Ramiz Alia: Ata që hynë në ambasada ne 1990, ca debilë, njerëz koti!
“Ngjarjet e 2 korrikut na zunë në befasi. Eksodi i pesë mijë qytetarëve nga Tirana nëpërmjet ambasadave, tronditi rëndë themelet e regjimit dhe pushtetit popullor”. Reagimi i Ramiz Alisë në forumin më të lartë të Partisë së Punës dy ditë pas largimit të refugjatëve të parë, është shpërthyes e qortues. Shefi i regjimit komunist, i kryqëzuar nga situata e papritur, tërheq vëmendjen e udhëheqësve kryesorë dhe jep porositë e rastit, për të bërë të pamundurën për kapërcimin e vështirësive të jashtëzakonshme, siç i vlerëson ai. Më poshtë botojmë të plotë fjalën e Ramiz Alisë, në mbledhjen sekrete të Byrosë politike të 14 korrikut 1990, një dokument ky, i papublikuar më parë dhe i bere i ditur pak dite me pare ne “Opinion”.
Ramiz Alia: Ju e dini atë ngjarjen që na bëri vaki më dy korrik, ku u futën në ambasadat e huaja rreth pesë mijë e ca vetë. Ajo ishte një dyndje e plotë e njerëzve, që i zuri organizmat tona në befasi dhe u krijua ajo situatë që u krijua. Besoj se e mbani mend mbledhjen e fundit të Komitetit Qendror, në të cilën vendosëm që t’i lëmë të ikin, të pajisen me pasaporta dhe le të ikin. Mbi atë bazë u bë para dy ditësh evakuimi i tyre dhe kanë ikur gati të gjithë, rreth katër mijë e ca veta. Mbrëmë kanë ikur dhe ata që ishin në Ambasadën Hungareze. Sot ikin dhe ata që janë tek Ambasada Turke dhe me kaq mbaron ky cikël. Përbërja e këtyre njerëzve, domethënë, rreth katër mijë ishin me punë, çka e hedh poshtë pretendimin se këta bukuroshë ishin të papunë. Prej tyre, vetëm 400 ishin të papunë. 20 për qind e tyre janë gra, që është një gjë shumë e keqe, veç fëmijëve. Nga pikëpamja arsimore, me arsim të lartë ishin relativisht pak, domethënë 70-80 vetë. Ca debilë, ca njerëz koti.
Këtu u pasqyrua puna e dobët e organeve të Punëve të Brendshme, të cilat u zunë në befasi, por punë e dobët ishte edhe nga pikëpamja e Sigurimit të Shtetit. Punë e dobët ishte sidomos nga ana e Komitetit të Partisë së Tiranës. Se shiko si erdhi puna: Ndodhi që dhe emrat e njerëzve që ishin brenda, u detyruam t’i merrnim nga kërkesat për pasaporta që erdhën nga ambasadat ku ata ishin strehuar, sepse nuk i dinim. Unë jam i bindur se edhe sot e kësaj dite qendrat e punës akoma nuk i dinë emrat e tyte. Pra, emrat e tyre ende nuk janë evidentuar nga analizat e punës, nga apelet në ndërmarrje. Kur këtu në Tiranë nuk dimë kush janë punëtorët që paguajmë, merre me mend se ç’mund të dimë ne se çfarë bëhet në sharrat e Pukës, merre me mend se ç’mund të dimë ne se ç’bëhet me punëtorët e Maminasit ose të Vermoshit, të sharrave të Bushtricës apo të fermës së Lushnjës dhe Fierit. Me një fjalë, nga pikëpamja administrative ne jemi për faqe të zezë. Rregullat ekonomiko-financiare, ato administrative nëpër ndërmarrjet tona nuk funksionojnë. Paguhen borderotë, paguhen rrogat si pa gjë të keq. Qofsha unë i gabuar, por kur më rezulton kështu për Tiranën, kur apeli mund të bëhet çdo ditë në orën shtatë dhe kontrolli mund të ushtrohet vazhdimisht papengesa, kam bindjen se gjetkë situata mund të jetë edhe më e rëndë. Kemi marrë masa thonë njerëzit e partisë. Po vrimë në ujë është bërë. Ndoshta mund ta ekzagjeroj unë tani, por kam të drejtë kur bëhet fjalë për 3500 vetë, të cilëve këtu në Tiranë, duhej t’u merrnim emrat nga ambasadat, pa le pastaj për ata jashtë Tiranës. Ngjarja është me të vërtetë e rëndë. Organizata e partisë së Tiranës nuk e tregoi veten, komunistët u tulatën. Duhej të organizohej mitingu dje në sheshin “Skënderbej”, që të ngrihej një çikë morali, se në përgjithësi ishin në nivel shumë të ulët. Natyrisht u bënë disa përpjekje, por ishin të pamjaftueshme. Në Tiranë, ku ka 25 mijë komunistë, forca e tyre nuk