Voskopoja ishte qyteti i dytë për nga rëndësia në kohën e Perandorisë Otomane pas Stambollit dhe si nivel europian në periudhën e lulëzimit nuk ishte prapa Vienës, Firences dhe Parisit për arsye se trashëgoi një pjesë të mirë të dijetarëve bizantine të cilët u larguan kur Konstandinopja ra në duart e otomanëve. Një pjesë e këtyre dijetarëve mërguan edhe në Firence dhe qytete të tjera europiane të cilat luajtën rolin kyç në Rilindjen Europiane. Nuk është parësore se kush e dogji Voskopojën por pse u dogj Voskopoja. Në momentin kur filloi të lëvroi gjuhën shqipe gjeti edhe vdekjen nga armiqtë e kombit shqiptar, por Beni ka të drejtë kur cilëson Voskpojën shqiptare dhe jo vllehe.
". Kur lexon kapitullin e pestë "
", mahnitesh sepse autori nuk ka pasur mundësi të devijojë dhe është i detyruar të nxjerri në pah rolin e akademikëve dhe njerëzve të kulturës në Voskopojë. Dhe me veti dhe qëllime të çuditshme, jashtë kornizave të të qënit ''vlleh''
V. KULTURA
“Që nga vllahu me gunë e kërrabë në dorë deri te intelektuali i Akademisë që merrej me spekulime filozofike u krye një revolucion i madh, jo aq nga koha e gjatë që kaloi sesa nga hopi cilësor i kryer. Për t’u bërë një mrekulli e tillë nuk mjaftonin vetëm zhvillimi ekonomik i qendrës sonë, pasi edhe vënde të tjera e luajtën mirë paranë por sikur e përbuzën pak kulturën dhe dijen. Pra, detyrimisht kemi të bëjmë me arsye të tjera me rrënjë më të thella, të ngulura në racën vllahe, në gjak, në traditë e trashëgimi. Vllahu dinak e i zgjuar, i gjallë e dinamik, pati tejembanë etje për mësim ashtu si stërgjyshërit e vjetër që përvetësuan dijet e kohës dhe i zhvilluan më tej me aq sukses. ... Pra, duhej parë e mësuar dhe kopjuar, duhej importuar në këtë drejtim, ashtu si lëndët e paprodhuara në vend. Kur e kërkonte nevoja vllahu i parë dinte edhe të përulej pak (përkulem por nuk thyhem), linte provizorisht mënjanë atë kryelartësinë e mustaqes së përdredhur, e hiqte veten tepër naiv, të paditur (edhe kjo një farë diturie ishte). Shkurt, raca dinamike vllahe kishte etje për të mësuar. ...
Ndikuan edhe arsye të tjera në ngritjen e mahnitshme kulturore të qytetit: marrëdhëniet e shumta të qytetit me botën e jashtme hapën horizonte të panjohura. Vozitjet në krahinat e afërta të Greqisë e Maqedonisë (Janinë, Ohër etj.) bënë të krijohen lidhje miqësore, fisnore, njerëzore e kulturore, përveç atyre të tregtisë. Kështu nga këto anë erdhën në qytet pedagogë e intelektualë, të dalluar e pa emër, qëndruan provizorisht apo u vendosën aty, të nxitur nga konditat e mira materiale që u krijoheshin; gjetën strehim intelektualë kozmopolitë, pedagogë të ndjekur nga dogmat fetare e skolastike në vendet e tyre. Ata sillnin me vete të rejat në fe, në shkencë, në art, në filozofi e pedagogji. Qyteti vllah e bënte barkun e madh, kishte nevojë për kuadro, për dituri, për zhvillim, si një vend i pashfrytëzuar që ishte. Kështu psh pedagogu grek Metod Antrakiti, i dëbuar nga Janina për pikëpamjet e veta në favor të rrymave filozofike franceze dhe kundër skolastikës aristoteliane, dha mësim në Voskopojë gjatë periudhës 1720-1736, në kolegjin grek të qytetit.
Por ndikimi i Perëndimit (më tepër indirekt) qe vendimtar.
...
