Page 1 of 1

Drejt mbylljes ambasadat në Kroaci, Bosnjë dhe Mal të Zi.

Posted: Mon Jan 06, 2014 12:43 pm
by Aida Taullaj
Panaroma 06/01/2014

Ministria e Punëve të Jashtme është duke përgatitur draftin për mbylljen e tri ambasadave, në Kroaci, Mal të Zi dhe Bosnjë- Hercegovinë. Për momentin, këto ambasada mund të konsiderohen të falimentuara për mundësinë që ato kanë për të funksionuar, pasi buxheti që Ministria e Jashtme ka akorduar për to nuk i kalon të 400 mijë eurot.

Në Sarajevë ambasada funksionon vetëm me ambasadorin, në Zagreb dhe në Podgoricë funksionojnë me ambasadorin dhe dy punonjës të tjerë.

I pyetur nga “Panorama”, zëdhënësi i kësaj Ministrie, Glevi Dervishi, tha se “është duke u vlerësuar puna e Ambasadës sonë në Sarajevë”, duke mohuar mbylljen e dy ambasadave të tjera, atë në Zagreb dhe në Podgoricë.

Shqipëria ka marrë nga Kroacia të gjithë praktikën ligjore të gatshme për anëtarësim në BE, si dhe për vizat dhe MSA. Në Podgoricë kemi rreth 9 për qind shqiptarë etnikë që mbeten fare pa mbështetje. Interesat ekonomike dhe gjeopolitike në këto tri vende janë të mëdha për Shqipërinë.


Illyria 06/01/2013


Rama i mbyll derën Europës, tani dhe miqëve Ballkanas

Qeveria e kryeministrit socialist Edi Rama në Tiranë është duke përgatitur draftin për mbylljen e tre ambasadave në Ballkan, përkatësisht në Kroaci, në Bosnje-Hercegovinë dhe në Malin e Zi.

Të tri këto vende kanë një prani të madhe shqiptarësh etnikë, arbëreshë dhe të zhvendosur në kohërat e ish-Jugosllavisë.

Me të tri vendet gjithashtu Shqipëria ka shkëmbime ekonomike dhe interesa gjeopolitike të rëndësishëm.

Sipas burimeve nga ministria e Jashtme, pritet që Shqipëria të mbyllë ambasadën e saj në Kroaci (vendi i fundit në rajon nga Ballkani Perëndimor, që u bë anëtar i Bashkimit Europian pas Greqisë, Qipros, Sllovenisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Bullgarisë), në Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, vende ku numri i shqiptarëve është shumë i madh.

I pyetur nga gazeta “Illyria”, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati nuk ka dhënë ende përgjigje.

Gazeta pyeti gjithashtu zëdhënësin e ministrisë Glevin Dervishi, i cili tha se ia ka përcjellë instancave kërkesën për konfirmim apo mohim.

Më pas, zëdhënësi Dervishi pohoi se po bëhet vlerësimi i punës së ambasadës në Bosnje e Hercegovinë, por as mohoi dhe as pohoi sakaq, mbylljen e kësaj ambasade si dhe në Kroaci e Mal të Zi.

Për momentin këto ambasada mund të konsiderohen të falimentuara për mundësinë që ato kanë për të funksionuar, pasi buxheti që Ministria e Jashtme ka akorduar më herët për to nuk i kalon të 400 mijë eurot.

Në Sarajevë ambasada funksionon vetëm me ambasadorin, në Zagreb dhe në Podgoricë funksionojnë me ambasadorin dhe dy punonjës të tjerë.

I pyetur nga “Illyria”, ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi tha se do të ishte gabim i madh për politikën e jashtme nëse shteti shqiptar mbyll këto tre ambasada:

“Nëse është e vërtetë, është gabim i madh që ne ta nisim me mbylljen e ambasadave, aq më tepër në vendet e rajonit”.

Sipas zotit Bumçi, “Shqipëria nëse ka një rol ndërkombëtar e ka në rajon, është kjo shtrirje gjeografike ku ne mund të ushtrojmë interesat tona”:

“Mbyllja e ambasadave në rajon do t’i hiqte Shqipërisë të vetmen platformë ku ajo mund të zhvillonte marrëdhëniet e veta ndërkombëtare”.

“Ne, – shtoi Bumçi, deputet i Partisë Demokratike opozitare, – nuk kemi as fuqinë kontinentale dhe as botërore”.

