"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Themelimi i PD-së, Berisha ishte në Itali

Flisni për politikën shqiptare, ndikimi i saj në jetën tuaj, mund të diskutoni për partitë politike shqiptare dhe frymën e to lerances ne politikën shqiptare.
Post Reply
zippo
Regular Member
Regular Member
Posts: 64
Joined: Thu Nov 12, 2009 3:50 am
Gender: Male

Themelimi i PD-së, Berisha ishte në Itali

#1

Post by zippo »

Ilda Lumani

Fillim-dhjetori është kohë kur çdo vit risillet në mendjen e të gjithëve viti 1990, koha e ndryshimit të madh. Formimi i Partisë Demokratike. Si çdo përvjetor organizohen përkujtimore dhe festa. Edhe këtë vit kryeministri i vendit,
Sali Berisha ka lajmëruar se në datë 8 dhjetor do të organizohet një protestë festive për këtë rast. Në fakt, themelimi i PD-së është bërë në 12 dhjetor 1990 (ditët vendimtare kanë qenë 8-12 dhjetor), por para se të mbërrinte ajo datë,
ishte një proces që kish ditë që kishte fi lluar dhe që u konkretizua në atë ditë të madhe të lirisë. Po kush ishin themeluesit e parë të Partisë Demokratike? Çfarë ka ndodhur me studentët themelues të Partisë Demokratike? Sot do të sjellim në vëmendjen tuaj pikërisht atë moment të quajtur me të drejtë historik, kur 365 njerëz, në një mendje të vetme vendosën të themelonin Partinë Demokratike. Një ditë më pas, më 13 dhjetor 1990 u shënua edhe dita e parë e mbledhjes së komisionit nismëtar të PD-së.
THEMELIMI
Berisha feston sot 8 dhjetorin, por në 8 dhjetorin e vitit 1990 ai nuk ishte mes themeluesve të PDsë. Ai ndodhej në Itali, ndërkaq në listën e themeluesve të PD-së në 12 dhjetor, Berisha është i regjistruar i dyti në listë, por në dokument
mungon numri i pasaportës së tij. Mbledhja e themelimit të PD-së është bërë në Qytetin Studenti; Zyra e parë ka qenë tek godina nr. 15, më pas u kalua tek Kinoklubi. Në dokumentet e siguruara, faksimilet e të cilave edhe po i botojmë, themelues të PD-së kanë qenë: Aleksandër Meksi, Sali Berisha, Azem Hajdari, Gramoz Pashko...
Edmond Budina, Bardhyl Reso, Arben Imami, Genc Ruli, Preç Zogaj, Genc Pollo, Eduard Selami, Merita Zaloshnja, Shinasi Rama, Arben Lika, Blendi Gonxhe, Tefalin Malshyti, Arben Meçe, Arben Demeti, etj. Nga këta 18 personazhe, kryesorët e krijimit të Partisë Demokratike, vetëm katër vazhdojnë të jenë pjesë e PD-së, 2 nuk jetojnë më (Azem Hajdari dhe Gramoz Pashko), ndërsa 12 të tjerë nuk janë më pjesë e kësaj partie. Jo rastësisht Afrim Krasniqi, një prej studentëve kryesorë që krijuan “Unionin Studentor”, hedh një pyetje në këtë prag përvjetori: “...Kur një parti politike kujton përvjetorin e krijimit, pyetja e parë që vjen ndërmend është, kush e ka krijuar këtë parti, kush e ka drejtuar, kush është identiteti i saj politik? Si për të gjitha partitë politike shqiptare, edhe për Partinë Demokratike përgjigjja e këtyre pyetjeve të vë në vështirësi". Më tej ai komenton se "kjo ndodh sepse në Partinë e sotme Demokratike nuk ka kujtesë institucionale, nuk ka arkiv historik, nuk ka sistem meritash dhe historia ribëhet e bëhet sa herë dikush merr një post të lartë drejtues". "PD-ja premtoi që ditën e parë të krijimit se do ta çrrënjoste këtë mentalitet komunist dhe përjashtues, duke krijuar një sistem të ri vlerash, meritash dhe konkurrimi demokratik. Fatkeqësisht, edhe sot pas 18 vitesh, asgjë nuk ka ndryshuar në aplikimin e këtij modeli të vjetër antivlerë dhe anti-kujtesë", - shton ai.
Zgjedhjet për kryetar
Mesi i shkurtit të vitit 1991 do të shënonte kohën e formimit të strukturave të Partisë Demokratike. Ishte koha kur do të zgjidhej kryetari dhe sekretari i kësaj partie. Por, si shkoi kjo mbledhje në fakt? Si u votua dhe kush ishin kandidatët... Përmes dokumenteve (të cilat nuk janë tërësisht të plota, fatkeqësisht) që do të sjellim sot, shohim se mbledhja ku do të votohej kryetari dhe sekretari i PD-së nuk ka shkuar ashtu siç pritej. Në votimin e parë të realizuar në 12-14 shkurt të vitit 1991, kandidatë për kryetar partie ishin Aleksandër Meksi, Azem Hajdari, Genc Ruli dhe M. Zaloshnja. Në këtë votim, kryetari i Partisë Demokratike u zgjodh Aleksandër Meksi dhe sekretar, Eduard Selami. Por me këtë votim duket se nuk janë kënaqur të gjithë. Sipas dokumenteve të shkruara me dorë, thuhet se menjëherë pas shpalljes së vendimit, Azem Hajdari ka dalë nga mbledhja, pas tij edhe Ben Imami. Ndërsa Sali Berisha është shprehur: "S'jam fare dakord". Po atë ditë, Sali Berisha është bërë kryetar i PD-së, më 14 shkurt 1991.
Gazeta Shqiptare
Zippo
zippo
Regular Member
Regular Member
Posts: 64
Joined: Thu Nov 12, 2009 3:50 am
Gender: Male

Re: Themelimi i PD-së, Berisha ishte në Itali

#2

Post by zippo »