Kolegji grek (Frondistidhio) ngritur në vitin 1710 qe një hop i madh cilësor në fushën e kulturës. Nxënësit të ardhur nga anë të ndryshme të Shqipërisë e nga Maqedonia, futeshin në një ambient të ri intelektual, pajiseshin me ide të reja , me pikpamje filozofiko-fetare të ndryshme nga ato të vjetrat, stërviteshin të përdornin “arsyen” për abstraksione konkluzione deduktive, duke u bazuar në “teoritë” dhe njohuritë e kohës. Frondistidhio-ja ishte e vendosur në qendër të qytetit, në godinat ngjitur me kishën e Shën Kostandinit. Edhe pas prishjes së qytetit shkolla gjendej përsëri aty dhe pllaka e shtruar te dera e Akademisë (Nea Akademia) u soll dhe u vendos te hyrja në fjalë (nuk dihet ku humbi mbas kohe).
Një rol të madh në kolegjin grek ka luajtur edhe heretiku Metod Antrakiti i përmendur më lart. Ai ka dhënë mësim për një kohë në kolegj dhe futi frymën e re të sjellë nga Janina, më e përparuar në këtë drejtim gjatë kësaj kohe. I frymëzuar nga filozofë frëngj Descartes e Malenbranche, ai predikoi me zell demaskimin e skolastikës së vjetër, përmbysi dogmat e ngurta, dha metodë të re për të udhëzuar arsyen njerëzore, kërkoi të hidhet tutje e kaluara dhe opinionet e mara dhe rindërtohet rishtas gjithë sistemin e njohurive. Antrakiti, bënte përpjekje për të pajtuar shpirtin e trupin plot të meta me frymën hyjnore të Zotit, qe optimist për jetën dhe suksesin e arsyes në gjetjen e së vërtetës. Në këtë mënyrë u hapën perspektiva të Shëndosha për themelimin e Akademisë, duke përgatitur kuadro, baza teorike, pikëpamjet e ambientin kritik dhe dishepuj të shpërndarë në të katër anët e vendit.
Duket se këto pikpamje të reja ishin futur e përkrahur më përpara në kolegjin e Janinës. Nëpërmjet rrugës të perëndimit (Franca), por edhe lufta kundër tyre pati qënë e ashpër nga ana e dogmave fetare përderisa një Antrakit i zoti detyrohet të emigrojë me vullnet të lirë. ...
Vlen të shënohet se gjuha frënge duhet të ketë qenë përvetësuar nga një pjesë pedagogësh apo intelektualësh përderisa ata spekulojnë mbi themelet e filozofisë së atij vendi. Edhe Sevast Leontiadhi, nga Kosturi, i diplomuar në universitetin e Padovës (Itali) nxënës i Antrakitit, eci po në ato gjurmë të mjeshtrit të vet dhe la mbresë si rektor i parë i “Akademisë së Re” në periudhën 1742-48, duke përhapur akoma më shumë iluminizmin Europian dhe duke i dhënë emër këtij institucioni të ri dhe qytetit të vet.
Por padyshim që ky hov i madh, kjo atmosfera e re kulturore rreth boshtit Janinë-Moskopolis, nxorri në pah personalitetin më të shquar dhe më tipik të asaj kohe, voskopojarin Theodhor Kavalioti, i cili sintetizoi, komentoi, përhapi dhe zgjeroi idetë e reja duke u dhënë atyre një nuancë e kolorit vendas, duke pajtuar e harmonizuar shqetësimet e kontradiktat e intelektualëve të lindura nga përpunimi i arsyes dhe i diturisë. Ai u farkëtua në kolegjin Marusian të Janinës nga një tjetër personalitet me famë ballkanike Evgjeni Vullgaris (1716-1806), arbëresh nga Greqia , përkrahës i flaktë i iluminizmit dhe sidomos i pikëpamjeve të Volterit, Lajbnicit, Volfit dhe Lokut. Ky mjeshtër i zoti i nguliti nxënësve të vet pothuajse moshatar, koncepte filozofike të reja, duke e bazuar burimin e njohurive në përvojën, duke ndihmuar ndijimin nga mendimi liberal, tolerant, kritik ai u bë idhulli i Kavaliotit. Por me pikëpamje idealiste, pra Zoti ekziston dhe paraqet perfeksionin e qenies e të shpirtit, ide këto që do t’i trashëgojë paskëtaj e përgjithmonë edhe mjeshtri i ri voskopojar.
