"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Kur PS urdhëronte: “Jo çështjes çame"

Sillni artikullin më të fundit që ju ka bërë më shumë përshtypje diskutoni rreth tij, argumentoni qëndrimin tuaj.

Moderator: bardus

Post Reply
qiellikaltër
Honored Member
Honored Member
Posts: 358
Joined: Sat Jul 18, 2009 6:22 pm
Gender: Female
Location: Shqipëri

Kur PS urdhëronte: “Jo çështjes çame"

#1

Post by qiellikaltër » Wed Dec 01, 2010 7:21 pm

Për herë të parë mbi këtë subjekt mendova të shkruaja kur në parlament PS solli për miratim një rezolutë për çështjen Çame, e cila ishte plotësisht në përputhje me Konventat Ndërkombëtare dhe mjaft e kujdesshme ndaj politikës së shtetit grek. Rezoluta ishte miratuar në mbledhjen e kryetarëve të grupeve parlamentare, megjithatë, në çastin e votimit në parlament u tërhoq me një urdhër telefoni nga kryeministri i atëhershëm i PS-së. Disa deputetë të PS-së reaguan, kërkuan votimin e saj, çuditërisht nga PD-ja që për çamët konsiderohet më afër zgjidhjes së çështjes së tyre, nuk reagoi asnjë – duket se edhe ata kishin një urdhër të tillë nga i pari i tyre. Më pas ndodhin ngjarje të tjera tronditëse, por përsëri u shoqëruan me heshtjen e elitës politike shqiptare, përveç ndonjë zëri të shkëputur deputetësh, si ngjarje e Kosin-Përmet-Këlcyra me zhvarrimet e shqiptarëve dhe tjetërsimin e eshtrave të tyre në ushtarë grekë, marrëveshja për kufijtë detarë me Greqinë, kur qeveria shqiptare i falte kësaj të fundit një sipërfaqe të rëndësishme e të pasur të hapësirës detare. Tani së fundmi ngjarja makabre e skandaloze e Boboshticës që përveçse përbën shkelje të dinjitetit njerëzor krejt e papranueshme nga çdo fe e besimtar, e financuar dhe e kryer pikërisht nga misionar të ortodoksisë jo shqiptare që është njëkohësisht shkelje e sovranitetit të shtetit Shqiptar. Deri dje kemi dëgjuar për “Korçën greke” dhe nga zëra që i kemi quajtur të veçuar të silogjeve shoviniste greke. Tani këto parulla shoviniste deklarohen pikërisht në Boboshticën e patriotizmit shqiptar në fshatin e të madhit Viktor Eftimiu, dhe nga përfaqësues të shtetit grek. Përsëri shkelje sovraniteti, provokacion i hapur për çdo shqiptar me dinjitet, ngacmim flagrant i një kujtese të hidhur historike që mund ta kryejë veçse një përfaqësues i një politike shoviniste e megalomane, që ndihet i sigurt që përpara vetes nga Boboshtica deri në Tiranë ka njerëz pa dinjitet kombëtar ose që janë aq të kompromentuar ose të kapur, saqë nuk mund të reagojnë në përputhje me ligjin dhe detyrën kushtetuese të mbrojtjes së sovranitetit të vendit të tyre, detyrë kushtetuese e parashtruar edhe nga dokumenti i Sigurisë Kombëtare. Në vend që ngjarja të bëhej e njohur nëpërmjet procedurave ligjore, të ministrisë së Brendshme, ministrisë së Punëve të Jashtme, pushtetit lokal ose organeve të Drejtësisë, të cilët e kanë për detyrë të reagojnë kur shkelet ligji, sovraniteti i vendit apo bëhen veprime antihumane e antifetare, që mund të sjellin konflikte në popullatë. Madje përfaqësuesi i pushtetit vendor, prefekti i Korçës, nuk e dinte për ngjarjen kur këtë e dinte i gjithë vendi, u shqetësua vetëm për faktin se në Boboshticë u dogjën kurora të vendosura nga ata që ishin shkelës arrogantë të ligjeve të shtetit shqiptar dhe dinjitetit njerëzor. Ky ishte qëndrimi i prefektit që ka për detyrë të ndjekë zbatimin e ligjeve në prefekturën përkatëse. Sidoqoftë nga përvoja mund të themi që Prefekti që duhet të përgjigjet për moskryerje detyre nuk do të dalë i humbur, madje do fitojë më shumë. Derisa ish-prefekti i Gjirokastrës, Ksera, pasi u deklarua si prefekti i Vorio-Epirit, sipas kërkesave të silogjeve antishqiptare greke në vend që të shkarkohet nga detyra, kryeministri e emëroi ministër. I këtij karakteri është dhe rasti i oficerit madhor të Marinës, që në ujdi me grekët për kufirin detar në dëm të Shqipërisë, në vend që të degradohej e të dilte para përgjegjësisë, u bë Admiral, dhe zëvendësshef Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Për të mos përmendur Bollanon e famshëm, i cili mbetet shumë i dashur për kryeministrat shqiptarë me gjithë shkeljet e ligjeve