Page 1 of 1

Dokumente

Posted: Thu Jan 17, 2013 10:35 pm
by rrëqebull
1944: Shkrime nga ATSH / Qëndrimi shtetëror për gjendjen
Dokument

Ora e Intelligjencës*

Ndërsà lufta qytetare, ndër rrethana gjithënji të ndryshueshme, korr, majtas e djathtas, viktima mbi viktima; ndërsà digjen katunde e shkretohen qytete; ndërsà trupi i Kombit rrjedhë gjak, Inteligjenca, shpirti drejtues i lëvizjes së çdo populli, ndër né asht rrokullisun në nji krizë të thellë mendore dhe shpirtërore. Kjo krizë, tue depërtue në jetën e Kombit, krijon vetvetiu, nji shfaqje krejt negative: kaos mendimesh dhe qellimesh: kaos parimesh dhe drejtimesh; kaos ndiesinash dhe veprimesh.

Populli Shqiptàr âsht gjind, shpesh herë, gjatë së shkuames së tij, para vështirsinash të rânda: ka qenë i ngujuem në nji rreth të hekurt anmiqsh të përbetuem për t’a shfaruem: kà qenë i përpimë nga përshtjellime të mbrendëshme jo mâ pak rànda: âsht gjet para ndeshjesh të rrezikshme. Me gjithë këté, aj kà dijtë, aj kà mund me nxjerrë, prej gjinit të tij, burrat që e kanë pri n’udhë të shpëtimit: kà shpërthye çdo rreth të krijuem kundra tij: kà kapërcye, me urti e me vendimtari, turbullime të mbrendëshme dhe rreziqe të jashtëme; kà zbërthye, kur e kà lyp e mira dhe e mbara e Vendit, çdo grindje të damshme, me ânë të përdorimit të forcës: me fuqi të shpatës.

Fisi i jonë, kurdo që âsht gjind para kryqëzimit t’udhve, kà dijtë, me urti kreshnike dhe me parandiesi të pàgabueshme, mâ tepër se nga shkaku i njij parashkimi të studjuem thellë dhe të logaritun nga çdo pikëmaje, me caktue burrnisht drejtimin e vet.

Edhe sod, sod që âsht në lojë vetë jeta e Fisit, aj e kà caktue, me vetvetishmeninë e tij tradisjonare, gjithënji të pàgabueshme udhën që do të ndjekë, atë që do t’i lejojë të qindrojë, me krenari luftarake, kundra rrymës së të këqijave, i mbështetun në vullnetin e ringjalljes dhe rimëkambjes, mbrenda rrethit të gjanë të tanësisë së tij ethnike, për të dërmue dhe të bâ hi e pluhun çdo përpjekje të huej që të synojë rishtas robnimin ase zotnimin e tij.

Kush len me dëshirue sod, në caktimin e qindrimit përballë rrymës shkatërrimtare të mbrendëshme dhe rreziqevet të paralajmërueme së jashtëmi, nuk âsht populli; aj e kà marrë, burrnisht, trimnisht, shqiptarisht vendimin e vet përfundimtar. Ajo që i kà mungue, ajo që po i ikë, me vetëdije ase pàvetëdije, detyrës së epërt t’orës, asht nji pjesë e Intiligjencës s’onë. Ajo, në prakun e vendimeve të mëdhaja, t’atyne që do t’a dajnë fatin e popujve për shekuj, ndoshta edhe për mija vjetsh, âsht kapërdimë në detin e pàfund të valve ideologjike, prapa të cilave mëshihet, vargu i të këqijavet t’ona: dredhina, mashtrime, kurthe. Synimi i mbrâmë i të tana këtyne të zezave âsht përqendruem në nji cak të pàndryshueshëm: robnimi i Shqipnisë, shfarimi i Fisit Shqiptàr.

Ngjarjet, se e cila mâ e kuptishme se tjetra, kanë folun qartas ndër këto dit. Detyra e jonë, kundrejt tyne, âsht kategorike: të nxjerrim, prej pësimeve, mësime.

