"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Nata e gënjeshtrave mbi modelin franko-gjerman të..

Sillni artikullin më të fundit që ju ka bërë më shumë përshtypje diskutoni rreth tij, argumentoni qëndrimin tuaj.

Moderator: bardus

Post Reply
User avatar
rrëqebull
Grand Star Member
Grand Star Member
Posts: 1158
Joined: Sat Oct 06, 2012 12:29 pm
Gender: Male

Nata e gënjeshtrave mbi modelin franko-gjerman të..

#1

Post by rrëqebull » Sun Sep 28, 2014 6:39 pm

Shkrim që kur lexohet të bën më të përgatitur, më të arsyeshëm, më të mbrojtur kundra gënjeshtrave dhe më të vetëdijshëm në lidhje me atë që ndodh në hapësirat politiko-akademike shqiptare dhe evropiane sidhe në lidhje me ato që shfaqen në hapësirat televizive shqiptare, ku «teatrot e kukullave» me skenarë të qartë kundra-arsye që i bëjnë jehonë politikave kundra-kombëtare, shiten si "debate serioze".


[quote2="Kastriot Myftaraj"]

Nata e gënjeshtrave mbi modelin franko-gjerman të shkrimit të përbashkët të historisë, në Top Show të Alban Dudushit në Top Channel


Në 24 shtator 2014 tema e emisionit Top Show të Alban Dudushit në Top Channel ishte “Armiqtë e shkruajnë bashkë historinë”. Në emision do të tregohej për nismën e përbashkët të Francës e Gjermanisë për të shkruar bashkërisht tekstet e historisë, si dhe nëse mund të bëhej një gjë e tillë në Ballkan dhe në Shqipëri. Emisioni, siç tha Dudushi në nisje të tij ishte bërë me rastin që: “Nesër në Qytetin Studenti do të zhvillohet një konferencë në lidhje me shkrimin e përbashkët të historisë dhe se si ballkanasit mund ta shkruajnë historinë e tyre.”

Nëse ky ishte qëllimi, atëherë atëherë titulli i emisionit, përgënjeshtronte ironikisht përmbajtjen e tij, se titulli i emisionit duhet të kishte qenë “Ish-armiqtë e shkruajnë bashkë historinë”. Nga titulli duket sikur Franca dhe Gjermania vazhdojnë të jenë armiq, por armiqësia e tyre është mimetizuar në pajtim me rrethanat globale të krijuara në një moment të caktuar të historisë, ndaj të cilave të dy vendet qenë të detyruar të pajtoheshin, pas Luftës së Dytë Botërore. Me rastin e kësaj konference në Shqipëri kishin ardhur dy profesorë të historisë, një nga Gjermania dhe një nga Franca, të cilët qenë marrë me këtë projekt si dhe një profesore greke e historisë e cila drejtonte një qendër studimore në Selanik, dhe që merrej me projekte të tillë në Ballkan. Nga pala shqiptarë qenë ftuar historianët Pëllumb Xhufi, Valentina Duka dhe Artan Puto. Të gjithë të ftuarit, si të huajt, ashtu dhe shqiptarët, kishin të njëjtën mendim. Në emision mungonte qoftë edhe një i ftuar i vetëm që të kishte mendim të kundërt. Kjo qe mangësia e madhe e emisionit, se ai qe konceptuar si debat midis njerëzve që kishin mendim të përbashkët dhe debatonin vetëm për detajet, se cili do të sillte sa më shumë “fakte” për të mbështetur idenë e tyre të përbashkët. Ishte pra një emision me “debat” i llojit të atyre që bëheshin në Shqipëri në kohën e diktaturës komuniste. Që bashkëpunimi i Francës dhe Gjermanisë në fushën e historiografisë ndodh praktikisht sipas metodologjisë së diktaturave komuniste, kjo është një gjë sa kërshërore, aq edhe domethënëse për atë se çfarë është në të vërtetë kjo historiografi.