dhe veprimtarinë antishqiptare të njohur. Ishte vetëm reagimi i medias kryesisht asaj që ruan ende pavarësi relative ndaj pushtetit, që e bëri të njohur këtë ngjarje të rënduar dhe nga konflikti midis banorëve në Boboshticë. Megjithëse marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera, madje aq “të shkëlqyera” sa priftërinj grekë, persona të financuar prej tyre zhvarrosin eshtra të shqiptarëve për t’i tjetërsuar në eshtra ushtarësh grekë, ose, për t’i nxjerrë në sipërfaqe mbi të cilat, të shtrohet betoni që të çon te kryqi i vendosur nga grekët. Për fat të keq, në situata të tilla janë përfshirë dhe konsuj grekë që kanë dhe guximin të bëjnë deklarime që shkelin sovranitetin. Çfarë ka ndodhur me pushtetarët-politikanët shqiptarë, që qëndrojnë SUS përballë situatash të tilla? Pse janë kaq të trembur ose të nënshtruar sikur të jenë të kapur apo të kenë gëlltitur ndonjë lugë çorbe të qelbur, saqë nuk guxojnë të kryejnë detyrën në përputhje me interesat kombëtare? Kujtoj këtu se nocioni Interes Kombëtar është shfaqur me zhvillimin e ndjenjës kombëtare, pra së pari si vlerë e Elitës Kombëtare, që nënkupton se pa Elitë kombëtare, e cila është e aftë të përcaktojë interesa kombëtare, nuk mund të ketë interes kombëtar. Zhvillimi i mëtejshëm i interesave kombëtare ecën në varësi të zhvillimit të shtetit dhe institucioneve të tij. Rrjedhimisht siguria kombëtare është objektivi më i rëndësishëm i një shteti dhe që ka karakter të përhershëm pavarësisht nga ndryshimi i sistemeve politiko-shoqëror. Unë do të trajtoj rolin e Elitës Politike në sigurinë kombëtare. Së pari sepse duket qartë që Elita Politike Shqiptare nuk e njeh këtë kërkesë, por edhe sepse në dokumentin e strategjisë së sigurisë kombëtare roli i saj nuk paraqitet në mënyrë të hollësishme e konkrete ngaqë besohet se politikanët dhe shtetarët kanë një formim politik dhe etatist të mjaftueshëm. Së dyti se shkaku ose problemi i destabilizimit të vendit ose krizave deri në konflikte në këto 20 vjet kanë qenë pikërisht Elita politike. Dhe së fundi ka gjasa që dhe në të ardhmen për mangësi të tipareve thelbësore të domosdoshme që duhet të karakterizojë atë siç është patriotizmi që në thelb është përkushtim ndaj interesave kombëtare, ndaj jetës së popullit, për mungesë të dinjitetit kombëtar, guximit politik, prestigjit, kompetencës dhe aftësisë për konsensus mund të jetë përsëri Elita Politike problem për sigurinë kombëtare. Kur gabon një qytetar i thjeshtë ka rëndësi të kërkohen shkaqet ose motivet që e kanë shtyrë në gabim, ndërsa kur gabon një udhëheqës ose udhëheqje shtetërore dhe politike, motivet me gjithë rëndësinë që kanë, përmasat e gabimit dhe pasojat e tij, nga i cili vuan një popull i tërë, bëjnë që sqarimi i shkakut apo ndëshkimi i pushtetarit nuk e korrigjon apo e kompenson dëmin që ka ndodhur. P.sh., mund të ndëshkojmë dhe duhen ndëshkuar pushtetarët ose zyrtarët që firmosën faljen e një sipërfaqeje të rëndësishme të hapësirës detare megjithatë asnjë ndëshkim i tyre nuk do t’ia rikthente Shqipërisë territorin e humbur. Cilësia e lidershipit luan rol përcaktues në çfarëdo ballafaqimi politiko-strategjik kur bëhet fjalë për marrëdhënie Elitë politike - Siguri Kombëtare. Vlerësohet balanca e 3 hallkave: Pushtet-Legjitimitet-Autoritet. Derisa ato të ruajnë balancën është e mundshme që të ruhet koherenca e shoqërisë, si dhe legjitimiteti i qeverisë do të jetë relativisht stabël. Kur kjo balancë nuk ruhet, pushteti bëhet jo-funksionues, dhe për pasojë shkaktohen krizat, nuk mund të zgjidhen konfliktet dhe fillon refuzimi politik. Periudha e pluralizmit siç dihet u shoqërua me tronditje të thella të sigurisë kombëtare, u shkatërruan strukturat që e sigurojnë atë, u shkatërrua shteti. Për pasojë u krijua hapësirë për veprimtarinë e agjenturave dhe organizmave të huaja anti-shqiptare dhe që janë kundër interesave të saj. Gjatë kësaj periudhe vetë klasa politiko-qeverisëse duke shfrytëzuar mungesën ose dobësinë e strukturave ligjore dhe kontrollit u përpoq të pasurohet me ngut. Babëzia e tyre u shfrytëzua për të kompromentuar, nënshtruar, si dhe për t’i vënë ata në shërbim më