Page 1 of 1

Urime për Abetaren e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës

Posted: Thu May 17, 2012 2:52 pm
by Adriana
Berisha dhe Thaçi përurojnë në Prizren, Abetaren e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës


Berisha: Abetarja e njësuar, Kurora në 100 vjetorin e Pavarësisë. Thaçi: Ditë historike për kombin shqiptar

-- Nga qyteti i Prizrenit, kryeministri Berisha u bëri thirrje fqinjëve të çlirohen nga shqiptarofobia me skena si në Preshevë, të cilat i kthejnë ata në skutat e primitivizmit

Nën tingujt e himnit kombëtar shqiptar dhe më pas atij kosovar ka nisur në prani të dy kryeministrave dhe presidentes së Kosovës ceremonia zyrtare e promovimit të abetares së përbashkët. Të dy kryeministrat shqiptar dhe kosovar e kanë quajtur këtë hapin e parë të bashkimit kombëtar. Kryeministri Sali Berisha tha se kjo abetare mbart idealin e përjetësisë kombëtare dhe shënon arritjen historike të përpjekjes së shqiptarëve për mbrojtjen dhe zhvillimin e kulturës së tyre dhe vjen si margaritari i kurorës së 100 vjetorit të pavarësisë, ndërsa u bëri thirrje nënave shqiptare kudo në botë që krahas qumështit të mos harrojnë abetaren shqipe për fëmijët e tyre. “Kjo abetare mbart idealin e bashkimit të shqiptarëve idealin e përjetësisë kombëtare. Abetarja shënon arritjen historike të përpjekjes së shqiptarëve për mbrojtjen dhe zhvillimin kulturës së tyre”- u shpreh Berisha ndërsa shtoi se: “Abetarja nuk duhet të harroni kurrë se ka, jo vetëm ëndrrën e shqiptarëve, por qindra mijëra jetë të flijuara që ne të jemi të lirë e të ndërtojmë të ardhmen tonr që meritojmë”. Më tej ai theksoi se: “Abetarja është margaritari i kurorës së 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e dijes mund t’i bënin. Ju bëj thirrje nënave shqiptare anembanë botës , që krahas qumështit të mos harrojnë abetaren shqipe për fëmijët e tyre”-nënvizoi kreu i qeverisë. Kryeministri Sali Berisha e ka quajtur kryevepër të dijes abetaren që i dhuruan sot katër autorët Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj dhe 2 përfaqësuesit nga Kosova, Islam Krasniqi dhe Saranda Pozhegu. “Abetarja vjen në këtë qytet si një bukuri e rrallë e shqiptarëve për të ardhur tek ju bijtë e shqiptarëve të cilët janë rrekur ndër shekuj. Një falënderim për ju që realizuat me përkushtim abetaren e parë këtij libri të të gjithë librave, të këtij teksti të të gjithë teksteve, ju falënderoj që zgjodhët kryeqytetin shqiptar të idealit të bashkimit të shqiptarëve”- deklaroi Berisha. Rruga e dijes është rruga e dritës abetarja më e re që botohet në trevat shqiptare po mbart ëndrrën e dhjetëra qindra gjeneratave shqiptare, - vijoi më tej kryeministri, të cilët donin të kishin një abetare të përbashkët. “Abetarja mbart sakrificat e të gjithë shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut dhe deri në luftërat për çlirimin e Kosovës dhe Maqedonisë dhe ju dorëzohet juve pas 160 vjet përpjekjesh për liri njerëzore”- theksoi ai. Në fund të fjalës së tij kryeministri shqiptar shprehu vendosmërinë për të punuar për bashkimin kombëtar, ku bëri thirrje për tekste të të tjera të reja në mënyrë që energjitë e reja të shtyjnë kombin drejt horizonteve të reja, pasi ai tha ai nuk ka gjë më të bukur se gjuha jonë amtare. “Ne nuk jemi kombi i zgjedhur i zotit, por jemi në të drejtën tone, ne jemi në trojet tona. Sot më të vendosur se kurrë që të punojmë për projektin e bashkimit të shqiptarëve në kuadër të projektit të BE. Të punojmë për paqen e stabilitetin në rajon e më gjerë. Nga Prizreni, dua tu themi fqinjëve tanë, çlirojuni nga shqiptarofobia, ajo është një mbeturinë e primitivizmin të trashëguar tuajin. Shqiptarët janë një komb, që dinë të ruajnë dhe të mbajnë miqësira, por gaboheni rëndë në qoftë se vazhdoni të shfaqni shqiptarofobinë tuaj me skena si ato të Preshëves, të cilat faktojnë se jemi akoma shumë prej jush në stadet primitive”, deklaroi Berisha.

