Page 1 of 1

Evropa

Posted: Thu Sep 09, 2010 7:21 am
by Sally
Parlamenti Evropian kërkon një kontroll më të rreptë financiar



Autoriteti i ri mbikëqyrjes financiare të BE-së është gati. Ndryshe duken shanset për futjen e taksës së transaksioneve. Për shumë eurodeputetë vendimet e ministrave të Financave të BE-së nuk janë gjithëpërfshirëse.

Në një çështje, komisioneri i BE-së për Tregtinë e Brendshme, Michael Barnier mori lëvdata të drejtpërdrejta nga të gjitha kampet e Parlamentit Evropian. Kompromisi me shtetet anëtare për një autoritet mbikëqyrës financiar në BE u arrit falë këmbënguljes së Michael Barnier.

BE me tre autoritete të reja

Që nga janari i vitit të ardhshëm do të ketë tre autoritete të reja mbikëqyrëse për bankat, sigurimet dhe tregjet financiare. Barnier nuk e fshehu krenarinë:është një element bazë, kuadri brenda të cilit ne gur për gur, javë për javë, produkt për produkt, aktor për aktor të tregut, do të vëmë në jetë mësimet që nxorrëm nga kriza. Në fund të kësaj udhe nuk do ketë asnjë aktor tregu, asnjë produkt financiar, asnjë treg, që do t'i shpëtojë këtij kontrolli efektiv", tha ai.

Por shumë çështje të tjera të reformës së tregjeve financiare kanë mbetur të hapura. Deputeti socialdemokrat gjerman, Udo Bullmann nuk sheh se janë vendosur rregulla për fondet Hedge. "Vendosja e rregullave bazë për fondet Hedge është larg asaj që do të vlerësohej si sukses. Jo. Ne nuk duam të vëmë para përgjegjësisë një sektor të tërë, por pa përmirësimin themelor dhe pengimin e deleve të zeza që shkelin me këmbë biznese që funksionojnë mjaft mirë, mendoj se nuk e kemi bërë rregullimin e duhur."


Debate të ashpra për taksën e transaksioneve


Veçanërisht nxehtësisht diskutohet në moment një taksë për transaksionet financiare, si brenda ECOFIN-it, (ECOFIN - Këshilli i Bashkimit Evropian për Ekonominë dhe Financat - një nga instancat më të rëndësishmë të BE-së) - ashtu edhe brenda shteteve anëtare dhe Parlamentit Evropian
Eurodeputeti i të gjelbërve gjermanë, Sven Giegold është pro futjes së një takse të tillë, madje për të në këtë çështje po vihet në lojë besueshmëria e BE-së. "Në këtë situatë ne kemi nevojë për një veprim të përbashkët, ndryshe qytetaret dhe qytetarët do të bëhen cinikë, kur të shohin qe ne kemi ndërmarrë plane kursimi nga njëra anë, por nuk kemi hyrje nga të ardhurat e kapitalit në Evropë."


Shumë deputetë të Parlamentit Evropian nga të gjitha kampet politike kërkojnë futjen e taksës së transaksioneve. Madje disa shohin në këtë pikë arritjen sadopak të një drejtësie sociale, shpresojnë të ardhura më të mëdha me qëllim të mbajtjes të peshës së krizës, ndërsa deputetë të tjera kërkojnë futjen e një takse evropiane.

Por ka edhe kundërshtarë të vendosur të taksës së transaksioneve. Eurodeputetja konservatore britanike, Kay Swinburne paralajmëroi se taksa nuk do të godiste aty ku duhej. "Një taksë transaksionesh nuk është para e thatë, siç përpiqet të na e shesë shtypi bulevardesk. Atë nuk do ta paguanin bankat dhe ndërmjetësuesit financiarë. Në fund të fundit atë do ta paguanin pensionistët që janë të varur nga rezultatet e tregut, ku ndodhen sigurimet e tyre të pensioneve, por edhe firmat e ekonomisë reale."

Këto çështje gjithmonë diskutohen me emocione të forta në BE, gjë që të ndërmend, se Bashkimi Evropian ka përpara një rrugë të gjatë deri në marrjen e vendimeve.

