Page 1 of 1

Gjithcka mbi Ahmet Zogun

Posted: Sat Jan 07, 2012 2:08 pm
by Stilian
Britanikët: Ahmet Zogu s'mund të jetë lider i shqiptarëve


Në vazhdim të botimit të dokumenteve nga Arkivi i Shërbimit të Fshehtë Britanik gjatë Luftës së Dytë Botërore, S.O.E, sot kemi përzgjedhur disa dokumente të reja për lexuesin e interesuar.

Dokumenti i parë është në vazhdim të botimit të dokumenteve mbi rolin e Shërbimit të Fshehtë Jugosllav, i cili kërkonte të infiltronte Mërgatën Shqiptare duke rekrutuar ish-ushtarakë apo civile të administratës mbretërore. Këta persona, të cilët tashmë gjendeshin në Stamboll në një situatë të vështirë ekonomike dhe qartësisht të paorganizuar, me sa duket për qëllime të ndryshme kanë dashur të luajnë një rol në ngjarjet që po zhvilloheshin, duke pranuar të punonin për shërbime të cilat interesoheshin për Shqipërinë. Pazotësia e shqiptarëve për t'u organizuar në këto momente dhe për t'u prezantuar si një grupim i rëndësishëm përballë aleatëve, tregon qartë se sa e dobët ka qenë administrata shtetërore e cila nuk mundi të funksiononte tashmë në kushtet e një emigrimi ku shumë gjëra duhet të bëheshin për idealizëm dhe jo më për rrogat e marra gjatë mbretërisë. Fatkeqësisht, me sa duket, si Zyra Sekrete që operonte gjatë regjimit të Zogut, si Shërbimi Informativ Ushtarak, nëse Zogu kishte diçka, të tillë nuk luajtën asnjë rol në fermentimin e një organizimi anti- fashist i cili mund të kishte marrë iniciativën e luftës kundër ushtrive italo-gjermane. Nëse kjo lëvizje do të ishte iniciuar dhe drejtuar nga ky grupim, sigurisht edhe me mbështetjen e aleatëve, mund të kishte penguar një shtrirje më të gjerë të lëvizjes komuniste në Shqipëri.
Fakti që shqiptarët e Mërgatës u përpoqën gjatë kësaj kohe për të fituar favore nga shërbimet e huaja apo thjesht të siguronin bukën e gojës në emigracion duke punuar për ta, është një tregues i qartë i paaftësisë së tyre organizative si dhe shansit të humbur përpara historisë.
Sigurisht, duke parë që Mbreti jetonte mjaft larg nga teatri i ngjarjeve ballkanike dhe Mërgata ishte shumë e fragmentarizuar, duket qartë që mungonte një figurë kryesore për të organizuar elementët ushtarakë dhe civilë në një organizatë sekrete, e cila të ishte edhe fokusi qendror i bashkëpunimit me shërbimet aleate. Shembulli më i mirë që ilustron këtë paaftësi të Mërgatës shqiptare janë Shërbimet e Mbretërisë greke dhe jugosllave, të cilat edhe pse në emigracion, funksionin normalisht duke qenë mjaft të interesuara edhe për një shtrirje më të gjerë në Shqipërinë e pas luftës. Shikohet qartë në dokumentin e parë që sillet sot për botim se, oficeri i Gardës Mbretërore Shqiptare, kapiteni A.R.D, nga një familje me mjaft reputacion në Kosovë dhe Maqedoni, është bashkëpunëtor i Shërbimit të Fshehtë Jugosllav, një veprim ky i cili me sa duket ka habitur edhe oficerët e S.O.E. Megjithatë, nëse shikon të kaluarën e tij të prezantuar në dokumentin britanik, bashkëpunimi i tij me jugosllavët mund të ketë qenë edhe më i hershëm.
Dokumenti i botuar sjell edhe disa të thëna mjaft interesante, duke rikonfirmuar faktin e debatuar shpesh se oficerët që sollën Zogun në pushtet në 1924 ishin rekrutuar nga radhët e ushtrisë jugosllave me miratimin e plotë të Qeverisë jugosllave, dhe me sa duket një pjesë e tyre kanë qëndruar në Shqipëri duke i shërbyer Mbretit të ardhshëm.