shumë për interesa të të tjerëve sesa interesave kombëtare të vendit të tyre. Para disa vitesh analisti i mirënjohur Janosh Bugaiski në mënyrë tepër kritike ka thënë se në Shqipëri dy partitë e mëdha janë të lidhura me grupe që janë kundër interesave kombëtare. Prej 20 vjetësh nga shoqëria shqiptare si dhe nga institucionet ndërkombëtare janë bërë akuza që në krimin e organizuar janë përfshirë edhe politikanë dhe që korrupsioni ka përfshirë të gjithë nivelet e pushtetit. Me gjithë përbetimet e pushtetarëve të radhës për luftën kundër këtyre rreziqeve të sigurisë kombëtare të vendit ato janë rrënjosur aq thellë sa lufta ndaj tyre, në qoftë se nuk konkretizohet dhe nuk do të bëhet me efikasitet, do jetë rrezik i përhershëm për sigurinë kombëtare dhe do të pengojë integrimin e vendit. Në dokumentin e politikës së sigurisë kombëtare, integrimi i vendit në strukturat Euro-Atlantike vlerësohet si interes kombëtar dhe rrjedhimisht është një nga faktorët e rëndësishëm të sigurisë kombëtare. Me gjithë përbetimet e politikanëve për angazhimin e tyre për integrimin, koha ka provuar që integrimi i vendit është penguar pikërisht nga sjelljet e politikanëve, nga krizat dhe konfliktet që kanë provokuar ata gjatë këtyre 20 vjetëve. Nuk ka raport që të jetë paraqitur në seancat parlamentare të NATO-s si dhe në organizmat e tjera ndërkombëtare, që kur flitet për Shqipërinë të mos trajtohen si dukuri negative, në vlerësimin politik të vendit tonë, kacafytjet Berisha-Nano, Berisha-Meta, Nano-Meta, dhe tani së fundmi Berisha-Rama. Pavarësisht nga puthje-përqafime të tyre të mëpasme, dëmi për sigurinë kombëtare dhe integrimin është bërë kryesisht prej tyre. Kapaciteti i një shteti për të vlerësuar interesat afatgjata dhe për t’i mbrojtur ato varet nga thelbi ligjor dhe shpirti kombëtar i klasës drejtuese të një vendi. Mjerisht të dy këto atribute janë të munguara në shumicën e elitës politiko-pushtetare. Thelbi ligjor i cili përcaktohet nga mbështetja në popull e shprehur nëpërmjet zgjedhjeve të drejta dhe korrekte që do të përcaktonin fituesin e ligjshëm, pothuajse përherë ka dështuar ose është diskutuar nga shkelje të shumta në periudhën dhe procesin e zgjedhjeve. Shpirti kombëtar lidhet me patriotizmin që në vetvete është dinjitet dhe përkushtim ndaj interesave kombëtare. E ritheksoj këtë paragraf pasi vetëm në Shqipëri ndodh që politikanët dhe jo vetëm ata, kanë frike nga ky term, të pohuarit patriotë. Të kompleksuar nga presioni dhe propaganda e qarqeve shoviniste ekspansive të vendeve fqinje e cila ka qenë karakteristikë e politikave të këtyre vendeve, politikanët tanë, braktisin tiparin themelor që duhet të jetë të qenurit patriot të vendit të tyre. Ish-presidenti i SHBA-së, Xhon Kenedi, në librin e tij “Kurajë në politikë” thotë se “nacionalizmi (patriotizmi) është ideologjia që shtyn kombin më përpara se çdo ideologji tjetër”. Në literaturën mbi politikën e sigurisë kombëtare, kur flitet për rolin e shtetit thuhet se shteti përgjigjet jo vetëm për shtetasit që jetojnë, por, dhe për ata që nuk kanë lindur akoma për gjeneratat që vijnë. Kjo shprehet dhe konkretizohet në kërkesën që përmbahet në çdo Kushtetutë për mbrojtjen e territorit, ndalimin e tjetërsimit të tij, aq sa këto mund të jenë të vetmet raste që për mbrojtjen e tyre të pranohet dhe lufta e armatosur. Njëkohësisht të njëjtin karakter ka domosdoshmëria për mbrojtjen e pasurive dhe vlerave kombëtare për prirjen e shtetit për progresin politiko-shoqëror. Është detyrë e shtetit që gjeneratave që vijnë t’u përgatisë dhe t’u lerë një atdhe më të pasur më të fuqishëm dhe më të përparuar. Ne sot vuajmë dhe duket se do vuajmë dhe në të ardhmen pasojat e politikës sot për sot, dhe të pushtetit në përfitim vetëm të vetes ose të një grupi duke shpërfillur interesat e mëdha kombëtare, të shprehura në të ashtuquajturin ‘Sindrom Esatist’, kur për interesa individësh dhe pushteti personal shiten, falen, tjetërsohen territore ose interesa kombëtare. Pashai injorant Esat Toptani premtoi gjithçka kërkonin serbët në Veri dhe grekët në Jug, mjaftonte që ata ta ndihmonin atë për të marrë pushtetin nën një copë