
Tiranë - Zhvlerësimi i lekut në kursin e këmbimit ngre shqetësimin sesi mund të administrohet kjo situatë, që mund të rrezikojë edhe stabilitetin financiar të vendit.
Arben Malaj, ish-ministri socialist i Financave deklaron se banka qendrore nuk mundet dot e vetme të garantojë qëndrueshmërinë e monedhës. “Ideja për të përdorur rezervën financiare për të forcuar monedhën tënde është e dështuar. Nuk mund të fshihet më se pas keqpërdorimit që qeveria u bëri rezervave dhe hartimit të normave të interesit të larta do të ketë efekte”, ka pohuar Malaj.
Leku nuk arriti të stabilizohet në periudhën më të mirë për të, atë të sezonit të verës, kur në treg ka me shumë valutë. Tashmë, parashikimet për muajt e ardhshëm janë edhe më të zymta, aq më tepër kur tregjet ndërkombëtare po përvijojnë një tjetër konjukturë negative.
“Ka disa zhvillime negative në ekonominë globale, që është edhe çmimi i naftës, rritja e të cilit do të rrisë edhe çmimet e importit. Do të na duhet më shumë valutë për ekonominë e vendit tonë”, nënvizon Malaj.
FMN parashikoi që në fillim të krizës se monedhat e shumë vendeve në rajon do të tronditeshin, ndaj dhe u rekomandoi publikisht qeverive, përfshirë dhe asaj shqiptare kontroll të rreptë të shpenzimeve publike.
Shumë nga vendet fqinje janë detyruar në këtë pikë të marrin masa drastike, duke mos prekur vetëm zërin e investimeve, por edhe pagat e administratës.
“Në të gjitha vendet ku FMN ka ofruar ndihmë, e ka kushtëzuar ndihmën me një sërë reformash. Nuk ka kohë për t’u vonuar. Është detyra kryesore rikthimi i menaxhimit më të mirë të financave publike”, ka shtuar Malaj.
Disa zhvillime të fundit në marrëdhëniet financiare të Shqipërisë me jashtë, sidomos rritja e deficitit korrent, ngrenë pikëpyetjen nëse e ka kaluar Shqipëria goditjen më të madhe nga kriza, apo sfidat e financave publike do të imponojnë shumë shpejt për qytetaret shqiptarë masa drastike, si ato të qeverive fqinje