"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Zgjidhja e problemeve me të sapolindurit

Flisni për shkencat humane si mjekësia dhe shërbimet humane, mund të ndihmoni komunitetin me të dhëna si psh dokumenta tëndryshme, aplikime etj.

Moderator: Adriana

Post Reply
User avatar
Sally
Galactic Member
Galactic Member
Posts: 2066
Joined: Tue Jun 09, 2009 2:36 pm
Gender: Female

Zgjidhja e problemeve me të sapolindurit

#1

Post by Sally » Sat Jul 24, 2010 10:03 am

Zgjidhja e problemeve me të sapolindurit



Pezmatimi i lëkurës te foshnjat
Pezmatimi i lëkurës në kokë te foshnjat është sëmundje e zakonshme pezmatuese e lëkurës, që mund të përfshin kokën dhe pjesët e tjera të trupit të foshnjës. Ndryshe nga ekzema fëmijërore (atopike), pezmatimi i lëkurës në kokë nuk shkakton kruarje. Te shumica e foshnjave të sapolindura, kjo gjendje qetësohet deri në moshën dy mujore. Kjo ndryshon prej ekzemës fëmijërore, që ka tendencë të zhvillimit te foshnjat në moshën pas dy mujore dhe vazhdon. Një formë shumë e zakonshme dhe e butë e infektimit të lëkurës në kokë të foshnjave quhet “kapelë djepi” (luspat). Në foshnjëri, koka është pjesa më e zakonshme që infektohet me luspa të dendura të cilat janë dukshëm të yndyrshme, me ngjyrë të verdhë në të bardhë të ngjitura në flokë ose lëkurë të kokës. Infektimi mund të shpërndahet në fytyrën qendrore, prapa veshëve dhe në qafë.





Si shfaqet ekzema atopike
Ekzema atopike, e cila shpesh quhet ekzema fëmijërore, është pezmatim i lëkurës që shkakton puçrra të kuqe në lëkurë, e bën lëkurën të thatë dhe me luspa që zakonisht shkaktojnë kruarje të madhe. Në lëkurën e pigmentuar pezmatimi paraqitet me ngjyrë si më të purpurt ose ngjyrë kafe dhe lëkura e vrazhdë mundë të jetë si një karakteristikë dominuese. Puçrrat mund të pikojnë dhe lëkura mund të formojë kore. Ekzema ka tendencë zhvillimi te fëmijët e moshës pas 2-4 mujore. Te shumë fëmijë ekzema përmirësohet me rritjen e moshës. Edhe pse nuk i dihet shkaktari, zakonisht këtë ekzemë e lidhin me sëmundjet alergjike (atopike) të astmës dhe alergjisë “hay fever”.



Ku zhvillohet
Ekzema atopike (alergjike) paraqitet te foshnjat. Shpesh shfaqet së pari në faqe të cilat nisen të pezmatohen dhe të thahen. Lëkura mund të jetë e skuqur ose në lëkurën e pigmentuar paraqiten hije të purpurta, ngjyrë kafe ose bile edhe të bardhë. Mund të zhvillohet në ballë dhe lëkurë të kokës (skalp). Krahas me rritjen e foshnjës, ekzema ka tendencë zhvillimi në trup, dhe në duar nga ana e përparme e bërrylave dhe në këmbë prapa gjunjëve. Gjithashtu mund të paraqitet edhe rreth nyjeve të dorës dhe të këmbës. Në fëmijëri të mëvonshme ekzema zakonisht më rrallë paraqitet në fytyrë, por puçrrat mund të paraqiten prapa veshëve dhe rreth syve.



Si ndahet nga gjiri fëmija mbi 6 muajsh?
Nëse fëmija ka mbushur 6-të muaj mund të mos ketë nevojë për biberon. Tashmë ai ka filluar të marrë ushqim me lugë, me gotë apo filxhan. Pak nga pak një vakt mund t’i jepet me ushqime shtesë duke mundësuar pakësimin e qumështit të gjirit. Koha më e dendur kur fëmija kërkon qumësht është ajo pas zgjimit në mëngjes dhe ajo para gjumit të natës. Mirë është që me këto të mos merreni si fillim. Aq më tepër që fëmijës gjatë ditës është më e lehtë t’ia merrni mendjen me diçka tjetër.



