"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Skenari i Sigurimit të Shtetit që e shpëtoi diktaturën komuniste nga shpërbërja e turpshme (dhjetor 1990)

Flisni për politikën shqiptare, ndikimi i saj në jetën tuaj, mund të diskutoni për partitë politike shqiptare dhe frymën e to lerances ne politikën shqiptare.

Moderator: Mallakastrioti

Post Reply
User avatar
rrëqebull
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1158
Joined: Sat Oct 06, 2012 12:29 pm
Gender: Male

Skenari i Sigurimit të Shtetit që e shpëtoi diktaturën komuniste nga shpërbërja e turpshme (dhjetor 1990)

#1

Post by rrëqebull » Tue Dec 09, 2014 7:27 pm

Lëvizja studentore e dhjetorit 1990 ishte skenari i Sigurimit të Shtetit që e shpëtoi diktaturën komuniste nga shpërbërja e turpshme

Në Shqipëri pluralizmi politik erdhi si një skenar i konceptuar nga Komiteti Qendror i PPSH dhe Sigurimi i Shtetit, i zbatuar prej këtij të fundit. Në 1989-1990 përshpejtimi befasisht i procesit të ndryshimeve politike në vendet komuniste të Europës Lindore, që solli si pasojë dhe përmbysje në marrëdhëniet ekonomike të Shqipërisë me vendet komuniste, duke përfshirë edhe Jugosllavinë, me të cilët bëhej pjesa më e madhe e tregtisë së jashtme e Shqipërisë komuniste, e çoi ekonominë e centralizuar shqiptare, që edhe ashtu kishte marrë tatëpjetën, deri në falimentim të plotë brenda një viti. Ky falimentim ekonomik erdhi sepse ekonomia e centralizuar komuniste shqiptare e cila, pavarësisht se çfarë thoshte propaganda e regjimit komunist, ishte praktikisht pjesë e ekonomisë së bllokut sovjeto-komunist të Europës Lindore dhe operonte në kuadrin e SEV i njohur në Shqipëri me akronimin KNER (Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke). Kjo për shkak se ekonomia e Shqipërisë mbahej me anë të tregëtisë me clearing (një version i kësaj praktike tregtare që praktikisht konsistonte në shkëmbimin në natyrë mall me mall). Kur vendet komuniste të Lindjes e braktisën këtë formë tregëtie duke hyrë në shkëmbimet e modelit kapitalist drejtpërdrejt me valutë, ekonomia shqiptare ra në kolaps të plotë. Fabrikat dhe uzinat ndërprenë punën për mungesë të lëndës së parë të nevojshme që vinte nga jashtë vendit dhe të pajisjeve të këmbimit që po kështu vinin nga importi. Në verën e vitit 1990 regjimi komunist shqiptar praktikisht shpalli falimentimin ekonomik, duke mbyllur industritë në vend dhe duke vendosur pagesën prej 80% të pagës për punëtorët, ndonëse këta nuk shkonin të punonin në fabrika e uzina.

Rezervat ushqimore nw vend ishin në minimumin e tyre historik dhe regjimi komunist thjesht nuk dinte si ta ushqente popullin, me anë të ekonomisë së planifikuar që kishte shkuar në kolaps. Dhe regjimi komunist totalitar i cili kishte shtetëzuar gjithcka, kishte detyrim ta ushqente popullin me anë të ekonomisë shtetërore, që nga buka deri te vaji, që nga djathi deri te sheqeri, për të mos folur për mishin, qumështin, vezët, që në 1990 shiheshin si luks. Në 1990 regjimi komunist shqiptar kishte vështirësi për t’ i dhënë popullit qoftë edhe bukën, në kuptimin më të ngushtë të fjalës, pra atë bukën e keqe që shitej në atë kohë. Të gjithë regjimet komuniste kanë pasur një supersticion për bukën, gjë që vinte prej faktit që përmbysja e regjimit të vjetër të carit në fillim të vitit 1917, çka i hapi rrugën fitores së bolshevikëve, erdhi për shkak të kaosit dhe revoltës që u shkaktua nga mungesa e bukës. Bolshevikët qenë të vetëdijshëm për këtë gjë. Ata e panë me sytë e tyre se si njerëzit e nënshtruar e të trembur shndërroheshin në bisha të tërbuara nga uria totale, kur ata nuk kishin mundësi të merrnin as një racion minimal buke, sa për të mbajtur veten gjallë. Bolshevikët panë se si uria e zhdukte instinktin e vetëruajtjes, tek ekzistenca e të cilit bazohej frika e kultivuar te populli nga një regjim despotik represiv. Kjo uri masive i bashkonte njerëzit në turma dhe këto turma i shndërronte në forca sulmuese të tmerrshme, të cilat e fshinin tutje çdo lloj shteti despotik. Veçanërisht të frikshme qenë këto turma në qytete. Nëse në fshatra këto turma destruktive mund të izoloheshin në një territor të caktuar dhe të liheshin të treteshin nga vdekja, siç ndodhi në Ukrainë dhe Kaukazin Verior në fillim të viteve tridhjetë, në qytete dhe në kryeqytet forca e tyre ishte e tmerrshme e papëmbajtshme. Regjimi komunist nuk mund të përmbante forcën e turmave të uritura të banorëve të qyteteve, nuk mund t’ i izolonte ato dhe t’ i linte të treteshin e të vdisnin rrugëve. Edhe sikur të kishte mundësi ta bënte këtë kjo do të thoshte që regjimi të vetëshkatërrohej. Turmat e uritura që sulmonin dyqanet nuk mund të ndaleshin veçse duke u grirë me mitraloza, por kjo nuk ishte zgjidhje se të uriturit do të sulmonin përsëri.