Shqipëri nga Shkumbini në Mat. Ish- mbreti i vetëshpallur u dha serbëve territore shqiptare duke zvogëluar territorin e vendit të tij të gjymtuar vetëm që ata ta sillnin në pushtet. Prej këtyre momenteve të hidhura të historisë tonë, le të vijmë në ditët tona kur qeveria aktuale firmos tjetërsimin e një sipërfaqeje të rëndësishme të hapësirës detare së bashku me pasuritë nënujore të saj. Jo vetëm kjo qeveri por edhe qeveritë e mëparshme kanë dhënë mjaft koncesione kryesisht në interesa të të huajve dhe në dëm të interesave tona. Përcaktimi i Interesave Kombëtare dhe rrjedhimisht i Sigurisë Kombëtare ndikohet nga historia ndaj ajo nuk mund të shpërfillet. Ndërkaq vetë historia ndikohet nga gjeografia dhe nga konfliktet e ndryshme. Në kuadrin historik ekzistojnë interesa të diskutuara ose të sajuara nga politika shoviniste siç është problemi Vorio-Epirit, provokuese për konflikte dhe efektesh negative në marrëdhëniet e dy vendeve. Në analizë të shumë qëndrimeve politike të brendshme ose në marrëdhënie me të tjerët konstatohet mungesa e kulturës politike dhe e objektivitetit historik, trajtim subjektiv i periudhave ngjarjeve, figurave historike, qëndrime spontane e naive, veçanërisht lidhur me karakterin e marrëdhënieve të vendit në periudhën e ndryshimit të sistemit politiko-ekonomik. Një nga studiuesit më të mëdhenj të gjeopolitikës Fukijama thotë: “Lufta e ftohtë mbaroi, nuk mbaroi Historia”. Në këtë kuptim Interesat Kombëtare që përcaktohen nga pushteti politik janë të përhershme, pavarësisht nga ndryshimi i sistemeve çdo vend ka interesat e veta politike, ekonomike, kulturore të cilat mund të mos përputhen midis vendesh të ndryshme dhe veçanërisht fqinje. Kjo nuk është e jashtëzakonshme. Kundërshtia ose mospërputhja e interesave midis vendeve mund të karakterizojë marrëdhëniet midis vendeve të ndryshme në një botë ku konkurrenca është element thelbësor zhvillimi. Ndaj ekziston shteti dhe udhëheqja qeverisëse që në kuadrimin e këtij realiteti të përcaktojë dhe mbrojë interesat kombëtare e njëkohësisht të shmangë konfliktet në marrëdhëniet përkatëse pa sakrifikuar sovranitetin. Nuk përbën vlerë ose zotësi të deklarosh marrëdhënie të shkëlqyera pasi janë braktisur interesat kombëtare ose janë duke u ndërtuar marrëdhënie vasaliteti dhe klientelizmi. Marrëdhënie të dobishme dhe të qëndrueshme mund të ndërtohen vetëm midis partnerësh dhe në respekt të interesave kombëtare. Këto interesa përcaktohen dhe fokusohen në dokumentin e politikës së sigurisë ose strategjisë së sigurisë kombëtare dhe miratohen në Parlament. Prej këtej ato bëhen të detyrueshme për zbatim nga çdo strukturë e institucion i shtetit. Për të theksuar rëndësinë dhe karakterin e detyrueshëm të tij ky dokument është emërtuar dhe Kushtetutë e Sigurisë Kombëtare ose Libër i Bardhë për Amerikanët. Nga mungesa e kulturës politike Etaliste duke shpërfillur karakterin historik të marrëdhënieve ose nga komprometimi, elita politike shqiptare kujtoi se me mbarimin e Luftës së Ftohtë nuk do të kishte kundërshtarë të interesave shtetërore e kombëtare, se kundërshtarët ishin vetëm prodhim i sistemit politik të kaluar. Dobësimi i shtetit dhe destabilizimi i herëpashershëm i tij politiko-ekonomike në botën me Interesa Kombëtare të ndryshme dhe konkurruese u krijoi terren dhe mundësi qarqeve të veçanta të tyre të vendosin vendin në situata ekonomike financiare të brishta dhe shtetin të pafuqishëm e mosveprues edhe kur kërkesat kapërcejnë parametrat e marrëdhënieve korrekte. Në një nga trajtimet e saj në platformën e gjeopolitikës greke thuhet – politikanë shqiptarë shprehen se Greqia është partner strategjik i Shqipërisë, pak më poshtë në të njëjtin dokument shprehet se marrëdhëniet tona me Shqipërinë mbeten të kushtëzuara. Vetvetiu shtrohet pyetja cilat janë kushtet? Nuk është vështirë që t’i konstatosh mjafton të analizosh ecurinë e marrëdhënieve gjatë këtyre viteve, lëshimet e njëpasnjëshme që kanë bërë kryeministrat dhe qeveritë e radhës ndaj kërkesave të politikës greke. Ato janë të gjitha lëshimet që i janë bërë kërkesave të platformës të “Megalidhesë” të cilat përmblidhen me