Themelimi i PD-se,Sinasi Rama: Prapaskenat e Alise me Saliun e te tjeret

Ilda Lumani

Mes të ftohtit të dhjetori dhe dimrit, viti 1990 solli edhe një erë të re, të vështirë për t’u pranuar nga mentaliteti i kohës, drejtuesit e vendit dhe gjithë ithtarët e Partisë së Punës: pluralizmi politik. I papranueshëm krejtësisht, por i pashmangshëm gjithsesi. Shinasi Rama, një nga themeluesit e Partisë Demokratike, vjen në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” duke na treguar përpjekjet e gjithë atyre njerëzve që kërkonin një Shqipëri ndryshe. Takimi me udhëheqësin Ramiz Alia, debatin e tij me të, ndërsa Rama kërkonte pluralizëm politik. Përse refuzoi Sali Berisha të ishte bashkë me studentët në këtë takim? Apo edhe fakte të tjera, si debatet gjatë këtij takimi me vetë studentët, mes tyre edhe me Azem Hajdarin. Më tej, Shinasi Rama tregon për formimin e Partisë Demokratike dhe rolin e dyfishtë të Sali Berishës, si i dërguar i Ramiz Alisë...
A mund të sillni në vëmendjen e lexuesve ato ditë të fillim dhjetorit të vitit 1990... Si i kujtoni sot?
Ato ditë kanë qenë ditët e vërteta të romantizmit rinor shqiptar. Të gjithë e dinin se sistemi duhej shembur, puna ishte jo vetëm që gërmadha të mos zinte njeri brenda, por edhe se duhej menduar mirë se çfarë sistemi do të ndërtohej. Tash gjykoj se, në vija të trasha, për aq sa më takon mua e shokëve të mi, idetë i kemi pasur shumë të dobishme e shumë të qarta si për gjendjen, ashtu edhe për rrugën ku duhej shkuar. Mendoj se Lëvizja Studentore, e cila filloi në dhjetor të vitit 1990, por vazhdoi deri në prill të vitit 1991, luajti një rol të dorës së parë në fillimet e tranzicionit. Lëvizja Studentore ka merita të pakrahasueshme për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë politike, për shmangien e luftës civile, për vendosjen e sistemit pluralist, për krijimin e partive opozitare, për shembjen e mitit të Enver Hoxhës e të legjitimitetit të PPSH-së, për çlirimin e energjive intelektuale e për dhënien e shembullit të shërbimit publik në një moment shumë kritik për shqiptarët. Unë i kujtoj ato ditë me respekt e nderim, dhe më vjen shumë keq kur shoh e dëgjoj ish-pjesëmarrës që e shtrembërojnë të vërtetën për përfitimet e ditës. Është e vërtetë që shumë studentë u përdorën nga intelektualët, por është edhe më e vërtetë që ne i përdorëm intelektualët duke i detyruar që të bënin atë që donim ne, veçanërisht gjatë rrëzimit të mitit të Enver Hoxhës, dhe pasojat dihen. Ajo periudhë është pjesë e çmuar e historisë së shqiptarëve. Veprimet tona kanë qenë të menduara mirë e në shërbim të interesave të tyre. Ne mund të kemi humbur shumë si njerëz e si individë, e prandaj nuk jemi në politikë, por vendi e kombi fitoi nga sakrificat tona dhe për këtë jemi e duhet të jemi gjithnjë krenarë.
Ju keni qenë në takimin me Ramiz Alinë. Ekzistojnë disa të vërteta të atij takimi. A mund të na e riprodhoni me pak fjalë kërkesat e studentëve dhe përgjigjet e zotit Alia?
Nuk ka 100 të vërteta, ka një të vërtetë. Ajo është e regjistruar dhe të gjithë e kemi nga një kopje të regjistruar të takimit, pavarësisht manipulimeve e shtrembërimeve që i janë bërë në media, e pavarësisht asaj çka flitet nga ish-pjesëmarrësit apo të tjerët. Ne kemi shkuar atje me një listë kërkesash që ishin shumë të drejta për një kohë tjetër, por krejt të tejkaluara për momentin historik që u krijua. Thelbi i veprimit tonë ishte që të përdoronim masën studentore, entuziazmin e krijuar dhe mbështetjen popullore për ta transformuar këtë Lëvizje Studentore në një Lëvizje historike, shumë të ndryshme nga revoltat e rebelimet e mëparshme si demonstratat në Shkodër e në Tiranë, ikja nga ambasadat, rebelimi i Kavajës, i Elbasanit, traktet e Korçës e me radhë.
Duhet t’i vëmë pikat mbi ‘i’. Ka pasur një debat lidhur me atë se çka do të kërkonim. Në bisedë me drejtuesit e tjerë të Lëvizjes, unë iu thashë se do të shkoj për të kërkuar vetëm pluralizmin politik. Mirëpo, Azem Hajdari këmbënguli se duheshin respektuar kërkesat e studentëve, ku pluralizmi ishte vetëm një pikë e shurdhër dhe e humbur diku në mes të listës. Ndjehej shumë përgjegjësia që kishim dhe ishte shumë e qartë se çfarë potenciali kishte ajo lëvizje. Për këtë arsye, ndër të tjera, kërkoja që të krijonim kushte edhe për intelektualët e Tiranës që të dilnin hapur kundër sistemit e të kërkonin atë që duhej. Personalisht iu kam thënë si Gramoz Pashkos, ashtu edhe Sali Berishës që të vinin e ta kërkonin pluralizmin me gojën e tyre e të provonin se kush ishin, por që të dy refuzuan. Kur ndërruan mendje, dihet se studentët nuk i lanë as të hynin në sallën ku po takohej Përfaqësia Studentore për të diskutuar se çfarë do të bisedohej në takimin me Presidentin Ramiz Alia.
Nga ana e tij, Presidenti Ramiz Alia kishte ardhur i përgatitur për ta përdoruar këtë takim ashtu siç i interesonte atij, d.m.th., që ta përdorte për të konfirmuar vendimin e KQ të PPSH për pluralizëm mendimi e subjektesh. Këtë vendim ne e njihnim përmendësh, se na e kishte sjellë i dërguari i tij Sali Berisha herët në mëngjesin e datës 11 dhjetor, dhe ai e kishte marrë po nga vetë Ramiz Alia. Kështu, me atë vendim do të na lejohej krijimi i një organizate intelektualësh të rinj e studentë, organizatë paralele me BRPSH. Mbas asaj ngjarjeje, Ramiz Alia do të shkonte gjithkah në botë duke thënë se, “nuk ka kërkesë për më tepër,” “në këtë fazë kaq mund të bëjmë”, “do të zhvillohemi gradualisht” e me radhë. Ai e urrente pluralizmin politik, nuk kishte si ta donte, mirëpo e papritura ishte se ai nuk priste që ne të ishim aq të pjekur sa ta dinim mirë se çka donim e si ta kërkonim.
Gjendja u acarua shumë kur ai e mbylli fjalën e tij hyrëse me ton kërcënues: “Tashti të dëgjojmë ça keni juve e ça doni juve”. Në atë kohë kjo ishte shumë e rëndë, sepse ai ishte diktatori i shtetit dhe njeriu i plotfuqishëm që e kishte lënë Enver Hoxha në vend të tij; nuk ishte e lehtë për askënd t’i kundërviheshe as atij, as atyre që të zhduknin edhe hijen me një shenjë të tij.
