"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve në Diasporë

Diskutoni për besimin e krishterë, mund të ndani me njeri-tjetrin eksperiencat në besimin tuaj.

Moderator: ALBPelasgian

Post Reply
User avatar
Adriana
Universe Member
Universe Member
Posts: 3202
Joined: Tue Jun 02, 2009 3:34 pm
Gender: Female
Location: Giethoorn (Nederland)
Contact:

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve në Diasporë

#1

Post by Adriana » Sun Jul 13, 2014 11:35 am

[quoteemIntervistë ekskluzive me Kryepeshkopin i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Diasporës, e thënë ndryshe pasuese e kishës së Nolit] TIRANE - Një shqiponjë dykrenare i stolis ballin, ndërsa na e prezantojnë si pasardhësi i Imzot Fan Nolit. Rrënjët e tij zënë fill tek pasardhësit e Skënderbeut. Shumë shekuj më parë, familja e tij pat lënë Arbërinë e shkrumbuar nga luftërat dhe qe vendosur në Kozencë. Arzobispo (Kryepeshkopi) Aleksandër, ndërsa flet për “GAZETA SHQIPTARE” mundet ta kuptojë shqipen që ne flasim, por vetë, të përgjigjet me një gjuhë ku ngërthehet spanjishtja me italishten. Është hera e parë që vjen në Shqipëri dhe këmbët i kanë ndaluar në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku edhe e takojmë. Një shqiponjë dykrenare i stolis ballin, ndërsa na e prezantojnë si pasardhësi i Imzot Fan Nolit. Pas përshëndetjeve të rastit, marrim shkallët për në katin e dytë, ku biseda zhvillohet mes veprave të linjës së GKA, e në fund ai nuk ngurron të tregojë se është dashamirës i pikturës (dikur ka pikturuar edhe vetë), për ç’arsye ka ardhur edhe në galeri.

“Ardhja në Shqipëri është kthim në atdheun e gjakut tim, është një takim me vëllezërit e mi, është përmbushja e një ëndrre që kam prej shumë kohësh. Jam shumë i mallëngjyer…”, thotë Hirësia e tij Aleksandër, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Diasporës në Amerikën Latine, e thënë ndryshe pasuese e kishës së Nolit, por në pjesën jugore të kontinentit.
Kjo kishë ka komunitetet e veta në Argjentinë, Brazil, Kili, Uruguai.

“Dy janë qëllimet e punës sonë: të shërbejmë që shumë njerëz të ritakojnë besimin tek Zoti dhe t’i takojmë shqiptarët me vlerat kulturore të kombit tonë përmes simboleve dhe historisë. Madje, synojmë që të gjitha këto t’i bëjmë në shqip”, thotë Kryepeshkopi me seli në Buenos Aires të Argjentinës.
Ai tregon se në këtë shtet dhe në gjithë Amerikën e Jugut ka shumë shqiptarë, shumë arbëreshë që kanë ikur nga Italia Jugore dhe janë vendosur atje.

“Ne jemi me mijëra, por shumica është e asimiluar në vendin ku ka jetuar dhe e kanë harruar pothuajse lavdinë e origjinës shqiptare. Po luftoj për t’i ribashkuar, për t’iu kujtuar origjinën. Në Amerikën e Jugut, për fat të keq, nuk flitet gjuha shqipe, ata që e dinin nuk e kanë trashëguar e të tjerët nuk e kanë mësuar”, – tregon ai. Në qershor mbajti një meshë për Nolin, ndërsa sot vjen në një rrëfim për “GAZETA SHQIPTARE”.


Hirësia juaj, cila është kisha që ju drejtoni?
Kisha ime është vazhdimësia e veprës së kryepeshkopit Fan Noli. Ai themeloi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kishën Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Kjo kishë në Boston është një dioqezë e rëndësishme e Kishës Ortodokse në Amerikë. Kisha jonë është një formacion latino-amerikan i punës së Fan Nolit. Unë jam kryepeshkopi i saj.

