Gruevski, mos e prek gazetën “Zhurnal Plus”!
- Sally
- Galactic Member
- Posts: 2062
- Joined: Tue Jun 09, 2009 2:36 pm
- Gender: Female
Gruevski, mos e prek gazetën “Zhurnal Plus”!
Si po diskriminohen mediat shqiptare në Makedoni? Herë pas herë është fol e shkruar për diskriminimin e mediave shqipe në Republikën e Makedonisë (MK), por, siç duket, kanë rënë në vesh të shurdhër. Sot më rastisi të bisedojmë me një koleg dhe ai sërish u ankua për diskriminimin e mediave shqiptare. Ndër të tjera, tha se në buxhet shtetëror janë paraparë 20 milionë euro për media, por mediat shqiptare nuk marrin as 5 për qind nga këto mjete, ndërsa do të duhej të merrnin rreth 25 për qind (në proporcion me përbërjen zyrtare të etnive në RM). Mënyra tjetër e diskriminimit janë reklamat nga ana e qeverisë (edhe të ministrive), të cilat ndahen në mënyrë diskriminuese e privilegjuese. Mjetet që shpenzon qeveria për reklama i marrin kryesisht mediat makedone, ndërsa edhe për ato pak reklamat që afishohen në gazeta shqiptare, ndodh të mos paguhen nga ministritë përkatëse, ose të paguhen me vonesë të madhe. Edhe Televizioni publik në gjuhë shqipe dhe në gjuhë të minoriteteve (RTVM 2) ballafaqohet me vështirësi dhe trajtim diskriminues. Për krahasim do të merrnim televizionin publik të Republikës së Kosovës, i cili para dy muajsh hapi edhe programin e 2-të vetëm në gjuhë serbishte, për rreth 5 për qind të popullsisë serbe, sa duhet të jenë në Kosovë. Kurse RTVM 2 duhet të ndaj kohën për program në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të minoriteteve edhe pse në RM mbi 25 e popullsisë së gjithëmbarshme është shqiptare. Ankesat e kolegëve në këtë medium, për mungesë të mjeteve për të bërë program më cilësor, janë vërtet shokuese. Diskriminimi merr të tilla përmasa, sa që RTVM 2 t’i jepen pajisje teknike nga ato që RTVM 1 (makedon) i nxjerr nga përdorimi... Mediat shqiptare në prag të falimentimit në RM botohen vetëm tre gazeta në gjuhë shqipe dhe një reviste, ndoshta mujore (ndonjëherë del edhe më rrallë). Të tre gazetat se bashku nuk e kanë tirazhin e shitjes mbi 7 mijë ekzemplarë në ditë. Janë fajtorë qytetarët për mungesë të kulturës së leximit të gazetave në gjuhë shqipe? Nuk e besoj. Mendoj se janë pamundësitë e botuesve për të investuar më shumë financa, që këto gazeta të bëhen edhe më informative, të jenë më oponentë ndaj pushtetit dhe opozitës, të bëhen më kritikuese ndaj korrupsionit dhe shpërdorimeve të pushtetarëve, të kenë më shumë hapësirë për tematika kulturore, etj. Meqë janë në këtë pozicion diskriminues, këto gazeta nuk janë në gjendje të rrisin cilësinë e tyre, meqë nuk janë në gjendje të punësojnë gazetarë të bollshëm e profesionalistë. Edhe këta pak gazetarë, gjithashtu të paguar me paga të vogla, nuk janë në gjendje të bëjnë hulumtime profesionale, nuk mund t’i trajtojnë tematikat profesionalisht, sepse u rrezikohet mbyllja e gazetave. Institucionet shtetërore duhet, më në fund, të shqetësohen për pozitën diskriminuese të mediave shqiptare në RM. Meqë këtë nuk janë duke e bërë, siç po ankohen kolegët (të cilët nuk dëshirojnë t’u publikohen emrat), atëherë, për momentin aktual, BDI-ja në pushtet duhet t’i detyrojë përfaqësuesit e saj në institucione që të merren me seriozisht me këtë problematik, para se të ndodh që një ditë të afërt të mos kemi asnjë gazetë në gjuhën shqipe në RM.
nga:Ibrahim Kelmendi
(Avni Rustemi)
- Sally
- Galactic Member
- Posts: 2062
- Joined: Tue Jun 09, 2009 2:36 pm
- Gender: Female
Re: Si po diskriminohen mediat shqipe në Maqedoni?
