen në pushtet...
Si për ironi dhe harresë të pushtetit aktual, nënkolonel Mete Shyti, ish punonjës rezultativ i Sigurimit të Shtetit, që me firmën e Xhep majdanozit zëvendësoi në 1997-ën Kostandin Koliqin, sot vazhdon me përkushtim punën në dikasterin që ka më shumë zyra sesa ushtarë. Ndërsa autori i këtij dossieri, kolonel Kostandin Koliqi, vazhdon të jetë i papunë, ngaqë nuk mori pjesë në rebelim, ndonëse pushteti u ndërrua më 3 korrik dhe zabiti nuk është më ministër.
Tashmë, në dikasterin grandoman që imiton Pentagonin, mungon vetëm Sheme-shembësi i Kosovë-Shqipërisë (Sheme Kosova), sepse 99 zabit-ët e rebelimit që zëvendësuan 1500 ish oficerët e përgatitur nga NATO para vitit 1997, janë që të gjithë në punë. Edhe ata që janë pensionuar, i gëzofshin dhe i paçin hallall pensionet e stërmëdha, në shpërblim të djegies së atdheut
Ky dossier do të vazhdojë derisa pushtetarët aktualë të rikujtohen për mënxyrat e atyre që kanë përballë dhe të kuptojnë se viti 1997 nuk ishte rastësi, dhe se historia përsëritet nëse e harrojmë...
Gjëmat e tyre s'ka kalem që i shterr..., por atyre do t'u vëmë si paralele kohët dhe ngjarjet kur, po të njejtën gjë baballarët e gjyshërit e tyre e bënë edhe në fillim-shekullin e kaluar, por pa sukses...
Astrit Kola


(Vijon nga numri i kaluar)
Efektivi ishte armatosur vetëm për të mbrojtur zyrat e tyre të punës. Ata nuk mund të vritnin gra dhe fëmijë. Por edhe si organ informativ, ne asnjëherë nuk kishim detyrë për të hapur zjarr, aq më tepër kundër turmave.
Orët më të tmerrshme të jetës sime... Televizionet kishin filluar të jepnin lajmin e sulmit të turmave të armatosura kundër SHIK-ut. Lajmet ishin nga më të ndryshmet dhe më të tmerrshmet. Mjet komunikimi ishte vetëm telefoni..., të paktën në ato momente. Me familjen bisedova për herë të fundit rreth orës 22.00 të datës 28 shkurt, pastaj rreth fatit tim, familja dinte vetëm nga ato që thoshte televizori.
Tirana kërkonte informacione të hollësishme. Me ata që vriteshin dhe piqeshin të gjallë në godinë, duhej të komunikoja në çdo sekondë, ndonëse isha tepër i pafuqishëm t'i ndihmoja. Nga komunikimi telefonik me Tiranën, në një moment vërej habinë e Presidentit për faktin që godina e SHIK-ut u sulmua!!! Përse kjo habi?! A mos vallë Presidenti nuk e kishte marrë informacionin gjatë gjithë muajit?
Që Presidenti nuk ishte vënë në dijeni për zhvillimet e situatës në Vlorë, u binda nga biseda me eprorin tim të drejtpërdrejtë, rreth orës 2.00 të mëngjesit të datës 1 Mars.
Bindja nuk është fakt, ndaj lus Zotin që ta kem gabim. Dëgjoja urdhrat e Presidentit, të cilat ishin për të mbrojtur objektet, por pa vrarë askënd. Ai urdhëronte prerë që kundër turmave të mos qëllohej në asnjë mënyrë dhe këto urdhra qenë të tilla, që nga fillimi e deri në fund të detyrës së tij.
