Page 1 of 1

Formula e Evropës: Çdo gjë përveç Shqipërisë

Posted: Fri Oct 16, 2009 5:56 pm
by Sally
Formula e Evropës: Çdo gjë përveç Shqipërisë


Ku ka shqiptarë Evropa shef ”vakum”, kështu më mirë i bie të shpif kombe tragjikomike, se sa tu lejojë shqiptarëve drejtësi njëherë së paku gjatë historisë.
E këtu fillon faji i shqiptarëve që kërkojnë drejtësi (e jo luftë) me ata që kanë bërë padrejtësi historike ndaj tyre.
Drejtësi nuk kërkohet nga okupatori!
Kjo do të duhej të ishte prova e historisë shqiptare.
Në rrethana tjera, pak më normale, do të ishte logjike t’i mbroje bullgarët e FYROM-it nga Serbia.
Por atyre nuk u pengon që Serbia i shndërroi në “serbë”.
Po si e arriti Serbia këtë?!
Prej vitit 1912 deri në vitin 1945 shqiptarëve e bullgarëve u ndodhi Serbia si një fatkeqësi historike, ndodhën dy luftëra botërore për të ndërtuar Serbinë e Madhe në Ballkan. Dallimi midis shqiptarëve dhe bullgarëve që jetonin në të ashtuquajturën e mëvonshme Maqedoni, është dallim esencial: Bullgaria ishte fillimisht aleate e Greqisë dhe Serbisë, derisa Shqipëria nuk ishte aleate e tyre. Shqiptarët i dinin interesat e veta dhe qëllimet e Serbisë dhe Greqisë, derisa bullgarët nuk i dinin qëllimet e Serbisë në Maqedoni. Bullgarët atëherë, sikur bullgarët e FYROM-it sot, kishin harruar se serbët bëjnë propagandë kryesisht për vendimmarrësit e fuqive të mëdha të Evropës perëndimore. Nuk e di a është tragjike, ironike apo thjesht vetëm qesharake, kur njerëzit sinqerisht u besojnë rrenave të propagandës që e kanë çpikur vetë, e këta rrenacakë, siç e pranon vet akademiku i tyre (Qosiqi), janë serbët vet. Duke e gënjyer Evropën, e kanë indoktrinuar popullin e tyre, dhe kështu është krijuar filozofia ekspansioniste sllave si bazament i politikës së tyre ”moderne”. Nëse bullgarët e FYROM-it edhe sot vazhdojnë ta rrahin tupanin e krishterimit, kjo do të jetë vetësakrificë e tyre për ndaj identitetit mezi të trilluar. Krishterimi nuk do t’ju dalë në ndihmë, ashtu si nuk u doli as në vitin 1912. Greqia dhe Serbia mbaruan punë me “myslimanët” dhe harruan se ishin duke luftuar në emër të krishterimit kur ia kthyen shpinën Bullgarisë. Pasojat i dimë të gjithë. Bullgarët e Greqisë (si çdo minoritet tjetër në Greqi - i krishterë, mysliman a i pafe) u shtypën dhe u heshtën u asimiluan në të krishterë grekë (orthodoksë). Derisa Serbia (dhe më vonë Jugosllavia) e shndërruan FYROM-in në një fabrikë të tragjedive për shqiptarët, (shpërnguljet, shtypja ekonomike dhe policore, dearsimimi, shndërrimi në qytetar të dorës së dytë, etj.etj.etj.) kështu Maqedonia u bë eksperimentariumi më spektakular në historinë e Evropës. Serbia shpifte identitete në FYROM (sidomos atë “musliman” për t’i ta tjetërsuar identitetin kombëtar shqiptar, për t’i diverzuar shqiptarët e atjeshëm nga pjesa e tjetër e kombit në Shqipëri. Po kështu Serbia veproi edhe me bullgarët. Por bullgarët u asimiluan, e shqiptarët - jo!