Për ish-ministrin, anëtar i Komisionit të Politikës së Jashtme, lënia e ambasadës në kryeqendrën e Serbisë, Beograd dhe mbyllja e atyre ku faktori shqiptar është i ndjeshëm, të le dyshime të thella:

“Rasti i Kroacisë është direkt në dëm të shqiptarëve. Ndërsa në raste të tjera ambasadat tona duhet të qëndrojnë për shkak të një marrëdhënie bilaterale, Kroacia është më shumë se kaq”.

Po çfarë do të thotë “më shumë se kaq” për zotin Bumçi?

“Kroacia ka bërë barazpeshën me Serbinë. Kroacia ka mbajtur një qëndrim historikisht pro Kosovës. Kroacia ka mbështetur Shqipërinë në proceset integruese”-tha ai.

“Mbyllja e ambasadës në Kroaci do të ishte një gabim shumë i rëndë diplomatik, duke lënë hapur ambasadën tonë në Serbi. Kroacia është i vetmi vend nga këto që është anëtar dhe i NATO-s dhe i BE-së”, i tha gazetës “Illyria” ish-ministri i Jashtëm.

Shqipëria ka marrë nga Kroacia të gjithë praktikën ligjore të gatshme për anëtarësim në Bashkimin Europian, për lehtësimin e regjimit të vizave për udhëtim/qëndrimin afatshkurtër në hapësirën europiane “Shengen” apo siç njihet “heqjen e vizave” si dhe Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim.

Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci është Pëllumb Qazimi, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Ambasada në Zagreb është qendër për shqiptarët-arbëreshë të krahinës së Zarës (Zadar) dhe sidomos për shqiptarët që janë zhvendosur brenda ish-Jugosllavisë, duke veçuar ata nga territoret në Republikën Jugosllave të Maqedonisë (brenda Republikës Federative të Jugosllavisë) si dhe më pas.

Ky komunitet i madh dhe me rëndësi shqiptarësh i orientuar kryesisht nga shërbimet (prodhime të brumërave, bukëpjekës, pastiçierë), hoteleria dhe ndërtimtaria, ka qenë vendimtar në zgjedhjen e disa herë deputet të ish-presidentit Stipe Mesiç.

Në Podgoricë kemi jozyrtarisht rreth 7-9 për qind shqiptarë etnikë që mbeten fare pa mbështetje. Ambasador në Malin e Zi është Tonin Beci.

Sipas regjistrimit të vitit 2011, njohur si “censusi”, Mali i Zi numëroi 620,029 banorë dhe 194,795 ekonomi familjare; Shqiptarë, 20,537 (ose 3.3%) muslimanë (sipas kombësisë), por nuk thuhet se ku hyjnë shqiptarët katolikë.

Megjithatë, sado pak shqiptarë që të kenë mbetur në rajone të mëdha etnike të Shqipërisë së Veriut që i janë dhënë Malit të Zi në traktate të ndryshëm ndërkombëtarë, nuk do ta kenë as ambasadën, por ndoshta një Konsullatë, gjithnjë nëse vendoset.

Mali i Zi ka krijuar dhe nuk ka zgjidhur një problem shqetësues për shqiptarët entikë në Tuz, më pak se 1 orë larg Shkodrës, duke mos u njohur statusin e Komunës dhe madje pa u plotësuar të drejtën për referendum të kërkuar në gusht 2013.

Qeveria malazeze e ka përfshirë Tuzin në Komunën e Podgoricës, gjë që i diskrimon ata qoftë edhe për fonde, e jo më për përdorimin e simboleve kombëtare.

Mungesa e ambasadës në Malin e Zi është gjithashtu jo e mirë, për arsimimin e shqiptarëve, sepse duke mos pasur asnjë nivel të lartë universitar, ata mund ta kishin selinë diplomatike një vend të zgjidhjes së problemeve.

Njejtë kjo edhe për çështje të tjera të të drejtave të shqiptarëve etnikë atje.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i tha gazetës “Illyria” në një intervistë në nëntor 2013 që ndonëse mund të thuhet pa mëdyshje se marrëdhëniet shqiptaro-malazeze janë marrëdhënie model”, që sipas tij duhet të ndiqen edhe nga vende të tjera të rajonit, “kjo nuk do të thotë se çdo gjë apo se nuk ka asnjë çështje për t’u trajtuar në bisedimet shqiptaro-malazeze”.

