"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

At Faveyrial: Korça e 1880-ës

Flisni për gjuhën shqipe, magjinë e saj, evoluimin, lidhjet e saj me gjuhët e tjera, rreziqet që i kanosen.

Moderators: Hymniarber, bardus

Post Reply
User avatar
Adriana
Universe Member
Universe Member
Posts: 3212
Joined: Tue Jun 02, 2009 3:34 pm
Gender: Female
Location: Giethoorn (Nederland)
Contact:

At Faveyrial: Korça e 1880-ës

#1

Post by Adriana » Wed Mar 30, 2011 12:49 pm

At Faveyrial: Korça e 1880-ës, ku prifti grek donte të mbyllte shkollën shqipe

Nga: Luan RAMA

Jean-Claud Faveyrial (1817 – 1893), është i njohur tashmë nga bota shqiptare përmes librit të tij “Historia e Shqipërisë”. Ai ishte një nga personazhet spikatëse të Kishës lazariste të shenjtit Saint Vincent de Paul në gadishullin ballkanik. Një personzh që iu kushtua popujve të këtij rajoni me tërë humanizmin që mund të mbartë një zemër, një jetë. Ishte një mbrojtës i së drejtës dhe së pari i lirisë, i gjuhës dhe kulturës së popujve dhe komuniteteve. Ai ishte kundër shovinizmave kudo që ato shfaqeshin. Mik i madh i shqiptarëve, ai ishte njëkohësisht dhe i vllehëve, bullgarëve, etj, duke i bërë thirrje gjithnjë tolerancës dhe mirëkuptimit të popujve. Faveyrial ka mbajtur një lidhje të vazhdueshme me shqiptarët dhe ishte pikërisht udhëtimi i tij në jug-lindjen e Shqipërisë, në Korçë e Voskopojë, që e nxiti ta shkruante historinë e vjetër të shqiptarëve. Ja si e kujton ai në dorëshkrimet e veta këtë udhëtim, shënime që i gjetëm në arkivin e Misionit Lazarist në Paris (Congrégation des Missions Lazariste): “Ka dy vjet që shkova dhe unë në Shqipëri. Gjatë tetë orëve ne ishim nëpër pyje, midis shkurreve, në pjerrësira dhe në mes të maleve. Në sajë të Zotit, ne nuk na ndodhi ndonjë gjë. Përse? Sepse ne ishim nisur papritur, pa i thënë askujt dhe pastaj, me siguri që ishte Zoti ai që na mbronte. Por tetë ditë më pas, një shqiptar që protestonte kundër qeverisë ishte kapur në mes të pyllit që ne sapo kishim kaluar dhe e kishin çuar në Shqipëri, nga ku nuk u kthye, veç, siç më tregoi më pas ai, duke paguar 1000 livra turke, d.m.th. 12.000 franga, të cilat ia kishin dërguar që nga Amerika. Megjithatë, gruan, siç thoshte dhe feja, e kishin respektuar. Duke qenë në Korçë, (Gortcha – Dardha), nga dritarja e dhomës ku isha, ndiqja lëvizjet e njerëzve në tregun e qytetit. Ç’tipa të ndryshëm burrash e grash dhe ç’atmosferë e rëndë. Ata shkonin, vinin, e blinin pa e ngritur shumë zërin. Ç’kontrast me ata që kisha parë në Greqi. Më së fundi, nga mbrëmja, dola dhe shëtita nëpër treg. Ngado më vështronin, meqë kisha një veshje të veçantë me rrobën dhe kapelen e priftit katolik, veshje e kapele që ata s’i kishin parë që prej shumë shekujsh. Me siguri që në vende të tjera më kanë sharë për këtë, por në Korçë aspak. Dhe nëse më vështronin gjatë, ata më shikonin me një vështrim të matur e hijerëndë. Tri ditë më pas unë u nisa dhe guvernatori “par interim”, një shqiptar, na shoqëroi me dy xhandarë gjer përtej atyre maleve jo aq të sigurta, të cilat i kishim kapëryer kur kishim ardhur. Në një vizitë që i bëra në konakun e tij, ai u habit që unë e njihja aq mirë historinë shqiptare. “Ne kemi urdhër, – më thoshte ai, – të ngrejmë këtu një shkollë të përbashkët për mësimin e gjuhës turke e franceze, ku këtë shkollë ta frekuentojnë të gjithë… ” Të krishterët, nga ana e tyre më pohuan dëshirën e tyre që të hapim në Korçë një shkollë, ku të mësohet gjuha franceze dhe shqipe… ”