Supersticioni i bukës e bëri regjimin bolshevik që edhe pse nuk e kishin për gjë që ta mbanin popullin në një nivel jetese mizerabël, me mungesa të mëdha ushqimore, të kujdeseshin që të mos kalohej ai kufi pas të cilit uria bëhet e tillë sa njeriu humb instinktin e vetëruajtjes, kur frika zhduket krejt.
Në verën e vitit 1990 diktatori komunist Ramiz Alia e kuptoi se nëse nuk ndodhte diçka magjike që do ta shpëtonte vendin nga kriza, atëherë në dimrin e ardhshëm shteti komunist nuk do të ishte në gjendje që t’ u ofronte as bukën shqiptarëve. Korrjet e vitit 1990 pritej të ishin më të këqijat gjatë shumë viteve për shkak se mbjelljet kishin qenë të këqija, në mungesë të naftës, pjesëve të këmbimit për traktorët, si dhe të plehrave kimike. ta çonte vendin në një situatë kur do të kishte një krizë humanitare ekstreme në vend, me rrezikun që gjysma e popullsisë të rrezikohej të vdiste nga uria, me ç’ rast regjimi komunist do të ishte i detyruar t’ i drejtohej botës për ndihmë, çka do të çonte në shpërbërjen e turpshme të partisë-shtet dhe të institucioneve të saj, duke nisur që nga Sigurimi i Shtetit. Këtë perspektivë regjimi komunist donte ta shmangte me çdo kusht.
Në ato rrethana regjimi komunist e shikonte rrugëdaljen nga kriza në dy mënyra. Nga njëra anë duhej të ndodhte një shfryrje e madhe demografike, duke u larguar një pjesë e madhe e popullsisë jashtë vendit, çka do të sillte rënien e presionit ndaj regjimit, dhe në anën tjetër duhej të vinin në vend ndihma të huaja ushqimore. Regjimi komunist provoi të bënte një eksperiment të shfryrjes demografike duke përhapur fjalë me rrjetin e tij përhapjes së thashethemeve se ishin hapur ambasadat perëndimore në Tiranë për të pritur refugjatë, të cilët pastaj do të pranoheshin në vendet përkatëse si emigrantë, dhe kur ambasadat perëndimore në Tiranë pësuan dyndje me refugjatë, regjimi komunist u shtir kinse kërkonte që ata të mos shkonin jashtë vendit, por të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Kjo ishte një lojë djallëzore e regjimit komunist që kështu donte t’ i fajësonte vendet e Europës Perëndimore se qenë përgjegjëse për eksodin në shkallë të gjerë që do të ndodhte pas dyndjes së njerëzve në ambasada, sipas skenarëve të Sigurimit të Shtetit.

Frika më e madhe për regjimin komunist në vitin 1990 ishte se në një situatë të katastrofës humanitare në Shqipëri, kur popullsisë do t’ i mungonte edhe buka, dhe nga vendi do të kishte eksode masive në drejtim të Perëndimit, vendet europianoperëndimore, me mbështetjen e SHBA, do ta deklaronin regjimin komunist shqiptar si një rrezik për Europën, që me ekzistencën e tij përbënte rrezik për sigurinë e popullit shqiptar dhe për sigurinë europiane dhe do t’ i kërkonin në mënyrë ultimative regjimit komunist shqiptar që ta dorëzonte vendin nën kujdestarinë ndërkombëtare, që do të krijonte institucionet qeverisëse paskomuniste, pa pjesëmarrjen e PPSH. Në fakt një kujdestari ndërkombëtare mbi Shqipërinë, por pa përmasën politike, ndodhi në 1991, kur për të kapërcyer krizën humanitare në vend u ndërmor Operacioni “Pelikan”, me të cilin forcat ushtarake italiane morën përsipër shpërndarjen në vend të ndihmave ushqimore për Shqipërinë. Nëse Shqipëria do të ishte vendosur nën kujdestarinë ndërkombëtare në dimrin e vitit 1990-91, atëherë në vend do të kishin ardhur forca ushtarake ndërkombëtare dhe një i dërguar i posaçëm ndërkombëtar, ashtu si ndodhi në 1997. Kujdestaria ndërkombëtare do të kishte vazhduar ndoshta për katër-pesë vite, deri në 1994-95. A do të kishte qenë më mirë apo më keq për Shqipërinë, nisur nga ato që ndodhën më vonë?