“Ju përmendët rastin e Tuzit. Ne kemi mbështetur pikëpamjet që duhet të njihet statusi i komunës, sepse konfiguracioni aktual i përfaqësimit politik në Malin e Zi nuk reflekton në mënyrë proporcionale komunitetet e ndryshme që jetojnë në Malin e Zi. Besojmë se komuniteti shqiptar në Malin e Zi do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti në këtë Republikë sikundër ishte faktorit përcaktues për mëvehtësinë e Malit të Zi”-ishte përgjigja e zotit Bushati.

Shqiptarët e krahinave të Malësisë, Plavës, Gucisë, Vuthajve, Ulqinit, Tivarit, Rrozhajës deri në Kotorr, ishin vendimtarë me përqindjen e tyre që Mali i Zi të shpallte pavarësinë nga Unioni Serbi-Mali i Zi.

Aq më shumë kjo ishte e rëndësishme, kur qeverisë në Podgoricë i kërkohej më shumë se 55 për qind mbështetje që rezultati të njihej ndërkombëtarisht për shkak të përbërjes demografike të sllavëve serbë me sllavët malazezë të ndarë në synimet për të mbetur ose për t’u shkëputur nga mbetja e ish-Jugosllavisë.

“Edhe përsa i përket Malit të Zi, jemi në kontakte të vazhdueshme me faktorin shqiptar atje. Nxisim një qëndrim sa më koherent dhe sa më të unifikuar kur vjen puna për çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lirive të të drejtave legjitime të popullsisë shqiptare në Malin e Zi”-tha në të njejtën intervistë ministri Bushati.

Sakaq, në Sarajevë ka thuajse 100 mijë shqiptarë të vjetër dhe të rinj dhe gjithashtu Shqipëria ka trupa paqeruajtëse që mbeten pa ambasadë.

Mirëpo, këtë mund ta ndjejë edhe komuniteti boshnjak i vendosur në Qarkun e Durrësit, përkatësisht në Shijak apo Sukth, i vendosur pas krimeve serbe që prej Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore.

Sipas projektit që po hartohet në ministrinë e Jashtme, mësohet se ambasadën shqiptare në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kroaci do ta mbulojë ambasada jonë në Slloveni, kurse ambasadën në Malin e Zi, e cila mund të bëhet Konsullatë, do ta mbulojë ambasada jonë në Serbi.

Shqipëria ka përfituar miliona euro nga marrëveshjet me Bosnje e Hercegovinën për energjinë.

Me zyrtarët e entitetit kroato-boshnjak është firmosur marrëveshje në pranverë për ekonominë kur ministër ishte Edmond Haxhinasto.

Ambasada në Sarajevë nxiti dy kontrata në Bosnje-Hercegovinë për Shqipërinë, me “Energoinvestin”, duke i shpëtuar vendit 31,5 milion euro (unaza e Jugut-Interkonjeksioni) dhe 28 milion euro interkonjeksioni me Kosovën.

Ambasadori shqiptar në Sarajevë, Flamur Gashi është shpallur ambasadori më i mirë në Europën Juglindore dhe raporti i ambasadës tonë në Sarajevë konsiderohet ndër më të mirët i ardhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Burime diplomatike thonë se ka pasur një konflikt mes ministrit Bushati me ambasadorin.

Ministri ka kërkuar më shumë shpjegime se përse ambasadori është takuar me Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Xhonatan Mur (Jonathan Moore) si dhe me ambasadorin Frenk Uisner (Frank Wisner).

Zoti Uisner ishte i dërguari i Uashingtonit për ndërmjetësimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës për pavarësinë e mbikqyrur (bashkë me ambasadorin gjerman Volfgang Ishinger që përfaqësonte Bashkimin Europian dhe presidentin finlandez Marti Ahtisari).

Ambasadori Uisner ka qenë gjithashtu përfaqësues i kompanisë “Patton Boggs” që lobonte për qeverinë e Shqipërisë si dhe në çështjen e privatizimit të dështuar të kompanisë shtetërore të naftës “Albpetrol” në fundvitin 20012.

Ambasadori Gashi i takoi diplomatët Uisner dhe Mur pak përpara mbërritjes së këtij të fundit, zotit Mur, më pak se një muaj më parë në Tiranë.

