Zhvlerësimi i lekut, pritet të shkaktojë një reaksion zinxhir pasojash në ekonominë e vendit. Pritet të rriten cmimet e mallrave të konsumit, por rritje do të pësojnë edhe interesat e kredive në valutë. Version multimedial i ketij lajmi
TIRANE- Rënia e ndjeshme e monedhës kombëtare lekut gjatë javëve të fundit, pritettë shoqërohet me një valë të re të rritjes së cmimeve. E thënë ndryshe, të gjithë ne do ti blemë më shtrenjtë mallrat e konsumit të përditshëm, si ushqimet, veshjet, qeranë, shërbimet mjekësore e arsimore etj. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë euro ka arritur nivelin e 132.5 lekëve, duke shënuar një rritje të ndjeshme kundrejt disa muajve më parë. Nëncmimi i monedhës vendase do të shkaktojë një reaksion zinxhir efektesh në ekonominë tonë. Kjo pasi pritet rritje e cmimeve të mallrave të importit dhe rrjedhimisht rritje e cmimeve në tregun e shitjeve me pakicë. Nga ana tjetër , qytetarët do të blenë më pak produkte dhe shërbime me pagat e tyre, pasi vlera e lekut shqiptar është në rënie të vazhdueshme. Pasoja do të kenë edhe të gjithë klientët e bankave që kanë marrë kredi në valutë dhe që të ardhurat i kanë në lekë.
Ata do të paguajnë më shumë për këstet mujore pasi interesave do tu shtohet edhe kostoja e transaksionit. Përfituesit e vetëm të oshilacioneve të kursit të këmbimit janë eksportuesit, fitimet e të cilëve do të rriten.
Ekspertët e ekonomisë parashikojnë një nëncmim të mëtejshëm të lekut gjatë muajve të ardhshëm, cka përbën një lajm të keq për të gjithë ne, pasi kjo situatë përkthehet në rritje të kostos së jetesës dhe në thellim të nivelit të varfërisë.
(e.n/News24/BalkanWeb)