Page 1 of 1

Identiteti i shqiptarëve dhe të metat e debatit Qose-Kadare

Posted: Mon Jun 14, 2010 7:15 pm
by Arta
Prof. Dr. KRISTO FRASHËRI

Debati që po zhvillohet prej disa muajsh mbi “identitetin evropian të shqiptarëve, (i cili fillimisht nisi me përgjigjen që Rexhep Qosja i dha esesë me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), pastaj pjesëmarrja në këtë debat e dhjetëra penave shqiptare, në thelb nga ana tematike është produktiv, por shumë shpejt u shndërrua në një diskutim proliks mediatik.

Debati ishte produktiv mbasi ftonte qarqet intelektuale shqiptare të jepnin kontributin e tyre në lidhje me përputhjen ose mospërputhjen e identitetit kombëtar shqiptar me identitetin kulturor evropian – temë kjo tepër aktuale për çështjen tonë kombëtare, “sidomos tani që Shqipëria ndodhet – thekson I. Kadareja – në prag të marrëveshjes së parë serioze me Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova, në prag të njohjes së pavarësisë së saj në arenën ndërkombëtare”.

Nga ana tjetër, debati përveçse proliks, u bë edhe i mërzitshëm, mbasi të dy nismëtarët e debatit dhe pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në të, nuk iu përmbajtën temës, por dolën jashtë saj, duke u zgjatur e u stërgjatur në disa çështje që nuk kanë të bëjnë me të. Arsyet ndoshta janë dy:

Së pari, të dy partnerët kryesorë të debatit ose të polemikës, ndonëse që të dy janë akademikë (njëri, Ismail Kadareja, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, tjetri Rexhep Qosja, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës), ata u takojnë dy fushave të ndryshme pune. Njëri, Ismail Kadareja, është shkrimtar i shquar në fushën e krijimtarisë letrare shqiptare, pra, anon kryesisht nga fusha e letërsisë. Tjetri, Rexhep Qosja, është historian i letërsisë shqiptare, çka nënkupton një disiplinë shkencore të ndërtuar mbi parimet e kritikës letrare, pra, anon kryesisht nga fusha e shkencës. Kultura shqiptare do të kishte përfitim nëse, të dy këta pena të shquara debatin do ta zhvillonin në fushën e tyre, pra, në fushën e letërsisë, meqënëse Ismail Kadareja, ka dhënë dëshmi se është i përgatitur edhe për kritikë letrare. Për fat të keq, të dy këta vlera të botës shqiptare sado që kanë akumuluar një kulturë për ta patur zili, kanë nxjerrë shpatat dhe luftojnë në një fushë beteje, për të cilën ata nuk janë të përgatitur.

Tema – “identiteti evropian i shqiptarëve” - nuk i përket fushës së letërsisë, rrjedhimisht as fushës së kritikës letrare. Ajo u takon disa disiplinave të ndryshme të marra bashkërisht – historisë, sociologjisë, filozofisë, etnografisë, kulturës, në fund të fundit edhe gjuhësisë. Si rrjedhim, identiteti kombëtar shqiptar, i cili në thelb është një identitet kulturor, nënkupton vetira apo tipare, që ndryshojnë nga ato të kombeve të tjera, siç janë: gjuha e përditshme, trashëgimia historike, kultura popullore, mentaliteti shoqëror, e drejta e pashkruar, mënyra e jetesës, aspirata politike dhe në disa momente historike, feja.
Për fat të keq, të dy penat tona të shquara janë përqëndruar tek komponenti fetar, duke i dhënë këtij komponenti, në çështjen e identitetit kombëtar, një rëndësi më të madhë seç e ka p.sh. gjuha, të cilën feja, sidomos tek shqiptarët, por siç do të shihet edhe tek evropianët, nuk e ka.

Dy janë gabimet themelore të tyre:

I pari qëndron tek perceptimi jo i saktë që ata kanë për apelativin “identitet”, në mënyrë të veçantë për “identitet evropian”.

I dyti, qëndron tek njohja e cekët e historisë së popullit shqiptar në veçanti dhe të Kontinentit Evropian në përgjithësi.

Të dy këto defekte, sidomos, njohja e paktë e fenomeneve të shoqërisë shqiptare dhe të proçeseve kulturorë të Kontinentit Evropian, ka dhënë shkas, që ata të largohen nga tema qendrore dhe të kalojnë në çështje të tjera krejt të panevojshme për të. Këto defekte, kanë dhënë gjithashtu shkas, që ata të kapen pas disa pikëpamjeve personale të partnerit, të cilat edhe nëse janë ose jo mëkate, nuk kanë të bëjnë me temën qendrore.

Përmbajtja e polemikës së tyre, të krijon përshtypjen, se në largimin nga tematika qendrore, ka ndikuar edhe temperamenti sanguin, i cili nxit shqiptarët, sidomos kur u preket sedra personale, të kalojnë “për hakmarrje”, në sulme dhe në kundërsulme denigruese personale. Dëshminë e parë e dha Rexhep Qosja, i cili, e ka mbushur polemikën e tij, tepër të stërgjatur, me hulumtime mbi qëndrimet politike të dikurshme të Ismail Kadaresë – elemente këto, që s’kanë të bëjnë fare, as me problemin e identitetit kombëtar shqiptar, as me atë të identitetit kulturor evropian. Partneri tjetër, Ismail Kadareja, në fillim u duk se ishte më i përmbajtur ndaj sulmeve të kundërshtarit. Por edhe ai, nuk e nënshtroi dot temperamentin sanguin shqiptar. Shumë shpejt erdhi dita kur ai deklaroi se nuk do t’i përgjigjej Rexhep Qoses mbasi kishte ndaj tij një mospërfillje. Pa kaluar dy javë, doli përsëri në sipërfaqe përgjigja e tij hakmarrëse që tregon se partneri e kishte prekur në sedër. Shkurt, debati tregon se të dy vlerat e kulturës shqiptare, njëri gegë e tjetri toskë, janë kombëtarisht njësoj – të dy janë shqiptarë të mirëfilltë, të dy kanë komponentin “hakmarrës” (jo gjakmarrës), të identitetit shqiptar, një komponent ky, të cilin nuk e ka si veçori kryesore identiteti kulturor evropian.