Emisioni nisi me një hyrje të vetë Dudushit, e cila ia vlen që të sillet e plotë, me komente, se për çdo njohës të historisë është një “kryevepër” në llojin e vet, sa i përket manipulimit të historisë. Në uverturën e vet me “trompë” të madhe Dudushi tha: “Viti 2014 përkon edhe me 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, e cila dihet dhe stërdihet që ka filluar në Ballkan.”
Këtë frazeologji, që “dihet dhe stërdihet se Lufta e Parë Botërore ka nisur në Ballkan”, Dudushi e kishte përzgjedhur që të shmangte përmendjen e Serbisë si shkaku i nisjes së kësaj lufte me atentatin ndaj trashëgimtarit të fronit të Austro-Hungarisë, Franz Ferdinand. Më tutje Dudushi tha se lufta e nisur në Ballkan: “hodhi kundër njëri tjetrit shtetet europiane, hodhi kundër njëri-tjetrit shtetet fqinje siç ishin Gjermania dhe Franca, dy kombe të cilët në atë periudhë kishin një histori më të gjatë armiqësie dhe lufte për pushtet.”

Deri më sot nuk ishte thënë se Gjermania dhe Franca kanë luftuar mes tyre për pushtet. Lufta për pushtet ndodh brenda një shteti, jo midis shteteve të ndryshme. Por kjo do të ishte gafa më e vogël e Dudushit në këtë emision. Më tutje Dudushi tha: “Dy vendet, Gjermania dhe Franca sot nuk mund të imagjinohen si dy vende armiq. Gjermania dhe Franca sot le të themi janë lokomotiva apo motorri i Bashkimit Europian. Por nga ana tjetërt ka kaluar nëpër një proces të gjatë ky pajtim dhe le të themi kjo miqësi franko-gjermane. Dhe së fundi është dhe projekti për të shkruar një histori të përbashkët.”
Në të vërtetetë, është pikërisht e kundërta e asaj që thotë Dudushi. Megjithëse e ashtuquajtura miqësi franko-gjermane është kthyer tashmë në një kult, me ritualet përkatëse, është vështirë që të besohet se kjo miqësi është një realitet, për shkak se ajo nuk i rezistoi provës së lakmusit, bashkimit të Gjermanisë. Kur ra Muri i Berlinit, Franca bëri gjithçka mundi për të penguar bashkimin e Gjermanisë. Madje Presidenti francez Miterrand, në atë kohë shkoi në Moskë për t’ i kërkuar Gorbachevit që të ndalonte bashkimin e dy shteteve gjermane. Kundërshtimit francez ndaj bashkimit të Gjermanisë, zbuloi lakuriqësinë e mitit të rremë të pajtimit franko-gjerman, si dhe zbuloi atë se në dinamikën historike të konfliktit franko-gjerman kishte qenë imperativi i gjeopolitikës franceze për ta mbajtur të coptuar, do të thtotë të nënshtruar, Gjermaninë.
Duke folur për projektin franko-gjerman për shkrimin e përbashkët të historisë, Dudushi tha: “Dhe këtu është ajo pyetje që na intereson ne në Ballkan: A mund ta shkruajnë armiqtë bashkë historinë duke i lënë mënjanë të gjitha paragjykimet? Kjo është një pyetje që është diskutuar në ambientet akademike në Shqipëri dhe jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë zonën tonë të Ballkanit ku dyshimet dhe le të themi plagët e armiqësive janë ende të freskta.”