Në vitin 1990 regjimi komunist shqiptar kundërshtonte me kryeneçësi kërkesat ngulmuese nga Perëndimi që vendi të hapej dhe të lejohej pluralizmi politik, pra në vend të ndodhnin ndryshimet politike që tashmë kishin ndodhur në vendet e tjera të Europës Lindore. Por regjimi komunist shqiptar mendonte se ai mund t’ i shmangte këto ndryshime dhe të mbijetonte, për shkak të situatës në Ballkanin Perëndimor, ku Jugosllavia që gjendej në procesin e shpërbërjes ishte duke shkuar drejt luftës, që pritej të fillonte në veri të saj për të zbritur në jug. Ne atë kohë, SHBA dhe fuqitë e mëdha europiane, duke e parë këtë luftë të paevitueshme, donin që së paku ajo mos të dilte krejt jashtë kontrollit, çka me siguri do të ndodhte nëse lufta do të niste njëkohësisht në të gjithë hapësirën e Jugosllavisë, me ç’ rast do të implikoheshin me siguri edhe vendet fqinje. Në këtë pikë, Perëndimit i interesonte që Shqipëria të ishte stabile, pasi në rast se Shqipëria do të hynte në kaos, duke qenë dhe shumë e militarizuar, ajo do të bëhej bazë për një lëvizje e armatosur në Kosovë dhe në pjesën shqiptare të Maqedonisë.
Në këto rrethana, udhëheqja komuniste shqiptare mendoi se Shqipëria do të trajtohej nga Perëndimi si një rast i veçantë dhe se regjimit komunist shqiptar do t’ i tolerohej që, në këmbim të dhënies së garancisë për stabilitetin e Shqipërisë, të bënte vetëm ndryshime dekorative, si atë që diktatori komunist Ramiz Alia hodhi në qarkullim në verën e vitit 1990, dhe që e quajti “pluralizmi i mendimeve”. Ky do të zhvillohej deri në një pluralizëm politik të rremë ku Partia e Punës e Shqipërisë (partia komuniste) të kishte si “kundërshtare” ato që me Kushtetutë ishin levat e saj, organizatat e masave, të cilat do të shndërroheshin brenda natës në subjekte politike-pjesëmarrës në zgjedhje. Regjimi komunist shqiptar kishte llogaritur që të mbijetonte ekonomikisht duke marrë ndihma nga Perëndimi që do të kishte interes të sponsoronte Shqipërinë komuniste kur regjimi do të vetëretushohej në socialist i llojit perëndimor, në kuadrin e një kinse pluralizmi politik, me të cilin Perëndimi do të kënaqej si zgjidhja më pak e keq që siguronte ruajtjen e stabilitetit në vend.

Momenti kyç për lojën e regjimit ishte mbledhja e KSBE (emri i atëhershëm i OSBE), që do të mbahej në Paris në 19-21 nëntor 1990, që do të shqyrtonte kërkesën e Shqipërisë për t’ u anëtarësuar në organizatën e sigurisë europiane të cilën deri më atëherë e kishte shpërfillur dhe tallur. Kërkesa e Shqipërisë komuniste u refuzua falë kundërshtimit të fortë të SHBA dhe fuqive të mëdha europianoperëndimore, që kërkuan ndryshime politike në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera të Lindjes komuniste. Është interesante se Ismail Kadare, i cili një muaj më parë kishte kërkuar strehim politik në Francë, në kohën e Tubimit të Parisit, kërkoi publikisht që Shqipëria komuniste të pranohej si vend anëtar, me arsyetimin se kështu vendi afrohej me bashkësinë ndërkombëtare. Duket se me këtë mision e çoi regjimi komunist Kadarenë në Paris si të “arratisur” një muaj para mbledhjes. Nga fundi i nëntorit 1990, kur plani i mësipërm kishte dështuar, regjimi komunist shqiptar u rrëmbye nga paniku.
Ramiz Alia dhe zyrat sekrete të diktaturës komuniste kishin përgatitur dhe një Plan B, që duhet të bënte të mundur që diktatura komuniste në vend, të mos shpërbëhej me turp, por të evoulonte, duke u reformuar dy institucionet e saj kryesor PPSH dhe Sigurimi i Shtetit. Sipas këtij plani, në vend do të ndodhte një lëvizje politiko-qytetare, e cila do të kërkonte lejimin e pluralizmit politik, çka jo vetëm që do t’ i jepte një shans të ri për të mbijetuar PPSH-së, por do ta shndërronte befasisht këtë parti, pikërisht partinë komuniste që kishte ndërtuar diktaturën staliniste në vend, në një aktor të rëndësishëm në procesin e demokratizimit të vendit.

