Kongresi i zi i Edvinit
Rama mbrojti dje imazhin e tij si hajni më i madh i politikës, duke grabitur postin e kryetarit të PS-së dhe duke paralajmëruar se do të shpallë së afërmi grupin armiqësor të Ben Blushit e Arben Malajt. Me tone radikale, ai riktheu metodat enveriste dhe zgjodhi si “byrekun e kongresmenëve” Maqo Lakrorin, në një ditë që s’mund të pranonte kurrfarë vendimi demokratik. Partia e Edvinit shpalli mosnjohjen e zgjedhjeve dhe klasifikimin e Ramës si një vlerë të përjetshme të cilën s’do të ketë humbje që do ta trondisë, sa kohë me të do të jenë Gramozi, Namiku dhe ikonat e tjera të Sigurimit të Shtetit
Me një shfaqje të koordinuar të stilit fashist me atë stalinist, është mbyllur kongresi i jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste. Në përfundim, pothuajse është e sigurt shpallja e grupit armiqësor, që drejtohet nga Ben Blushi, e që në brendësi të tij janë Arben Malaj, Andis Harasani, Kastriot Islami, Bashkim Fino e mjaft deputetë të tjerë. Në përfundim është shfaqur edhe Namik Dokleja i Ramiz Alisë. Këtë herë ka qenë radha e Maqo Lakrorit, i cili po kërkon që të përçajë edhe më tej antiedvinistët, duke tentuar që fitoren e kryetarit mandatprerë ta bëjë edhe më spikatës. “Kongresi i Vazhdimësisë”, i thirrur si i Jashtëzakonshëm dje nga Partia Socialiste, thelloi edhe më shumë dasitë që ekzistojnë mes mbështetësve të Edi Ramës dhe kundërshtarëve të tij, që kërkojnë nga ai të marrë përsipër përgjegjësitë e humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit.
Pas këtij Kongresi, sikurse u shpreh edhe Ben Blushi, PS-ja rrezikon të dalë edhe më e dobët, ndërsa Edi Rama po i grabit kësaj partie, kryetarin e vet. Përmes forcës së kartonit, “kongresmenët” e PS-së, nëpërmjet një votimi të hapur, rrëzuan paketën e ndryshimeve në Statutin e PS-së të propozuar nga Ben Blushi. Megjithë apelin e Ben Blushit para votimit të kërkesës për diskutimin e ndryshimeve në Statut, për transparencë ndaj publikut, thirrja e përsëritur nuk i ndryshoi rregullat e imponuara përmes forcës së kartonit, nga “kongresmenët” mbështetës të Edi Ramës. Në kongres, u tha se nuk mund të hidhej nën shqyrtim paketa e ndryshimeve statusore pasi nuk ishte objekt i këtij kongresi të jashtëzakonshëm që ka për qëllim vetëm të zgjedhë kryetarin e ri. Marko Bello, një ndër kritikët e Ramës, deklaroi pak pas votimit të “paketës Blushi”, se mund të ketë një kongres tjetër të kësaj partie që do të mblidhet posaçërisht për diskutimin dhe hedhjen në votë të paketës me ndryshime në statusin e PS.
Në përfundim të këtij procesi votimi, Ben Blushi iu rikthye kritikave të tij ndaj Edi Ramës. Duke folur edhe për procesin e votimit të hapur të platformës së tij për ndryshime në Statut, Blushi bëri të ditur se, votimi i hapur i frenoi delegatët të shpreheshin lirshëm. “Për fat të keq PS rrezikon të dalë më e dobët pas këtij kongresi, sepse nuk është me hapin e shoqërisë. Shoqëria kërkon një parti të hapur, demokratike, funksionale, e cila të thotë të vërtetën siç ka ndodhur apo e cila ballafaqon të vërtetat brenda saj. Kjo gjë po mohohet dhe natyrisht që PS-ja sot është më e dobët se dje. Për fat të keq Edi Rama duke thyer Statutin, të cilin e ka propozuar vetë dhe sipas të cilit mandati i kryetari që humbet zgjedhjet ndërpritet, nuk ka arsye të riciklohet duke pretenduar se do të zgjidhet për 4 vjet. Pra, duke lexuar Statutin sipas interesit të vet po grabit kryetarin e PS. Edi Rama po i grabit PS, kryetarin e vet. Këto janë shkelje të rënda me të cilat unë nuk mund të pajtohem dhe vazhdoj të flas.