Çfarë do të thotë që të shkruhet historia duke lënë mënjanë paragjykimet? Historia shkruhet në bazë të fakteve, që janë ngjarje, dokumente arkivore etj. Me sa duket Dudushi, dhe ata që e kanë instruktuar atë, duan që faktet e së shkuarës, të papëlqyera prej tyre, të shpallen “paragjykime” dhe si rezultat të kemi në Shqipëri një historiografi të rrreme, e cila do të na “vërtetojë” se kombi, aspirata për krijimin e shtetit kombëtar, dhe ruajtjen e tij, janë origjina dhe dinamika e së keqes.
Pasi Dudushi shtjelloi vetë temën e emisionit, dhe paraqiti për publikun të ftuarit, ai i ftoi shikuesit që të ndiqnin një material, siç e quajti ai, të përgatitur nga gazetarja Suadela Balliu. Në të vërtetë, ky i quajtur material, ishte pak si tepër i sofistikuar që të kishte dalë nga mendja e gazetares së cilës iu atribua autorësia e tij. Materiali fliste mbi armiqësinë historike franko-gjermane dhe kapërcimin e saj. Në material thuhej: “Armiq sot janë vetëm në futboll. Nuk ka qenë rrugë e lehtë që këta armiq të trashëguar të bëheshin partnerë të ngushtë. Rrënjët e armiqësisë nisin që herët, qysh në Luftën Franko-Prusiane dhe Traktatin e Versajës. Detonatori i shpërthimit të kësaj lufte ishin qëllimet e kundërta politike të Bismarkut dhe të Napoleonit III.”

Por ndryshe nga ç’ thuhet në këtë material të Dudushit, armiqësia franko-gjermane nuk nis me Luftën Franko-Prusiane të vitit 1870. Që dy shekuj e gjysmë para kësaj lufte, në shekullin XVII, në Luftën Tridhjetëvjeçare, Franca, politikën e së cilës në atë kohë e bënte Kardinali i famshëm Richelieu, e shndërroi Gjermaninë në shesh të luftrave europiane, siç thotë Henry Kissinger në librin “Diplomacia”. Richelieu e bëri një imperativ gjestrategjik për Francën atë që Gjermania të ishte e përçarë në shumë principata të vogla (si pasojë e politikës së Richeliu) Gjermania, edhe rreth tre shekuj pas vdekjes së tij ishte e ndarë në 300 principata. Kjo ndodhi për faktin se politika e Richelieu u vazhdua entusiazëm të madh nga Mbreti Diell (Louis XIV), si dhe pasardhësit e tij, deri te Napoleon Bonaparti, që nuk nguruan kurrë të hynë në luftëra për të vendosur nën kontrollin e Francës, pjesërisht me aneksim, dhe më së shumti me vasalizim, hapësirën gjermane, duke përfshirë edhe vetë Prusinë. Nacionalizmi modern gjerman e ka origjinën te rezistenca gjermane kundër pushtimit francez në kohën napoleoniane, në fillim të shekullit XIX. Pasoja më e rëndësishme afatgjatë e fushatave të Napoleonit në Lindje ishte se krejt Gjermania në perëndim të Lumit Elba, u hodh në prehrin e mbretërve-junkerë prusianë. Princi Bismarck është nga pikëpamja historike një bir ilegjitim i Napoleonit.

Atë që e nisi xhaxhai (Napoleoni I) e përfundoi nipi (Napoleoni III), me luftën e vitit 1870 kundër Prusisë, e cila tashmë ndante një kufi të përbashkët me Francën në Lumin Rin, një rezultat bizarr ky i më tepër se tre shekujve përpjekje të Francës për të vasalizuar Gjermaninë e coptuar. Me këtë luftë fatkeqe për të, Franca i dhuroi Prusisë, në një pjatë të artë, një tortë gjeopolitike në trajtën e hartës së Gjermanisë së bashkuar, nën sundimin e saj. Në të vërtetë, pas luftës së vitit 1870 nacionalizmi gjerman u tregua shumë i butë me Francën, e cila për tre shekuj e gjysmë, që nga koha e Kardinalit Richeliu, e kishte bërë ligj të hekurt gjeopolitik ekzistencal të Raison d’ Etat të saj, nënshtrimin e Gjermanisë. Pas luftës së vitit 1870, Gjermania mund t’ i kishte imponuar Francës një paqe si ajo që i imponoi Franca Gjermanisë një gjysmë shekulli më pas, me Traktatin e Versaille. Gjermania ishte në gjendje që ta bënte këtë gjë, se armatat e saj kishin hyrë thellë në territorin francez dhe mbanin të rrethuar Parisin, ku triumfoi një revolucion komunist. Franca ishte gjysmë e pushtuar dhe e përfshirë nga një luftë civile. Franca nuk kishte as aleatë të jashtëm. Rusia ishte e kënaqur nga poshtërimi i Francës, e cila e kishtë mësyrë dy herë ushtarakisht Francën gjatë atij shekulli. Hera e fundit, Lufta e Krimesë, kishte lënë kujtime të freskëta, të hidhura për Rusinë.

