Page 1 of 1

Kur Mehmet Bushatlliu shkruante 'më sillni orlozhin'...

Posted: Mon Aug 02, 2010 1:04 am
by Arta
Fatmira Nikolli

Për herë të parë në Perandorinë Osmane kullat e sa hateve u shfaqën në Shqipëri. Ka qenë shekulli i 16-të kur ato filluan të ndërtoheshin. "Me sa di unë, e para prej tyre ka qenë në Shkup në vitin 1555", - na thotë Sulejman Dashi, specialisti që po ngre në këmbë Muzeun e sahateve të vjetër shqiptarë, afër xhamisë së Et'hem Beut në Tiranë. Sipas tij, në këtë kohë me sahat u bënë qytetet e Elbasanit dhe Prizrenit, e po ashtu në të tillë u kthye edhe këmbanorja e Krujës. Së shpejti në Tiranë do të hapet Muzeu i Orëve, i cili do të ngrihet mbi ish-Dyqanin e Sahatçiut, pranë kullës së Sahatit. Specialisti Sulejman Dashi ka më shumë se dy muaj që po punon për objektet që do të paraqiten në këtë muze. Do të jenë maketet e njëmbëdhjetë sahateve të Shqipërisë, plotësuar me mbishkrime dhe portrete të themeluesve. Për krijimin e maketeve, Dashi ka përdorur kryesisht karton dhe materiale sintetike, dhe për dizenjimin e jashtëm, bojëra uji dhe akrilik. Kjo do të jetë edhe ekspozita përuruese e këtij muzeu.

Cilët janë sahatet më të vjetër që njihen si të tillë?

Më e vjetra nga orët që kam paraqitur si makete në këtë muze, është "Ora e Shkupit" e vitit 1555, kurse brenda territorit të Shqipërisë është Sahati i Krujës, që dikur ka qenë këmbanorja e një kishe, e cila u prish dhe pastaj u bë sahat me tinguj. Sahatet e tjerë janë të mëvonshëm e janë ndërtuar në kulla të larta. Qe koha e Pashallëqeve të Mëdha, periudha në të cilën shumë qytete u pajisën me sahate. Ali Pashë Tepelena ndërtoi dy sahate, një në kalanë e Gjirokastrës e një në Libohovë. Më tej Mehmet Bushatlliu ngriti një kullë sahati në kala dhe i çoi një letër konsullit të Venedikut: "kur do më sillni orlozhin, sepse kam ngritur kullën në kala?" Në Berat ka qenë një tjetër sahat i vjetër, të cilin Evlija Çelebiu e quan shumë të çuditshëm, sepse "këmbana e tij dëgjohej shumë kilometra larg".

Më tej, sahatet sa vijnë e shtohen?

Më pas, qe koha e esnafëve që bënë rrugë, ura e kulla sahatesh. Kështu kemi sahate në Kavajë, Peqin, Korçë. Ky është tejet interesant sepse u morën vesh së bashku, esnafi ortodoks i Voskopojës dhe ai mysliman, dhe ranë dakord që Korça të kishte një kullë sahati. Pra, marrëdhëniet fetare kanë qenë mjaft të mira dhe s'ka pasur probleme mes tyre. Sahatet kanë qenë kryesisht para pazareve dhe ishin të tipit akustik, me tinguj. Më tej u ndryshuan kullat ku të ishin edhe fushat e orës. Sa i takon Sahatit të Tiranës, i restauruar para pak kohësh, ai është ndërtuar nga Haxhi Et'hem Beu, i cili e nisi pasi mbaroi xhaminë me gjithë pikturat, por e la përgjysmë sepse filloi lufta me Toptanët. Në 1836 ishin esnafët e Tiranës ata që përfunduan sahatin.

Cili është stili i tyre?

Stili është rokoko, barok e me ndërthurje orientale, me përjashtim të sahatit të Inglezit që është në Shkodër. Nga vetë emri kuptohet që është një sahat që mbase u ndërtua prej një anglezi. Sa i takon kupolave që i mbulonin, këto vareshin më së shumti nga zona dhe tradita e saj, ndaj disa janë me tjegulla e disa me kupola.

Si erdhi ideja e këtij muzeu?

Ideja për krijimin e këtij muzeu erdhi si rezultat i restaurimit të sahatit të Tiranës. Meqenëse ky sahat kishte afër dyqanin e sahatçiut, u mendua që të kthehej në një muze, ku orët monumentale, të vendosen në këtë muze së bashku me mbishkrimet e personave që i kanë realizuar këto orë dhe rëndësinë që kanë. Si kullë, më i vjetri është sahati i Krujës. Unë kam gërmuar pas këmbanores së kishës së kthyer në kullë. Kisha duhet të ketë qenë e shekujve 11-12, pasi kishte mbishkrime latine. Prej saj ka mbetur një pjesë e absidës.

Sa sahate keni numëruar deri tani?

Deri tani kam dokumentuar rreth 20 sahate monumentalë të qyteteve, që datojnë që nga shekulli i 16 deri në fund të shek. 19, por ka edhe të shek. të 20-të, që është sahati i Durrësit, i Vlorës etj. Sa i takon Sahatit të Vlorës, ai i përket viteve 1920-të, por ky sahat është i veçantë, sepse ka për herë të parë simbolet shqiptare, si shqiponjën me dy kokë, Skënderbeun, Ismail Qemalin. Një aspekt tjetër mjaft interesant, janë mbishkrimet dhe ornamentet që janë gjetur nëpër këto sahate. Tek ai i Tiranës është gjetur një dragua, kurse në atë të Kavajës gjendet një pllakatë ku është shkruar 'marshallah'. Aktualisht, sahati në kalanë e Kaninës është në gjendje të mjeruar, megjithatë ai mund të restaurohet. Ka pasur edhe Delvina një sahat.

Pse nuk është hapur ende?

Nuk kemi fonde që të përfundojmë punën. Duhen vënë stenda pranë sahateve, që sqarojnë historinë e tyre. Duhen shpjeguar ornamentet që i shoqërojnë, sepse janë mjaft interesante. Për mua, ndër më interesantët janë Sahati i Peqinit dhe ai i Kavajës. Çdo kohë në të cilën janë ngritur, ka pasur veçoritë e veta, edhe sa i takon ndërtimit e mënyrës se si bëhej, sepse me kohë ato përparonin.