Mbas ndërhyrjes së Arben Demetit, e mora fjalën unë dhe mbasi bëra një ekspoze të shkurtër të historisë së pluralizmit ndër shqiptarët, vura në dukje rëndësinë e momentit historik, ia hodha poshtë vendimin e KQ të PPSH si të mangët dhe i kërkova pluralizmin e vërtetë politik në emër të kombit shqiptar e të interesave madhore të kombit. Ai dredhoi dhe nisi të hidhte fjalë andej këndej, debati midis nesh u acarua keq. Ndërhynë studentë e pedagogë, dhe në dialogun midis meje e tij ne shkëmbyem ca fjalë jo të këndshme e të rënda, mirëpo unë nuk kisha shkuar atje për të aprovuar çka thoshte Ramiz Alia. Mbi të gjitha, pluralizmi ishte një e drejtë që ne duhej ta fitonim vetë e për të gjithë shqiptarët, nuk mund të ishte dhurata e Ramiz Alisë. Mbas kërkesës sime për pluralizëm politik të mirëfilltë e pa kushte, të gjithë studentët e pedagogët e pranishëm, në vend që të më mbështesnin e ta mbyllnim takimin aty, filluan të flisnin edhe një herë për nëntë kërkesat në letër: jo duam ujë, jo duam drita, pse e lejon apo se lejon partia jonë krijimin e organizatës së studentëve e intelektualëve të rinj, pse na rrahën, e kështu me radhë.
Pat momente të rëndësishme, dhe ndërhyrja e Tefalin Malshytit që e ndau rolin e tij të Presidentit nga Sekretari i Parë, e Ben Likës që e vuri me shpatulla për muri në lidhje me rrahjen e studentëve, e Mimozës nga Vlora, lidhur me rrenat e shtypit të atyre ditëve dhe e ndonjë tjetri si Blendi Gonxhe apo Adrian Petrollari, janë momente shumë interesante të atij takimi. Megjithatë, për nja dy orë Ramiz Alia u mundua të tregonte se ishte në kontroll të gjendjes, mbajti fjalime për gjendjen ekonomike e të jashtme, u diskutua edhe një herë çështja e pronës dhe rrahja e studentëve, pati shumë shprehje respekti e përulje karshi tij, ku natyrisht u shqua Arben Imami. Në një moment, edhe Azemi i tha duke bërë me kokë nga unë: “Shoku Ramiz, këta që i çojnë dy gishtat nuk na e duan të mirën ne”. Aty e kam ndjerë veten shumë vetëm dhe jam habitur me poshtërsinë e dyfytyrësinë e disave.
Si po shkonte ai takim, ishte e qartë se do të përfundonte me një fitore të madhe të tij, edhe personale, edhe politike. Kështu, në një moment, mbasi e humba durimin, u ngrita në këmbë dhe i ulërita: “A don me e dhanë apo jo?”, dhe ai tha një ‘po’ të mekur. Kështu u fitua edhe pluralizmi politik. Edhe ai e dinte se pluralizmin e fituam ne, nuk na e bëri dhuratë njeri, as ai, askush tjetër. Kujtoj një moment mbas takimit, kur desha t’i them se politika është politikë e se jemi të gjithë shqiptarë e duhet të punojmë për të mirën e kombit. Ai as nuk pranoi të më shihte, e jo të më fliste.
Natyrisht, ai kishte edhe gurin, edhe arrën në dorë dhe kishte kohë të përgatitej që gjendja të mos i dilte prej dore. Dhe, unë e dija se ashtu do të ndodhte. Kështu, sapo u fitua pluralizmi, paria e Tiranës nuk humbi fare kohe dhe përfitoi nga momenti; ato e dinin se tash do të dilnin të gjithë të bënin partinë e vet, sepse ishte lejuar formimi i tyre. Nga ana e tij, të nesërmen, më 12 dhjetor Ramiz Alia u takua fshehurazi me të gjithë ata që u bënë lojtarët kryesorë të këtij tranzicioni, një e nga një e në grupe të caktuara dhe iu dha dritën jeshile. Mirëpo, thelbi i atij takimi ishte se mbas takimit me ne kishte ndodhur një ndryshim i thellë politik, sepse ne i kishim ndërruar rregullat bazë të lojës. Pluralizmin e kërkuam dhe e fituam vetë ne, ishte një kërkesë e pastër politike, një kontribut që nuk e jepte dot njeri dhe që e nxori vendin nga qorrsokaku ku ishte. Si Ramiz Alia, ashtu edhe të gjithë të tjerët ishin krejtësisht të vetëdijshëm se sa i rëndësishëm kishte qenë ai takim e pse ishte aq i rëndësishëm.
Kush e dha idenë për të themeluar Partinë Demokratike?
Mendimin për të formuar Organizatën e Studentëve e të Intelektualëve të Rinj e kemi diskutuar gjatë, por mendimin për të formuar partinë opozitare e kam dhënë unë, dhe veprimet e para për të bërë bashkë njerëzit i kam ndërmarrë po unë. Shiko, në atë kohë ka pasur shumë presion mbi të gjithë ne. Sistemi ishte shumë funksional dhe si u mor vesh ‘kush ishte kush’ edhe në Lëvizjen Studentore që sa kishte lindur, strukturat e shtetit u munduan që të sillnin pjesëtarët me influencë të familjeve për të ndikuar mbi ne. Në rastin e Azemit, atij i sollën të vëllanë, Rasimin, që ishte instruktor në KQ të Partisë në Tropojë. Komiteti i Partisë në Shkodër çoi një njeri tek im atë, por im atë ia la në dorë teserën e Partisë dhe i tha; merre, unë do të shkoj mbas djalit tim e nuk pranoi të bisedonte më gjatë me të dërguarin e Komitetit të Partisë. Tash, nën influencën e Rasimit, të Saliut e të Besnik Mustafajt, Azemi u ndryshua shumë. Shumë nga studentët i besonin, mirëpo tash ai kishte mendime të tjera. Ai këmbëngulte që intelektualët t’i bashkëngjiteshin Lëvizjes Studentore e ne të viheshim nën drejtimin e tyre, gjasme sepse ato dinin më shumë se ne, dhe për çdo gjë ai u bë zëdhënësi i mendimeve të tyre. Unë kisha mendimin e kundërt, d.m.th., mendoja që intelektualët e të tjerët duhej të vepronin më vete dhe ne duhej të kishim fytyrën tonë e të ndiqnim rrugën tonë.
Gjendja u bë kritike në mëngjesin e datës 11 dhjetor, kur morëm vesh se KQ i PPSH e kishte lejuar formalisht krijimin e organizatës së Studentëve e të Intelektualëve të Rinj, gjithnjë brenda rregullave ekzistuese, si organizatë paralele e rinisë. Sali Berisha, si i dërguar i posaçëm i Ramiz Alisë, na e solli vendimin e KQ të PPSH në mëngjesin e 11 dhjetorit dhe tha se, “ky është vendimi e mos kërkoni më se mandej nuk i dihet”. Pra, u pa se ata do të lejonin që të bëhej një organizatë, mirëpo unë nuk u pajtova me këtë rrugë. Isha i vendosur që në takimin që do të bëhej në darkë me Ramiz Alinë të kërkohej me forcë pluralizmi politik i mirëfilltë dhe të mos iknim prej andej pa e ndryshuar sistemin, edhe sikur të hupnim fare. Me këtë synim, para mensës, më datën 11 dhjetor, aty nga ora 10-10:30 e mëngjesit i kam thënë gruas së Gramozit, Mozës që ta sillte Gramozin nga Fakulteti Ekonomik. Ajo shkoi dhe e thirri dhe mbasi i kam prezantuar Saliun me Gramozin, iu kam thënë që të shkonin e të mblidhnin edhe intelektualët e tjerë e të bënin partinë politike se ne do t’i mbështetnim deri në fund. Mbas atij momenti ata nuk u ndanë nga njëri-tjetri. Mirëpo, kishin frikë dhe atyre që i thirrën me urgjencë tek shtëpia ku jetonte Gramozi me familje, Sokol Neçaj, Genc Ruli, Aleksandër Meksi e disa të tjerë, iu thanë se do bënin partinë e studentëve kur në fakt unë iu kam thënë hapur se ata duhej të bënin partinë e tyre.

