"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Mbetjet elitare të nji regjimi dështak

Sillni artikullin më të fundit që ju ka bërë më shumë përshtypje diskutoni rreth tij, argumentoni qëndrimin tuaj.

Moderator: bardus

Post Reply
Phoenix
Supreme Member
Supreme Member
Posts: 476
Joined: Thu Sep 24, 2009 3:12 am
Gender: Male

Mbetjet elitare të nji regjimi dështak

#1

Post by Phoenix » Tue Nov 30, 2010 10:36 pm

[quoteemProf. Ardian Ndreca*]Zakonisht i shmangem leximit të disave si Ardian Klosi, Fatos Lubonja apo ndonji tjetri si ata, pse koha asht e çmueshme për me ja kushtue derdhjeve logorroike të këtyne stafilokokëve të publicistikës shqiptare. Në këto 20 vjet Klosi, Lubonja e do teveqela tjerë janë ba si Ali Xhixha maje telit, mundohen me e nxjerr jetesën me akrobacina, e edhe pse teli asht ulë mjaft përtokë e kujtojnë veten në naltësina qiellore.

Ndoshta deri para 20-30 vjetësh, kur nji i verbët me nji sy tek ne mundej me u cilsue i madh prej nji mase që ishte e verbët dy sysh, këta e shokët e tyne diçka kishin mujtë me thanë, por sot u ka ikë koha dhe siç e tregojnë vetë faktet s’u ka vjeftë as shkolla që u ka dhanë Enver Hoxha, e për të cilën ata krenohen, as liria në të cilën jetojnë. Këtyne goxha intelektualëve shkenca për të cilën kanë studjue nuk ua ka pa kurrë hajrin, prandaj kanë gjetë nji strehëz në ndonji website, gazetë apo shtëpi botuese, tue u mundue herë me shoqata të hueja, herë me ndonji ambasadë syleshe, herë me ndonji financim privat, me ça turrën, tue nxjerrë në dritë sprova veleitare apo përkthime ku masakrohet gjuha, historia dhe shijet e shqiptarëve të pafajshëm.

Të dy këta, si Klosi, si Lubonja, janë ndër produktet ma të nalta të nji sistemi që për ma se katër dekada u mundue me themelue nji erë të re, nji aristokraci të re të mendjes, nji inteligjencë të papame ma parë.

Mendoni se Klosi e Lubonja do të ishin përkatsisht Branko Merxhani apo Ismet Totoja i sotëm?!

Regjimi komunist shqiptar, i mbarsun me farën e mësimeve të komunizmit aziatik të tipit leninist dhe stalinist, u sforcue seriozisht për katër dekada, u përpoq me tejkalue murin e inferioritetit që e lidhte në origjinë me teneqexhi e bjerraditës të tjerë të pashkollë e të pamoral, e çka nxori në dritë... polli mali e bani dy-tre minj, që haram se i duhen gja kujt.

Në qoftë se kanë pësue ndonji gja prej regjimit të E. Hoxhës, kjo s’u ka ardhë pse kanë qenë ndryshe prej tij, por vetëm pse Hoxha herë mbas here i pastronte stallat e veta, tue inventarizue mallin që kishte, pra kanë ra pre e nji lufte mbrenda species.

Sa herë që dalin ex cathedra me u mësue mend shqiptarëve, nuk bajnë tjetër veçse tregojnë se janë aborte të suksesshme të mendësisë komuniste.

Prej sensit të inferioritetit që i ndrydhë shpirtnisht ata ushqejnë nji lloj mllefi ndaj gjithçkaje që ka të bajnë me identitetin dhe me vlerat shqiptare. Kur flas për identitet nënkuptoj ato karakteristika që i bashkojnë shqiptarët dhe jo ato që i ndajnë. Un besoj se ne shqiptarët nuk jemi as ma të mirë e as ma të këqij se tjerët, e ky mendim i jemi rrjedh prej historisë. Por ata, si personazhe të mangëta të nji farse, mbesin në kërkim të autorit të vet për me e gjykue publikisht. Dhe e individualizojnë gabimisht ketë autor në gjithçka të mirë e pozitive që kanë shqiptarët. Kthehen në martir të së keqes, vuejnë kur ndeshin në diçka pozitive dhe mundohen me e zhba dhe me e ulë. Kështu ndodhi me sulmin e orkestruem kundër Skënderbeut. E vetmja mënyrë e tyne për me gjallue asht me prozhmue dikënd: Skënderbeun, rilindasit, Ismail Qemalin, Nanë Terezën, Kadarenë... për ta duhet të ulen malet e të çohen sukat e djerrinat, pse kështu dalin disi në pah, pontifikojnë në distrofinë e tyne të pandalshme shpirtnore.