Ngjarje mjaft e rëndësishme në jetën kulturore të qytetit ka qënë padyshim dhe themelimi i “Akademisë së Re”, kulmi i tërë sistemit arsimor, që nga shkollat e para për fëmijë të vegjël, më vonë edhe për të rriturit te kolegji grek me pedagogë të shënuar dhe të ndonjë tjetër institucioni të tillë që pati ekzistuar në atë kohë. Viti i themelimit ka qënë maksimumi 1742, në mos më parë ...
Por cilët qenë baballarët e saj?... Joasaf (patriku voskopojar i Ohrit), që me një grup intelektualësh voskopojarë vendosën të ngrenë një institucion aq të rëndësishëm për qytetin e tyre po aq famë madh. Mirë vendimi, po financimi? Ku u gjendën ato 694.000 aspra si ndihmë brënda një dite?...
Ndihmë jo dhe aq simbolike dhanë, i pari drejtuesi shpirtëror Joasaf (60.000), Mitropoliti i Kosturit (60.000), Igumeni i Shën Naumit në Ohër (12.000), pastaj parësia voskopojare kurdoherë e gatshme (250.000) dhe së fundi shtylla kurrizore e qytetit, përsëri esnafët dorëlëshuar (312.000)....
Në kohën kur rektori i parë i Akademisë pati qënë Sevast Leontiadhi, Theodhor Kavalioti (1718-1789) duhet të qe pedagog i saj në moshë akoma të re, ose të shumtën mori këtë detyrë rreth viteve 1744-45 (26-27 vjeçar) meqë nuk e pranon arsyeja që fill menjëherë të emërohet rektor, duke kapërcyer disa shkallë pak a shumë të nevojshme për afirmimin e tij. Për merita të veçanta dhe për aktivitetin e tij të dalluar në këtë qendër kulturore, emërohet rektor i saj në vitin 1748 (jo keq si karjerë për moshën 30-vjeçare). Që prej kësaj dite Akademia bëri një hop tjetër cilësor përpara e nxitur nga hovi, vrulli dhe karakteri i përgjegjësit të ri. U dallua si përkrahës i ideve iluministe dhe i pajisur me një kulturë të gjerë, ai u bë udhëheqës i lëvizjes kulturore, jo vetëm të Voskopojës, por edhe të krahinave të tjera të Shqipërisë së Jugut . Leksionet e tij mbi filozofinë, logjikën, matematikën, fizikën, filologjinë hidhnin baza për një kulturë të re. Ato vërtetonin rolin e diturisë për të arritur saktësinë, luftonin dogmat e vjetra, ashtu si paraardhësit dhe “ustai” i tij i Janinës. Si gjithë të tjerët edhe Kavalioti pranon qenien e Zotit dhe bëri përpjekje për pajtimin e shkencës me fenë.
Koha ku jetoi, tradita, trashëgimia, ambienti i vendlindjes me njëzetë e katër kisha, ceremonitë fetare me psallme, qirinj e temjan, të gjitha këto së bashku me bazat filozofike të mjeshtërve të kohës, bënë që Zoti “të zotëronte” në mëndje, në shpirt e në zemër, të duket i trembur dhe larguar materializmit, të pakonceptuar drejt për atë kohë e për atë vënd të mënjanuar. Sidoqoftë ai pati merita të mëdha. Përveç aktivitetit si pedagog e rektor, midis nxënësve vllehë e shqiptarë, ai shprehu pikëpamjet e konceptet e veta filozofike në një varg punimesh të rëndësishme, sidomos te “Logjika” e tij, Metafizika, Fizika, dhe të tjera, që u zhdukën andej-këndej, dhe fare pak mbetën deri në ditët e sotme. Ato shërbyen në radhë të parë për përdorim në Akademi dhe u shtypën në tipografinë e Voskopojës. Leitmotivi i tij del kurdoherë në pah: “Vetëm filozofia na jep mundësi të arrijmë përsosmërinë, të njohim realitetin, të zhdukim konfuzionin dhe kontradiktat e brëndshme, pra, duhet të studiohet dhe përvetësohet dituria, të gjitha këto në harmoni me fuqinë e mbinatyrshme, “Zotin”.