Nesër do të lexoni

Shinasi Rama rrëfen të vërtetën e Lëvizjes Studentore të dhjetorit 1990 dhe krijimin e PD-së.
Pse Sali Berisha iku nga takimi i studentëve.
Si e kujton Shinasi Rama sherrin mes Saliut dhe Edi Ramës.
Pse nuk janë në PD themeluesit e kësaj partie.
Ku po shkon sot Partia Demokratike.
Gazeta Shqiptare
Last edited by zippo on Fri Dec 04, 2009 8:58 pm, edited 2 times in total.
Zippo
zippo
Regular Member
Regular Member
Posts: 64
Joined: Thu Nov 12, 2009 3:50 am
Gender: Male

Re: Themelimi i PD-së, Berisha ishte në Itali

#3

Post by zippo »

Sinasi Rama: Berisha dhe Pashko nuk e donin Edi Ramën në PD
Ilda Lumani

(Vijon nga numri i kaluar )

Edhe pse Sali Berisha u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike më 12 dhjetor, ai deri në janar të vitit 1991 mbeti anëtarë i PPSH-së. Shinasi Rama, një nga themeluesit e PD-së, në këtë pjesë të dytë të intervistës së tij na tregon detaje mjaft interesante të disa prej personazheve të kohës... mes të cilave, ai zbardh edhe zënkën e Edi Ramës me Sali Berishës, i cili bashkë me Gramoz Pashkon nuk e donin atë në PD. Ndërkaq, Shinasi Rama tregon për largimin e tij nga PD-ja parashikimin që kishte bërë ai dikur, se Berisha do ta çonte vendin pranë luftës civile. Sipas tij, “Saliu ua ka ngrënë kokën të gjithëve, shihini se ku janë katandisur, si ata, ashtu edhe ai vetë. Dhe, e mban vendin varur e peng, një hap pa shkuar tek lufta civile, gjendje në të cilën e çoi së bashku me palën tjetër të parisë së Tiranës në vitin 1997”...
Thuhet se Sali Berisha, kur e mori vesh që do të themelohej PD-ja dhe jo Partia e Studentëve ka ikur nga takimi?
Nuk ka rëndësi se si erdhi e si iku Saliu, rëndësi ka që ai e ndjeu potencialin që kishte kjo lëvizje politike, dhe me gjithë luhatjet e njohura të tij (ndër të tjera, ai dhe të tjerët mbetën anëtarë të PPSH-së deri në janar të vitit 1991), Saliu u bë shpejt shumë i fuqishëm në PD. Pavarësisht karakterit të dobët, ai kishte dije, kishte shumë lidhje gjithkah, ishte shumë inteligjent, njeri i strukturave dhe gëzonte shumë respekt si në intelektualët e Tiranës, ashtu edhe në popull.
Ju si pjesë e atij grupimi themeluesish, mund të na thoni se cilët kanë qenë themeluesit kryesorë të kësaj partie?
Themeluesit kryesorë kanë qenë Shinasi Rama, Sali Berisha, Gramoz Pashko dhe Azem Hajdari, që i shkonte mbrapa si dele e bindur Saliut. Njëherë unë këmbëngula për t’i përzënë këta të dy e të tjerët që vinin mbas tyre nga Qyteti Studenti. Vetëm kur e pashë se nuk kishte rrugë tjetër, se kishte ardhur e gjithë Tirana në shesh, iu thashë që do ta shpallnim partinë, por me disa kushte që i vura po unë. Dhe, njeri kusht ishte që në Komisionin Nismëtar të kishte gjashtë studentë, e jo vetëm Azemin si donte Sali Berisha. Mandej, secili solli njerëzit e tij dhe kështu u bë Komisioni Nismëtar. Për të siguruar mbështetjen e studentëve që e donin dhe e respektonin shumë Azemin, ata e mbështetën Azemin për kryetar të Komisionit Nismëtar, dhe i dhanë hapësirë të madhe, çka ishte një lëvizje e zgjuar nga ana e tyre. Edhe unë e mbështeta, jo pse i besoja, por sepse kisha bindjen se nuk kishte se ku të shkonte pa mbështetjen time e të studentëve të tjerë e do të rrinte afër nesh. Mirëpo, isha gabuar. Ndër studentët ishin Azem Hajdari, Arben Lika, Alma Bendo, Arben Sula, Blendi Gonxhe dhe Shinasi Rama. Gramoz Pashko solli Genc Rulin dhe Aleksandër Meksin. Saliu kishte Preç Zogaj, që ishte edhe mik i imi, e Arben Imamin. Përveç Arben Demetit, në sallë u propozua nga Eduard Zaloshnja, dhe u pranua edhe Merita Zaloshnja. Pak më vonë, më duket edhe Mitro Çela, por shumë shpejt u kooptuan edhe një numër njerëzish që më vonë bënë emër dhe sot numërohen ndër themeluesit e saj, si Zenel Hoxha, Tefalin Malshyti, Eduard Selami, Agron Cika, e të tjerë.
Keni qenë prezent kur ka ndodhur zënka mes Sali Berishës dhe Edi Ramës? Çfarë dini për largimin e këtij të fundit nga PD-ja?
Kam qenë prezent. Sa ishte zgjedhur Komisioni Nismëtar formalisht, dhe në mbledhjen në darkë erdhi Edi Rama. Gramozi me Saliun nuk e donin fare, ishte krejt e qartë ajo gjë. Pa u bërë partia, kishte filluar problemi i kryetarit të vërtetë dhe Edi Rama ishte një problem për ta, sepse kishte ambicie, vullnet dhe dëshirë për të kontribuar. Edi Rama kishte bërë emër e gëzonte respekt ndër studentët e Arteve dhe më gjerë. Kështu që duke e shfrytëzuar mirë gjaknxehtësinë e Edi Ramës e duke qenë shumë më të djallëzuar, këta të tjerët arritën e ia treguan vendin. Unë e njihja mjaft mirë dhe u përpoqa ta mbaj aty duke i thënë: “A mund të na gjesh një motor për të shkuar në Shkodër”? Diçka që duhej ta bënte të mendonte dhe ta shtynte të rrinte, por ai ishte shumë i nxehur. Nuk pati durimin e duhur as të dëgjonte e të kuptonte si duhet se çka i thashë dhe krisi e iku nga salla.
Përse u larguat ju nga Partia Demokratike?
Unë gjithnjë e kam parë veten si student dhe të përkohshëm në PD. Rruga e studentëve ishte edukimi dhe transformimi i universitetit në një forcë për demokracinë e për kombin. Rruga e intelektualëve dhe e të tjerëve ishte politika. Mbas pluralizmit, objektivi që mendonim se ishte kryesor ishte shmangia e luftës civile, dhe metoda që gjetëm ishte shembja e mitit të Enver Hoxhës. Pra, ajo që ndodhi në dhjetor nuk ishte rastësi. Kështu, jam i lumtur që Shoqata Studentore “Fan S. Noli”, themelues e kryetar i së cilës kam qenë, dha kontribut të çmueshëm historik në organizimin e grevës së urisë e në rrëzimin e mitit të Enver Hoxhës.
