NATO dhe mitet shqiptare
Posted: Fri Apr 30, 2010 11:15 pm
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ndodhet në Tiranë. Rasmussen është Sekretari i pestë i NATO-s që viziton Tiranën, por vizita e tij është e para në një rrethanë të veçantë. Një vit më parë Shqipëria u anëtarësua në NATO, Aleancën më të rëndësishme politike dhe ushtarake në historinë e demokracisë. Në dallim nga vendet e tjera inspiruese, për ne, pranimi në NATO nuk ishte thjesht një pranim në një organizatë politike ku mund të hyhet, por në një organizatë mitike në të cilën duhet hyrë me çdo kusht. Pranimi kishte vlerat e një suksesi kombëtar dhe mbart rëndësinë e akteve madhore në historinë e një vendi të vogël.
Shqipëria zyrtare e përjetoi anëtarësimin në NATO si një festë kombëtare, e gjithë administrata shtetërore u thirr në shesh për të festuar. Kuvendi i Shqipërisë, ndërtesa e qeverisë dhe universiteti i Tiranës u veshën me flamurin e NATO-s, flamujt e saj bëjnë pjesë për më se një viti në protokollin e mbledhjeve dhe aktiviteteve të qeverisë, të parlamentit dhe të partive politike, madje edhe në mitingje elektorale. Bashkë me Shqipërinë u pranua në NATO edhe Kroacia, por atje pritja e lajmit u festua ndryshe. Sondazhet treguan se shumica kroate ishte skeptike dhe kritike, nuk pati mitingje, koncerte dhe as zëvendësim të simboleve kombëtare me ato të NATO-s.
Kontrasti shqiptar – kroat ka arsye dhe motive specifike që lidhen me vizionin shqiptar për NATO-n, rolin e rëndësinë e saj, vizion që dallon shumë nga ai kroat, maqedonas, serb, grek dhe të shumicës së vendeve aktuale anëtare të kësaj organizate. NATO për shqiptarët është perëndimi, dhe ndryshe nga BE, KE, etj, është SHBA superfuqia botërore pro shqiptare. NATO për shqiptarët është engjëlli mbrojtës, garanti i sigurisë, “mrekullia e lirisë” siç e cilësoi kryeministri, është çliruesi dhe shpëtimtari i Kosovës, mbështetësi i aspiratave të cilat prej institucioneve të tjera deklarohen, kurse prej NATO-s realizohen. Për shqiptarët në NATO nuk kanë votë vendimtare shtete të njohura jodashamirëse me shtetin tonë, si Rusia, India e Kina, dhe se hyrja në NATO konsiderohet si një paradhomë për një aderim më të madh, pranimin në BE. Për shqiptarët pranimi në NATO, d.m.th, na mbron nga sulmet ushtarake të të tjerëve, megjithëse referuar sondazheve të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare, një shumicë shqiptare nuk është në gjendje të etiketojë një shtet armik, një potencial ushtarak që mund të sulmojë apo cenojë sigurinë e saj kombëtare. Fqinjët tanë Greqia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Italia etj janë anëtare në NATO, Maqedonia është me biletë të prerë, serbët dhe malazezët janë në marrëdhënie ndërvarësie. Gjithsesi ne ushqejmë ende mitin e engjëllit mbrojtës, ndër vendet e pakta në NATO që e bëjmë këtë.
Në këtë mënyrë, vizioni shqiptar është NATO është sa idealist e virtual, aq edhe simplist, kompleks e ndonjëherë kontradiktor. Ky vizion lidhet me mentalitetin e një vendi të vogël në Ballkanin problematik, historikisht në kërkim të një aleati strategjik, një fuqie botërore që nuk hesht kur të drejtat e tyre cenohen. Si rrjedhojë, ai është një vizion i mbushur me mite, me pritje dhe cilësi, të cilat në ndonjë rast edhe vetë NATO nuk ia njeh vetes. NATO simbolizon paqen, por ironikisht ajo përdor ushtrinë dhe forcën për arritjen e paqes. NATO simbolizon mbrojtjen, por në funksion të saj edhe sulmet edhe ushtarake ndaj rreziqeve globale që cenojnë mbrojtjen tonë. NATO simbolizon solidaritetin dhe partneritetin, por çdo kush e pranon se një ushtri shqiptare simbolike mund të jetë partner vetëm diplomatik në operacione në raport me ushtritë amerikane, britanike, gjermane, etj. NATO simbolizon drejtësinë, stabilitetin, por jo domosdoshmërisht demokracinë funksionale politike dhe ekonomike. P.sh, një shtet i denjë për në NATO mund të mos jetë i denjë për në BE. Turqia nuk është rast i vetëm. NATO simbolizon mbrojtësin tonë të pavarësisë, kur në fakt, pranimi në NATO pranon edhe sovranitetin e kufizuar, jo vetëm në raportet ushtarake.