Ishte ora 12.30, kur SHIK-u goditet me granata-hedhës. Gati i gjithë kati i dytë i ndërtesës u shemb. Në këtë çast ndërpritet komunikimi me telefon. Mbetën të vrarë 6 punonjës të SHIK-ut, ndërsa 10 të tjerët e mbetur shqyen një nga dritaret e siguruara me hekura dhe dolën duke u kacavjerrë përgjatë kodrës. Atje u dolën para disa nga banorët vlonjatë të lagjes pranë SHIK-ut, të cilët i strehuan punonjësit në shtëpi. Evakuimi i tyre drejt Tiranës, një nga një, do të fillonte vetëm pas dhjetë ditësh. Nuk kaluan shumë minuta dhe më vjen një tjetër telefonatë nga jashtë, nga ku mësova se Besnik Hidri ishte hedhur nga kati i dytë dhe ndodhej tek oborri i shkollës së Marinës, e cila është ngjitur me ndërtesën e SHIK-ut. Në të vërtetë Besnikun e kishte nxjerrë atje presioni i goditjes nga granata dhe një kolegu ynë e kishte gjetur të shtrirë në bar. Mora në telefon komandantin e Marinës, një pusht djalë. Ai më përgjigjet se nuk mund ta ndihmonte, pasi kishte hall se mos e vrisnin.
Kolegu im mori Besnikun në makinë për ta çuar atje ku i thashë unë, në spital, por rruga ishte plotësisht e bllokuar. Atëherë e urdhërova ta dërgonte në Pashaliman, ku më pas do të çoja një infermier.
Pas ndërtesës së SHIK-ut u erdhi radha depove dhe reparteve afër ndërtesës. U godit komanda e Marinës dhe shkolla e Marinës. Për 2 orë shkatërrohet gjithçka.
Ora 2.00 e mëngjesit! Rrethohem në Kuz Baba. Nuk sulmohem, pasi ndërhyjnë disa oficerë vlonjatë.
Numëroj 4 herë tentativë për sulm kundër zyrave që kishim në Kuz Baba. Më në fund, me makinën e një oficeri vlonjat, largohem fshehurazi në drejtim të fabrikës së çimentos dhe në Pallatin e Sportit, dhe mbërrij tek "Kulaçi", në Skelë.
Sapo arrij atje, më ndalon një grup i madh i armatosur, rreth 2000 vetë. Kishin ngritur një barrikadë në rrugë dhe kishin lënë vetëm një shteg të vogël si kalim.
Një burrë me një hu të madh në dorë, më urdhëroi të zbres nga makina. Shikoj 4 trupa të shtrirë. Ishin të shokëve tanë.
Një grua i binte njërës prej kufomave me sopatë, duke e coptuar. Një tjetër, shumë e shëmtuar në fytyrë, ngjyente duart në trupin e Lekë Qokut. Ai po jepte shpirt. Gruaja e shkurtër ngjyente duart në gjakun e Lekës dhe ia tregonte turmës, duke u ngërdheshur me histerizëm. Gjaku kullonte duke i përlyer edhe krahët.
Shtanga.
Të pasnesërmen më vjen lajmi se ajo grua ishte Luiza Hoxha.
Ai që kishte hurin, ndoshta në një moment dobësie më thotë: "Ikni frikacakë", dhe na la të lirë.
Hyj në Pashaliman dhe gjej 14 oficerë dhe kapterë. Takoj aty oficerin që kishte sjellë Besnik Hidrin. Trupi i tij ishte fryrë krejtësisht, gjysmën e krahut dhe syrin e djathtë e kishte të shpartalluar. E pyeta: "Besniku je?", dhe ai më përgjigjet vetëm me një lëvizje qepallash. U lutem oficerëve të nxjerrin anijet, ndërsa ata më përgjigjen: "Ik që këtej, se po të gjetën këtu, do të na vrasin edhe ne!".
Lajmëroj për ardhjen e një helikopteri. Ai mbërriti në orën 4 e 15 minuta, por për Besnikun ishte shumë vonë, sepse vdes gjatë rrugës!
Kuadrot që ishin atë natë, ose më mirë në ato orë të para të mëngjesit të datës 1 Mars 1997 në Pashaliman, u kishte hyrë tmerri nga bandat dhe nga kreu i tyre që e njihte mirë bazën, pasi kishte punuar dikur aty, si ndihmësmjek me gradën e Kapterit, por që tani e thërritnin "Gjeneral...". Por më shumë se kjo, më befasoi Komandanti i Divizionit të Fierit, Gjeneral Syrja Isufi, i cili më kërkon të largohem se "... po erdhi Sabiti, pastaj mjerë neve!". Ky gjeneral ishte me banim në Vlorë.