Ai u orvat që kishës ortodokse t’i jepte karakter kombëtar, duke dëshiruar të futej gjuha shqipe në predikimet dhe për këtë qëllim ndërmori përkthimin e “Dhiatës së Re”. Në vitin 1770 botoi një fjalor për tre gjuhët e qytetit (greqisht-arumanisht-shqip), që u shtyp në Venetik, duke u përpjekur në këtë mënyrë të vlerësonte e të përhapte më tej të dy gjuhët e nënvleftësuara të vendlindjes, sidomos vllahçen amtare, aq shumë të përdorur. (është vlleh apo shqiptar Kavalioti?! sipas autorit ) Dhe, nëse financa arriti kulmin me familjet e dëgjuara Peskara dhe Sina, padyshim që kuintesenca e intetelektualizmit moskopolit përfaqësohet nga Theodhor Kavalioti, i pasuar pastaj nga mjaft nxënës të tij. Meqë dallohet në shkollat e para për zgjuarsi, dërgohet nga esnafët kulturëdashës në kolegjin Marusian të Janinës, ku farkëtohet mirë e bukur nga idhulli i tij Evgjeni Vullgaris. Kthehet me njohuri të mira teorike dhe meqë iluminizmi evropian bëhet doktrina e tij, patjetër që zotëron, përveç greqishtes dhe frëngjishten, gjuhë kjo mjaft e përhapur edhe në Akademi, meqë në Bibliotekën e madhe ndodheshin vepra të dijetarëve francezë të kohës.
Le të mundohemi të depërtojmë pak në karakterin e këtij personaliteti voskopojar, nëpërmjet punës dhe aktivitetit të tij. Dëshira për të përkthyer “Dhjatën e Re” në gjuhën shqipe, botimi i fjalorit tre gjuhësh, dëshmojnë se ai, megjithëse i përpunuar nëpërmjet greqishtes dhe kulturës helene, është i vetëdijshëm për qenien e një atdheu as grek, as turk, por të robëruar e të prapambetur, atdhe ky që shtrihet anembanë vendlindjes, pavarësisht se shumë qytetarë të nderuar nuk e konceptojnë dot qartë në ato kondita. Pra, ai bëri përpjekjet e para për vlerësimin e shqipes, jo vetëm si nevojë e çastit për nxënësit shqiptarë të Akademisë (fjalori u botua pas prishjes), por edhe si afirmim zyrtar i një gjuhe të tillë, pra edhe i një atdheu përkatës, që detyrimisht është i tij dhe i bashkëkohësve të tij të robëruar nga Turqia.
Kavalioti përfaqëson tendencat e ambientit intelektual të Akademisë për t’u shkëputur nga administrimi prapanik turk dhe për një farë vetëqeverimi (sipas modelit të disa qyteteve evropiane), për t’u larguar gradualisht nga influenca e fuqishme e Patriarkanës reaksionare të Stambollit, që pengonte frymën e re në filozofi dhe në politikën e shteteve të robëruara të Ballkanit dhe, pse jo, për të krijuar “bërthamën” e një atdheu të ardhshëm shqiptar, ku të mbretëronte e mira, dija dhe vëllazërimi. Ai, së bashku me mjaft pasues të vet, udhëhoqën këtë rrymë ideologjike përparimtare, që nuk e pati jetën të gjatë, por tregoi se që në atë kohë po forcohej koncepti i një atdheu shqiptar . Nxënësit e Akademisë mësonin aty greqishten e vjetër dhe të re, gramatikën, letërsinë, logjikën, filozofinë, matematikën, fizikën, teologjinë dhe shkenca të tjera jo në atë nivel e sasi si ata të universiteteve të dëgjuara të asaj kohe, por sidoqoftë të jashtëzakonshëm për vendin njerëzit dhe shtypjen e provincave të largëta otomane.