Mbyllja e gazetës, zi për shoqërinë tonë
Në Maqedoni për fat të keq gjatë këtyre viteve përjetuam mbylljen e televizioneve nacionale, dhe shumë gazetave shqipe dhe maqedonase. Si duket kjo punë nuk e shqetëson më askënd. Bile, tashmë mbyllja e një mediumi nuk merret shumë tragjikisht por si “punë normale” që duheshka të ndodh në këtë shtet
Fjalës së lirë çdo ditë e më tepër po i ngushtohet hapësira në Maqedoni, e sidomos asaj në gjuhën shqipe. Mbyllja e përkohshme e gazetës “Zhurnal plus” është një alarm për të gjithë ata që e kuptojnë dhe e dinë peshën e fjalës së lirë në zhvillimin e shoqërisë dhe çuarjen përpara të proceseve demokratike në vend.
Ekipi i gazetës “Zhurnal plus” një kohë të gjatë ka paralajmëruar dhe ka shkruar mbi padrejtësitë që u bëhen mediave në gjuhën shqipe kur është në pyetje shpërndarja e reklamave të qeverisë.
Në të gjitha shkrimet dhe analizat që kemi bërë janë nxjerr në pah të vërtetat se ndarja e buxhetit të paraparë për mediat është bërë në mënyrë kryekëput selektive, ku janë zgjedhur mediat e “përkëdhelura” të ekzekutivit.
Të jesh gazetar në Maqedoni nuk është punë e lehtë e aq më pak të jesh gazetar investiguese, për të trajtuar tema të ndryshme që kanë të bëjnë me procese të mëdha për shtetin dhe ardhmërinë e qytetarëve.
Mirëpo, në Maqedoni për fat të keq gjatë këtyre viteve përjetuam mbylljen e televizioneve nacionale, dhe shumë gazetave shqipe dhe maqedonase. Si duket kjo punë nuk e shqetëson më askënd.
Bile tashmë mbyllja e një mediumi nuk merret shumë tragjikisht por si “punë normale” që duheshka të ndodh në këtë shtet. Mbyllja e mediumeve i kënaq vetëm ata që jetojnë në mënyrë jo të ndershme dhe që në mënyrë jo të ndershme fitojnë para të majme dhe që duke ia pasur frikën një mediumi të fuqishëm dhe të pavarur ata më shumë do të parapëlqenin terrin informativ para informimit të saktë, të shpejtë dhe subjektiv.
Zhytja në errësirë totale e informimit në Maqedoni është edhe një shenjë e keqe, është edhe një ogur i zi për shoqërinë tonë e cila edhe ashtu përballet me shumë sfida, dukuri dhe të padrejta të shumta që u bëhen mediave dhe subjekteve të caktuara në jetën publike.
Duhet potencuar edhe energjinë dhe punën e palodhshme të stafit të gazetës e cila asnjëherë nuk u lodh për t’u bërë ballë sfidave dhe stërkëmbëzave të njëpasnjëshme në lidhje me vazhdimin e këtij projekti të shenjtë në hapësirën mediale shqiptare në Maqedoni. E gjithë kjo situatë me fjalën e lirë na bën të mendojmë kah po shkojmë dhe cila do të jetë e ardhmja e gjeneratave të ardhshme.
S’kam aspak dyshim se kjo gjendje që u trashëgohet gjeneratave të reja, një ditë do të marrim mallkimin më të rëndë prej tyre. Pra, mediat e lira mbeten shtylla kryesore për zhvillimin e një shoqërie, për respektimin e vlerave të mirëfillta dhe për avancimin e dijes dhe kulturës së një populli.
Pa fjalën e lirë të gjithë ne do të jemi “të burgosur” dhe në terr nga i cili një ditë të gjithë ne do ti ndjejmë pasojat, kush më pak e kush më shumë.