Këto mësime, për këdo që i kà mend në krye, tingëllojnë ftillueshëm: Sllavët, të çdo rryme qofshin, nuk kanë hekë dorë nga megalomanija e tyne, tashmâ tradisjonare, për të shtrue dhe nënshtrue, me dhunë e me dredhi, vende dhe popuj, për t’i zotnue e mbizotnue, nën shkelmin mizuer të forcës brutale, n’emën të njij ideologjije që s’âsht tjetër veç nji kurth djalluer për naivët për të sëmuemit nga romanticizma e utopive dhe e kimerave.

Fati i Vendit t’onë, për sllavët, anmiq tradisjonarë të përbetuem të Fisit, âsht lehtësisht i parapashëm: do të përbâjë viktimën e parë mbi të cilën shfryhej lirisht ahmârrja barbare e njij mënije racjale mija vjetësh, që do të gjente mbarimin krejt Fisi jonë.

Mbi kët shkatërrim, Perandorija e shumëngjyrëshme panslave, e ndërlikueme me të gjitha vjetërsinat ideologjike marksiste, hebraike nikiliste e sllaviste, do të vazhdojë t’endë mbikëqyrjen e vet gjakftoftë të pabesnisë!

Para këtij hovi të njij tiranije që s’e kà njoftë historija, rreziku që na kërcënohet nuk âsht as i lehtë as i kalueshëm: âsht në lojë jo nji cep ase nji tjetër i vendit, por krejt totaliteti i Fisit: na kërcnon shfarimi tansuer!

Nuk âsht, prà koha me luejtë, as m’u vdjerë mbas theorinash dhe ideologjinash, që nuk shërbejnë veçse si opjum për të dejun ata që duhet të rrijnë zgjuet me pushkë për faqem gati me përballuer çdo të pàpritun tinzare!

Populli, shumica e tij dërmuese, âsht gati për çdo provë: në shpirtë të tij vlon nji vullnet heroik që s’kà shoq: don të shkrihet në mprojë të tanësisë së përtrime. Don të ruejë dhe të mprojë vertytet, traditat, zakonet, doket, aspiratat dhe idealet e trashëgueme, emanet prej të Parve: don të rrojë dhe të jetojë shqiptarisht.

Inteligjenca, ajo pjesë e vdjerun e Inteligjencës, duhet të trajtojë vetëdijen e çasteve që po jeton fisi. Duhet t’i mbledhë mend. Koha nuk pret: çdo çast i bjerrun mund të mos këthejë mâ. Duhet të mârrë, sà mâ parë, vendimin e saj: për të qenë pranë popullit, me popullin, në popull, për shpëtimin e Fisit, për rindërtimin e Tanësisë s’onë ethnike, për rimëkâmbjen e bashkimit të plotë të Kombit, mentarisht dhe shpirtënisht.

Kush refuzon t’i gjegjet thirrjes së epërt të zânit t’Atdheut, kush vonohet ndër qindrime të pàpajtueshme me hullinë e përcaktueme prej Fisit, do t’a marë nâmën e natyrshme:
Tradhtàr i Shqipnisë!

Mazar Sopoti.




Burimi:AQSH F198 V1944
_______________
Botuar në fletoren “Bashkimi i Kombit”, transmetuar nga Radio Tiranë në një emison të posaçëm për Radio Kosova, 02.VIII.1944.

https://vargmal.org/dan7486
DBV13011 Lënda e paraqitur më sipër LEJOHET të përdoret për arsye jotregtare me kusht që të përmendet nyja e faqes ku ndodhet (ose vetëm vargmal.org). Lënda NUK LEJOHET të përdoret për arsye tregtare pa leje paraprake me shkrim nga Mbarëvajtja.

Re: Dokumente

Posted: Mon Jan 21, 2013 8:15 pm
by rrëqebull
Dokument

A.T.SH.
DY FAKTE – DY PROVA



Pardje Moska lajmëroj formimin e një Nacjonal-Çlirimtar polonez, me qendër në Moskë, i përbërë prej polakësh të sigurtë për ndjenjat e tyre bolshevike dhe filloruse, i cili, sipas Moskës, duhet njohur si një Qeveri e përkohëshme poloneze, me që Qeverija e mërguar poloneze me qëndrim në Londër, nuk përfaqëson popullin polonez, kurse komiteti i formuar në Moskë, përfaqësoka dëshirat e atij populli.