Çfarë probleme mund të ketë nëna gjatë kësaj periudhe?
Nëse do t’ju duhet ta shkëpusni beben menjëherë nga gjiri kjo mund të jetë pak shqetësuese për nënën pasi gjiri i saj nuk përshtatet menjëherë. Mund t’i zbrazni pak nga pak gjinjtë. Kjo do t’ju qetësojë. Porse mos u mundoni ta zbrazni të gjithë pasi edhe nëse e bëni këtë përsëri trupi do ta kompensojë atë. Zbrazni aq sa të qetësoheni. Nëse duhet, përdorni dhe qetësuesit (analgjezikët). Edhe kompresat e ftohta ose me fletë lakre të freskët janë po aq relaksuese.




Problemet gjatë dhënies gji fëmijës
Gjatë përfundimit të dhënies gji mund të shihen gjendje si ajo e mastitit (inflamacion) apo bllokim të kanaleve të qumështit. Kontaktoni me mjekun tuaj nëse shihni skuqje, ënjtje në gji apo temperaturë, dridhje dhe lodhje të tepërt. Edhe nëna ndikohet psikologjikisht prej kësaj ndarjeje. Megjithëse shumë prej femrave mendojnë se me lënien e gjirit do të pësojnë një rehati dhe çlodhje ndodh e kundërta, duke ndjerë një mërzitje apo një ndjenjë sikur kanë humbur diçka. Sigurisht që ndarja prej gjirit nuk do të thotë ndarje prej fëmijës .Ajo është veç ndryshimi i formës së marrëdhënieve me fëmijën tuaj. Kështu që filloni dhe merruni më shumë me atë dhe përqafoheni. Kjo do të jetë në të mirë të të dyve. Megjithëse gjatë kësaj periudhe nëse fëmija çohet natën mirë është që me të, të kujdeset përkohësisht dikush tjetër, kështu që atij nuk do t’i vijë në mendje për të pirë qumësht.
Last edited by Sally on Sat Jul 24, 2010 10:13 am, edited 1 time in total.
Nuk jam vrasës, jam student shqipëtar, vrava një tradhtar të Atdheut tim.
(Avni Rustemi)

User avatar
Sally
Galactic Member
Galactic Member
Posts: 2066
Joined: Tue Jun 09, 2009 2:36 pm
Gender: Female

Re: Zgjidhja e problemeve me të sapolindurit

#2

Post by Sally » Sat Jul 24, 2010 10:09 am

Dalja e dhëmbëve tek foshnjat




Dhëmbët e parë që i dalin fëmijës quhen dhëmbët e qumështit ose dhëmbë të përkohshëm. Quhen kështu pasi ata zëvendësohen nga viti 5-6 nga dhëmbët e përhershëm. Dhëmbët e qumështit janë 20, ndërsa dhëmbët e përhershëm janë 32.


Kur fillojnë të dalin dhëmbët
Tek fëmijët e shëndetshëm zakonisht fillojnë të dalin nga muaji i 6-të megjithëse ka raste që dalin edhe në muajt e 7-të e 8-të edhe kur fëmija është plotësisht i shëndetshëm. Vërehen edhe raste të jashtëzakonshme kur fëmija lind edhe më dhëmb në gojë. Kjo nuk flet për zhvillim të parakohshëm të fëmijës. Si dhëmbët e shfaqur që në lindje ose ata që dalin shumë shpejt ka mundësi të bëhen shkak për dëmtimin e gjirit të nënës. Dalja e dhëmbëve me vonesë, pas muajit të nëntë krijon shqetësim tek prindërit dhe është e drejtë që ata të këshillohen me mjekun. Ka raste kur ky fenomen është i lidhur më rakitin, më çrregullime të kockave ose të disa gjëndrave të brendshme.