Dokumenti i dytë është mjaft interesant, dhe jep disa dëshmi mbi aktivitetin e kolonelit të Gardës Mbretërore dhe një prej besnikëve të Mbretit Zog, Hysen Selmani. Nga dokumentacioni që ndodhet në dosjet e S.O.E mbi kolonel Selmanin, duket qartë që britanikët nuk e kanë vlerësuar dhe shpesh edhe e kanë nënçmuar figurën e tij gjatë periudhës së emigracionit. Se sa i aftë ka qenë kolonel Selmani në mbajtjen nën kontroll të ish-oficerëve të tij të gardës tashmë në emigracion, kjo mbetet për t'u shikuar, por me sa duket sipas britanikëve ai nuk ka pasur asnjëherë staturën e duhur për t'u bërë një lider në gjirin e Mërgatës.
Megjithatë, nëse do të shikojmë këtë dokument të botuar sot, do vështrojmë disa fakte interesante që britanikët i kanë rreshtuar në shënimin që shoqëron këtë letër. Nga dokumenti shoqërues kuptohet se kolonel Selmani ka pasur kontakte me Shërbimin e Fshehtë Jugosllav, me sa duket për të hartuar një plan të përbashkët mbi Shqipërinë. Se sa të aftë ishin jugosllavët për të ndihmuar një lëvizje anti-italiane në Shqipëri, në këto moment mbetet për t'u gjykuar. Duke parë se tashmë Qeveria jugosllave ishte në emigracion dhe vendi ishte në një krizë të thellë politike, gatishmëria jugosllave për të ndihmuar duket më shumë si një përpjekje e tyre për të krijuar përshtypjen ndaj britanikëve, se gjithsesi Qeveria jugosllave ishte një faktor i rëndësishëm në Ballkan. Po kështu, në këtë dokument shikohen qartë përpjekjet britanike për të penguar çdo mundësi të një faktorizimi të elementëve pro-zogist në zhvillimet politike në Shqipëri, një politikë e cila më vonë do të ndryshonte në favor të majorit Abaz Kupi. Kemi shkruar edhe në disa prej shkrimeve të mëparshme mbi qëndrimin britanik ndaj përfshirjes së Zogut në ngjarjet në Shqipëri. Dokumenti i sotëm rikonfirmon në një mënyrë tjetër mendimin se britanikët nuk e shikonin më Zogun si një faktor të rëndësishëm për krijimin e një lëvizjeje anti-italiane. Fakti që një pjesë e mirë bashkëpunëtorëve të S.O.E britanike që operonin në Shqipëri ishin anti-zogistë të njohur, e konfirmon këtë mendim. Besoj se në këtë këndvështrim duhet parë edhe dokumenti i sotëm, ku qartësisht shikohet pengimi i çdo përpjekjeje të kolonel Selmanit për të hyrë në Shqipëri nga Shërbimi Sekret Britanik. Me siguri, koloneli duhet të ketë qenë mjaft i pezmatuar për një qëndrim jo shumë miqësor të britanikëve, megjithëse nuk ka pasur mundësi të mësojë mendimin e vërtetë të britanikëve ndaj tij. Një vlerësim, me sa duket nga dokumentacioni, mjaft nënçmues dhe shpesh jo miqësor, i cili gjithsesi mund t'i ketë shpëtuar jetën kolonelit të Gardës Mbretërore.

51/274/Alb
9.5.42
Për SOE, Kajro
Kopje SOE, Londër
Nga D/H 274
Kapiten A.R.D
Me lejen e A/H 21, kapiteni A.R.D erdhi për të më takuar mbrëmë. Gatishmëria e tij për të punuar në favor të A/H 21 është një veprim që nuk mundem ta kuptoj, pasi ai është një shtetas shqiptar i cili është larguar nga vendi i tij për në Shqipëri. Në përgjithësi kur një person i një race në minoritet lë vendin e tij, arsyeja është se ka një urrejtje për pushtetin në fuqi. Kapiten A.R.D është një person për të cilin të gjithë shqiptarët në Stamboll flasin mjaft mirë, duke theksuar në veçanti sensivitetin e tij për nderin. Megjithatë, një njeri që respekton kaq shumë ndjenjën e nderit nuk mundet të punojë për një anëtar të një race që ai e do. Arsyetimi se mundet që të punojë për pagesën që merr sigurisht që ka vlerë, megjithatë në rastin e tij nuk më duket se ka qenë vetëm kjo arsye.