Në vijim të këtij lajmi, Ministri i P. të Jashtëme i Britanjës së Madhe zoti Eden, deklaroi solemnisht në Odën e Komunëve se, e vetmja qeveri poloneze që mund të njihet prej aleatëve, asht ajo e mërguar në Londër.

Të nesërmen e këtyre deklaratave dhe si përgjigje, Moska lajmëroi zyrtarisht se, midis Qeverisë Sovjetike dhe Komitetit Nacjonal-Çlirimtar polonez, u-nënëshkrua një marëveshje mbi administrimin e tokave poloneze, i cili i lihet Komitetit në fjalë. Me fjalë të tjera, Moska e njojti solemnisht Komitetin e formuar prej saj si Qeveri Poloneze dhe këtë gjë, kundra dëshirës së shprehur po solemnisht prej Qeverisë Britanike.

Ky asht nji fakt.

Dje, zoti Eden, po në Odën e Komuneve përcaktoi qëndrimin e Qeverisë Britanike, kundrejt Nacjonal-Çlirimtares greke (E. A. M.), të cilën e dënoi në mënyrë kategorike, duke theksuar se populli grek në shumicën e tij dërmuese është me Qeverinë e Kajros dhe kundra A. E. M.-it dhe shtoi se Qeverija Britanike do ta përkrahë z. Papandreu, i cili me qeverin e tij përfaqëson nacjonalizmën greke, për të zbatuar marëveshjen e Libanit. Zbatimi i marëveshjes së Libanit, do të thotë pa tjetrë përjashtimi absolut i vendosjes në Greqi i Diktaturës Komuniste.

Dihet se Nacjonal-Çlirimtarët e të gjithë botës, janë organe të verbëra të Moskës dhe veprojnë vetëm pas urdhërave të Kremlinit.

Pra kemi edhe këtu një fakt. Brënda 48 orësh kemi dy fakte, dy prova konkrete, se Moska dhe Londra nuk janë aspakë në një mëndje për sa i përket së ardhmes së Evropës. E para kërkon bolshevizmin e saj me anë të Diktaturës dhe të terrorit të kuq, e dyta e kundërshton këtë gjë me të gjitha fuqit e saj sepse i rezikohen interesat e saj perandorake.

Por është një fakt se, Moska me anën e bolshevizmit t’Europës nuk synon në një ndryshim shoqëror për të mirën e popujve. Ajo nënë këtë pretekst kërkon të realizojë më së fundi ëndërën shekullore panslave, gjë që duhet ta kundërshtojnë me të gjitha fuqit e tyre kombet e Europës, jo slave, dhe sidomos kombi shqiptar, sepse vetëm kështu mund të përjashtojnë rrezikun e çdukjes së tyre.

Këtë të vërtetë Komitetet shqiptare nuk e kanë kuptuar ende dhe po vazhdojnë në rrugën e tyre, që shpie sigurisht në çfarosjen e racës s’onë.

Botuar si notë politike me titullin “Dy fakte – Dy prova” në të përditëshmen “Bashkimi i Kombit” datë 30.VII.1944

https://vargmal.org/dan7486
DBV13018 Lënda e paraqitur më sipër LEJOHET të përdoret për arsye jotregtare me kusht që të përmendet nyja e faqes ku ndodhet (ose vetëm vargmal.org). Lënda NUK LEJOHET të përdoret për arsye tregtare pa leje paraprake me shkrim nga Mbarëvajtja.

Re: Dokumente

Posted: Mon Jan 21, 2013 8:22 pm
by rrëqebull

1919: Program i përgjithshëm i veprimtarisë në kryengritje (H3)
Dokument
Botohet për herë të parë


Kosovë më vitin 1919

Program i përgjithshëm i veprimtarisë në kryengritje

1. Çeta dhe komitat shqiptar nuk do t’i napi shkak asnji lufte për veç me serbo-malazezët që nxjerrin pengesa për çeshtjen e Shqipnis.

