Nga të gjitha llojet e krimeve, -nga vrasjet me apo pa dashje, nga vjedhjet e shtëpive e të xhepave të qytetarëve, nga rrahjet për vijën e ujit e dhunimet e grave e të miturve, nga fyerjet, sharjet dhe poshtërimet publike ndaj më të dobtëve, nga incestet dhe perversitetet etj, - krimi politik jo vetëm që nuk ndëshkohet, por është më i paprekshmi, pse jo edhe më i nderuari, më i lakmuari, më i respektuari. Lum e lum kush ka fatin dhe mundësinë të kryejë sot për sot një krim politik të nivelit të lartë! Nëse ka një “mjet” që e ka rrënuar dhe po e rrënon shoqërinë shqiptare në themel, është gjakimi i krimit politik të pandëshkuar. “Tolerancë zero ndaj krimit!” u përsëriti kryeministri për të disatën herë policëve të hutuar që u ishin vrarë shokët e që, megjithatë e dëgjonin Berishën dhe kushedi ç’thoshin vetmevete…
Në të vërtetë ne kemi koncept të vjetruar për mafien; kur themi mafie kuptojmë atë mafien siciliane të filmave neorealistë italianë që të ther me thikë fytin natën për hakmarrje e të qan ditën; por mafia shtetërore, e instaluar tashmë edhe në Shqipëri, është më e mençur; ajo ka zaptuar pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ, ajo bën ligje dhe merr vendime (herë në qeveri dhe herë në Kuvend) për të ligjëruar veprimtarinë e vet, tenderat dhe monopolet, pasuritë dhe pronat, fuqinë e vet pakufizuar dhe kontrollin e mediave e të opinionit publik, d.m.th, për t’i kryer “punët” e veta në rrugë sa më legale, sigurisht “me mjete dhe metoda demokratike”…Janë me dhjetëra VKM-të dhe ligjet që janë bërë enkas e qëllimisht në interes e në dobi të drejtpërdrejtë të monopoleve të caktuara (si p.sh, për naftën apo për siguracionet), për trafik influence, në interes të grupeve kriminale apo të bosëve të ndërtimit, të disa individëve e në dëm të ca të tjerëve…Mafia e jonë punon me ligje, me rregulla, me vendime, përherë “në respekt të ligjeve” që i ka bërë vetë. Aq i sofistikuar është krimi politik në Shqipëri, sa mjafton të përmendim shembullin kuptimplotë që na dha vetë kryeministri kur u akuzua Basha për rrugën Durrës-Kukës, për të kuptuar mendësinë dhe mënyrën hileqare të atyre që na drejtojnë sot…Ministri Basha, deklaroi afërsisht Berisha vitin e kaluar, nuk mund të dënohet, pasi vendimet ai nuk i paskësh marrë vetë si ministër, po si qeveri, gjë që do të thotë, gjithnjë sipas logjikës së tij të çuditshme (logjikë e pastër kjo e kapjes së shtetit) që një qeveri nuk mund të dënohet, pasi ajo merr “vendime kolektive”…Në demokraci, sipas tij, nuk paska ndëshkime kolektive!
Sipas kësaj praktike, për të kryer veprime mafioze, për të abuzuar me tenderat, për të vjedhur dhe për të siguruar më pas imunitet, vendimet tashmë nuk merren vetjakisht, pra nuk firmosen vetëm nga titullari, qoftë ky ministër, kryetar a kryeministër, po bashkërisht, me shpikjen e mrekullueshme dhe “demokratike” të “bordeve” të emëruara nga shefi, apo të Këshillave të Bashkive e Komunave, me VKM-ra të qeverisë, me vendime “kolektive” të KKRTSH, madje, për interesa më madhore, edhe me ligje të posaçme në Kuvend! Me duart e “bordeve” vidhet më lehtë, më bukur, pa u ndëshkuar kurrë!