Derisa shqiptarët e FYROM-it në disa aspekte dallojnë nga shqiptarët tjerë, sidomos nga feja, ata megjithatë ndihen shqiptarë. Qëllimi për ta forcuar islamin në mes të shqiptarëve të FYROM-it, kishte qëlllim që identitetin fetarë ta krijonin si ”identitet parësor” në përpjekje për ta “zëvendësuar” me identitetin shqiptar. Në teori, një gjë e tillë është logjike, nëse dikush është shumë fetar, ai do të identifikohet me ata që e ndan fenë dhe jo gjuhën, traditën dhe historinë. Me fjalë tjera për një mysliman fetar shqipfolës, më i afërt është një somalez sesa një shqiptar i krishterë. Por ajo që ishte ”logjike” në teori, rezultoi në paradoks në realitetin e FYROM-it. Shqiptarët atje e ”trashën pak fenë” por mbetën megjithatë shqiptarë, madje shqiptarë patriotë, atdhetarë. Ndërsa bullgarët e FYROM-it u shndërruan në identitet të ri, (dhe turpin e Bullgarisë) duke u indoktrinua si maqedonas edhe “antik” edhe sllavë në të njëjtën kohë! Tek e fundit këtu nuk është relevant ”procesi” ose çfarë ndodhi në ”mendjen kolektive” të bullgarëve të FYROM-it, por ndodhi që shqiptarët të shtypen nga një popull i shpifur, nga një ”populli” që nuk është komb, që nuk e dinë as vetë çka janë. E natyrisht metoda më e mirë për të forcuar (e në këtë rast për ta krijuar) një identitet është ta gjesh ndonjë ”viktimë” (që nuk është në pozitë të të kërcënojë) që e shpall armik, dhe armiqve të vërtetë ju hyn në hak duke ju treguar se kanë armiq të përbashkët. Të gjithë e dimë çfarë ndodhë me shpirtin e robit kur ia jep një kamxhik në dorë. Robi për dallim prej ”zotëriut” (që ka përvojë në përdorimin e kamxhikut), as nuk ka mëshirë e as ndonjë sens të sofistikuar të masës. Robi fishkëllinë kamxhikun deri sa nuk mundet më. Kur robi furnizohet edhe me shtypshkronjë, e institucione shtetërore, robit i shkon mendja se është bërë zotëri, por robërit e këtij rasti konkret e kanë zgjedhë ”viktimën” e gabuar.

Shqiptarët nuk janë aq të dobët sa mendojnë bullgarët e FYROM-it, dhe në fakt ua sigurojnë ekzistencën këtyre bullgarëve. Shqiptarët janë populli më pragmatik i Ballkanit, dhe nuk lodhën fort si duan bullgarët e FYROM-it ta quajnë vetën, por natyrisht jo në kurriz të shqiptarëve. Dhe nëse shkojmë në bërthamë të çështjes, bullgarët e FYROM-it nuk janë fajtorë. Fajtorë janë shqiptarët dhe Evropa, në mënyra shumë të ndryshme. ”Faji” i Evropës në këtë rast është që refuzon të devijojë prej politikës së saj ”çdo gjë përveç Shqipërisë”. Forcimi artificial i Serbisë dhe Greqisë për t’i kontrolluar popujt tjerë në Ballkan, dështoi pas një shekulli të tëre, dhe aty ku duhej të udhëhiqnin popujt “e zgjedhur” të Evropës, është krijuar ”vakum i forcës”.



Shkruan: Blerta Dervishi

Re: Formula e Evropës: Çdo gjë përveç Shqipërisë

Posted: Fri Oct 16, 2009 6:02 pm
by Sally
Blerta Dervishi:Përsëritja e gabimeve historike




Kur lexon libra të shkruar prej të huajve për historinë e Ballkanit ose të Shqipërisë, pothuajse gjithmonë potencohet se shqiptarët, për dallim nga ”popujt liridashës” të Ballkanit, nuk donin pavarësi, por autonomi brenda Perandorisë Osmane. Rrallë herë përmendet fakti se ishin pikërisht shqiptarët ata që së fundi e shembën këtë perandori. Historianët jotendenciozë bëjnë dallime mes ”fjalëve” dhe veprave, të cilat jo gjithmonë përputhen. Historianët e mirëfilltë, ata që marrin vesh nga politika, bëjnë analiza dhe japin shpjegime lidhur me kontekstet dhe qëllimet politike reale të ”formulimeve” diplomatike.