Kështu, në zyrat e Komitetit Qendror të PPSH u inskenua e ashtuqujtura Lëvizja Studentore e Dhjetorit, me ç’ rast një lëvizje studentësh për kërkesa ekonomike, e bërë në kuadrin e pluralizmit ramizian të mendimit, u shndrrua në lëvizje politike, me kërkesa për pluralizmin politik, të paraqitura nga një grup studentësh dhe intelektualësh të privilegjuar të regjimit, të instruktuar nga instruktorët e Komitetit Qendror të PPSH. Në mënyrë që këta njerëz, të cilët do të luanin rolin e liderëve të lëvizjes mos të shkonin si “qeni në vreshtë”, siç u tha një nga instruktorët, domethënë të dhunoheshin gabimisht nga forcat policore që do të bënin përpjekje të rreme për ta shtypur lëvizjen, këta studentë dhe intelektualë të përzgjedhur u veshën me një uniformë informale që do t’ i bënte ata të dalloheshin lehtë. Studentët e përzgjedhur u veshën me me xhupa lëkure të zinj, që ishin të rrallë dhe elegantë në Shqipërinë e kohës. Intelektualët, të cilët qenë pothuajse të gjithë profesorë universitarë u veshën me pardesy të bardha të modës perëndimore, të cilat gjithashtu qenë praktikisht joekzistuese në Shqipërinë e kohës.
Këta studentë dhe intelektualë të përzgjedhur ishin instruktuar gjatë tre muajve deri edhe në kurse të bëra nga aktorë të besuar, në mënyrë që të dinin si të flisnin para turmave, se regjimi komunist kishte preokupimin nëse këta njerëz do të mund ta realizionin misionin e tyre, duke mbledhur turmat dhe duke i hipnotizuar me karizmën dhe oratorinë e tyre, apo farsa do të dështonte. Këta njerëz do t’ i bënin dy shërbime regjimit komunist. Së pari, do t’ i bënin të mundur që të bënte ndryshimet politike, pa u dukur ato shumë si një lojë e regjimit për mbijetesën e vet me anë të një metamorfozë politike djallëzore. Ky është krimi i madh i atyre studentëve dhe intelektualëve që mburren dhe sot e kësaj dite se kanë qenë në Lëvizjen e Dhjetorit. Ata i dhanë mundësi regjimit komunist të zbatonte skenarin-farsë të vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, me kërkesë nga poshtë dhe me aprovim nga lart, sipas skemës tradicionale të diktaturës komuniste. Ajo që bëri lëvizja studentore e dhjetorit 1990 ishte se i dha mundësi Komitetit Qendror të PPSH që të jepte licencën e pluralizmit politik në vend.
Në ato momente më e mira ishte që të lihej regjimi të mbytej në batakun ku kishte hyrë. Nëse nuk do të kishte ndodhur farsa e dhjetorit 1990, e vendosjes së pluralizmit me dekret të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH, pasi kishte marrë miratimin e Komitetit Qendror të PPSH, diktatura komuniste do të kishte qenë e detyruar të shpallte falimentimin e plotë politik dhe ekonomik dhe atëherë gjërat do të mund të ecnin më mbarë në Shqipëri. Lëvizja studentore dhe udhëheqja intelektuale e saj, që u bënë liderët e opozitës e cila doli nga lëvizja e dhjetorit, e shpëtuan e shpëtuan diktaturën komuniste nga fundi i turpshëm, dhe PPSH, partinë që mishëronte diktaturën nga vdekja politike. Nëse fundi i regjimit komunist dhe i PPSH do të kishte ardhur kështu, atëherë asnjë komunist nuk do të mund të angazhohej më në politikën shqiptare.

Por studentët nuk i kuptonin këto gjëra kaq thellë në atë kohë, mund të thotë dikush. Nuk e besoj aspak këtë gjë. Çdo njeri në Shqipëri, i cili ishte kundër regjimit komunist dhe që dëgjonte radiot e huaja perëndimore në gjuhën shqipe, e kuptonte se diktatura komuniste ishte si një bishë e tërbuar që ka ngecur në batak, apo rërë thithëse, gjendej në përpëlitjet e vdekjes, dhe se gjëja më e mirë që duhej bërë në ato rrethana ishte të lihej të mbytej një herë e përgjithmonë. Ajo çka bënë studentët e lëvizjes së dhjetorit, ishte se i hodhën litarin e shpëtimit bishës që kishte ngecur në batak dhe po mbytej atje. Çdokush që ishte kundërshtar i regjimit komunist në atë kohë, e kuptonte, apo e ndjente me intuitë (është tjetër çështje ajo se sa ishte në gjendje ta artikulonte këtë ndjesi apo perceptim me fjalë) se nëse pluralizmi politik në Shqipëri do të vinte me dekret të Komitetit Qendror të PPSH, atëherë PPSH do të mund të bëhej aktor politik në epokën e demokracisë që do të niste me lejimin e pluralizmit, dhe vetë opozita ndaj PPSH, do të dilte nga lëvizja që ia kishte shpëtuar jetën partisë komuniste, pra politika shumëpartiake shqiptare do të luhej edhe për disa dekada si një farsë e inskenuar nga zyrat sekrete të Komitetit Qendror të PPSH.