Në polemikën e dy partnerëve të shquar, vihet re edhe një fenomen tjetër i njohur, i cili ka lidhje me sedrën e brishtë të shqiptarëve. Zakonisht, shqiptarët, e kanë shumë të vështirë të pranojnë gabimin që përmban një trajtesë e tyre edhe kur ky gabim bën mu. Në raste të tilla, shkrimtari i prekur, përpiqet t’ia hedhë gabimin kundërshtarit, duke thënë se ky e paskësh keqkuptuar. Kjo tendencë, e cila në fillim u shfaq te shkrimet e Qoses, nuk vonoi të shfaqet edhe në shkrimin e fundit të Kadaresë. Le të përmendim edhe një huq tjetër. Është fjala për raportin midis “miqësisë” dhe së vërtetës. Aristoteli ka thënë: Amicus Plato, sed magis amica veritas”! (Jam mik i Platonit, por më tepër jam mik i së vërtetës). Kjo do të thotë, se e vërteta duhet pohuar edhe kur nuk i pëlqen mikut. Shqiptarët kanë një sentencë të kundërt: Nuk është mik ai që harron mirësinë. Sipas këtij koncepti, kur njëri të bën një të mirë, ky është i detyruar t’ia shpërblejë edhe sikur të shkelë të vërtetën, ndryshe quhet bukëshkalë. Më duket se Ismail Kadareja, sado që ka mbi 15 vjet që jeton në Francë, nuk është çliruar ende nga kjo normë shqiptare, e trashëguar nga e kaluara. Kjo kuptohet kur ai thotë se Rexhep Qosja, me sulmet që po i bën atij, duket se e ka harruar nderin që i ka bërë kur ka rekomanduar botimin e një shkrimi të tij. Me fjalë të tjera, për hir të kësaj mirësie, Rexhep Qosja, duhej ta mbyllte gojën. Nuk ke ç’i bën, mbasi këto janë tipare të identitetit kulturor shqiptar, të cilat nuk përbëjnë tipare të identitetit kulturor evropian.

Shkarja nga tema qendrore, e ka degraduar debatin, për të mos thënë e ka bërë atë shterpë. Si rrjedhim, ndërsa lexuesi pret të mësojë argumentat e të dyjave palëve rreth temës qendrore, pra, nëse ka përputhje ose mospërputhje midis identitetit kombëtar shqiptar dhe identitetit kulturor evropian, atij i serviren produkte të nxjerra me qëllim të mirë apo të keq (kjo nuk ka rëndësi), nga biografia e partnerit. Kjo shkarje e debatit, vihet re me keqardhje edhe në mjaft pjesëmarrës të debatit, të cilët, në shumicën e rasteve, në vend që të kontribuojnë në zgjedhjen e temës, anojnë nga polemika personale. Shumë prej tyre, kujtojnë se japin kontribut në trajtimin e temës duke shprehur vlerësimin e tyre ndaj Ismail Kadaresë si shkrimtar ose ndaj Rexhep Qoses si kritik letrar. Janë pikërisht këto largime nga tema dhe këto përqëndrime rreth biografisë personale të njërit apo të tjetrit që e kanë bërë debatin të mërzitshëm.

Kritika ose sulme, mbi disa qëndrime ose pikëpamje personale të Ismail Kadaresë apo të Rexhep Qoses, të shkëputura nga e kaluara e tyre, janë bërë edhe më parë nga shkrimtarë të ndryshëm, disa nga të cilët, janë përpjekur t’i mbulojnë, disa të tjerë t’i amplifikojnë.

Shkrimtarëve të shquar ose krititkëve të shquar nuk ka përse jeta e tyre private ose pikëpamjet e tyre e tyre personale t’u mbulohen ose t’u theksohen, kur ata trajtojnë një problem që nuk ka të bëjë me jetën e tyre, siç është rasti i temës: “Identiteti Evropian i Shqiptarëve”. Historia nuk shkon pas llogjikës së kafeneve, as pas kodit të puritanëve. Nuk e vlerëson njeriun e artit, shkencës e kulturës nga qëndrimet e tij personale në jetën politike, por nga kontributi që ai i ka dhënë shoqërisë në fushën e vet, për të ecur përpara.

Në kohën e tyre Jul Qezari, apo Uilliam Shekspiri, për shembull, janë përgojuar për sjellje morale të papërshtatshme. Por, historia nuk i ka përfillur fare këto përgojime. Përkundrazi, ajo i ka vënë ata në piedestalin e përjetësisë. Ismail Kadareja, ashtu edhe Rexhep Qosja, mund të kenë dobësi në biografitë e tyre, por kritika letrare, mbi të cilën ndërtohet historia e letërsisë dhe e kulturës nuk merret me to.