Pas takimit tonë mbrëmë, pozicioni i tij është paksa më i qartë. Kapiten A.R.D, që nga koha që ka qenë një djalë i vogël, familja e tij është shpërngulur për arsye të luftërave nga Tetova për në Turqi, pastaj në Rumani dhe përsëri në Jugosllavi dhe më vonë në Shqipëri, dhe tani prapë në Turqi. Ai ka mbaruar shkollën në Jugosllavi në mbarim të luftës, dhe kur erdhi koha e ushtrisë u përzgjodh për t'u bërë oficer në ushtrinë jugosllave. Kur Ahmed Zogu organizoi bandat e tij për t'u kthyer në Shqipëri nga Jugosllavia në 1924, kapiteni A.R.D ishte një prej oficerëve jugosllavë që e shoqëroi atë dhe duhet theksuar me miratimin e plotë të jugosllavëve. Pasi u caktua në Gardën Mbretërore, ai mori shtetësinë shqiptare duke e lënë atë jugosllave. Mendoj se për këtë arsye ai nuk është pjesë e atyre ushtarakëve të cilët janë anti-jugosllavë, dhe me sa duket nuk ka problem për të bashkëpunuar me ta.
Ai ka edhe një arsye tjetër për të punuar për A/H 21. Qeveria jugosllave i ka marrë disa prona, dhe me sa duket mund t'ia rikthejë ato nëse ai punon mirë për ta. Kufiri i vendosur tani për Shqipërinë kalon vetëm 6 km nga shtëpia e tij dhe lë një pronë brenda kufirit shqiptar dhe dy të tjera jashtë këtij kufiri. Për këtë arsye, ai ka të gjithë interesin personal që të zhvendosë këtë kufi dhe për t'i bashkuar përsëri pronat e tija, por si patriot që është do të donte të luftonte italianët që kanë vendosur këtë kufi.
Ai ka qenë kapiten në Batalionin e Parë të Gardës Mbretërore në Tiranë dhe ishte një prej atyre që shoqëruan Mbretin Zog në kufirin me Greqinë. Ai u kthye mbrapsht në Tiranë për të luftuar italianët. Duke e parë që rezistenca ishte e pamundur, ai e udhëhoqi batalionin nga Martaneshi për në Dibër dhe në kufirin me Jugosllavinë. Këtu ai ju dha të drejtën e zgjedhjes dhe ushtarët u kthyen në shtëpi, ndërsa më të shumtit e oficerëve e ndoqën atë matanë kufirit për në Jugosllavi. Shumica e këtyre oficerëve mbetën në Jugosllavi, ku trupat gjermane i kanë gjetur pas pushtimit të Jugosllavisë. Ata e lanë Shqipërinë më 16.6.39 duke luftuar deri në fund, megjithëse mbeten 5 ditë pa ngrënë dhe në mes të borës gati një metër në Martanesh.
Firmosur - D/H 274

6/1/274/758
TEPER SEKRET
D/H 29
Nga DSO (B)
Kopje per D/H 70
Ju lutem, bashkangjitur keni Letrën e Mbretit Zog dërguar kolonelit Selmanit. Jam shumë i kënaqur që po Ju dërgoj këtë letër, pasi kjo vërteton që ne së bashku mund të bëjmë gjëra për të cilat kemi detyrim. Me krijesa kaq mosbesuese sa këta, gjëja më e mirë që mund të bëjmë është që të krijojmë sa më shumë besim.
Londra e ka lënë fatin e kësaj letre në dorën tonë. M/HD ka vendosur që ta lejojmë që të dërgohet. Ju lutem, dërgoheni tek A/H 78 për t'u transmetuar, pasi Mbreti kërkon ruajtjen e sekretit më të madh të mundshëm dhe A/H 78 është personi për të cilin Selmani ka besim.