Si është të jesh vijues i punës së Nolit?
Për mua është nder i madh, përgjegjësi dhe punë që duhet bërë me kujdes. Për ne si kishë është e rëndësishme që populli ynë të rizbulojë identitetin e tij, ortodoks, kristian por edhe identitetin e tij shqiptar, e kjo është thelbësore. Sepse Ky është vendi ynë, Shqipëria është origjina e të gjithëve ne. Unë vij nga një familje me origjinë arbëreshe e jugut të Italisë. Paçka atyre shumë shekujve që kanë kaluar nga koha që familja ime la Shqipërinë, gjithmonë e kemi ruajtur edhe të folurën. Arbëreshët që jetojnë në Amerikën e Jugut e kanë humbur jo pak të folurën shqipe, gjuhën pra, e megjithatë po përpiqem ta rikthej vëmendjen tek ajo. Gjithnjë e kemi pasur në ndërgjegjen tonë, tokën e origjinës. Kjo koshiencë nuk ka humbur as përgjatë shekujve. Kjo është e rëndësishme për t’ia transmetuar edhe të rinjve tanë. Gjithnjë kam thënë se porta jonë është e hapur për të gjithë ata që kanë gjak shqiptar.

Cili ka qenë ndikimi i Fan Nolit tek ju?
Figura e tij është një figurë e mrekullueshme. Duhet t’ju kujtoj që ai ka përkthyer në shqip liturgjinë, por edhe Shekspirin, dhe Servantesin. Ka qenë njeri i jashtëzakonshëm, figura si ai nuk vijnë shpesh në historinë e një populli. Noli ka qenë një njeri i dashuruar me Shqipërinë dhe shqiptarët, ai ia kushtoi gjithë jetën vendit të tij të origjinës. Figura e tij më ka ndihmuar shumë në punën dhe në misionin tim. Ai, me atë që ka bërë, na tregon ne të gjithëve, e mua si kryepeshkop një rrugë: që njëri vesh duhet mbajtur për të dëgjuar Zotin e tjetri vesh për të dëgjuar popullin. Kjo duhet pasur parasysh, sepse është një mësim i madh për ne: dashuria për atdheun.

A ka shumë shqiptarë që vijnë në kishën tuaj, pra që kanë origjinë të largët shqiptare?
Ka shumë shqiptarë që në një farë mënyre edhe e kanë humbur lidhjen me origjinën, por zemra jonë është e hapur për të gjithë shqiptarët, kristianë qofshin këta, myslimanë qofshin këta apo edhe ateistë, sepse të gjithë këta janë vëllezërit tanë, kemi të njëjtin gjak, jemi vëllezër, si bij të nënës Shqipëri, pa dallime, pa përçarje, pa pasur asnjë lloj ngurrimi e me gjithë respektin për shkak të fesë, a masës së besimit të secilit dhe me gjithë respektin për identitetin e tij.

Pse mbani shqiponjë dykrenare në ballë?
Në kapelen time ka një shqiponjë dykrenare, sepse ajo simbolizon praninë e Shqipërisë në punën tonë në Argjentinë. Shqiponja është simbol i Skënderbeut, është simbol kombëtar dhe më duhet të shtoj që të gjitha simbolet kombëtare shqiptare për ne janë shumë të rëndësishme. Flamuri shqiptar gjendet edhe në kishën ku unë jap meshë.

Në cilin qytet e keni qendrën?
Në Buenos Aires. Kemi komunitete të ndryshme në Argjentinë, në Brazil, kemi një prezencë tonën edhe në Kili madje. Për festimet tona me rëndësi është të kemi flamurin shqiptar, sepse me të është edhe prezenca e atdheut tonë, për të cilin lutemi gjithnjë. Atdheu për ne ka kontekst të dyfishtë, sepse atdheu është atdheu, si fillim e së dyti, është vendi që i lidh të gjithë njerëzit me historinë, me fytyrat dhe emrat dhe na mban afër me popullin tonë.

Kisha juaj është e varur nga kisha të tjera ortodokse?
Jo, kisha jonë është e pavarur, por kemi marrëdhënie me disa kisha të tjera.