helenizimin e ortodoksisë shqiptare, helenizimin etnik – demografik dhe territorial. Për të qenë më konkret dhe më të qartë, kushtëzimet filluan qysh me takimin e parë të nivelit të lartë të autoriteteve të dy vendeve. Në takimin e kryeministrit grek Micotaqis me Presidentin shqiptar, Ramiz Alia, z.Micotaqis për një kohë të gjatë, që zuri një pjesë të mirë të takimit ngulmoi që Kryepeshkopi i Shqipërisë të ishte grek, këmbëngulja e tij kaloi masën saqë Ramiz Alia u detyrua t’i kujtonte se kishte mjaft probleme të tjera për të biseduar dhe jo për Kryepeshkopin ose Kishën. Për ne shqiptarët që Kishën e kemi Autoqefale dhe të shkëputur nga shteti kuptohet se çfarë qëllimi ka ndërhyrja e një politikani të huaj grek për të futur Kryepeshkop bashkatdhetarin e tij si misionar. Ndërhyrja apo presioni i kryeministrit grek është pothuajse e njëjtë me atë të kryeministrit grek Venizellos kur nga Franca gjatë Konferencës së Paqes urdhëronte Ministrinë e Jashtme Greke që të dërgonin Peshkopin e Durrësit, Jakovin të shkonte në Korçë të përgatiste opinionin dhe terrenin për futjen e trupave greke në Korçë pas largimit të francezëve prej saj. Asgjë nuk ka ndryshuar në mendimin politik grek lidhur me shqiptarët. Akademiku Kristo Frashëri jep mjaft argumente që provojnë se Janullatos është më së pari misionari politik për Helenizimin e Kishës Ortodokse Shqiptare. Edhe pa këto argumente mjafton këmbëngulja e politikanit Micotaqis për të kuptuar misionin e vërtetë të Kryepeshkopit grek të Kishës shqiptare. Së pari Janullatosin në Shqipëri drejtpërsëdrejti e solli politika greke dhe më pas hyri në lojë Kostandinopoja si kartë e politikës greke. Ky është momenti i parë i presionit dhe kushtëzimit që impononte lëshime, së pari fetare, pasi në politikën greke të Helenizimit, Kisha është institucion i parë për kushtëzim – kërkesat. Ndaj Berisha, i cili ra në gjunjë para revanshit grek, kërkesa impononte pranimin e Janullatosit si kryepeshkop si dhe tre peshkopëve të tjerë të Korçës, Beratit dhe Gjirokastrës, e më pas ndaj kryeministrave të radhës për Kishën madhështore pranë ministrisë së Mbrojtjes, krijimin e një zone elektorale që lidhte minoritetin grek atë të zonës së Sarandës me zonën e Himarës që për “Megalidhenë” janë vazhdim i minoritetit grek, për shkollën greke Himarë, Boboshticë, për Varreza-Lapidarët, Regjistrimi Etniko-Fetar etj. Në këtë vështrim veprimi, i përfaqësuesve grek të Kishës, të Pushtetit, Diplomacisë, Minoritetit grek, shoqata greke, duket se është i programuar brenda kësaj platforme me karakter historik të qëndrueshëm. Në realizimin e kësaj platforme veprimi i tyre është i njëjtë, në një zë, shikoni qëndrimin e tyre krejtësisht të njëjtë në të gjithë ngjarjet në Kosinë-Këlcyrë-Boboshticë, për hapësirën detare, për çështjen çame. Përfaqësues të OMONIA-s dhe PBDNJ, që janë shtetas shqiptarë shkelin hapur ligjet, Kushtetutën, sovranitetin e shtetit në të cilin jetojnë, duke vënë në shërbim doktrinat anti-shqiptare (Helenizimin). Në këto situata Elita politike në vend që të mbajë qëndrim dhe të veprojë në përputhje me ligjin kushtetues në shërbim të Interesave Kombëtare dhe Sigurisë Kombëtare paraqitet e nënshtruar memece, konformiste, duke të lënë përshtypjen për ndoshta komprometimin e saj me këto qarqe politike. Në një vend që prezantohet me një udhëheqje të tillë pa prestigj madje (mjafton vetëm kjo) është rrezikuar siguria e tij kombëtare. Në politikat e sigurimit Prestigji i lidershipit konsiderohet elementi parësor i sigurisë kombëtare. Një shtet me Elitë të tillë servile e të nënshtruar si e jona është një gjah për qarqet shoviniste e mafioze antishqiptare, veçanërisht kur ajo me ndërgjegje paralizon institucione të veçanta dhe të specializuara të Sigurisë Kombëtare siç është SHISH-i. Në Buxhetin e vitit të ardhshëm këtij shërbimi si dhe prokurorisë nuk i janë dhënë as fondet minimale për funksionimin e tij. Një pushtet që betohet se do luftojë krimin e organizuar, terrorizmin etj, paralizon armën më të rëndësishme e të pazëvendësueshme në këtë luftë. Qëndrime të tilla jo vetëm krijojnë kushte por mund të thuhet se e ftojnë