Në lëvizjen studentore kishte naivë entuziastë, të cilët kujtonin se me të vërtetë qenë duke i bërë një të mirë të madhe vendit, por këta kishin shkuar pas atyre mjeshtrave të instruktuar, të cilët kishin tërhequr njerëzit me thirrje të guximshme politike. Këta mjeshtra, edhe sot bëjnë kinse nuk e kuptojnë atë që ka ndodhur në të vërtetë.
Studentët pjesëmarrës në lëvizjen studentore, të gjithë kishin mësuar historinë e PPSH në shkollën e mesme si lëndë të detyrueshme, prandaj ata e dinin se sipas Kushtetutës në fuqi, sundimi i PPSH ishte sanksionuar si pjesë e rendit kushtetues në vend, pra asnjë parti tjetër veç PPSH nuk mund të merrte pushtetin sa kohë nuk ishin shfuqizuar nenet e Kushtetutës ku përmendej PPSH. Kjo gjë i bënte të pavlefshme zgjedhjet politike në vend, dhe ekzistencën e partive opozitare me PPSH. Edhe nëse në zgjedhjet do të fitonte ndonjë parti tjetër veç PPSH-së, ajo nuk mund ta merrte pushtetin për shkak të ndalimit kushtetues!!! Pikërisht këtë pyetje ua kam bërë liderëve të rinj të Partisë Demokratike në ato tubimet në sallat e kinemave dhe të teatrove që mbaheshin në atë kohë dhe ku ata iu përgjigjeshin pyetjeve nga populli. Të gjithë ata të cilëve ua kam bërë këtë pyetje shtireshin shumë të habitur, ndërsa unë citoja Kushtetutën në fuqi.

Studentët, bashkë me lejimin e pluralizmit politik duhet që së paku t’ i kishin kërkuar Ramiz Alisë edhe shfuqizimin nga ana e Presidiumit të Kuvendit Popullor, të neneve të Kushtetutës që sanksionin pushtetin e PPSH. Por studentët nuk e bënë këtë, se ata nuk ishin instruktuar që ta kërkonin këtë gjë. Edhe partitë opozitare të krijuara pas lejimit të pluralizmit politik, pikësëpari PD që ishte partia kryesore opozitare, pranuan që të merrnin pjesë në zgjedhjet parlamentare që tashmë regjimi komunist (nga pikëpamja e rendit kushtetues vendi ishte ende diktaturë komuniste ku qenë lejuar partitë e tjera veç asaj komuniste) i kishte shpallur, por kërkoi vetëm shtyrjes e datës së mbajtjes së tyre, gjë që regjimi e pranoi, për të treguar se e mirëkuptonte opozitën. Dhe kështu farsa mori rrugë. Regjimi komunist shqiptar, pasi kishte shpëtuar nga situata-kurth ku kishte hyrë, përdori alibinë e situatës së krijuar në vend për shkak të lëvizjes studentore dhe protestave të opozitës, për t’ i hapi valvulat e shkarkimit demografik duke nxitur me qindra mijë shqiptarë të largoheshin nga vendi nëpërmjet detit dhe tokës, me anë të eksodeve të inskenuara nga regjimi komunist, që gjithmonë nisnin me një njoftim në televizon ku thuhej se fjalët e përhapura se do të ketë largim jashtë vendit nga toka e deti, se do të hapen pikat e kalimit kufitar me Greqinë, apo do të hapen portet detare nga ku njerëzit do ikin me anije në Itali, janë të rreme, dhe nuk duhen besuar nga popullsia. Në fakt me këtë shteti jepte sinjalin për eksod, duke bërë këto njoftime efektin e kundërt. Eksodi masiv i mbi gjysmë milioni shqiptarëve nga toka dhe deti në muajt e parë të vitit 1991 lehtësoi barrën e regjimit komunist dhe i mundësoi atij që t’ i kërkonte botës ndihma humanitare, kryesisht ushqimore, duke ia lënë fajin për krizën humanitare protestave popullore. Kështu regjimi komunist mundi të mbijetonte në dimrin e vështirë të vitit 1990-91, madje edhe të vetëlegjitimohej politikisht PPSH duke fituar zgjedhjet e para pluraliste në vend, ato të 31 marsit 1991.