Stigmatizimet që i bëhen Ismail Kadaresë herë pas here, si “shkrimtar oborrtar”, si “disident i simuluar”, apo si “mospërfillës i rivalëve” nuk mund ta zbehin vendin që ai zë në letërsinë shqipe. Sot për sot, ai është shkrimtari më i lexuar brenda dhe jashtë vendit. Me veprat e veta të përkthyera në një mori gjuhësh të huaja, ai e përfaqëson më mirë se çdo shkrimtar tjetër Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Nuk mund të mohohet pra, se ai është shkrimtari shqiptar më i shquar i ditëve tona. Edhe për Rexhep Qosen janë bërë kritika për qëndrime politike të paqarta, siç janë insinuatat për anëtarësinë e tij në Partinë Titiste, ose për dobësi të tjera të cilat stonojnë me mentalitetin dhe me shijet tona. Ai ka dhënë shembuj se nuk i duron dot kritikat që i drejtohen nga kolegët për shkrimet e tij letrare, të cilat i vlerëson për dashakeqësi. I tillë është për shembull pamfleti i tij prej qindra faqesh me titull “Morfologjia e një fushate”, (Prishtinë 1980), i mbushur me sulme fyese ndaj kolegëve të vet kosovarë, në një kohë kur inteligjenca shqiptare e Kosovës ndodhej në pragun e shpërthimit nacionalist të Beogradit. Edhe me polemikën me Ismail Kadarenë, ai e ka tepruar duke u larguar shpeshherë nga tema me qëllim që të gjejë në çdo hap tek partneri i vet “qimen” në “përpeq”. Megjithatë kjo prirje nuk e cënon vendin e merituar që Rexhep Qosja zë në konstelacionin kulturor shqiptar. Ai është një mendimtar i shquar i kulturës shqiptare dhe një historian me vlerë i letërsisë shqipe. Nëse Kadareja na ka dhënë me dhjetëra romane, tregime, vjersha të cilat lexohen me kënaqësi nga brezi i ri, edhe Qosja nuk qëndron prapa, veçse në një drejtim tjetër, në fushën e trajtesave shkencore, të cilat përmbledhin një gamë temash studimore letrare dhe kulturore.

Si përfundim, vlera e mirëfilltë e Ismail Kadaresë dhe e Rexhep Qoses qëndron, jo te biografia e tyre personale, as tek simpatitë ose antipatitë që mund të kemi për ta, por te veprat e tyre letrare dhe kulturore – tek kontributi që ata i kanë dhënë me veprat e tyre letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Pavarësisht nga këto vlera, duhet të pranojmë se me gjithë energjitë e shpenzuara nga dy personalitetet e shquara të kulturës shqiptare dhe me gjithë ngjyrën e harxhuar nga pjesëmarrësit jo të pakët në debat, korniza e identitetit kombëtar shqiptar dhe ajo e identitetit kulturor evropian, më tej çështja e raportit midis tyre, më saktë çështja e përputhjes apo mospërputhjes së tyre ka mbetur shkencërisht e pandriçuar. Pa pretenduar se do ta shterojmë problemin e dy identiteteve në këtë trajtesë të shkurtër, do të orvatemi të ndihmojmë sado pak në ndriçimin e tyre.

2 – MBI IDENTITETIN EVROPIANTË SHQIPTARËVE

Debati rreth identitetit evropian të shqiptarëve mund të vihet në hulli të drejtë, vetëm pasi t’i përgjigjemi pyetjes: Çfarë kuptojmë me identitet? Për të kaluar tek pyetja tjetër: Çfarë kuptojmë me identitet shqiptar? Për të arritur pastaj tek pyetja e fundit: Çfarë kuptojmë me identitet evropian?

Në vështrim të përgjithshëm, me identitet nënkuptojmë veçantitë apo tiparet që ka një send, të cilat nuk ndeshen bashkërisht në sendet e tjera. Në gjirin e shoqërisë njerëzore çdo hallkë e saj ka identitetin e vet, i cili mund të jetë fizik, moral, kulturor, juridik e politik. Kështu për shembull, njeriu, qenia bazë e shoqërisë njerëzore, burrë ose grua qoftë, ka si tipar themelor identitetin fizik, në vështrimin antropologjik, pra veçori thjesht personale që nuk ndeshen të gjitha së bashku tek qeniet e tjera: emri, mbiemri, vendlindja, datëlindja, atësia, amësia, seksi, lartësia trupore, ngjyra e lëkurës, e flokëve, e syve, defektet fizike dhe kohët e fundit shenjat e gishtërinjve ose shenjat biometrike. Në të njëjtën kohë po ajo qenie njerëzore ka edhe identitetin e vet kulturor e qytetar, me të cilin nënkuptohen: gjuha amtare, arsimi i kryer, përkatësia etnike, qytetaria shtetërore, në disa raste (por jo kurdoherë) edhe përkatësia fetare etj, të cilat edhe pse janë përkatësi personale, nuk hyjnë në qerthullin e identitetit të mirëfilltë, mbasi ndeshen edhe në qenie të tjera të shoqërisë njerëzore.

Në hallkat e tjera të shoqërisë njerëzore siç janë: bashkësia familjare, bashkësia fshatare, bashkësia qytetare, bashkësia krahinore, bashkësia kombëtare – identitetet fizike vijnë duke u zbehur, kurse në plan të parë spikatin identitetet kulturore dhe qytetare.

Megjithatë, ka raste kur përkatësia fetare është përfshirë në identitetin familjar, fshatar, qytetar, krahinor dhe kombëtar, si për shembull tek polakët (të gjithë katolikë), ose te grekët (të gjithë ortodoksë), ose te turqit (të gjithë myslymanë). Por ka raste kur përkatësia fetare nuk përfshihet jo vetëm në identitetin kombëtar (si p.sh. tek gjermanët, të ndarë në protestantë dhe katolikë, apo tek shqiptarët të ndarë në synitë, bektashinj, ortodoksë, katolikë), por as në identitetin familjar siç e ndeshim për shembull, si dikur, tek familjet laramane të Lurës, ku njëri vëlla ishte myslyman dhe tjetri katolik, pa qenë nevoja të përmendim familjet mikse nga pikëpamja fetare të ditëve tona.

Çdo komb përfaqësohet me identitetin e vet kombëtar, i cili në thelb është një identitet kulturor dhe qytetar, me komponente të tillë siç janë gjuha e banorëve, trashëgimia historike, kultura popullore, mentaliteti shoqëror, mënyra e jetesës, e drejta e pashkruar, por siç u tha dhe siç do të shtjellohet më hollësisht më tej, jo feja.