ishte e plotë, përkundrazi dominonin parullat e reaksionit. Dolën parullat e kolonës së pestë, që janë, kupton, nga më ekstravagantet. Kjo ishte ngjarja për Tiranën. Por për këtë ngjarje në Tiranë kanë kontribuar edhe veprimtaritë e disa rretheve të tjera. Ka pasur tentativa edhe nga Shkodra, ku erdhën grupe njerëzish me qëllim që të përziheshin me ata të Tiranës, me qëllim që të futeshin në ambasada e të krijonin gjullurdi në kryeqytet. Organet e policisë janë detyruar t’i ndalojnë e t’i kthejnë mbrapsht. Të tillë ka pasur edhe nga Durrësi e Kavaja. Gjendja mund të them se është e keqe edhe sot që po flasim. Ndodhi në Kavajë një ngjarje shumë e hidhur. Atje u vra një njeri. U vra një njeri kur këto forcat e sigurimit dhe të policisë shkuan me atë teorinë, “të krehim”. Na dolën kështu dhe teori të tilla. Dhe e “krehën” bukur. Vrasja e këtij njeriu shkaktoi një turbullirë në gjithë qytetin. Vërshuan njerëzit aty dhe thyen të gjithë xhamat dhe vitrinat e qytetit. Madje jo vetëm kaq, por të nesërmen, kur u bë varrimi, shkuan aty me mijëra vetë. Komunistët nuk u ndjenë gjëkundi. A janë gjallë apo kanë vdekur?! Parullat ishin nga më reaksionaret, nga më armiqësoret kundra partisë dhe pushtetit popullor “Enver-Hitler”. “Muho Asllan-Sllobodan”, “Hekuran-Sllobodan”, etj. Njerëzit që u kthyen andej dogjën dhe makinën e sekretarit të Parë të partisë së Kavajës. Përfundimisht, qyteti ra në duart e tyre. Por ne dhamë urdhër që mos të ndërhynte policia, se mund të bëhej katastrofa. Natyrisht, dërguam forca ushtarake atje, me urdhër të qëndronin brenda në kazermë dhe ata në fakt nuk patën ndonjë veprim, por situata prapë nuk është e mirë. Prapë ata elementë përdorin çiliminjtë, përdorin gratë për t’i nxjerrë në rrugë për të demonstruar. I nxjerrin që të bëjnë hero të vrarin. Vendosin lule te vendi ku është vrarë. Komunistët nuk ndihen. Ngjarja e Kavajës nuk është e re, ajo është përsëritur edhe tri-katër herë këto muajt e fundit në forma të ndryshme. Shoku Muho Asllani është paralajmëruar, të paktën unë e kam paralajmëruar personalisht dy herë, që të reflektojë për një punë më të gjallë dhe efektive. Por ai vazhdon me punën e vjetër, aq sa në Kavajë Muhon nuk e shohin dot me sy. I irriton njerëzit qoftë dhe emri i tij. Ndodh kjo se Muhua nuk përdor metodën e bashkëbisedimit e të dialogut me njerëzit, por me ta komunikon me urdhra e komanda. Nuk shikojmë të jetë marrë asnjë masë nga Komiteti i Partisë së Durrësit, asnjë masë për situatën në Kavajë. Sot kam çuar aty shokun Foto Çami, veçanërisht për të shkarkuar sekretarin e partisë së Kavajës, Agron Tafën. Nuk është ai për sekretar partie. E çuan nga shef policie në sekretar të Parë. Gabuam edhe ne. Gabuam, se ndërhyri shoku Muho dhe shoku Hekuran Isai. Na thanë se është shok i mirë. Shokë të mirë ka shumë, por na duhet shok që e do populli. Gabuam ne dhe ja çfarë na ndodhi. Agron Tafa mund të bënte për në një vend tjetër, por nuk ishte për këtë punë. Po situata nuk është e mirë jo vetëm në Kavajë. Tërë shokët duhet të kuptojnë se sot është një luftë për jetë a vdekje. Sot bëhet një luftë e rreptë midis pushtetit popullor e socializmit nga njëra anë dhe reaksioni botëror nga ana tjetër, i cili kërkon me çdo kusht shkatërrimin e pushtetit popullor, zhdukjen e socializmit, eliminimin e komunistëve. Pra, lufta është në këto dy llogore. Ne luftojmë për të forcuar fitoret e revolucionit dhe pozitat e lirisë, si dhe pavarësisë së atdheut. Kjo është rruga që kemi caktuar dhe në plenumet e fundit. Domethënë, rruga e revolucionarizimit, e luftës kundër burokratizmit, demokratizimi i jetës së vendit e të partisë, rruga e forcimit të marrëdhënieve të partisë me masat, e nxitjes së iniciativës së lirë. Këto i kemi sintetizuar në