Se mos vetem Tirana eshte turpi Europes

shikoni kete 8-1
Flamurtari turperohet 8-1
Udhëtuan drejt Skocisë me ëndrrën për t‘u kualifikuar në turin e tretë të Europa League, megjithatë kthehen në shtëpi të turpëruar. Ky është epilogu i aventurës së Flamurtarit në kupat e Europës, ku u kthyen pas 13 vjetësh mungesë. Kuqezinjtë humbën me rezultatin tenistik 8-1 në ndeshjen e kthimit me Madhëruell, duke mos shfaqur në fushën e lojës asnjë nga elementet e sfidës së parë, të fituar 1-0 në Vlorë. Kjo është edhe humbja me e thellë që një skuadër shqiptare pëson në takimet ndërkombëtare: më parë, paraqitjen më të dobët e kishte regjistruar Vllaznia, që më 8 korrik 2007, u mposht 6:0 në fushën e turqve të Trabzonspor, në turin e dytë të Kupës Intertoto.
Ashtu si kishte premtuar, tekniku Memushi hodhi në fushë një skuadër që nuk mendonte vetëm të mbronte avantazhin minimal të 90 minutave të para. Lëvizje e guximshme, por që në fund nuk rezultoi zgjedhje e goditur. Flamurtari e filloi ndeshjen menjëherë në sulm, duke dhënë sinjalin e parë të rrezikshëm në portën kundërshtare me Ngjelën, që nuk shënjestron si duhet. Minutat e para janë mjaft të vrullshme, me tentativa nga të dyja krahët. Madhëruell kërkon të shënojë në portën e Moçkës me Mërfin, ndërsa vlonjatët kundërpërgjigjen me Memën. Më pas regjistrohen edhe tentativat e Rejnolds e Hamfreit për vendasit dhe gjuajtja e Begajt. Gjithsesi, rezistenca e vlonjatëve zgjati vetëm 16 minuta: Mërfi përfiton nga rreshtimi i gabuar i mbrojtjes dhe zhbllokon rezultatin. Flamurtari vuan goditjen dhe dorëzohet sërish pas 180 sekondave, ku firmën e golit e mban sërish sulmuesi i U-21 të Skocisë. Kaq ka mjaftuar që fortesa e kuqezinjve të binte. Pas dy golave të shpejtë, ka filluar edhe “breshëria” e lojtarëve të Madhëruellit, të cilët u treguan të pamëshirshëm përpara Shpëtim Moçkës. “Gardiani” është detyruar ta nxjerrë edhe katër herë të tjera topin nga rrjeta në 45 minutat e para, ndërsa ndeshja u mbyll virtualisht. Slein, Forbs (me 11-metërsh), Mërfi dhe Hatçinson ishin autorët e golave.
Me gjithë avantazhin e thellë, skocezët nuk e kanë ulur ritmin as në fraksionin e dytë të lojës. Kur kronometri tregonte 50 minuta lojë, ata shënuan edhe golin e shtatë me Forbs. Në të 65-ën ka ardhur edhe “goli i nderit” (nëse në këtë sfidë mund të quhet i tillë), i realizuar nga Odise Roshi. Talenti fierak, i hedhur në fushë si zëvendësues i Beqirit në të 38-ën u konfirmua si lojtari i vetëm që mund të krijonte rrezik për mbrojtjen e Madhëruellit. Rezultati final i ndeshjes 8-1, u vulos në të 72-ën nga MekHug, i cili ishte aktivizuar në lojë vetëm 5 minuta më parë. Këtu përfundon edhe aventura e Flamurtarit, që për një moment besoi vërtet se do të kualifikohej në turin e tretë të Ligës Europiane, ku do të ndeshej me rumunët e Steauas.