Princi Bismarck mund të kishte bërë me Francën çfarë të donte, ta linte të zhytej në një luftë civile të përgjakshme, e në ndërkohë të mbështeste separatizmat e ndryshme në Francë, atë Italian në Korsikë dhe Savojë, atë bask, atë të Provansës, të Bretanjës. Shkurt, të kishte bërë ndaj Francës atë që ajo kishte bërë ndaj Gjermanisë për tre shekuj e gjysmë. Princi Bismarck, kur armatat e tij qenë përreth Parisit në 1870-1871 kishte si alternativë që të bënte aleancë me Rusinë, çka do t’ i mundësonte që t’ i impononte Francës një paqe kartagjenase shumë të rëndë. Rusia do të kërkonte si shpërblim nga Gjermania që ta mbështeste për të marrë Konstantinopolin (Stambollin) dhe ngushtinat e Detit Marmara, çka Bismarcku nuk e dëshironte, ndonëse thoshte se për Çështjen Lindore nuk ia vlente që të humbte jetën një ushtar i vetëm gjerman. Prandaj Princi Bismarck nuk bëri asgjë nga këto. Paradoksalisht, ai që shkatërroi sistemin europian të krijuar nga Kongresi i Vienës, i vitit 1815, u soll ndaj Francës pas fitores mbi të, sipas parimeve të Kongresit të Vienës. Bismarcku mbështeti qeverinë franceze që kjo ta shtypte revolucionin komunist, duke e furnizuar ushtrinë qeveritare franceze me shumë robër lufte të liruar, si dhe nuk i imponoi Francës kufizime ushtarake. Princi Bismarck, ushtruesi i paskrupullt i Realpolitik, deri në 1870, u soll si Metternick në 1871. Nacionalizmi gjerman mendonte se ishte treguar shumë i butë ndaj nacionalizmit të mundur francez, duke aneksuar Gjermania vetëm dy krahina franceze ku shumica e popullsisë ishte gjermane, Alsace dhe Lorraine. Por kjo shërbeu për të mbajtur gjallë nacionalizmin francez në dekadat e ardhshme. Falë luftës së vitit 1870, nacionalizimi u bë doktrina zyrtare politike e Republikës Franceze, e cila ia zuri vendin Imperisë së Dytë pas kësaj lufte.

Është me të vërtetë një ironi e madhe që Gjermania në Luftën e Parë Botërore pagoi çmimin e skrupujve të Bismarckut, atij që ka hyrë në histori me reputacionin e shtetarit makiavelik krejt të paskrupullt.
Pas kësaj hyrjeje të emisionit, Dudushi ua dha fjalën të ftuarve, në fillim tre të huajve. Ironikisht ata përsëritën ato që u thanë në uverturat e emisionit nga vetë Dudushi, dhe materiali që iu atribua ndihmëses së Dudushit. Merret vesh, Dudushi dhe ndihmësja e tij kishin folur sipas manualeve që ua kishin dhënë të ftuarit. Të tre të ftuarit shqiptarë u përpoqën që t’ u tregojnë të ftuarve të huaj, aftësinë e tyre për të gjetur teza të reja në mbështetje të dogmës historiografike franko-gjermane, të shkruar vitet e fundit. Kështu, Pëllumb Xhufi tha: “Alzasë-Lorena (Alcase-Lorraine) ishte e banuar nga popullsi gjermanishtfolëse, por Bismarku e aneksoi në 1871, pas Luftës Franko-Prusiane. Këto dy krahina kishin dy shekuj me Francën e nuk donin të bashkoheshin me Gjermaninë. Pati edhe kryengritje.”