Edhe përskaj situatës së krijuar me gazetën neve nuk do të na mungojë guximi dhe vullneti për të vazhduar punën përmes portalit ku përsëri do të shkruajmë dhe do të jemi në shërbim të lexuesve tanë. Reagimet e shumta që na erdhën dhe mbështetja e madhe nga shumë media, publicistë, analistë, subjekte dhe faktorë të tjerë na japin më tepër fuqi për të mos u dorëzuar para kësaj sfide.
nga: L Bekim BUÇI
Une jam lexuese e rregullt e kesaj gazete, shpresoj te mos mbyllet ...

(Avni Rustemi)
- Adriana
- Universe Member
- Posts: 3201
- Joined: Tue Jun 02, 2009 3:34 pm
- Gender: Female
- Location: Giethoorn (Nederland)
Re: Gruevski, mos e prek gazetën “Zhurnal Plus”!
“Zhurnal Plus” ishte si një yll në ngjitje në qiellin e demokracisë së shprishur e të shpifur në Maqedoni dhe si një flakadan në ecje në tokën shqiptaro-maqedonase me liri nacionale e medie të burgosur edhe pas Marrëveshjes së pambyllun të Ohrit. Fatkeqësisht, as në qiell dhe as në tokë nuk e don një gazetë të këtillë si “Zhurnal Plus” ky Gruevski, kryeministër kryengritës e kundërshqiptar
Si rrufe më erdhi lajmi i keq i ofshamës së pandalun të gazetës ditore shqiptare “Zhurnal Plus” në FYROM, të cilës iu fikën edhe llampat e emergjencës në ecjen e saj me sakrifica e sfida. Tashti, pas kësaj kryqëzate të shtetit të kryqëzuar maqedonas, kemi një “Zhurnal Minus”. Nuk iku për fajin e saj. Kurrësesi. Përkundrazi: gazetarët e saj janë mjaft qëndrestarë për ta mbajt në jetë, në kambë, në piedestal. Ata janë lisa të penës e të përballjes për botimin e “Zhurnal Plus” aqsa na bajnë për veti me iu dalë në krah. E patjetër duhet me iu dalë në mbrojtje publike e praktike. Jo për (pa)hir të rracës e frymës shqiptare të gazetës e stafit të saj. As vetëm për shkak të misionit kombëtar, politik, kulturor e shoqëror të gazetës. As vetëm për solidaritet të mediave (ndër)kombëtare për një gazetë në gjuhën shqipe në Shkupin multietnik, As vetëm për të lëshue fjalë e lekë për me e/u mbajt kjo gazetë në jetë. Gjithësesi ma tepër. Domosdoshmërisht ma shumë.
“Zhurnal Plus” ishte si një yll në ngjitje në qiellin e demokracisë së shprishur e të shpifur në Maqedoni dhe si një flakadan në ecje në tokën shqiptaro-maqedonase me liri nacionale e medie të burgosur edhe pas Marrëveshjes së pambyllun të Ohrit. Fatkeqësisht, as në qiell dhe as në tokë nuk e don një gazetë të këtillë si “Zhurnal Plus” ky Gruevski, kryeministër kryengritës e kundërshqiptar, që ende ia rrenë mendja se në pafundësi mund të boksoj shqiptarët etnikë e të tjerët si nacionalist dhe të baj teatër në politikën ballkanike e euro-atlantike si “demokrat” sikuse dikur në ladrimet e tij gjatë diplomimit për ekonomi në Universitetin Shën Klementi i Ohrit në Manastir. Pikërisht Gruevski, ky lider krye në (pusht)et dhe pa krye në realpolitikë, ndihet në vetvete dhe shihet nga të tjerë si i “përkdhelun”(!) nga ndërkombëtarët euro-atlantik në kohë tkurrjesh e bymimesh dhe korac në politikë i rrethatuar nga këshilltarë djallëzor të nacionalizmit maqedonas me veprime gjak e flakë ndaj shqiptarëve etnikë shtetformues. Gruevski, polikan me biberon dhe ekonomist me vizion, është i brumuar si njeri ballkaniko-afrikan (në vogli ka jetue në Libi bashkë me të amen e divorcuar) dhe sadoqë ka shkollue në Perëndim nuk ia mbrrini asnjë herë me u ba njeri euro-atlantik, çka e dëshmoi edhe ma së fundit me maskariadën mafioze politiko-financiare për mbylljen e gazetës “Zhurnal Plus”.