krimin, terrorizmin në Shqipëri. Që në marrëdhëniet midis vendeve të ndryshme të mos ketë një anësi interesash kriteri A në Politikën e Jashtme është Parimi i Reciprocitetit. Në marrëdhëniet tona me Greqinë pothuajse asnjëherë nuk është zbatuar ky parim, kur të dy vendet kane arritur marrëveshje të cilat kërkonin zbatim të dyanshëm. Historia jonë është plot shembuj të tillë. Prej një shekulli (1913) me gjithë kërkesat nga ana e Shqipërisë edhe nga Konferenca Ndërkombëtare (Konferenca e Ambasadorëve) Greqia de jure nuk i njeh kufijtë tokësore me Shqipërinë. Ndërkaq tani kërkon të rishikojë kufijtë detarë duke synuar të imponojë jo vetëm axhendën, por dhe rezultatin. Duke shfrytëzuar dobësinë, kapjen e pushtetarëve shqiptarë. Ajo nuk pranon, që të respektohet rregulli që së pari përcaktohet dhe pranohet kufijtë tokësorë prej këtej ndiqet Shelfi detar dhe së fundi përcaktohet kufiri detar. Prej vitit 1921 me gjithë marrëveshjen e firmosur nga të dy palët për njohjen e minoriteteve respektive Greqia nuk njeh minoritetet shqiptare as atë Arvanitas dhe as atë Çam. Në vitet 30 megjithëse u arrit marrëveshja për hapjen e shkollës greke në Himarë dhe kjo u realizua nga ana jonë, pala greke nuk realizoi angazhimin e saj për hapjen e shkollave shqipe në Çamëri. Prej vitit 1940 ekziston i paabroguar Ligji i Luftës me gjithë kërkesat e përsëritura të shtetit shqiptar dhe së fundi, ndërsa shteti shqiptar ka lejuar të ndërtojë varreza për ushtarët grekë të vrarë gjatë Luftës së Dyte Botërore, shteti grek nuk lejon të bëjnë të njëjtën gjë çamët në tokën e tyre në Çamëri, dhe nuk i lejon ata as të bëjnë ceremoni nderimi në varret e të parëve të tyre në Çamëri. Mungesa e prestigjit dhe kompleksi i inferioritetit të pushtetarëve shqiptarë që pranojnë marrëdhënie të pabalancuara dhe jo në përputhje me parimin e reciprocitetit, ka bërë që Shqipëria të mos jetë as në nivelin e një shteti Zulu në Afrikë. Ngjarja e mëposhtme nuk është e sajuar. Para ca vitesh ajo ka ndodhur në të vërtetë. Një fis Kanibalësh në shtetin Zulu kapi Ambasadorin Francez dhe e hëngri. Franca reagoi dhe i shpalli luftë shtetit Zulu. Autoritetet përkatëse protestuan dhe i kërkuan Francës të respektojnë parimin e reciprocitetit, pra “mund të hani Ambasadorin e Zulusë në Francë, por nuk keni të drejtë të shpallni luftë”. Korrupsioni dhe inkriminimi i Elitës politike, nënshtrimi dhe servilizmi ndaj të huajve ka paralizuar dhe nivelet e tjera të pushteteve. Rastet më flagrante kanë të bëjnë me institucionet e drejtësisë. Kanë ndodhur mjaft ngjarje të cilat dëshmojnë për mosveprimin ligjor të këtyre institucioneve: Prifti Thomallari e persona të tjerë shkelën ligjet në Përmet dhe nuk përfundoi asnjë vendim gjyqësor ndaj tyre. Ka vendime të të gjitha niveleve të gjykimit për Shtëpinë e Kulturës në Përmet, dhe përmbarimi dhe struktura të tjera të shtetit nuk zbatojnë vendimin e gjykatave, pasi këtë e pengon Kryepeshkopi Grek i Shqipërisë. Mercenari Anti-shqiptar Bollano mund të shkelë çdo ligj dhe kushtetues dhe të mos i futet gjembi në këmbë. Është bërë pothuajse e zakonshme që Konsulli Grek i Gjirokastrës dhe i Korçës, të bëjnë dhe shkelje ligjesh, dhe administrata shqiptare nuk u kërkon atyre të qëndrojnë brenda kuadrit të veprimtarisë dhe marrëdhënieve normale. Mosveprimi i organeve të drejtësisë pothuajse e ka bërë atë të paaftë në funksionin e vet, në realizimin e detyrës që ka përballë sigurisë kombëtare, dokument të cilin ajo e konsulton para se të shtrohet në Parlament dhe qe ka detyrime ndaj tij. Në dokumentet e Politikës së Sigurisë Kombëtare që orientojnë strategjinë e sigurisë kombëtare të çdo vendi shënohet se në periudhën e integrimit dhe globalizimit janë të pranishëm, madje janë të theksuara rreziqet që vijn1327 nga feja, hipernacionalizmi, etnicizmi dhe fragmentarizmi. Toleranca fetare tradicionale për të cilën ne krenohemi përbën një garanci që duhet vlerësuar realisht veçse si për çdo fenomen shoqëror asnjëherë nuk ka garanci absolute dhe të përhershme. Në histori ka plot shembuj që vendet me tolerancë fetare tradicionale ose për periudha të gjata nga ndërhyrje të jashtme dhe nga