Shqipja ekonomike e juridike
Posted: Thu Aug 06, 2009 12:41 am
DRITAN HALILI
Është për të ardhur keq që edhe studim-kërkimet akademike në fushën e leksikologjisë, janë mjaft të pakta. Madje, edhe Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (botimi i parë në vitin 1981), i cili do të duhet të ishte "udhërrëfyesi" gjuhësor për çdo shqiptar, ka mbetur, mjerisht, pothuajse në stadin e vitit të botimit të tij.
Gjuha teknike në përgjithësi e ajo ekonomiko-juridike në veçanti, është produkt i vetë zhvillimeve ekonomiko-shoqërore, nëpër të cilat ka kaluar shoqëria shqiptare me të mirat dhe të metat e saj.
Ajo lindi si nevojë e kohës për t'iu përgjigjur kërkesave, kryesisht të specialistëve për të komunikuar në një gjuhë teknike të përbashkët, për të përkthyer nga gjuhët e huaja dhe në gjuhë të huaja termat bashkëkohore, pra për të ecur me hapin e zhvillimeve të kohës.
Zhvillimi historik
Bazat e gjuhësisë teknike moderne u hodhën me konsolidimin e shtetit të parë shqiptar në vitet '20 të shekullit të kaluar. Edhe pse gjuha shqipe asokohe qe ende e panjësuar, ngritja e një sistemi modern ekonomiko-juridik kërkonte pranimin, përshtatjen dhe shqipërimin e ligjeve dhe termave të Evropës Perëndimore.
Në këtë kontekst vlejnë për t'u përmendur fuqizimi i një sërë ligjeve bazë, si p.sh. Kodi Civil, Kodi Tregtar etj. (të ashtuquajturat kodet e Zogut), bazë e së cilëve vërtet qenë kodet frënge dhe italiane, por megjithatë, ligjbërësit jepnin në pasqyrën e lëndës së kodeve lidhjet, madje edhe numrat e neneve korresponduese në kodet e disa vendeve të rëndësishme perëndimore.
Në këtë mënyrë bëhej i mundur një komunikim më i shpejtë dhe racional i juristëve shqiptarë, të cilët kishin studiuar në vende të ndryshme evropiane apo amerikane. Themelimi i Bankës së Shqipërisë, edhe pse me kapital italian, solli nevojën e përdorimit të një gjuhe ekonomike bankare, ndërsa futja e sistemit tatimor ndikoi në futjen e terminologjisë së tatimeve, si dhe në të kontabilitetit.
Është e qartë se, duke mos pasur traditë në këtë fushë, shqipja ekonomiko-juridike u ndikua shumë nga gjuhët e sipërpërmendura. Këtu ndikoi gjithashtu edhe fakti që frëngjishtja, italishtja e shqipja kanë një strukturë të ngjashme fjalëformimi, në të cilën përngjitja e fjalëve si në gjermanishte apo greqishte, është e vështirë.
Ndoshta lexuesi i sotëm do të haste vështirësi përdorimi me kodin civil të Zogut, jo vetëm për shkak të përpilimit të tij në dialektin geg, por sepse një mori fjalësh të huazuara nga ky kod e të përdorura në kodin civil të sotëm, përdoren në gjininë femërore ose gabimisht.
Në këtë kontekst po jap disa shembuj: "enfiteoza" (Kodi Civil) → "enfiteusi" (italisht) → "emfiteusis" (latinisht) → "emfiteozi" (Kodi i Zogut), ose "testament ollograf" (Kodi Civil) → "testament holograf" (Kodi i Zogut), ose "enviksioni" (Kodi Civil) → "eviksioni" (Kodi i Zogut) → "evictio" (latinisht). Terma të tjerë, si p.sh.
"Gjykata e Diktimit", "diktimon" janë zëvendësuar sot respektivisht me "Gjykata e Lartë/Gjykata e Kasacionit" dhe "ankohet/ankimon" ose "ushtron rekurs në Gjykatën e Lartë".