Unë mendoj se duhet ta mbyllësh dhe ta vulosësh letrën përpara se t'ia japësh A/H 78 dhe i thuaj që është e shkruar në frëngjisht dhe Mbreti kërkon ruajtjen e sekretit. Mund t'i tregosh përmbajtjen e letrës, dhe kur të vijë fjala për kolonel Selmanin i thuaj që ne e pranojmë me kënaqësi ofertën e tij për bashkëpunim dhe do të bëjmë ç'të jetë e mundur për ta ndihmuar kur të jetë në Shqipëri. Por, ai duhet ta gjejë vetë rrugën se si do të shkojë atje dhe nuk e ndihmojmë dot në këtë çështje. Ai është i moshuar për t'u parashutuar apo për t'u infiltruar me nëndetëse. Ju lutem, shprehini atij të gjithë keqardhjen tonë për pamundësinë e ndihmës sonë në këtë moment, së bashku me sigurimin tonë se besojmë që zgjuarsia e tij do të gjejë një mënyrë për t'i mposhtur vështirësitë.
Firmosur - DSO (B)

Gjithcka mbi Ahmet Zogun

Posted: Sat Jan 07, 2012 2:57 pm
by Stilian
Ciano: Mbreti i bën paratë brilantinë e fustane për motrat

KONTI CIANO DHE ZOGU
Image

Më shumë se një dëshirë e Duçes, pushtimi i Shqipërisë ishte një ambicie e dhëndrit të tij, ministrit të Jashtëm italian, Galeazzo Ciano. I përdori të gjitha mënyrat, nga diplomacia te dredhitë dhe ryshfetet për të shtënë në dorë shtetin e vogël. Liretat u derdhën lumë për të “blerë” besimin e shqiptarëve. “Galeazzo Ciano, Una Vita” është libri i historianit Giordano Bruno Guerri, botuar në Itali, i cili ofron për lexuesin shumë fakte të panjohura mbi ish-ministrin fashist dhe pushtimin e Shqipërisë. Gazeta “Bota shqiptare” ka botuar pjesë nga libri që tregojnë pikërisht mënyrën e përgatitjes së pushtimit fashist në Shqipëri. Një vend të mirë zë marrëdhënia me oborrin mbretëror, me mbretin Zog dhe motrat e tij. Incidentet diplomatike në dasmën e Zogut dhe përshtypjet personale të Cianos, shkëputur nga ditari i tij.Zogu dëshironte të martohej: edhe dhjetë vjet më parë – duke dashur një sigurim të fronit më shumë se një grua – kishte kërkuar dorën e një prej vajzave të mbretit të Italisë, por Vittorio Emanuele III, në krye të një prej familjeve mbretërore më të lashta të Europës, nuk kishte dashur t’ia dinte për atë mbret të sapozgjedhur të dyshimtë.
Në vitin 1938, Zogu mendon sërish të martohet, përveç çështjeve politike, edhe për t’i dhënë një pasardhës dinastisë së tij. Dyzetepesëvjeçarit Zogu, Ciano i propozon vajza fisnike të aristokracisë italiane, mes të cilave edhe pasardhësen e fundit të heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut. Por ,Zogu, që më shumë se një emër dëshiron një garanci politike dhe është i ndikuar nga rrymat kundër-italiane të vendit të tij, i bën bisht. Me naivitet, Ciano nuk kuptoi dhe u çudit nga refuzimet e tij. Më në fund Zogu martohet me Geraldina Apponyj, hungareze, e lidhur me oborrin mbretëror të vendit të saj, ku kishte shumë elemente filo-gjermane. Vetëm në këtë çast Ciano e kuptoi se kishte humbur një betejë dhe që Reich gjerman kishte hedhur një tjetër hap, edhe pse shumë të vogël, drejt Ballkanit. Megjithatë, pranoi edhe ftesën, që me siguri i është dukur ironike, për të qenë dëshmitar i dhëndrit, por shkoi në dasmë me shpirt të thyer.
