Shqiptarët e Gershmanit në El Paso
Baba Haxhi Dede Reshatbardhit
Në muzeun e Holokaustit
U bë më se një vit që ekspozita e fotografit amerikan, Norman H. Gershman e quajtur "Besa: Një kod nderi," po bën xhiron e vendeve si një homazh ndaj atyre që shpëtuan hebrenj në një vend që bota e njeh fare pak.
E ndërtuar me portrete të shqiptarëve fotografuar nga Gershmani në disa qytete të Shqipërisë, ajo ka si burim dokumentar rrëfimin e fëmijëve të atyre që kanë strehuar gjatë Luftës së Dytë Botërore hebrenjtë. Është dëshmi e historisë që nga Shqipëria nuk u depërtua drejt kampeve të përqendrimit asnjë hebre.
Janë 30 fotografi bardhezi që përfaqësojnë gati 20 000 shqiptarë myslimanë që kanë strehuar hebrenj. Përkatësia fetare myslimane është "tipari" që ka pëlqyer të vërë në dukje Gershmani prej shpëtimtarëve shqiptarë. "Myslimanë që shpëtojnë hebrenj, duket diçka e pamundur për botën tonë", - thotë Gershman-i, duke shpresuar që ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur për pesë javë, duke filluar prej 23 gushtit në Muzeun e Holokaustit dhe Qendrës së Studimeve të El Pasos në Teksas, të ndihmojë të zhdukjen e stereotipeve etnike dhe fetare.
"Unë nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për këtë gjë. Si shumë të tjerë, edhe unë tani, nëpërmjet kësaj ekspozite, po e kuptoj se ka ndodhur edhe kështu", - thotë Maribel Villalva, drejtor ekzekutiv i Muzeut të El Pasos. "Jam vërtet i habitur...janë dëshmi të mrekullueshme të kurajës." Fotoja që prezanton ekspozitën në faqen elektronike zyrtare të muzeut është një portret i Baba Haxhi Dede Reshatbardhit.
Ekspozita është organizuar nga Hebrew Union College, Jewish Institute of Religion Museum. Deri tani është prezantuar në Yad Vashem, në Muzeun e Holokaustit në Izrael, në Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Evropës.