Po çka mundena me ba ne përpara historisë! Vetë Ora e Shqipnisë ka dashtë që ne të ruenim vetveten deri në vitin 1912 e në këtë vit fatlum të shpalleshim shtet në vedi. A kemi faj, bie fjala, që kurdët, vllehët apo tamilët nuk kanë mujtë me e ba nji gja të tillë?! A kemi faj që nji seri personash si Klosi e si Lubonja, mundohen me iu afrue skenës së historisë, dje me hap ushtarak e sot barkas, pa mujtë me fitue asnji farë kuptimi!

Para pak ditësh, këta të dy, njeni mbas tjetrit, si nji kor pionierësh, treguen indinjatën e tyne, pse pjesë e nji pamfleti të shkruem prej meje paska hy në nji tekst shkollor, gja që un s’e dijshe. Klosi botonte nji shkrim me titullin “Manipulimi i mendjeve”, ndërsa tjetri i bante jehonë me nji shkrim të titulluem: “Përsëri mbi strehen e fundit të horrave”, tue nënkuptue me ketë strehë patriotizmin.

Asht e diskutueshme nëse patriotizmi asht streha e fundit e horrave, por dihet mirë se, qysh në kohë të Solonit dhe Perikliut, bastardëve u mohohej e drejta me pasë nji atdhe.

Pamfleti im asht botue në vitin 2008 e ka si objekt librin dritëshkurtë të J. O. Schmitt-it për Skënderbeun, i cili tue u nisë prej nji dokumenti të vetëm, të dorës së dytë, ndërsa mtonte me sjell mbrapsht gjithë historiografinë skanderbegiane, përfundonte thjesht tue u ba qesharak para botës për mendjelehtësinë e tij prej vanitozi.

Së pari, duhet thanë se shërbimin ma të keq atij teksti ia ka ba vetë Ardian Klosi, “shqipëruesi”, ose ma drejtë klosëruesi, mbasi ai përkthim asht nji keqeshkrojë e padenjë me pa dritën e botimit. Në të sintaksa shqipe dhunohet ma shumë se rregullat e qarkullimit rrugor në Tiranë, ligjet ma elementare të gramatikës injorohen... pse, me sa duket, i vetmi qëllim i atij përkthimi ka qenë zhgrrapsja e fondeve prej nji shoqate helvetike.

Si mund të quhet nji përkthyes që në faqen 122 të librit të Schmitt-it, ku citohet nji dokument në të cilin flitet për aftësitë e Skënderbeut si gjuetar, që vriste “pata dhe rosa të egra, dhe madje edhe keca”, ka përkthye “keca” në nji kohë që dokumenti autentik, i prumë prej Schmitt-it, ka skajin “capriolli” (sic!).

Në mendjen e përçudun të Klosit, Skënderbeu nuk gjuente kaproj por keca e ndoshta edhe pula.

Nji përkthyes i tillë o asht palaço pse don me vu në lojë heroin tonë kombtar në nji tekst gjoja historik, o asht injorant, ose i ka të dyja!

Tek shkrimi i tij Klosi kacagjelohej tue u nisë prej faktit se e bija paska mbetë e çuditun sesa shumë ia urrekan të jatin. Lexuesi këtu, tue e pa vetë se çka pata shkrue motit për Klosin, mundet me e gjykue qartë se ma e shumta që kam shprehë ndaj tij asht nji përçmim i përmbajtun në landën që ai vetë ka ofrue në atë përkthim. Urrejtja asht nji ndjenjë shumë impenjative për me ja kushtue nji Klosi. Gjithsesi më habiti kjo ndjeshmëni e vonueme e tija, mbasi ndërkaq kisha lexue nji libër shumë ma interesant se temin, të shkrimtarit Sadik Bejko, me titull “Disidentët e rremë”, ku botohen dokumente që na e nxjerrin Klosin spijun të Sigurimit, që si i tillë paska marrë në qafë njerz dhe madje qenka shpërblye tue u dërgue me studjue në Austri. Më çuditi fakti që Klosi nuk asht revoltue e nuk i asht përgjegje ende Bejkos! Nejse punë e tija.

Megjithatë në shkrimin e tij ai në nji pikë kishte mbërrijtë me qenë vetvetja, e pikërisht aty ku tregonte urrejtjen e tij tinzare ndaj gegnishtes, në nji kohë që kishte vite që na shitej si përkrahës i saj e madje edhe i Camajt.