Vizita e të ftuarve italianë në dasmë nuk qe aspak e këndshme: përveç faktit që nuk kishin asnjë arsye për të qenë të lumtur, përkundrazi, kreu i paaftë i ceremonialit shqiptar bëri gabime të rënda që fyen italianët (“ceremonia ishte një seri incidentesh të rastësishme ose të qëllimshme”, kujton Jacomoni), pesë motrat e mbretit provokuan e trajtuan si mos më keq Cianon. Gjatë drekës treguan me zhurmë kënaqësinë e tyre për martesën e të vëllait me një hungareze, më pas, ndërsa përshkonin me ministrin e Jashtëm rrugën Tiranë-Durrës, të ndërtuar me paratë dhe mjeshtrit italianë (Ciano shprehte kënaqësinë e tij për bukurinë dhe rehatinë e rrugës), thanë: “Kënaqeni me pak, shkëlqesi. Kjo rrugë na duket mediokre. E keni bërë ndonjëherë rrugën që të çon nga Tirana në Elbasan”? Natyrisht ajo ishte një vepër gjermane. Ansaldo, Baroni e Vergani, shoqërues të Cianos, nuk tregojnë në kronikat e tyre nëse ministri u tregua po aq i sjellshëm me to, por në ditarin e vetë Ciano shkroi: “Princeshat mbretërore janë harbute, qesharake dhe të denja për skenën e një operete”.
Ciano kthehet në Itali me përshtypje shumë të këqija nga situata në Shqipëri dhe “kryekëput i bindur për zgjidhjen rrënjësore”. Siç i shkroi Jacomonit, tashmë e shihte problemin vetëm nga një pikë vështrimi: ai i rrezikut të stabilizimit në Shqipëri, të ndikimit të fortë gjerman. Për të ndaluar këtë të keqe ishte i gatshëm edhe të negocionte me Jugosllavinë për ndarjen e Shqipërisë… Kjo gjendje shpirtërore i ishte krijuar për shkak të shqetësimit që ambienti austro-hungarez, tashmë i pranishëm në oborrin mbretëror, mund të ringjallte prestigjin austriak në Tiranë me të gjitha rreziqet që mund të kishte aneksimi i sapongjarë i Austrisë nga Gjermania.
Akoma më i hapur u tregua me Mussolinin. Deri në këtë çast, Ciano ka vepruar me kokën e tij, brenda kufijve të kompetencës së vetë, duke përgatitur goditjen: Jocomoni, me financimet e Ministrisë dhe nën urdhrat e tij, po korrupton funksionarë dhe po armatos grupe banditësh e malësorësh luftëtarë, të cilëve u takon të dobësojnë edhe më pushtetin tashmë të dobët të Zogut (që mbrohet me paratë që i kalon zyrtarisht qeveria italiane). Por, që të mund të vazhdojë më tej, Ciano tani ka nevojë për miratimin e Mussolinit.
Image

Me t’u kthyer shkruan një raport të gjatë që në të vërtetë qe i panevojshëm pasi akoma para se ta merrte Mussolini, kështu shkruan Ciano në ditarin e tij, “është dakord me nevojën e një zgjidhjeje rrënjësore dhe thotë që, për të pasur Shqipërinë, është i gatshëm edhe të luftojë”.
Megjithatë, ia vlen të shihet me kujdes raporti i Cianos, sepse nga ana teknike është ndër gjërat më të arrira të Cianos, tregon më së miri mënyrën e tij të të vepruarit me Mussolinin dhe shpreh hapur si asnjëherë tjetër qëllimet e tij.
Pjesa e parë e relacionit ka shumë të ngjarë që të jetë përgatitur para udhëtimit dhe ka të bëjë me pasuritë shqiptare. Ciano nuk ka asnjë dyshim: “Vendi është i pasur, me të vërtetë i pasur”. Merr me të mirë Mussolinin duke i treguar mundësitë e pafund (që në të vërtetë të pafund nuk ishin) të zhvillimit. Më pas pak nga pak thotë që “kushtet e bujqësisë janë shumë modeste, pasuritë pyjore nuk janë shfrytëzuar, organizimi i peshkimit nuk po ecën me ritmet e dëshirueshme, eksplorimi i pasurive minerale ende nuk është bërë”. (Lidhur me këtë të fundit, diçka e dinte edhe vetë personalisht, sepse prej kohësh bënte kërkime pa ndonjë sukses të madh.) Me një fjalë; në dorë të administrimit të mirë italian Shqipëria mund të bëhej shumë e begatë brenda një kohe të shkurtër.