Një parti politike rrezikon imazhin e vet, dhe jo vetëm kaq, por dhe kohezionin e brendshëm në rast se bashkohet rreth një njeriu, i cili shkel kontratën me të tjerët. Është njësoj sikur shoqëria të bashkohet rreth një njeriu i cili shkel ligjin. Në qoftë se PS amniston shkeljen e statutit vë në pikëpyetje ekzistencën e vet”, u shpreh dje shprehet Blushi. Ndërkohë Ben Blushi, përveç pakënaqësive për mënyrën e votimit dhe të rrëzimit të platformës së tij, nuk kurseu kritikat e përsëritura ndaj Edi Ramës. “Rama hyri me frikë në zgjedhje. Nuk kandidoi për deputet dhe nuk debatoi me Berishën”, dhe të gjitha këto sipas Blushit sollën humbjen PS-se. Blushi tha se Rama nuk ka aftësi të negociojë dhe për këtë PS humbi në zgjedhjet presidenciale dhe për shkak se Rama nuk ka aftësi të bëjë kompromis, nje grup socialistësh u larguan nga PS për të krijuar PSV ‘91. “Rama në këtë kongres nuk po merr një mandat të ri, por po zgjat mandatin e vjetër” është shprehur Ben Blushi midis të tjerave në fjalimin e mbajtur në kongres. Përtej akuzave, Edvini u shfaq gjithë ditën si njeriu që ka fatin e vet personal shqetësimin më kryesor dhe që është krejt i pashpirt kur janë në diskutim solidariteti i PS-së, mbetja e saj e bashkuar, kohezioni brenda fraksioneve opozitare, por së pari dhe më e rëndësishmja, sjellja e trupës ligjvënëse të PS-së në parlament.
Rama konfirmoi se veç fati personal e shqetësonte dhe se për të ishte gati të sakrifikonte një pjesë të rëndësishme të strukturave, por edhe të bënte gjëra të pabëra, më shumë se të turpshme. Dje ai doli krejt lakuriq (në kuptimin politik të fjalës), dhe u tregua ai që të gjithë e pandehin: hajni që vjedh gjithçka për interes të vet. Blushi deklaroi dje se Rama po vidhte postin e kryetarit të partisë, ndërkohë që për të fashitur zhurmën, Edvini i “qerasi” kongresmenët me Maqo Lakrorin, si byrek i ditës. Maqua ishte paracaktuar si Namik Dokleja i 2009-s. Kongresi pati fund e krye stilin e Ramiz Alisë dhe në fakt nxori të njëjtin produkt.
Vazhdimësia ishte një pozicion meskin që i konvenonte shumë Edvinit dhe të shihje elozhet aposteriori të Gramozit, Artës, Valentinës, Namikut, Pandit, Erionit e të tjerëve (siç i thërriste me familjaritet Rama), kuptohej qartë se qëllimi ishte arritur, kongresi kishte përmbushur zezonën e parashikuar dhe se tashmë rruga drejt kalcifikimit në opozitën e marrë peng nga mafia ishte edhe më e garantuar. Sa për kronikë, mund të themi se Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS-së i vijoi dje diskutimet për procesin zgjedhor të 28 qershorit me një përballje të fortë qendrimesh. Mbështetësit e deputetit Ben Blushi dhe të kandidatit për kryetar Arben Malaj, diktuan për faktin se zgjedhjet duhen pranuar dhe se e vërteta duhet pare në sy. “PS ka humbur dhe duhet thënë e vërteta. Rama nuk duhet të kandidojë”, shpreheshin në diskutimet e tyre, delegatët kundërshtarë të Edi Ramës.
Në të kundërt të rrëzimit të platformës së Ben Blushit, Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS-së miratoi dje rezolutën për mosnjohjen e zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara më 28 Qershor të këtij viti. Rezoluta e Asamblesë së PS mori shumicën e votave pro, vetëm 4 vota kundër dhe një abstenim. Sikurse pritej, Kongresi i jashtëzakonshëm i PS-së, i zhvilloi punimet e tij në prani të kamerave, vetëm kur foli Gramoz Ruçi dhe Edi Rama. Gramoz Ruçi ishte zgjedhur për të denoncuar “vjedhjen e votave” sipas alibisë së PS-së, ndërsa Edi Rama, i cili në prezantimin e platformës ë tij konkurruese për kryetar partie, bërtiste më shumë vetë, se sa duartrokitjet e mundshme, të tipit “sa për ti bërë qejfin kryetarit”.