“Akademia e Re” përgatiti intelektualë të shumtë nga Shqipëria e jugut dhe Maqedonia, të cilët pajiseshin aty me një kulturë të mirë dhe e përhapën atë në vendet e tyre, së bashku me frymën e re moskopolite, duke i ngritur kështu emrin e vet dhe të qytetit të përmendur. Pra, hidheshin hapat e para, jo vetëm për një rilindje kulturore por edhe atdhetare . Një pjesë e madhe prej tyre, para dhe pas prishjes të qytetit (edhe Kavalioti vetë), shpërndahen nëpër Evropën e zhvilluar dhe shquhen për ngritje, për zotësi, për talent e për ndershmëri. Padyshim që në këtë drejtim shkëlqeu mbi të gjitha figurat e intelektualit kozmopoliti voskopojar, Kostë Xhehani (Kostë Jorgji Çekani) që u bie kryq e tërthor universiteteve më në zë të Evropës (gjaku nomad i stërgjyshërve?) dhe la emër kudo për vlerat e tij të shquara. Kështu, ky intelektual nomad ndjek studimet në universitetin e Halle-s (Gjermani), prej aty shkon në atë të Gotingenit, pastaj qarkullon si pa gjë të keq nëpër Vjenë, Paris, Londër, Leiden (Hollandë) duke parë e duke mësuar, gjithmonë i etshëm për dije e njohuri. Ashtu si “shefi” i përmendur i Akademisë edhe nxënësit e tij “mjeshtër Kosta” ndjek rrugën e të parit, duke hartuar një histori të Skënderbeut në greqisht në bazë të veprës së Marin Barletit, që botohet në Moskë më 1812. 
Përpjekjet për shqipërimin e “Dhiatës së Re” në luftë me pengesat e Patriarkanës së Stambollit (gjuhë barbare shqipja!) u vazhdua nga nxënës të tjerë të Kavaliotit, ose bashkëkohës të ndriçuar prej frymës voskopojare dhe ata të përmendur për dije e kulturë. Peshkopi i Durrësit Grigor Durrsaku e përktheu atë më 1761 dhe më tepër në një alfabet origjinal, aspak të ngjashëm me germat greke .
I dëgjuari Dhaskal Todhri (Theodhor Filipi), që i ngjiste Kavaliotit, jo vetëm nga emri por edhe nga zemra e mendimet shqipëroi fragmente nga Dhiata e lartpërmendur, si dhe pjesë liturgjike. Në gjurmët e voskopojarëve përparimtarë u mundua të sjellë një shtypshkronjë në Elbasan, më 1805 dhe u eliminua në rrugë e sipër.
... Durrsaku i përmendur lë mënjanë skeptrin e peshkopit dhe me dorën e vet harton një alfabet origjinal të gjuhës shqipe që flitet kudo, por nuk shkruhet lehtë, punë kjo jo fort e lehtë e pa vlerë.
Tjetri (Kostë Kozmopoliti) shkon edhe më tutje duke u rikujtuar bashkëkombësve të vet bëmat e famshme të Skënderbeut dhe luftën e “albanëve” kundër Turqisë (për analogji i nxit tani të përsëritin të kaluarën heroike).
..........
Institucioni më i vjetër por jo më pak i rëndësishëm qe padyshim shtypshkronja e përmendur e Voskopojës, që mori emblemën e Shën Llukajt (Shenjt pa faltore në qytet). Edhe për vitin e ngritjes së saj na jepen dy data, pak a shumë të afërta: në vitin 1714 Gregor Gega, me origjinë durrsake e solli nga Venetiku atë dhe e vendosi në Voskopojës. Shumica dëshmojnë se tipografia u soll nga Vjena më 1720, me iniciativën e Joasafit (përsëri babagjyshi fjalërëndë) dhe në të punoi si drejtues, tipograf e korrektues hieromonaku Grigor Kostandini së bashku me Grigor Voskopojarin (dy Grigorët) ....”
Dhori Falo Tragjedia e Voskopojës f. 146-170
Voskopoja është toponim sllav dhe themelimi qytetit daton qysh në fillimin e shek të XIII, para dyndjes së vllenjve në tokat shqiptare e cila u krye pas pushtimeve të thella por për një kohë relativisht të shkurtër të Car Dushanit gjer në Peloponez. Ishte ky i fundit që i hapi rrugën popullsisë vllehe për tu zhvendosur në tokat tona. Që nuk ka pasur vllenj në Shqipëri para Dushanit është e konfirmuar edhe nga dokumentet bizantine.
Për sa i takon humbjes më të madhe të kombit mos harrojmë se kombi si nocion del në skenë pas Revolucionit Francez. Për nga pasuria 
 Voskopoja përbën një humbje më të madhe se sa e paraqet Blushi.