Nga ana e tij edhe kryeministri kosovar Hashim Thaçi e cilësoi këtë ditë historike dhe Prizrenin qytetin e mesazhit historik të bashkimit të shqiptarëve. “Sot është një ditë e madhe historike për kombin dhe kulturën. Sot po implementojmë për herë të parë abetaren e përbashkët. Kjo është një arritje historike”- u shpreh kryeministri kosovar, ndërsa shtoi se kjo është abetarja e parë e përbashkët nga Shqipëria dhe Kosova e hartuar nga 4 autorë. Thaçi deklaroi se jo rastësisht ceremonia po mbahet në Prizren kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, pasi sipas tij ai është qyteti i bashkimit të shqiptarëve në një komb, ndërsa promovohet në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. “Sot të gjithë shqiptarët ku jetojnë, janë me ne, janë me abetaren e parbashkët. Jemi mbledhur në kryeqytetitin shpirtëror të shqiptarëve në qytetin mes kryeqyteteve politike dhe administrative, Tiranës dhe Prishtinës, në qytetin e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Sot në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë institucionet po promovojnë librin e përbashkët. Kjo është abetarja e kombit, kjo është arritje për të gjithë shqiptarët. Këtë mund ta bëjë një shtet i lirë dhe sovran”,- u shpreh kryeministri kosovar. Thaçi deklaroi se fati i abetares është i njëjtë me fatin e shqiptarëve, dhe falë përpjekjeve shekullore tashmë shqiptarët do keni një gjuhë dhe një flamur. Ceremonia e promovimit të abetares së përbashkët u zhvillua në qendrën sportive Sezai Surroi në prani edhe të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Re: Urime për Abetaren e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovë

Posted: Thu May 17, 2012 2:58 pm
by Adriana
Shqiptarët e Maqedonisë 'Jashtë' Abetares unike

Për fat të keq, nxënësit shqiptarë nga Maqedonia, vitin e ri shkollor 2012-13 nuk do mund ta nisin me abetaren e unifikuar Shqipëri-Kosovë, që sot u promovua në Prizren. Arsyetimet janë se një iniciativë e tillë nuk është ngritur nga institucionet gjegjëse të Shqipërisë apo të Kosovës. Kështu thotë zv/ministri i Arsimit Safet Neziri duke shtuar se do të vazhdojë të presë qoftë nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë ose ajo e Kosovës të hapin rrugën për unifikimin e abetares edhe me Maqedoninë. Neziri shtoi se duhet të shqyrtohet edhe mënyra e mësimdhënies së abetares, pasi shtetet në fjalë dallojnë për nga korrikulat. ‘Nëse vjen ndonjë iniciativë për një abetare të unifikuar që përdoret në Shqipëri edhe në Kosovë, normalisht një ekzemplar i një abetare të tillë duhet të vijë edhe te ne dhe të kalojë nëpër institucionet tona për të konstatuar për moshë grupën se prej cilës klasë duhet të fillojë të mësohet abetarja, sepse me sistemin arsimor te ne, në RM, alfabeti respektivisht abetarja mësohet nga klasa e dytë që nuk kam njohur se prej cilës klasë mësohet në Shqipëri dhe Kosovë që do të thotë se duhet të hyjë në Byronë e zhvillimit të arsimit, të vlerësohet se si dhe në çfarë forme mund të përdoret abetarja’, tha Safet Neziri, zv ministër i arsimit. Ndërkaq, kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë Nuhi Dardhishta tha se abetarja e unifikuar shumë shpejtë do të arrijë edhe në Maqedoni pasi sipas tij nuk ka ndonjë barrierë gjuhësore, gjeografike apo dhe historike. “Ne do të kërkojmë nga ambasadorët dhe dy qeveritë që patjetër të bëjnë një kërkesë zyrtare në institucionet tona në Ministrinë e Arsimit të Maqedonisë ne si LASH do të kërkojmë dhe jemi të sigurt se do të marrim disa kopje të abetares dhe ato kopje ne si LASH dhe si qytetarë të Maqedonisë, do të kërkojmë nga Byroja e Zhvillimit që është organ i Ministrisë së arsimit që ajo abetare të pranohet si tekst shkollor në Maqedoni dhe në vitin e ardhshëm të filloj në përdorim, pra prej 1 shtatorit e njëjta abetare të jetë në përdorim edhe në Maqedoni”, tha Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH-it. Promovimi i Abetares së Unifikuar shihet si një gurëthemel për gjuhën e shqiptarëve, dhe simbol i unifikimit të tyre. Melihate Rustemi

Re: Urime për Abetaren e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovë

Posted: Fri May 18, 2012 8:21 am
by Rina


Retorike te forte politike, ups me falni patriotike desha te them, ka Berisha, :roll: njejte si ky i yni.

Re: Urime për Abetaren e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovë

Posted: Fri May 18, 2012 5:04 pm
by Adriana
“Fryma e Shqipërisë së Madhe nuk është shuar”

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviq, ka thënë se promovimi i abetares së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës është mesazh i qartë se fryma për Shqipëri të madhe nuk është shuar.

“Kjo ide, e cila, të paktën në mënyrë deklarative, është e papranueshme për Evropën dhe botën, është edhe një pretendim serioz për territorin e Serbisë. Prandaj, ajo duhet të hasë në një reagim të fortë, jo vetëm të Beogradit”, ka thënë Ivanoviq për mediat serbe.

Ai ka thënë se askush në Serbi nuk është kundër bashkëpunimit kulturor të shqiptarëve, por, sipas tij, promovimi i abetares zbulon edhe prapavijën politike se “fryma për Shqipërinë e Madhe nuk është shuar”.

Promovimi i abetares së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës është bërë të enjten në Prizren./REL