Xhufi është historian profesionist. Ai e kupton mirë se çfarë gënjeshtra ka thënë më lart. Xhufi e quan gjermanishtfolëse popullsinë e Alcase-Lorraine, se nuk do që të thotë të vërtetën, se kjo popullsi ishte thjesht gjermane. Xhufi me siguri që duhet t’ i ketë lexuar raportet e të dërguarëve të Republikës në Alcase-Lorraine, në kohën kur Franca revolucionare luftonte kundër koalicionit europian, në fund të shekullit XVIII. Të dërguarit e Republikës thoshin se banorët e këtyre krahinave simpatizonin armikun me të cilin kishin të përbashkët gjuhën. Pra, banorët gjermanishtfolës të këtyre dy krahinave nuk e kanë pranuar kurrë aneksimin e tokave të tyre nga Franca. Xhufi gënjeu kur tha se në 1871 këto dy krahina kishin dy shekuj me Francën. Në të vërtetë, Franca e aneksoi Larraine-n, që është më e madhja nga dy krahinat me 23 ²547 km (Lorraine përbën tre të katërtën e sipërfaqes së dy krahinave të marra së bashku) vetëm në vitin 1766, pra 104 vite para nisjes së Luftës Franko-Prusiane. Lorraine (emërtimi francez) kishte qenë historikisht Lothringen gjermane. Ndërsa pjesën më të madhe të Alcase, e cila ka një sipërfare prej 8 280 km², Franca e ankesoi me Traktatin e Ëestphalies (1648), që i dha fund Luftës 30-vjeçare. Por Strasbourg-un, kryeqendrën e Alcase, Franca mundi ta marrë vetëm në 1681. Me këtë rast Katedralja e famshme e Strasburgut, e cila kishte qenë protestante që nga koha e Martin Lutherit, u kthye me dhunë në katolike.

Pas Xhufit, foli profesori gjerman, i cili duke zhvilluar mendimin e Xhufit, tha se: “Rajhu (Ai e kishte fjalën për Rajhun II, shtetin gjerman 1871-1918) mbështetej në parimin etnik, sipas të cilit të gjithë gjermanët duhet të jetojnë në një shtet.”
Profesori gjerman nuk e shpjegoi se përse Republika Franceze ndiqte parimin që popullsia gjermane e tokave gjermane, të cilat qenë aneksuar nga mbretërit francezë, të jetonte brenda kufijve të Francës. Cili parim qe më i arsyeshëm. Franca edhe sot ndiqte dhe ndjek parimin që t’ u imponojë dhunshëm identitetin francez popullsive autoktone italiane, baske, baritone, gjermane, katalonase që banojnë brenda kufijve të saj. Ky profesori gjerman qartësisht ishte një nga ata demagogët kolaboracionistë të pushtuesve ruso-amerikano-britanikë të Gjermanisë në 1945. Njerëz si ky profesori kanë pushtuar katedrat e universiteteve gjermane pas pushtimit të Gjermanisë në 1945 nga koalicioni ruso-amerikano-britanik.
Profesori gjerman, i cili quhej Rolf Vittenbrock, kishte dicka shumë komike në pamjen e tij. Duke qenë një nga ata gjermanë të cilët i ngjajnë tmerrësisht shumë Adolf Hitlerit nga pamja e jashtme, ky profesori i kishte krehur flokët në atë mënyrë që ta zvogëlonte këtë ngjashmëri, me vijë në mes, ndonëse dukej qartë që kjo krehje nuk i shkonte aspak.
Profesoresha franceze tha se kur historianët francezë dhe gjermanë u ulën për të diskutuar për shkrimin e historisë së përbashkët, nuk kishte debate për Luftën e Dytë Botërore, se për të pranohej faji nga gjermanët. Debat kishte për Luftën e Parë Botërore.
Por nëse historianët gjermanë do të kishin vendosur mbi tryezën e debatit si provë artikullin, që më pas u shndërrua në libër, të Marcel Deat “Pourquoi mourir por Danzig?” (Pse të vdesësh për Danzigun?), kolegët francezë do të ishin gjendur në vështirësi të madhe për t’ u përgjigjur. Ky artikull, që u botua në 4 maj 1939, kur Gjermania sapo i kishte adresuar kërkesat territoriale Polonisë për qytetin e Dancingut (Gdansk), që i ishte dhënë Polonisë pas Luftës së Parë Botërore, me Traktatin e Versailles, pati një ndikim të madh në Francë, aq sa pas Luftës së Dytë Botërore Deat u detyrua që të jetojë në mërgim, i fshehur, pasi në Francë ishte i dënuar me vdekje si kolaboracionist. Franca në 1939 i shpalli luftë Gjermanisë, se mbështeste Poloninë që donte të mbante të aneksuara tokat gjermane. Kjo është e vërteta historike e bazuar në fakte të pakundërshtueshme.