Deri këtu, dinamika e problemit duket sikur shkon vaj. Por, kur rrekemi të përvijëzojmë identitetin evropian, problemi ndërlikohet. Lind pyetja: A ka Evropa identitet fizik dhe identitet kulturor e qytetar? Nëse po, si mund të përvijëzohen këto dy identitete?

Identitetin fizik të Evropës e përcaktojnë gjeografia fizike e hapësirës së saj dhe kombet ose shtetet që bëjnë pjesë në të. Nga kjo pikëpamje identiteti fizik i Evropës ndryshon jo vetëm nga ai i kontinenteve të tjerë, por edhe nga ai i kombeve që bëjnë pjesë në të, të cilët janë në raport me kontinentin si pjesa me të tërën.

Ndryshe qëndron puna me identitetin kulturor dhe qytetar. Evropa është një kontinent i përbërë nga një mori kombesh, të cilët dallohen midis tyre nga: gjuha amtare, pozicioni gjeografik, trashëgimia historike, kultura popullore, mentaliteti shoqëror, e drejta e pashkruar, mënyra e jetesës etj. Si rrjedhim Kontinenti Evropian nuk ka një identitet kulturor dhe qytetar të përcaktuar. Ai përbëhet nga një larmi identitetesh kulturore dhe qytetare kombëtare, nga të cilët asnjëri nuk mund të përfaqësojë identitetin kulturor dhe qytetar të Kontinentit. Edhe në këtë rast, identiteti kulturor dhe qytetar i çdo kombi evropian është në raport me atë që do të ishte identiteti kulturor evropian, si pjesa me të tërën. Shkurt, Evropa si kontinent nuk ka asnjë identitet të mirëfilltë kulturor e qytetar të saj. Nëse nga kjo pikëpamje duhet të flasim për një identitet të mirëfilltë kulturor e qytetar evropian, këtë duhet ta kërkojmë tek larmia e identiteteve kulturorë e qytetare të kombeve që jetojnë në gjirin e saj, pra tek mungesa e një identiteti të mirëfilltë evropian. Nëse është kështu lind pyetja: Çfarë nënkuptojnë Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja kur flasin për identitetin evropian të shqiptarëve?

Debati mbi identitetin “evropian” të shqiptarëve u gozhdua pas peshës që ushtron feja në identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe me dëmin që i ka sjellë këtij identiteti feja islame në veçanti dhe sundimi osman në përgjithësi. Debati u gozhdua aq tepër sa pjesëmarrësit nuk kanë prekur asnjë nga komponentët (përbërësit) realë të identitetit kombëtar shqiptar, por janë zgjatur e stërgjatur rreth rolit të fesë islame në kulturën shqiptare në përgjithësi. Si vijë ndarëse në këtë debat shërbyen pikëpamjet e shprehura fillimisht nga Ismail Kadareja dhe polemikën që zhvilloi Rexhep Qosja me këtë pikëpamje. Që të dy i dhanë një rëndësi të tepruar komponentit fetar në përcaktimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Megjithë rëndësinë, sipas meje të tepruar të komponentit fetar, të dy shkrimtarët nuk e kanë aplikuar njësoj vendin që zë ky komponent në identitetin kombëtar të shqiptarëve.

Ismail Kadareja në esenë e vet me titull “Identiteti Evropian i Shqiptarëve”, (botuar nga “Onufri”, Tiranë 2006), i vë një theks të tepruar komponentit fetar, qoftë i krishterë, qoftë mslyman, kur flet për identitetin shqiptar të shekujve të kaluar. Ai pranon se për një kohë të gjatë identiteti kombëtar shqiptar u gatua duke patur si komponent fenë e krishterë. Me këtë komponent fetar, shqiptarët kishin sipas tij, një identitet të plotë “evropian”. Por më vonë, ai mendon se me pushtimin osman të Shqipërisë, kur feja islame e diktuar nga Perandoria e Gjysmëhënës për interesat e saj politike zëvendësoi fenë e krishterë si përbërëse në identitetin kombëtar të shumicës së popullsisë shqiptare, identiteti i tyre “evropian” u dëmtua. Dëmin që solli islamizmi, ai e amplifikoi aq tepër, sa edhe letërsinë shqipe të bejtexhinjve që lindi në shek. XVIII, e gjykon si një letërsi perverse dhe imorale të ambienteve myslymane shqiptare, e cila, gjithnjë sipas tij, e ka dëmtuar edhe më rëndë identitetin kombëtar shqiptar.

Këto pikëpamje na bëjnë të dyshojmë, siç do të shihet më tej, se Ismail Kadareja nuk i njeh sa duhet se cilët kanë qenë komponentët e identitetit kombëtar shqiptar në të kaluarën, se nuk e njeh sa duhet historinë fetare të Shqipërisë, madje as Historinë e Letërsisë Shqipe të bejtexhinjve, se më në fund, nuk ka dijeni të plotë mbi natyrën e islamizmit shqiptar apo ortodoksisë shqiptare, apo të katolicizmit shqiptar.

Pavarësisht nga këto dobësi, Ismail Kadareja ka të drejtë kur thekson se në sajë të ideologjisë së Rilindjes Kombëtare përbërësi fetar islam, në identitetin kombëtar të shumicës shqiptare, erdhi duke u venitur. Veçse pyesim: - Pse vetëm islam dhe jo edhe komponentët fetarë të krishterë, përderisa Rilindja Kombëtare ishte lëvizje laike?