zhvillime të brendshme kanë përfunduar në konflikte dhe destabilizim. E përhershme toleranca bëhet kur vazhdimisht shihen me vigjilencë dhe vëmendje e drejta dhe liria e besimit si edhe funksioni dhe elementët kombëtare të edukimit të saj në përputhje me interesat kombëtare. Jemi dëshmitarë të faktit që para disa vitesh Shqipëria ishte bërë strehe islamikësh terroristë gjithashtu megjithëse në mënyrë të kufizuar ne përjetojmë për herë të parë sjellje fetare të ndryshme dhe më radikale dhe më fanatike nga ç’kemi pasur më parë në të njëjtin besim fetar pasojë e shkollimit në shkolla të ndryshme islamike nga vijnë misionarët e rinj. Për zhvillime të tilla dhe të tjera të karakterit fetar shteti përherë dhe në çdo rast brenda respektit për të drejtën e institucionit fetar dhe të besimit duhet të ndjekë veprimtari korrekte të tyre pa cënuar interesat kombëtare. Të mos harrojmë se nuk ka pasur përherë tolerancë dhe jo rrallë ndërhyrje në interesat jetësore të shqiptarëve kur fetë në Shqipëri drejtoheshin nga misionarë të huaj dhe financoheshin nga vende të tjera. Për këtë arsye Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare është konsideruar më e rëndësishmja pas pavarësisë të vendit, dhe pikërisht për këtë arsye në statutin e saj nuk pranohen misionarë të huaj, gjithashtu për këtë arsye Kushtetuta e viteve ‘30 që ishte më afër kohës kur besime fetare të veçanta i kanë sjellë probleme jetës së shtetit shqiptar dhe Shqipërisë ndalonte nga të huajt drejtimin dhe financimin prej tyre të feve në Shqipëri. Është naive të pranosh se qindra mijëra euro në mos më shumë harxhohen vetëm për merakun e ringritjes së ortodoksisë shqiptare pa qenë brenda saj rreshti i kishave me ndonjë varr ushtarësh grek ose lapidar që përvijojnë pikërisht kufirin e pretenduar nga politikanë greke, grupime të tyre si dhe para se gjithash nga kisha greke. Në trajtimin e ngjarjes në Kosinë, Këlcyrë dhe Boboshticë të cilat në thelb pavarësisht nga nuancat janë të njëjta u dalluan 2 grupe. Në grupin e parë përfshihen ata që reaguan të nisur nga motive njerëzore, fetare, politike, lidhur me shkelje ligjore të Kushtetutës dhe sovranitetit. Por u dallua edhe një grup i dytë që mbronte ose justifikonte ngjarjet makabre ose sulmonte grupin e parë për nacionalizëm vetëm se këta u revoltuan për zhvarrimet në Kosinë dhe Boboshticë. Ndërkaq që përfaqësuesit e grupit të dytë u indinjuan vetëm për djegien e kurorave. Jo rastësisht ky grup përbëhej nga priftërinj të bekuar nga Janullatos, nga përfaqësues të shoqatës greke të OMONIA-s, nga përfaqësues të PBDNJ, nga diplomatë grekë në Shqipëri veçanërisht të kallëpit konsull si dhe nga politikanë të Athinës. Çuditërisht asnjë përfaqësues i kishës të Janullatosit, të OMONIA-s, të PBDNJ-së, diplomatë ose politikanë grekë nuk shfaqi indinjatë për ngjarjet më makabre çnjerëzore e antifetare më potenciale për efekte negative në marrëdhëniet midis vendeve tona. Të gjithë këta jo rastësisht ekzekutojnë një muzikë që është orkestruar prej kohësh nga përfaqësues fetaro-politikë të shovinizmit grek. Është e drejta e tyre të mbrojnë kauzën që ata i përkushtohen ,veçse është e palejueshme dhe e papranueshme që ata të shkelin dinjitetin njerëzor të shqiptarëve të mbajnë fjalime antishqiptare përpara eshtrave të shqiptarëve të zhvarrosur me paret e tyre, të shkelin ligjet dhe sovranitetin e shtetit shqiptar. Në të gjitha dhe për të gjitha rastet e mësipërme qeveria dhe udhëheqja politiko-pushtetare është e detyruar që të reagoj pasi e ka për detyrë në zbatim të sigurisë kombëtare, është detyrim kushtetues. Duke nisur nga ndërtimi i kishave në Këlcyrë, në Çiflig, në Boboshticë vërehet e njëjta radhë veprimesh, së pari, ndërtohet një kishë dhe kjo është normale pastaj si veprim i dytë sipas një marrëveshje të pranuar nga pushtetaro-politikanët shqiptarë që pranojnë në heshtje që të sajohet edhe një varrezë, varr ose lapidar grek, pra sipas një qytetari shqiptar vendoset “Gozhda e Nastradinit” dhe mbetet kur të bëhet veprimi i tretë, që të përvetësohet dhoma ku ishte varur palltoja. Ka një zhvillim paralel të përpjekjeve për helenizim të mundshëm