Së pari gjuha

Faveryial e kujtonte me një kënaqësi të veçantë udhëtimin e tij në Korçë e Voskopojë, çka dhe e shtyu t’i kushtohej vite të tëra historisë së këtij populli. “Që nga ajo kohë, – shtonte ai rreth këtij udhëtimi, – një nga priftërinjtë tanë e hapi një shkollë për vllehët. Ish peshkopi fanarist nuk kishte thënë gjë për këtë, edhe pse ndjente një lloj pakënaqësie të cilën e fshihte, por pasuesi i tij në krye të kishës ishte shumë i irrituar. “Ti duhet ta mbyllësh patjetër atë shkollë! – i thoshte Harallambi priftit tonë. – Po ç’e keqe u gjen nga kjo? Ju grekët, keni të tilla shkolla në Greqi. – Po, kemi, por unë nuk dua shkolla të tilla në dioqezën time. – Jo, nuk mund ta mbyll, sepse me këtë shkollë ha bukë! – Po u jap unë një kishëz. – Jo, nuk dua, aspak. – Atëherë do tu drejtohem autoriteteve të këtushme. – Kjo nuk bëhet. Unë shpesh e kam takuar guvernatorin dhe ai s’më ka thënë asgjë për shkollën. – Atë që ai s’ka bërë deri tani, do ta bëjë! – Të shohim! – dhe ai doli. Kur e la peshkopin, popi Harallamb shkoi të takonte bejlerët muslimanë, mikun e tij, dhe i tregoi për gjithçka. – Mos kini frikë, vazhdoni detyrën tuaj, – i kishte thënë Belul Beu. Pas disa kohësh, një shqiptar i krishterë, një beqar i pasur në Bukuresht, propozoi të linte si trashëgimi një shumë prej 25.000 napolonash qytetit të Korçës, por me tri kushte: që të hapej një shkollë shqipe; të caktohej një mjek për të ndihmuar gratis të varfërit dhe të pagoheshin martesat e të varfërve. Si përgjigje, peshkopi dhe grupi i tij u mblodhën në arqipeshkvi dhe falenderuan shqiptarin e pasur, duke thënë se qyteti s’kishte nevojë për paratë e tij. Por 250 familje të krishtere, të mbështetur nga bejlerët muslimanë e pranuan trashëgiminë dhe i adresuan atij falenderimet e tyre. Kur mori letrën e tyre, shqiptari hapi një llogari jo në emër të peshkopatës por të një personi të veçantë. Ata që kishin kërkuar do të kishin 25.000 napolonat dhe të tjerët asgjë. Atëherë Harallambi u nis me ca instruksione për qëndrimin që duhej të mbanin vllehët e Korçës dhe pjesën që do u takonte në këtë veprimtari shkollore. Nga ana ime u dhashë vllehëve nja 50 medalione. Më kërkuan dhe të tjera… ” Duke folur rreth këtij udhëtimi dhe përshtypjeve që kishte patur, sipas dhe relacionit që i dërgonte superiorit të tij fetar në Paris pesë vjet më vonë, Faveyrial i kujtonte atij se “Nga shkollat vllehe ne kaluam tek shkollat shqiptare. Në Korçë nuk kishte shkolla aty ku kishim kaluar pesë vjet më parë (viti 1884), ndërsa tani kishte një të tillë. Eshtë ende e vogël dhe pa peshë, por ajo gjëndet në duar të mira dhe na duket e shkëlqyer idea e shqiptarëve për të patur sulltanin si mbrojtës të tyre. Peticioni i votuar në Bukuresht më 26 maj të vitit 1889, jo vetëm që është një shprehje e besnikërisë kombëtare, por ishte dhe një protestë solemne kundër përpjekjeve të Greqisë dhe sistemit antikristian, të cilin kleri fanariot vë në praktikë në Shqipëri. Por pa aq sa dëshirojmë përparimin shkencor të shkollave shqiptare, qoftë në Korçë apo diku gjetkë, po aq dëshriojmë që toskët të krijojnë njerëzit filantropë, ashtu siç kanë bërë dhe gegët në Prizeren (viti 1888). Nuk mjafton vetëm të ndriçosh shpirtin nëpërmjet një arsimimi të mirë, por duhet të lehtësosh dhe mangësitë e trupit. Por në shkollat greke të Korçës, formohen vajza pretencioze e jo me shpirt të dhemshur…”