Përballë vendimeve “kolegjiale” që i hapin udhë krimit politik dhe ekonomik, herë me urdhëresa e herë me ligje, të cilat merren me “vota”, Drejtësia detyrohet të jetë kryekrejt e pafuqishme edhe për shkak “të anës ligjore”; pra, edhe kur krimi politik a ekonomik është flagrant, prokurorët dhe gjykatat janë duarlidhur, bëhen sehirxhinj aq të paturpshëm sa nuk i vret kurrë ndërgjegjja, jo vetëm për shkak të ligjit për imunitetin e politikanëve, por sepse Drejtësia është e destinuar të bëjë sehir dhe të rrijë me vetëdije në autoparalizë, pasi do të gjendet përballë një sulmi të papërballueshëm politik: “Arrestimi i filanit është bërë i motivuar politikisht”. Vetëm kjo frazë mjafton për të legjitimuar, përligjur dhe legalizuar krimin politik, si një e keqe e domosdoshme dhe e pashmangshme në shoqëri..
Kësisoj hajdutët profesionistë të votave bëhen të nesërmen “e fitores” doganierë, drejtorë drejtorish, shefa komisariatesh etj, ndërsa deputetët e ministrat që miratojnë dhe zbatojnë përditë ligje dhe vendime në favor të mafies, monopoleve e karteleve, ata që kapin shtetin për interes të familjes a të klanit, bëhen të pasur dhe të paprekshëm, pjesë e oligarkisë dhe e parisë së Tiranës…Shumë-shumë mund të dënohen ata anëtarë bordesh që janë të detyruar të firmosin në emër të shefave, paçka se nuk kanë përfituar direkt nga “firma” e tyre…Nuk ka shpikje më të ndyrë se bordet apo këshillat që përdoren si pararojë dhe si mburojë e korrupsionit dhe e krimit të organizuar. Besoj se nuk është e nevojshme të sillen shembuj të pafundmë të kësollojshëm të krimeve politike dhe ekonomike që bëhen përditë nëpër zyrat shtetërore të të gjitha niveleve, pa u ndjerë dhe pa u kuptuar e që nuk janë dhe as kanë për t’u ndëshkuar ndonjëherë, përkundrazi. Sepse “qeveria e shërbesave” është vërtet qeveri shërbesash, po vetëm për familjen, për klanin, për bordin, për xhepin dhe për interesin e vet…Mjaft që vendimet titullari t’i ketë marrë me “firmën” e bordit, apo të Këshillave….Kështu, sa për të dhënë një shembull, Këshilli Drejtues i RTSH është i detyruar me ligj të marrë të gjitha vendimet me shumicë votash, por frytet e vendimeve kolegjiale sistematikisht i vjelin ata që nuk firmosin dhe as votojnë, drejtorët e mëdhenj, të emëruarit nga qeveria e të mbrojturit direkt nga kryeministri, të cilët nuk mund të ndëshkohen e as të kapen kurrë me presh në duar…
Krimet e bordeve, edhe kur shkaktojnë dëme e shpërdorime me miliona, duken çikërrima pas kësaj përvoje të stërgjatë të krimit të pandëshkuar në Shqipëri. Le të kujtojmë p.sh., krimin politik më të madh të kryer ndaj popullit shqiptar jo nga të huajt, po nga udhëheqësia “e zgjedhur me vota të lira dhe demokratike” në vitin 1997, apo edhe sulmin me tanke e me arkivol dhe djegien e kryeministrisë në 1998, për të kuptuar se në këtë klimë mosndëshkuese, vendimet në konflikt të pastër interesi të qeverisë, qoftë edhe të bordeve dhe të Këshillave, apo edhe të KKRTSH-së kur vendos në favor të Fazlliçëve, nuk paraqesin as rrezik dhe as habi për shoqërinë, për partitë, për qeverinë, rrjedhimisht edhe për prokurorinë.
E pra, çdo nëpunës ka të drejtë të mendojë se derisa asnjë kriminel politik nuk është ndëshkuar, derisa ideatorët, ekzekutorët, fajtorët e krimeve të pashembullta të ‘97-ës dhe ‘98-ës që do të përmenden në histori si sjellësit më të kobshëm të fatkeqësive kombëtare sot ndjehen më të sigurt dhe më krenarë se kurrë, derisa ata vazhdojnë të drejtojnë “me sukses” marshimin triumfal të Shqipërisë drejt NATO-s dhe Evropës, atëherë pse të mos e lyesh edhe ti, o nëpunës i vogël, gishtin tënd në krimin pa ndëshkim?!