procesin e reformave ekonomike dhe atyre për përsosjen e marrëdhënieve shoqërore, në fushën e politikës së jashtme, etj. Këto nuk janë veprime taktike për t’ia hedhur ndokujt, por janë masa korrigjuese, plotësuese, rregullime për të forcuar pozitat e pushtetit popullor. Pa këto nuk mund të shkojë përpara socializmi. Kundër nesh vepron armiku i jashtëm. Ai lufton madje me të njëjtat parulla si dhe ne, për demokraci masive, për liritë individuale, për pluripartitizëm politik. Por ndërsa ne luftojmë për forcimin e pushtetit popullor dhe socializmit, qëllimi i armikut është të likuidojë pushtetin popullor, të likuidojë socializmin, të heqë nga qarkullimi komunistët. Ka shumë njerëz që kanë rënë viktima të propagandës së armikut. Jo rastësisht qarkullojnë parulla pse ne nuk marrim kredi; sikur të tjerët janë gati të na i shtrojnë dhe ne veç të rrëmbejmë. Ka të tjerë që thonë pse nuk eksportojmë fuqinë punëtore jashtë. Por duhet ta dimë se askush nuk ka kërkuar dhe askush nuk e pranon këtë eksport. Pra, duhet të jemi të vëmendshëm për të parë qëllimet e vërteta të këtyre parullave. Reaksionit i verbon sytë fjala komunist, prandaj bënë ç’është e mundur për ta hequr nga fjalori. A ka komunistë më të devotshëm, në thonjëza, për shërbime të shquara ndaj imperializmit se komunistët jugosllavë?! Nuk ka. Çfarë po ndodh? Edhe ata nuk i do imperializmi. Edhe ata po i zhduk, po i heq. Ç’bëri me ta në Slloveni, në Kroaci? A nuk meritonte, për logjikën e tij, një monument Dubçeku, i cili ishte pararendësi i këtyre reformave?! E deshi aq sa i duhej reaksionit dhe pastaj e hodhi në një qoshe. Por jo, more shokë. Borgjezisë i duhen Havelë, Shvaseberger, i duhen reaksionarë të klasit të parë. Pra, këto duhet t’i kuptojmë mirë. Thamë të bënim një miting pas asaj që ndodhi në ambasada, por shokët hezitonin. Pse duhet bërë, thoshin, do na ndodhë ndonjë trazirë, etj, etj. Edhe këtu në Byro kishte frikë. Shiko si i ngre vetullat Besniku (Bekteshi). I thashë Piro Kondit se duhet bërë patjetër, se e kërkonte situata. Ne në rrugë, armiku në vrimë. Ne në shesh, armiku futet skutave. Ne në aksion, armiku shtrihet përdhe. Në qoftë se nuk shkojmë me mentalitete të tilla, nuk kemi gjë në vijë. Pra, ne në luftë, armiku do tërhiqet. Në qoftë se ne, komunistët, do të hamë sapunin për djathë, do na marrë lumi. Flitej se në miting nuk do të ketë entuziazëm, se nuk do të jetë shoku Ramiz. Por ja që pati entuziazëm dhe pa shokun Ramiz. Domethënë, se populli na kupton drejt kur ia themi drejt gjërat, kur e prekim aty ku duhet. Edhe himni i flamurit i preku njerëzit në miting. Duhet ta dimë se kemi një forcë të madhe ne, që kur e vëmë në veprim, si në rastin e mitingut ku ishin më shumë se 120 mijë veta sipas gazetës, situata është nën kontroll. Tërë ajo masë erdhi me shqetësim dhe donte të shpërthente, se kishte një mllef, kishte një hall brenda dhe donte ta nxirrte. Nuk është çështja që kemi vështirësi e kjo na shkakton pakënaqësi, jo, po na mungon djathi, jo, po na mungon mishi e ku di unë. Sigurisht edhe këto bëhen burim pakënaqësish, por nuk janë këto shkaku i vërtetë i kësaj lufte. Shkaku i kësaj lufte është tjetër gjë: Duhet të shkatërrohet pushteti popullor, pikë! Flitet për reformistë, por ato janë pallavra, me qëllim që të na përçajnë, të na shkatërrojnë. Reaksioni nuk i duhet askujt, bile as atyre që janë kompromentuar në një farë mënyre me të. Hiç fare, nuk i duhen. Në qoftë se i do, i duhen vetëm për t’i peshkuar për një farë kohe. Për qëllimet e veta ai ka njerëzit e tij, ka produktin e vet. Reaksioni e imperializmi, për qëllimet e veta edhe një prostitutë e bën heroinë, por në fund të ditës e flak tej se ka tjetër qëllim.
http://www.lajmifundit.com/lajmet/polit ... jerez-koti