Kjo mbyllja e “Zhurnal Plus” nuk është aspak aksidentale për Maqedoninë. Shpreh keqardhje se është krejt fatale për dinjitetin e demokracisë euro-atlantike të shek. XXI. Dy pushtete të shtetit gruevskian, pushteti politik dhe ai ekonomik, iu hakërryen me të pabesë e iu oktapoduan me diskriminim të gjithanshëm kësaj gazete shqiptare, një nga gurët e themelit institucional të pushtetit të katërt në Maqedoni. Dihet se kjo ka me e ngjall sadopak shtetin e pushtetin personal të Gruevskit kundërshqiptar në Ballkanin e sotëm. Ky Gruevski don me e ndertue artificialisht historinë e shtetit të tij artificial, siç e ngriti vjet – në 20 vjetorin e Pavarësisë së FYROM (Maqedoni) me mbi 4 milionë dollarë amerikanë një “Hark Triumfi” në Shkup, e thirrun prejt tij “Porta e Maqedonisë”, nën të cilën ka me kalue shpejt kokëulun nga paudhësitë e i përçmuar jo vetëm nga shqiptarët trojenik e nga ndërkombëtarë euro-atlantik. Ky ideator e promotorr i Projektit kundërshqiptar “Shkupi 2014” nuk ka me ia mbrri me e vnue në jetësim.
Ky Gruevski kaq i vogël në ultësitë e tij sa me e sulmue egërsisht edhe një gazetë të shqiptarëve si “Zhurnal Plus” nuk mund të lartësohet duke e ngrit siç bani para dy vjetësh një monument gjigand të Aleksandit të Madh me 9.4 milionë euro, që as vet nuk mundet me e thirrë ndryshe zyrtarisht e botërisht, veçse “Luftëtari mbi kalë”(!).
Ky Gruevski kundërshqiptar krejt zhul në qëndrimet e veprimet ndaj gazetës shqiptare “Zhurnal Plus” nuk mundet ta zhubravosin kur e ku të duan këtë tribunal shqiptar të fjalës së lirë e të demokracisë euro-atlantike. Gruevski duhet ta dijnë se Perëndia pas Frymës na e dha të parën Fjalën dhe duhet ta mësojnë e provojnë nga drejtësia e qëndresa e shqiptarëve e ndërkombëtarëve se në këtë çështje do të mbetet “nul” dhe nuk do të pastrohet nga mëkatet kurrë.
Kaq poshtë ka rënë kryeministri maqedonas Gruevski sa me iu lëshue egërsisht e paturpësisht shtetin 22 vjeçar FYROM-Maqedoni një gazete elitare shqiptare 2 vjeçe, e cila më duket se ka një drejtues e 2 gazetarë profesional të saj, që me vizionin, përkushtimin e sakrifikimet e tyre e ngritën këtë medie kaq lart, kaq shpejt e kaq mirë. Këta lisa dardanë (siç më pëlqen me i thirrë) munden ta mbajnë deri më sot në kambë si heronj këtë gazete shqiptare po e kanë krejt të pamundun ta mbajnë një shtet kundërshqiptarë dhe kundër medias së lirë. Pastaj, kurrsesi, nuk ndihet nevoja që këta gazetarë të bien si “Heronj të Shtypit të Lirë” në një vend si Maqedonia që të paktën njanen kambë të saj e ka të çueme pa ekuilibër drejt “arkivolit”.