Partia kryesore opozitare që u krijua si pasojë e lëvizjes studentore, Partia Demokratike, pati në krye të saj anëtarë të PPSH-së, pra komunistë, që me këtë rast lanë teserën e komunistit (nuk dihet se kur në fakt), dhe me këtë, praktikisht pluralizmi politik në Shqipëri u bë një proces i brendshëm i PPSH-së, në të dy grupimet e mëdha që politike që prodhoi ai, nga njëra anë Partinë Socialiste, pasardhëse të drejtpërdrejtë të PPSH, dhe nga ana tjetër Partinë Demokratike, pasardhëse të tërthortë (nëpërmjet liderëve të saj) të PPSH. Që nga viti 1991 e deri më sot, Partia Socialiste, për t’ u shfajësuar për çdo gjë që shkon keq në vend, kur ajo është në pushtet, si dhe për të shpjeguar çdo gjë që shkon keq në vend, kur ajo është në opozitë, ka treguar me gisht një njeri, liderin e PD-së, Sali Berisha, duke e quajtur komunist të pandreqshëm. Kur është fjala për të sharë Sali Berishën, njerëzit e PS-së nuk ngurojnë që të shajnë edhe komunizmin. Kjo është në stilin e Enver Hoxhës i cili për problemet që pati Shqipëri gjatë 40 viteve që ai ishte në pushtet, fajësoi në fillim Koçi Xoxen, pastaj Tuk Jakovën e Bedri Spahiun, më vonë Liri Belishovën, më vonë akoma Beqir Ballukun, Kiço Ngjelën, Abdyl Këllezin, më vonë akoma Mehmet Shehun, e pas tij Kadri Hazbiun. Të këqijat që komunisti Sali Berisha i ka bërë Shqipërisë janë përgjegjësi e partisë që e edukuoi, e anëtarësoi, e brumosi atë me frymën enveriane, duke i dhënë ato cilësi të cilat më pas ai, në moshën 47 vjeç, pra në moshën kur Lenini bëri Revolucionin e Tetorit, i përdori për të marrë nën kontroll Partinë Demokratike të porsakrijuar dhe për ta bërë atë instrumentin e pushtetit të tij personal, sipas modelit enverian të zbatuar ashtu si paraqitej i përthyer nën prizmin e demokracisë.

Ajo që nuk e kupton dot PS, ose bën kinse nuk e kupton, është se komunisti Sali Berisha, si lider i një partie politike të madhe, është njëra anë e problemit që i shkaktoi PPSH Shqipërisë me skenarin e pluralizmit politik të dhjetorit 1990. Ana tjetër e problemit është vetë PS, e cila doli në politikën shqiptare sipas skenarit ramizian të politikës paskomuniste të dhjetorit 1990. Është një parti pra, e cila e ka marrë nën sundimin e saj Shqipërinë në 29 nëntor 1944, dhe kjo parti krijoi Sali Berishën si një përbindësh politik, të denjë për veten e saj. Historia e konfliktit të Berishës me PS është historia e konfliktit të Frankensteinit, krijuesit të përbindëshit, me përbindëshin e krijuar prej tij. Në fakt, të dy, si krijuesi, ashtu dhe krijesa e përbindshme, qenë përbindsha. Njëjtë si PS është një parti e përbindshme politike, një rudiment i diktaturës komuniste, ashtu edhe Berisha është një përbindësh politik. Vatra e infeksionit që prodhon bacilin pra është partia e vjetër.

Është një parti pra, Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila ka ndryshuar dy herë emrin, ashtu si kriminelët që kërkojnë të fshehin identitetin, dhe që ka krijuar një përbindësh politik unik në llojin e vet, me Sali Berishën, e cila parti është përgjegjëse tekefundit edhe për bëmat e Berishës. Sado palë zgjedhje të fitojnë PS dhe PD, ato nuk fitojnë dot legjitimitet politik dhe koha e dominimit të tyre në politikën shqiptare vetëm sa zgjat epokën e nisur në 29 nëntor 1944, duke qenë periudha që nga dhjetori 1990 e deri më sot, vazhdim për inerci i periudhës komuniste. Pavarësisht nga ndryshimet që kanë ndodhur në këtë periudhë paskomuniste, pavarësisht se sa ka përparuar integrimi i vendit, një gjë është bërë e qartë, si trendi sundues i kësaj periudhe të quajtur e tranzicionit dhe ky është paaftësia e partisë komuniste të reformuar, si strukturë, si dhe e komunistëve të katapultuar në parti të tjera, për të qenë diçka tjetër përveçse pjesë e problematikës së Shqipërisë.
Sado që të reformohet në dukje PS, fryma strukturore e saj e saj mbetet ajo e PPSH. Nuk mundet që në një trup bishe, p.sh. të ujkut, të transplatosh zemër njeriu. Ngulmimi i të rinjve për ta ruajtur partinë e vjetër me emër të ndryshuar, tregon se ka një konspiracion që kalon nga brezi në brezi (komunistët e quanin shumë të rëndësishëm konspiracionin), për ruajtjen e instrumentit të sundimit të vendit. Nuk është rastësi që kjo parti dhe Berisha si off-spring i saj i hershëm, e përdorin pushtetin për të prodhuar totalitarizëm politik, ndërinstitucional, ekonomik, administrative etj., ashtu si paraqitet i përthyer nën prizmin e realiteteve të sotme kushtetuese të vendit, duke e deformuar rendin kushtetues në të gjitha përmasat e tij që nga ajo politike te ajo ekonomike. Ky është fakt. Prandaj, asgjësimi i kësaj kuçedre me frymë totalitare, është parakushti që të ketë një shans për të funksionuar rendi kushtetues në Shqipëri.