Sa për Lubonjën s’mund të them asgja, pse kur ai më flet për filozofi të historisë o për metodë shkencore asht si me ndie leksione anatomie prej nji kasapi. Po citoj nji artikull të tijin, të botuem para nji viti, e le të gjykojë vetë lexuesi sesa injorant asht Lubonja:

“Pra edhe luftrat e Teutës me Romakët edhe luftrat e Skënderbeut me turqit, edhe shkrimi i Formulës së Pagëzimit nga priftërinjtë katolikë si rezultat i Kundër Reformës së promovuar nga Vatikani, edhe kryengritjet e feudalëve shqiptarë ndaj reformës centralizuese dhe modernizuese të Tanzimatit, në historiografinë tonë janë trajtuar si lëvizje nacionale, si forma të shqiptarizmit, të nxitura nga shqiptaria” (F. Lubonja, Mbi librin Në fillimet e nacionalizmit shqiptar të Nathalie Clayer, në gazetën “Korrieri”, 26/10/2009).

“Shkrimi i Formulës së Pagëzimit nga priftërinjtë katolikë si rezultat i Kundër Reformës” !!!

Po, po, kështu shkruen dijetari ynë Lubonja, nuk ju bajnë sytë.

Ky injorant o nuk e din se cilës periudhë i përket Formula e Pagëzimit ose nuk e ka idenë e Kundërreformës.

Formula e Pagëzimit asht shkrue në vitin 1462, ndërsa Kundërreforma i përket gjysmës së dytë të shekullit XVI. Lubonja ngatërron në histori ngjarje të cilat i ndan nji shekull, jo 10 apo 20 vjet.

Po pse duhet të vijojmë me marrë nektarin e banaliteteve të radhës prej nji injoranti të tillë!

Pra, për Lubonjën s’mund të them asgja, pse ai nuk boton ato që mendohet se din, ekuacione e probleme aritmetike, por merret me gjana që s’din ku bijnë me shtëpi, me Formula tjera që në Bllokun ku ai asht rritë nuk kanë qenë shumë familjare.

Ah, intelektual hidrofob kafenenash, në nji vend normal, seleksionimi natyral do t’u kishte hedhë me kohë tutje, sidomos ju, që rranjët i keni te Blloku, te koncentrati i çmendunisë dhe i ligësisë, dhe jo tek aftësia apo tek inteligjenca natyrale.

Kush reflekton sadopak rreth historisë trishtohet, pse sfondi i saj mbetë gjithnji gri prej injorancës, banalitetit dhe shpirtvogëlsisë së atyne që janë sëmundja sistemike që shoqnon rritjen tonë, atyne që si Klosi dhe Lubonja janë mbetjet, kinse elitare, të nji regjimi dështak.



*Autori është pedagog në Pontificia Università Urbaniana në Romë. Replika vijon edhe në numrin e nesërm.
Burimi: http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bca ... eca&id=417


Inkoherenca e Klosit dhe Schmitt-it në një libër për Skënderbeun

... Nji kapitull më vete përbajnë mrekullinat e përkthimit të Klosit. Kemi përdorime fjalësh të pangjashme si p.sh. trusni, kemi shenjimet në fund të faqes, që shpeshherë përkthehen përgjysmë, tue lanë gjysmat gjermanisht (f. 49, f. 53 nota 128, f. 260 n. 602), kemi emna që mbesin në trajtat e hueja si Grgur, Signoria (me lakimet përkatëse) (f. 44), kemi emna personash shqiptar që shkruhen: Paul Angelus [Pal Ëngjelli] – ku forma e huej s’asht as latinisht as shqip.

Vijojmë me ndeshë formën Barleti në vend të Barleci, e cila do të ishte ma e drejtë në qoftë se kemi nji ide rreth vlerës së rrokjes latine “ti”, kur zanorja asht e patheksueme! Kemi forma absurde si Gjeorgj Balshiq (ff. 75-76), herë tjetër ndeshim Ivan Balšiq e mandej shohim forma si Gojko Strez Balsha (f. 150). Ka toponime që herë dalin të shkrueme në nji formë e herë në nji tjetër, pa fé koherencet, p.sh. Bila kamin, Bilakamin apo Bila Kamin (ff. 70, 74, 99). Kemi terma që dalin shqip në forma të pangjashme, p.sh. rasat dhanore e kallzore: Kurisë e Kurinë (f. 139 passim) na bajnë me mendue se emnorja asht Kurí. E pra bahet fjalë për “kurien”, institucion romak e mandej edhe kishtar katolik. Ndeshim emna që në tekst dalin në nji formë e në nota dalin ndryshe, p.sh.: Bisko / Pisko (fq. 490), apo Alberico Maletta / Alberico Malletta (ff. 289, 291 n. 64), Franko / Franco (f. 78). Emna personash jepen në forma si kjo: Muzakë d’Angelinos (f. 150), pra as shqip as italisht, por nji gjuhë mushkë. Shohim simbole dhe theksa të çoroditun, le të vlejnë si shembull instar omnium shenjimi 3 në faqen 113.

