Identiteti kulturor
Tufës mediatike të analistëve, modeleve, këngëtareve etj., pra të njerëzve, për të përdorur një barbarizëm, të showbiz-it, këto kohë i është shtuar edhe një kategori e re, ajo e klerikëve. Abrahamikët tanë po kthehen në një konstante të programeve mediatike dhe, ashtu si kolegët e tyre showbiz-nesmena, janë të pajisur me "gjithëdijen" e cila u lejon të kalojnë nga argumenti në argument me zhdërvjelltësi habitëse, pra i gjejmë të diskutojnë nga skema 4-4-2 dhe parashikimet sportive te fizika bërthamore, duke kaluar nga dieta me bazë hurma arabie.
Këto ditë lexova një intervistë të një showbiz-nesmeni abrahamik, një copëz e ripodhuar këtu:
Gazet. – Shqipëri etnike, apo kështu si jemi mjafton?
P – Jam atdhedashës dhe mëmëdhedashës, duke e lidhur atdheun me rrënjën e fjalës: at dhe mëmë d.m.th. me dashurinë për prindërit dhe familjen. Nëse atdheu nuk konceptohet kështu, atëherë dashuria ndaj tij është vetëm ideologji. Shqipëria, atdheu që kemi është etnik. Kemi edhe shqiptarë jashtë kufijve në toka shqiptare. Por ka edhe hungarezë brenda kufijve serbë, austriak në kufijtë italianë dhe italianë në territor francez apo zviceran.
Nuk mendoj se është kohë kufijsh apo Shqipërie të madhe, është koha e integrimit në familjen e madhe evropiane dhe identiteti ynë duhet të lidhet më fort me atë kulturor dhe shpirtëror sesa me kufijtë fizik".
(R. Mapo, nr. 8 (225), f. 50).
Sigurisht që ka austriakë në Itali (flasim për Italinë meqenëse kleriku është përfaqësues i një shteti në territorin e atij vendi) dhe këta austriakë shpesh herë i gjejmë në media. I gjejmë p.sh. kur gjithë djemtë e komunave të Tirolit Jugor deklarohen homoseksualë thjesht për të mos kryer shërbimin ushtarak nën flamurin italian, sepse vetëm të tillë, italianë, nuk ndihen. Janë ata djem baballarët e të cilëve me bomba dore sulmonin xhipat e karabinierisë italiane, karabinieri e cila shihej, dhe shihet, vetëm si forca e armatosur e një pushtuesi. Episodet e mosbashkëjetesës në Tirolin e Jugut janë të përditshme dhe tensioni shfaqet qoftë dhe për emërtimin e një sheshi në qytet.
Pra, fakti që janë shtetas evropianë tirolezojugorët nuk i bën aspak të ndihen të bashkuar me shtetin e tyre amë, e njëjta vlen dhe për baskët, korsët, irlandezoveriorët etj. Fakti që jetojnë në shtete të një “standardi demokratik” shumë të lartë nuk i bën të ndihen shtetas të atij vendi apo që identiteti i tyre të jetë i mbrojtur.
Nëse nuk ndihen të bashkuar tirolezojugorët nuk kuptoj se si shqiptarët do të ndihen të bashkuar në atë “familje”, nuk kuptoj se si shqiptari i Artës do jetë i bashkuar me atë të Luginës, duke jetuar në shtete të ndryshme, shtete armike të gjakut tonë.
Kleriku mund të shtyhet edhe më shumë, duke thënë që në fund të fundit s’kemi pse bëjmë përpjekje për bashkim, e as për pavarësi, sepse të gjithë do bashkohemi në mbretërinë e qiejve apo në ndonjë vend tjetër imagjinar, e kjo madje do i shkonte më shumë për shtat.
Dhe meqë jemi te “shqiptar” kleriku flet edhe për identitet.
Çështja e përkatësisë në bazë të identitetit kulturor nuk shfaqet sot e për herë të parë këtej nga anët tona.
Një nga përfaqësuesit më të dëgjuar të kësaj rryme mendimi ishte greku Metaksa. Si vajti puna pastaj, dihet, ose mbase edhe s’dihet, se te ne çfarë s'ndodh, mbase s’dihet numri i saktë i shqiptarëve të masakruar dhe të dëbuar nga tokat tona.
Edhe në Veri aksioma e priftit tonë u aplikua me mjaft sukses, pra: mysliman=turk për rrjedhojë "të ardhur", për rrjedhojë "s’kanë pse të jetojnë më në Sërbi (sic!)" dhe o burra në kamionë drejt Anadollit (shoferët vetë me çallma në kokë). Që toka të mos mbetej djerrë u popullua me kolonë skllavë, m’fal, sllavë.