Voskopoja e shenjtorëve

Vizita në Voskopojë ka për të imazhe tronditëse. Shtëpi të rrënuara dhe kisha të shkatërruara me kambanore të shembura. Një stuhi e tërbuar fanatizmi dhe fondamentalizmi kishte kaluar mbi atë qytet që dikur ishte një nga qëndrat më të lulëzuara të Shqipërisë së jugut. Lumturisht, shumë nga afresket në mure të kishave nuk ishin dëmtuar. Ai e njihte mirë historinë e kësaj qëndre të madhe të kulturës në të gjithë zonën e jugut shqiptar. “Moskopoli dhe Voskopoja, – do të shkruante më pas ai, – ishte për vllehët e Pindit të lartë, ashtu siç kishte qënë Meçova për vllehët e Pindit të poshtëm. Por këto dy qytete nuk patën të njëjtin fat dhe të njëjtën rëndësi. Meçova ekziston ende, ndërkohë që Voskopoja është shkatërruar. Voskopoja kishte tri kisha të mëdha: ajo e Shën Mërisë, e Karallambit dhe e Shën Nikollës, dhe kishte më se 45.000 banorë. Shkollat e saj ishin të shumta dhe në lulëzim. Ato frekuentoheshin jo vetëm nga fëmijët e qytetit, por dhe nga të ardhur të tjerë nga Nikolica, Lipoteni dhe nganjëherë edhe shumë larg. Dhe nga Voskopoja, ashtu si nga Janina, shkohej më pas në shkollat e Italisë për të përfunduar studimet… Plaku Nikarush më thoshte për Voskopojën se ky qytet i lulëzuar u plaçkit për herë të parë në vitin 1753 ose më 1754. “Hordhitë osmane të Dangëllisë dhe Kolonjës, – shkruan Pouqueville, – qenë fillimi i këtyre fatkeqësive. Ata plaçkitnin karvanet dhe vrisnin ata që vinin në tregun e këtij qyteti. Për Shqipërinë e Epërme, pasuria e Voskopojës dhe Vithkuqit ishte një burim begatie. T’i shkatërroje ato, ishte si të shkatërroje vendin. Por a është parë ndonjëherë që banditët të arsyetojnë?…” Por Voskopoja do të plaçkitej përsëri më vonë dhe këtë At Faveyrial e kishte mësuar nga dëshmitë e shumë prej voskopojarëve që ende banonin atje.“Voskopojarët, – më thoshte një ditë Potliu plak i Ohrit, – ia vunë fajin për këtë mënyrë luksit të tepruar të femrave të tyre. Kjo është aq e vërtetë, sa vetë Perëndia vuri në punë duart e njerëzve të ligj për të çuar në udhë të drejtë ata që kanë dalë nga udha e Zotit. Duke e parë të pamundur të qëndrojnë në një vend të mbushur me armiq, voskopojarët kërkuan një garnizon. Por garnizoni përmbushi atë çfarë kishin filluar kaçakët e tjerë. Dhe atëherë, të gjithë të pasurit e braktisën këtë vend të mallkuar, njëri pas tjetrit (v. 1780). Ka të ngjarë që të emigruarit nga Voskopoja krijuan atë kohë komunën e madhe Peçera në Rodop, atë të Rogotinës, pranë Manastirit