të ortodoksisë shqiptare me përpjekjet për ndryshime të raporteve etnike. Siç theksuam më sipër hiperetniciteti konsiderohet si një nga rreziqet e pasluftës së ftohtë. Nën justifikimin e regjistrimit të popullatës në të cilën mund të jetë me vend verifikimi ose plotësimi nëpërmjet realizimit të kësaj kërkese, zhvillohen veprime të padenja për dinjitetin e njeriut ku nëpërmjet premtimit ose dhënies të mundësive për punësim, pensione ose favore të tjera në shkëmbim të ndërrimit të fesë dhe etnisë, duke shfrytëzuar situatën e vështirë ekonomike të shumë familjeve shqiptare. Veprime të tilla demaskojnë dukshëm synimin real të kërkesës të regjistrimit të etnisë në kuadrin e regjistrimit të popullatës si veprim taktik në situata krizash për të realizuar synimet e njohura të “Megalidesë”. Aktualisht përcaktimi zonë minoriteti nuk është i pëlqyeshëm për autoritetet greke, ndaj i kërkojnë Shqipërisë të flitet për minoritet grek dhe jo zonë minoriteti. Kjo kërkesë nuk është e paqëllimtë për arsye se kur flitet për zonë minoriteti grek kufijtë janë të përcaktuar edhe ndërkombëtarisht Konferenca e Ambasadorëve në vitin 1913 qysh në themelimin e shtetit shqiptar dhe kjo paralizon synimet ose pretendimet ekspansive të politikave shoviniste për Jugun shqiptar apo për zona të veçanta (Himara, Korça etj). Përmendja e një rreziku të këtij karakteri mund të duket absurd, mund të thuhet se sot nuk mund të realizohen pretendime të tilla, jemi anëtar të NATO-s do të integrohemi në Bashkimin Europian etj. Po, sot mund të mos ndodhë një gjë e tillë, por për sot është e mjaftueshme “Gozhda e Nastradinit”, të tjerat vijnë nesër. Jeta e një kombi nuk është sa jeta e një njeriu ose disa gjeneratash. Greqia ka përvojë të pasur se kur të pretendojë, kërkojë dhe kur të realizojë synimet e saj. Prej vitit 1821 kur u themelua shteti grek edhe me kontributin e rëndësishëm të shqiptarëve, politika greke jo vetëm i asgjësoi tërësisht kontributin gjeografinë, etninë e demografikisht shqiptarët. Qysh nga themelimi si shtet Greqia pothuajse trefishoi sipërfaqen mori Selanikun, Janinën, 12 ishuj ne Egje, spastroi Çamërinë nga shqiptarët, Konicën, Kosturin, pastaj Gramozin, dhe të gjitha këto u krijuan përafërsisht 100 vjet duke shfrytëzuar situatat e dobëta të krizave të vendeve te ndryshme, krizat dhe luftërat rajonale e më gjerë. Parashtrimi i mësipërm mund të duket sensibilitet i lartë dhe i tepruar. Kështu qoftë. Mirëpo edhe në fundin e shek.XIX shumëkush politolog dhe filozof mendonte se shek.XX do të ishte më paqësori, pa luftëra, por jeta tregoi se ai u bë më i përgjakshmi në historinë e njerëzimit. Të tjerë mund të thonë se realitetet e sotme janë integrimi dhe globalizmi, mirëpo pikërisht frymëzuesit dhe projektuesit e këtij zhvillimi dhe ekspertët e politikave të sigurisë i paralajmëruan rreziqet më lartë (feja, etnicizmi, fragmentarizmi) që duhet të ketë parasysh çdo shtet në ruajtjen e stabilitetit të vet. Sikurse ka një prirje drejtë globalizimit dhe integrimit nga jashtë, zhvillohet në të njëjtën kohë prirja për dezintegrim të brendshëm. Ata që sigurinë kombëtare e shohin vetëm tek ekzistenca e NATO-s harrojnë që kërkesa e parë e anëtarësimit është që çdo vend duhet të ketë kapacitete të mjaftueshme për vetëmbrojtje. Dihet në çfarë gjendje jemi ne. Gjithashtu si të gjithë bashkimet ose Aleancat edhe NATO nuk mund të jetë e përjetshme, gjatë historisë, sa bashkime dhe Aleanca janë bërë e shpërbërë. Ato që janë të përhershme janë interesat kombëtare dhe është detyrë e elitës politike që me çdo mënyrë e mjet t’i sigurojë ato. Gjatë kësaj periudhe, krahas njohjes dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve që duhet realizuar në mënyrë më të plotë, vërehet një prirje hiperetniciteti më shumë e nxitur nga jashtë, kryesisht nga fqinjët ose edhe më nga larg, e cila duhet parë në përputhje me të drejtat e tyre, por pa cënuar karakterin homogjen të shtetit dhe sigurinë kombëtare të tij.

Nga Sabit Brokaj

http://www.balkanweb.com/analiza/2689/k ... 52186.html
"Du t'jem zot, n'timen tok,
dje dhe sot, sot e neser."

Post Reply

Return to “Artikulli i ditës”