Në darkën e 28 shkurtit Syrjai mori djalin e tij, doli nga shtëpia dhe për t'u mbrojtur, (siç më tha ai vetë), erdhi tek zyra ku unë punoja dhe pastaj erdhi pas meje derisa unë u largova në drejtim të Sarandës. U largua nga shtëpia me një fëmijë, për t'u ruajtur. Se përse, nuk e kuptoja! Nga kush dhe përse trembesh, ende nuk e kam të qartë.
ç'mund të prisnin repartet nga këta farë gjeneralësh!!!
Arrij në Sarandë rreth orës 9 e 30 minuta dhe takova z.Alfred Duka, të cilin e vura në dijeni për çfarë ndodhi në Vlorë si dhe për planin që kishin shtabet e kryengritjes për formimin e Zonës së Parë Operative. Vendin kryesor në planet shkatërruese e zinin Bregu i Himarës me repartet ushtarake dhe institucionet e tjera, si dhe Saranda e Delvina me repartet ushtarake të tyre. Mendova se nuk më besoi, pasi u mor më tepër me qetësimin tim. Mesa duket, pamja ime e jashtme e detyroi të merrej më tepër me mua sesa të dëgjonte ato që po tregoja.
Arrita të lidhem në telefon me familjen e t'u tregoj se isha gjallë, e se do të mundohesha të kthehesha sa më shpejt në shtëpi. Fola në telefon me z.Safet Zhulali, i cili u habit që isha gjallë.

Re: Ju rrefej 1997-ten

Posted: Thu Feb 04, 2010 6:46 pm
by Patush
Të paktën kështu m'u duk. Pasi shkëmbyen disa fjalë të tensionuara, më kërkon të shkoj në zyrën e tij sapo të mbërrij në Tiranë.
Rreth orës 11.00 arrita në Gjirokastër, ku mësova se rruga për Tepelenë e Përmet ishte e bllokuar. Atëherë nga Tirana u dërgua një helikopter, e kështu arritëm në Tiranë rreth orës 17.30 të datës 1 Mars 1997.
Në orën 20.00 i shkova në zyrë z.Zhulali dhe sekretari i tij z.Albert Ligorama më dha një mesazh në emër të Ministrit, duke më bërë të ditur se "Nuk të pret Ministri, ty!".
U habita, por jo shumë, kisha kuptuar diçka. Kthehem në shtëpi. Të nesërmen, më datë 2 Mars shkova në zyrë, ku mora vesh se qeveria kishte dhënë dorëheqjen, se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ishte liruar dhe ishte zëvendësuar nga Adem çopani.
Me shkarkimin e Sheme Kosovës treguan se ishin shumë të vonuar, sepse ishte oficeri më i paaftë i grupit të vet. Për mënyrën sesi Sheme Kosova u katapultua në atë detyrë, shumë njerëz shprehën habi, por pak-kush i dha përgjigje këtij emërimi në postin më të lartë ushtarak...
Në momentet më kritike që kaloi ushtria dhe kur kërkohej ndërhyrja dhe vendimet e kryeshefit të saj, ai u prezantua tepër i mangët, si në dijenitë ushtarake por edhe në ato njerëzore. Me datë 2 Mars 1997 Sheme Kosova figuronte i shkarkuar, nuk merrte më detyra dhe nuk jepte urdhra...
Emërimi i Gjeneral Adem çopanit në drejtimin kryesor të Ushtrisë, për dijet e tij si oficer, ishte gjetja më e mirë, por duke patur parasysh që kjo detyrë është sa ushtarake aq edhe politike, mendoj se gjetja ishte e gabuar, pasi Adem çopani ishte shumë i mirëpritur në ambjentet e PS dhe nga drejtuesit e lartë të saj, miku më i mirë i tij ishte Rexhep Meidani. Dhe këtu kam parasysh se krerët e PS e drejtuan kryengritjen kundër demokracisë.
Gjatë ditëve që ai drejtoi ushtrinë, ditë pikante për të, u konstatua se situatat që krijoheshin, gjeneral çopani i komentonte mjaft saktë, por nuk mori asnjë vendim të drejtë për t'i zgjidhur. Në emërimin e tij mund të ketë ndikuar edhe miqësia që ai kishte me Gjeneralin në rezervë, amerikanin çarls Mosko, me origjinë shqiptar...