Po me kishën Ortodokse të Shqipërisë, keni lidhje?
Kisha jonë ka marrë jetë në një formë tjetër. Nuk kemi një marrëdhënie direkte me Kishën Ortodokse të Shqipërisë. Kemi të njëjtin besim, të njëjtën liturgji, të njëjtat kanone, por kisha jonë punon me njerëz që kanë origjinë shqiptare e janë jashtë Shqipërisë.

E keni vizituar katedralen ortodokse në Tiranë?
Jo. Akoma jo, sapo kam arritur në Shqipëri.

Është hera e parë që e vizitoni Shqipërinë?
Është hera ime e parë në Shqipëri. Kam ardhur të vizitoj Galerinë Kombëtare të Arteve dhe është po ashtu vizita ime e parë në një institucion. Kam ardhur këtu të takoj mikun tim, Artan Shabani dhe të shoh galerinë që ai drejton.

Atëherë, cilat janë përshtypjet tuaja për artin pamor shqiptar?
Jam dashamirës i madh i artit. Edhe unë kam pikturuar pak dikur. Do thosha që arti shqiptar është shumë ekspresiv, është art që shpërfaq historinë, një art që tregon situatat që shqiptarët kanë kaluar nëpër shekuj. Mendoj se ka shumë bukuri në artin shqiptar dhe bukuria është e rëndësishme për historinë njeriut. Bukuria, arti dhe kultura janë të rëndësishme për identitetin tonë, na shërbejnë për progresin tonë. Arti na çon gjithnjë më përpara dhe merr prej nesh më të mirën që kemi.

Njihni artistë të tjerë shqiptarë përveç Shabanit?
Jo. Atë e kam njohur para shumë kohës, por nuk njoh të tjerë.

Çfarë keni parë gjatë këtyre dy ditëve në Tiranë?
Durrësin dhe detin e tij, dhe një pjesë të qendrës së Tiranës.
Kisha Ortodokse Shqiptare nuk ka një unitet të admirueshëm. Në Boston ka dy kisha shqiptare, njëra si pasardhëse e Nolit e tjetra e varur prej Kishës në Shqipëri. Ndërkaq, edhe në Shqipëri ka një kishë në Elbasan, që nuk ka marrëdhënie të mira me KOASH, e gjitha kjo ngaqë kryepeshkopi Anastas nuk gëzon tek të gjithë respektin e duhur për shkak të origjinës së tij më së shumti. Si e shihni këtë situatë?
Mendimi im i parë është se unë i respektoj të gjithë. Ka disa probleme që kanë të bëjnë me kanonet, me rregullat e kishës, gjë që është e vështirë të shpjegohet e të sqarohet në një intervistë. Por, për mua, të gjithë njerëzit që e duan Shqipërinë, që janë pra, vërtetë patriotë mund të jenë edhe besimtarë. Në kishën tonë shqiptare në diasporë, ne jemi thellësisht ortodoksë, por jemi po aq thellësisht edhe shqiptarë. Të qenit shqiptar është pjesë e “nostro rason d’esere”. Jemi Mitropolia Ortodokse Shqiptare në Diasporë, identiteti ynë është shqiptar, “nostro rason d’esere” (arsyeja jonë e ekzistencës) është që t’u shërbejmë shqiptarëve dhe dashamirësve të shqiptarëve. Secili komb ka të drejtën e besimit. Unë vetë nuk dua që një prift i imi, pra i kishës sime, të jetë prift i mirë, por të mos jetë patriot. Unë dua një prift të mirë patriot, që ta dojë Shqipërinë, që ta dojë popullin tonë dhe të jetë i ndërgjegjshëm për këtë. Një ndër projektet tona për të ardhmen është që ne të mësojmë të flasim mirë shqipen dhe që t’ia themi popullit liturgjinë në shqip.[/quoteem]
Jam fisnike e kam zemren gure,
si Shqiponja ne flamure.
Mburrem dhe jam krenare,
qe kam lindur Shqiptare.
Nga do qe te jem me ndjek fati,
se jam Shqiptare, shkurt hesapi !!



Post Reply

Return to “Besim i krishterë”