Historiani vlonjat, Fari Shaska, publikoi faksimilen e urdhrit të arrestimit
22 Sht 2012

Sipas Shaskës, Qamil Bej Vlora, djali i fundit i Ismail Qemalit dhe njëkohësisht i vetmi mes fëmijëve të tij, që qëndroi në Shqipëri, u arrestua për një armë pistoletë antike, pronë dhe kujtim i të atit të tij, që ai e ruante si një send mjaft të çmuar. "Ishte një pistoletë me dorezë fildishi që Qamili e ruante si kujtim nga babai i vet, por që strukturat e regjimit komunist që u instalua pas luftës, e përdorën për të burgosur pinjollin e familjes së famshme të Vlorajve, djalin e Ismail Qemalit", thotë Shaska.
Kishin kaluar vetëm dy vjet pas çlirimit të vendit dhe vendosjes së regjimit komunist, kur Qamil Bej Vlora, punonjës i shërbimeve diplomatike të Ministrisë së Jashtme, do të përballej me kapriçot e sistemit të ri. Gjatë kontrollit që i ishte bërë në banesë, atij iu gjet edhe pistoleta e cila shërbeu si pretekst për futjen e tij në qeli. Arrestimi i Qamil Vlorës, 51 vjeçar, fëmijës së fundit të Ismail Qemalit, i vetmi prej tyre që kishte zgjedhur për të jetuar në Atdheun e vet, do të bëhej përmes një urdhri ose në terminologjinë e kohës "Letër rreshtimi", të Prokurorisë së Gjykatës Ushtarake të Tiranës me nr.protokolli 418, të datës 10 dhjetor të vitit 1946. . Siç tregon edhe faksimilja e dokumentit të arrestimit, që shoqëron këtë shkrim, Prokurori P.H. urdhëronte "rreshtimin e tij për një kohë të pacaktuar në burgun ordiner të Tiranës". Në kuadrin ligjor të kohës, me këtë akuzë, 51 vjeçari Qamil Vlora, cilësohej "sabotator i pushtetit", çka e çoi atë pas hekurave të burgut, ku do të mbahej për dy vjet. Shaska, thotë se, Qamil Vlora, kishte qenë punonjës në strukturat e Ministrisë së Jashtme dhe arrestimi i tij do të shënonte ngjarjen e dytë të ngjashme në jetën e vet, pas akuzës që ju bë në vitin 1932 nga ish Mbreti Ahmet Zogu, që e akuzonte atë si pjesëmarrës në "Organizatën e Fshehtë të Vlorës", një komplot që synonte rrëzimin e tij. Gjatë qëndrimit në burg Qamil Bej Vlora do të sëmurej nga tuberkulozi, çka do t’i shkaktonte vdekjen pak vite më pas, në 1950, në moshën 55 vjeçare.