Kemi përkthime që venë në diskutim jo aftësinë e përkthyesit dhe as faktin që këtë punim e ka krye me nji ngut të patregueshëm, por vetë qëndrimin e tij ndaj figurës së Skënderbeut. Për shembull në faqen 122 citohet nji dokument ku flitet për aftësinë e Skënderbeut si gjuetar dhe thohet se vriste “pata dhe rosa të egra, dhe madje edhe keca”. Teksti origjinal ka skajin “capriolli”, kurse përkthyesi e ka ba shqip: keca. Tashti, nji gjuetar që vret keca apo pula asht qesharak, kurse nji gjuetar që vret kaproj dhe derra të egjër asht në rregull. E kuptojmë se Klosi vjen prej nji epoke ku gjuetinë e banin udhëheqsit e partisë dhe vritnin kaprojt e derrat e egjër sikur të ishin keca dhe beca, por nuk mund të falsifikohet nji dokument historik për me ia përshtat atë gjendjes së tij të rame shpirtnore!

Në faqen 137 përkthehet nji frazë e Pelinit, që në origjinal tingllon: “el paex de Albania non è più per mi” kështu “sepse Arbëria nuk ekziston më për mua”!

Kurse emni me të cilin abuzohet ma tepër, saqë tue lexue nji përkthim si ky, dyshimet nuk shkapërndahen por grumbullohen, asht emni Muzakë. Mendoni se në tri faqe (ff. 191-193) kemi plot gjashtë mënyra shkrimit të këtij emni: Gjon Muzaki, Muzakajt, Joan Muzakës, Joan Muzaki, Muzaka, Musachi! Ky s’asht përkthim, por nji tabelë kombinatorike. Ka emna të huej që përkthehen, ka të tjerë si Xenophon (f. 257) që mbesin siç kanë qenë. Ka fjalë që thjesht janë transliterue shqip: pontifeksi Kalikst (f. 333), apo të tjera që janë shpërfytyrue: mbret bosnjak Thomai (f. 345) – a thue se mbreti boshnjak ishte prej Korçet, apo të tjera si: Alessio Albanese (f. 358), konsistoriumi (f. 395).

Ata që do të marrin guximin me e lexue ketë libër duhet të mësohen me pasigurinë terminologjike dhe me mungesën totale të koherencës në shkrimin e gjuhës shqipe, gja që e ban këtë studim paksa të mangët.

Nji problem tjetër asht sintaksa e ngathët e pa forcë shprehëse, frazat e ngatërrueme pa krye e pa kuptim, frazat e përmbysuna që mezi marrin frymë prej kalimesh prej kohës së kryeme apo të pakryeme në të tashmen – e kjo gja ndodh përgjatë gjithë këtij studimi të vëllimshëm.

Përpara këtyne problemeve të randa nuk ka pasë se çka me ba as vetë “Natyra”, shtypshkronja ku asht botue libri.

Do të kishte qenë ma mirë që nji pjesë e kontributit të “Swiss Agency for Development SDC” të ishte përdorë me pague nji redaktor apo lektor të zotin, në mënyrë që teksti shqip të tingllonte vërtetë shqip.

Po japim këtu disa shembuj të sintaksës problematike të këtij përkthimi:

“Skënderbeu dhe Araniti vepronin ndaras nga njëri-tjetri, këtu Kastrioti me “kushërinjtë dhe baronët e tij,” aty më i moshuari, për një kohë më të gjatë e më i nderuari “kont në Arbëri” (f. 110).

“Sundimi i Skënderbeut nuk ishte diçka e palëvizshme, porse një hapje e tkurrje të vazhdueshme” (f. 111). “Askush më pak por vetë papa Piu II e përfshiu këtë histori në veprën e tij...” (f. 214)

“...në më të shumtën e jetës së tij ai ishte shumë më pak gjahtar e shumë më tepër gjah” (f. 228).