Ende pa zënë mirë rrënjë terminologjia e monarkisë shqiptare, pas Luftës së II Botërore, gjuhësia, e sidomos ajo teknike, u përball me sfida të reja, këtë herë nga gjuhët sllave. Ristrukturimi i shoqërisë dhe ekonomisë sipas modelit socialist, solli një terminologji të re, e cila zuri vend kryesisht në fusha, deri atëherë të panjohura ose të pazhvilluara, si në ushtri, industrinë e rëndë dhe tekstile.
Në fushën ekonomike dhe juridike, duke e lënë mënjanë përmbajtjen, terminologjia nuk pësoi ndonjë ndryshim rrënjësor. Fjalë të tilla, si p.sh. "bilanci", "zërat e bilancit" (→ italisht "voci di bilancio"), "fatura" (→italisht "fattura"), "llogaria" (→ greqisht "logarismos"), "konto" (→italisht "conto"), "debiton", "krediton", "rakordon", "revizion", "revizor" (→italisht "addebitare", "accreditare", "raccordare", "revisione", "revisore") etj., të cilat përdoren edhe sot si terma të kontabilitetit, mbetën të pandryshuara.
Madje, njësimi i shqipes në vitin 1974, si dhe përdorimi "de jure" i një shqipeje standarde në të gjithë hapësirën shqipfolëse, solli një përparim të madh në fushat që flasim.
Në kuadrin e standardizimit gjuhësor, u bënë arritje edhe një fushën e leksikologjisë. Fjalori i Shqipes së Sotme (1981), e më pas fjalorët disagjuhësh teknikë, juridikë, ekonomikë, tregtarë etj., edhe pse me kufizime, e madje duke e mënjanuar anglishten, qenë megjithatë frut i një pune të madhe të Institutit të Gjuhësisë. Përdorimi i detyruar i shqipes standarde në media, ushtroi nga ana e vet një ndikim të dukshëm në konsolidimin e terminologjisë së atëhershme.
Periudha e "tranzicionit" të vazhduar
Një kthesë rrënjësore mori jo vetëm gjithë shoqëria shqiptare në përgjithësi në periudhën paskomuniste, por bashkë me të edhe gjuha shqipe. Në vazhdën e një transformimi të shpejtë të ekonomisë kombëtare nga një ekonomi e planifikuar në ekonomi tregu, terminologjia e kësaj fushe pësoi ndryshime të ndjeshme, e fatkeqësisht shumë herë duke iu shmangur jo vetëm traditës gjuhësore të deriatëhershme, por edhe duke thyer normat më elementare sintaksore, morfologjike e drejtshkrimore.
Marrja e sistemit të kontabilitetit frëng në fillimin e viteve '90 solli në terminologjinë dhe gjuhën ekonomiko-juridike shqipe, së paku për një kohë shkurtër, një farë puritantizmi karakteristik për gjuhën frënge.
Kështu p.sh., duke iu referuar ligjit për kontabilitetit (1993), termi "mjetet kryesore të ndërmarrjes" zëvendësohet me "aktive të qëndrueshme" (të trupëzuara dhe jo të trupëzuara), në një kohë që në të folmen e qeveritarëve përdoret rëndom angliqizma "asetet fikse" (→ anglisht "asset"). Termi i ashtuquajtur i ri "letra me vlerë të vendosjes" është krejtësisht i pakuptueshëm, e siç mësova më vonë nga specialistët e bankës, ai do të thoshte "letra me vlerë të investuara në afat të gjatë", pra një pjesë e aktiveve.