Pas kësaj foli Artan Puto, djali i manipulatorit të historisë së Shqipërisë në kohën e regjimit komunist, Arben Puto. Ky Artan Puto është bërë një propagandist sorosian, i cili del nëpër ekrane për të thënë sloganet e manualeve sorosiane. Artan Puto, duke iu referuar shembullit franko-gjerman, tha se: “Armiqësitë që quhen të vjetra në Ballkan, si shqiptaro-serbe, shqiptaro-greke, nuk janë të vjetra, ato kanë lindur me shtetin komb.”
Domethënë, sipas Putos këto armiqësi paskan lindur në Ballkan, në shekullin XIX. Nëse emisioni do të ishte konceptuar vërtet si debat, me të ftuar që do të polemizonin, atëherë Putos do të mund t’ i thuhej se teza e tij kundërshtohej lehtë me dokumente historike. Një numër i madh autorësh, duke nisur që nga gjysma e dytë mijëvjeçarit të parë pas e.s., flasin për dyndjet barbare sllave në Ballkan dhe armiqësinë që shkaktuan ato mes sllavëve dhe banorëve autoktonë të Ballkanit. Më pas dokumentet historike flasin për armiqësinë shqiptaro-greke, që tashmë ishte shndërruar në armiqësi shqiptaro-bizantine. Kryengritje të pafundme antibizantine ka në trojet shqiptare. Gjithashtu, luftra të pafundme ka mes shqiptarëve dhe serbëve gjatë Mesjetës. Në dinamikë të këtyre luftrave ka qenë përpjekja konstante serbe, për të pushtuar tokat shqiptare dhe për të dalë në bregdet.

Në emision pati dhe momente që mund të quhen si autosarkastike, që zbuluan të vërtetën e historiografisë së përbashkët franko-gjermane dhe të vetë pajtimit e miqësisë franko-gjermane. Kështu u tha se gjatë shkrimit të përbashkët të historisë, debate të mëdha kishte pasur mes historianëve francezë dhe atyre gjermën për rolin e SHBA në Europë pas vitit 1945. Derisa historianët francezë e shikonin praninë e SHBA në Europë si imperialiste, kolegët e tyre gjermanë e shikonin si prani miqësore dhe të domosdoshme.
Kur historianët debatojnë duke gënjyer, ata kapërcejnë çdo humorist. SHBA e dërgoi dy herë brenda 25 viteve Ushtrinë e saj në Europë, pikërisht në Francë, për ta shpëtuar këtë të fundit nga pushtimi gjerman, dhe çfarë merr si mirënjohje? Etiketimin si fuqi imperialiste! Nga ana tjetër, Gjermania humbi në dy luftra botërore për shkak të ndërhyrjes ushtarake amerikane kundër saj, dhe historianët gjermanë mbrojnë SHBA në debat me kolegët francezë! Këtu ka një gënjeshtër të madhe! Dhe gënjeshtra e madhe është se historianët gjermanë janë të lirë të debatojnë. Jo, Gjermania është një vend i pushtuar ende, prandaj historianët gjermanë flasin kështu.

