
BERLIN-Me foto tallëse dhe provokuese për Greqinë, vjen sërish revista e njohur gjermane Focus, e cila për të disatën herë shkruan për krizën greke, duke përdorur historinë e kësaj të fundit, në mënyra që janë cilësuar si poshtëruese.
Revista gjermane në numrin e saj të ri ka në kopertinë Akropolin të zhytur në ujë dhe një statujë, në kokën e së cilës duket një faturë prej 200 euro.
Në shkrimin kushtuar Greqisë me titullin “Paratë tona humbën” thuhet ndër të tjera: "Miliarda për asgjë. Merkel në nevojë. Paratë tona shkuan kot, a do t’i marrim ndonjëherë mbrapsht? Falimentimi i Greqisë sa vjen e afrohet. Kush është shpëtimi?”
Shkrimi është i shoqëruar nga një sondazh, sipas të cilit Greqia nuk do të shmangë dot falimentimin. Këtë besojnë 56% e gjermanëve, ndërsa 40% e tyre besojnë se me ndihmën e europianëve Greqia mund të dalë nga kriza.
Në fillim të krizës greke e njëjta revistë publikoi statujën e Afërditës një herë si lypsare dhe më pas duke bërë një gjest të pahijshëm, foto që shkaktuan një stuhi reagimesh.
Greqia ndodhet në një situatë tepër kritike, dhe prêt nga dita në ditë të marrë lajmin për disbursimin e këstit të gjashtë të ndihmës për të. Por dje në një intervistë ministri gjerman i financave, Ëolfgang Schäuble tha se «askush nuk duhet të ketë iluzione. Pa një raport pozitiv nga Trojka nuk mund të jepet kësti i ardhshëm i ndihmës». Ministri gjerman nënvizon rëndësinë që ka sot dukja e rezultatit nga pala greke. Ai konfirmoi se i ka bërë të ditur edhe homologut të tij grek se “për sa kohë Trojka nuk do të konfirmojë se ekzistojnë kushtet për këstin e ardhshëm, para në Greqi nuk do të jepen”.
(d.b/BalkanWeb)