Ndonëse ende nuk ka informacion zyrtar për mbylljen e të tri ambasadave, një letër e diplomatit Gashi ka mbërritur në presidencë.

Në letër i shkruhet presidentit Bujar Nishani që ambasadori është gati edhe të tërhiqet, vetëm që përfaqësia e lartë diplomatike e Shqipërisë në Sarajevë të mos mbyllet.

Mandati i ambasadorit Gashi përfundon pas 7-8 muajsh. Ai ka qenë drejtor në Institutin e Diasporës në ministrinë e Jashtme dhe më herët në stafin e ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi.

Megjithatë, nuk ka asnjë të dhënë që mundësia e ristrukturimit të shërbimit të jashtëm apo mbylljes së ambasadave, përfshi Sarajevën, të ketë shkaqe politike.

Ambasada të tjera që janë në diskutim për t’u mbyllur, përfshië shkurtimin me 30 për qind të stafit diplomatik (brenda dhe jashtë ministrisë së Jashtme), janë në Danimarkë, Sllovaki, Portugali, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar dhe Malajzi.

Pas një mbedhjeje për prezantimin e ambasadorëve të rinj në Komisionin e Politikës së Jashtme, ministri Bushati pohoi mbylljen e disa ambasadave, por nuk saktësoi se, cilat prej tyre.

Ministri e arsyetoi këtë me fondet buxhetore:

“Buxheti është një problem në vetvete, por le të mos harrojmë të përballemi me sfida të jashtëzakonshme. Qeveria paraardhëse na ka lënë një gropë të madhe edhe në fushën e diplomacisë, sepse kemi sot për sot ambasada, të cilat nuk mbyllin dot pagesat mujore dhe borxhe që trashëgohen nga viti në vit”,- tha ministri Bushati në datat 9-10 dhjetor.

Zoti Bushati shpjegoi se “kur flasim për racionalizim nënkuptoj edhe mbyllje të ambasadave në vende të ndryshme”, ku sipas tij “praktika ka treguar që ne nuk jemi efektivë dhe natyrisht edhe një rialokim dhe shkurtim të prezencës dhe të stafeve, në mënyrë respektive”:

“Procesi është në vazhdim dhe çdo gjë e kam bërë transparente dhe publike dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me përgjegjshmëri të plotë”.

Sipas zotit Bushati, ministria e Jashtme do të nisë reformë rrënjësore në diplomaci, me njerëz që siç tha “përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë jashtë” dhe teksa ua quajti ambasadat deputetëve komisionerë të jashtëm “si konvikte strehimi”.

Re: Drejt mbylljes ambasadat në Kroaci, Bosnjë dhe Mal të Zi

Posted: Mon Jan 06, 2014 2:06 pm
by Aida Taullaj
Kreshnik Çollaku në rrjetin social “Facebook”

Mbyllja e ambasadave/ Çollaku: Qeveria vizion mediokër, do t’i shkaktojë një dëm diplomacisë shqiptare.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Çollaku paralajmëron qeverinë për dëmtimin e diplomacisë shqiptare përmes planeve për mbylljen e disa ambasadave të vendit tonë në rajon.

“Vizion tipik mediokër, plani i qeverisë shqiptare për të mbyllur ambasadat e Shqipërisë në Kroaci, Bonjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi. Përveçse mediokër, ai do t’i shkaktojë një dëm diplomacisë shqiptare në tërësi. Roli i Shqipërisë në rajon të Ballkanit është më i vlerësuari nga aleatët strategjikë, si SHBA dhe BE. Roli i Shqipërisë në Ballkan është një ndër asetet e shkëlqyera diplomatike të vendit. Në mënyrë mediokre në vend që të fuqizohet po dëmtohet me mbylljen e ambasadave në tre vende të rajonit. Skandaloz është fakti se në njërin prej tyre, në Mal të Zi ka një popullatë domethënëse etnike shqiptare. Nuk di motivet që i shtyjnë qeveritarët “rilindas” të bëjnë të tilla marrëzi. Mbase paaftësia menaxheriale, mbase vullneti për të larë hesapet me ndonjë ambasador që e konsiderojnë “armik klase”…Por në çdo rast ngjarja dëshmon një vizion mediokër dhe do dëmtojë pozitën e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”,- shkruan Kreshnik Çollaku në rrjetin social “Facebook”.