dhe të tjerët komunën e Arvanitohorit, gjysmë ore në perëndim të Tërnovës së madhe. Kur kersalët erdhën për të plaçkitur fshatin e tyre, këta të fundit kaluan në Vllahi… ” Kujtimet e Faveyrial janë të shumta. Një interes të veçantë ai tregoi për letërsinë e shkruar nga vetë shqiptarët. “Një dibran i krishterë – shkruante ai në shënimet e tij, – më tregoi, në vitin 1866, ngjarjen e mëposhtme që kishte ndodhur në Dibër. Një musliman plak kishte gjetur një libër të krishterë në shtëpinë e tij. Nga kureshtja, ai e kishte lexuar atë libër dhe në fund, kishte kuptuar kotësinë e muslimanizmit, siç thoshte ai. Duke mos mundur ta mbajë të fshehtë këtë bindje të tij, ai bisedoi për këtë me fqinjët. Fjala e tij zuri vend, për më tepër ngaqë ishte një burrë i nderuar nga të gjithë. Sa për librin, të cilin ai e shikonte si shkak të konvertimit të tij, mendoj se ishte Cuneus Prophetarum i imzot Bogdanit, arqipeshkvit të Shkupit, libër për të cilin unë kam folur. Por sidoqoftë, të nxehur nga idetë e plakut, muslimanët e tjerë e kallzuan atë tek pushteti. Çështja iu dërgua Portës së Lartë dhe përgjigja ishte që ose ai duhej të ndërronte mëndje, ose duhej të vdiste. Meqë ai nuk deshi të heqë dorë, atëherë atij i prenë kokën. Kjo ndodhi më 1854 apo 1855… ” Më 15 mars të vitit 1887, gjëndesha në Shkup dhe imzot Carev më tregoi një libër të Imzot Bogdanit që e kishte titullin “E vërteta e pagabueshme e Besimit Katolik”, libër që ishte shtypur në Venedik në 1691, tek shtëpia botuese “Albrizzi”. Imzot Carev më thotë se letërkëmbimi i Imzot Bogdanit me Romën ekziston ende. Hirësia e tij më pohon se Pjetër Bogdani, i kthyer në dioqezën e tij pas dështimit të ushtrive austriake, vdiq në Janjevë, ku gjendet po ashtu dhe varri i Imzot Mazrekut… ” Faveryial tregon dhe një histori tjetër në në vitet 60’-70’ të shekullit XIX, kur në Prizren e Gjakovë kishin ndodhur trazira të mëdha, ku dy grupe shqiptarësh po vriteshin mes tyre. “Kjo përplasje e ethshme, – shkruan Faveryial, – ndodhi për shkak të një vajze muslimane nga Zadrima, e cila kishte qenë edukuar në një familje katolike, përballë shtëpisë së saj. Meqë i kishte mësuar shumë mirë lutjet, dhe pasi kishte mësuar mirë fenë katolike, kjo vajzë deshi të bëhej katolike dhe të martohej me një katolik. Në të vërtetë ajo u martua dhe u dërgua tek një i afërm i djalit, në Gjakovë. Në Prizeren, ajo deklaroi më pas në “mexhlis”, se ishte katolike dhe se donte të mbetej katolike. Me të marrë lajmin se çfarë