Radha e daljes së dhëmbëve
Në shumicën e rasteve, në fëmijët e shëndetshëm, nga muaji i 6-të deri në muajin e 12-të dalin 8 dhëmbët prerës. Që janë katër poshtë dhe katër lart. Së pari dalin dy dhëmbët prerës të poshtëm që zënë vendin qendror dhe pas tyre dalin dy të sipërmit. Më pas dy prerësit anësorë të sipërm dhe dy anësorët e poshtëm. Nga muaji i 12-të deri në muajin e 18-të dalin katër dhëmballët e para, dy lart dhe dy poshtë. Nga muaji i 12-të deri në muajin e 24-t dalin katër dhëmbët e syrit. Nga muaji i 24-t deri në muajin e 30-të dalin katër dhëmballët e dyta. Ka raste kur nuk ndiqet kjo radhë dhe ky ndryshim mund të ndodhë pa ndonjë shkak të veçantë.


Rëndësia e dhëmbëve për shëndetin e fëmijës
Si dhëmbët e qumështit, ashtu edhe dhëmbët e përhershëm kanë rëndësi shumë të madhe për shëndetin e fëmijës. Dhëmbët kanë veprimin e tyre kryesor për përtypjen dhe përpunimin e mirë të ushqimeve. Veprimtaria e përtypjes fillon nga muajt e fundit të vitit të parë dhe vazhdon për gjithë jetën. Çrregullimet, dëmtimet dhe sëmundjet e dhëmbëve pengojnë përpunimin e tretjen e mirë e të plotë të ushqimeve dhe kështu bëhen shkak për dëmtime të aparatit tretës dhe të gjithë organizmit. Çrregullimet e dhëmbëve mund të pengojnë të folurit qartë. Ato mund t'i japin fytyrës pamje jo të hijshme, kjo gjendje vërehet veçanërisht kur përputhja e dhëmbëve të sipërm më ata të poshtmit nuk është e plotë.





Shtesat e vitaminave në ushqimin e fëmijës
Në ushqyerjen e huaj si qumështi, ashtu edhe lëndët e tjera, i nënshtrohen zierjes, por zierja, pakëson ose zhduk disa vitamina, kryesisht vitaminën C. Për këtë arsye, kur fëmija është me ushqim të huaj, lëngjet e frutave fillohen shpejt dhe në sasi më të madhe sesa kur fëmija është me gji. Sasia e vitaminës C të domosdoshme shkon nga 25-50 miligram në ditë. Në rast mungesë të lëngjeve të frutave ose kur fëmija nuk i pranon këto, vitamina C jepet në formë tabletë. Vitamina D është e nevojshme për fëmijën me ushqyerje të huaj. Ajo jepet në atë mënyrë dhe sasi, si dhe vitamina C.
Ushqyerja e huaj nga muaji i 9-të deri në muajin ë 12-të
Në këtë moshë shumica e fëmijëve vazhdojnë të ushqehen 5 herë në 24 orë, megjithëse ndonjë fëmijë mjaftohet me 4 herë. Sasia ditore e qumështit me të cilin përgatiten ushqimet e ndryshme nuk ka nevojë t'i kalojë 750 gramët. Kufizimi i sasisë së qumështit e mëson dhe e detyron fëmijën të hajë ushqime të tjera shumë më të nevojshme për të si; perimet, supërat, mishin, peshkun, djathin, bukën e thekur të thërrmuar, etj. Ushqimi ditor mund të ketë këtë përbërje:
- Një herë qumësht me bukë të thekur, të thërrmuar ose me biskota.
- Dy muhalebi të dendura ose sytliaç.
- Një supë me lëng mishi, me perime, me bukë të thekur të thërrmuar.
- Nga muajt e fundit supës mund t'i shtohet pak oriz ose makarona të imta.
- Një pure me patate ose primë të përziera.
Mishi i përpunuar mirë, i zier dhe i grirë imët, në sasi 20-30 gramë i shtohet supës ose puresë. Djathi mund t'i shtohet puresë në sasi prej 15-20 gramë. E verdha e vezës e plotë i shtohet muhalebisë, puresë ose supës. Ajo gjithashtu mund të jepet e zier lehtë ose e rrahur me pak sheqer. Qulli i frutave jepet në sasi 180-250 gramë. Frutat e buta nuk është nevoja t'i përgatisim në formë qulli, ato mund t'i jepen fëmijës me copa të vogla. Sasia e qumështit për çdo kuarje shkon nga 220-250 gramë. Koha e dhënies së ushqimit ndërmjet kuarjeve ndryshon sipas shijes së fëmijës dhe mundësive të nënës.