Menjëherë më pas nis të pikturojë një kuadër tejet të errët të oborrit shqiptar dhe të kushteve të popullit, duke vënë në dritë ato elemente që e dinte se do të bezdisnin më shumë Mussolinin:
“Populli, kushtet e të cilit janë aq të mjerueshme sa të sjellin ndër mend fshatra të humbur kinezë buzë Yang-Tse-së, mezi e durojnë praninë, zhvillimin dhe mendjemadhësinë e oborrit që është qesharak për llojin dhe zakonet e përbërësve të tij, por që rëndon në mënyrë të padurueshme mbi financat e shtetit. 120 milionë liretat që përbëjnë bilancin shtetëror pësojnë hendeqe të thella për blerje brilantinash, fustanesh, makinash luksoze, me të cilat motrat e Mbretit shesin mend gjithnjë e me më pak skrupuj. Po t’i shtojmë kësaj edhe parehatinë e krijuar nga vendosja e një protokolli të rreptë dhe fodull, siç mund të ketë ekzistuar në oborret e vogla gjermane, por që tashmë është e kotë të kërkohen në çdo familje mbretërore, do të jetë e lehtë të kuptohet mospopullariteti i Dinastisë”.
Duket hapur që luan me ndjenjën e vjetër, por gjithnjë të fortë republikane dhe socialiste të Mussolinit, që pikërisht në atë periudhë duke folur me Cianon sulmonte vazhdimisht familjen mbretërore, “peshë e vdekur”, të cilën dëshironte ta hiqte qafe sa më parë.
Nga ana tjetër, Ciano nxjerr në dritë që populli “i çdo klase shoqërore dhe pa asnjë retiçencë” është filo-italian, duke mos përmendur ama që shqiptarët ishin vërtet të kënaqur për ndihmat ekonomike italiane, por nuk u shkonte as nëpër mend t’i aneksoheshin Italisë.
Nuk lë pas dore asnjë marifet: është periudha kur Mussolini po përgatitet të nisë fushatën raciste kundër çifutëve e ç’i shkruan Ciano?: Në drekën e shtruar për martesën e Zogut, një kushërirë e mbretëreshës tha që në Shqipëri do të ishte më mirë të kishin çifutët sesa italianët.
Ciano e di që Duçe nxehet keq për ato çka gazetat e huaja shkruajnë për fashizmin dhe pa asnjë hezitim i tregon një lajm që padyshim Mussolini kishte lexuar, me një fjalë që Paris-soir kishte shkruar që Zogu po shfrytëzonte Italinë, por që në çastin më të parë do të kërkonte një tjetër fuqi mbrojtëse. E shkon edhe më tej:
Nuk leverdis të harrohet që hungarezët janë shpesh pararoja e gjermanizmit dhe që Reich-u po tregon interes për Shqipërinë. Ministri gjerman kryen veprimtari, tani për tani, jo fitimprurëse, por megjithatë të palodhshme. Hitleri i ofroi Mbretit Zog dhuratën më të bukur për martesë. As nuk duhet harruar ajo çka ishte, përpara luftës, pozita e Austrisë në botën shqiptare.
Një afirmim i Italisë, mundësisht i karakterit përfundimtar e gjithpërmbledhës, do të vlente si kundërpeshë përballë botës ballkanike të rritjes së pamohueshme të peshës së fituar atje nga Riech-u pas realizimit të Anschluss-it.
Prestigji ynë dhe interesat tona, të sotmet dhe të ardhmet, nuk mund të tolerojnë ndërhyrjet e të huajve dhe as nuk do të ishte e udhës të pritet që kërcënimi që tani sapo krijohet të marrë formë të qartë.