Në origjinë të problemit politik që ka Shqipëria është pra mosagjësimi i organizatës terroriste komuniste të krijuar në 1941 dhe që mbijeton ende duke ndryshuar emrat. Shqipëria nuk mund të shpëtojë nga e keqja që gjenerohet në politikën e saj nëse nuk asgjëson vatrën e infeksionit dhe të prodhimit të bacileve politike. Me zhdukjen e PS-së, PD e Lulzim Bashës do të zhduket shumë lehtë si krijesë politike e pluralizmit të licencuar nga Komiteti Qendror i PPSH në dhjetor 1990.
E gjithë kjo nuk është një kauzë e shtresës tradicionalisht antikomuniste të vendit, por është para të gjithash një kauzë e të gjithë atyre njerëzve të cilët nuk shikojnë alternativë të mirë për jetën e tyre në realitetin e përbindshëm që kanë krijuar këto dy parti në vend. Është pra një kauzë e pjesës më të madhe të familjarëve të 160 mijë komunistëve që kishte Shqipëria në 1990, po aq sa e shqiptarëve të cilët nuk kanë pasur komunistë në familje, e as janë përndjekur drejtpërdrejt nga diktatura komuniste. Është pra një kauzë e atyre që u është mohuar shansi për të jetuar në dinjitet dhe mirëqenie duke zhvilluar aftësitë e tyre në vendin e tyre./Kastriot Myftaraj
https://www.facebook.com/kastriotmyftar ... 8659901940

User avatar
rrëqebull
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1158
Joined: Sat Oct 06, 2012 12:29 pm
Gender: Male

Re: Skenari i Sigurimit të Shtetit që e shpëtoi diktaturën komuniste nga shpërbërja e turpshme (dhjetor 1990)

#2

Post by rrëqebull » Mon Dec 15, 2014 11:19 pm

[quote2="'"]Kukullat e Dhjetorit

Lëvizja dhjetoriste ishte një Lëvizje Kukullash. Kukulla shumëngjyrëshe, që laheshin një herë në javë, ose një herë në muaj. Kukulla të bukura, të mençura ose budallaqe. Kukulla të mërzitura me teatrin e vjetër dhe në kërkim të një teatri të ri. Teatri të ri kukullash. Kukulla me ndjenja të vërteta, por donin s’donin, me një rrip pas zverkut. Kukulla të vetëdijshme apo kukulla të pavetëdijshme se çfarë po ngjiste.

Kemi 24 vjet që e shohim këtë teatër të dyfishtë, ku dhe për ironi kemi një festë zyrtare, për një nga skenarët më falsë të Historisë më të Re të Shqipërisë. Jo se kjo që po them është një gjë e re, por rraskapitja e kësaj parade kukullash dhe marionetash, që u kurdisën nga zyrat e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, kjo rraskapitje pra është shndërruar në një neveri çoroditëse që duhet të mbyllet.

Pasi që edhe ciklin e Gënjeshtrës së tyre historike, besoj se e kryen. Heroikja e rreme e Dhjetorit të rremë polli pushtete mbi pushtete. Polli pasuri dhe ngriti vila e pallate. Heroikja e rreme rroku pushtete dhe stamposi e gdhendi medalje. Medalje të rreme, të një beteje që nuk ishte dhe të një kryengritjeje që u sajua me një regji të trashë.

Mirëpo, mjerimi ynë shqiptar është se vijojmë e tjerrim një të Pavërtetë mbas një të Pavërtete pararendëse. Jemi pra, edhe këtë fundviti, në kulmin e Diktaturës së Gënjeshtrës. Në vatrën e një talljeje kombëtare, me data fiktive, heronj fiktivë dhe për rrjedhim me një zallamahi të përçudnuar realitetesh të stisura në formë letrare të shërbimeve inteligjente, duke fshehur trashë, por mjaftueshëm për hutinë ku ndodhej turma e pangrënë dhe jo për faj të vet e palarë. Mirëpo 24 vite më vonë, edhe turma përgjithësisht lahet më shpesh dhe ushqehet disi. Ka një pasaportë dhe ka thyer brenda mitin e Parajsës së Perëndimit të Pamundur.

Dhe ka ardhur koha, koha që në të vërtetë ka kaluar ka kohë, që të thuhet e të pranohet një herë e mirë se në Shqipëri, në Dhjetorin e vitit ’90 nuk ka patur as revolucion dhe as përmbysje natyrale të Diktaturës komuniste. Sigurimi i Shtetit, i trajnuar bukur mirë nga shkolla e madhe e spiunazhit të KGB-së ruse, ishte padyshim një organizatë perfekte dhe për t’u pasur zili.