Jam larguar vetë nga Partia Demokratike, kam dhënë dorëheqjen, për shkak të mospajtimeve të mia parimore me Sali Berishën. Në dorëheqjen time, që duhet të jetë diku në arkivin e PD-së, unë kam thënë se Sali Berisha është një figurë autoritare e me probleme, që i ka tradhtuar idealet e Lëvizjes Studentore, vegël e Ramiz Alisë, dhe spiun i dyfishtë i Sigurimit dhe i UDB-së jugosllave. Kujtoj se para se të ikja nga mbledhja ku dhashë dorëheqjen, iu kam thënë atyre që ishin në mbledhje se, unë do të iki vetë, por ju që po i shkoni mbrapa këtij ta dini se ky do ju hajë kokën të gjithëve e do të bëhet shkaktari i luftës civile. Dhe, ashtu ndodhi. Saliu ua ka ngrënë kokën të gjithëve, shihini se ku janë katandisur, si ata, ashtu edhe ai vetë. Dhe, e mban vendin varur e peng, një hap pa shkuar tek lufta civile, gjendje në të cilën e çoi së bashku me palën tjetër të parisë së Tiranës në vitin 1997.
Si e shihni ju sot Partinë Demokratike?
Partia Demokratike është instrument i pamëdyshje i vullnetit të Sali Berishës. Si është kryetari, ashtu është edhe PD-ja. PD-ja nuk ka ideologji, nuk ka strukturë të konsoliduar, nuk është në shërbim të shqiptarëve, është vegël e një klani të caktuar familjar dhe mbahet me urrejtjen e turmave të verbra e të militantizmit terrorist. PD-ja është kthyer në një kancer për shqiptarët.
Sot asaj i mungojnë thuajse gjithë themeluesit e saj, një pjesë e mirë e përjashtuar. A ka ngjashmëri kjo Parti sot me atë që u krijua në vitin 1990?
Jo, nuk ka asnjë lidhje me PD-në e vitit 1990. PD-ja e vitit 1990 duhej të ishte një front i gjerë popullor, për të bashkuar të gjithë shqiptarët e për t’iu dhënë shpresë e rrugëzgjidhje në atë kthesë historike. Vetëm ashtu do të shpëtonte kombi shqiptar dhe shteti i tij. Udhëheqësit që dolën në krye të saj duhej ta sakrifikonin veten dhe të bënin atë që duhej bërë. Por, të gjithë patën interesat e tyre të ngushta dhe e sakrifikuan vendin për ato interesa. Sot PD-ja është ashtu si e kam përshkruar më lart, instrument i verbër politik i Sali Berishës. Dhe, për ta transformuar PD-në në atë mënyrë e në atë nivel ku ka rënë, Saliu ka bërë kompromise shumë të dëmshme e kriminale, sepse i ka fryrë shumë zjarrit të përçarjes e të ndasive duke krijuar një besnikëri patologjike e deri në marrëzi tek militantët e mbështetësit e tij dhe duke i shtyrë shqiptarët të vriten me njëri-tjetrin. Tani ajo është partia personale e tij, dhe kush i bashkëngjitet PD-së është bashibozuk i Saliut. Ata që janë përjashtuar dikur e që janë kthyer tek Saliu kanë treguar se kush janë e se nuk kanë as vlera, as ideologji, e as nder, por vetëm interesa, dhe janë treguar përfaqësues të denjë të parisë së Tiranës. Ndër ta shkëlqen Arben Imami, ai që u vesh si gjeneral grek, dhe të cilin tash Saliu, për t’iu dhënë një shuplakë të mirë të gjithë shqiptarëve si dhe militantëve të PD-së që dikur e kanë urryer me shpirt, e bëri ministër të Mbrojtjes të një vendi që s’ka ushtri dhe do ta zgjedhë në Këshillin Drejtues të PD-së. Dhe, mandej këta të tjerët, të kthyerit e të thyerit, do ta duartrokasin. Vetëm ky fakt të tregon se sa poshtë ka rënë ajo parti.
Si e keni njohur ju Sali Berishën dhe cili është mendimi juaj për të sot?
Unë e kam njohur shumë mirë, dhe duke u bazuar në atë që kam menduar e thënë për të qysh herët, mendoj se nuk jam gabuar aspak kur e kam konsideruar si një ndër njerëzit më të rrezikshëm për shqiptarët. Personalisht, më vjen keq për të, sepse në disa momente ka luajtur e do të mund të luante rol pozitiv, e mendoj se po të ishte futur në rrugën e duhur do të bënte gjëra të mira, sepse e kishte potencialin, dijen e zgjuarsinë. Mirëpo, ai duhej të mbahej nën kontroll, se ishte krejtësisht i paparashikueshëm dhe me karakter të dobët, me probleme, e me sedër të sëmurë. Sot mendoj se i ka hipur një eufori e pajustifikuar. Saliut i duket vetja si Skënderbeu. Mirëpo, Saliu po sulmon mullirin e erës që po vetë e ka ndërtuar. Historinë nuk e bën Saliu, historinë e bën tjetërkush, Saliu vetëm sa ia mbush mendjen vetes se është Skënderbeu. Por, duke i lënë mënjanë krimet e vogla që nuk iu bëjnë më shumë përshtypje njerëzve, atij i janë faturuar e do t’i faturohen shitja e trojeve shqiptare, kriza e piramidave, shkatërrimi i ekonomisë kombëtare, dështimi i përplotë i tranzicionit, tradhtia e dështimi i zgjidhjes së duhur të çështjes kombëtare, shkatërrimi i familjes shqiptare dhe i jetëve të shumë njerëzve, shpërdorimi i kontributeve të emigrantëve, mungesa e vizionit politik e shoqëror për të ardhmen, e me radhë. Këto janë krime të përbindshme, dhe përgjegjësi kryesor historik është Sali Berisha. Ai ka marrë përgjegjësinë për të drejtuar shtetin, ka qenë në krye të shtetit, dhe natyrisht edhe paria e Tiranës që nuk ka lënë gjë pa bërë si duke punuar për të ose duke vazhduar politikat e tij. Gjykimit të historisë ai nuk i ikën dot, as Saliu, as kurrkush tjetër. Ai që i thotë vetes jam Skënderbeu, është vetëm Don Kishoti.
FUND