Të dalurat jashtë të foshnjës që ushqehet me qumësht gjiri
Të dalurat jashtë të foshnjës që ushqehet me gji kanë ngjyrë të vërdhë të ngjashme të verdhën e vezës së rrahur. Ato janë gjysmë të buta dhe nuk përmbajnë copa të patretura. Kanë erë pak të thartë, jo të rëndë. Pasi janë nxjerrë, të dalurat jashtë, mund të marrin ngjyrë të gjelbër. Të dalurat jashtë ndryshojnë nga njëri fëmijë tek tjetri. Ka fëmijë krejt të shëndoshë që dalin 3-5 herë në ditë. Ka të tjerë që nuk dalin çdo ditë. Nëse jashtëqitja është normale dhe shëndeti i fëmijës shkon mirë, nuk duhet të shqetësohemi për faktin që fëmija po del jashtë shpesh ose rrallë.
Nuk jam vrasës, jam student shqipëtar, vrava një tradhtar të Atdheut tim.
(Avni Rustemi)

User avatar
Sally
Galactic Member
Galactic Member
Posts: 2066
Joined: Tue Jun 09, 2009 2:36 pm
Gender: Female

Re: Zgjidhja e problemeve me të sapolindurit

#3

Post by Sally » Sat Jul 24, 2010 10:18 am

Si të evitoni sëmundjet që vijnë nga ushqimi



Pse ka aq shqetësim për përgatitjen dhe ruajtjen e formulës?
Ndiqni udhëzimet në paketime të formulave për ta pregatitur në mënyrë të drejtë. Përgatitja e formulës nuk është aq e vështirë por është me rëndësi që të përzieni përqindjen e saktë të formulës me ujë që të siguroheni se foshnja juaj është duke marrë sasinë e duhur të materieve ushqyese. Po ashtu se pse foshnja juaj nuk ka shumë imunitet ende ndaj mikrobeve, sidomos si i porsalindur, është me rëndësi që të merrni masa preventive për ta mbrojtur nga sëmundjet që vijnë nga ushqimi.