po ndodhte në Prizeren, mirditorët, me një krye Bib Dodën, morën armët. Fatmirësisht, trupat e ardhura me nxitim nga Manastiri arritën para mirditorëve, përndryshe do të kishte plasur lufta. Gjithsesi, që të qetësoheshin shpirtrat, autoritetet kërkuan që vajza me burrin e saj të largoheshin nga Prizreni. Fakti është se ata nuk vonuan të kthehen në Shqipëri dhe se tashmë (viti 1884), mesa duket, gjenden në rrethinat e Zadrimës… ”
Më 28 korrik të vitit 1868 kishte vdekur Bib Doda, princi i mirditasve, por siç flitej në popull, ai nuk kishte vdekur nga vdekje natyrale, por ishte helmuar, meqë kishte patur konflikte me Portën e Lartë të Stambollit. Thuhej se ai kishte qënë ftuar në një drekë të madhe nga një “mirallai” shqiptar i quajtur Salik, por ai dhe trimat që e shoqëronin kishin vdekur njëri pas tjetrit pas tri javësh. “Dhjetë ditë pas varrimit të Bib Dodës, – shkruan Faveyrial, – varri i tij ishte hapur dhe kufoma ishte gjymtuar. Atij i ishin nxjerrë sytë, i kishin prerë hundën, veshët, buzët, duart e këmbët, i ishte hequr zemra dhe i ishin shkëputur pjesët burrërore. Me marrjen e këtij lajmi, gjithë Mirdita u ngrit e tëra në këmbë si një trup i vetëm dhe gjaku do të derdhej lumë. Ismail Pasha këtë priste, sepse donte të bënte një masakër mbi këta të ashtuquajtur rrebelë. Por konsujt e Francës dhe të Austrisë, z. Obaret dhe Duçizi e kuptuan qëllimin e guvernatorit. Ata ndërhynë dhe iu bënë mirditorëve premtime, por që më pas nuk u mbajtën… Disa shkodranë më tregojnë një ditë, se duke e parë që po vdiste, princi i mirditorëve kërkoi të thirrej konsulli i Francës dhe i tha: ”Ja im bir, ja dhe paratë e mia. Po t’i besoj ty. Gjithçka që më takon është nën kujdesin tënd. Sa për mua ka mbaruar gjithçka. Unë s’do të merrem më dot me ato”. Faveryial kishte gjetur dhe një korrespondencë nga Shkodra, botuar nga gazeta La Turquie, e Konstantinopojës, ku shkruhej për funeralet e princit. Në të shkruhej se konsulli i Francës mbante për dore djalin e Bib Dodës (që kishte lënë dhe një vajzë 16 vjeçare), duke i paraprirë kortezhit dhe se katër anët e arkivolit mbaheshin nga konsujt e Austrisë, Rusisë Italisë dhe sekretari i konsullatës së Rusisë…” Në analet e Misionit Lazarist të Parisit janë dhe një sërë letrash e korrespondencash të Faveyrial me familjen e Princit të Mirditës, Bib Doda, (Prenk Bib Doda, Davidika Bib Doda, Margela Bib Doda, Primo Doçi apo “monsinjorë” të tjerë) çka tregojnë lidhjen e fortë të Faveyrial me shqiptarët.