Re: Evropa

Posted: Fri Oct 22, 2010 6:29 pm
by Adriana
Ndryshe nga Merkel Westerwelle kërkon rregulla më të forta për eurozonën

"Nuk kemi për t'i dhënë mësim askujt, por as nuk kemi arsye që të fshihemi", kjo është njëra nga fjalitë, me të cilat parapëlqen ta përshkruajë politikën e tij të jashtme Guido Westerwelle.




Pas gati një viti në post ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle mbajti mbrëmë në Berlin një fjalim mbi temat qendrore të politikës së jashtme gjermane.


Jo prepotent e megjithatë i pazëvendësueshëm

Kështu i duket atij më së miri i përkufizuar roli i Gjermanisë në botë. Gjatë fjalimit të tij ministri i Jashtëm qëndroi më gjatë në ato fusha të politikës së jashtme, në të cilat Gjermania ka shënuar së fundi suksese, për shembull zgjedhja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. "Shqetësohem shumë për Evropën," tha Westerwelle dhe e kishte fjalën për qëndueshmërinë politiko-financiare, e cila u testua fort sivjet prej krizës së Greqisë.

"Një euro i fortë nuk mund të durojë rregulla të buta, dhe një euro i fortë duhet të garantojë, që të mos vendosë oportuniteti politik i çastit, po kritere objektive, të cilat drejtohen kundër kujtdo, qoftë vend i vogël, apo i madh."



Westerwelle kërkon ashpërsimin e sanksioneve për të luftuar deficitin

Westerwelle kritikoi faktin, që pas hapjes së 22 procedurave të deficitit kundër shteteve anëtare të BE-së nuk janë vendosur asnjëherë sanksione. Ai kërkoi mekanizma më të ashpër sanksionesh dhe shkoi më tej sesa kancelarja.

Tema të tjera të politikës së jashtme
Në të njëjtën kohë ministri i Jashtëm paralajmëroi ndaj një politike të rinacionalizimit, e cila drejtohet kundër BE-së. Kjo është një udhë pa krye, Gjermania i përmbahet fort BE-së, tha ai. Besueshmëria dhe parashikueshmëria janë për Westerwellen atribute të rëndësishme të një politike të jashtme solide, për shembull në negociatat me Turqinë.



"Kush nxitohet sot dhe ia mbyll Turqisë derën para hundës, ai humbet një shanc historik. Për mua vlen fare qartë edhe në sjelljen me Turqinë: Pacta sunt servanda [marrëveshjet duhen respektuar]. Fjala jonë vlen. Ne i mbajmë premtimet tona. Prandaj punojmë me tërë fuqinë, që negociatat të zhvillohen me ndershmëri dhe me rezultat të hapur dhe të mos ngecin në qorrsokak."

Në fjalimin e tij njëorësh Westerwelle foli për miqtë amerikanë dhe për partnerin strategjik Rusinë, pa të cilën nuk mund të ketë qëndueshmëri dhe siguri në Evropë. Si në çdo fjalim të gjatë ministri i Jashtëm theksoi angazhimin e vet për çarmatimin bërthamor, foli për suksese dhe dështime në Afganistan dhe për trajtimin e vështirë me ambiciet bërthamore të Iranit. Politika e jashtme gjermane nxit interesat ekonomike të vendit dhe angazhohet njëkohësisht qartë për të drejtat e njeriut, si për shembull në Kinë, tha ministri.

Re: Evropa

Posted: Tue Apr 17, 2012 1:09 pm
by Adriana
Vetëvrasja ekonomike e Evropës
17-04-2012 / "New York Times"

Të shtunën, Times raportoi për një fenomen në dukje në rritje në Evropë: “vetëvrasje nga kriza ekonomike,” njerëzit po i marrin vetes jetën të dëshpëruar nga papunësia dhe dështimet e biznesit. Ishte një rrëfim që ta thyen zemrën.

Por, një rrëfim më i zgjeruar nuk ka të bëjë shumë me individët, sesa me përcaktimin e liderëve evropianë për të kryer vetëvrasje ekonomike për tërë kontinentin. Disa muaj më parë kishte pak shpresë për Evropën. Në vjeshtën e kaluar, Evropa ishte në prag të dështimit financiar, por u shpëtua nga Banka Evropiane Qendrore. Ky institucion iu ofroi bankave evropiane kredi pa afat, me kusht që të fusnin aksionet e qeverive evropiane si kolateral; kjo i mbështeste direkt bankat dhe indirekt qeveritë si dhe i jepte fund panikut. Atëbotë shtrohej pyetja nëse ky aksion i guximshëm dhe efektiv do të ishte fillimi i një mendimi më të gjerë, nëse liderët evropianë duke përdorur hapësirën çliruese, do të rishqyrtonin politikat që sollën të kjo situatë.