2. Çeta shqiptare nuk ka kompetencë me djegë shtëpitë, kisha dhe të tjera ndërtesa.

3. Plaçka asht e ndalueme kryekput për komitat shqiptarë.

4. Çetat ose komitat shqiptarë janë të ndalueme me mbajtë qëndrim të keq kundra të vrarëvet dhe të plagosunvet anmiqë dhe janë të urdhëruara që të sillen mirë me robërit e luftës.

5. Në qoftë se dhe anmiku mban po atë qëndrim që numurohen në pikat 1,2,3 dhe 4 kundrejt shqiptarvet, për veç ushtrisë, gjindarmarisë s’anmikut, popullsija civile në asnji mënyrë nuk do të preket.

6. Ky shqiptar që do të përdorij armët kundra qëllimit të popullsis shqiptare, cilido-kjoft, do të vritet ose do të varet pa gjyq. Gjithashtu ata shqiptarë që do t’i sjellin pengesa çetave dhe komitave shqiptarë, por pa përdorë armët, nxirren para gjyqit.

7. Hakmarrje kundrejt gjaqeve në popullsinë shqiptare, asht krejtësisht e ndalueme për t’u ndjekun nga ana e komitave dhe çetave shqiptare, këto do mbesin për t’u ndjekur nga ana e trupit të drejtësisë shqiptare 3 muej mbasi të jetë çlirue Atdheu nga serbo-malazezët.

8. Malli dhe gjaja e popullit nuk do të cenohet por do të ruhet.

9. Çeta dhe komita shqiptare tue mos humbun kohën nëpër qytete ose katunde, duhet të ndjekin anmikun kamba-kambës.

10. Atje ku nuk asht nevoja nuk do të derdhet gjaku kot (çdo urdhën që jepet nga udhëheqja, duhet të respektohet) as shqiptarët e as serbët. Vetëm n’ato vende që e lypë nevoja të mos kursehet asji komit shqiptar.

11. Evropjanët dhe shtëpitë e trupit diplomatik e konsullor të sigurohen nga ana e çetave shqiptare (me anë komitash ma besnik)

12. Shqiptarët që do të vriten nga Qeverija Serbe, dhe damet që do të shkaktohen nga ajo Qeveri nuk do të mbulohen; dhe trupat e të vrarvet shqiptarë nuk do të varrosen për pa ardhë Komisioni Hetimor Europjan.

13. Spitalet e anmikut dhe kryqi i kuq të mbahen nën mbrojtje.

14. Të ruhet nderi i grave dhe i vajzave serbe njisoj si i shqiptareve.

15. Në qoftë se vijnë Ushtri Europjane, asnji komit nuk do të bisedojë me ata për veç “udhëheqësve e parsis” ose të deleguemve të tyne.

16. Çdo komitë shqiptar në çetën shqiptare mund t’u flasë ushtarve europjan mbi damet që ka ba serbi, vetëm nuk do të bisedohet asnji fjalë në lidhje për çështje politike...

17. Segjet (nëpër karakollet) shqiptare me të takuem do ti mbyllin sytë Komisionit që dërgohet për bisedim nga ana e Qeverisë Serbe. Kjo punë të bahet edhe sikur komisioni të përbahet nga shqiptarët.

18. Pikat që rreshtuem ma sipër duhet të zbatohen pikrisht pikrisht nga çetat dhe komitat shqiptarë. Në qoftë se ndodh ndonji komit që vepron kundra, të varet në çast nga udhëheqja (nga parija).

Ky program i çetave shqiptare të Rrethit Plavë me Gusi, i hartuem nga Parsija e vendit, kje aprovue edhe nga vet Kryesija e Komitetit kombtar për mbrojtjen e Kosovës.

https://vargmal.org/dan7200
DBV12054 Lënda e paraqitur më sipër LEJOHET të përdoret për arsye jotregtare me kusht që të përmendet nyja e faqes ku ndodhet (ose vetëm vargmal.org). Lënda NUK LEJOHET të përdoret për arsye tregtare pa leje paraprake me shkrim nga Mbarëvajtja.