***
Ka njerëz që lidhur me masakrën që u krye para ca ditësh në Durrës, ku mbetën të vrarë, si në filmat horror, katër policë, besojnë se ngjarja tragjike në mos ishte një krim i mirëfilltë politik, kishte prapavijë politike. Tani nuk ka rëndësi pse policët shkuan në atë operacion si nusja në dasmë, për të kapur “kriminelin më të rrezikshëm të Shqipërisë” pa antiplumb, pa masa paraprake sigurie etj, nuk ka rëndësi madje as që, deri tani, asnjë zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme nuk do të japë dorëheqje; edhe tabulatet e Dajtit me zyrtarë të lartë apo biznesmenë, apo dilemat nëse ka rrjedhur informacioni nga krerët e lartë të policisë nuk vlejnë para krimit makabër; por kam përshtypjen, qofsha i gabuar, se më shumë rëndësi ka fakti që po atë ditë, policia e shtetit shqiptar u gjend kryekrejt e paralizuar, e demotivuar, e dalë jashtë loje për shkak të depersonalizimit dhe vetëposhtërimit që kishte pësuar një ditë më parë, me urdhër nga lart, me një urdhër që anullonte vendimin e mëparshëm…
Një ditë më parë se të ndodhte masakra, Drejtoria e Përgjithshme e policisë së shtetit, si asnjë polici normale në botë (n’daç edhe anormale!), ishte tërhequr në mënyrë të turpshme prapsh, kishte lëpirë publikisht vendimin dhe urdhrin e prerë të dhënë një ditë më parë për të gjitha komisariatet e policisë nga vetë drejtori i përgjithshëm, zoti Prençi: pas orës 24 asnjë disko në Shqipëri nuk do të punonte e nuk do shkaktonte ndotje akustike për banorët e për turistët që “ishin ankuar”…Madje u bënë edhe disa arrestime të bujshme në Durrës (në këtë rast policia zbatoi me përpikmëri ligjin dhe urdhrin, pa e ditur dhe pa e kuptuar se po shkelte në “dërrasë të kalbur”), midis të cilëve, si u tha nga mediat me shumë bujë, edhe një ish badigard i njohur i Berishës…
Por të nesërmen, jo vetëm që të arrestuarit u lanë të lirë, po u dha urdhri i dytë zyrtar që anullonte të parin: diskot nuk do të mbylleshin në orën 24, por po të kishin mundësi, le të ulnin sadopak zërin e megafonëve të tyre! Nuk lipsen shumë mend për të kuptuar që këtë “anullim” kaq të shpejtë nuk e bëri policia, as vetë komandanti i përgjithshëm Prençi, po një epror më lart, shumë më lart edhe se ministri Nishani…E pra, një epror më lart nuk e kishte për gjë të poshtëronte kësodore, qoftë edhe “për diskot”, autoritetin e policisë së shtetit!
Të nesërmen u vranë po në Durrës katër oficerë policie të trupave speciale… Kryeministri sakaq dha urdhër që ata të varroseshin si dëshmorë në varrezat e Kombit…Mirë bëri!
Po askush nuk po përgjigjet pse u vranë policët dhe pse nuk u vranë kriminelët, pse u vra paraprakisht, kaq poshtërsisht dhe kaq ndyrësisht autoriteti dhe dinjiteti i policisë shqiptare nga krimi i mirëorganizuar politik?!
A është e mundur pra, që përballë një policie të tillë të denatyruar e të depersonalizuar deri në këtë farë feje, një polici pa të drejtë vendimmarrjeje edhe për çështje më se ordinere, si ajo “e diskove”, të mos shkëlqejë edhe më tepër krimi politik?
Ehhh mor Z. Blushi kujdes mos thuaj keto marrezira qe na qenkan 'krim politik', se mos u jep ndonje tronditje atyre qe nuk duan te mesojne dicka edhe e mesojne, dhe ajo na duhet pastaj....