“...në fakt ai e kishte ruajtur pavarësinë e tij, padishahu nga ana e vet para gjithë botës pretendimin për sovranitet” (f. 230). Morëm vetëm disa shembuj, por shtrembnime të padrejta të sintaksës shqipe si këto, ka kudo në përkthim, aq sa shumë herë rrezikohet vetë kuptimi i fjalive.

* * *

Duhet nji durim i madh me e lexue librin e Schmitt-it, por kah ana tjetër vetëm po të lexohet ai mund të vlerësohet drejt. Sigurisht nuk i japin vlerë (siç e theksueme edhe ma nalt) nëntekstet e shpeshta dhe shprehjet e paqarta që gjinden në këtë libër. Për shembull, kur flet për familjen Engjelli (f. 483), autori përmend se kjo familje mori me vete në Itali nji numër të madh dorëshkrimesh të vërteta dhe të falsifikueme. A thue asht rastisje që mes gjitha këtyne dokumenteve autori përmend dorëshkrimin Ashburnham 1184; për profanët spjegojmë: atë ku gjindet Formula e Pagzimit. Çmitizim? A mos don me thanë se Formula e Pagzimit asht e rreme?

Kur shkruen për Balshajt, Schmitt-i harron me citue apo së paku me ju referue studimit të mirënjohtun të G. Gelcich-it, titulli i të cilit zbukuron vetëm bibliografinë e tij (për hir të së vërtetës, nji ndër vendet e pakta ku citohet Gelcich asht f. 142, n. 129). Prej leximit shohim se as Acta et Diplomata (për periudhën pararendëse) dhe as vepra monumentale Illyricum Sacrum e Farlatit nuk kanë tërheqë vemendjen e autorit.

Na duket nji mungesë e madhe në nji studim mbi Skënderbeun shmangia që u asht ba veprave si këto, e na duket e pamujtun që kjo zbrazti të mbushet me zbornikët e fakulteteve të filozofisë së Beogradit, me Spremić-in apo me ndonji autor si Pall, që sot asht i tejkaluem. Po e lamë mënjianë mospraninë e autorëve minorë si Basilio Pandzic, që ka botue gjana interesante mbi kontributin e françeskanëve në luftën e Skënderbeut.

Mund të themi në mbyllje se historiani i ri zviceran Schmitt nxjerr jashtë luftimit me dy rreshta gjithë historiografinë shqiptare që asht marrë me Skënderbeun.

Simbas tij Fan Noli dhe Athanas Gegaj farkëtojnë mite mbasi marrin Biemmi-n si të vërtetë (f. 490 passim).

Kristo Frashëri del edhe ma fajtor, mbasi, edhe pse e din që Biemmi asht i rrejshëm vijon me e përdorë pse i pëlqen me u përkundë me ninëzat e vetëdijes jokritike popullore (f. 481).

Edhe Aleks Buda nuk ka qenë ma pak fajtor – simbas Schmitt-it – për shkak të pranimit oportunist të këtij burimi të rrejshëm (ff. 481, n. 158, 493).

Autori Schmitt edhe pse, tue përdorë skepsin ma të rreptë, hedh poshtë pa apel Biemmi-n (në fakt ai kufizohet me përqafue idetë e K. Ohly-it dhe Babinger-it) dhe përbuz Barlecin, nuk ngurron me na citue në ketë libër romancieren, baroneshën von Godin apo me na paraqitë ndër burime skanderbegiane librin e gazetarit anglez Harry Hodgkinson, i cili gjatë aktivitetit si spiun britanik në Shqipni gjatë Luftës së Dytë Botnore paska pasë rastin me u njohtë me gjeografinë dhe me mendësinë e malsorëve (ff. 149, n. 156; 492-493)!!

* * *

Mundena me thanë me plot gojë se “Skënderbeu” i Schmitt-it nuk asht historia e Skënderbeut. Autori asht rrekë me ba nji shtegtim të mundimshëm intelektual në gjinin e shekullit XV, por asht kthye si ai shtegtari që edhe pse shkoi deri në Misir, nuk mbërriti me i pa piramidat.



*Fragment prej librit: Kur “Skënderbeu” nuk asht historia e Skënderbeut, Onufri, Tiranë 2008. Vazhdim i polemikës së Ardian Ndrecës me Ardian Klosin e Fatos Lubonjën pas shkrimeve të tyre kritike për futjen e pjesëve nga ky libër në tekstet shkollore. Ardian Ndreca është pedagog në Universitetin Urbaniana-Romë.

Burimi:http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bca ... eca&id=422[/quoteem]

Post Reply

Return to “Artikulli i ditës”