Ndiqni këtë listë udhëzuese në 5 pjesë kur të përgatini formula
1. Pastroni mirë pajisjet e juaja
Disa ekspertë rekomandojë që të sterilizohen të gjitha shishet, cucllat, kapakët për matje, lugët ndërsa disa të tjerë thonë se për një gjë të tillë nuk ka nevojë vetëm në rast se kualiteti i ujit nuk është në nivel në vendin ku jetoni. Prapëseprapë tjerët këshillojnë sterilizimin e pajisjeve për ushqim në qoftë se foshnja juaj është më madhe se 3 muaj. Çdo herë do të duhet ti lani të gjitha shishet e juaja në ujë të nxehtë me sapun dhe ti fërkoni mirë. Dhe më mirë pastrojini në makinë për lamjen e enëve. Është mirë që këtë ta bëni menjëherë pas të ushqyerit kështu që formula të mos ketë rast që të ngjitet në skajet dhe të çarat e shishes. Brushat për pastrimin e shisheve dhe cucllës janë të lira dhe shumë të efektshme, poashtu janë dhe shportat e sigurisë për larje në makinë të dezajnuara enkas për ti mbajtur shishet e formulave dhe ato të ushqimit. Në qoftë se vendosni ti sterilizoni atëherë thjesht vendosni shishet në ujë të nxehtë për 5 minuta. Poashtu mund të gjeni dhe sterilizues komercial për ta kryer punën. Leni shishet që të teren në mbajtësen për tu terur, ose i fshini me leckë të terur në rast se keni nevojë për to menjëherë (shmangni nga përdorimi peshqirët e ditpërditshëm se mund të kenë bakteria). Mbushni shishet me qumësht me formula, futni në frigorifer, dhe përdorni mbrenda 24 orëve. Në qoftë se jeni duke përdorur cucllat për përdorim të njëtrajtshëm të cilat ju kanë dhënë në spital apo tek mjeku, ato janë në paketime të sterilizuara dhe janë të prodhuara të përdoren dhe të hudhen në shportë menjëherë pas përdorimit. Kur të blini shishe dhe pajisje të reja, gjithmonë i lani dhe i sterilizoni para se ti përdorni për herë të parë, edhe nëse më vonë e ndaloni sterilizimin.
2. Lani kapakun e formulës para se ta hapni
Kjo ndihmon që të largoni pluhurin apo lëngjet që kanë mundur të bien mbi të. Do të mund të ndani një shishe të veçantë për formula, dhe ta lani mirë mes përdorimeve.
3. Pastroni mirë duart
Kur të përgatitni formula lajini mirë duart me sapun dhe ujë të nxehtë për rreth 30 sekonda. Fshini duart me letër toaleti.
4. Përmbajuni në mënyrë egzakte udhëzimeve për përgatitje të shkruara në shishe
Pasi që instruksionet dallojnë nga firma në firmë, dhe përqindja e formulës-dhe-ujit mvaret nëse formula është pluhur apo lëng, lexoni udhëzimet me kujdes. Shtimi i shumë pak sasi të ujit mund ta mundojë veshkat e foshnjës dhe të shkaktojë dehidrim, ndërsa shtimi i sasive të tëpërta të ujit do ti ja shkurtojë kaloritë dhe materiet ushqyese gjë e cila mund të ndalojë rritjen dhe të bëhet pengesë për të përparuar. Për përzierje të saktë, mund të përdorni kapakët standard për matje në vend të vizave të shënuara në shishen tuaj.
5. Uji i sterilizuar
Në qoftë se jeni duke përdorur formulë pluhur apo formulë lëng koncentrat, atëherë është më së miri ta përzieni me ujë të sterilizuar më parë me anë të vlimit, posaçërisht në muajt e parë. Thjesht hidhni ujë të ftohet në tenxhere dhe e vloni për rreth 1 minutë. (Të zierit për më shumë se 1 minutë mund të mbledh minerale dhe gjëra tjera siç është plumbi në ujë. Mbani në mend se uji i mbushur në shishe nuk është medoemos steril, dhe poashtu nuk është patjetër steril edhe uji i cili ka kaluar nëpër filtër. Në të vërtetë, filterat të cilat janë të montuar nëpër kuzhinetat të cilat nuk janë ndërruar për një kohë të gjatë mund të përmbajnë bakteria. Mund të bleni shishe të sterilizuar, por kini kujdes që në shishe të shkruan qartazi rreth kësaj gjëje. Po ashtu mund të këshilloheni me mjekun tuaj për kualitetin e ujit në vendin ku jetoni dhe ta pyetni se a mendon ai se ka nevojë që ta vloni ujin për formulën e foshnjës tuaj, pasi që kualiteti i ujit varon.
Vetëm përgatitni sa do të përdorni mbrenda 24 orëve, dhe ktheni mbrapa në shishe çdo gjë që tepron
Duke u bazuar se sa formulë ka nevojë foshnja juaj përgatitni sa mendoni se do të keni nevojë në 24 orët e ardhshme. Njëherë si të keni përzier formulën pluhur apo formulën lëng të koncentruar, futeni në frigorifer menjëherë, dhe mos lejoni që të ftohet jashtë frigoriferit, dhe konsumoni mbrenda 24 orëve. Ndiqni instruksionet për ruajtje, të shkruara në kapakun e formulës mbasi ta keni hapur atë. Disa kompani këshillojnë mbulimin e formulës se mbetur dhe përdorimin e saj mbrenda 24 orëve, të tjerët sugjerojnë përdorimin mbrenda 48 orëve. Një këshillë: Për të evituar hargjimet e panevojshme dhe humbjen e kohës përzieni një sasi të madhe të formulës në mëngjes dhe ndani në 3–4 shishe nga 85 deri 115 gram të cilat mund ti ruani në frigorifer dhe ti përdorni gjatë tërë ditës.
Nuk jam vrasës, jam student shqipëtar, vrava një tradhtar të Atdheut tim.
(Avni Rustemi)