Meqë jemi në periudhën e Rilindjes Kombëtare, gjejmë rastin të vëmë në dukje se Ismail Kadareja, në intervistën që i dha “Zërit të Amerikës”, në lidhje me krijimin e dy shteteve të veçuara shqiptare në Ballkan (Shqipërisë dhe Kosovës), tha ndër të tjera se: “Për shumëkënd – (krijimi i dy shteteve të veçuara, - K.F.), - u duk në fillim si pak e çuditshme, e papranueshme. Këtu, - shtoi ai - nuk ka asgjë të papranueshme, është normale… Nuk duhet harruar – vazhdoi Ismail Kadareja – që dikur, nëse hapim kronikat e Rilindjes, flitej për katër Shqipëri, ose katër vilajete, siç quheshin. Prandaj këtu nuk ka asgjë të keqe dhe kjo është në përvojën që e njeh bota”. (Gazeta “Korrieri”, 23 Prill 2006). Një shkrimtari të shquar, nuk i lejohet në asnjë mënyrë të flasë broçkulla të tilla – të identifikojë vilajetin me shtetin kombëtar, kur dihet fare mirë se vilajeti ishte një njësi administrative turke e shtrirë në mbarë territoret e Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, të katër vilajetet, ku bënin pjesë edhe trojet shqiptare, nuk qenë shtete shqiptare, as të pavarura, as autonome që të quhen katër Shqipëri. Ky pohim fyen Rilindësit tanë të mençur, të cilët luftuan për bashkimin e katër vilajeteve turke, ku bënin pjesë trojet shqiptare, në një vilajet të vetëm që të quhej vilajeti shqiptar dhe të ishte të paktën autonom, pikërisht për të mos qenë të ndarë në katër vilajete që nuk njiheshin për Shqipëri. Nga ana tjetër ky pohim i Ismail Kadaresë, është një dëshmi për njohuritë e tij të cunguara në fushën e Historisë së Shqipërisë. Pavarësisht nga kjo parantezë, Ismail Kadareja ka të drejtë kur thotë se me identitetin kombëtar që sot kanë përvehtësuar shqiptarët e të gjitha riteve fetare, kombi shqiptar është i përgatitur për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Ndryshe mendon Rexhep Qosja. Në polemikën me Ismail Kadarenë, pikëpamjet e veta në këtë çështje i ka parashtruar në tri broshura të botuara njëra pas tjetrës këtë vit – “Realiteti i shpërfillur”, “Ideologjia e shpërbërjes”, “Të vërtetat e vonuara” (Toena 2006). Edhe Rexhep Qosja pranon se dikur identiteti kombëtar shqiptar ishte gatuar duke patur si komponent fenë e krishterë. Ai pranon gjithashtu, se feja islame u përqafua nga shumica e shqiptarëve gjatë shekujve të sundimit osman. Por, ndryshe nga Ismail Kadareja, ai ngul këmbë se fetë dhe ritet dhe sektet fetare pa dallime (islamizmi, ortodoksia, katoliçizmi), ndërhyjnë në identitetin kombëtar të shqiptarëve duke u integruar aq thellë në identitetin kombëtar, sa edhe në ditët tona janë përbërës të tij. Si rrjedhim, sot, mendon ai, ne kemi një identitet kombëtar të copëzuar sipas riteve fetare, pra kemi identitetin myslyman shqiptar, identitetin ortodoks shqiptar, identitetin katolik shqiptar. Si përfundim, Rexhep Qosja, mendon se shqiptarët janë të përgatitur vetëm përgjysëm për t’u integruar në identitetin evropian, kurse gjysma tjetër (është fjala për shumicën myslymane të shqiptarëve), është ende e papërgatitur për t’u përfshirë në familjen evropiane, për faktin se Bashkimi Evropian është një bashkësi popujsh të krishterë. Veç kësaj, edhe Rexhep Qosja, përdor në disa raste argumenta të pasakta, të deformuara që nuk kanë vlerë shkencore, të cilat tregojnë se, ashtu si Ismail Kadareja, edhe ai, nuk e njeh sa duhet Historinë e Shqipërisë, përfshirë edhe historinë fetare të shqiptarëve.

Në këtë mënyrë të vështruari, të dy palët gabojnë kur i japin rëndësi si përbërës të identitetit kombëtar shqiptar – pavarësisht se njëri – Ismail Kadareja, e sheh fenë si përbërës të identitetit për shekujt e kaluar, kurse tjetri, - Rexhep Qosja, e sheh këtë përbërës të identitetit edhe në ditët tona. Sikurse do të trajtohet më tej, teza e Ismail Kadaresë ka nevojë për korrigjim, kurse analiza e Rexhep Qoses është fund e krye e gabuar.

3 – FEJA DHE QYTETËRIMI

Nga sa u tha deri tani, në rastin tonë nuk kemi përse të diskutojmë në lidhje më përputhjen ose mospërputhjen e identitetit kombëtar shqiptar me identitetin kulturor evropian, përderisa, sikurse u tha, nuk ka një identitet të përcaktuar evropian. Për më tepër, përputhjen e ka vulosur historia dhe gjeografia. Shqiptarët pavarësisht nga identiteti i tyre i veçantë, qoftë edhe me ndikime nga bota lindore, nuk ka përse të përjashtohen nga Bashkësia Evropiane. Ata bëjnë pjesë në këtë bashkësi popujsh për dy arsye: E para, se nga pikëpamja fizike ata banojnë në këtë kontinent të larmishëm, madje më herët se shumica e kombeve të tjerë, të paktën që nga agimi i historisë; e dyta, se pavarësisht nga identiteti i tyre kombëtar i veçantë edhe shqiptarët janë në marrëdhënie me identitetin e supozuar evropian, pra si pjesa me të tërën. Po të jetë kështu, përse po bëhet kaq zhurmë në lidhje me përputhjen ose mospërputhjen e identitetit kombëtar shqiptar me identitetin kulturor evropian? Mendoj se zhurma bëhet ngaqë, si Ismail Kadareja, si Rexhep Qosja, ashtu edhe pjesëmarrësit e tjerë të debatit, kanë një perceptim jo të saktë në lidhje me përkufizimin e termit “identitet”. Kam frikë se ata e ngatërrojnë identitetin me qytetë-rimin.