Si organizim, si inventar kukullash të kurdisura, si pasuri dosjesh të trasha dhe pengmarrëse, si nivel “kuadrosh” dhe si njohësja më e mirë e situatës në vend. Sigurimi i Shtetit kishte aparatin më të mirë funksionues në Shqipëri. Ishte i motivuar, me trajtim ekonomik special dhe drejtohej nga njerëz me bindje të forta besnikërie ndaj pushtetit dhe udhëheqjes së saj.

Askush në Shqipëri nuk mund të krijonte një Organizatë të dytë që të mund të konkurronte Sigurimin. Dhe nuk ishte aspak habi, që ishte Sigurimi, që krijoi simbas një skeme në tavolinë, “pluralizmin demokratik”, simbas porosive të “Udhëheqjes”. Për të pilotuar ndërrimin e sistemit, por njëkohësisht për të lënë në duart e “partishme” resurset ekonomike, resurset e influencave dhe monopolin e kryeveprës së tyre monumentale: “Monopolin e Dosjeve”. Në të cilat “Dosje”, dergjet së paku 1/3 e shqiptarëve, si bashkëpunëtorë apo si të përgjuar.

Jam larguar nga Shqipëria më 20 Nëntor 1990. I bindur se nuk do të kishte ndryshime të vërteta, por edhe kureshtar sa më s’ka për “Botën e Lirë”. Me vizë të rregullt të marrë nga “Gabriela”, konsulle simpatike e Ambasadës Italiane, një italianissima me bisht kali dhe fytyra më e qeshur në atë zymtësi që na rrethonte. Çuditërisht, konsullata për të përballuar fluksin e kërkesave dhe me lejen e autoriteteve shqiptare (?!), i kishte zyrat e improvizuara, mbas dyndjes së sajuar të ambasadave, te një ambient i Qytetit Studenti.

Më kujtohet fare mirë, turma e madhe e shpresëtarëve për një vizë, se si adhuronte në distancë ata që hynin dhe dilnin me “dream vizën” nga Gabriela e Ambasadës. Me sy qarës dhe fytyra të trishtuara dhe të paushqyera. Dhelpra, Qeveria shqiptare e asaj kohe, që kish tmerr dhe frikë maniakale nga shërbimet diplomatike perëndimore, e kish toleruar atë zyrë konsullore, pikërisht aty, në mes të mijëra studentëve të etur për liri aventurash dhe liri seksuale në radhë të parë, sepse paranë nuk e njihnin ende dhe pushtetin nuk e kishin konceptuar kurrë si të mundshëm.

I kam njohur dhe i kam prekur “dhjetoristët” të gjithë ose 99% të tyre. Pikëza të një turme në valëzim dhe kaq. Të ndërtosh sot mitin e tyre, ashtu si edhe dje, do të thotë të gënjesh, thjesht për përfitime politike imediate, në kurriz të historisë. “Dhjetoristët” nuk kanë më dhjamë për të tiganisur farsa të reja. Doktori ua nxori fundin prej kohe. Edhe antiberishistët dhjetoristë e kanë harxhuar karburantin e asaj hiçmosgjëje të kurdisur nga të tjerë gjithashtu. Sigurisht emocione kishte. Rënia e hekurave dhe këputja e zinxhirëve është një lumturi më vete.

Porse nga ky gëzim i sinqertë kolektiv që përjetonte ngordhjen natyrale të dinozaurit, tek mburrja se ishin “ata”, dhjetoristët, një pjesë e tyre “sigurimsa aktivë”, që e vranë “ata”, Sistemin dhe i futën”ata”, shpatën në zemër dinozaurit, kjo po që është, në më të paktën e vet, një bezdi e madhe, edhe për inteligjencën më mesatare.

Kjo Shqipëri e shpartalluar që prodhon pak ose aspak gjëra me vlerë, ka groposur veten me këto punishte e fabrika gënjeshtrash, që gatit biografira të falsifikuara liderësh, që duket sikur janë “pagëzuar” në “ujin e bekuar” të Dhjetorit heroik.

Dhe mendoj se, nëse do të ketë një hapje të vërtetë Dosjesh, të cilat Sigurimi i Shtetit, nuk dihet se si, por i ka ruajtur të pahapura deri më sot, në cilësinë e “Sekretit Shtetëror”, e pra nëse do të ketë një transparencë të tillë, të cilën e dyshoj, “Dosja e Dhjetorit” do të jetë Kryevepra, për të cilën grafomanët e shumtë shqiptarë do të kenë subjekt për qindra libra.

Por ndërkohë, “Dëmi Historik” është kryer. Por të paktën do të mund të mbyllet njëherë e mirë “Teatri i Kukullave të Dhjetorit”, që të shpëtojnë stomaqet tona nga të përzierët e përvitshëm, nga ky ushqim i kalbur retorik.

Dhe kjo nuk është pak.[/quote2]

shqiperia.com/shqip/opinionart/aID/2381/titulli/Kukullat-e-Dhjetorit

Post Reply

Return to “Politikë shqiptare”