Por historianët ballkanikë, turq e evropianë bëjnë qëllimisht të paditurin dhe theksojnë ”dëshirën” e shqiptarëve për të mos qenë të pavarur, që do të thotë për të mbetur nën Perandorinë Osmane. Historianëve turq u shkon për shtat një interpretim i tillë, sepse në këtë mënyrë përforcojnë mitin se Evropa shkatërroi Perandorinë Osmane, një perandori kjo e pëlqyer prej banorëve të saj lojalë. Për historianët ballkanikë një interpretim i tillë është i preferuar, sepse mbështet politikat ekspansive të vendeve të tyre. ”Logjika” është si në vijim: shqiptarët nuk donin (dhe nuk mundnin) të bënin shtet, prandaj popujt e ”qëndrueshëm” të Ballkanit mund t’u ofronin kushte të njëjta si në Perandorinë Osmane. Kjo ”logjikë” niset nga fakti se për robin nuk ka rëndësi se kush e mban nën thundër. Shqiptarëve që kishin lidhje ”shpirtërore” me turqit iu dha mundësia për t’u shpërngulur ”vullnetarisht” për në Turqi. Historianët evropianë ndahen zakonisht mes interpretimeve turke dhe serbo-greke, varësisht se në cilën anë janë.


Në pamundësi për të shtruar këtu tërësisht çështjen e politikës shqiptare në kohën e rrëzimit të Perandorisë Osmane, do të mjaftohemi duke përmendur dy arsyet kryesore që fshiheshin pas deklaratave publike të palës shqiptare. Arsyeja e parë ishte se shqiptarët më shumë i trembeshin Rusisë (Serbisë e Greqisë) sesa Perandorisë Osmane. Realisht, zgjedhja nuk bëhej mes pavarësisë dhe Perandorisë Osmane, por mes kësaj të fundit dhe zhdukjes ose shkapërderdhjes në duart e Serbisë dhe të aleateve të saj të fuqishme. Arsyeja e dytë ishte kjo: Austria, si fuqia e vetme që asokohe rreshtohej përkrah shqiptarëve nuk ishte e interesuar për shkatërrimin e Perandorisë Osmane. Me fjalë të tjera, shqiptarët as kishin mundësi dhe as përkrahje për pavarësi reale. Në shumë aspekte shqiptarët kalojnë një situatë të ngjashme edhe sot, veçse me aktorë të tjerë. Rolin e dikurshëm të Perandorisë Osmane e bën sot BE-ja, domethënë okupatori të cilin e ”durojmë” nën trysninë e shantazheve dhe kërcënimeve që vazhdimisht na përkujtojnë se alternativat e refuzimit janë shumë më mizore, derisa okupatorët e tjerë mund të jenë më të ashpër. Rolin e Austrisë e ka marrë sot Amerika, gjithmonë e kam fjalën në relacion me shqiptarët.


Njohësit e historisë e dinë se si përfunduan lojërat osmane me shqiptarët. Osmanët refuzuan kërkesën e shqiptarëve për një autonomi brenda perandorisë. Shqiptarët u ngopën dikur dhe bënë edhe një kryengritje (më 1912) që përfundoi me disfatën e osmanëve. Aleanca ballkanike (Serbia, Mali i Zi, Bullgaria e Greqia) i shpallën luftë Perandorisë Osmane, luftë që në fakt ishte e drejtuar kundër shqiptarëve, e më vonë edhe kundër Bullgarisë. Por ngjashmëria më trishtuese mes situatës së atëhershme dhe të tashme është retorika e politikës shqiptare. Deklaratat “diplomatike” dhe ”strategjike” më shumë se të ndryshojnë situatën reale, ato vetëm e shtyjnë ”zgjidhjen” e problemeve. Më e keqja e të gjithave është se kjo retorikë ”strategjike” mund të përdoret kundër shqiptarëve edhe pas një shekulli. Mund të thonë, për shembull, se “shqiptarët e Kosovës nuk donin pavarësi, por vetëm kërkonin dikush t’i mbrojë nga Serbia”. Pas një shekulli historianët do të harrojnë të lexojnë planin e Ahtisaarit ku në fakt flitet kryesisht për mbrojtjen e serbëve nga shqiptarët. Kjo do të ndodhë natyrisht nëse edhe kësaj radhe pësojmë disfatë dhe shkrimi i historisë mbetet në duart e të tjerëve.


Politika shqiptare duhet të punojë për legjitimimin e interesave shqiptare dhe realizimin e këtyre interesave, sado që një gjë e tillë duket e pamundur. Herët a vonë status quo-ja do të zhbëhet dhe nuk duhet harruar disa dallime shumë thelbësore mes situatës së para një shekulli dhe të asaj sot. Austria nuk ishte fuqia më e madhe e botës, Perandoria Osmane nuk ishte bashkim shtetesh demokratike, Serbia dhe Greqia nuk e kanë Britaninë në anën e tyre, dhe madje sikur ta kishin, as ajo, as Franca dhe as Rusia nuk janë çfarë kanë qenë para një shekulli. Balanca mes fuqive ka ndryshuar.