Në mitin shqiptar uniforma ushtarake gëzon respekt të madh, dhe siç u pa edhe tek ‘Barometri 2010’, Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku ushtria vlerësohet e besohet shumë më tepër sesa edhe vetë institucionet fetare. Në mitin shqiptar aleancë me Perëndimin do të thotë bindje ndaj çdo nisme dhe gatishmëri për shërbim në çdo rrethanë. Ne kemi trupa në Irak, Afganistan, Bosnje, etj, dhe kjo është pjesë e përgjegjësive të përbashkëta antiterror. Por ne kemi pranuar të dërgojmë ushtarë edhe aty ku NATO nuk ka dërguar, madje ku vetë SHBA nuk ka dërguar, siç janë misioni ynë në Afrikë dhe kjo dëshmon se angazhimin ushtarak nuk e shohim si angazhim euroatlantik, por shpeshherë si shërbesë ndaj shteteve të veçanta, në kërkim të ndonjë mbështetjeje politike të momentit.
Një kriter anëtarësimi ishte angazhimi për informimin e qytetarëve mbi NATO, por ende sot më 2010-ën asnjë tekst shkollor nuk ka një orë mësimore mbi këtë organizatë, në asnjë shkollë apo universitet nuk ka mësime e studime profesionale mbi NATO, asnjë vendim parlamentar për operacionet e përbashkëta nuk konsultohet me publikun, qytetarëve nuk u shpjegohet kostoja e anëtarësimit dhe përgjegjësitë normale të anëtarit, vetë ushtarakët tanë në misione paqeruajtëse nuk kanë një statut ligjor trajtimi që të përfshijë kujdesin shëndetësor, social, pensionet, trajtimin psikologjik, etj dhe shtrihet deri tek trajtimi i veçantë pas përfundimit të misionit. Politika i konsideron ata ambasadorë të kombit, por kur kthehen në atdhe, janë një numër më shumë në listën e të papunëve.
Shqipëria dhe sidomos vendimmarrja politike e çdo krahu dhe institucioni e trajtojnë kartën e anëtarësimit në NATO jo si një ftesë reflektimi e përgjegjësie për më shumë transparencë, forcim të shtetit të së drejtës, forcim të demokracisë funksionale dhe të respektit për qytetarët, por si një flamur të cilin duke e valëvitur, fiton apriori të drejtën të bësh çfarë të duash, të kufizosh liritë politike dhe ekonomike, të kontrollosh institucionet apo t’i bojkotosh ato, të konsiderosh edhe sëmundjet e politikanëve si sekret shtetëror dhe të etiketosh çdo zë kritik në politikë, shoqëri dhe publik.
Në mitin shqiptar pranimin në NATO e kuptuam si dhuratë politike për një qeveri, si një projekt partiak madje edhe individual, si një rivendosje e të drejtës historike, si një nisme e boom-it ekonomik, etj. Në fakt ne u pranuam në NATO më shumë për arsye strategjike, falë rolit dhe vetos pozitive amerikane, dhe nëse ka një projekt personal, autori nuk duhet kërkuar në Tiranë, por në Uashington. Pranimi në NATO do të duhej të ndryshonte shumë në mënyrën e veprimit, mendimit dhe sjelljes së Tiranës zyrtare dhe politike. Shqipëria ka veshur një kostum, me të cilin në raport me të tjerët mund të flasë jo vetëm si shtet më vete, jo vetëm si shtet në NATO, por edhe si përfaqësues i NATO, pra si mishërues i vlerave e parimeve euroatlantike. Zoti Rasmussen do të gjejë një vit më pas në Tiranë një politikë në rrugë, një opozitë jashtëparlamentare dhe një maxhorancë, që nën flamurin e NATO-s zhvillon miting kundër opozitës. Pra do të gjejë Shqipërinë e vitit 1991, 1993, 1997, 1998, 2001, 2004.....pavarësisht se jemi më 2010 dhe jemi anëtar në NATO. Rasmussen do të prezantonte vizionin dhe strategjinë e Aleancës në një shtet dhe një vend anëtar, në të cilin faktikisht dhe fatkeqësisht, i vetmi preokupim i bashkëbiseduesve shqiptarë do të jetë të bëjnë foto zyrtare me dorë të shtrënguar dhe mundësisht në deklaratat e shtypit ti marrin ndonjë shprehje që mund të përdoret nga qeveria kundër opozitës ose e anasjellta.
Miti i NATO-s është miti i radhës. Ishte më 2009-ën, vijon edhe këtë vit, në rivalitet me Mitin e Vizave. Pas tyre do të krijohen mite të tjera, ku më i pritshmi është miti i BE-së. Si të gjitha mitet edhe këto, janë pjellë e popujve dhe vendeve në shoqëritë parademokratike, janë pasojë e mungesës së informacionit dhe kulturës së duhur politike e qytetare. Ato janë një shenjë tjetër tranzicioni dhe një tregues tjetër, i asaj qe mentaliteti i miteve dhe tabuve që krijoi sistemi komunist nuk ndryshohet me flamuj dhe mite, me mitingje dhe as parti, por kërkohet akoma kohë, vizion të ri, breza të rinj, sjellje të reja dhe mbi të gjitha, një identitet dhe moral të ri qytetar e politik, ende të padukshëm në shoqërinë shqiptare.
Shkruan: Afrim Krasniqi
Burimi: Gazeta Shqiptare