Ndoshta abrahamikut në fjalë, dhe të gjithë abrahamikëve të tjerë, nuk i interesojnë shumë këto probleme “të vogla”, të cilat na kanë përgjysmuar si komb e si shtet, sepse ai ka shtetin e vet brenda shtetit tonë dhe flet vetëm për “shtetasit” e vet, s'i hynë në sy shqiptarët.
Që shoqatat abrahamike, apo më saktë ambasadat abrahamike, nuk janë fort të interesuara, për të përdorur një fjalë delikate, në Bashkimin tonë kombëtar, nuk ishte e nevojshme të lexonim intervistën e priftit apo të cilido prifti e hoxhe, sepse veprimtaria e tyre është prova më e mirë.
Kjo, sigurisht, ka arsyet e veta historike dhe ideologjike.
Ngritja e shoqatave abrahamike në vitet ’90 erdhi si pasojë e veprimtarisë dhe e financimeve të të huajve. Në atë periudhë amullie shqiptarët u dalluan për një indiferentizëm mbizotërues dhe pragmatizëm të skajshëm, sjellje që sot nuk mund të mos të quhet e dëmshme duke parë se në çfarë pozitash i ka sjellë abrahamikët kundrejt nesh.
Kishat e xhamitë nuk u ngritën me lekët e Shtetit shqiptar, e aq më pak të shqiptarëve, por me fondet e shteteve të huaja dhe të organizatave të caktuara, këto janë të dokumentuara gjerë e gjatë në shtyp dhe në Shërbime. Në radhë të parë fonde të Greqisë dhe të Turqisë, dy shtete të cilat për arsye gjeopolitike, ekspansionizmi apo thjesht sovraniteti territorial nuk ishin e nuk janë aspak të interesuar në forcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, përkundrazi, janë të interesuar pikërisht në identifikimin e ortodoksit me shtetin grek dhe të myslimanit në shtetin turk (epoka para Rilindjes), duke këmbyer kështu dhe pozicionet ideopolitike, sepse në vend që të ngrinim ne pretendimet tona territoriale mbi Greqinë është ajo që po e bën këtë gjë (mbrojtja më e mirë është sulmi), në vend që ta trajtonim ne Turqinë (atë të “renë” e Ataturkut e jo këtë anadollaken) si krijesë të shqiptarëve ndodh anasjelltas.
Kisha katolike, nga ana tjetër, emërtimi zyrtar "Selia e Shenjtë" që të mos ketë ekuivoke për natyrën juridike, nuk e njeh konceptin e kombit dhe historikisht ngre shtet brenda shteteve.
Sot e 20 vjet nga rikthimi i feve (
fetë çuditërisht në Shqipëri i sjell apo i risjell gjithmonë i huaji, dhe jo një i huaj çfarëdo, fjala vjen ndonjë indian, kinez apo japonez, por gjithmonë një i huaj drejtpërsëdrejti ekonomikisht dhe politikisht i interesuar për Shqipërinë) asnjë prej shoqatave të tyre nuk ka bërë një hap drejt bashkimit të besimtarëve të territoreve të lira dhe atyre të pushtuara.
Sot, gjithmonë e më shumë ngrihen organizma të përbashkëta si një parathënie e Bashkimit, më e famshmja “Një Komb, Një Kombëtare, Një Ligë” e duke vazhduar.
Por te institucionet abrahamike në këtë kuadër nuk kemi asnjë të re. Nuk e kemi dëgjuar Janullën të interesohet ç’bëhet atje lart me manastiret ortodokse që janë tumore skllave, gjithmonë e bëj këtë gabim, sllave desha të thosha, në tokë shqiptare, nuk e kemi dëgjuar kurrë të interesohet për shtrirje të “autoqefalisë” (thonjëzat më shumë se kurrë të detyruara) edhe në Shqipërinë Veriore.
Kemi një thes me BIK-a, BIM-a, KMSH-ra e akronime të tjera, të cilat për asnjë çast nuk kanë deklaruar, qoftë dhe qëllimin më të vogël, për t’u bashkuar.
Dhe katolikët atë “… dhe të gjithë Shqipërisë” nuk marrin as mundimin më të vogël që së paku ta zhveshin nga kuptimi londinez i fjalës e ta rikthejnë në kuptimin e plotë, e të vetëm që duhet të ketë.
E jo vetëm që abrahamikët s’kanë bërë ndonjë hap të tillë, përkundrazi, janë bërë vatra infeksioni të kosovarizmit, arabizmit, turqizmit, vorioepirotizmit dhe të shkombëtarizimit në përgjithësi.
Kjo është "përkatësia kulturore", "identiteti kulturor" që promovojnë e propagandojnë në të gjitha frekuencat abrahamikët e të gjitha ngjyrave; paradhoma e një përgjysmimi të ri të shqiptarëve.