Duhet me ia kujtue Gruevskit disa gjana të (pa)dituna: Gjyshi i tij lindi në të ashtuquajtunen “Maqedoni Greke”(!), në fshatin e atëhershëm që nga sllavishtja shqipërohet “punëtorë të dardhave”, i pagëzuem Nikolaos Grouios, i vramë 29 vjeç në Luftën Greko-Italiane (v. 1940), dhe pas shtegtimit të familjes së mbetun drejt Shkupit ia vunë të atit të tij që e braktisi një “ovski” maqedonas dhe e kemi sot Nikolla Gruevskin (i riu) të Maqedonisë artificiale, nga lindja e deri në jetën e përtejme një kundërshqiptar. Ky Gruevski e dëshmon edhe me turravrapin bojkotues e asfiksues ndaj gazetës shqiptare “Zhurnal Plus”.
Këta lisat qëndrestarë të “Zhurnal”-it të sulmuem pabesisht e egërsisht nga rregjimi kundërshqiptar i hjekësit e i përndjeksit Gruevski më përngjasojnë realisht si pasardhës të të madhit rilindas Jeronim De Rada, i cili plot 165 vjet ma herët, e botoi në Itali ma të paren gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia” /Shqiptari i Italisë/ (1848), të cilët ia sulmuan kundërshqiptarët dhe u detyrue me “e mbyll përkohësisht”. Kjo po ngan edhe me “Zhurnal Plus” (emër huajtun nga frengjishtja !). Njejtësisht. Në të dy rastet, në dy shtetet, sulmojnë rryma (r)evolucionare kundërshqiptare, si në shek. XIX edhe në shek. XXI. Veçse nuk po due me iu ndodh edhe këtyne të “Zhurnal”-it si në rastin e De Radës së madh që “priste ditë më të mira” për rihapjen e gazetës së tij, çka nuk i ndodhi kurrë. Aman, olisa dardanë, mos e ndalni betejën e derisotme për mbajtjen në kambë e në front të kësaj gazete elitare shqiptare, pasi beteja për shtypin e lirë është e përjetshme, paçka se në Maqedoninë e Gruevskit ndodh ndryshe, krejt ndryshe, ku diskriminohen masmediet shqiptare duke shkel çdo konvent e akte ndërkombëtare përballë heshtjes së pabesueshme e të patolerueshme euro-atlantike.
Në rastin “Zhurnal Plus” as përfaqësitë diplomatike në Shkup nuk janë zgjuar ende, sepse Maqedonisë po i ndihen ngricat e “dimnit Gruevski”, të cilat po vijnë dhe ia nisën me “e ngrirë” edhe gazetën shqiptare “Zhurnal Plus”.
Edhe Ali Ahmeti, ky Gjergj Elez Ali modern, duhet ta kuptojnë e ndjejnë përtej palcës biologjike e revoltës politike se edhe ky akt ndaj gazetës “Zhurnal Plus” është një plagë ma shumë në trupin e tij prej shqiptari kombëtar e shtetari qytetar, është një nga plagët e Marrëveshjes së pambyllun të Ohrit. Kësaj Marrëveshjeje, të lidhun në besatim të ndërkombëtarëve, nuk mund t’ia ndalin gjakun e rrjedhshëm nga plagët e saj as mbi 400 milionë euro për jetësimin e saj, as tonelatat e penelatave demagogjike të Gruevskit, këtij djali të një dizenjatori e njeriu të pultuem si kryeministër nga nacionalizmi i pa fytyrë dhe i pa asht maqedonas. Fakti ma i fundit është edhe gazeta shqipe “Zhurnal Plus”, që bubullon si një sinjal i keq për demokracinë euro-atlantike dhe për vet shtetin e Maqedonisë, që nuk mund të qëndrojnë në kambë pa shqiptarët përgjatë Drinit e Vardarit, pa gjuhën e tyre shqipe, pa shkollat shqipe, pa gazetat e televizionet shqipe, pa kulturën shqiptare.
Ndoshta, ma mirë se askush, vet kryeministri kundërshqiptar Gruevski e mirëdinë se në 100 vjet përpjekje për pavarësim dhe në 22 vjet për shtetformim, Maqedonia e sotme ka nisë nga trevat shqiptare.
Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903, që e njohin si një festë kombëtare të Maqedonisë së sotme, nuk mund të ndërmerrej e kryhej pa shqiptarët, e cila udhënisi nga Manastiri i Kongresit të Alfabetit Shqip dhe është tepër absurde e aspak njerëzore e demokratike që Gruevski autokrat ballkanik të mbylli një gazetë në gjuhën shqipe si kjo elitarja “Zhurnal Plus”.