Siç u tha, me identitet nënkuptohet tërësia e tipareve fizike, morale dhe qytetare që ka një komb i caktuar, të cilat e dallojnë atë nga kombet e tjerë. Përkundrazi, me qytetërim nënkuptojmë tërësinë e rezultateve që ka arritur një shoqëri e caktuar në një periudhë të caktuar në fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore – në fushën e prodhimit, shkencës, teknikës, filozofisë, politikës, kulturës, artit, letërsisë përfshirë institucionet publike dhe institucionet private në këto fusha – rezultate këto, që mund të jenë arritur nga një shoqëri e madhe (siç është p.sh. qytetërimi kinez), nga një grup kombesh apo shtetesh (siç është qytetërimi perëndimor), madje edhe nga një komb i vetëm (si p.sh. qytetërimi shqiptar).

Dallimi midis identitetit dhe qytetërimit është i prerë dhe nga një pikëpamje tjetër. Identiteti është pronë e një populli, as jepet, as merret, as tjetërsohet, përkundrazi qytetërimi është një arritje me dyer të hapura, jepet, merret dhe tjetërsohet.

Siç do të shihet më tej, përveç pështjellimit midis identitetit evropian dhe qytetërimit evropian në debat, vihet re edhe një pështjellim tjetër. Është fjala për Bashkimin Evropian, i cili tek ndonjëri nuk dallohet qartë prej dy kategorive të përmendura. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me tre kategori të ndryshme – “Identiteti Evropian”, “Qytetërimi Evropian” dhe “Bashkimi Evropian”.

Si përfundim, debati i zhvilluar deri tani mbi çështjen e shtruar fillimisht nga Ismail Kadareja mbi identitetin “evropian” të shqiptarëve, ka qenë i pakapshëm, kurse pjesëmarrja ne temën “Identiteti kombëtar shqiptar” përballë “Identitetit kulturor evropian” ka qenë e panevojshme.

Një çështje tjetër që ka shkaktuar pështjellim në këtë debat është rëndësia që i kanë dhënë fesë si përbërës Ismail Kadareja, Rexhep Qosja së bashku me disa pjesëmarrës në këtë debat, jo vetëm në identitetin kombëtar shqiptar, por edhe në qytetërimin evropian, madje sipas ndonjërit edhe në fushën e Bashkimit Evropian. Ajo që vlen të diskutohet paraprakisht në këtë debat është pyetja: A është i drejtë perceptimi që ndeshet ndër disa shkrime, autorët e të cilave e identifikojnë fenë me kombësi apo me qytetërimin, ose për të qenë më të saktë i japin fesë prerogativat e një kombësie, sidomos të një qytetërimi?

Kështu, jo rrallë, ata flasin për një qytetërim të krishterë, për analogji për një qytetërim islam dhe për gjurmët që këto qytetërime kanë lënë në identitetin kombëtar shqiptar. Në të njëjtën kohë, ata të krijojnë përshtypjen sikur e identifikojnë qytetërimin e krishterë me qytetërimin perëndimor dhe qytetërimin islam me qytetërimin lindor.

A është i drejtë ky identifikim? Lidhjet e tyre nuk mund të mohohen. Por, pyetja këtu shtrohet: A e krijuan këto dy fe, të cilat erdhën që të dyja nga Lindja, njëra qytetërimin perëndimor dhe tjetra qytetërimin lindor?

Në lidhje me këto shtrohet pyetja: A ka një qytetërim të krishterë dhe për analogji, a ka një qytetërim islam? Të dyja këto pyetje mund të përmblidhen në pyetjen paraprake: A mund të krijojnë fetë qytetërime? A mund të flitet për një qytetërim me përmbajtje fetare, pra për një qytetërim të krishterë, islam, hebraik, budist, brahman etj? Jo rrallë flitet në publicistikën botërore pa përjashtuar edhe punime kulturore për një qytetërim islam. Edhe Sami Frashëri ka bërë një punim me titull:”Qytetërimi Islam” (Medeniyeti Islamiyye, Instambul 1886). Synimi i tij në këtë punim ishte të mbronte pikëpamjen se qytetërimi që u zhvillua në të kaluarën në popujt myslymanë, quhej në kohën e tij, pa të drejtë qytetërim arab. Sipas tij ky emërtim qe i pasaktë, mbasi atë qytetërim nuk e krijuan, as e përpunuan vetëm popujt arabë, por edhe popujt joarabë, që përqafuan fenë islame, siç ishin iranianët, turkmenët, kirgizët, kazakët, uzbekët, pakistanezët, indonezianët deri tek turqit, pa lënë jashtë grupet myslymane ballkanike. Me këtë emërtim të ri, Sami Frashëri mendonte se korrigjonte një përkufizim historik jo të saktë, me fjalë të tjera ai mendonte që merita e atij qytetërimi nuk u takonte vetëm popujve arabë, por siç është e vërteta edhe popujve joarabë. Megjithatë edhe përkufizimi i tij i ri, ndonëse më afër së vërtetës, nuk ishte plotësisht i drejtë. Për t’u bindur nëse ka ose jo një qytetërim islam ose një qytetërim të krishterë, mjafton t’i përgjigjemi pyetjes se ç’është feja në vetvete dhe më tej, nëse feja ciladoqoftë, a prodhon dot qytetërim?