Pas kësaj ngjante si qesharake ndërhyrja e Valentina Dukës, e cila tha se nën shembullin franko-gjerman, historia e përbashkët e vendeve të Ballkanit duhej shkruar duke mos ndërhyrë shteti në këtë proces. Por shembulli franko-gjerman është pikërisht ai ku shkrimi i historisë bëhet nën ndikimin e shteteve përkatëse.
Se çfarë lloj historiografie është ajo e shkruar bashkërisht nga historianët francezë dhe gjermanë këtë na e bëri me dije profesori gjerman i cili tha se: “Librat e historisë duhet t’ u jepnin studentëve instrumente për t’ u orientuar në jetën passhkollore.”
Kjo do të thotë se historia duhej shkruar sipas postulatit të diktaturës në “1984” të Orwell-it, të kontrollit të së shkuarës, në funksion të kontrollit të së ardhmes. Nuk ka rëndësi se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në të shkuarën. Rëndësi ka ai version i së shkuarës që na intereson politikisht sot për t’ ua mësuar gjeneratave të reja. Pra, shkrimi i historisë si pjesë e procesit të inxhinieringut social.

Dudushi i vuri kapakun tenxheres me gulash historigrafik që ishte gatuar në emisionin e tij, duke thënë se: “Ne duhet ta nisim këtu te shkrimi i historisë së përbashkët për të dalë te Pakti i Çelikut.”
Dudushi e kishte fjalën për Komunitetin e Qymyrit dhe Çelikut që ishte në origjinë të bashkëpunimit franko-gjerman, pas Luftës së Dytë Botërore. Dudushi nuk e di se Pakti i Çelikut, quhet aleanca e Gjermanisë së Hitlerit, me Italinë e Musolinit, e lidhur në 22 maj 1939. Pikërisht për shkak të këtij kujtimi të keq historik, kur nisi bashkëpunimi franko-gjerman pas Luftës së Dytë Botërore, për çelikun dhe qymyrgurin, u evitua që të nënshkruhet një Pakt i Çelikut. Këtë pakt tani e shpik Dudushi. Në fantazinë e Dudushit, në vitin 1953, Franca dhe Gjermania paskan nënshkruar Paktin e Çelikut! Sa herë që Dudushi thoshte “Pakti i Çelikut” Profesori gjerman Vittenbrock lëvizte në karrige sikur një xhandar francez ta kishte qëlluar në shpinë me shkop gome! Nejse.

Në të vërtetë, ai që njihet si Komuniteti Europian i Çelikut dhe Qymyrgurit (KEÇQ), dhe që shihet si fillesa e bashkëpunimit franko-gjerman pas Luftës së Dytë Botërore, në fakt ishte një gjetje amerikane që të tejkalohej kundërshtimi i Francës e cila nuk pranonte assesi që Gjermania Perëndimore të rindërtonte industrinë e saj të çelikut, që kishte qenë zemra e militarizmit gjerman. Në rrethanat e Luftës së Ftohtë SHBA kishin interes që Gjermania Perëndimore të rindërtonte ekonominë e saj dhe fuqinë e saj ushtarake. Prandaj u arrit një kompromis që industria gjermane e çelikut, si e nxjerrjes së qymyrgurit, që përbënte bazën energjitike për industrinë metalurgjike, të rindërtohej në një kuadër europian, në trajtën e një karteli ku Franca të ishte partnere, dhe do të ushtronte kontrollin e saj. Katër vendet e tjera kufitare me Francën dhe Gjermaninë, të cilat iu bashkuan KEÇQ, Belgjika, Holanda, Luksemburgu dhe Italia, e bënë këtë gjë të detyruara nga SHBA, që karteli të merrte një pamje europiane. Vetëm pasi Gjermania Perëndimore u pajtua për krijimin e KEÇQ në 1950 ajo nisi të rindërtojë industrinë e saj të çelikut, ndërsa vetë KEÇQ u krijua tre vite më pas në 1953. Nga KEÇQ lindi Komuniteti Ekonomik Europian (që në vendet anglosaksone njihej si Tregu i Përbashkët Europian), dhe nga ky lindi Bashkimi Europian.
Në retorikën politike franceze dhe në analitikën mediale gjeopolitike franceze nuk është e vështirë që të dallosh nuancat që tregojnë se francezët e perceptojnë KEÇQ dhe trajtat në të cilat u zhvillua ai më pas, në optikën e Richelieu, pra të kontrollit francez ndaj Gjermanisë. Gjermania e ka parë gjithmonë Bashkimin Europian, në të gjitha trajtat e tij, që nga KEÇQ te Komuniteti Ekonomik Europian dhe deri te Bashkimi Europian i sotëm, si tribut të bezdisshëm që duhet t’ ia paguajë Francës që kjo të pajtohet me rilindjen dhe ekzistencën e Gjermanisë si një fuqi e madhe ekonomike. Jo se Gjermania do të shqetësohej shumë për mendimin e Francës, por ka qenë SHBA që e ka detyruar Gjermaninë ta bëjë këtë kompromis aspak të favorshëm për të. Në Gjermani ekziston perceptimi, të cilin e shpreh edhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë Joschka Fischer në kujtimet e veta, se Bashkimi Europian nuk ishte gjë tjetër veçse financimi nga Gjermania i fermerëve francezë. Ajo që nuk e thotë Fischer është se fermerët francezë kane qenë baza elektorale e De Gaulle dhe e së djathtës franceze në përgjithësi. Nëse do të kishte munguar financimi gjerman për ta, një pjesë e madhe e tyre do të kishin votuar për Partinë Komuniste në kohën e Luftës së Ftohtë.