Në fjalën e tij, Edi Rama, dukje se ishte në një takim elektoral, ku vetëm anëtarësisë së PS-së, nuk i drejtohej për shkaqet e humbjes dhe përgjegjësinë e tij në këtë humbje zgjedhjesh. Kongresi i mbylli punimet pasditen e djeshme, duke marrë edhe vendimin për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar partie, sipas parimit “një anëtar një votë”, në 26 shtator të këtij viti. Në garë, pas dorëheqjes ë Arben Malajt, kanë mbetur vetëm Edi Rama dhe “byreku i kongresmenëve”, Maqo Lakrori
Kastriot Islami: “Frika për të ngritur dorën, tregues për tendenca përjashtues në PS”
Deputeti i PS-së Kastriot Islami u shpreh se ka një tendencë në PS për përjashtime dhe për të goditur kundërshtaret. Sipas tij Partia Socialiste është tronditur thellë dhe se ekziston frika që procesi për zgjedhjen e kryetarit të jetë jo legjitim. “PS-ja dallonte nga partitë e tjera për shkak të frymës demokratike dhe është hera e parë që të gjitha gjërat janë bërë me forcën e njëshit”, theksoi Islami. Ai gjithashtu shtoi se shumica e delegatëve nuk janë dakord me atë çfarë po ndodh në PS duke paraqitur edhe disa nga defektet që sipas tij janë vendimi i kryetarit për të shkelur statutin dhe për të kandiduar, mosmbledhja e kryesisë për mospranimin që kongresi të bëhej i hapur për mediat. “Ne kemi mbi 300 firma dhe 200 të tjerë janë të gatshëm për ta firmosur por kanë frikë të shënojnë emrin, fakti që njerëzit kanë frikë për ta ngritur dorën tregojnë që gjërat nuk po shkojnë mire”, theksoi Islami
Eva Allushi: “PS-ja duhet të analizojë shkaqet e humbjes në zgjedhjet e 28 qershorit”
Kongresi i Partisë Socialiste duhet të analizojë shkaqet e humbjes së saj në zgjedhjet e qershorit. Kështu është shprehur dje, anëtarja e kryesisë së PS-së Eva Allushi. Sipas saj, “duhet të bëhet një analizë e thellë për shkaqet që e çuan PS-në në humbje në zgjedhjet e qershorit”. Allushi gjithashtu u shpreh edhe për punimet në Kongresin e Jashtëzakonshëm duke denoncuar faktin se paketa e ndryshimeve statusore të propozuara nga deputeti Ben Blushi u rrëzua nga delegatët e Kongresit gjatë një votimi hapur.
Artan Lame: “Edi Rama i humbi zgjedhjet dhe me mosdorëheqjen e tij, po përçan PS-në”
Anëtari i Asamblesë së Përgjithshme të PS-së, Artan Lame ka deklaruar se Partia Socialiste ndodhet në prag të një përçarje të thellë. Në një prononcim të tijin, Lame ka theksuar se shkak i kësaj përçarje është Edi Rama, i cili nuk dha dorëheqjen nga posti i kryetarit pasi humbi zgjedhjet. “Jemi në pragun e një krisje të brendshme në parti. Dynjaja që e ka shpikur rregullin që kryetari që humb zgjedhjet ikën, ka bërë gjënë më të mirë pasi shmanget përçarja. Arsyeja kryesore që kryetari detyrohet automatikisht të tërhiqet është që të mos ketë përçarje në parti. Rregullat bëhen më përpara për arsyen që njerëzit të mos ndahen”, ka pohuar Lame
Ylli Manjani: “Me mosdorëheqjen, Edi Rama po merr strehim në sqetullën e ‘politikës së vjetër’”
Juristi i PS-së, Ylli Manjani ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 28 qershorit Partia Socialiste është bashkuar me politikën e vjetër, pasi kryetari i saj Edi Rama nuk ka dhënë dorëheqjen siç e parashikon statuti. “Rama, krejt pa pritur, sot është futur në sqetullën e politikes së vjetër. Nëse në fushatë thuhej se politikani që humb zgjedhjet duhet të largohet, sot po thuhet që ky politikan të rikandidojë”, ka pohuar Manjani. Manjani ka theksuar se do apo nuk do, PS i ka humbur zgjedhjet e 28 qershorit dhe kjo është diçka që duhet të pranohet. “Jemi përpara një fakti të padëshiruar që ne i kemi humbur zgjedhjet. Kjo është një fakt, pavarësisht arsyet. Një pjesë thotë se zgjedhjet janë humbur ngaqë i vodhi Berisha, ndërsa të tjerë thonë se janë humbur për shkaqe të tjera. Por ne sot jemi këtu për të insistuar që gjithçka të pranohet ashtu siç është”, ka deklaruar Manjani. Sipas tij, edhe zgjedhjet për kryetarin e partisë janë të kota, pasi nëse kandidon Rama ka shume mundësi që ai t’i fitoje ato. “Nuk ka kuptim që të ketë zgjedhje për kryetarin. Do të kandidoje Edi Rama dhe do të fitojë. Nuk ka alternativë tjetër”, ka shtuar Manjani