User avatar
Sally
Galactic Member
Galactic Member
Posts: 2066
Joined: Tue Jun 09, 2009 2:36 pm
Gender: Female

Re: Zgjidhja e problemeve me të sapolindurit

#4

Post by Sally » Sat Jul 24, 2010 10:23 am

Si mëson fëmija të pijë më orar


Fëmija mësohet të pijë më orar në qoftë se nëna e vë në jetë këtë rregull që në ditët e para pas lindjes. Fëmijët përshtatën shpejt dhe e pëlqejnë ushqyerjen me orar. Në rast së fëmijën nuk e vëmë në gji me orar, ai do të mësohet të pijë në mënyrë të çrregullt, kohë pa kohë dhe qumështi do të zërë qumështin ende pa tretur në stomakun e tij. Këta fëmijë nuk janë të qetë dhe qajnë shpesh pa arsye të dukshme. Nëna përpiqet ta qetësojë atë duke e vendosur përsëri në gji. Kjo mënyrë të ushqyeri i sjell dëme fëmijës. Ushqyerja e çrregullt, pa boshatisje të plotë të gjirit, bëhet shkak për pakësimin e ndjeshëm të qumështit. Ushqyerja e çrregullt pengon ritmin e përshtatshëm të jetës së nënës, gjumin e pushimin e saj. Oraret e ushqyerjes së fëmijës me gji ndryshojnë me moshën e fëmijës, me peshën dhe me gjendjen shëndetësorë.