Por, ata nuk e bënë një gjë të tillë. Në vend të kësaj, ata dyfishuan politikat dhe idetë e tyre të dështuara. Po bëhet gjithnjë e më vështirë, që të besohet se ndonjë gjë do të mund t’ua ndryshojë atyre drejtimin. Shqyrtojeni gjendjen e Spanjës, e cila është në epiqendër të krizës. Të mos flasim për recesionin; Spanja është e mbushur me depresion, me një papunësi prej 23.6 për qind, që mund të krahasohet me Amerikën e viteve të Depresionit të Madh, papunësia e të rinjve shkon në 50 për qind. Kjo gjë nuk mund të vazhdojë- dhe ndërgjegjësimi se kjo gjë nuk mund të shkojë po i rrit koston huave të Spanjës. Në një formë, nuk ka rëndësi se si u gjet Spanja në këtë pikë- por, ajo që ia vlen, tregimi i Spanjës nuk përngjan me përrallat për moral, që janë aq popullore në mes të zyrtarëve evropianë, në veçanti në Gjermani. Spanja nuk ka pasur shthurje fiskale- në prag të krizës ka pasur borxh të ulët dhe suficit buxhetor. Fatkeqësisht, ka pasur kredi të marra për shtëpi, që qenë mundësuar nga kreditë e mëdha që bankat gjermane lëshuan për homologët e tyre spanjollë. Kur, kjo krizë shpërtheu ekonomia spanjolle ishte në lartësi të duhur dhe e paprekur; problemet fiskale të Spanjës janë pasojë e depresionit të saj. Megjithatë, rekomandimet që vijnë nga Berlini dhe Frankfurti janë, paramendojeni, masa tjera shtrënguese fiskale. Kjo, s’është tjetër, pos çmenduri. Evropa ka pasur disa përvoja me programet e ashpra të kursimit dhe rezultatet janë saktësisht ato që studentët e historisë thanë se do të ndodhë: programet e tilla shtyjnë ekonomitë depresive në depresion më të thellë. Pastaj, meqë investitorët shikojnë gjendjen e ekonomisë kombëtare, nëse është e aftë për të shpaguar borxhin, programet shtrënguese nuk janë parë si mënyra për të ulur kostot e huave.

Cila është alternativa?

Në vitet ‘30, një epokë, që Evropa moderne ka filluar ta përsërisë, madje edhe me detaje më fatkëqija- kushti thelbësor për rimëkëmbje ka qenë heqja dorë nga standardi i arit. Gjëja ekuivalente sot mund të jetë, dalja nga euro dhe kthimi i valutave kombëtare. Kjo mund të duket e pakonceptueshme, por vazhdimi i kursit të tanishëm, duke imponuar masa më të ashpra shtrënguese ndaj shteteve që tashmë kanë vuajtur epokën e depresionit nga papunësia, është i pakonceptueshëm, po ashtu. Prandaj, po që se liderët evropianë, vërtetë dëshirojnë të ruajnë euron, ata duket të kërkojnë rrugë alternative. Trajta e një alternative të tillë është e qartë. Kontinenti ka nevojë për politika monetare më ekspansioniste- një gatishmëri e shpallur- nga Banka Qendrore Evropiane për të pranuar në një mënyrë inflacionin më të lartë; duhen më shumë politika fiskale ekspansioniste, në formën e buxheteve në Gjermani, për të kompensuar vuajtjen në Spanjë dhe vendet tjera problematike në periferi të kontinentit, në vend se t’i rrisin ato. Madje edhe me këto politika, shtetet periferike do të përballen me kohë të vështira për disa vite. Por, të paktën, do të ketë shpresë për rimëkëmbje. Ajo që aktualisht po e shohim, megjithatë, është një mungesë e plotë fleksibiliteti. Në muajin mars, liderët evropianë nënshkruan një pakt fiskal që që parasheh masa tjera shtrënguese si përgjigje ndaj të gjitha problemeve. Është vështirë të shmanget ndjenja e dëshpërimit.

