Page 1 of 1

Ekonomia shqiptare/kosove

Posted: Wed Jun 13, 2012 11:27 am
by Adriana
Kosova “bllokon” çimenton e Shqipërisë

Ministrja Mimoza Kusari-Lila ka vendosur ta “bllokojë” hyrjen e çimentos së Shqipërisë në Kosovë. Ajo ka marrë vendim që importuesit të paguajnë një tarifë prej 35 për qind. Këtë thotë se e ka bërë për ta mbrojtur prodhimin e vendit. E prodhuesi i vetëm në Kosovë është “SharrCemi”, që është në pronësi të kompanisë greke “Titan”.

Ndonëse thuhet se kjo tarifë është vendosur për të gjithë importuesit, në fakt nga kjo preket vetëm një prodhues i çimentos nga Fushë-Kruja, i cili ka dominuar në tregun e Kosovës. Ndërkaq, me këtë favorizohet prodhimi i kompanisë greke “Titan”, e cila ka fabrika në Maqedoni, Serbi, Shqipëri.

Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, mohon që këtë e ka bërë me direktiva të mikut të saj, Lekë Musa, i cili punon si këshilltar në “SharrCem”. Të dy kanë punuar shumë kohë në Odën Ekonomike Amerikane. Ajo insiston se këtë e ka bërë për mbrojtjen e prodhimeve të vendit, derisa për vendimin thotë se ka bazë ligjore.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës çimentoja nga Shqipëria e ka mbizotëruar importin gjatë vitit 2011. Nga ky shtet janë importuar 226 mijë e 847 tonë çimento. Vlera doganore e sasisë së importuar nga Shqipëria ka qenë 14 milionë e 473 mijë e 559 euro. Nga kjo sasi importuar nga Shqipëria në buxhetin e Kosovës janë derdhur 2 milionë e 319 mijë euro nga pagesa e TVSH-së që është bërë me rastin e importit. Edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 importi nga Shqipëria ka vazhduar të dominojë, pasi janë importuar 102 tonë çimento.

Nga Maqedonia, ndërkaq, janë importuar 269 mijë tonë çimento gjatë vitit 2011. Ndërsa deri në fillim të muajit qershor të vitit aktual janë importuar rreth 90 mijë tonë çimento.

Në total, gjatë vitit 2011 janë importuar mbi 600 mijë tonë çimento nga të gjitha vendet.