Përbërja e qumështit të nënës
Qumështi i nënës ka përbërje të tillë që i përshtatët plotësisht nevojave të foshnjës gjatë 5-6 muajve të parë të jetës. Qumështi i nënës tret plotësisht dhe me lehtësi nga organizmi dhe aparati tretës i fëmijës. Persë tretet më lehtë dhe ndikon në zhvillimin e fëmijës? Dihet rëndësia që kanë proteinat për zhvillimin e trupit dhe të trurit. Proteinat në qumështin e gjirit gjenden në atë sasi që i duhen organizmit të fëmijës. Ato kanë një përbërje të veçantë dhe thithën e përvetësohen plotësisht nga organizmi i tij. Proteinat në qumështin e lopës gjenden në sasi më të madhe, por ato përvetësohen pak dhe keq nga fëmija. Yndyrnat në qumështin e gjirit gjenden në sasi mjaft të madhe. Përbërja e tyre është e tillë që plotësojnë nevojat e organizmit pa e lodhur atë. Yndyrnat në qumështin e lopës janë më pak të tretshme dhe me vlerë më të pakët. Sheqernat në qumështin e gjirit gjenden në një
formë të veçantë (laktozë) që tretët lehtë, ushqen mirë fëmijën dhe pengon zhvillimin e mikrobeve në zorrët e tij. Qumështi i lopës e ka laktozën në sasi më të pakët dhe më pak të tretshme, kështu që detyrohemi ta plotësojmë me sheqerin e zakonshëm që nuk është shumë i përshtatshëm për fëmijën e vogël. Vitaminat gjenden në sasi në qumështin e nënës. Ato kalojnë në gojën e fëmijës pa u dëmtuar. Përkundrazi, shumica e vitaminave që gjenden në qumështin e lopës dëmtohen sepse ky qumësht zihet para përdorimit. Disa vitamina që mungojnë ose gjenden në sasi të pakët në çdo lloj qumështi, duhet t'i shtohen fëmijës në një moshë të caktuar. Fëmija ka nevojë për vitaminë D dhe C edhe kur është me qumësht gjiri, por në sasi më të pakët se sa kur është me ushqyerje të huaj. Qumështi i gjirit përmban disa lëndë mbrojtëse që nuk gjenden në qumështin e lopës. Këto lëndë që quhen antikorpe, lizozime, etj. mbrojnë zorrët dhe gjithë organizmin nga zhvillimi e shumëzimi i disa baktereve të dëmshme. Qumështi i nënës kalon në gojën e fëmijës i pastër dhe pa mikrobe. Qumështi i lopës kalon një rrugë më të gjatë deri në gojën e fëmijës. Gjatë kësaj rrugë marrin papastërti edhe qumështi edhe ena ku vendosët ky qumësht. Qumështi i nënës ka gjithmonë temperaturën e përshtatshme për fëmijën. Ushqimi i huaj nuk e ruan këtë temperaturë si qumështi i gjirit që është më e pëlqyeshmja për fëmijën. Ushqyerja me gji krijon lidhje të shpejtë afrimi e tërheqje midis nënës dhe fëmijës. Kjo ka rëndësinë e vet të veçantë. Duhet të bindemi për vlerat që ka qumështi i nënës. Çdo ndryshim apo shtesë në ushqim duhet bërë me kujdes.
Nuk jam vrasës, jam student shqipëtar, vrava një tradhtar të Atdheut tim.
(Avni Rustemi)

User avatar
Sally
Galactic Member
Galactic Member
Posts: 2066
Joined: Tue Jun 09, 2009 2:36 pm
Gender: Female

Re: Zgjidhja e problemeve me të sapolindurit

#5

Post by Sally » Sat Jul 24, 2010 10:30 am

Këshilla për një ushqyerje të shëndetshme të fëmijëve



Kur duhet të fillojë dhënia e ushqimeve shtesë tek foshnjat
Ushqimi vetëm me gji për moshën nga 4-6 muaj është ideal. Përpjekjet e disa nënave për të filluar ushqimet solide më herët se muaji i katërt, janë të gabuara. Por edhe fillimi i ushqimeve solide më vonë se 6 muaj, nuk është i këshillueshëm, sepse fëmija mund të mos reagojë mirë në ushqyerje. Periudha më e përshtatshme e fillimit të ushqimeve të tjera, përveç qumështit të gjirit, është nga muaji i 4-6 i jetës së fëmijës. Në këtë periudhë, aparati tretës i fëmijës arrin të thithë dhe të tresë, përveç qumështit të gjirit, edhe ushqime të tjera. Po ashtu, funksioni i veshkave përballon një sasi më të madhe proteinash dhe mineralesh.


Cilat janë ushqimet më të përshtatshme në këtë moshë?
Varet nga tradita familjare, ose preferenca e prindit në përzgjedhjen e ushqimit të parë shtesë. Mund të fillohet me drithërat. Preferohet mielli i orizit, për vetitë hipoalergjike. Por mund të fillohet edhe me pure zarzavatesh. Këto gatime duhet të përgatiten me qumësht industrial (formula standarde), të paktën deri në fund të vitit të parë. Qumështi i lopës në këtë periudhë nuk këshillohet, për mangësitë në përbërje, ku më e rëndësishmja është deficiti në hekur, që shkakton aneminë tek fëmija. Ushqimi i ri duhet filluar me sasi të vogël, për t’u shtuar gradualisht, në varësi të tolerancës së stomakut të fëmijës. Pasi të jetë mësuar me ushqimet e para, gradualisht shtohet mishi i homogjenizuar, djathi, veza etj.
Duhet të kihet parasysh që ushqimet solide të jepen me lugë, në mënyrë që të mësohen reflekset e përtypjes nga fëmijët. Po ashtu lëngjet duhet të pihen me gotë, sepse dhënia me biberon, sidomos e lëngjeve të frutave mund të favorizojë kariesin.