Gazeta Shqiptare
Zippo
zippo
Regular Member
Regular Member
Posts: 64
Joined: Thu Nov 12, 2009 3:50 am
Gender: Male

Re: Themelimi i PD-së, Berisha ishte në Itali

#4

Post by zippo »

PD në një bilanc tragjik

Besnik Gjongecaj

Gjithkush që e mban mend Shqipërinë e fillimit të viteve '90, nuk ka se si të mos e dijë që PD u krijua për të realizuar një mision të dyfishtë: së pari, shembjen e sistemit punist, çka nënkuptonte zëvendësimin e tij me një sistem demokratik, dhe, në kontekstin e institucionalizimit të pluralizmit, pjesa e dytë e misionit të saj ishte krijimi i së djathtës shqiptare. 19 vjet pas krijimit të saj, po të shohim me kujdes në substancë të gjërave, jo pa dhimbje konstatohet që PD është atje ku ka nisur, me një mision të paplotësuar, d.m.th., as nuk ka mundur të shkulë rrënjët e sistemit punist në Shqipëri dhe as nuk ka arritur të bëhet një parti e djathtë. PD nuk ka mundur të shembë sistemin punist në pjesë shumë të rëndësishme të tij, sepse qeverisjen e vetvetes dhe qeverisjen e vendit nuk e kreu nëpërmjet reformave reale, të vërteta, por thjesht u kujdes që të ruante një status-quo për të mbajtur pushtetin sa më gjatë të ishte e mundur. Kjo gjë solli një transferim të thjeshtë të marrëdhënieve të sistemit punist në shoqërinë e sotme, i cili vihet re lehtësisht, me gjithë tentativat për ta fshehur dhe manipuluar atë. Sot, prandaj, është kufizuar rëndshëm hapësira për të ndërtuar një sistem tjetër në Shqipëri, aq më shumë një sistem demokratik. Nga ana tjetër, PD nuk arriti të shndërrohet në një parti të djathtë dhe kjo është e keqja më e vogël, sepse e keqja më e madhe është se PD nuk ka mundur, edhe sot që shkruaj këto rreshta, të shndërrohet të paktën në një parti politike, cilido të ishte vendi apo misioni i saj politik. E kapur në grackën e një primitivizmi të pashembullt, të paimagjinueshëm, sot PD funksionon pa statut, sepse e ka shkelur atë në çdo nen të tij; sot PD nuk ka një program legjitim, sepse nuk e ka të miratuar nga Këshilli Kombëtar; sot PD nuk ka asnjë autoritet të ligjshëm, përfshi kryetarin e saj, sepse të gjithëve iu ka mbaruar mandati; sot PD nuk ka asnjë strukturë të ligjshme, madje as Kuvendin që do të mblidhet pas pak ditësh, sepse i ka mbaruar mandati; sot PD ka në parlament përfaqësues jolegjitimë, sepse nuk janë mandatuar nga Këshilli Kombëtar; sot PD ka aleatë të pamandatuar, ashtu sikundër përmban si pjesë të sajën ca kokrra që vijnë nga një parti tjetër, e cila u shkri me PD pa pasur mandatin e Kuvendit të saj. Sigurisht që nuk ndjej gëzim, kur i shkruaj të gjitha këto, por, meqenëse qëndrimi ndaj së vërtetës nuk është më vetëm një sakrificë, por është shndërruar edhe në "modë" këto kohët e fundit, atëherë le t'i shkojmë deri në fund asaj, së vërtetës. Kur një institucion, i çfarëdo natyre qoftë, pra edhe politik, siç duhet të ishte edhe PD, nuk funksionon mbi disa rregulla të vendosura dhe të pranuara si të tilla publikisht, atëherë ai, para së gjithash, nuk është më një institucion, por në rastin më të mirë është një grupim njerëzish që kanë pranuar rregulla të tjera loje, të cilat nuk mund t'i shkruajnë dhe nuk mund t'i bëjnë dot publike. Pra, duke mos pranuar statutin, ky grup njerëzish, dhe unë këtu kam parasysh kupolën e PD, kanë pranuar raporte të tjera midis njëri-tjetrit, midis tyre dhe të tjerëve, të padeklaruara, të cilat nuk bëhen publike vetëm për shkak të natyrës së tyre ilegjitime, madje edhe konspirative. Në këtë pikëpamje, duke mos përmbushur misionin e saj, përkundrazi, duke u transformuar në një grupim njerëzish që nuk mund të jetë politik në formë dhe as demokratik në përmbajtje, PD i është nënshtruar një procesi të gjatë denatyrimi, produkt i të cilit është një parti pa statut, pa program legjitim, pa pozicion politik, pa ideologji.

...

Gjëja më e natyrshme është të pyesësh se, vërtet, ç'ka ndodhur me PD, ç'forca, ç'procese e denatyruan atë, çfarë e detyroi të mos përmbushë misionin e saj dhe të përbaltë vullnetin politik të qindra-mijëra shqiptarëve? Analizat mund të bëhen me anë të modeleve të ndryshme, duke konsideruar shumë faktorë, por unë mendoj që një model i thjeshtë në fakt, ku zbulohen marrëdhëniet jo pak komplekse midis dy faktorëve esencialë, drejtuesit të PD, z. Berisha, dhe vetë PD, është një model që mund të na çojë me sukses shumë afër realitetit të gjërave dhe të na shpjegojë të vërtetën. Unë nuk besoj që ka pasur një anëtar të PD që nuk ka brohoritur një herë për z. Berisha, unë nuk besoj që ka pasur një intelektual të përfshirë në PD, që nuk ka punuar për t'i dhënë emër të mirë z. Berisha, unë nuk besoj