Pas këtij parashtrimi gjithnjë në rritje, Ciano i pret rrugën çdo mëdyshjeje: interesi italian “duhet të gjejë në çastin e duhur përmbushjen e tij përmes aneksimit të Shqipërisë me Italinë”.
Menjëherë më pas kalon te projektet e realizimit të aneksimit duke shqyrtuar tre mundësi:
1. bashkimin gjithnjë e më të ngushtë të Shqipërisë me Italinë përmes lidhjeve ekonomike që kanë si përfundim “kushtëzimin edhe në sektorin politik”
2. ndarjen në marrëveshje me Jugosllavinë e ndoshta edhe me Greqinë
3. aneksimin përmes një bashkimi personal.
Alternativa e parë, që ishte dhe ajo e përdorura deri atëherë, quhet “e shkëlqyer por jo përfundimtare”, shkon përshtat deri “në çastin e zgjidhjes rrënjësore të problemit”, me një fjalë “ndërhyrjes përfundimtare”. Zgjidhja e dytë e tërheq shumë, sepse mendon se mund të kënaqë me pak Greqinë e Jugosllavinë dhe sepse i pëlqen edhe më shumë ideja e zgjidhjes së kësaj çështjeje me provë të forcës ushtarake. Të kemi parasysh që jemi në kohën e luftës së Spanjës dhe që tashmë për Cianon bombardimet, betejat, kërditë janë në rend të ditës; për më tepër kjo është periudha kur nëndetëset italiane po fundosin – pa u hyrë gjemb në këmbë – anije të gjysmës së Europës. Prandaj, nëse shqiptarët do të kundërshtonin shpartallimin e shtetit të tyre, asnjë problem:
Ekzistenca e nëntë fushave të aviacionit në të katër anët e Shqipërisë mundësojnë sjelljen e menjëhershme të reparteve të armatosura me armë automatike, nga të cilat shqiptarët thuajse nuk kanë fare, në pikat më të thella e më jetike të vendit. Nëse ndonjë bërthamë rezistence do të organizohet, do të jetë e lehtë të arrihet dhe të shpërndahet.
Nuk besoj as që ndonjë e shtënë mitralozi të humbur në grykët e Mirditës apo të Matit do t’ia vlejë për të prekur shpirtërisht botën që nuk u tund as nga shpërthimi i silurëve mes Maltës dhe Tunizisë. Marrëveshja apo më mirë bashkëpunimi i Jugosllavisë, është kusht i nevojshëm dhe i domosdoshëm.
Por, zgjidhja që Ciano ka më shumë për zemër është absolutisht e treta, më e errëta si ekzekutim dhe ajo që, pak a shumë, do të zbatohet:
“… duhet shfrytëzuar si element bazë përçarja mes oborrit mbretëror dhe popullit, duhen ushqyer me mjetet e përshtatshme dhe përforcuar – gjë aspak e vështirë – kontrastet që duken tashmë në vetë gjirin e familjes mbretërore. Në çastin e duhur duhet mundësuar shpërthimi i krizës me lëvizje popullore në shesh. Nga partia pro-italiane, që tashmë ekziston dhe që ndërkohë duhet të fuqizohet, duhet të bëjmë të mundur që të na vijë një kërkesë (që do ta pranojmë) për të ndërhyrë për rikthimin e rendit publik. E më pas t’i shtyjmë të na ofrojnë formalisht Kurorën e Shqipërisë, ta pranojmë dhe të sanksionojmë gjithë historinë përmes një plebishiti apo diçkaje tjetër të ngjashme. Një procedurë e ngjashme me Anschluss-in”.
Më pas kalon në detaje; të nxirret Shqipëria nga Shoqëria e Kombeve, të mos përforcohet më tej ushtria shqiptare, të shtohen investimet italiane, të sigurohet mbështetja e klasave më të larta me një punë “nxitjesh për interesime të përbashkëta, premtimesh dhe korrupsioni”; ndërsa për popullin sugjeron sistemin tradicional “panem et circenses”: hedh deri edhe idenë e futjes së “skuadrës jo edhe aq të dobët ” të Tiranës në një kategori çfarëdo të kampionatit italian të futbollit, sepse do të fillohet “të duket Shqipëria si pjesë e sistemit kombëtar”.