Feja është një bindje, më saktë një besim (një credo), me një bazë të caktuar teologjike, filozofike, morale dhe me një procedurë të caktuar rituale. Si e tillë, feja, nuk ka fuqi të krijojë një qytetërim, i cili ka si komponent, sikurse u tha, tërësinë e rezultateve të arritura në fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore – në fushën e prodhimit, shkencës, teknikës, filozofisë, politikës, artit, kulturës së bashku me institucionet publike dhe me institucionet private të këtyre fushave. Modelet e vetme që kanë krijuar fetë në fushën e institucioneve shoqërore kanë qenë kuvendet, manastiret, teqetë, etj. Siç dihet, këto institucione nuk kanë përfshirë mbarë shoqërinë njerëzore. Ato kanë lindur dhe kanë vepruar si institucione të veçuara ose të mënjanuara nga shoqëria e mirëfilltë njerëzore. Jashtë mureve të tyre, ashtu si dhe jashtë faltoreve fetare, shoqëria njerëzore ka ecur në bazë të ligjeve ekonomike, politike, juridike, familjare, fshatare, qytetare, shtetërore, ndërkombëtare, të pavarura nga fetë. Rolin e tyre në shoqëri, fetë e kanë ushtruar duke përcjellë tek besimtarët, gjatë ceremonive liturgjike, predikime periodike, në rastin më të mirë, me anën e ligjëratave arsimore “credon” e tyre teologjike, botëkuptimin e tyre filozofik, moralin e tyre shoqëror, të cilat nuk përfaqësojnë në vetvete në asnjë mënyrë një qytetërim.

Veç kësaj, qytetërimi i një kombi nuk është një sintezë statike e caktuar një herë e përgjithmonë, por një kategori historike, e cila si të gjitha kategoritë e tjera historike, është vazhdimisht në zhvillim. Qytetërimi, është një udhëtim i pandërprerë, një udhëtim pa fund i shoqërisë njerëzore, duke kaluar nga një stacion më i ulët, në një stacion më të përparuar, me kushtetutë vazhdimisht të ndryshueshme.

Përkundrazi, fetë kanë një doktrinë teologjike, filozofike, morale dhe një ceremoni të ritualit të tyre të përcaktuar një herë e përgjithmonë në “Ungjijtë”, dhe në “Kuran”, të cilat janë për to kushtetuta të përhershme. Ato nuk ndryshojnë siç ndryshojnë periodikisht kushtetutat shtetërore ose normat e së drejtës zakonore.

Gabimi i pajustifikuar i Rexhep Qoses në debatin mbi identitetin “evropian” të shqiptarëve, është perceptimi i pasaktë që ai ka për fenë islame, të cilën ai e identifikon me qytetërimin oriental. Pra, islamizmi, ashtu si fetë e tjera, nuk është një qytetërim. Në ndonjë rast mund të jetë pjesëmarrës i një qytetërimi, por jo në vetvete një qytetërim. Si rrjedhim, as islamizmi nuk ka qenë në gjendje të krijojë një qytetërim, sepse qytetërimin e krijojnë njerëzit (pavarësisht nga besimi që kanë në ndërgjegjen e tyre), të organizuar në shoqëri njerëzore, në luftën e tyre të pandërprerë për jetesë.

Feja nuk ka krijuar qytetërim as në shtetet teokratike, kur rrjeti administrativ – fetar ka qenë i integruar në rrjetin administrativ – shtetëror, ose kur e ka mbështetur atë. Është e vërtetë se Perandoria Osmane ishte një shtet teokratik, pra, një shtet ku feja islame ushtronte një ndikim të madh në veprimtarinë e saj publike dhe administrative, juridike, ushtarake, kulturore. Megjithatë, ai në fund të fundit ishte një shtet i cili si çdo shtet i të gjitha kohëve udhëhiqej nga interesat politike, ekonomike, diplomatike të cilat nuk kishin lidhje me fenë. Dëshmi janë luftërat e shpeshta me kosto të madhe njerëzore, materiale dhe financiare që Perandoria Osmane ka zhvilluar kohë pas kohe kundër mbretërisë islamike të Iranit, ose në ditët tona, Republika e Iranit kundër Republikës së Irakut.

Feja islame, ashtu siç zbatohej në Perandorinë Osmane, nuk bënte gjë tjetër veçse e ndihmonte atë shtet të përmbushte më mirë funksionet dhe nevojat e qytetërimit të tij feudal – ushtarak. Në këtë mënyrë problemi zhvendoset nga qytetërimi islam, siç e cilëson Rexhep Qosja dhe shumë të tjerë, në qytetërimin lindor turk – osman.

Pikërisht, te presioni që ka ushtruar qytetërimi oriental i Perandorisë Osmane dhe jo të qytetërimi islam duhen kërkuar ato gjurmë që ndeshen aty-këtu, diku si mbeturina, diku si kujtime, ende në jetën tonë të përditshme, siç janë mbeturinat që vihen re në urbanistikën e disa fshatrave, në stilin arkitektonik të xhamive, në disa rite familjare islame, në guzhinën e disa familjeve qytetare dhe në disa ndikime që ndeshen tek-tuk në këngët popullore, në veshjen e ndonjë krahine, në ceremonitë mortore etj.

Pavarësisht nga ndikimet lindore që ndeshen në qytetërimin shqiptar, vetë Evropa nuk është homogjene nga pikëpamja e qytetërimit. Dihet se Evropa lindore qëndron disa hapa prapa nga qytetërimi perëndimor. Dihet gjithashtu se popullsitë dhe kombësitë e Gadishullit Ballkanik, që jetuan për shekuj nën zgjedhën osmane mbetën akoma më prapa nga qytetërimi perëndimor. Përkatësia fetare (ortodokse) e popullsive ballkanike më pak të zhvilluara se ajo e banorëve të Evropës perëndimore me përkatësi fetare (protestante dhe katolike) është një rrethanë historike dhe jo shkaku kryesor që ka përcaktuar këtë dallim qytetërimi. Burimi kryesor i prapambetjes nuk duhet kërkuar, pra, tek feja.
Mjafton të kujtojmë rastin e banorëve të Shqipërisë veriore. Siç dihet në shek. XIX, kur Shqipëria ndodhej prej shumë shekujsh nën zgjedhën osmane, banorët katolikë të qytetit të Shkodrës qëndronin në pararojë të qytetërimit shqiptar, kurse banorët e malësive të Shkodrës, gjithashtu katolikë, përfaqësonin pjesën më të prapambetur të popullsisë shqiptare.