Nëse në emision do të kishte pasur një zë oponent, shikuesit do të kishin mundur që të mësonin një detaj interesant për Traktatin e Miqësisë Franko-Gjerman, për të cilin u fol shumë në emision. Kur u nënshkrua Traktati i Miqësisë mes Francës dhe Gjermanisë, në Pallatin Elysee(Elize) në 1963, salla e zgjedhur kishte një simbolikë që nuk fliste aspak për kapërcimin e armiqësisë historike. Për ceremoninë e nënshkrimit të traktatit francezët kishin zgjedhur Sallën Murat (Myra), e cila ishte emërtuar sipas Mareshallit të famshëm të Napoleon Bonapartit, Joachim Murat i cili kishte qenë krahu i djathtë i këtij të fundit, në pushtimin e Gjermanisë.
Në emisionin e Dudushit foli edhe një historiane greke, e quajtur Kristina Kuluri, e cila na u prezantua si drejtuese e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim në Europën Juglindore, me seli në Selanik të Greqisë. Për këtë zonjën greke foli me entusiazëm të madh Valentina Duka, shefe e Departamentit të Historisë së Popullit Shqiptar, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Kjo zonja greke e ka krijuar këtë qendër që në vitin 1998 dhe prej 16 viteve përfiton financimet e projekteve të Bashkimit Europian, për shkrimin e përbashkët të historisë mes vendeve fqinje. Ky është një shembull se si Greqia ka uzurpuar projektet e BE për regjionin e Ballkanit. Valentina Duka tha se bashkëpunon me qendrën e zonjës Kuluri që prej vitit 1999. Kjo ndër të tjera do të thotë se është krijuar një kastë e shkencave historike, e cila kërkon të uzurpojë përjetësisht projektet fitimprurëse ndërkombëtare. Merret vesh, në historinë që do të shkruajë qendra e zonjës Kuluri nuk do të përmenden dokumentet historike serbe dhe greke për spastrimin etnik të shqiptarëve, si dhe paktet e fshehta mes këtyre dy vendeve për coptimin e tokave shqiptare.
Emisioni i Dudushit i 24 shtatorit 2014, ku të ftuar qenë gjashtë historianë, ishte një shembull se si nuk duhet të shkruhet historia, dhe se si janë historianët e këqinj të cilët e keqpërdorin profesionin e tyre. Manipulatorët e historisë përpiqen më kot, se nuk do të arrinë atë që dëshirojnë. Beteja e vërtetë bëhet për mendjet e minorancave aktive të shoqërisë, dhe për të komunikuar me to nuk është nevoja të kesh instrumente si televizioni ku bëhet emisioni i Dudushit, i cili e ka specializuar atë ndër të tjera për manipulimin e historisë./Kastriot Myftaraj

https://www.facebook.com/kastriotmyftar ... 6506993489[/quote2]

Post Reply

Return to “Artikulli i ditës”