që ka pasur një strukturë të PD apo një autoritet të kësaj partie që nuk ka investuar për z. Berisha, unë nuk njoh ndonjë militant të PD që nuk ka sakrifikuar nga vetja dhe familja e tij për emrin e z. Berisha. E gjithë PD ka investuar në një formë apo në një tjetër që z. Berisha të fitonte një emër dhe të shndërrohej, të paktën në vitet e para të PD, në drejtuesin që zotëronte një pushtet të padiskutueshëm në PD, që zotëronte mandatin më të gjerë në krahasim me çdo drejtues tjetër që ka pasur kjo parti. Qartësisht, e gjithë partia investoi një kapital politik të jashtëzakonshëm te z. Berisha dhe për një kohë të gjatë mbajti frymën, ruajti qetësinë, priti me padurim të shihte se si z. Berisha do ta përdorte vullnetin politik të qindra mijëra njerëzve, se si z. Berisha do ta ri-investonte këtë kapital politik. Ka qenë koha kur të rrallë ishin ato autoritete politike të ish-vendeve komuniste që përfituan një kapital politik aq të madh sa ai që përfitoi z. Berisha në Shqipëri. Por, z. Berisha bëri ekzaktësisht atë që nuk duhet të bënte, ekzaktësisht atë për të cilën ky kapital politik nuk i ishte dhënë: e përdori atë, jo për forcimin dhe zgjerimin e bazës popullore të partisë, jo për shndërrimin e saj në një Parti të vërtetë Demokratike, jo për të ndërtuar një të djathtë moderne, përkundrazi, ai e ri-investoi këtë kapital politik te vetja, tek uni, duke rikrijuar edhe njëherë në Shqipëri, menjëherë pas diktaturës, një kult individi tjetër, kultin e tij, kultin e njeriut që ka pushtet të pakufizuar, që e përdor atë me mospërfillje dhe thjesht për interesat e tij, për të qenë nesër edhe më i fuqishëm se sot. Ja pse u prishën balancat brenda PD, ja pse PD filloi gradualisht të denatyrohet. Denatyrimi filloi me rritjen jashtë standardeve të autoritetit të z. Berisha në raport me strukturat e partisë, aq sa pesha relative e këtyre të fundit në politikën e partisë filloi të bëhej e parëndësishme. Këto ishin momente që nuk u kaluan lehtë dhe z. Berisha iu desh të mbante një qëndrim shumë të ashpër dhe të padrejtë ndaj individëve që kundërshtonin prishjen e balancës politike midis kryetarit dhe strukturave të partisë në favor të të parit. Ai shumë shpejt e kuptoi që nuk mund të vazhdonte të ndeshej në këtë mënyrë me individë që nuk mendonin si ai brenda partisë, sepse ajo do të ishte një luftë që herët a vonë do ta zvogëlonte në sytë e të tjerëve dhe do ta mundte një ditë. Kur kulti i tij kishte arritur kulmin e vet, pra, ekzaktësisht atëherë kur fuqia e tij politike kish arritur atë pikë të kurbës, pas së cilës nuk mund të vinte një rritje tjetër, përkundrazi, ishte gati të binte, z. Berisha e kuptoi që jo superimi i strukturave të partisë, jo imponimi, çka po bëhej gjithmonë e më i lodhshëm për të, por zëvendësimi brutal i anëtarëve të strukturave të partisë që mendojnë ndryshe, që janë autoritarë dhe që kanë integritet, me njerëz pa personalitet, konformistë, demagogë, "të armatosur" me një pragmatizëm vulgar lehtësisht të menaxhueshëm prej tij, madje edhe me cene të njohura tashmë, pra, "tharja" e këtyre strukturave, shndërrimi i tyre në asgjë, esencialisht "tharja" e PD, do të qe forma më e mirë për një pushtet të gjatë të tij. Pa pikë hezitimi, tragjikisht, ai e investoi kapitalin politik që i ishte dhënë nga PD për të asgjësuar PD. Këtu fillon edhe pjesa më e trishtueshme e realitetit politik që lidhet me PD. Duke anashkaluar çdo strukturë dhe çdo procedurë partiake për shkak të kapitalit politik në zotërim, z. Berisha filloi të ftojë njerëz me adresim të drejtpërdrejtë për t'u bërë anëtarë të strukturave më të larta të partisë, të cilët duhej që minimalisht të plotësonin vetëm një kriter: të pranonin atë si kryetar të partisë, me çdo kusht, në çdo rrethanë dhe të mos pretendonin të dinin apo të ndërhynin në mënyrën se si përdorej pushteti prej tij. Kjo ndodhi hapur, fare pa skrupuj, veçanërisht me KOP-in. Ishte një si lloj puçi. Vinin njerëz që s'kishin asnjë lidhje me PD, jashtë çdo procesi selektiv, madje pa asnjë eksperiencë personale, madje edhe pa karrierë në Shqipëri, ndërkohë që të tjerët shtyheshin jashtë partisë, harroheshin, duke krijuar edhe problemin e madh të fshirjes së identitetit të PD. Procesi i denatyrimit të PD kishte ardhur pothuajse në fundin e tij. PD nuk ishte më, sepse nuk ishin më as strukturat dhe as autoritetet partiake në kuptimin normal, funksionues, të tyre. Z. Berisha kishte krijuar më në fund, në vend të PD, një alien politik, dhe ishte vënë në krye të tij, me anë të komandimit të së cilit do të fillonte të denatyronte edhe procesin demokratik në mbarë vendin.