Zëri i pasivit të bilancit "shuma të parashikuara për rreziqe" përdoret edhe në formën "provigjon" apo edhe "provixhon" (→ anglisht "provision"). Krejtësisht absurd tingëllon termi "ekspert kontabël" (→ frëngjisht "expert contable") ose "audit/auditor" (→ anglisht "auditor"), kur në traditën e deritanishme është përdorur për të emërtimi "revizor". Duhet përmendur këtu se "auditor" në shqip do të thotë sipas Fjalorit të Shqipes së Sotme "rreth dëgjuesish" ose "sallë leksionesh" (→ latinisht "auditorium") dhe jo "revizor".
Në emër të depolitizimit të gjuhës ekonomike u zëvendësuan plotësisht pa kriter dhe me fantazi të madhe shumë terma. Kështu p.sh., "kooperativa" u zhduk si formë juridike e ndërmarrjeve tregtare, e si rrjedhojë një kooperativë bankare apo bankë kooperativiste (→ gjermanisht "Genossenschaftsbank", p.sh.
"Raiffeisenbank" në Gjermani) quhet sot juridikisht "shoqëri kursim-kredi", "mbivlera" (→ gjermanisht "Mehrwert") mori formën "vlerë e shtuar", prej së cilës rrjedh edhe termi "tatim i vlerës së shtuar" (→ anglisht "added value tax"). Por nuk mungojnë edhe huazimet e pashqipëruara e të pakuptimta si "karrexhata" (Kodi Rrugor → italisht "carreggiata") në vend të "xhade/sipërfaqe e rrugës", "draft" (anglisht) në vend të "projekt", "grant" (anglisht) në vend të "subvencion/ ndihmë/ përkrahje/ ndihmë" etj.
Teksa në ligjet e Zogut përkthyesi ose specialisti jepte për termat të rinj specifikë në kllapa shënimin në gjuhën e origjinës dhe në pasqyrën e lëndës edhe nenet në kodin e origjinës, kur lexon ligjet ekonomike shqiptare të sotme, duhet shumë herë ose të hamendësosh, ose të gjesh "origjinalin" në gjuhë të huaj për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë.
Përballë vërshimit pa kriter të termave të huaj në shqipe, vërehen fatkeqësisht nga njëra anë një tërheqje e plotë e shtetit shqiptar nga detyrimi i tij kushtetues për mbrojtjen e gjuhës kombëtare, një apati e institucioneve gjuhësore, e nga ana tjetër një zhvillim të gjuhësisë terminologjike thjesht në rrafshin privat e komercial.
Janë botuar e botohen fjalorë të fushave të ndryshme, por pothuajse në asnjë rast nuk janë konsultuar me specialistë të fushave gjuhësore. Është për të ardhur keq që edhe studim-kërkimet akademike në fushën e leksikologjisë janë mjaft të pakta. Madje, edhe Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (botimi i parë në vitin 1981), i cili do të duhet të ishte "udhërrëfyesi" gjuhësor për çdo shqiptar, ka mbetur mjerisht pothuajse në stadin e vitit të botimit të tij.
Teksa dëgjon angliqizma të tipit "biznes" (→ "afarizëm"), "biznesmen" (→ "afarist", "tregtar"), "administrim biznesi" (→ "drejtim i ndërmarrjes") apo deformime të tipit "proçes" (→ "proces"), "çertifikatë" (→ "certifikatë"), "navlloni" (Kodi Detar) (→ "navlloja"), bindesh shumë shpejt për nevojën e ngutshme të mbrojtjes së gjuhës shqipe, si thesari më i çmuar i trashëgimisë sonë kulturore e kombëtare.
Pra, është në radhë të parë detyrë e çdonjërit prej nesh të flasë e të shkruajë drejt gjuhën e tij, duke kontribuar në këtë mënyrë jo vetëm në ngritjen e nivelit të tij kulturor, por njëkohësisht edhe në mbrojtjen e dinjitetit kombëtar.
*Autori i këtij artikulli ka realizuar disa botime leksikografike si Fjalor ekonomik gjermanisht-shqip, apo Fjalor juridik gjermanisht-shqip-gjermanisht, botuar këto vitet e fundit në Hamburg e Mynih