Ushtria në zonat e Jugut, në Zonën e Parë Operative sulmohesh nga grupe rebelësh që e shkatërruan plotësisht dhe gjithçka vidhej pa as më të voglën rezistencë. Në Porto Palermo, Himarë, në kuotën 113 ishte një pikë sinjalo-vrojtuese, ku komandonte z.Fatmir Kokaj. Fatmiri vendosi që të mbronte repartin e vet dhe për gati 2 ditë dhe një natë, e mbrojti derisa kishte municion. Kur iu mbarua municioni, u kap nga rebelët, të cilët i krrenë sytë dhe i prenë kokën... si për ironi, ata që drejtuan kryengritjen, hartuan, zbatuan planet e sulmit dhe që ngritën flamurin grek në tokën shqiptare, e shpallën Fatmirin "Hero..." dhe i dhanë familjes së tij dekoratën e lartë...
Në datat 1 dhe 2 Mars, u shkatërrua dhe u vodh baza e riparimit të anijeve në Porto Palermo, e futur e gjitha në tunel...
Më vjen informacioni se po shkatërrohej dhe vidhej baza e anijeve në Sarandë. Dërgova atje njerëz, të cilët më prunë informacione se po mbyteshin anije, pothuajse të reja dhe këto po bëheshin përkundrejt dhrahmive që i jepnin gazetarët dhe fotoreporterët grekë, të cilët, sipas regjizurave të parapërgatitura, urdhëronin rebelët që të hidhnin granata luftarake mbi anijet, për të filmuar shpërthimet që shkaktonin mbytjen e tyre.
Sipas informacioneve, këtë tmerr për institucionet, repartet ushtarake dhe ushtarakët e qytetarët që nuk preferoheshin nga rebelët, e drejtonte Gramoz Ruçi, i cili kuartierin e tij e kishte ngritur tek hoteli i piluriotit, pak metra para bazës detare të Limjanit, si dhe ndihmësat e tij si Arbër Qilimi, që dorëzoi repartin që komandonte dhe e bashkoi me kryengritjen, apo Xhevat Koçia, ish oficer i lartë, i përzënë nga ushtria për shkaqe ordinere.
Informohem se në bazën e Sarandës kishin mbetur pa u shkatërruar akoma edhe 2-3 anije. Në Shtabin e Përgjithshëm u mor vendimi që këto anije të tërhiqeshin nga Saranda dhe të ankoroheshin në Durrës. U bënë planet përkatëse, të cilat do të zbatoheshin nga katër anije të bazës së Durrësit, më datat 7 dhe 8 Mars.
Më datë 6 Mars informohem se Komandanti i grupit të anijeve dhe një grup oficerësh, jo vetëm që nuk do të zbatonin planin por do të largoheshin, me gjithë anijet luftarake, në drejtim të Italisë.
Në fillim nuk e besova dhe s'kishte sesi ta besoja. Shkova vetë në Durrës, në vendbazimin e anijeve, dhe në takimin që pata me Komandantin e grupit, ai, pa iu dridhur qerpiku ma pohoi: "Nuk do vemi në Sarandë, por do të ikim në Itali..., le të na quajnë tradhtarë...".
Nuk dija çfare të thoja. Eshtë e vështirë të bisedosh me oficerët që janë shumë trima në tradhti dhe frikacakë në zbatimin e detyrave.
Planin e anulluam dhe anijet patën fatin e të tjerave. Gjatë këtyre ditëve mblodhëm anijet në Durrës, për t'i ruajtur nga ndonjë sulm me qëllim eksodi, por nuk dinim se nga kush të kishim frikë! Kush do të na i rrëmbente, populli apo oficerët që i drejtonim?! Informatat flisnin që "shtëpinë", më tepër duhet ta ruanim nga i zoti i saj, dhe kjo u vërtetua.
Pak rrëmujë u bë në Durrës në datat 13 dhe 14 Mars, dhe të parët që u larguan në drejtim të Italisë, qenë anijet luftarake, pothuajse vetëm me kuadrot dhe ekuipazhet e tyre. Anijet u strehuan në bazën e Brindizit.
Një gjë më habit! Ata oficerë që u larguan nga detyra më 28 Shkurt, si p.sh. nga vend-komanda e bazës së Vlorës si Fitim Halili, Roland Nasto, Mitat Islami, etj., drejtojnë sot Flotën tonë detare, sikurse edhe oficerët që rrëmbyen anijet e tyre luftarake dhe i dërguan në Itali, që gjithashtu u ngritën në përgjegjësira!!!