Këshilla për prindërit në këtë periudhë
Duhet të vihen re ndryshimet nga fillimi i ushqimeve të reja tek fëmija. Kështu, së pari, duhen vërejtur ndryshimet në traktin tretës (shfaqja e diarresë, të vjellave, dhimbjeve të barkut etj). Po ashtu duhen vënë re ndryshimet në lëkurë: rash, urtikarie si dhe ndryshimet në traktin respirator: vështirësi në frymëmarrje, shenja këto të një alergjie ushqimore.


Çfarë mund të bëhet kur fëmija refuzon ushqimin?
Në përgjithësi refuzimi i ushqimit është problem gjatë periudhave të sëmundjeve, kur anoreksia dhe refuzimi i ushqimit është i paevitueshëm. Duke qenë se sëmundja është e përkohshme, mjafton të mbështetet sipas rastit me dhënie lëngjesh nga goja, ose në venë (parenteral), për të evituar rënien në peshë. Prindërit duhet të dinë se rregullat “e rrepta”, pa marrë parasysh oreksin dhe dëshirën e fëmijës për t’u vetushqyer, pëlqimin, ose jo nga fëmija e një ushqimi të caktuar, shpesh bëjnë efekt të kundërt. Pra, në vend që të nxisin fëmijën në ushqyerjen, e shtyjnë ta refuzojë. Në periudhat pa oreks nuk duhet insistuar të merret patjetër e gjithë sasia e ushqimit.



Si duhet të jetë ushqyerja në fëmijët 1-3 vjeç?
Në këtë moshë fëmija ka prirje të jetë i pavarur në ushqyerje dhe kjo duhet inkurajuar. Mbas vitit të parë, ushqimi duhet të jetë i pasur me të gjitha komponentët, por të përpunuara mirë në drejtim të zierjes dhe grimcimit. Gjatë vitit të tretë të jetës, me plotësimin e gojës me dhëmbë, ushqimi gradualisht i afrohet ushqimit të të rriturit.Në këtë periudhë fëmijët manipulojnë me ushqyerjen për të tërhequr vëmendjen dhe për të arritur plotësimin e dëshirave të tyre. Këtu mund të fillojnë gabimet në ushqyerje, për shkak të produkteve ushqimore të gatshme, zakonisht të shijshme, shpesh të ëmbla, që reklamohen në treg. Kjo është arsyeja që në këtë periudhë, rreziku i fillimit të obezitetit të jetë mjaft i lartë.


Këshilla
Gjatë ushqyerjes së fëmijës duhet mbajtur parasysh që:
-Konfuzioni dhe zhurma në kohën e ushqyerjes i tërheq vëmendjen fëmijës;
-Nuk duhet mbajtur televizori hapur në kohën e ngrënies;
-Duhet të evitohen diskutimet me zë të lartë;
-Nuk duhen bërë komente negative për ushqimin nga të rriturit, gjë që influencon edhe tek fëmija;
-Duhet inkurajuar dëshira e fëmijës për t’u ushqyer vetë pas vitit të parë;
- Lejojeni fëmijën të ushqehet në tavolinë me gjithë familjen;
- Edukojeni fëmijën të ushqehet me orare, ku 3 vakte të jenë të mëdha dhe 2 vakte të ndërmjetme, që mund të jenë fruta, ose lëngje frutash, kos me fruta etj., zakone që duhet të vazhdojnë edhe në moshë më të rritur.
Nuk jam vrasës, jam student shqipëtar, vrava një tradhtar të Atdheut tim.
(Avni Rustemi)

Post Reply

Return to “Shkencat humane dhe shoqërore”