Kundër komunizmit në mërgim
Posted: Tue Aug 18, 2009 1:16 am
Për herë të parë / Letra të Mustafa Krujës drejtuar Gjon Marka Gjoninit ku komentohet krijimi i një komiteti me të katër grupet politike jashtë Shqipërisë në bashkëpunim me të huajt. Qëllimi: Shpëtimi i vendit nga komunizmi. Qëndrimi i Mbretit Zog dhe shpresa për t'u kthyer në fron.
Romë 10. VI. 1948
I dashtuni Mustafë,
Ke shum të drejtë me u idhnue, por arsyeja qi nuk të kam shkrue, ka rrjedhë pse dojshem të thojshem ndonji send konkret mbi punët e ktushme, e qe se po t'i përmbledh të gjitha me nji fjalë: kurrgjâ!
Mbasi ministri grek na pat ftue dhe na komunikoi dishirin e Qeveris së tij për nji bashkim dhe formimin e nji Komiteti Qendruer, i cili do të hynte në bisedim me grekët, na u mblodhëm e mbasi e shqyrtuem çështjen, vendosëm me u marrë vesht me Ballin. Ngarkuem për kët detyrë Ismail Vërlacin, edhe si Kryetar të Blokut, me bisedue me Midhatin, Kryetar të Ballit. Mbas nji jave mundimi, dikur mrrijti me e gjetë Midhatin; bisedoi më tê për mâ se nji orë dhe Midhati i premtoi se mbasi të kthente prej udhtimit qi do të bânte nëpër kampe, ku do t'u kshillonte me shokët (!) do të vinte në Romë dhe do t'i binte përgjegjen.
Ai u nis e nuk u pa me Ismail Vërlacin; na vepruem simbas ndërgjegjes e detyrës s'onë e ai i mungoi edukatës! Atëherë na ngarkuem Ekrem Libohovën me shkue n'emën të Blokut te ministri grek e me i thânë qi të tâna tentativat na shkuen huq, e ashtu u bâ. Midhati erdhi në Romë dhe mblodhi ballistat. Mbas disa ditësh bisedimi ndër veti formuen Kryesin e Ballit me nji Kshill prej 7-9 vetësh e me Midhatin Kryetar. Nuredin Vlora, qi ne na kishte thânë se nuk âsht mâ në Ballë, muer pjesë, tue kujtue se ai do të mbrrijte me bâ kët formim.
Kryetar nderi Midhati, Nënkryetar me të tâna të drejtat e Kryetarit Nuredini dhe disa Kshilltarë t'anës së tij; por nuk ja duelë pse Nuredinin e zgjodhen vetëm si Kshilltar; atëherë ky i idhnuem muer valixhet e iku për Capri! Sa për Aliun e Koçon kanë thânë qi ata nuk janë t'autorizuem me folë çâshtje politike n'emën të Ballit, ata janë vetëm për çâshtjen e emigracionit. Kan bâ ashtu si kishim bâ na me Ernestin. Dje Midhati âsht nisë për Greqi. Nuk besoj se Aliu e Koçoja të munden me u da prej Ballit, ose mâ mirë me thânë prej Midhatit; prandej të mos gënjehen t'atyshmit mbi Aliun se, mbas mendimit t'êm ata kanë me qenë dakort me të vetët, e se të tâna bisedimet qi i bâjnë nuk janë gjâ tjetër veçse manovra.
Po niset Ernesti për Egjypt e ky ka me ju diftue gjanë e gjatë. Kemi folë me tê dhe i kemi skjarue idét mbi bisedimet qi do të ketë me ty e Bazin. Unë besoj se do t'ishte mirë të bâhet kështu: të formohet partija Monarkiste (të shlyhet emni Zogist e Legalitet) e të himë në marrveshtje si partina na Bloku me partin Monarkiste, për me balancue Ballin si parti, pse me Bazin si person nuk më duket marrveshtja aq e gjânë, mbasi ai figuron mâ tepër si person se si parti. Me këtë mënyrë e me Kosovarët qi janë grup në veti na mundemi me u bashkue e me punue mâ së miri.
Këto janë idét e mija, e mos kujto se unë due, me ndoj mënyrë a ndoj tjetër me luftue Bazin, përkundrazi dishroj qi ai të forcohet sa mâ tepër, pse âsht n'interesin t'onë të përgjithshëm. Jam gati i sigurtë qi shum Zogista, si Hiqmet Delvina me shokë (jugorët) nuk kanë me e pranue Bazin si Kryetar, pse për ta âsht malok siç jemi të gjithë na, e kështu ndoshta kanë me u da; prandej mâ mirë me e dijtë kët gjâ herët se vonë (Toskë e Gegë!). Ti e din se na jemi nji parti politike e nuk mundemi me e zhgatrrue për me u marrë vesht me njanin ose tjetrin, pse nuk më duket as e mundshme qi të hjekim dorë aq shpejt prej principeve t'ona si parti, pse edhe po të bâhet kështu nuk del gjâ mâ e mirë veç ndoshta mâ e keqe, pse kishim me u komprometue para opinionit publik si shqiptar ashtu të huej, sepse tashma jemi të njoftun si nji parti politike. Për të gjitha këto ke me folë gjanë e gjatë me Ernestin.
Italjanët e kanë pasë lanë krejt mbas dore çâshtjen shqiptare; mbas insistimeve t'ona e bisedime qi kemi pasë me ta, tashti kan fillue me e marrë para sysh çâshtjen shqiptare; të shohim se çka me dalë.
Besoj qi të kam shkrue mjaft gjatë. Tahiri âsht nisë për Turqi pse nuk kje e mundun me e mbajtë. Shkumja e tij na ka vrâ shum, por çka t'i bâjmë fatit.
Na jemi mirë, ashtu shpresoj qi edhe ti ke me kenë mirë me shndet. Kam ndigjue se ke fillue me përpilue nji fjaluer Shqip-Arabisht. Urime!
Me kaq të përqafoj për së largu me mallë gjithmonë i yti
Ndue Gjomarkaj
Prej babës shum shndet.
Bazit, Agos, Qorralliut shum të fala.