Më datë 14 Mars informohem se nga Muzeu Arkeologjik i Durrësit ishin vjedhur objektet arkeologjike vetëm të periudhës ilire, ndërsa ato të periudhës romake dhe helene, ishin të paprekura. Këto objekte ruheshin në vende tepër të sigurta, me kode sekret, dhe këto i dinin dhe mund të hynin atje vetëm pesë vetë në të gjithë Shqipërinë, duke filluar nga kryeministri... Informacioni u vërtetua..., objektet ishin vjedhur dhe të dhënat më çonin tek një kryetar partie i njohur për arkeolog...
Unë akoma nuk dua ta besoj që ishin shqiptarët ata që e bënë këtë vjedhje të tmerrshme të këtij thesari të pazëvendësueshëm, sepse me këtë na është vjedhur edhe identiteti si komb. Ky veprim makabër u bë në favor të Shërbimit Sekret grek...
Në të gjithë atë katrahurë, kam mendimin se kjo vjedhje është më e rënda në historinë e kombit tonë.
Më datë 25 Mars informohem se në Vlorë është bërë plani për të marrë një anije nga Saranda, dhe se me të do të niseshin klandestinë për në Itali. Në Vlorë nuk kishte asnjë anije. E vetmja anije që kishte mbetur e që mund të lundronte, ishte Kater i Radës, i vogël, i vjetër dhe me shërbim të kufizuar portual.
Më datë 26 Mars anija vjen në Vlorë dhe vihet nën sundimin e "Sulltanit të Vlorës", siç kishte qejf të quhej Zani Caushi.
Menjëherë u hap lajmi se do të nisej për në Itali një anije luftarake, kundrejt pagesës prej 1 milion liretash për person. Turma njerëzish afroheshin, por kur merrnin vesh se pronari ishte Zani Caushi, largoheshin..., për vetë namin prej krimineli që ai kishte në tërë vendin dhe jo vetëm në Vlorë. Atëherë në Vlorë shkoi Arben Malaj, (në atë kohë Ministër i Financave në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar), i cili futet në port dhe i afrohet anijes në shoqërinë e Zanit dhe shokëve të tij. Kjo ngjau në mëngjesin e datës 27 Mars. Menjëherë u hap lajmi se anija ishte e Arben Malaj-t, dhe se Zani ishte vetëm arkëtari. Kështu u rrit besimi tek njerëzit, të cilët ishin aty rreth e rrotull dhe që e mbushën menjëherë anijen, në të cilën hipën 153 veta, që u nisën drejt Italisë. Tashmë historia e anijes dihet, por unë dua t'u them atyre që e mbytën dhe atyre që kërkojnë trupat e të afërmve, që të kërkojnë jo 80 vetë, por 119 njerëz të mbytur.
Vazhdova në detyrë deri kur ministër i Mbrojtjes u bë Sabit Brokaj, puna me të cilin ishte e pamundur, pasi tashmë kisha për epror atë që drejtonte rebelët, madje pjesën më kriminale të atyre që, po të më kishin kapur, do të më ripnin të gjallë.
U largova nga detyra me motivacionin "nuk ke shkollën e Sigurimit të Shtetit". U them atyre që më komunikuan urdhrin: "Nderoj tim atë që nuk më dërgoi në atë shkollë...".
Mendova që t'i bëj publike ngjarjet kryesore të atyre dy muajve të çmendurisë së rebelimit, duke menduar se ka ardhur koha që të vërtetën ta mësojnë ata që e duan këtë të vërtetë.
Fund

Re: Ju rrefej 1997-ten

Posted: Thu Feb 04, 2010 7:21 pm
by alfeko sukaraku
Qeverria hajdute ler tju kthej parat shqiptarve edhe ler ti kalbin ne burge shkaktaret e grabitjes ekonimike edhe shkaktaret e gjekderdhjes kushdoqofshin ata..sala apo nynua e hajdutet qe i rrethojn.Ne se ka bithe , ateher ler te dalin balle hapur para shqiptarve edhe ta denoj 97 nje per nje?Ka bithe?? jo, sepse mbane ere te rendomt grope haleje.