...

Në asnjë rrethanë nuk do t'i kisha kushtuar kaq shumë vëmendje procesit të "tharjes", të "kukullzimit" të PD si pasojë e sundimit politik nga kryetari i saj, nëse nuk do të isha i bindur për ekzistencën e një lidhjeje sinjifikative midis mënyrës se si një parti qeveris veten dhe mënyrës si qeveris vendin, kur merr pushtetin, pra, nëse nuk do të isha i bindur për ekzistencën e së vërtetës së madhe se qeverisja e vendit nga një parti politike nuk mund të jetë ndryshe veçse një zgjatim i mënyrës se si kjo parti qeveris vetveten. Kryeministri po e qeveris vendin ekzaktësisht siç qeveris PD. Tani kjo është bërë forma e ekzistencës së tij politike. Ai e ka përqendruar pushtetin në duart e tij dhe përqendrimi i pushtetit është një proces që sa vjen e më shumë po përjashton shqiptarët nga qeverisja e vendit. Unë nuk njoh deri më sot asnjë sistem, asnjë institucion në Shqipëri, që është ndërtuar dhe funksionon mbi parimin "check and balance"; unë nuk di asnjë sistem dhe asnjë institucion në Shqipëri që funksionon mbi bazë të parimit të ndarjes së pushtetit duke filluar nga poshtë dhe jo nga lart (parimi i shpërndarjes së pushtetit sipas rëndësisë më të vogël); unë nuk di asnjë institucion dhe asnjë sistem në Shqipëri që t'i jetë dhënë aq pushtet sa do t'i duhet për të zgjidhur problemet që lindin tek ai. Pushteti është "sipër", problemet janë "poshtë", dhe nuk ka qytetar që të mos ta emërtojë këtë sistem politik, ose punist, ose të ngjashëm me të. Ai vetëm demokratik nuk është. Pashmangshmërisht, ky deformim në përdorimin e pushtetit në Shqipëri ka çuar dhe çon çdo ditë në një shpërdorim gjigant të energjisë popullore. Akoma më shumë, meqenëse marrëdhëniet puniste të krijuara nëpërmjet qeverisjes janë transferuar si të tilla, në thelb të pandryshuara, nga shoqëria e para viteve '90 në shoqërinë e sotme, kjo gjë ka prodhuar një akumulim të njëjtë të pushtetit si në ato vite, çka sot, në thelb, është edhe një "ftesë" për mafien, e cila, të paktën sipas deklaratave publike të politikanëve, është rëndshëm e pranishme në Shqipëri. Nëse do të duhet që të përcaktohet më saktë se ku, është e qartë se ajo nuk është as duke bërë alpinizëm dhe as duke plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Mafia është atje ku është përqendruar pushteti dhe paraja. Ekzaktësisht, se s'ka pse të jetë në një vend tjetër.

Gazewta Shekulli
Zippo
User avatar
alfeko sukaraku
Sun Member
Sun Member
Posts: 1827
Joined: Wed Jun 03, 2009 8:02 pm
Gender: Male

Re: Themelimi i PD-së, Berisha ishte në Itali

#5

Post by alfeko sukaraku »

po perse re zippo?c te duhej ty te hapje nje teme me yllin e demokracis shqiptare?si guxove edhe e bere kete gabim?Eshte njesoj sikur ne komunizem te na thoje se pksh nuk e ndertoj enver hoxha..dhe e hengre
KOHA ESHTE E MASKARENJVE/POR ATDHEU I SHQIPETRAVE
Post Reply

Return to “Politikë shqiptare”