Dyqind shqiptarë që shkojnë të luftojnë përkrah Francës

Në librin e tij, Faveryial na sjell dhe një korrespondencë mjaft interesante të marrë nga Gazeta La Turquie e 19 nëntorit të vitit 1870, e botuar në Konstandinopojë, ku jepet një korresponcencë e Berlinit. Eshtë koha e luftës franko-prusiane, kur prusianët i janë afruar portave të Parisit. Një gjëndje e rëndë ku luhet fati i vetë Francës. Midis të tjerash, në këtë gazetë shkruhet: “Njoftohet mbërritja në Marseille e 200 shqiptarëve, që me pushkët e tyre të gjata, vijnë të ndihmojnë Francën. Duket se kjo është veçse pararoja e shqiptarëve. I gjithë muhamedanizmi i udhëve kryesore bëhet gati të ndjekë detashmentin e parë. Këta shqiptarë republikanë të pa parashikueshëm, të formuar në zjarrin e luftës së Ali Pashës së Janinës dhe ndihmës të pashpresuar të z. Gambetta me shokë, natyrisht u brohoritën dhe u pritën përzëmërsisht, duke u mbuluar me lule kur ata zbritën në tokën franceze. Ndërkohë që ushtarët e vërtetë të Francës, “bazenët”, “kurbertët”, “lebëfët”1, e ndjejnë veten të përbuzur nga bashkëatdhetarët e tyre demokratë… ” Skena duhet të ketë qënë padyshim mjaft prekëse. Këta 200 shqiptarë, me veshjet e tyre karakteristike dhe pushkat e gjata, edhe pse të pakët në atë lloj lufte, ishin një llooj frymëzimi. Dhe Faveyrial shton: “Nisur nga kjo, devotshmëria e shqiptarëve për Francën e pafat, meriton jo pak për tu bërë e njohur. Qoftë e thënë që Franca të kujtohet ndonjë ditë për këtë !… ”

Vdekja e Atit

Faveyrial iku nga kjo botë me besimin te Zoti dhe Njeriu, pasi ai vetë nuk i ndante këto të dyja. Por ai ishte një atipik në rradhët e klerikëve aq sa një gazetar francez e ka quajtur “aventurier të Zotit”, në kuptimin e mirë të fjalës aventurier, pra që kishte shpirtin e aventurës, e zbulimit të botrave, popujve dhe kulturave të komuniteteve të tjera. Kur ai u shua, shqiptarët nuk e dinin shërbimin e madh që ai i kishte bërë historisë shqiptare me atë përkushtim shumëvjeçar duke kërkuar dhe hulumtuar historinë e vjetër të shqiptarëve, me përpjekjen për ta bërë atë të njohur në sytë e Perëndimit. Kontributi historik i shqiptarëve nëpër epoka, ishte për të mëse i qartë dhe kjo duhej dëshmuar. Ai vdiq në 25 nëntor të vitit 1893 në Manastir, pas një sëmundje të mushkërive. At Vincent Dupuy që njoftonte hierarkinë e tij në Paris, për vdekjen e Faveyrial shkruante jo vetëm për kontributin e tij të jashtëzakonshëm por dhe se ai u përcoll me një nderim të jashtëzakonshëm dhe me praninë dhe kurorat e pesë konsujve si, atij të Francës, Austro-Hungarisë, Anglisë, Rumanisë, Serbisë dhe Rusisë. “Gjithë ditën ne e lamë trupin e tij në shapelën plot dashuri, ku njerëzit që e shikonin thonin “Ky At i mirë po fle, ai nuk ka vdekur!” Dorëshkrimet e Faveyrial në arkivin e Misionit Lazarist në Paris (ku shpesh në ato letra të zverdhura nga koha dhe atë shkrim të vogël, janë bashkangjitur letra, korrespondenca apo pjesë nga gazetat e kohës ku shkruhet për shqiptarët dhe Shqipërinë), shkruajnë veçanërisht dhe për fisnikët e Mirditës, një nga kryeqëndrat e fuqishme të katolicizmit në Shqipëri, e cila mbrohej si nga francezët, ashtu dhe nga italianët dhe austriakët që jo rrallë ndërhynin tek Porta e Lartë apo e përcaktonin mbrojtjen e fesë së tyre në marrëveshjet ndërshtetërore me Perandorinë Osmane. Një studim i mëtejshëm do ta njohë lexuesin me fakte të reja të këtij adhuruesi të shqiptarëve.
Jam fisnike e kam zemren gure,
si Shqiponja ne flamure.
Mburrem dhe jam krenare,
qe kam lindur Shqiptare.
Nga do qe te jem me ndjek fati,
se jam Shqiptare, shkurt hesapi !!



Post Reply

Return to “Gjuha shqipe”