Në vend se të pranojnë se janë gabuar, liderët evropianë duken të vendosur që të drejtojnë ekonomitë- dhe shoqëritë e tyre- drejt greminës. Dhe e tërë bota do të paguajë çmimin.

Re: Evropa

Posted: Wed Apr 25, 2012 8:25 am
by Sally
Merkel pa dy aleatët e saj më të rëndësishëm?

Kancelarja gjermane Angela Merkel duket se do të mbetet pa aleatët e saj në Evropë. Në Francë socialisti Hollande ka gjasa të bëhet president ndërsa në Holandë ka dhënë dorëheqjen qeveria konservatore.
Ato ishin kohë kur presidenti francez Nicolas Sarkozy dilte publikisht me deklarata të dashurisë për kancelaren gjermane Angela Merkel: "Unë nuk mund të përshkruaj me fjalë se sa e dua Angela Merkelin."

Dhe kështu lindi aleanca mes kancelares Merkel dhe presidentit Sarkozy e njohur ndryshe si: "Merkozy". Në media ky u kthye në një term të zakonshëm. Ndërkohë, ata të dy pothuajse janë ndarë sepse Sarkozy do vetëm veten e tij dhe flakë tutje të gjitha bindjet vetëm për të qëndruar në pushtet, duke përfshirë këtu edhe dashurinë për kancelaren gjermane. Por si e sheh Merkel këtë?
"Unë jam krejt e relaksuar, madje pa e paragjykuar se si do të rezultojnë zgjedhjet presidenciale në Francë. Por edhe sa i përket kësaj ndjenjat e mia partiako-politike janë të njohura", tha ajo.



Hollande e do Merkelin më pak se ç'mund ta thotë

Pavarësisht ndjenjave partiake-politike për konservatorin Sarkozy të gjitha shenjat tregojnë për një fitore të socialistit François Hollande. Është mjaft e mundshme që ai të fitojë zgjedhjet presidenciale në Francë. Dhe Hollande e do më pak Merkelin, më pak se ç'mund ta thotë zyrtarisht. Madje edhe më pak ai e do shpikjen e saj: Paktin Fiskal. Me të Franca së bashku me 24 shtete të tjera të BE-së dëshiron t'i përkushtohet kursimeve. Megjithatë François Hollande ka pikëpamje tjera sa i përket kësaj çështjeje: "Unë do të refuzojë ratifikimin e Marrëveshjes."
Ndërkohë, ai e ka zbutur pak këtë deklaratë: ai do të nënshkruajë në qoftë se në Pakt do të theksohet se bëhet fjalë për një marrëveshje që krijon rritje ekonomike. Me këtë mund të jetojë, bile shumë mirë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. "Menaxhimi i shëndoshë i buxhetit është i qëndrueshëm dhe në afat të gjatë gjithnjë i duhur për rritjen ekonomike. Dhe ne nuk kemi nevojë vetëm për menaxhim të shëndoshë fiskal, por ne kemi nevojë për çdo gjë që duhet për rritjen ekonomike."
Kështu nuk ka më kontradikta në këtë pikë në mes të kancelares Merkel dhe presidenti të mundshëm të ardhshëm francez Hollande.

Probleme edhe në Holandë

Atje është e mundur që Merkel të humbë edhe një tjetër aleat. Mark Rutte, kryeministri holandez, deri tani ka bërë politikë të urtë dhe të qetë evropiane. Programet e kursimeve nuk ishin problem për të. Por tani gjërat kanë ndryshuar. Ekstremisti i djathtë dhe kundërshtari i Evropës, Geeert Wilders nuk do ta mbështesë më qeverinë e pakicës në Holandë. Ndërsa pa atë Rutte nuk mund të ketë më shumicën për buxhetin shtetëror. Dhe shumica e holandezëve e konsideron si të tepruar kursin e kursimeve të Merkelit. Megjithatë Merkel nuk ka frikë nga zgjedhjet e reja në Holandë.
"Në Evropë çdo ditë diku mbahen zgjedhje. Kur jam zgjedhur kancelare për shembull unë nuk doja fare negociata për anatërsimin me Turqinë. Por pararadhësi im kishte rënë dakord për negociatat për anëtarsim. Dhe kështu ishte e vetkuptueshme që unë duhej t'i pranoja ato", shprehet Merkel.