(vazhdon)

Re: Identiteti i shqiptarëve dhe të metat e debatit Qose-Kad

Posted: Mon Jun 14, 2010 7:20 pm
by Arta
Nje analizim shume i mirefillte i Prof. KRISTO FRASHËRIT mbi kete polemike te ketyre dy nejrezve te letrave shqiptare! Por megjithese une kam fol per kete edhe ne forume te tjera, doja te sillja ne vemendje nje koment i nje shoqes time Vlaentina Prifti e cila i ben nje analizim teper intelektual ketyre dy figurave, dhe ne shume pika bie dakrot me ato qe kam thene une gjithnje, te pakten per nejren nga kto figura. "I guess great minds think alike"!
Valentina Prifti: Me pelqen shume analiza qe i kini bere ketij shkrimi midis Z; Kadare dhe Z; Qose . Te dy keta njeres te letrave ,kane vlera te vecanta . Per mendimin tim biseda duhej te ishte bere tet a tet dhe jo me fyerje dhe sharje . Ketu po flasim per dy personalitete te medhenj te letrave shqipe dhe jo per shkrimtare qe dine te shkruajne oper kukuvajka ose iriqa. Si fillim do te merem pak me shkrimtarin tone te madh Ismail Kadare! Persionalisht e vleresoj shume ashtu si eshte ne te vertete nji shkrimtar i madh . Nje njeri qe i ka dhene shume shqiperise . Nga shkrimet e tija dhe perkthimet shqiperia eshte njohur ne bote . Po mos harroni dhe gabimet e Kadarese, Jashteqitje i quajti ai shqiptaret qe renden per nji cope buke dyerve te ambasadave ,mos harroni qe ka qene dhe eshte shkrimtar oborresh. Mos harroni se eshte shume mendjemadh ,kete e them sepse asnjihere dhe kur ne TV1 te Frances jane folur gjera te pa verteta per Shqiperine ai ka heshtur. Do te vleresoja si shqiptar dhe patriot te vertete KRISTAQ TRAJEN . Ky Kaderaja jone ,ka pas kohe ne kohen e Xhaxhit qe e rriti te depozitonte shkrime ne France ,neper banka . Po sot nuk ka kohe te behet njeri i mencur dhe te mari fatet e shqiperise ne dore . Nuk kam respekt per nji njri si Kadareja qe pranon lemoshen e Berishes . Nje njeri qe kurre nuk mblodhi shqiptaret ,te dukemi dhe n qe kemi shkrimtare te medhenj dhe te krenohemi . Ky zoteria eshte si Inva Mula qe kurre nuk e degjuam te kendoje ndonjhere per ne qe nuk i blejme dot ato bnileta te shtrenjta . E kam ndjekur dhe Z; Rexhep Qosja ! Njeri i madh ,patriot ,nuk e la ndonjihere Kosoven . E cmoj personalisht kete njeri ,sepse ka qene i pushtuar nga serbi ,pra dua t them se ka pas me pak mundesira se KADAREJA jone. Po kjo nuk do te thote te jem dakort me ato qe nuk e di perse i ngaterron Z; Qosja Besytnite fetare tona ; Feja e shqiptareve eshte Shqiptaria. Asnji e keqe nuk na vjen ne se jemi myslimane ,Ordodokse apo katolike ,cifute etj . Po me duket se keto nuk behen per mire ,keto zenka nuk behen per pune fesh e pune botimesh ,po dikujt i intereson qe keta te grinden . Dikush i ka futur ne valle per te terhequr ve:mendjen nga hallet e teperta qe ka Shqiperia dhe Kosova . pse nuk u tregua njeri i mencur?????? mos valle te dy kane gjera mangut???? jo kjo behet per ti bere qejfin hasmit. Saliu thote se ne nuk kemi me hasm. sepse ai po na ben miq dhe me Serbet . E kjo pune i ka rrenjet e thella ne Amerike apo Serbi ta gjejne keta shkrimtaremedhenj.Te mencur jane ata qe ne situata te veshtira dine te tregojne se kush jane . Sa per tu futur n Europe Rexhep Qosja e ka gjysmen e Kosoves te pa pregatitur ,ndersa Shqiperia ,pak me shume. Per kete te ini te vetedishem . Te hysh ne Europe do te thote shume . Nuk hyhet ne europe me vjedhje votash ,me grushta ,me vrasje ,me shterngime dhembesh dhe me koke mushka . Pra tjeter kund rrafin çekicet. Ndoshta nuk ishte vendi te permendja KRISTAQ TRAJEN DHE INVA MULEN ?TE PARIN PER NJERI TE MENCUR ?E DYTA ME NGJAN ME KADARENE (INVA)

Re: Identiteti i shqiptarëve dhe të metat e debatit Qose-Kad

Posted: Mon Jun 14, 2010 8:43 pm
by alfeko sukaraku
e lagu apo nuk e lagu bishtin dhelpra-kjo eshte ceshtja Qose-Kadare
identiteti yne eshte me se i qarte por i papranueshem akoma nga te dyja akademit tona sepse te dyja akademit nuk kane asnje studim te mirfillet per lashtesin e gjuhes sone....ketu fillon e mbaron gjithcka serioze edhe fillojn karagjozlleqet ..jemi te krishter edhe jo mysliman, jemi gomerer e jo hajvan..pastja fjalen e mere kori i zhabave i letersis se tiranes-kori me injorant i botes- edhe merret me bishtin e dhelpres..sepse akademit tona jane me se te qarta edhe me se te prera per lashtesin e gjuhes sone.