Fisi ilir i Paionëve, që shtrihej në dy anët e Vardarit, të cilët sipas Homerit morën pjesë edhe në Luftën e Trojës, dokumentohet se kishin simbol të tyre emblematik, Diellin, të cilin e vnuen maqedonsit e sotëm në Flamurin e tyne Kombëtar, ndërsa tani Gruevski e Co. ua pengojnë shqiptarëve Flamurin e tyne Kombëtar Kuqezi, gjuhën e tyre amtare të lashtë – Shqipen, gazetat e njohura shqipe si “Zhurnal Plus”. etj.
Çdo vit, më 2 gusht, nga Krusheva (shqip – vendi i dardhave) nga nisi Kryengritja e Ilindenit, starton Marshimi Tradicional, ku Flakadani i ndezur udhëton nëpër Maqedoni drejt Shkupit. Ky flakadan, jo si pamundësi dhe as si befasi, mund të ndizet një ditë edhe nga sulmi i egër gruevskian ndaj gazetës kombëtare shqiptare “Zhurnal Plus” në Shkup.
Në Ohër u nënshkrue Marrëveshja e vitit 2001, e cila e shpëtoi Maqedoninë (FYROM) nga shpërbërja e saj, sepse gati po merrte jetë parashhikimi i arvanitasit Marko Dragumis, njërit nga heronjtë e Greqisë: “Maqedonia i përket kujtdo që e merr!”. Ndaj sot Republika e Maqedonisë, që ka mjaft probleme identiteti kombëtar, territorial, gjuhësor e fetar me fqinjtë e vet në të gjitha anët kufitare, është një shtet që mbijeton në të dy anët e Vardarit duke u mbajt në dy kambet e tij shtetformuese: Maqedonët dhe Shqiptarët. Kjo i obligon ma së forti gruevskianët kundëshqiptar që të mos kryejnë akte të tilla ndaj shqiptarëve, si në rastin e gazetës “Zhurnal Plus”.
Vet Gruevski kundërshqiptar, që ia nisi karrierës arsimore e politike nga treva etnike shqiptare e Manastirit, duhet ta dijnë mirë se mali ma i lartë edhe i Maqedonisë së sotme nuk është Gruevski, por Korabi i përjetshëm.
Gruevskianët maqedonas nuk po e dijnë fort mirë se cilët kanë miq e armiq të sotëm, po ndërkohë duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se nuk duhet t’i bajnë kundërshtarë shqiptarët, që bashkëjetojnë në tokat e veta etnike në shtetin e Maqedonisë dhe shkojnë deri në gjysmën e popullsisë së saj, se Maqedonia rrethohet në mbi gjysmën e kufijve të saj nga shtetet shqiptare të Shqipërisë e të Kosovës e territori shqiptar i Luginës së Preshevës (Kosova Lindore).
Zoti Gruevski, kryeministri kundërshqiptar i Maqedonisë së shek. XXI po merr fund përgjithmonë epoka famëkeqe e misioneve luftarake shoviniste kundër shqiptarëve me emna kafshësh si njësitë paramilitare sllavo-maqedonase të vitit 2001 të koduara “Luanët” apo misionet kundërshqiptare të koduara “Dhelpra e Kuqerremtë” (2001), “Dhelpra e Zezë” (2009), etj., prandaj ka ardhë koha të merremi vesh ndërveti si njerëz të Rendit të Ri Botëror, si shqiptarë shtetformues të Maqedonisë e të fqinjësisë së përbashkët, si bashkudhtarë të demokracisë euro-atlantike, si qytetarë të botës së lirë: Mos e prek gazetën “Zhurnal Plus”.
nga: Ramiz LUSHAJ
(Autori është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikano - Britanike, me seli në Tiranë)
si Shqiponja ne flamure.
Mburrem dhe jam krenare,
qe kam lindur Shqiptare.
Nga do qe te jem me ndjek fati,
se jam Shqiptare, shkurt hesapi !!
